VOAL

VOAL

Haradinaj: aktet e dhunës ndaj serbëve të FSK-së të papranueshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se Forca e Sigurisë do të jetë shumë etnike dhe se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin rolin e serbëve në këtë forcë, me gjithë kërcënimet ndaj tyre.

Ai i bëri këto komente në hapje të konferencës “Forca e Sigurisë dhe Partnerët”, në një kohë kur shumë pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, po përballen me trysni që të braktisin këtë forcë.

Më shumë se 70 pjesëtarë të komunitetit serb e kanë braktisur Forcën e Sigurisë për shkak të trysnive nga Beogradi.

“Pa dyshim që tranzicioni do ta nxjerrë Forcën e Sigurisë shumë etnike dhe me profesionalizëm edhe pse shumë etniciteti i forcës sonë është duke u kërcënuar nga aktet e dhunës që janë të papranueshme dhe dua të falënderoj çdo institucion dhe çdo shtet që dënon këto kërcënime. Janë të papranueshme kërcënimet ndaj njerëzve dhe anëtarët e familjeve të tyre. Kështu që ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë serbëve të Kosovës, serbëve të rinj, rolin e tyre në forcën e tyre, sepse është forca e tyre”,tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, tha se forca po përballet me sfida të ndërhyrjeve nga jashtë.

“Kërcënimi i serbëve të Kosovës, i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, është i papranueshëm. Dua t’ju siguroj që Forca e Sigurisë është organizatë profesionale dhe ne udhëhiqemi nga profesionalizmi dhe jo nga emocionet. Ne po punojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallime”,tha gjeneral Rama.

Gjatë javës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u bëri thirrje publike pjesëtarëve të komunitetit serb që siç tha “të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse atë ushtri po e formojnë, për asgjë tjetër, por vetëm që ata serbë t’i shfrytëzojnë që një ditë të qëllojnë mbi serbët tjerë”.

Kërcënimet dhe frikësimet ndaj serbëve në Forcën e Sigurisë u dënuan edhe nga e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, të cilët thanë se “kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme të serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera në Forcën e Sigurisë së Kosovës dëmtojnë të gjithë. Forca e Sigurisë është një model për vendin dhe përpjekja e saj për të qenë gjithëpërfshirëse duhet të përgëzohet e jo të dëmtohet”.

Beogradi po vazhdon të reagojë me zemërim ndaj planeve për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, duke theksuar se “formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë paqen e qëndrueshmërinë dhe mund të çojë në pasoja tragjike”.

Por, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se qëllimi i ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë është paqja dhe rruga drejt integrimeve euro-atlantike.

“Do të lëvizim bashkërisht në partneritet, nuk po bëjmë asgjë të jashtëzakonshme përveç asaj e cila është marrëveshje e jona e përbashkët e partneritetit dhe vazhdimësisë. Ne do të jemi me ju, Forca e Sigurisë do të jetë krahë i fuqishëm i juaj”,tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se edhe pas ndryshimit të Forcës së Sigurisë, Kosova do të ketë nevojë për KFOR-in dhe NATO-n.

FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in, sepse KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë. Prania e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”, tha kryeministri Haradinaj.

Më 18 tetor, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjet për zgjerimin e përgjegjësive të Forcës së Sigurisë, duke shmangur ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës, ndryshime që u pamundësuan për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe deputetëve serbë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Dalja masive në zgjedhjet e 4 nëntorit, forcon pozicionin e Luginës së Preshevës – Nga Florim Zeqa

Zgjedhjet e 4 nëntorit 2018 janë të rëndësishme për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë si dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë brenda juridiksionit të shtetit serb.

Në këtë garë zgjedhore janë të çertifikuara gjashtë subjekte, shumica prej tyre janë parti politike dhe një OJQ nga Medvegja.

 

Prioritet i subjekteve shqiptare në garën zgjedhore duhet të jenë; arsimi, zhvillimi ekonomik, kultura, informimi, gjuha dhe simbolet kombëtare.

Zbërthimi një nga një i prioriteteve të sipërpërmendura e qartëson akoma më tepër rëndësinë e këtij procesi zgjedhor.

-Arsimi është hallka kyqe, e cila determinon dhe përcakton kahet e zhvillimit dhe funksionimit të hallkave tjera. Përveq funksionimit të arsimit fillorë dhe të mesëm, të zgjedhurit e Këshillit Kombëtar Shqiptar duhet të angazhohen edhe për themelimin e një Universiteti Publik në gjuhën shqipe në rajonin e Luginës, konformë ligjeve dhe të drejtave ndërkombëtare për arsimin e lartë.

-Zhvillimi ekonomik përveqse do të gjeneroj vende të punës për të rinjët shqiptar, është çështje fondamentale dhe ekzistenciale, është çelësi kryesor për mirëqënjen e familjeve shqiptare në ato hapësira.

Pa dyshim, zhvillimi ekonomik do të ndikojë në ngritjen e vetëdijes shoqërore, përkatësisht, emancipimit kombëtar dhe zhvillimit kulturor të shqiptarëve të Luginës në përgjithësi.

Kjo është e mundur të arrihet me bashkimin e bizneseve shqiptare, përkatësisht me krijimin e Unionit të Afaristëve Shqiptar të Luginës, që veprojnë në botën përendimore.

-Informimi është çështje e një rëndësie të veçantë, për promovimin e të arriturave në të gjitha sferat e jetës. Krahas themelimit të Universitetit, të zgjedhurit e rinjë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, duhet të angazhohen për hapjen edhe të një Televizioni në gjuhën shqipe, sa e drejtë, po aq nevojë imediate e kohës për komunitetin autokton shqiptar të Luginës.

-Përdorimi i gjuhës dhe simboleve kombëtare për shqiptarët e Luginës, duhet të rregullohet me ligj dhe në përputhje me të drejtat e pakicave kombëtare dhe reciprocitetit në raport me minoritetin serb në Kosovë.

Nuk duhet pranuar më pak dhe as kërkuar më shumë drejta sesa që kanë minoriteti serb në Kosovë.
Këto që i ceka më sipër duhet të jenë bazament i një paltforme kombëtare për shqiptarët, përkatësisht e të zgjedhurve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Platforma politike e përgatitur nga të zgjedhurit e rinjë në Këshillin Kombëtar Shaiptar, duhet t’iu dërgohet autoriteteve përkatëse shtetërore serbe dhe atyre ndërkombëtare, përkatëshisht BE-së, SHBA-së, OKB-së dhe OSBE-së.

Sistemi i rotacionit, krijon standard të ri politik

Sistemi i rotacionit në zgjedhjet për Kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar përveqse do ta krijonte një standard të ri demokratik, do të sjellte risi dhe freski në qeverisjen komunale, si dhe do të krijoheshin premisa të mira për ndryshime pozitive dhe substanciale në politikbërjen e komunitetit shqiptar në ato hapësira.

Sistemi i rotacionit pas zgjedhjeve të 4 nëntorit, për pozicionin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, do të sjellte ndryshimin substancial dhe do të plotësonte kriterin bazik të vlerave demokratike, duke sjellë për herë të parë një lider nga Medvegja në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Ky zhvillim, do të barazonte Medvegjen me Presheven dhe Bujanocin, gjegjësisht edhe Medvegja do ta zënte një vend të merituar dhe të barabartë në drejtimin e përbashkët të komunave autoktone shqiptare në jug të Serbisë.

Bazuar në marrëveshjet paraprake mes drejtuesve shqiptarë të komunave; Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe kriterin e rotacionit, në këto zgjedhje radhën e ka Medvegja ta merr postin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Krijimi i unitetit politik dhe kombëtar i shqiptarëve të Luginës arrihet me barazinë qytetare, gjegjësisht rëndësisë së njëjtë që kanë shqiptarët në atë pjesë, pavarësisht madhësisë së territorit dhe numrit të banorëve, pavarësisht forcës politike, ngritjes intelektuale apo fuqisë ekonomike që posedojnë subjektet shqiptare në trojet e tyre etnike në Luginë.

Për fatin e Luginës, të vendos KKSH e jo matrapazët politikë

Zgjedhja e Këshillit Kombëtar Shqiptar, me njerëz të rinjë, me gjak të pastër kombëtar, do të shënojë një fillim të ri për shqiptarët e Luginës.

Ka ardhur koha që edhe shqiptarët e Luginës të lirohen nga iluzionet për zbritjen e mrekullisë nga qielli! Aq sa mund të bëjn ata për vetën e tyre, nuk mund të bëj askush tjetër, pra as Shqipëria, as Kosova dhe as bashkësia ndërkombëtare.

Shqiptarët e Luginës, gjegjësisht KKSH në asnjë rrethanë nuk guxonë ta lërë fatin e Luginës në dorën e matrapazëve politikë, qofshin ata shqiptarë apo ndërkombëtar.

Pra, në asnjë rrethanë shqiptarët e Luginës nuk guxojnë të bien pre e pazareve politike për interesa personale të politikanëve të korruptuar.

Loja e pistë dhe djallëzore me territore është mashtrimi dhe rreziku më i madh që po i përgatitet Luginës nga matrapazët politikë. Ngase me ndryshimin eventual të kufijve, përveq copëtimit të Luginës do të ndodhin zhvillime tjera dramatike me zhvendosjen, përkatësisht zbrazjen e Luginës nga shqiptarët.
Andaj, për shqiptarët e Luginës është me rëndësi jetike ruajtja e substancës kombëtare në trojet e tyre etnike.

Ruajtja e substancës kombëtare në Luginë, është mbrojtja më e mirë për Kosovën dhe anasjelltas, ruajtja e territorit të Kosovës është mbrojtje dhe e arritur e madhe në rrugën e integrimeve kombëtare.

Dalja masive e shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet e 4 Nëntorit 2018 forcon pozicionin e Luginës, gjegjësisht do të jetë një hapë i madh i konsolidimit politik dhe nacional të shqiptarëve, mundësi e mirë e kthimit të besimit për jetë dinjitoze dhe prosperuese në trungun e tyre kombëtar.

Këshilli Kombëtar Shqiptar do të shërbejë si institucion që mbronë të drejtat kombëtare si dhe do të jetë zë i të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Zoti e bekoftë vullnetin e shprehur me votën e lirë!

Zoti i bekoftë me unitet e dashuri vëllazëore shqiptarët e Luginës!

LUTJE PËR PRESIDENTIN DONALD JOHN TRUMP – Nga HYSEN IBRAHIMI

KOSOVA, FUNDI I FUNDIT ËSHTË TERRITOR I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS SEPSE ATA E ÇLIRUAN DHE ATA KANË TË DREJTË TË PYETEN ASKUSH TJETËR!

Kosova, fundi i fundit është territor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse ata na kanë çliruar nga Serbia dhe vetëm SHBA-të kanë të drejtë të pyeten, për territorin e Republikës së Kosovës, të cilët e kanë njoft si shtet të pavarur. Askush tjetër!

Kosova, fundi i fundit është territor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse ata na kanë çliruar nga Serbia dhe vetëm SHBA-të kanë të drejtë të pyeten, për territorin e Republikës së Kosovës. Askush tjetër!

Çfarë arsye ka gjetur Vuqiqi kur thot: ”Të shpëtojmë me fytyrë ne Serbia dhe të marrim diçka nga Kosova. Të shpëtojmë çfarë mund të shpëtohet”! Këtu shifet se Serbisë nuk i intereson pakica serbe, por territori shqiptar.

Prandaj, kemi tri lutje për Ambasadorin e SHBA-ve në Republikën e Kosovës dhe përmes tij Presidentit Donald John Trump:

1.Të ndërhyjë dhe të parandalojë një marrëveshje të tillë, për shkëmbim territoresh e cila do të ket pasoja të pariparueshme dhe problemi nuk do të zgjidhet, por përkundrazi  do të krijohen edhe mijëra probleme të tjera në këtë regjion. E pse?! Për fytyrë të Serbisë…!? Serbia  e cila i ka shkaktuar të gjitha këto luftëra në Gadishullin ILIRIK, e që janë vrarë e masakruar me mia e mia viktima të pafajshme civili në spastrime etnike, vetëm për territore, me mbështetje të Rusisë!

2.Autoriteti i Juaj President Donald John Trump, ta merr parasysh Republikën e  Kosovës dhe të futet në agjenden e Tuaj, për t’a integruar e pranuar në OKB dhe instancat më të larta Evropiane dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare.

3.Ta spastroni Kosovën nga kriminelë të korruptuar deri në fyt dhe ta futni Kosovën në rrugën e zhvillimit, ndërtimit dhe integrimit.

Këtë populli Shqiptar nuk do ua harrojë kurrë. Shpresat kanë mbetur vetëm te Ju, i dashur President Donald John Trump.

I BEKUAR QOFT POPULLI AMERIKAN

Kryeprokurori i Gjykatës së Posaçme viziton Kosovën

Prokurori Jack Smith.

Zyra e Prokurorit Special në Hagë bëri të ditur përmes një komunikate për media se prokurori i specializuar i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, Jack Smith, ka filluar vizitën e tij të parë në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, ai do të takohet me krerët e organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj ministrie.

Prokurori amerikan, Jack Smith, është emëruar kryeprokuror i Dhomave të Veçanta apo i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte pas një procesi të përzgjedhjes, të organizuar nga Bashkimi Evropian, dhe ai ka nisur detyrën më 11 shtator.

Mandati i Gjykatës Speciale për Krime Lufte përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve. Këto krime të dyshuara përfshijnë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Kjo gjykatë është krijuar pas ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Kriminelët, në petkun e zyrtarëve shtetërorë! – Nga Florim Zeqa

Në vendin ku shteti është i kapur nga kriminelët me petkun e politikanit dhe drejtësia e mbështjellë me kriminelë nën petkun e gjykatësit, skandalet ngarendin njëri pas tjetrit!
Në vendin ku qeveritarët e korruptuar dhe inkriminuar e kanë gojën plot demokraci dhe barazi ligjore, çdo ditë rritet numri i zyrtarëve shtetërorë, ministrave, zv.ministrave dhe deputetëve të akuzuar për vepra kriminnale,…në vendin ku kërcënohet prokurori i cili ngritë aktakuzë ndaj shpërdoruesve me listat e veteranëve, në vendin ku gjendet drogë e armë në veturën e familjarëve të shefit të shërbimit intelegjent,…e deri tek sulmet fizike ndaj drejtuesve të agjensioneve dhe kompanive private, nuk pritet progres ekonomik për vendin dhe as ardhmëri e mirë për qytetarët.

Sistemi i drejtësisë i kapur nga krimi i organizuar

Sipas këtyre të dhënave dhe logjikës së thjeshtë, atëherë Kosova i ka plotësuar kushtet për hyrje vetëm në organizata mafioze si; “Cosa Nostra” e “Kamorra” në Itali, “Solntsevskaya Bratva”në Rusi, dhe organizata të tjera mafioze ndërkombëtare!
Organizatat mafioze vendore e kanë kapur shtetin duke e zgjeruar rrjetin e trafikimit të drogës, prostitucionit dhe kazinove gjithamdej vendit. Në shtetin e kapur, pa lejën e “Bossave” nuk mund të punësohet as një shërbetor në institucionet publike, e lëre më të emërohet dikush në krye të agjensisoneve apo bordeve.
Organet kompetente për mbrojtjen e rendit dhe ligjit, si Policia, AKI-ja, Prokuroria dhe Gjykata kanë kaluar krejtësisht në shërbim të klaneve mafioze.
Duke e marrë parasysh këtë situatë dhe nga kush udhëhiqen institucionet më të larta të shtetit, atëherë nuk mund të pritet diqka më e mirë nga ajo që po ndodh në qeverisjen e vendit në përgjithësi, e nga AKI-ja në veqanti.
Pasi, shërbimi intelegjent, përkatësisht AKI-ja, Presidenca, Qeveria, Kuvendi, Prokuroria, Gjykatat, Policia, e institucione të tjera udhëhiqen nga njerëz të inkriminuar.
Kjo nënkupton se nuk është i kapur vetëm sistemi i drejtësisë, por i tërë aparati shtetëror nga një kastë kriminelësh të veshur me petkun e politikanit, gjykatësit, prokurorit apo policit!

Një popull që zgjedh dhe përkrahë hajdutët në pushtet, edhe vetë është i tillë

Një fjalë e urtë italiane e thotë: “Çdo poull e ka qeverinë që e meriton”! Jo pa të drejtë faji hudhet tek pushtetarët, por fajtorë janë edhe qytetarët që i votojnë dhe mbajnë në pushtet mashtruesit serik.
Ngado shkon dhe me secilin që bisedon, dëgjon vetëm për abuzime me buxhetin e shtetit, vjedhje, mashtrime, gënjeshtra, keqëtrajtime, ngacmime seksuale në vendin e punës, uzurpime pronash, ndërtime pa leje dhe mbindërtime, vrasje “aksidentale” në institucionet e sigurisë së lartë, drogë, prostitucion dhe çka jo tjetër nga zyrtarët e institucioneve të shtetit!
Në gjysëm shtetin e Kosovës, kemi institucione pa kredibilitet qytetarë, kemi arsim, por nuk arsimim të mirëfilltë, kemi shëndetësi, por nuk kemi mjekim për pacientët, kemi sistem të drejtësisë. por nuk kemi barazi ligjore për qytetarët,…
Ngado shkon, dëgjon për qindra tituj akademik e shkencorë me plagjiaturë dhe mijëra diploma të blera, për qindra e mijëra invalidë dhe veteranë të rrejshëm.
Për mbi 10 vite në gjysëm shtetin e Kosovës, kemi pasur vetëm luftë të klasës politike për pushtet dhe rritje enorme të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për mbi 10 vjet në shtetin e kapur, kemi pasur vetëm për mashtrime e gënjeshtra të pushtetarëve për lëvizje të lirë, për zhvillim ekonomik, për formimin e ushtrisë, për integrimin në BE, në OKB, në NATO dhe Interpol!
Për mbi 10 vjet, kemi dëgjuar vetëm për vjedhje në polici, në dogana, për tjetërsim dhe uzurpim të pronave publike, për shkatërrim të pyjeve dhe lumenjëve!
Për mbi 10 vjet, qytetarët e vendit i kaluan pa ngrohje, pa ujë dhe pa rrymë të mjaftueshme, e për më keq se kaq, për mbi 10 vjet në gjysëm shtetin e pavarur, 90 % e qytetarëve ua paguan rrymën minoritetit serb në veri të vendit, këtyre kundërshtarëve të përbetuar të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë!
Për mbi 10 vjet rresht, të gjitha kompanitë biznesore në gjysëm shtetin e Kosovës kontrollohen nga mafi-politika, filluar nga supermarketet, qendrat komerciale, restorantet luksoze e deri tek gurëthyesit e shumtë gjithandej Kosovës që ndotin ambientin dhe prishin reliefin e bukur të kodrinave e bjeshkëve tona, të ruajtura berez pas brezi.
As kjo nuk u mjaftoi pushtetarëve të inkriminuar kosovarë, të cilët i falen me mijëra hektarë tokë shteteve fqinjë (Maqedonisë dhe Malit të Zi), me tendencë të faljes edhe të dhjetëra-mijëra hektarëve tjerë fqinjit verior-Serbisë armike të shqiptarëve.

