VOAL

VOAL

Stoltenberg: Rusia ka plane të rrezikshme

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se plani i Rusisë për të forcuar arsenalin e saj bërthamor me 40 raketa të reja baltistike, është model i rrezikshëm i sjelljes së Rusisë.

“Kjo shpatë e vrullshme bërthamore është e pajustifikueshme, destabilizuese dhe e rrezikshme”, ka thënë Stoltenberg, pas një takimi me kreun e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në Bruksel.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë sot se Rusia do të shtojë edhe 40 raketa balistike interkontinentale në arsenalin e saj bërthamor, në vitin 2015.

Deklarata e Putinit ka ardhur pasi Shtetet e Bashkuara kanë propozuar rritjen e pranisë së tyre ushtarake në shtetet e Evropës lindore.

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit janë të larta për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në konfliktin në lindje të Ukrainës. rel

Historiania serbe Dubravka Stojanoviç: Çështja e gjenocidit në Srebrenicë është çështje botërore

VOAL – Në prag të 20-vjetorit të gjenocidit të forcave serbe kundër popullsisë civile të Srebrenicës historiania e njohur serbe Dubravka Stojanoviç pat thënë se krimet masive në këtë qytet të Bosnjës lindore janë çështje botërore, përmes të cilës është definuar edhe më shumë e drejta ndërkombëtare nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ajo tha se gjenocidi në Srebrenicë nuk është çështje lokale dhe nuk varet nga ajo nëse e pranon apo jo Serbia. Parlamenti serb i ka dënuar krimet në Srebrenicë, por pa e përmendur në mënyrë eksplicite gjenocidin. Lideri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik në të kaluarën ka deklaruar se në Srebrenicë ka ndodhur një gjenocid i përmasave lokale dhe kështu ka nxitur reagimin e boshnjakëve.

Stojanoviq tha se në Serbi pas krimeve në Srebrenicë nuk është kuptuar se kjo është çështje botërore. «Ky është gjenocidi i parë i kryer në truallin europian (pas Luftës së Dytë Botërore) dhe goditje e rëndë kundër mbarë botës. Kjo është diçka që sërish ka ngjallur mendimet për dimensionet e së keqes», deklaroi ajo për agjencinë e lajmeve Beta.

Stojanoviq ka thënë se në Serbi ende nuk kuptohet se gjenocidi në Srebrenicë ka definuar të drejtën ndërkombëtare: «Ky aspekt te ne nuk shihet si shumë gjëra të tjera, sepse ne shohim vetëm veten tonë, rrëfimin tonë dhe kuzhinën tonë të vogël». Ajo shtoi: «Duke u kualifikuar si gjenocid Srebrenica është shndërruar në krim të veçantë dhe kjo është që e dallon atë krim nga të tjerët».

Qeveria e Britanisë së Madhe ka paralajmëruar një rezolutë, e cila do të miratohet nga OKB-ja me rastin e 20-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta do ta shpallë 11 korrikun ditë botërore të kujtimit të rreth 8 mijë viktimave në Srebrenicë. Forcat serbe të prira nga gjenerali Ratko Mladiq pushtuan enklavën boshnjake të Srebrenicës më 11 korrik 1995 dhe në javët në vijim vranë mijëra civilë boshnjakë. Sipas gazetës «Danas» të Beogradit rezoluta po mbështetet edhe nga Holanda dhe SHBA-të.

Paralajmërimi se do të miratohet një rezolutë për Srebrenicën ka ngjallur reagime të mëdha në Serbi nga ana e politikanëve. Disa media në Beograd njoftojnë se rezoluta parasheh që në të ardhmen nxënësit të mësojnë në shkolla për gjenocidin në Srebrenicë. Në rast të tillë edhe Serbia dhe republika e serbëve të Bosnjës do të duhej të korrigjonin librat e historisë në mënyrë që nxënësit serbë të mësojnë për Srebrenicën dhe krimet e kryera atje. Dy të akuzuarit si fajtorë kryesorë për gjenocidin, gjenerali Ratko Mlladiq dhe politikani Radovan Karagjiq, gjendet para Tribunalit të Hagës./dia.plu.

Britania shënon 800 vjetorin e Magna Carta

VOAL – LONDËR – Mbretëresha Elizabetë II po udhëheq ceremoninë e shënimit të 800 vjetorit të Magna Cartas, dokumentit qenësor të të drejtave të njeriut në Britaninë e Madhe.

Kryeministri britanik, David Cameron, i është bashkuar mbretëreshës të hënën në Runnymede, afër Londrës, aty ku në vitin 1215, Mbreti John u takua me baronët e pakënaqur dhe nënshkroi një listë të të drejtave të njeriut.

Magna Carta – që në latinishte do të thotë Karta e Madhe – konsiderohet dokument themeltar i ligjeve angleze dhe lirive civile.

SERBIA KA MARRË TEKSTIN E PROJEKTREZOLUTËS PËR SREBRENICËN NGA BRITANIA

 VOAL – NJU JORK – Misioni i Britanisë në Kombet e Bashkuara ia ka dorëzuar Serbisë propozimin e rezolutës për Srebrenicën, e cila me gjasë do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 7 korrik, ka deklaruar sot ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Thuhet se qëllimi i rezolutës është pajtimi, por në atë tekst në 20 vende përmendet gjenocidi dhe vetëm një herë pajtimi”, tha Daçiq.

Ai mëtutje është shprehur se “Serbia tashnë ka treguar përkushtim për dënimin e krimeve të luftës, por qeveria e Serbisë do të udhëhiqet me interesat shtetërore e kombëtare kur kemi të bëjmë me këtë temë”, tha Daçiq në konferencën e rregullt me gazetarë në Beograd.

Sipas tij, ende nuk janë kryer konsultimet me shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe se pritet që ato të mbahen gjatë javës së ardhshme.

Ivica Daçiq tha se rezoluta për Srebrenicën, të cilën e përgatit Britania, përmbanë pjesë të përgjithshme, të cilat direkt kanë të bëjnë me krimet në Srebrenicë. rel

New York