Qytetarët e getoizuar, monarkët në majat e pushtetit

Nëse vazhdojmë kështu së numëruari të gjitha mangësitë dhe dështimet e qeveritarëve, vargu do të jetë i gjatë dhe i pambarim.
Shtrohet pyetja, çfarë bën qyetarët për ta parandaluar degradimin sistematik të institucioneve shtetërore, shkatërrimin trashëgimisë kulturore dhe resurseve natyrore të shtetit tonë?
Çfarë bëni popullata vendore për ta bindur përendimin se meritojnë qeverisje më të mirë në vendin e tyre? Përgjigja është asgjë!
Pasi janë këta qytetarë, është ky popull që i zgjodhi dhe po i mbanë në pushtet këtë klasë të inkriminuar politikanësh, të shndërruar së fundmi në kusarë politikë dhe dinozaurë të buxhetit të shtetit! I quajta ashtu, pasi të tillë janë.
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur shteti me buxhetin më të varfër në rajon, e ka qeverinë më megalomane në Evropë, me 22 ministri, me 5 zv.kryeminstra dhe 100 zv. ministra e qindra këshilltarë me pagat më të majme në rajonin e Ballaknit, përderisa pensionistët duhet të kënaqen me të ardhura mujore nga 75-125 euro në muaj, kur kryeministri i vendit të tyre e merr pagen mujore prej 2950 eurove!
Në të shumtën e rasteve, kur përmendet fjala krim, aludohet në vrasjen me plumb apo forma tjera. Mirëpo krimi më i rënd është kur vritet shpresa dhe e ardhmëria e gjeneratave të reja në një vend.
Politikanët e papërgjegjshëm që kanë krijuar distancë në mirëqënje me qytetarin, nuk janë drejtues dhe as zyrtarë shtetëror, por kriminelë ordinerë që jetojnë mbi kurrizin e qytetarëve të varfër.
Qytetarët e varfër, në vend që t’i “gozhdojnë” politikanët milionera me protesta mbarëpopullore, kanë rënë nëgjumë të thellë, duke mos iu ineteresuar fare çfarë do iu sjellë e nesërmja, por vazhdojnë të jetojnë të sotmen si skllëvër me shpresën që e nesërmja t’i gjejë në përendim!
Kësisoji, pushtetarët e inkriminuar, me mos reagimin qytetarë janë shndërruar në skllavopronarë dhe monark të qytetarëve të getoizuar kosovarë.

A SHKATËRROHET NJË SHTET E NJË QYTET PËR PARE E POSTE…?! RASTI I PEJËS – Nga Reshat Nurboja, anëtar i Kuvendit të Komunës së Pejës

 

…Zhvillimi urban i Pejës, me dhjetëra, qindra e mijëra vite, që nga koha e Perandorisë Romake, kur Peja e ka pasur statusin e Municipiumit, është bazuar në dy asetet e saja kryesore: Lumin “Bistrica – Lumi i Bardhë”, dhe Grykën e Rugovës, nga të cilat përcaktime bazike për asnjë çmim, arsye e argumentim, për as një individ apo personalitet me ndikim apo fuqi politike e materiale nuk është mundur e guxuar që këto dy asete identifikuese natyrore të injorohen, anashkalohen apo semtohen e shkatrrohen…!

 

LUMI:

  1. Sipas atyre planeve shekullore ( jo vetëm të okupatorit serb por edhe të gjithë okupatorëve para tyre…) dhe kuptohet logjikes, të dashurisë e interesit ndaj bukurive natyrore të Pejës: Pamja – Qasja në lumin e qytetit dhe ndërtimi i “kejit”- shëtitores në të dy anët e lumit të jetë e papenguar nga çfarëdo objekti…Në fazën e parë, ky përcaktim zhvillimor ështëplanifikuar tëfilloi nga Patrikana e Pejës deri të Kombinati i Lëkurë Këpucëve e në fazat në vijim edhe poshtë ish Kombinatit të Lëkurë Këpucëve dhe mbi Patrikanë deri në kilometrin e 5-të në drejtim të Rugovës. Dhe kuptohet, mirëmbajtja permanente dhe kujdesi për pastertinë e shtratit të lumit…

 

 

GRYKA E RUGOVËS:

 

 

  1. Pamja e Grykës së Rugovës nga të gjitha hyrjet dhe rrugët kryesore në qytet nuk është guxuar e lejuar të pengohet….!

 

Ky përcaktim zhvillimor mijëra vjeçar ka mbijetuar deri sa udhëheqjen e Pejës nuk e kanë marrë në duart e xhepat e veta “shpëtimtarët dhe të mençurit qiellor të Pejës”…

Atë, që nuk kanë mundur apo dashur të shkatërrojnë okupatorët mijëra vjeçar që kanë kaluar nëpër këtë qytet, siq ishin: Perandoria Romake, Perandoria Bizantine, ajo Osmane, Mali i Zi. Mbretëria Serbe, Austro Hungaria, Italia e Musolinit, Gjermania e Hitlerit, Partizanët, komunistët e Jugosllavisë së Titos, dhe Serbia e Rankoviqit dhe Millosheviqit… Për disa vite, këta “Sinqerisht Tuajit” kanë arritur që për pare e poste të shkatërrojnë çdo bukuri e trashëgimi historike e natyrore  të Pejës… Nuk dua të besoj për arsye tjera…?!

Jam i vetëdijshëm se “vrasësit” urbanistik që e kanë shkatërruar dhe tjetërsuar Pejën gjatë këtyre viteve të fundit, vështirë se do të përgjigjen për krimet e tyre para popullit dhe para institucioneve të drejtësisë se ato nuk funksionojnë as në Kosovë e as në Pejë, por se do të përgjigjen para Zotit dhe natyrës, nuk kam asnjë pikë dyshimi!

 

 

Të dy këto pikënisje apo strategji të zhvillimit urbanistik të Pejës, Sinqerisht Tuajit, i kanë  injoruar e i kanë tjetërsuar, tradhtuar, apo i kanë shkatërruar e shitur  për pasurim personal dhe apetite  karrieriste…

 

A mund të arsyetohet i gjithë ky shkatërrim i Pejës, për një post politik që nuk zgjat përgjithmonë…?!  A mund dhe a do të amnistohen këto gjenerata që e kanë ndihmuar e përkrahur këtë shkatërrim të qytetit të tyre edhe duke heshtur… Ideatorët dhe argatët e shkatërrimit të tillë të Pejës, Zoti i ndihmoftë, dhe don ZOTI se pasardhësit e tyre nuk do t’i mallkojnë aq shumë…!

 

 

 

Pejë, 29 tetor 2018

Draft-statuti i Asociacionit nuk i është dorëzuar as Prishtinës dhe as BE-së

Arton Konushevci

Qeveria e Kosovës nuk ka informata të konfirmuara nga ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse ky ekip i ka dorëzuar Bashkimit Evropian draft-statutin për Asociacionin apo vetëm procesverbalet e takimeve.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se është e paqartë sesi grupi punues, i përbërë nga katër zyrtarë serbë, ende nuk e ka dorëzuar në Bruksel draftin për Asociacionin.

“Ata kurrë nuk kanë dorëzuar draft”, thotë Avni Arifi, shef i Ekipit teknik të Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Ata kanë dorëzuar vetëm procesverbalet e takimeve që i kanë bërë me palët e interesit. Fillimisht është menduar se e kanë dorëzuar në Bruksel dhe proceduara e hartuar nënkupton që ata së pari duhet ta dërgojnë në Bruksel atë, por në bazë të informacioneve që kam nga Brukseli, as atje nuk është dorëzuar drafti”, tha Avni Arifi.

Data 4 gusht ka qenë afati i fundit kur ekipi menaxhues i formuar për këtë çështje, është dashur ta dërgojë në Bruksel draftin e parë të statutit të Asociacionit.

Qeveria e Kosovës ka thënë me herët se pret që draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të jetë i bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Zyrtarët në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal thanë për Radion Evropa e Lirë, se që nga ajo kohë nuk janë dorëzuar në Qeveri procesverbalet dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje tjetër sa i takon statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Edhe në Bruksel, zyrtarët në Bashkimin Evropian që udhëheqin me dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse kishin caktuar datën 4 gusht si afatin e fundit për dorëzimin e draft-statutit, asnjëherë nuk e kanë pohuar apo mohuar se e kanë pranuar këtë propozim-dokument.

Nga ana tjetër, ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se dyshon që Qeveria e Kosovës qëllimisht nuk është e duke kërkuar nga grupi punues që të shtyjë përpara proceset për Asociacionin.

“Mua me vjen keq që Qeveria ka një qasje të keqe lidhur me Asociacionin, sepse është e mundur që kjo çështje pastaj të na vijë në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare. Pra, ju keni dëgjuar që flitet për opsioni e korrigjimit të kufirit, e unë po i them prekjen e kufijve ose Asociacioni plus. Çka ne besojmë, çka LDK-ja beson, është se nuk duhet të jetë as njëra e as tjetra”, tha Gecaj.

Ai tha se statusi i Asociacioni duhet të bëhet sipas Marrëveshje së Brukselit, duke punuar me grupin menaxhues për draftimin e statutit, në të cilin, siç thotë Gecaj, duhet patjetër të punojë edhe Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal, OSBE-ja dhe BE-ja.

Gecaj konsideron se të gjithë këta mekanizma duhet të nxjerrin një draft fillestar për t’u diskutuar më pas në Bruksel.

“Statuti duhet të përpilohet në bazë të Marrëveshjes se vitit 2013, të asaj të vitit 2015 dhe vendimit të Gjykatës Kushtetues. Këto janë tri dokumentet kryesore kornizë për përpilimin e këtij statuti. Për të ndodhur kjo, Qeveria duhet ta marrë këtë punë më seriozisht dhe duhet të ulet dhe të punojë bashkë me grupin menaxhues. Në kohën kur ne kemi qenë në Qeveri, kishim një ministër serb në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryeministri Isa Mustafa më kishte autorizuar mua që të punoj me grupin menaxhues”, tha Gecaj.

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë ka dorëzuar në Qeverinë e Kosovës vetëm procesverbalet.

Përmes këtyre procesverbaleve, ky ekip e ka pasur për detyrë ta njoftojë Qeverinë për procesin e hartimit të statutit.

Në bazë të këtyre procesverbaleve, që përfshijnë muajt qershor dhe korrik, përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë kërkuar që në statut të Asociacionit të përfshihen edhe kompetencat në privatizim, në ekonomi, ruajte të sistemit arsimor me Serbinë si dhe kompetenca tjera.

Në procesverbale të përkthyera në gjuhën shqipe, Asociacioni përshkruhet si Bashkësia e Komunave Serbe (BKS).

Sipas transkriptit, ekipi menaxhues që përbëhet nga katër zyrtarë serbë -Vinka Radosavljeviç, Dejan Radojkoviq, Igor Kalamar dhe Svetislav Durleviq – në të gjitha takimet Kosovës i referohet si ‘Kosova dhe Metohia’.

Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është produkt i marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Qeveria në Prishtinë e sheh këtë organ si një Asociacion me kompetenca joekzekutive. Përderisa Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, pretendojnë se Asociacioni, apo siç e quajnë, Bashkësia e komunave serbe, të ketë edhe kompetenca ekzekutive.

Thirrja e fortë e LDK-së: Të vendoset “vija e kuqe” me Serbinë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se më 1 nëntor do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvend dhe do të kërkohet vendosja e vijës së kuqe në dialogu me Serbinë.

Ai tha se askush nuk ka mandat të negociojë për territoret e Kosovës, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë partive politike në Kosovës të marrin pjesë në seancën e thirrur prej tij.

Hoti ka njoftuar se dje ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, ndërsa seanca do të mbahet më 1 nëntor. ”Askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Kjo është vija kryesore e kuqe në proces të dialogut. Unë shpresoj dhe u bëj thirrje të gjitha partive politike, të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të jenë në seancë me datë 1 nëntor dhe ta votojnë këtë rezolutë”, ka theksuar Hoti, për KosovaPress.

Haradinaj: Pajtim me Serbinë, por jo ndryshim kufijsh

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin se nuk pranon ndonjë marrëveshje me Serbinë që çon drejt ndryshimit të kufijve.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka thënë se “mund të ketë marrëveshje ligjore për njohje reciproke me Serbinë, por jo marrëveshje të bazuar në territor as në kufi”.

“Ato janë kamuflazh për ndarje të Kosovës. Kosova është ajo e 17 shkurtit të 2008”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova është e interesuar për pajtim me Serbinë në mënyrë që të mbyllen çështjet e hapura në rajon.

ATA NUK JANË PELEGRINË, ATA JANË PROVOKUES KRIMINELË – Opinion nga Bardh Mustafë Nengurra

( Shkrim per rastin në Studenicë të Istogut )
Asht i dhimbshem fakti se si në qytetet dhe fshatrat e Dardanisë po futen si në livadhin e babës kujt po i teket, po futet naten e ditën dhe institucionet e shtetit tonë gjithmonë ose po zihen në befasi, ose po heshtin.
Dhe që fatkeqësia të jetë edhe ma e madhe kur populli po del ta mbrojë vendin, pronën , dinjitetin e vetë të familjës dhe të shtetit  këta far kryeministra, ministra, shefa policie, kamandanta policie etj, etj në vend që ta perkrahin popullin ata po e sulmojnë, po e shenjestrojnë dhe po e denojnë popullin e Dardanisë.
Ka pas shumë raste kur në Dardani në qytete e fshatrat e sajë kan ardh të ashtuqujtun pelegrin serb gjoja per të ba homazhe, per te ba lutje dhe rite tjera fetare në objektet që vetem ata i quejn si të tyne, në objekte kishtare të kishave të uzurpueme hiq ma larg se para 100-150 vjetve dhe të pershtatuna nga vet pushtuesit serb në kisha sllavoortodokse nga kisha shqiptare të ritit katolik. Normal se popullata shqiptare vendase reagon dhe per ta ba reagimin i ka njimijë arsye. E para asht se ato objekte nuk jan serbe, ato ishin shqiptare dhe kur perfundojë pushtimi pesë shekullor turkoosman me ndihmen e vet Perandorisë Osmane viset shqiptare u pushtuen nga popuj sllav, kryesishtë nga serb, malazez, bulgar dhe gabelet e bulgarve që ma vonë u ban popull dhe po quhen maqedon. Arsye tjeter asht se asnji objekt fetar serb që sot asht në Dardani, tue fillue nga manastiret e njoftuna si; Manastiri i Deqanit, Manastiri i Graqanicës, Kisha e Deviqit, Kisha Patriarkana në Pejë, Bogorodica e Prizrenit etj, etj nuk jan ndertue nga serbet, ato ishin ndertue nga feudal ilir -shqiptar dhe kan sherbye me shekuj si objekte kulti per shqiptaret e besimit katolik e edhe ati ortodoks bizantin.
Kisha serbe janë vetem ato kisha që i ka ndertue pushteti i ashtuqujtunes Jugosllavia e parë dhe pushteti serbokomunist nëper Dardani gjatë sundimit të ti 55 vjeçar dhe nji nder to, asht kisha në qender të Istogut që u ndertue gjatë viteve 1920-1930. Poashtu objekte apo kisha serbe jan ato kisha që i ka ndertue pushtuesi fashist serb shteti i Sllobodan Millosheviqit pergjat pushtimit të Dardanisë nga 1989-1999. Kisha të tilla janë ajo në oborrin e Rektorati në Prishtinë, në parkun e fshatit Gurrakoc të Istogut, në Banjën e Istogut, në fshatin Poterq të Klinës etj, etj. Menjihere pas lufte shqiptaret me të drejtë reaguen dhe i vun dinamit disave nga këto kisha. E rrenuen me themel ate në Poterq, tentuen ti rrenojnë edhe ate në Gurakoc e në Banjë , por nuk ja dolen dhe pastaj keto kisha u moren në mbrojtje të UNMIK-ut , të KFOR-it dhe EULEX-it dhe mbijetuen. Mirpo ma së shumti mbijetuen me fajin e pushtetarve tanë servil , të padinjitetshem dhe hajna.
Nuk mundem pa e cek deklaraten e Shejtit të Dardanisë Dr. Ibrahim Rugova kur pat deshtue rrenimi në kishat e Gurrakocit dhe Banjës të Istogut: Rugova doli me kumtesë në TV dhe tha: .. nuk asht mirë me veprime të tilla me i rrenue ato kisha , por ato duhet me u rrenue në forma institucionale sepse janë kisha politike të ndertueme nga nji pushtues dhe pa asnji leje institucionale. Më kujtohet fare mirë dhe me duket se po e shof Presidentin kur dha këtë deklaratë per media ulun krah per krah me Administratorin e UNMIK-ut z. Bernard Kushner.
Dhe meqense lideret partiak që formuen parti nga grupacionet e vetshpalluna si “luftëtar” dhe “gjenerala” të UÇK-së nuk ndegjuen Rugovën, por ata e luftuen ate per me ja marr pushtetin LDK-së, andaj ngadal por sigurt ju hap mundësia serbve me ardh nga Serbia dhe në emen të nji pelegrinazhi fetar me vizitue vendet ku ata kan ba krime e masakra. Me ardh me provokue shqiptaret dhe shpesh edhe tue ngritë shenjen e tyne sllavofashiste me tre gishta të dorës.
Kemi pas me dhjetra raste të provokimeve të tilla. Ka pas raste kur qytetaret kan demostrue dhe kundershtue ardhjet e serbve në vendbanimet shqiptare. Gjithmonë jan arrestue disa dhjetra të rinjë dhe jan maltretue nga policia e Dardanisë.
Rasti i fundit që ndodhi në fshatin Studenicë të komunës së Istogut asht rast që duhet me senzibilizue mbarë opinionin shqiptar jo vetem në Istog, apo Dardani, por gjithandej ku ka shqiptar. Ky rast duhet të jet edhe temë e diskutimeve në KËSHILIN E SIGURIMIT të OKB-së, në Bruksell dhe kudo tjeter.
Unë jam i lindun në Lubozhdë, fshat ky afer Istogut. Shkollimin fillor e kam mbarue në fshatin Vrellë e aty kan mbarue shkollimin edhe femijet e fshatit Studenicë ku me shumicën e tyne sot e asaj dite jam mik dhe kemi kontakte. Bashk me mesuesit tan me shumë se dhjet here kemi shkue në të ashtuqujtunin BREGU I KISHËS në Studenicë. Mbaj mend mirë se si mesuesit tan shumica tash të ndjerë si: Imer Sadik Dreshaj, Sadik Maxharraj, Lush Tahir Bicaj, Muhamet Vuthaj, Qerim Spahiu, Idriz Zeqiraj etj, etj, na spjegojshin se aty në atë koder ato mure që ishin aq të dukshme jan muret e nji kishe të vjeter ilire.  Katër nga mesuesit qe i permenda ketu; Imer Sadik Dreshaj, Sadik Maxharraj, Muhamet Vuthaj dhe Lush Tahir Bicaj tashma janë të ndjer. Mesuesi Qerim Spahiu dhe Idriz Zeqiraj ende jetojnë. Derisa po e shkruej këtë shkrim me shkojnë lotët sepse njeriun që ma mësoj ta shkruej dhe lexoj alfabetin Mesuesin Sadik Maxharraj në luftën e vitit 1999 serbet e fshatit Lubozhdë dhe të fshatrave tjera e kishin pas zan në bjeshket e fshatit bashk me bashkëshorten e edhe vajzen e semuet me të meta dhe aftësi të kufizueme dhe mizorisht i mbysin që të tretë. Mesuesi Sadik ka kjen i Studenicës. Andaj si kan guxim sot me ardh serbet e asaj ane tash në Studenicë?! Ku jan lideret e shtetit? Pse ata nuk e shtrojnë këtë problem?! Pse nuk ndegjojnë fjalët e popullit, deshmitë e popullit dhe faktet dhe me i shtrue në bisedime në Bruksell e edhe në OKB.
Unë jam njohes i mirë i Istogut dhe fshatrave të rrethinës. Me ka interesue gjithmonë e kaluemja e jonë. Kam mbledh materiale nga pleq e plaka dhe i kam shenue ato. Kam botue edhe liber monografi per fshatin tim të lindjes per Lubozhdën. Di saktësishtë se asnjihere nuk ka pas kishë serbosllave e as xhami në fshatrat Cerrcë, Lubozhdë, Lluga, Prigodë, Llukafc i Begut, Banjë, dhe shumë fshatra tjera të anes prendimore e veriprendimore të Istogut. Kurr nuk ka pas kishë serbosllave në Studenicë, aty ashtu sikur në fshatrat tjera edhe të anes verilindore të Istogut ka pas kisha shqiptare katolike.
Ato kan kjen të ndertueme në vendkodrinat tue fillue nga Radisheva ( komuna e Skenderajt ) dhe tu ardh me radhë nga drejtimi prendimor në Syriganë, Uçë, Syne, Istog ( kisha e qujtun Gorioqe ), Cerrcë, Lubozhdë, Vrellë, Studenicë, Kaliqan dhe deri te Radafci ku ka qen kisha deri vonë dhe aty edhe sot quhet vendi Kroni i Kishes. Unë nuk du të flasë ketu per të gjitha këto kisha antike shqiptare katolike, por me kompetencë të plotë flas per fshatin tim , per Kishen qe ka qen aty.
Te vendi i qujtun Kroni i Fshatit që shumkush i ka thanë edhe Kroni i Kishes unë per moshen time ( 63 vjeçare ) mbaj mend se kan qen themelet e nji Kishe. Nga ai krue shtepia ime e lindjes ka qen 150 metra , aty jam rritë dhe kam kalue femininë time.
Në vitet e fundit të dekades së 60 -të të shek. të kaluem dhe në fillim të asaj të 70. pushteti lejojë fshataret serb dhe malazez dhe edhe kush ka dasht shqiptar me i nxjerr guret nga ato themele dhe me e rrenue at vend.  Me ata gur serbi Millosh Steva Zhivkoviq dhe serbi Miliq Jovan Ristiq kan pas ndertue shtalla per bagti dhe mure oborri. Ndersa shqiptari Hasan Ali Pepaj ka pas ndertue shtepinë Kullë e cila edhe sot asht si deshmi aty dhe asht rrenojë e tanë.
Per të mesue ma shumë kujt i intereson le të lexon librin tim:  ” NEGURRA E ISTOGUT -Monografi per fshatin Lubozhdë ” dhe kush deshron me mesue ma shumë per kishat dhe thesaret tjera shiptare në Vrellë, Studenicë dhe rrethinë le ta lexon librin ” THESARET E HUMBUNA ”  të z. Muharrem Blakaj. Ketu do mesoni se si vlerat tona fetare e kulturore, objektet tona të besimit dhe traditës pushtuesit serb na i kan uzurpue dhe i kan pershtat per ritet e veta. Të njetat veprime i kan ba gjatë pushtimit edhe pushtuesit turq osmanli. Unë ketu do permendi dy raste të veprimeve të tilla nga pushtuesit e tokave tona e të cilat edhe sot e kesaj dite jan në perdorim. Në fshatin Jabllanicë e Madhe Kisha shqiptare katolike u shendrrue në xhami diku në vitet 1865-1870. Ajo xhami edhe sot asht aty, por arqitektura e sajë asht tipike Kishë , asaj minarja ju ka ndertue diku  vitin 1957. VJetersinë e kesaj xhamije ( dikur kishë ) e saktëson druni i Pishës që asht i mbjellun aty. Ekspertet e kan vertetue se ai dru asht i vjeter 735 vjet.
Kisha e Istogut që serbet e quejn GORIOQE, ka kjen kishë shqiptare, fillimisht e ritit katolik e pasta e ati ortodoks bizantin. Serbet e lagjes së quejtun Lugu i Shkive në Istog deri në vitet 1880 kan kjen shqiptar që të gjithë. Kan pas fen ortodokse disa e disa ate katolike. Mirpo nga fillimi i viteve 1880 e tutje fillon asimilimi i tyne me presionin e shtetit pushtues serb dhe lejen e qeverisë së Sulltanit të Stambollit, në kishen e tyne në Istog sillen kallogjer e popa serb nga Serbia dhe aty fillon predikimi ndryshe nga se ata ishin mesue ta ndegjojnë me shekuj. Edhe gjuha i klerikve ishte serbish dhe keshtu familjet; Lushaj u ban Lushiq, Kristaj u ban Krstiq, Vulaj u ban Vuliq, Gjuraj u ban Gjuriq.
Asht interesant me e cek se si familja istogase Gjuraj në vitin 1730 kishte pas falë trollin në qender të Istogut per tu ndertue xhamija e cila asht aty edhe sot dhe të cilen e ka ndertue njifar Haxhi Kurti.
Dhe pikrishtë nga kjo xhami ka dal ideja qe ti perbuzin kishat dhe ta pranojnë islamin banoret e Istogut. Kjo ka sjell deri te fakti se Kisha shqiptare e deridjeshme u ba kishë e serbve pushtues dhe sot ajo kishë ka disa qindra hektar tokë rreth vetes. Aty nuk lejohen shqiptaret as të afrohen.
Kur kam pas mbledh materialin per librin tim NENGURRA E ISTOGUT në vjeshtë 1984 kam pas shkue dhe i kam pas lut kallogjeret te me mundësojnë ta vizitojë kishen nga mbrenda dhe nese ka far arhive aty ta shof pak. Nuk më kan lejue as ta kalojë pragun e sajë. Me paten kerrcnue me polici nese nuk largohem.
Andaj po e perfundoj shkrimin me porosinë per istogasit dhe per të gjithë shqiptaret, mos lejoni me ju ardh në emnin e pelegrinazhit serb katil në fshatrat e juve, poashtu porosisë organet që mos ti mbrojnë ata idiot që vinë me provokue aty ku para 18 vjetve kan ba masakra. Organet duhet me i ndalue ata me ardh aty ku asnjihere nuk kan pas as kishë e as nuk ka jetue asnji serb i vetem. Në Cerrcë kurr nuk ka pas serb as malazez. Vetem në kohen 55 vjeçare të Jugosllavisë komuniste kan jetue dy familje serbe në Cerrcë, ata ishin Mirko dhe Vukiq Pantiqi.
Në Lubozhdë serbet e parë kan ardhë në fillimin e Luftës së parë Botnore së pari dy familje e pastaj neper vite aty stacionohen 11 familje serbe e 7 malazeze, që të gjithë kolonist pushtues që i zaptojnë shtepia e prona të shqiptarve vendas.
Ne Vrellë kurr nuk ka pas serb as malazez. Edhe aty sikur në Lubozhdë ka jetue disa vite kolonisti malazez Radulle Peroviqi në kohen e Jugosllavisë komuniste dhe edhe njifar Sonja që ishte mesuese per femijet e shqiptarve që ta mesojnë gjuhen serbe dhe e cila poashtu ka punue edhe si kuzhinjere ne shkollën fillore ”  HYSNI ZAJMI ” .
 Në Studenicë asnjihere nuk pa pas as serb as malazez.
Në Kaliqan në fund të fshatit ka jetue per disa vite nji familje malazeze kolone në vendin e qujtun Kodra e Dydeshit. Ajo familje asht quejt Malisha Malishiq.
Krejt kjo që po na ndodhë asht per fajin tonë. Neve u ban musliman të fortë dhe morem inati Kishat tona qe i kishim e ku luteshim deri dje. I morem inati dhe i perbuzem e ato na i mori pushtuesi shka. Sot ai me ato kisha që jan tonat , po e mbron të drejten e vetë fetare, kulturore dhe historike dhe po e mban Dardaninë si djep të vetin, pra si djep të Serbisë.
Shpetimi i jonë asht vetem me u distancue nga keto xhamijat qe po i nderton Turqia dhe shtetet arabe , dhe me kerkue me fakte të drejten tonë në kishat tona të uzurpueme nga pushtuesit serb.
Fakte ka sa të duesh , por ato duhet me i kerkue dhe me i deshmue para botes me arsye e logjikë të shendosh.
Nese vetem pak e lajm anash perkushtimin per islamin që asht poashtu pushtues sikur se ishte dikur kisha serboortodokse neve mundemi me e shpetue shtetin dhe me ndertue ardhmenin tonë, per pasardhesat tonë e e cila ardhmeni asht e shendritshme vetem nese lutemi në faltoret tona me rite prendimore njerzore.
Sarpsborg. 24.10.2018

Të dënuar për krime lufte në Kosovë, 34 shqiptarë dhe 4 serbë

Nadie Ahmeti

Nga 111 personat e akuzuar për krime lufte për periudhën 1999-2018, vetëm 40 janë dënuar, kurse 26 janë të arratisur, përderisa të tjerët janë ende në proces të gjykimit. Kështu u tha gjatë prezantimit të publikimit “Pasqyrë e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë në periudhën 1999-2018” të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.

Sipas këtij publikimi, që nga përfundimi i luftës e deri në tetor të këtij viti, janë proceduar 48 lëndë. Prej tyre 25 lëndë ndaj serbëve, 19 ndaj shqiptarëve, 3 lëndë ndaj malazezëve dhe 1 ndaj komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian (RAE).

“Gjithsej janë të akuzuar 111 persona, 44 serbë, 61 shqiptarë, 5 malazezë dhe 1 RAE. Këta malazezë dhe RAE u përkasin forcave serbe”, tha Amer Alija, bashkëpunëtor në këtë projekt.

Ai rikujtoi se pas përfundimit të luftës, me këto krime për një periudhë të shkurtër kohore janë marrë prokurorët vendorë, kurse nga viti 2000, ky proces ka kaluar në kompetencë të misionit të UNMIK-ut. Ndërkaq nga viti 2009, aktakuzat për krimet e luftës kanë kaluar tek misioni i EULEX-it, për t’u rikthyer në kompetencë tek prokurorët vendorë këto vitet e fundit.

Video: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Nga të gjitha aktakuzat e ngritura, 34 shqiptarë dhe 4 serbë janë dënuar, tha Alija.

“Në 19 lëndë ndaj shqiptarëve kemi 61 të akuzuar, prej tyre 23 të liruar, 34 shqiptarë të dënuar, 2 janë në arrati dhe 2 janë momentalisht në proces”, tha Alija.

“Tek 25 lëndë ndaj serbëve, kemi 44 të akuzuar, 13 persona të liruar, 4 të dënuar dhe 24 në arrati. Kjo arratisje e madhe ka ndodhur në vitet 2000-2001 nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovica dhe nga Spitalet e Mitrovicës dhe i kemi 3 serbë në proces. Kemi tri lëndë ndaj pjesëtarëve malazias, ku në total janë të akuzuar pesë malazias, 2 janë të liruar, 1 është dënuar dhe 2 janë të arratisur. Ndërsa ndaj të akuzuarit RAE, sot ka qenë shpallja, ku është dënuar me 10 vite burgim në shkallën e parë”, tha Alija.

Ai tha se prokurorët vendorë në total i kanë ngritur 16 aktakuza, prokurorët e UNMIK-ut 10 aktakuza dhe prokurorët e EULEX-it, 22 aktakuza.

Sipas publikimit, të gjithë të dënuarit për krime lufte janë dënuar nga 5 deri në 15 vjet.

Video: Faktografi e krimeve të luftës në Kosovë

Në anën tjetër Anka Kurteshi – Hajdari nga Fondi për të Drejtën Humanitare, vlerëson se autoritetet përgjegjëse kanë mundur të bëjnë më shumë në këtë drejtim, por që sipas saj, mosbashkëpunimi Kosovë – Serbi ka qenë një ndër shkaqet që ka ngadalësuar këtë proces.

“Shumica dërmuese e kryesve të krimeve të luftës janë në Serbi. Kryesitë e veprave nuk i ekstradon as Serbia, por as Kosova”, tha Kurteshi – Hajdari.

Edhe më herët autoritetet në Kosovë kanë pohuar se kanë të dhëna të besueshme se vendstrehimet e personave të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte në Kosovë gjatë kohës së luftës janë kryesisht në Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në vendet tjera të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Gjatë luftës se fundit në Kosovë janë vrarë 13, 518 persona 10.794 shqiptarë 2,197 serbë kurse të tjerët u përkasin etnive të tjera. Prej tyre, 239 kanë qenë fëmijë nga mosha 0 deri në 5 vjeç.

Kurse edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, 1,658 persona konsiderohen të pagjetur.

Kosova do të paguajë edhe 13 vjet borxhet e trashëguara nga ish-Jugosllavia

Nadie Ahmeti

Kosova do t’i paguajë këstet e kredive Bankës Botërore deri në vitin 2031. Shuma e pagesës është rreth 19 milionë euro në vit, ndërlidhet me borxhet e trashëguara qysh nga koha e ish-Jugosllavisë.

Qeveria e Kosovës, kishte marrë vetë në mënyrë vullnetare obligimin që të paguajë borxhin në vlerë prej 381 milionë euro, të trashëguar nga koha e ish- Jugosllavisë. Bëhet fjalë për disa projekte që në atë kohë ishin financuar nga Banka Botërore për t’u zbatuar në territorin e Kosovës.

Ndërkohë që pas shpalljes së pavarësisë, rreth 45 milionë euro janë borxhe të reja që Kosova ka marrë nga Banka Botërore për financimin e projekteve të ndryshme që nga viti 2010 e këndej, thotë Muharrem Shahini zëdhënës në Ministrinë e Financave.

Republika e Kosovës është anëtarësuar në Bankën Botërore rreth 16 muaj pas aktit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, në qershor të vitit 2009.

Që nga dita e pranimit në këtë institucion financiar kanë filluar edhe pagesat e rregullta të kredisë.

Çështja e borxhit dhe se si duhet zgjidhur ky problem është diskutuar në negociatat në mes Prishtinës dhe Beogradit në procesin e udhëhequr nga Marti Ahtisari në Vjenë të Austrisë.

“Deri në gusht të këtij viti, shuma e paguar ndaj Bankës Botërore është 234 milionë euro në emër të borxhit të trashëguar. Pagesat e kësteve të rregullta kanë filluar në vitin 2009 dhe deri më tani, në emër të kryegjësë janë paguar 110.52 milionë euro, ndërsa në emër të interesit janë paguar 72.23 milionë euro”, tha Shahini.

“Përafërsisht, kësti vjetor është 19 milionë euro, shumë kjo që vjen duke u zvogëluar. Pagesat për këtë kredi pritet të përfundojnë në vitin 2031”, tha tutje ai.

Fondet nga Banka Botërore, Qeveria e Kosovës i ka huazuar për realizimin e projekteve për sigurimin e ujit dhe projekte për bujqësi dhe zhvillim rural.

Banka Botërore vazhdimisht ka përkrahur projekte të ndryshme në Kosovë. I vetmi projekt që nuk ka arritur mbështetjen e këtij institucioni është fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, edhe pse i gjithë projekti është realizuar me rekomandimet e Bankës Botërore.

Ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se Qeveria e Kosovës është treguar e kujdesshme në kthimin e kësteve të kredisë ndaj institucionit më të rëndësishëm ndërkombëtar financiar, Bankës Botërore.

Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës thotë për Radion Evropa e Lirë, se kësti i kredisë është i përballueshëm për buxhetin e Kosovës. Duke marrë parasysh shumën e përgjithshme të borxhit ndërkombëtar, Ramosaj shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë projekte tjera konkrete, që të marrë borxh prej Bankës Botërore.

“Unë mendoj se marrja e borxheve nga institucionet ndërkombëtare është e mundshme dhe besoj se nuk e dëmton aftësinë apo likuiditetin financiar, qoftë në nivel të buxhetit apo bruto produktit vendor në Kosovë. Prandaj unë e shoh të mundshme. Vetëm se duhet të përgatitet një listë vërtet e qëndrueshme të atyre projekteve që kanë efekt jo vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në punësim dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha Ramosaj.

Ndryshe, borxhi publik i Republikës se Kosovës, vit pas viti po shënon rritje. Sipas të dhënave zyrtare në fund të vitit 2017, borxhi i përgjithshëm ka arritur vlerën 996 milionë euro, ose 17 për qind më shumë se në vitin 2016.

Thaçi e Haradinaj thonë se Palmer rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për Kosovën

Zëvëndësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Metthew Palmer siguroi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, se SHBA-ja mbështetë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtari i lartë amerikan qëndroi sot në Prishtinë, në kuadër të një turi në vendet Ballkanit, ku paraprakisht vizitoi Serbinë e më pas edhe Maqedoninë.

Takimet me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj ishin të mbyllura dhe nuk kishte deklarata për media, mirëpo detajet e bisedimeve u bën të ditura një komunikatë nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Aty thuhet se Presidenti Thaçi dhe Palmer kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, për zhvillimet politike në vend, për procesin e integrimeve euroatlantike, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se pas marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, është radha e një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është momentum i mirë për të arritur një marrëveshje historike, që siguron njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi se ka biseduar me Palmer për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Theksova qëndrimin e gjithanshëm, se jemi të paluhatshëm në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës, që është arritur falë sakrificës së popullit tonë dhe investimit afatgjatë amerikan dhe të aleatëve tanë strategjikë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai më tutje tha se e informoi zyrtarin e lartë amerikan edhe për angazhimin e qeverisë në krijimin e një koncepti për unitet të forcave politike sa i përket fazës finale të dialogut.

Palmer është takuar po ashtu me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa me të cilin bisedoi për zhvillet aktuale politike në Kosovë.

“Kosova do t’ju jetë përherë mirënjohëse për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës”, tha Mustafa.​

Vizita e tij në Prishtinë, zhvillohet në kuadër të një turneu diplomatik në rajon.

Kjo vizitë po realizohet në kohën kur institucionet vendore po miratojnë legjislacionin e nevojshëm për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një Forcë me kapacitete shtesë si dhe në kohën e debateve rreth përfaqësimit të Kosovës në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.

Të hënën, Palmer ka qëndruar në Shkup. Ai e ka cilësuar si “kthesë historike” vendimin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Kurse paraprakisht në Beograd, Palmer ka thënë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, ka thënë Palmer në Beograd gjatë adresimit në forumin e sigurisë “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”.

Sipas tij, SHBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.

Shpirti i shitur i kryeakademikut! – Nga Florim Zeqa

 

Ishte vjeshtë e vonë e vitit 2009, ishte kohë e zgjedhjeve lokale në Kosovë, koha kur kishte përfunduar raundi i parë i zgjedhjeve lokale, përkatësisht ishte momentumi politik në prag të balotazhit. Nodhesha në një lokal në qytetin më të vogël të Kosovës, aty afër tavolinës ku pinim kafe me një mik timin, bisedonin dy qytetar, ku njëri prej tyre ishte kryetar i degës së LDD-së, ndërsa tjetri qytetar i thjeshtë. Kryetarit i cingërronte parreshtur telefoni, ndërsa qytetari i befasuar e pyeti çfarë po ndodhë, ai u përgjigj; “Po më thërrasin dy partitë (AAK dhe PDK) për balotazh”. Qytetari i tha mos shko me asnjërën, ndërsa kryetari i entuziazmuar ia ktheu; “Me njërën gjithsesi, ngase na ka thënë kryetari (duke aluduar në akademik Nexhat Dacin), shituni, por mos u shitni lirë”!
Kjo thënje më kishte bërë përshtypje, andaj për të vërtetuar këtë mjerim të akademikut, disa ditë më pas bisedova me një liderë tjetër lokal të LDD-së, i cili m’i tha të njëjtat fjalë për shpirtin e shikur të akademikut!

Nuk ka mjerim më të madh, kur logjika e shitjes së shpirtit buron nga koka e një akademiku

Ngjarja e mësipërme konsiston në përiudhën, kur anija me targat e LDD-së, nën udhëheqjen e “timonierit” akademik Nexhat Daci kishte filluar të fundosej më shpejtësi të madhe. Përderisa elita intelektuale e braktisnin “anijen” e Dacit në fundosje e sipër, qytetarët e mashtruar kishin mbetur të hutuar, e kishin të vështirë të besonin në tradhtinë e akademikut!
Pavarësiht faktit, se a është e madhe apo e vogël, hajnia është hajni, edhe tradhtia është tradhti!
Në kohën kur akademik Daci ishte kryetar i Kuvendit, gjatë një vizite jasht vendit lakmia ia kishte vërbuar sytë. Edhe pse hajnia ishte e përmasave të vogla (një palë syze prej disa qindra eurosh), ishte zyrtari i parë i lartë shtetëror që u ulë në bankën e të akuzuarve për abuzim me buxhetin e shtetit.
Thika pas shpine e akademik Nexhat Dacit ndaj LDK-së pas Kuvendit të gjashtë ishte tradhtia më e madhe ndaj elektoratit të LDK-së dhe dëmi më i madh për vendin. Ngase nga ai moment u thye raporti i forcave politike në vend. Forcat progresive e muarën tatpjetën, ndërsa krimi i organizuar dhe antivlerat shënuan fillimin e ngritjes në piedestalin politik.

“Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, vazhdimësi e librit autobiografik të Hashim Thaçit

Bazuar në raportet e shkëlqyera dhe simpatinë që kryeakademiku e ka ndaj njeriut më të urryer në Kosovë, presidentit aktual të vendit Hashim Thaçi, pashmangshëm të menduarit logjik të dërgon tek konstatimi logjik se libri i ri i kryetarit të ASHAK-ut “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, është vazhdimësi e librit vetëlavdërues të Hashim Thaçit, përkatësisht e njeriut më vetëlavdërues në trojet etnike, në këtë rast e akademik Nexhat Dacit, i cili, sikurse idoli i tij Hashim Thaçi, çdo veprim apo lëvizje politike në vend e lidh me emrin e tij.
Në kohën kur askush në Kosovë nuk e do dhe nuk i beson më Hashim Thaçit, është shpirti i shitur i akademikut që i del në mbrojtje, duke akuzuar elitën intelektuale të vendit që po kërkojnë dorëheqjen dhe largimin e Thaçit nga pushteti për ta shpëtuar shtetin nga ndarja territoriale dhe zhbërja fizike.

“Është koha të realizimin të shtetësisë së plotë të Kosovës, e jo për kur po i mbajmë zgjedhjet dhe kur po e rrëzojmë presidentin dhe qeverinë. Si është e mundur në një vend që nuk ka lëvizje të lirisë krejt koha të shpenzohet për këtë”, kishte thënë ndër të tjera Nexhat Daci në përurimin e librit të tij.

Jo vetëm kaq, kryeakademiku është bër sponsor dhe mentor i idesë së Hashim Thaçit për ndarje të Kosovës. Nexhat Daci, sikurse dikur nën maskën e rugovizmit që e ndau LDK-në, ai sot nën maskën e Luginës së Preshevës po e ndihmon Thaçin në ndarjen e Kosovës.
A ka mjerim më të madh sesa justifikimi nën mashtrim i akademikut, kinse po angazhohet për çlirimin e Kosovës lindore (disa fshatrave të Luginës së Preshevës) nga Serbia!
Këmbimi i disa fshtrave të Luginës me Trepçën dhe Ujmanin, përveqse marrëzi dhe mashtrim, është tradhtia më e madhe e shekullit që po kurdiset mbi kurrizin e trojeve etnike shqiptare, gjegjësisht shtetit të Kosovës në veqanti.
Kësisoji, akademik Daci përveq mbështetjes së idesë serbe për ndarje të Kosovës u bë krah i pushtetarëve të inkriminuar, u bë krah i shundit e kiqit, u bë krah i turpit e hiqit në Kosovë.
Nuk është risi dhe as befasi pozicionimi i akademik Dacit në anën e pushtetarëve aktual. Timonieri i anijes së fundosur dardane dhe plaku i Tërrnocit për interesat e tij personale është i gatshëm të bëhet edhe me vetë djallin për përfitime materiale.
Paraprakisht emërimit nga politika të Nexhat Dacit për kreun e ASHAK-ut në mesin e dhjetorit 2017, kryeministri aktual i vendit Ramush Haradinaj, me 1 nëntor të po atij viti e kishte emëruar djalin e akademikut, Arian Daci në pozitën e zëvendësministrit të Diasporës.

Lidhjet e akademikut me “krahun” e luftës janë të mëhershme

Asgjë dhe asnjë fshehtësi nuk mbetet enigmë përgjithmonë! Sado që të jenë të maskuara dhe kamufluara veprimet, vjen një ditë kur del në sipërfaqe e vërteta për secilin njeri pa marr parasysh postin politik, titullin shkencor apo gradën ushtarake.
Numri dhe përbërja e pjesmarrësve në promovimin e librit “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, e autorit Nexhat Daci, e tregoj më së miri rolin dhe pozicionin e “krye akademikut” nga Tërrnoci.
Nuk ka mjerim më të madh për një akademi të shkencave, kur kreu i saj ndjehet i nderuar me prezencën e injorantëve dhe analfabetëve në promovimin e një libri, po citoj: “Prezenca e Thaçit dhe Haradinajt është një nderë të veçantë për ASHAK-un” (Nexhat Daci)
Ata që ndjehen të nderuar me politikanë të korruptuar dhe tejinkrimuar nuk i bëjnë nder shtetit të Kosovës dhe as institucionit të ASHAK-ut në veqanti.
Ne fakt, kjo çka po ndodhë me ne shqiptarët është mjerim! Kemi gjysëm shtet me pushtetar të inkriminuar, kemi arsim, shumë universitete dhe akademi të shkencave por nuk kemi arsim cilësorë, kemi gjykatës e prokuor por nuk jemi të barabart para ligjit, kemi shëndetësi por nuk kemi mjekim për qytetarët,…por kemi me bollëk korrupsion, kriminalitet, keqpërdorim të parasë publike (vjedhje të buxhetit të shtetit), haraç, nepotizëm, klientilizëm,…etj.

Mbrojtja e integritetit personal e familjar, është mbrojtje e identitetit njerëzor

Është momenti i fundit që populli t’i thërras mendjes dhe të zgjohet menjëherë nga agonia e gjumit të thellë, ndryshe do të bëhet vonë për çdo gjë!
Pasi jo të gjithë qytetarët e këtij vendi mund të bien në nivelin e kryeakademikut për ta shitur shpirtin, gjegjësisht integritetin personal e familjar tek pushtetarët e korruptuar dhe tejinkriminuar.
Nëse sot nuk i ndalet hovi të keqës që na ka mbërthyer, nesër mund të bëhet tepër vonë! Mbetja edhe më tutje e këtyre kusarëve politikë në pushtet, do të thotë ngulfatje e jetës për njerëzit e ndershëm në këtë vend.
Kënaqësi për të jetuar në vendin e korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të ndjejnë vetëm të shantazhuarit dhe sahanlëpirësit e pushtetit.
Ndërsa të pakënaqurit e kanë vetëm një rrugë, atë të largimit pa kthim nga atdheu i tyre!
Ai i cili nuk e mbron integritetin personal dhe familjar nuk mund ta mbrojë atdheun e vet, përkatësisht integritetin dhe sovranitetin e shtetit ku jeton.
Daci për shërbimet ndaj pushtetarëve aktual, përveq punësimit të djalit në qeveri, emërimit në krye të ASHAK-ut dhe beneficioneve tjera të shumëta, së fundmi u shpërblye edhe me botimin dhe promovimin e librit vetëlavdërues dhe nënçmues ndaj të tjerëve.
Sikur është krijuar përshtypja e përgjithshme qytetare, se në të gjitha institucionet e të shtetit të kapur nuk ka mbetur vend më për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarët e devotshëm!
Ata që keqpërdorin paranë publike, janë shtresa më e ndyrë e kombit tonë!
Turpi bie edhe mbi ata që zgjedhin dhe mbajnë në pozita udhëheqëse abuzuesit, hajdutët e kriminelët e gjitha llojeve e ngjyrave!
Shteti i Kosovës është bërë ‘nënë’ për kriminelët dhe ‘njerkë’ për qytetarët”.

UÇK NUK ËSHTË “AI” – UÇK JE TI KOSOVË…! – Opinion nga Reshat Nurboja

Nuk duhet gabuar e lejuar, që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të identifikohet e të krahasohet me disa veprime e sjellje të disa komandantëve e ushtarëve të caktuar pas luftës, se të tillët nuk janë lufta, nuk janë UÇK-ja, TË TILLËT NUK JANË AS ATA VET TË NJEJTIT QË ISHIN GJATË LUFTËS…UÇK-ja ishte, është dhe mbetet përjetësisht populli shqiptarë Amerika dhe Kosova!

Edhepse, është temë shumë e ndjeshme dhe komplekse, vendosa të pasqyroj një opinion timin për UÇK-në, pasi ka shumë kohë e vite që i madh e i vogël, i ditur e i paditur, flasin në mënyrë të padrejtë për luftën e luftëtarët e UÇK-së… Me muaj e vite nëpër televizione, portale e deri edhe në institucionet më të larta shtetërore, kryesisht flitet me injorim, nënçmim e me ofendime e baltosje deri në ç’njerëzim për luftën, sakrificen, rolin dhe ndikimin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës… Nga ana tjetër edhepse të tillët me të drejtë e glorifikojnë deri në qiell e përtej saj rolin kyç të NATO-së në çlirimin e Kosovës,  disi rezulton se perkulja aq i madhe e tyre ndaj NATO-së e Amerikës, shfrytëzohet e keqperdoret jo aq për nderimin dhe falënderimin ndaj tyre, sa, për ta minimizuar rolin dhe kontributin e UÇK-së, e nga ana tjetër ndoshta edhe për ta qetësuar e “mashtruar” ndërgjegjen e tyre personale e partiake…?!

Demokracia dhe liria e shprehjes së mendimit dhe të fjalës është e garantuar me ligj vendor e atë ndërkombëtar, por paraprakisht duhet të potencohet e pranohet fakti, së pari nga të gjithë shqiptarët e pastaj edhe nga të tjerët, se Kosova, në historinë e saj mijëra vjeçare nuk ka pasur, nuk ka e as që do të ketë ndonjëherë asgjë më të shenjtë e më sublime se Luftën e  UÇK-së, pa marrë parasysh a i pëlqen e a i konvenon dikujt kjo apo jo… Këtë realitet, populli shqiptarë kudo që është, duhet ta çmoj, vlerësoj, nderoj e mbi të gjitha ta promovoj e përjetësoi në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari tani dhe ndër vite e shekuj… Në këtë mënyrë e respektojnë dhe nderojnë popullin, diasporën shqiptare, Kosovën, Shqipërinë, miqtë tanë ndërkombëtarë: SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Austrinë e të gjithë të tjerët, me një fjalë e respektojnë veten dhe “çmimin” që e ka paguar populli i Kosovës ndër vite e shekuj për të arritur çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe jetës së tyre dhe njëkohësisht e mbrojnë dhe e kultivojnë identitetin e tyre kombëtarë nga asimilimi dhe tjetërsimi…!

Këtë opinion do ta përmbylli me konstatimin e një grupi të gazetarëve të luftës nga vendet e ndryshme të Evropës, të cilët Shtabi i Emergjencës së Pejës e ka pasur rastin t’i shoqërojë e përcjell brenda zonave të luftës, me ç’rast ata gjatë rrugës, tregonin:… “se janë reporterë të specializuar të luftës, të cilët kanë raportuar nga luftërat e ndryshme anekënd botës, konkretisht nga luftërat në: Palestinë, Afganistan, Irak e në Kroaci, Bosnjë, IRA-së etj… Siç theksonin ata, në bazë të njohurive dhe përvojave të tyre, paraqitja dhe zhvillimi i UÇK-së në Kosovë është diçka unike dhe jo e zakonshme… Nuk mund ta kuptonin dhe shpjegonin se si aq shpejt, nga një grup i vogël “guerilësh – rebelësh të pa arsimuar e të pa koordinuar”, siç i quanin ata, për një kohë aq të shkurtër, në më pak se dy muaj arritën që ky formacion të masivizohet në atë masë prej mijëra e mijëra ushtarëve… Kjo, sipas tyre, nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodh askund tjetër në botë… Mënyra e këtillë e zhvillimit të një “ushtrie”, apo kjo përvojë e UÇK-së, sipas tyre, sigurisht do të hyn si model studimi në të gjitha librat shkencorë. Se, sipas tyre dhe sipas realitetit në terren, UÇK-ja, ishte i tërë populli i Kosovës.

Prandaj, nuk duhet harruar se, UÇK-ja, je Ti, nuk është ai… UÇK-ja është populli shqiptar dhe Kosova, prandaj mos e baltosni, mos e zhvlerësoni, MOS U DISTANCONI nga Lufta e UÇK-së, se kur e bëni një gjë të tillë, po distancoheni nga historia më sublime mijëra vjeçare e Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi.…

 

UÇK  ËSHTË  LUFTA – JO PASLUFTA…!

Çavushoglu flet për procesin e dialogut: Në këtë kuadër në fillim vjen mbrojtja e integritetit të Kosovës dhe të stabilitetit të saj

PRIZREN – Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, sot në Prizren u shpreh se Turqia mbështet procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se nuk e shikojnë Ballkanin si një zonë të konkurrencës.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Kosovë sot vizitoi qytetin e Prizrenit, ku realizoi një takim me bashkatdhetarët turq në Kosovë, ku morën pjesë edhe ministri i Administratës Publike në Kosovë Mahir Yağcılar, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë Kıvılcım Kılıç, konsullja e Përgjithshme në Prizren, Eylem Altunya dhe deputetët e komunitetit turk në Kosovë.

Çavuşoğlu tha se në kuadër të vizitës së tij në Kosovë ka realizuar takime shumë frytdhënëse. Ai tha se ndodhet në Kosovë për të theksuar edhe një herë mbështetjen e Turqisë për Kosovën në këtë periudhë kritike. Duke vënë në dukje se Turqia është ndër shtetet që ka dhënë mbështetjen më të fuqishme për zhvillimin ekonomik dhe pavarësinë e Kosovës, Çavuşoğlu tha se tregtia dypalëshe dhe investimet e kompanive turke në Kosovë po vazhdojnë të rriten.

“TIKA ka realizuar më shumë se 600 projekte në Kosovë dhe vlera totale e këtyre është gjithsej 100 milionë euro”, tha ai, duke shtuar se janë aktive edhe në fushën e kulturës dhe arsimit me Institutin “Yunus Emre” dhe Fondacionin Maarif.

Duke vënë në dukje se Ballkani është një prej elementëve kryesore të politikës së Turqisë, Çavuşoğlu theksoi se Ballkani është prioritet i tyre. “Ne si disa të tjerë, nuk e shikojmë Ballkanin si një zonë të konkurrencës. Në të njëjtën kohë ne nuk jemi një shtet apo komb që përpiqet që të sigurojë interes nga problemet në mes të shteteve të Ballkanit. Për këtë arsye ne mbështesim procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.Ne e dimë se nuk do të jetë një proces i lehtë, por shpresojmë se do të rezultojë në një mënyrë të cilën do të pranojnë që të dy palët. Jemi të gatshëm që të ofrojmë çdo kontribut për këtë çështje”, tha ai.

Duke rikujtuar tentativën për grusht shteti të vitit 2016 në Turqi, Çavuşoğlu tha se pas kësaj tentative shtete të shumta kanë parë se sa e rrezikshme është organizata terroriste FETO, e cila ndodhet prapa kësaj tentative. Ai tha se tani shtete të shumta kanë transferuar shkollat e kësaj organizate te Fondacioni Turk Maarif, ose kanë marrë vetë menaxhimin e tyre për të cilat ofron mbështetje Fondacioni Maarif dhe Ministria e Arsimit të Turqisë.

“Është e drejtë e jona më e natyrshme që gjërat e njëjta të kërkojmë edhe nga shteti mik dhe vëlla Kosova”, tha ai, duke shtuar se këtë e ka shprehur edhe në takimet e realizuara dje dhe sot me zyrtarët kosovarë.

“Siç shihet, ashtu si në Turqi këta nuk janë të vetëm as këtu, kanë mbështetjen e shteteve të treta, të misioneve të tyre. Ne e dimë që këta nuk janë të vetëm. Për fat të keq këtu deri më sot realizuan aktivitetet e tyre, por në takimet tona bashkëbiseduesit tanë thanë se nuk do të lejojnë askënd që është në aktivitet kundër Turqisë. Por kemi pritje për ekstradim në Turqi dhe duam që këto kërkesa të përmbushën, do të vazhdojnë përpjekjet tona në këtë drejtim”, shtoi kryediplomati i Turqisë.

Gjatë këtij takimi, ministri Yağcılar deklaroi se Kosova po kalon nga një proces i rëndësishëm. “Procesi i dialogut është një provim dhe pritje e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës. Në këtë kuadër në fillim vjen mbrojtja e integritetit të Kosovës dhe të stabilitetit të saj”.

Kujtojmë se Çavuşoğlu pas vizitës së tij në Shqipëri ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të këtij shteti, dje nisi vizitën e tij zyrtare në Kosovë, ku u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli. Sot gjatë ditës Çavuşoğlu u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Pacolli: Kosova do ta kishte vështirë të ecë me tempon e vet pa mbështetjen e Turqisë

PRISHTINË – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, priti në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Pas këtij takimi, Pacolli dhe Çavuşoğlu mbajtën një konferencë të përbashkët për media. Me këtë rast, Pacolli deklaroi se në takim me ministrin e Turqisë, të cilin e quajti si mik historik, kanë diskutuar për temat e rëndësishme që janë prezente edhe në politikë, edhe në ekonomi, por edhe në marrëdhëniet ditore mes Kosovës dhe Turqisë.

Duke vënë në dukje se Turqia prej ditës së parë ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, Pacolli tha se “Turqia vazhdon të mbështesë dhe kam marrë garancione që do të mbështesë edhe në të ardhmen Kosovën. Kosova do ta kishte vështirë të ecë me tempon e vet pa mbështetjen e Turqisë”.

Pacolli njoftoi se gjatë takimit kanë biseduar edhe për sfidat që po e presin Kosovën, si dialogu me Serbinë, si dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, si Interpoli dhe UNESCO.

“Unë homologun e informova edhe për mbarëvajtjen e dialogut, për arritjet që janë bërë deri tani dhe sfidat që na presin. Sigurisht, këtu nuk mungoi edhe një herë premtimi i Turqisë se edhe këtu do të na mbështesë”, tha ai.

Ai theksoi se në procesin e anëtarësimit në Interpol, Kosovës i janë paraqitur disa probleme, por që Turqia edhe kësaj radhe do të vazhdojë të ndihmojë.

“Por, sidoqoftë, këtu edhe presidenti Erdoğan gjatë takimit tonë që patëm në New York premtoi, por sot mora po ashtu premtimin se Turqia edhe kësaj radhe do të na ndihmojë. Është çështje shumë me rëndësi e Kosovës. Sigurisht, Turqia është e gatshme të na ndihmojë edhe në çdo kërkesë që parashtrohet në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha ai.

Ai vuri në dukje se kanë mbi 22 marrëveshje të nënshkruara me Turqinë dhe se do të vazhdojnë edhe më tej me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera dhe në implementimin e tyre. Pacolli tha se kanë biseduar edhe për investimet ekonomike të kompanive turke në Kosovë dhe i inkurajoi që edhe në të ardhmen të vijnë më shumë investitorë në Kosovë, ku, sipas tij, ka mundësi për investime dhe bashkëpunim.

“Falënderova edhe TIKA-n, e cila ka kontribuar në 600 e më tepër projekte të mëdha e të vogla në Kosovë dhe vazhdon edhe tutje me qindra qindra miliona të investuar. Unë po ashtu e falenderova Turqinë për bashkëpunimin që kemi në fushën shkencore, arsimore, trajnimin e studentëve të ndryshëm dhe bashkëpunimin që e kemi edhe me policinë e Kosovës dhe faktorë të tjerë dhe u dakorduam që edhe në të ardhmen ky bashkëpunim të vazhdojë mes forumeve të ndryshme”, deklaroi ai.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, sot Çavuşoğlu zhvilloi një takim edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Çavuşoğlu nesër pritet të takohet me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli. Ndërkaq, më pas është paraparë që ai të vizitojë qytetin e Prizrenit.

Nëse mandati i FSK-së zgjerohet, NATO “rishqyrton nivelin e angazhimit në Kosovë”

Forca e Sigurisë së Kosovës

NATO tha se nëse mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës zgjerohet, Këshilli Veri-Atlantik do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit në Kosovë.

“Çdo ndryshim në strukturë, mandat apo mision të Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të vendoset nga autoritetet e Kosovës. NATO e mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës me mandatin e tanishëm”, tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Komentet vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës ka iniciuar tri ligje për miratim në Kuvend, përmes të cilave Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë kompetenca të njëjta si një ushtri e rregullt.

Ligjet janë proceduar pasi deputetët serbë kanë thënë se nuk do ta votojnë ushtrinë e ardhshme të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.

Për dëbimin e shtetasve turq po intervistohen zyrtarë të lartë shtetërorë

Nadie Ahmeti

Në fillim të muajit dhjetor pritet që Komisioni hetimor parlamentar të paraqesë konkluzionet zyrtare para Kuvendit të Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi. Kështu, të paktën thonë anëtarët e këtij komisioni edhe pse më herët kishin paralajmëruar se konkluzionet duhet të paraqiten gjatë këtij muaji.

Më 29 mars të këtij viti, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë mjek.

Komisioni hetimor, i cili është funksionalizuar në muajin korrik, me propozim të Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe mbështetjen e partive parlamentare, parashihet që të hetojë dhe ndriçojë rrethanat dhe procedurat e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Xhelal Sveçla, kryetar i Komisionit Hetimor nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se aktualisht Komisioni është në fazën e intervistimit të dëshmitarëve të përfshirë në këtë proces.

Deri më tani, thotë Sveçla, janë intervistuar zyrtarë në Inspektoratin Policor të Kosovës, konkretisht kryeshefja bashkë më ekipin e saj, kurse pritet të intervistohen edhe zyrtarë të tjerë.

“Tash do të kalojmë edhe me intervistimin e zyrtarëve tjerë, siç janë zyrtarë të Ministrisë se Punëve të Brendshme dhe pastaj do kalojmë tek Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe radha do tu vijë të gjitha institucioneve që kanë qenë të involvuara në këtë rast apo kanë njohuri për të dhënë dëshmi për këtë rast”, tha Sveçla.

Pas përfundimit të intervistimit, sipas Sveçlës, do të kalohet në fazën e vlerësimit të provave dhe përpilimit të raportit i cili në fillim të muajit dhjetor pritet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim.

“Unë jam optimist që ne si Komision, por edhe si Kuvend i Kosovës do të dalim me qëndrime të qarta dhe me një pasqyrim të drejtë se çfarë ka ndodh atë ditë së bashku me rekomandimet se si të parandalohet në të ardhmen”.

Normalisht, thekson ai, “do të kërkohet të merren masa ndaj atyre që kanë kontribuar në shkeljen më të madhe të sovranitetit nga vetë institucionet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”.

Gjashtë shtetasit turq, të dëbuar nga Kosova, Ankaraja i ngarkon me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.

Familjarët e të dëbuarve presin që Komisioni hetimor parlamentar të paraqesë dëshmi konkrete dhe të identifikojë personat përgjegjës që kanë ndërmarrë këtë veprim,thotë Urim Vokshi, avokati i njërës prej gjashtë familjeve të shtetasve turq.

“Nga Komisioni hetimor parlamentar presim që ta hetojë rastin dhe t’i zbardhë të gjitha detajet e tij. E gjithë ajo që ka ndodhur më 29 mars ka ndodhur në një terr informativ, si për familjarët, për avokatët, po ashtu edhe për krerët e institucioneve. Gjithçka ka ndodhur në mënyrë të fshehtë”.

“Kështu që presim nga Komisioni në kuadër të kompetencave të tij, të hetojë dhe të zbardh të gjitha veprimet të cilat kanë ndodhur dhe të hetojë se kush kanë qenë personat përgjegjës të cilët kanë shkaktuar, këtë skandal të them në suaza botërore, dhe i cili i ka dhënë një imazh shumë të keq Kosovës”, thotë Vokshi.

Në ditën e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova, jo vetëm deputetët, por edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin njohuri rreth këtij rasti.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.

Ndryshimi i kufijve – Haradinaj tregon ‘prapaskenat’, përmend Baton Haxhiun: Janë derdhur shumë para…

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në debatin e Forumeve UET, nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, bëri disa komente të forta në lidhje me çështje të aktualitetit politik në Kosovë.

Haradinaj dje ne forumin e UET, nen moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini

Ai tregon “prapaskenat” e idesë së “ndryshimit të kufijve” dhe deklaron se janë hedhur shuma të mëdha për të elaburuar këtë ide.

Mes njerëzve të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai është ndër më të prekurit, me dy vëllezëer të vrarë në luftë, burg në Gjykatën e Hagës, fitimtar me pafajësi, por edhe me shumë barrë të rëndë si kryeministër në një kohë që fatet e Kosovës janë ende në një rrugë të panjohur.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj, lufta nuk është më për ekzistencë si popull, por për të bërë shtet e popullit ti ofrojë sigurinë, mirëqenien, integrimin në BE dhe mbi të gjitha sigurimin e integritetit territorial.

 

Gjithnjë përbën lajm theniet e tij, i mësuar jo me kamuflimin e “diplomacisë”, por një personazh dhe politikan i drejtëpërdrejtë. Kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi dikur ishin në një llogore, nën një uniforme dhe ideal, ndërsa sot këta dy njerëz të rëndësishëm të UÇK-së së dikurshme dhe të politikës së sotme janë krejtësisht të ndarë përsa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve.

Në rastin korrigjim kufijsh u soll si pyetje qëndrimi i analistit Baton Haxhiu, që pak javë më parë në UET parashtroi tezën se përse duhej të arrihej një marrëveshje me Serbinë mbi termin “korrim kufijsh”.

Haradinaj, tha se kjo nuk eshte çështje ideje, por diçka shumë e madhe, që është “blerë me para”.

“Një shumë e caktuar e parave është derdhur nga dikush në një kohë të caktuar, për të krijuar një opinion publik si në Kosovë si Shqipëri për këtë. Batonit edhe mund t’i pëlqejë ideja, mund edhe ta besojë, por unë e di që është derdhur një shumë e caktuar parash për të bindur një pjesë tonën, që po e dhamë ne Leshakun dhe nuk është Gazivoda, nuk është as Trepça ku është një rrafshnaltë në të cilin ka edhe paisje të emetimit të frekuencave civile ushtarake”-tha Haradinaj, teksa shton se “edhe Batonin dhe Batonat e tjerë, me gjithë respektin që kam për ta i siguroj që dhe ne i marrim vesh këto axhendat, ku fillojnë, nga vazhdojnë, ku nisin, kush i sponsorizon”.

Për mosndryshimin e kufijve Haradinaj ishte i prerë teksa artikuloi: “Jam një prej të gjallëve të atyre që vdiqën për Kosovën”…

Dy lidera, dy qëndrime

Padyshim janë personazhet që dominuan politikën Kosovare në 20 vitet e fundit, por pas “ndarjeve” partiake, mes Thaçit dhe Haradinajt qëndrojnë ide të ndryshme në lidhje me thelbin e problemit. Thaçi vijon të mbajë qëndrim të përhershëm se “korrigjimi i kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës do të bënte që pala serbe të njihte shtetin e Kosovës dhe më pas vendi do integrohej në strukturat europiane.

Me termin “korrigjim” është nënkuptuar se Serbia të marrë Veriun e Mitrovicës, ndërsa Kosova të fusë në hartën e saj Luginën e Preshevës. Haradinaj është më se i prerë në këtë pikë, duke përmendur disa herë shprehjen “Pse duhet të kënaqim dhunuesin? Ata duhet të gjejnë zgjidhje, jo ne. Ata duan të pastrojnë imazhin e tyre”. Sa për ndryshimin e kufijve kryeministri është kthyer në retrospektivë, kohë kur mbante ende në duar armët për çlirimin e Kosovës.

“U krijua një zonë tampon prej 25 kilometrash mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkuptonte se territori nuk do të prekej”, -tha Haradinaj, por sipas tij sot pas afër 20 vitesh për qëllime të caktuara po hidhet ideja e korrigjimit të kufijve. “Janë vendosur themelet e asaj lufte në 25 kilometra të kufirit. Ka një vijë ndarëse mes palëve, njëri nga elementet kyçe është kufiri administrativ Kosovë-Serbi”, deklaroi Haradinaj.

Në Kosovë dhe jo vetëm, kjo çështje nuk është debat mes analistësh me “pikëpamje të ndryshme”, por qëndrime të kundërta mes kryeministrit dhe presidentit. “Unë kam një dialog të gjatë me Serbinë që prej disa viteve, të cilin unë e përkrah. Mendoj se dialogu është një instrument, që të ndihmon të arrish në formulën e pajtimit mes popujve. Kushdo president i zgjedhur i ka disa korniza të së drejtës që ia ka caktuar Kushtetuta në këtë rast Parlamenti. Presidenti është president, e gëzon të drejtën për të prezantuar vendin, por jo të flasë për territor dhe kufij. Ka të vërteta, Kosova nuk ndryshon”, -tha prerë Haradinaj, ndërsa dukshëm nënvizon vijën e trashë ndarëse me Thaçin në këtë drejtim, për më shumë që sipas tij ky debat bëhet kur po përgatitet krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, tashmë në Kushtetutë.

“Pse duhet ne të na imponohet një debat i tillë, pasi prej 20 viteve Serbia investon, ka hedhur para, ka bërë miq, kanë lobuar që debati të përhapet edhe brenda nesh. Pse duhet të përballemi me teorinë e ndarjes. Kjo është mungesa e pjesës sime në momentin që përfaqësoj tani Kosovën që nuk kam bërë mjaftueshëm diskutime te populli im për t’i treguar se ku qëndron e vërteta”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Forcat e “errëta”, edhe në turizëm…

Jo pa qëllim kryeministri Haradinaj është ndalur në një fakt të rëndë që i ka bërë përshtypje. Në Kosovë, në prag të nisjes së sezonit turistik botoheshin shkrime të dyshimta që thoshin se shqiptarët i keqtrajtojnë turistët kosovarë, madje arrijnë deri aty sa të thonë “mirë ua ka bërë serbi”.

Kryeministri ka një përgjigje për këtë, e madje është i bindur se agjencitë e shërbimit inteligjent në Shqipëri dhe Kosovë duhet të investigojnë.

“Disa qarqe të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kenë një organizim më të madh. Nuk duhet që vetëm të shpifin ndaj rivalëve politikë por do ishte më mirë të merreshin se çfarë është një fushatë, që bëhet kundër ardhjes së kosovarëve në Shqipëri për turizëm. Kush e sinkronizon, kush e financon, kush e bën? Kam lexuar dhjetëra artikuj në Kosovë që shqiptarët në Durrës i thonë që mirë ju a ka bërë serbi. Ka dhjetëra artikuj në zyrën time që mund t’i bëni një evidencë. Këto artikuj janë të habitshëm, kundër ardhjes së kosovarëve në Shqipëri”, -tha Haradinaj. Duke u ndalur në politikën ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës veçoi marrëdhëniet me SHBA-në.

“Nëse flasim si komb shqiptar jemi më pro amerikanët. Ata e dinë se Kosova është popull pro amerikan, njerëzit e Kosovës, kombi ynë. Është marrëdhënia që krijohet dhe si krijohet marrëdhënia mes nesh. Ka patur tronditje marrëdhënia, por mund të them se si kam kontribuar unë për këto marrëdhënie. Kemi patur pajtime dhe mospajtime, edhe kur s’jemi pajtuar ata e kanë çmuar. Nëse kemi ndonjë dhimbje nuk është turp t’ia themi që këtu më dhemb. Nuk mendoj se jemi keq si Kosovë. Personalisht kam një komunikim serioz, por kam arritur të kem biseda me një nivel të caktuar me Amerikën”, -tha kryeministri Haradinaj.

Në aktualitetit politik në Shqipëri është “çështje dite” problemi i ekstradimit të Albert Veliut. “Nuk e kam ndjekur shumë temën në fjalë. Ne bëjmë kujdes kur bie fjala te ndarja e pushteteve. Pushtetet tona janë bukur të ndara”, -tha Haradinaj, ndërsa shton se deri atëherë mund të jetë rast ligjor dhe nuk ndërhyn ekzekutivi, ndryshe do ishte shkelje mes pushteteve.

Mbi 90% e marrëveshjeve me Kosovën “nuk janë zbatuar nga Serbia”

Kuvendi i Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të procedojë për në seancë plenare raportin e qeverisë mbi dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Evgjeni Thaçi Dragusha, e lëshoi mbledhjen, ndërkaq deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, nuk mori pjesë në votim.

Për raportin votuan vetëm 5 anëtarë të komisionit nga 10 anëtarë sa gjithsej.

Në raportin e qeverisë për dialogun theksohet së ka pasur ngecje dhe vështirësi në zbatimin e pothuajse të gjitha marrëveshjeve të arritura me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se ky raport është më i detajuar sa i përket dialogut, krahasuar me raportet tjera paraprake, edhe pse, sipas saj, mungon analiza e marrëveshjes së vitit 2013, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, dokument i cili edhe është ratifikuar nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk ka pasur asnjëherë vlerësim nga ana e Kuvendit për tërë procesin e dialogut, i nevojshëm sidomos për këtë periudhë kur jemi në përmbyllje të tij. Si konkludim mund të themi se mbi 90 për qind e marrëveshjeve me Kosovën nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë. Pra, nuk ka marrëveshje që ajo nuk e shkel së paku pjesërisht. Kjo flet mjaft sa i përket suksesit të këtij procesi”, tha Osmani.

Kjo, sipas saj, ka ndodhur për shkak të mosgatishmërisë nga ana e shtetit serb për t’i zbatuar këto marrëveshje dhe pikërisht për këtë shkak, ajo tha se duhet të përpilohen disa rekomandime nga ana e Kuvendit për Qeverinë për periudhën e ardhshme.

Deputetja e partisë në pushtet, AAK-së, Time Kadriaj, e vlerësoi të panevojshëm dërgimin në seancë plenare të këtij raporti, me arsyetimin se për dialogun është diskutuar disa herë.

“Nuk kemi nevojë ta dërgojmë në seancë plenare pasi dialogu është diskutuar në Kuvend. Ky është një raport informues dhe s’kemi nevojë as të shkojmë me rekomandime, as ta dërgojmë në seancë plenare”, deklaroi Kadriaj.

Raporti, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është dëshmia më e mirë e një procesi të dështuar negociator me Serbinë.

“Veç me një lexim të thjeshtë i nxjerr nja 50 dështime, defekte, mospërmbushje, ngecje, kryesisht obstruksione nga ana e Serbisë. Nëse doni të shihni çka ka ndodhur prej vitit 2011, ky nuk ka se si të quhet ndryshe, perveç proces krejt i dështuar”, u shpreh deputeti opozitar, Konjufca.

Pavarësisht dështimit që Komisioni për Punë të Jashtme ta procedojë këtë raport për në seancë plenare, deputetja Vjosa Osmani tha se do të jenë grupet parlamentare ose grupet e deputetëve që do të arrijnë ta dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit në mënyrë që të procedohet në seancë.

Haradinaj: Para Kosovës janë tre tema të ndjeshme, Ushtria, Interpoli dhe vizat

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi sot se ndërrimi i ministrit të Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, miratimi i pakos së ligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, nuk do të ndikojë në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Haradinaj duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas senacës së Qeverisë tha se ministrat i emërojnë partitë që janë në koalicionin qeverisës, ashtu që ai pranoi vendimin e Aleancës për Kosovën e Re që Gashi të ndërrohet dhe emërohet Ekrem Mustafa në këtë pozitë. Ai theksoi se procesi i liberalizimit të vizave nuk varet vetëm nga një njeri.

“Unë kam pasur respekt për kolegun tim, ministër Gashin, realisht dinamikat janë më të shpejta që i kemi në qeverisje dhe ardhja e ministrit të ri është një mundësi. Pra, mund të jetë mundësi e mirë edhe për temën e liberalizimit, nëse ministri e merr seriozisht axhendën e vet”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka pritur që në rend dite të Kuvendit të Kosovës tashmë të enjten të gjenden në lexim të parë pakoja e tre ligjeve për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, por se leximi i dytë sigurisht do të jetë pas 20 nëntorit, gjegjësisht pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Haradinaj tha se para Kosovës janë tre tema shumë të ndjeshme: Ushtria, Interpoli dhe liberalizimi i vizave.

“Njëra është krejtësisht vendim nacional pra Ushtria e Kosovës. Do të punojmë jo me folklor por saktë t’i kryejmë punët tona, e kemi Interpolin, nuk është proces i thjeshtë dhe i lehtë, mjaft vështirë do të shkojë. Do të bëjmë kujdes që të kryhet si i ka hije dhe në respekt. Unë mendoj që policia jonë pastaj do të kishte mundësi për të treguar kush është, pra të bëjë shumë me partneritet të suksesshëm me organizatat e policive të botës”, tha Haradinaj.

Kur është fjala për procesin e liberalizimit të vizave, ka mbetur edhe një vendim i ministrave të Punëve të Jashtëm të BE-së, të cilët do të mblidhen në fillim të dhjetorit. aa

Ministria e Jashtme e Kosovës: Serbia po krijon lajme të rreme

Flamuri i Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Serbinë se është duke prodhuar lajme të rreme për “zhvillimet në rajon dhe veçanërisht në lidhje me Kosovën”.

Duke rikujtuar se si edhe në të kaluarën autoritetet serbe kanë kryer siç ka thënë kjo ministri propagandë me njoftimet se Guniea Bissau, Liberia, Gana, kanë tërhequr njohjet për Kosovën, zyrtarët e kësaj ministrie kanë shprehur shqetësim për përhapjen e këtyre lajmeve të pavërteta në media të ndryshme të Kosovës dhe të atyre në botë.

Përveç tjerash, në komunikatë është thënë se këto masa të Serbisë janë duke u marrë “në kohën kur Kosova është në vlugun më të madh të faktorizimit të saj në organizatat e fuqishme ndërkombëtare, përderisa diplomacia serbe nuk posedon asnjë instrument për të penguar këtë proces”.

Komunikata e Ministrisë së Jashtme të Kosovës ka ardhur pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ditën e martë se Lesoto ka tërhequr njohjen për shtetin e Kosovës.

Haradinaj fton Bahtirin të përmbahet nga deklaratat rreth hapjes së urës në Mitrovicë

Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë “duhet të hapet për qarkullim përgjithmonë dhe jo vetëm për një ditë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Ai i ka bërë thirrje kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri që të përmbahet me deklaratat e tij, pasi ky i fundit kishte deklaruar se shumë shpejt kjo urë do të hapet për qarkullim dhe se aty në ditën inauguruese do të performojë edhe një këngëtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, gjatë një konference për media, Haradinaj tha se ura duhet të hapet në të dyja anët dhe se nuk duhet të ndodhë situata “kur në jug ka ndonjë koncert e festohet”, kurse “në veri vendosen barrikada”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka vite që mbahet e mbyllur dhe si e tillë është parë edhe si simbol që po ndan në dysh qytetin e Mitrovicës.

Në bazë të një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, Bashkimi Evropian ka udhëhequr aty një projekt për rivitalizimin e urës dhe hapjen e saj për qarkullim. Megjithatë, të gjitha afatet kohore kanë kaluar dhe ura nuk është hapur ende.

Imoraliteti politik dhe hipokrizia e Isa Mustafës, e ndihmojnë Hashim Thaçin! – Nga Florim Zeqa

Duke dëgjuar e lexuar deklarimet e liderit të LDK-së lidhur me dialogun dhe idenë e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë, njeriu i zakontë mund edhe të besoj verbërisht në persiatjet e liderit të LDK-së dhe ish kryeministrit të vendit, Isa Mustafa!
Mirëpo, për të gjithë ata që i kanë përcjellur me vëmendje zhvillimet politike në dekadën e fundit, postimet e Isa Mustafës në ‘Facebook’ janë shprehje e imoralitetit politik dhe egos së pakufishme për pushtet.

E kuptojmë dëshirën e Isa Mustafës për të harruar të kaluarën e tij politike, gjegjësisht të qenët pionier i Titos, anëtarë i devotshëm i LKJ-së dhe zyrtar besnik i Millosheviqit në qeverinë e Rrahman Morinës e deri të koalicioni me Hashim Thaçin!
Me siguri Isa Mustafa do të dëshironte që të harroheshin edhe shumë ngjarje e ndodhi tjera, por faktet e shkruara dhe filmuara janë të pamëshirshme.
Fillimisht kur Mustafa flet për dialogun, po citoj: “LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin dialogut, sepse nuk i beson. Ne e themi qartë se nuk ikim nga përgjegjësia jonë për vendin, por rrjedhimisht nuk ndajmë përgjegjësi me ata që u treguan të papërgjegjshëm. As nuk bëjmë marrëveshje me njerëz, të cilëve nuk iu besojmë”.

Shtrembërimi i realitetit

Këtu menjëherë Isa Mustafa bie ndesh me të kaluarën e tij, pasi ishte vetë ai që kishte lidhë koalicion me të pabesët për të kënaqur egon e tij për pushtet,…bie ndesh me pozicionin e tij karshi dialogut, pasi ishte vetë ai në krye të dialogut me Serbinë në Bruksel gjersa ishte në postin e kryeministrit!
Në këtë kontekst, Isa Mustafa asnjëherë në postimet e tij nuk e përmend faktin, se ishte vetë ai që nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe në Bruksel (AKS).
Përderisa Hashim Thaçi ishte nënshkruesi i parë i një marrëveshje kornizë për Asociacionin me 19 prill 2013 me Ivica Daçiqin, Isa Mustafa është nënshkruesi i dytë i të njëjtës marrëveshje me 25 gusht 2015 me Aleksanër Vuçiqin e cila garanton kompetencat ekzekutive të Asociacionit, për të cilën gjë kishte reaguar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila e bën fajtor Isa Mustafën për shkeljen e hiq më pak se 23 neneve të Kushtetutës së vendit!

Sikurse për dialogun, ashtu edhe për pozicionin e Hashim Thaçit, deklaratat e Isa Mustafës bien ndesh me realitetin, siq është deklarata e para disa ditëve, po citoj; “Duke lexuar opinione të ndryshme fitohet përshtypja se po bëhet garë se kush po i thotë më shumë e më fort Presidentit se e ka keq me përhapjen kokëfortë të teorive të tij shumë konfuze, por të rrezikshme, për korrigjim të kufirit me Serbinë, si zgjidhje e marrëveshjes përfundimtare. Qe e ka keq dhe gabim? E ka! Por shtrohet pyetja se kush ia dha shansin që ta ketë keq. Qeveria, dhe askush tjetër”.

Edhe përmes deklaratës së mësipërme Isa Mustafa mundohet të shtrëmbërojë realitetin, duke akuzuar të tjerët për pozicionin, gjegjësisht ngritjen në postet më të larta shtetërore të Hashim Thaçit!
Ngase nuk është qeveria aktuale, por është Isa Mustafa ai që mban përgjegjësi pse Thaçi u bë kryeministër, sikurse që mbanë përgjegjësi edhe kur Thaçi u bë president, ngaqë me ndihmën e tij ai u fuqizua dhe tash sillet si despot i egër dhe në mënyrë fare të papërgjegjshme karshi qytetarëve të vendit.
Loja e dyfisht e Isa Mustafës, jo vetëm se nuk do ta ndihmojë atë në rikthimin e pushtetit, partinë që ai drejton (LDK-në) do ta dëmtoj e lëndoj akoma më tepër si subjekt serioz në skenën politike.

Pa reforma nuk ka ndryshim në skenën politike

Pa reformim të skenës politike, jo vetëm që nuk do të ndodhë ndryshimi, do të kemi vetëm vazhdimësi, rikonfigurim dhe riciklim të figurave politike.
Popullata e lodhur nga mashtrimet dhe gënjeshtrat nuk ju beson më politikanëve të korruptuar dhe tejinkriminuar, të cilët kur është në pyetje pushteti i harrojnë të gjitha mëritë dhe inatet personale.
Shëmbullin më të keq të kësaj situate prapë na jep Isa Mustafa, i cili gjersa ishte në opozitë e shante e akuzonte Hashim Thaçin për kapje dhe uzurpim të shtetit, kurse menjëherë pas lidhjes së kurorës qeverisëse i bie në përqafim Thaçit,…dhe ja përseri pas humbjes së pushtetit, është prapë i njëjti që e shanë dhe akuzon të njëjtin person për dialogun dhe iniciativat e tij kryeneqe!

Mirëpo, njëri nga postimet më skandaloze të Isa Mustafës në rrjetin social (Facebook) ishte ai i datës 5 tetor 2018, nga i cili shkoqita këto në vijim, po citoj:
“Nga ky muaj kemi filluar të intensifikojmë punën me organizatat vendore të LDK-së,…po bëhemi gati ta rimarrim qeverisjen e vendit, duke ofruar zgjidhje evropiane për proceset që na presin,…në gjitha sondazhet e këtij viti, po ashtu, flasin se kemi besimin më të madh të qytetarëve. Por kjo nuk e mbron LDK-në nga marrëveshjet e fshehta dhe manipulimet që mund ti bëjë PDK në zgjedhjet e ardhshme”.

“Intensifikimi i punës me organizatat vendore të LDK-së”, nënkupton anashkalimin e plotë të degëve dhe strukturave të saj në Diasporë nga ana e liderit diktatorial të LDK-së.
Ndërsa sa u përket marrëveshjeve të fshehta dhe manipulimeve të PDK-së, ato nuk e kanë shkatërruar LDK-në, aq sa e kanë shkatërruar marrëveshjet e fshehta dhe private të liderit të saj me Hashim Thaçin.
Andaj, çdo tentim ikje nga realiteti dhe e vërteta e hidhur është shprehje e imoralitetit politik dhe hipokrizi e skajshme e liderit të LDK-së, i cili mund të jetë çkado tjetër por jo asnjëherë liderë shpirtërorë i subjektit më të vjetër në hapësirën politike shqiptare.
Vetëm tërheqja e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të partisë dhe kërkimfalja ndaj qytetarëve për dëmin që i shkaktoi vendit me lidhjen e kurorës së panatyrshme me PDK-në në vitin 2014 (kur Kosova ishte në pragë të ndryshimit historik), do ta ndihmonte LDK-në rrugëtimin e saj politik, për çka do të krijohej edhe një standard i ri politik në vendin tonë.
Në asnjë rrethanë politike, ndryshim pozitiv për vendin nuk do të sjellin ata që ishin dhe janë akoma suporti më i madh i Hashim Thaçit, përkatësisht ata që ngritën duart lartë për votimin e Thaçit president dhe marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga ai.
Ndryshimi substancial dhe pozitiv i vendit nuk arrihet me 30 % të votave, përkatësisht me 40 % të daljes së votuesve në zgjedhje.
Pavarësisht faktit se kur do të mbahen zgjedhjet, rezultati do të jetë përafërsisht i njëjtë. Pak ka rëndësi cili subjekt do të dali i parë, i dyti apo treti, pasi konstalacioni i forcave politike prapë do të mbetët i njëjtë.

BISEDIMET PËR KORIGJIMIN E KUFIJVE – STRATEGJI E SERBISË PËR RIKTHIMIN E IDESË SË SERBISË SË MADHE! – Nga: Reshat NURBOJA, Dr. Sc. Në Shkenca Politike

VËSHTRIM ANALITIK…!

Hapja e bisedimeve eventuale për ndrrimin apo korigjimin e kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë në thelbin e saj ka diçka shumë më serioze e më përmbajtësore se sa është ndërrimi eventual i disa fshatrave në mes këtyre dy vendeve…
Interesi bazë, së paku nga strategjia ekzistuese serbo-ruse është që Kosova të shfrytëzohet si pikënisje për zhbllokimin e qendrimit unik e shumë të vendosur ndërkombëtar se me asnjë çmim e në asnjë rrethanë të mos lejohet të hapet dialogu për ndrrimin, korigjimin apo çfarëdo loje tjetër të kufijve kudo në botë… Për këtë arsye me aq ngulm insistohet nga Serbia e jo vetëm nga ajo që të lejohet e fillohet ky bashkëbisedim e marrëveshje rreth korigjimit të kufijëve… Se edhe përcaktimi i përdorimit të përkufizimit “korigjim” e jo ndonjë tjetër, është i konceptuar e analizuar mirë e mirë…Se korigjimi nënkupton se diku apo dikur është bërë ndonjë gabim rreth përcaktimeve të kufijëve e tani ato gabime duhet të korigjohen…! …Në këtë kontekst, hyn edhe deklarata e kryetarit të Serbisë, Aleksander Vuqiq të potencuar në veri të Kosovës, se “Millosheviqi ka qenë lider i madh serb e me qellime të mira, të cilat nuk janë realizuar për shkak të rrethanave historike”…Kjo, nuk ishte një deklaratë e tij e momentit apo e emocionit momental por ishte një element i shkëputur nga mozaiku shtetror e kishtar serb drejt misionit për krijimin e Serbisë së Madhe, qellim ky i penguar dhe I luftuar ndërkombëtarsiht në vitet 1991-1999… Prononcimi i Vuçiqit në very të Mitrovicës, në Kosovë, kishte mesazh ringjalljen e misionit serb dikur të proklamuar nga Milloshevqi në Fushë Kosovë…! Siq potencohej në atë deklaratë të presidentit të Serbisë, Millosheviqi nuk kishte fat për shkak të rrethanave të atëhershme historike të cilat sipas Vuqiqit, tani këto rrethana kanë ndryshuar në favor të Serbisë dhe ofrojnë mundësi reale për rrumbullakësimin optimal të “endrrave: serbe, gjegjësisht, rikthimin e idesë bazike të Memorandumit të Akdemisë Serbe të Shkencës dhe Arteve të vitit 1986, për krijimin e Serbisë së Madhe me mendësinë shoveniste se kudo ku ka bashkësi serbe, ato duhet bashkangjitur Serbisë me çka do të krijohet në tërësi “Të gjithë serbët në një shtet”…!
Me këtë strategji serbe e ruse nuk rrezikohet aq shumë Kosova sa rrezikohet Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Mali i Zi e përmes tyre edhe e gjithë Evropa e Bota…

Për këtë arsye me të drejtë mbizotëron një konstatim e vlerësim shqetësues se hapja eventuale e temës së korigjimit të kufijve në bisedat Kosovë – Serbi, do t’i mundësonte Serbisë dhe aleatëve të saj t’i “hapin dyertë” për realizimin e pretendimit historik e shpirtëror të shtetit e kishës serbe e ruse për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet serb, gjegjësisht, të krijimit të Serbisë së Madhe…!
Në ketë projekt të tyre, shteti serb për momentin në prapavi e në heshtje ka përkrahjen dhe ndihmen shumë konkrete finansiare e diplomatike edhe jo të pak vendeve e individëve me ndikim ndërkombëtarë…!

Përkrahja e kësaj ideje apo projekti serb në Kosovë nga individë të caktuar ende nuk po mundet të përcaktohet e konkludohet a është për shkak të interesave personale, shantazheve, për shkak të naivitetit intelektual e politikë apo vlerësimit të tyre, se, me lejimin eventual ndërkombëtar të ndryshimit apo korigjimit të kufirit të Kosovës me Serbinë, nuk po i ndihmohet vetëm Serbisë për jetësimin e ëndrres së tyre për krijimin e Serbisë së Madhe por sipas tyre kjo i hapë mundësinë edhe shqiptarëve për krijimin e Shqipërisë Etnike…?!
Kosova, gjegjësisht, disa persona të caktuar dua të besoj pa vetëdije e qëllim të keq po manipolohen e shfrytëzohen nga “kuzhinat” shumë më të afta se ta, si çelës për jetësimin e strategjisë tani më të dekonspiruar serbe e ruse…Disa shqiptarë dhe jo vetëm ata janë duke e luajtur rolin e “lepurit apo miut elektrik’, të cilin po që lejohet nga bota, gjegjësisht, nga Amerika e Gjermania të vihet në veprim kjo “lodër”, përkrahësit e idesë të Serbisë së Madhe do ta ndjekin pas me ngulm drejt cakut e kundërshtarët e kësaj ideje e loje poashtu do të jenë të detyruar të i vien pas për ta ndalur sa më parë vrapimin e këtij “lepuri apo miu elektrik” se gjatë këtij vrapimi do të ndezën shumë vende të minuara nga të cilat, eksplodimi dhe pasojat do të dëgjohen e përjetohen në të gjithë Ballkanin e shumë më larg…Andaj, Kosova nuk duhet me asnjë çmim të bie në gracken e Serbisë e të merr rolin e “lepurit apo të miut elektrik”…!

Dëshirat, pafytyrësia , diktatura… – Nga Skënder MULLIQI

Me rëndësi është që mos të ndalësh ti plotësosh dëshirat jetësore.Me rëndësi është që dëshirat Tuaja janë më të rëndësishme së dëshirat e të tjerëve. Me rëndësi është që kjo botë ekziston për plotësimin e dëshirave tuaja.Me rëndësi është që vetën ta bindesh që do ti realizosh dëshirat jetësore.Përkunder botës.Përkunder shtetit.Përkunder popullit të cilit i takon.Përkunder familjës e cila të ka rritë.Përkunder nënës e cila të ka ushqyer. Përkunder të vertetës e cila shumë dhëmb.Përkunder pengesave të cilat të presin.Përkunder vetvetës që është më qenësorja dhe më rëndësishmja . Duhet pasur mend në kokë që dëshirat mos të bëhën më të fuqishme së vet jeta.Dëshirat Tuaja kalojnë përtej jetës.Sikur para kufomave.Nuk ka jetë nese nuk plotësohen dëshirat tuaja… Nese don edhe mundesh.Por , mos mendo së është lehtë.Shumë kan tentuar , por kan mbetur në gjysëm të rrugës.Të mbytytur në baltë.Të humbur në rrugëkryqin e jetës. Kan mbetur as andej as këndej.Kan mbetur të pa lumtur.

Kan mbetur zullumqarë të regjimit. Kan mbetur edhe dezertor .Janë munduar të bëhën dikushi e kan mbetur kurkushi. Nuk ju kan plotësuar dëshirat e tyre.Kan mbetur as cjap as dhi.Nuk është që nuk mundesh. Vetëm përvjeli duartë dhe harro që ke fytyrë.Kush po mendon në fytyrë sot, më mirë mos me e pasur! E ruan fytyrën e i humb të gjitha.Pa zgjedhë: të gjitha, pa fytyrë, apo fytyrën pa asgjë.Fytyra është bërë si udhëtarë i vërbuar në anije që të banë gjatë.Humbe fytyrën dhe do të arrish largë.Paftyrësia është një ideologji e cila të garanton që synimet tuja të realizohen duke shkelur të tjerët.Ai i cili e ka varrosur fytyrën , mjaftë edhe ka bërë.Për fillim.

Për synime madhore.Për gjesende të cila janë më të rëndësishme se jeta më fytyrë.Për jetë pa fytyrë më të cilën mburresh…!? A po e sheh që mundesh . Së je i sigurtë që dëshiron.Me atë rast që ke pasur probleme më vetvetën , edhe e ke fituar betejën më të vështirë.Ai i cili e mund vetëveten duke u shërbyër më paftyrësi , ai i mund edhe të gjithë të cilët i dalin në rrugë .Nese e ke “rrahur” mirë vetëvetën, atëherë nuk është fare më rëndësi së kënd e mund tjetër.Me rëndësi është më fituar karshi tjerëve.Është keq të ndalosh pasi që kë filluar “mirë”.Fillimi është shumë i rëndësishem.Ne start gjithëqka dihet.Si nisesh ashtu edhe përfundon.E ka shkatërruar themelin nga i cili ke dalë, dhe tash nuk është shumë vështirë të shkatërrosh të gjitha.Nuk ke themel ku bazohesh, dhe yrysh në “ fitore’ të reja…

Dëshira jote ka lindur. Ti ke lindur që përjetisisht të jesh njeri i pangopshem, pa të cilën gjë nuk ke jetë.Nuk është shumë lehtë të jesh hajn mbi hajna .

Nuk është lehtë të jesh genjeshtarë mbi genjeshtarët. Nuk është lehtë të jesh banditë mbi bandat.Shumë ke arritur pasi që kë mberri deri këtu…Për paftyrësi dhe për dëme që ju shkakton tjerëve dhe shtetit për plotësimin egosë të sëmuar, nuk është hiq problem…!?

Qytetarët me mbi 3 miliardë euro kursime nëpër banka

Luljeta Krasniqi – Veseli

Vlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovës, deri në tetor të këtij viti ka arritur në mbi 3 miliardë euro, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës.

Nga kjo shumë, më shumë se 2.2 miliardë euro janë para të kursyera nga ekonomitë familjare, derisa ndërmarrjet kanë të depozituara mbi 750 milionë euro. Vlera e valutave të tjera të kursyera nga qytetarët e Kosovës arrin shumën e 154 milionë euro.

Vlera e depozitave e tejkalon edhe shumën e kredive të përgjithshme në nivel vendi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive ka arritur në mbi 2.6 miliardë euro, ku ekonomitë familjare kanë rreth 1 miliardë euro kredi në bankat komerciale, derisa ndërmarrjet kanë mbi 1.6 miliardë euro.

Kjo shumë e madhe e mjeteve të kursyera në raport me kreditë nga ekspertë të fushës dhe përfaqësues të bizneseve shpjegohet në mënyra të ndryshme.

Eksperti i çështjeve financiare, Milazim Abazi thotë për Radion Evropa e Lirë se vlera e depozitave do të duhej të ishte në raport me kredidhënien.

“Depozitat po rriten shumë më ngadalë se sa kreditë. Qytetarët më shumë po kanë kërkesa kreditore se sa janë mundësitë e bankave për të dhënë kredi për shkak të rritjes së ngadalshme të depozitave apo kursimeve. Derisa, kursimet janë rritur 6 për qind në vit kërkesat për kredi janë rritur rreth 15 për qind”, thekson Abazi.

Sipas tij, Kosova në krahasim me vendet e rajonit ka nivelin më të ulët të depozitave për kokë banori. Ai shton se bankat komerciale do të duhej të rrisnin interesin në depozita në mënyrë që qytetarët të arrijnë të kursejnë edhe më shumë.

“Ulja e interesit në depozita ka ndikuar që të mos rriten me ritmin e duhur. Nëse bankat i rrisin interesin në kursime qytetarët do të kursenin më shumë dhe kjo më pas do të mundësonte që bankat të rrisin potencial për kredidhënie”, thekson Abazi.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, interesi për depozitat është vetëm 1.5 për qind, derisa kamatat për kredi sillen nga 6 deri në 7.7 për qind, varësisht nga lloji i kredisë dhe banka komerciale.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit thekson se është e dyshimt nga vjen kjo rritje e depozitave në një vend ku papunësia dhe varfëria është e lartë.

“Ekonomia jo ligjore, korrupsioni dhe çrregullimet në një treg financiar të pakontrolluar rritin depozitat, mjete këto të cilat vinë në forma të ndryshme në llogaritë bankare të individëve të caktuar dhe të bizneseve. Në Kosovë flasim që ka papunësi e varfëri, por këto depozita falsin diçka tjetër”, thotë Shahini.

Shuma e mjeteve materiale të kursyera të qytetarëve në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, është më e madhe se sa buxheti i përgjithshëm i vendit.

Përderisa buxheti për vitin 2018, kap shifrën e mbi 1. 8 miliardë euro, depozitat e qytetarëve janë mbi 3 miliardë euro.

Përgjegjës për sigurimin e depozitave është Fondi i Sigurimeve të Depozitave të Kosovës. Limiti i tanishëm i sigurimit të depozitave për një depozitor, person fizik apo juridik, në një bankë është 5 mijë euro.

Arrestohet në Kosovë “Babalja”, Albert Veliu

Albert Veliu, i njohur dhe si “Babalja” është arrestuar në Kosovë për llogari të drejtësisë shqiptare.

Veliu akuzohet për kallëzim të rremë. Ai është personi i cili pak muaj më parë realizoi videopërgjimin ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj ishte duke bërë pazare droge.

Nga verifikimet e deritanishme, rezulton se ky audio përgjim është i montuar dhe se personi që shfaqet duke folur për pazare droge nuk është Agron Xhafaj.

Në këtë videopërgjim i cili u publikua nga PD, pasi u dërgua atje nga gazetari Jetmir Olldashi është përfshirë dhe deputeti i partisë demokratike Ervin Salianji i vili do të hetohet për kallëzim të rremë.

Surroi: Kosova duhet të ndryshojë qasjen ndaj dialogut me Serbinë

Publicisti Veton Surroi, tha të mërkurën se përfundimi i konfliktit me Serbinë është thelbësor për Kosovën dhe duhet të shërbejë si motiv themelor për ndryshimin e qasjes ndaj dialogut të saj me Serbinë në Bruksel. Gjatë një debati të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur “Forum 2015” ku temë kryesore ishin negociatat Kosovë-Serbi, zoti Surroi tha se është koha që të ndryshohet qasja ndaj këtyre negociatave.

“Aderimi në NATO, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara janë procese shumë të nevojshme dhe domosdoshme për Kosovën e ardhmërisë, por ajo çka nevojitet tash është që të përfundojë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë dhe ekziston një nevojë e jashtëzakonshme që Kosova ta bëjë këtë. Jo vetëm sepse kjo i hap rrugë pastaj edhe këtyre proceseve integrative por sepse i kthehet vetvetes”, tha ai.

Zoti Surroi, theksoi qëndrimin kundër mundësisë që ideja për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë të hidhet në tryezën e bisedimeve.

“Tërësia, sovraniteti, identiteti, balanca identitare e Kosovës shumë etnike, shumë kulturore, dhe aspirata që të jemi vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian nuk mund të negociohen apo të vihen në tryezën e bisedimeve. Rrjedhimisht, duhet të gjejmë kompromis mes kësaj që jemi ne sot si Kosovë dhe kësaj që është Serbia sot”, tha ai.

Marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas zotit Surroi duhet të jetë një marrëveshje e paqes e cila nuk lë hapësirë për probleme në të ardhmen në mes dy shteteve.

Publicisti Surroi tha se arritja e një marrëveshjeje të tillë kërkon unitet politik në Kosovë ngaqë sipas tij, mos prezantimi i një platforme të përbashkët, e cila madje mund edhe të mos jete publike por në mirëbesim, e vë Kosovën në një qorrsokak.

Në përpjekje për të arritur këtë, nesër në Prishtinë pritet të mblidhen përfaqësuesit e partive në pushtet dhe atyre në opozitë, me ftesë të kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Javën e kaluar udhëheqësit e partive politike në pushtet hartuan një projekt-rezolutë për siç thuhet, përmbylljen e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë, në të cilën theksohet pos tjerash se kufijtë e Kosovës saj janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”.

Idetë për prekjen e kufijve të cilat nxitën ndarje të thella në skenën politike në Kosovë, nxitën reagime edhe në skenën ndërkombëtare. Derisa një pjesë thekson se do të ishte e pranueshme çdo marrëveshje ndërmjet palëve edhe nëse preken kufijtë, një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Britania e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve nga droja për pasojat në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.

Thaçi e Haradinaj ashpërsojnë polemikat

Arton Konushevci

Raportet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj, janë acaruar kohëve të fundit si pasojë e qëndrimeve të kundërta rreth idesë për ndryshimin e kufijve që buron nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të hënën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka vdekur dhe se është në një fazë të rëndësishme.

Thaçi në këtë mënyrë iu kundërpërgjigj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se “ideja për ndryshimin e kufijve ka vdekur”.

Duke e komentuar këtë deklaratë, Thaçi u shpreh se kryeministri “është në humor të mirë ose ndihet tepër komod në karrigen e vet”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën tha se qëndron prapa deklaratave të tij se opsioni i ndryshimit të kufijve është i vdekur.

Haradinaj tha se nuk pret që deklaratat e tilla të ndikojnë në rrëzimin e qeverisë që ai drejton.

“Kush e ka ndërmend ta rrëzojë qeverinë nuk flet, e rrëzon. Ata që flasin, mos u mërzitni për ta”, tha Haradinaj.

“Ai që ka vdekur nuk ngjallet më. Njëherë ka ndodh, është ngjallur Krishti, po çështja e korrigjimit të kufijve, e shkëmbimeve të territoreve ka vdekur”, tha Haradinaj.

Analisti dhe kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, në Prishtinë, Agron Bajrami tha se hendeku ndërmjet dy liderëve të vendit sa vjen e po thellohet.

“Dhe tani ky mospajtim vetëm sa thellohet deri në masën që deklaratat e ndërsjella vijnë deri edhe në kufij të fyerjeve dhe kjo nëse vazhdon në këtë trend, atëherë do të paralizojë raportet mes dy institucioneve, presidencës dhe qeverisë. Se sa mund të ndikojë kjo në stabilitetin e vet qeverisë, mbetet të shihet sepse as presidenti dhe as qeveria, por as opozita nuk e kanë një shumicë të mjaftueshme për të imponuar vullnetin dhe jemi në një lloj bllokade, kur bëhet fjalë për atë se si duhet ecur përpara në çështjen e dialogut me Serbinë”, tha Bajrami.

Ai tha se nga këto zhvillime dhe raporte mes dy liderëve është herët të thuhet se vendi mund të shkojë drejt një procesi të ri zgjedhor.

Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se deklaratat dhe kritikat e ndërsjella mes presidentit dhe kryeministrit do të kenë ndikim edhe më të madh në bllokimin e punës së institucioneve.

Ai thotë se presidenti Thaçi me këto veprime po mundohet të ketë ndikim në Qeverinë e Kosovës.

“Kjo po e konfirmon që presidenti po mundohet të ndikojë në punën dhe vendimet e qeverisë dhe kuvendit. Kjo është edhe si pasojë e asaj që vetë partitë të cilat janë në pushtet, vetë kryeministri Haradinaj, kanë zgjedhur që të mos i ushtrojnë kompetencat e veta në politikën e jashtme sa i takon dialogut, duke ia lënë këtë çështje në mirëbesim presidentit Thaçi. Tani këto janë pasojat e shkëmbimit kundërkushtetues, të cilët i kanë bërë këta dy udhëheqës të lartë shtetërorë të kompetencave kushtetuese”, tha Krasniqi.

Ai thotë se këto deklarime e veprime të politikanëve në Kosovës në masë të madhe do ta dobësojnë pozicionin e vendit në dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij, kritikat midis politikanëve përdoren edhe si një lloj taktike për të lëshuar pe nga një procesi i caktuar.

“Më shumë këtë e përdorin si një lloj taktike për të lëshuar pe në këtë proces, sidomos kryeministri Haradinaj të jetë ai që të lëvizë nga pozicioni që është duke e mbajtur”, tha Krasniqi.

Institucionet e Kosovës janë duke zhytur në një krizë të thellë institucionale, nga e cila vështirë se mund të dalin për një kohë të gjatë. Kështu thonë njohësit e zhvillimeve politike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Si rezultat i gjendjes faktike, pa një shumicë në Kuvend, së fundi partitë në pushtet dështuan ta formojnë ekipin negociator për dialog me Serbinë. Ndërkohë që opozita dështoi të miratonte rezolutën për t’i sanksionuar presidentit të Kosovës mundësinë që në dialog me Serbinë të hapë temën e ndryshimit të kufirit.

Shqiptari në luftë për jetën, flet shoku i tij: Si na masakruan në Serbi

Flet njeri nga shqiptaret e Kosoves qe u rrahen brutalisht në Novi Sad të Serbisë gjatë ditës së djeshme. Raportohet se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

 

Çlirim Maloku, është emri i 19 vjeçarit nga Hasi i Prizrenit i cili tashmë është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkaq i lënduari tjetër G.B, raportohet se ka pësuar lëndime më të lehta trupore. Ky i fundit ka folur pas sulmit që i ka ndodhur në qytetin serb.

Ai për “Blicin” serb ka rrëfyer edhe momentin e sulmit. “Kemi qenë duke shkuar në shtëpi. Kam parë një linjë të taksisë në stacion dhe i kam thënë atij në shqip që të nxitojë. Pastaj, dy persona kanë ardhur dhe kanë filluar të na sulmojnë. Më pas kanë ardhur edhe dy të tjerë”, ka thënë B.G, i cili nga mediat serbe thuhet se flet serbisht dhe jeton në Novi Sad.

Nderkohe qe per gjendjen e tyre shëndetësore kanë folur edhe nga spitali. “Të dy djemtë janë dërguar në Qendrën Klinike. Njëri ka qenë i lënduar më lehtë dhe është derguar për në shtëpi. Ndërkaq, tjetri ka marrë lëndime të rënda në kokë dhe i është nënshtruar operacionit. Gjendja e tij është stabile tanimë”, ka thënë sekretari provincial i shëndetësisë, Zoran Gojkoviq.

Kujtojmë se në lidhje me sulmin në fjalë kanë reaguar të gjithë krerët shtetërorë të Kosovës.

Ata kanë kërkuar që fajtorët lidhur me këtë ngjarje të sillen para drejtësisë, duke shtuar se kjo ngjarje dëshmon se nuk ka lëvizje të lirë në shtetin serb.

Prishtina kërkon sqarimin e sulmit mbi dy të rinj shqiptarë në Serbi

Përfaqësues institucionesh në Kosovë u kërkuan autoriteteve serbe që të vënë sa më parë para drejtësisë autorët e një sulmi mbi dy të rinj shqiptarë në Serbi, njëri nga të cilët pësoi plagë të rënda si pasojë e rrahjeve në qytetin e Novi Sadit.

Autoritetet serbë thanë se dy të rinjtë shqiptarë të lindur në vitin 1999, u sulmuan nga një grup serbësh në Novi Sad, kryeqyteti i Vojvodinës, në rrethana ende të pasqaruara, natën ndërmjet së shtunës dhe së dielës.

Njëri prej të sulmuarve, që u identifikua si Çlirim Maloku, na rajoni i Prizrenit, pësoi plagë të rënda dhe mjekët kanë luftuar për jetën e tij. Të hënën në mbrëmje zyrtarë në Novi Sad thanë se gjendja e tij është e rëndë por e qëndrueshme.

Përfaqësues të organizatës joqeveritare “Amza e Shqiptarëve të Serbisë”, thanë se ata duket të jenë sulmuar vetëm sepse janë dëgjuar duke folur shqip me njëri tjetrin.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se ky është një akt i pashembullt që dëshmon se lëvizja e lirë në shtetin serb nuk është e garantuar dhe çdo akt dhune është larg vlerave evropiane.

Derisa Çlirim Maloku po lufton për jetë, nga lëndimet e marra, një shtet që negocion për anëtarësim në BE duhet të ndërmarrë veprime të shpejta për ta zbardhur rastin. Dy të rinjve shqiptarë u uroj shërim sa më të shpejt, ndërsa sulmuesit të sillen para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin meritor”, shkroi ai.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli shkroi se ministria e tij po bën përpjekje “qoftë direkt, përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, qoftë edhe përmes kanaleve ndërkombëtare, të ndihmojmë në ofrimin e ndihmës për viktimat e këtij rasti, si dhe të ndërhyjmë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë“, shkroi ai duke nënvizuar se Serbia duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunë.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha mes tjerash se “Serbia duhet të dëshmojë se është e përkushtuar në mbrojtje të njerëzve, pa dallim etnie. Po ashtu, duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunën“.

Emri i tij është Çlirim Maloku. Ai është nga Kosova. Emri i tij do të thotë Çlirim. Ai është lindur më ’99, vitin kur Kosova është çliruar nga okupimi serb. Javën e kaluar ai është rrahur në Serbi, sepse ka folur gjuhën e tij amtare“, shkroi në rrjetet sociale, ambasadorja e Kosovës ne Shtetet e Bashkuara.

His name is Çlirim Maloku. He is from #Kosovo. His name means Liberation. He was born in ‘99 , the year Kosovo was liberated from the #Serbian occupation. Last week he was beaten in #Serbia because he spoke his native language. Today he is fighting for his life. Let that sink in. pic.twitter.com/Vo51apWMdf

— Vlora Çitaku (@vloracitaku) October 8, 2018

Reagime në Serbi

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e dënoi sulmin duke theksuar se të gjithë qytetarët e Serbisë duhet të kenë mbrojtje të barabartë.

“Ne nuk jemi të egër, ky është vend i qytetëruar”, tha ai të hënën gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Si të kërkoj nga Jens Stoltenberg që serbët të jenë të mbrojtur në Kosovë, nëse nuk jemi në gjendje t’i mbrojmë qytetarët e nacionaliteteve të tjera në vendin tonë. Kjo duhet të dënohet në mënyrën më të ashpër, ndërsa kryesit duhet të dënohen në mënyrën më të rreptë”, tha ai.

Sulmin e dënoi edhe prefekti i Novi Sadit, Millosh Vuçeviç, duke theksuar se “ky nuk është Novi Sadi siç e njohim ne dhe kjo nuk është Serbia siç e duam“. Në një deklaratë lidhur me rastin ai tha se “një akt i tillë është ia paligjshëm, pandershëm dhe i pamoralshëm“.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Vojvodina qytetare”, tha se që nëse vërtetohet se sulmi u krye për shkak të përkatësisë etnike, atëherë “kjo duhet trajtuar si krim shumë të rrezikshëm nga urrejtja dhe duhet të dënohet ashpër në mënyrë që të çohet porosia se diçka e tillë është absolutisht e palejueshme“.

Sulmi u dënua edhe nga Liga Socialdemokrate e Vojvodinës dhe disa parti në rajonin verior të Serbisë.

Thaçi: Haradinaj të korrigjojë veten, mund ta humbë postin

Presidenti Hashim Thaçi në një deklaratë për mediat ditën e sotme iu kundërpërgjigj kryeministrit Haradinaj pas kometeve të këtij të fundit për idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë.

Presidenti Thaci, që thyen rekord në përdorimin e fjalës “korrigjim”, tha se edhe kryeministri Haradinaj duhet të korrigjojë deklaratat e tij.

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij rreth dialogut, pa dialog nuk ka të ardhme atlantike për Kosovën”, tha presidenti në konferencën e mbajtur.

Thaci tha se Kryeministri duhet të korrigjohet, në të kundërt ata që nuk korrigjohen, ndërrohen.

“Nuk jemi të përhershëm në pozicionet tona, kryeministrat dhe presidentet mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë, gjithësesi mund të ndërrohen ata që nuk korrigjohen”, tha Thaçi.

Haradinaj: Ideja e ndërrimit të territoreve ka vdekur

PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se “ideja e ndërrimit të territoreve ka vdekur”.

Kryeministri Haradinaj sot priti në takim shkrimtaren Helena Kadare, të cilën e nderoi me Hartën e Artë të Kosovës.

Pas ceremonisë së dekorimit, kryeministri Haradinaj foli në lidhje me çështjen e “korrigjimit të kufijve” dhe të liberalizimit të vizave.

Ai u fokusua në draft-rezolutën e përgaditur nga koalicioni qeveritar në lidhje me dialogun, ku u shprehu se, “Rezoluta është një qëndrim që na obligon të gjithëve, besoj edhe presidentin e vendit. Pra nëse kjo rezolutë do të aprovohet në Parlament, shihet qartë në bazë të rezolutës se kujt i besohen të drejtat dhe për çka. Neni i parë që është marrë nga kushtetuta e vendit, por që i është shtuar edhe pasusi i kufijve të panegociueshëm nga askush, dhe po ashtu neni gjashtë që të drejtat e këtilla ia njeh vetëm Parlamentit. Mirë do të ishte që në Parlament të ketë votë pro për këtë rezolutë. Nuk është e Qeverisë ashtu siç po thuhet në raste të caktuara, është produkt i një debati mjaft të ndjeshëm që ka ndodhur në Kosovë në këto kohët e fundit”.

Haradinaj po ashtu “shprehu ngushëllimet e tij për idenë e ndërrimit të territoreve”, sepse sipas tij kjo ide “ka vdekur”.

Ai foi edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku siguroi se “gjendja nuk është keq”, duke theksuar se, “Jam optimist se do të marrim para fundit të vitit”.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kohëve të fundit ka sjellur në rend të ditës çështjen se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë. Kurse partitë opozitare në Kosovë kundërshtojnë këtë opsion.

Së fundmi javën e kaluar partitë e koalicionit qeverisës përgaditën një draft-rezolutë e cila përmban 6 pika, ku pos tjerash thuhet se, “Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative, përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Serbisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, unik dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”. aa

Ndërron jetë gazetari Ibrahim Rexhepi

Ka ndërruar jetë gazetari i njohur nga Kosova, Ibrahim Rexhepi. Lajmi është konfirmuar nga familjarë dhe kolegë të tij, përmes rrjeteve sociale.

Ibrahim Rexhepi ka punuar për shumë vite në gazetën Rilindja, pastaj në atë Bujku si dhe në Kosova Sot, Koha Ditore, Lajm, Express dhe Revista Ekonomia.

Ai ishte ndër gazetarët më të vlerësuar si ekspert i çështjeve nga fusha e ekonomisë.

Viteve të fundit, ai ishte angazhuar edhe në politikë, në kuadër të Aleancës Kosova e Re.

Sa janë kosovarët shoqëri e (a)politizuar? – Nga Fadil Maloku

1. Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së “ngjyrimit”, të çdo segmenti që prodhoi në ndërkohë jeta sociale dhe ajo politike në “betejat” e konsolidimit të institucioneve shtetërore, dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike.
2. Kur flasim për politizimin, zakonisht mendja na shkon te perceptimi për humbjen e sensit dhe kohezionit tonë politik për të krijuar institucione kredibile, që po prodhon përveç sjelljeve të devijante (krim kulminant, anomi, konflikte ndërgrupore e brendainstitucionale, shtim të interesave klanore dhe zbehje të atyre publike, fatëpajtimi të çuditshëm dhe “gjumë dogmatik” të publikut, kur janë në pyetje interesat e përgjithshme qytetare) edhe konflikte e skandale me afera të matshme…
3. I gjithë ky proces i fillimit të vetëkërkimit të shkaqeve në rastin tonë kosovar, mund t’u adresohet shumë faktorëve: psh. shpërnguljes nga një zonë rurale në një zonë urbane, margjinalizimit të grupeve të caktuara, deprivimit social, krizës morale, anonimitetit…etj.
4. Por, në të njejtën kohë është evident edhe antipodi i këtij fenomeni, ai i apolitizmit. I cili sipas një gjykimi ende të paprerë sociologjik, është duke u bë edhe një ndër shkaqet e kësaj gjendjeje të tepruar të “ngjyrosjes” me indiferencën e tepruar ndaj veprimeve të partive tona politike, për kauzat kombëtare.
5. Perceptimi kësisojt qytetar që nënkupton jo gjithherë edhe qëndrimet e publikut të gjerë, ato të shoqërisë civile, e sidomos ca medieve mercenare, pa dyshim që ngjallë dyshime për shkallën e gatishmërisë së emancipimit tonë politik.
6. E themi kështu, edhe për shkak se perceptimet për dallim nga kërkimet empirike na çojnë gjithëherë në gjykime të gabuara për ndonjë fenomen apo dukuri që zhvillohet në shoqëritë e transicionit të vonuar, sikurse është Kosova.
7. Sipas kësaj logjike që më shumë na imponohet si perceptim, fitohet përshtypja që kujdestar kryesor për gjitha këto vonesa, e nëpërkëmbje të qarta të institucioneve tona sociale e politike, janë (jo gjithë, por) DISA POLITIKAN grykësa që pushtetin e përdorën ekskluzivisht për interesat e veta personale, e klanore…, e jo edhe për kauza nacionale dhe shtetndërtuese.

Pacolli: Putini është burrë i mirë, kam punuar gjatë me rusët

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po qendron në SHBA, ka folur për rusët dhe presidentin Vladimir Putin.

Në një intervistë për “undispatch”, në New York, ai e ka vlerësuar si njeri të mirë, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Pacolli ka thënë se populli rus është i mirë, sikurse Putini dhe Rusia një ditë do ta kuptojë se pavarësia e Kosovës, nuk i shkakton askujt dëm.

I pyetur se si e njeh Putinin, Pacolli ka thënë se: “E njoh sepse kam punuar gjatë me rusët dhe kam respekt për popullin rus dhe e di shumë mirë se Putini është një prej këtyre njerëzve të mirë”.

Pacolli gjatë intervistës, ka folur edhe për njohjet, Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës, karshi vendeve që nuk e kanë njohur deri tani.

Prizren, manifestim lamtumirës për ushtarët e KFOR-it gjerman

PRIZREN – Me rastin e tërheqjes së ushtarëve gjermanë nga kampi ushtarak i KFOR-it në Prizren, sot në këtë qytet u mbajt një manifestim lamtumirës për ushtarët e KFOR-it gjerman.

Në kuadër të manifestimit lamtumirës të mbajtur në sheshin “Shatërvan” të qytetit të Prizrenit, u organizua një parakalimi festiv nën përcjelljen e orkestrës ushtarake.

Në këtë manifestim morën pjesë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sekretarja parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dr. Maria Flachsbarth, sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn, ministra të qeverisë së Kosovës, ambasadorë, komandantë, si dhe ushtarë të kontingjentit gjerman dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Në një fjalë rasti, kryeministri Haradinaj në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës falenderoi të gjithë ushtarët gjermanë të cilët qëndruan në Kosovë. Duke shprehur se ndjehen krenarë me suksesin e ushtarëve gjermanë në Kosovë, Haradinaj tha se “Dua gjithashtu të falenderoj Gjermaninë për mbështetjen në të gjitha fushat. Si rezultat të kësaj, Kosova sot është në paqe dhe njerëzit nga etnicitete, religjione dhe besime të ndryshme jetojnë në harmoni. Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në paqe”.

Haradinaj po ashtu falenderoi kontingjentin gjerman për mbështetjen e ofruar për institucionet e sigurisë, si për policinë ashtu edhe për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Haradinaj më tej theksoi se kampi ushtarak gjerman në Prizren do të transformohet në një kamp inovativ dhe trajnues, ku shtoi se ky park do të bëhet një histori e suksesit. Ai po ashtu ftoi kompanitë gjermane që të investojnë në Kosovë.

Në fund të fjalimit Haradinaj dekoroi komandantin e Kontingjentit Gjerman të KFOR-it në Kosovë, nënkolonel Eric Offermann me “Hartën e Artë të Kosovës”, në nderim për shërbimin dhe arritjet e kontingjentit gjerman të KFOR-it në Kosovë.

Ndryshe sot iu tha lamtumirë kontingjentit gjerman të KFOR-it në Prizreni, i cili ka shërbyer që nga viti 1999. 300 ushtarë sa janë aktualisht në Prizren, vetëm 70 prej tyre do të mbesin në Prishtinë, në Camp Film City, e të cilët do e ndihmojnë FSK-në në avancimin e saj. Kampusi i KFOR-it gjerman, që kanë shërbyer për 19 vite në Prizren do u dorëzohet autoriteteve vendore, ndërsa në hapësirën e kampit fushor në Prizren do të ngritet Parku gjermano-kosovar Inovativ dhe Trajnues (ITP), i cili do të mbështetet me mjete të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë Federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. aa


Send this to a friend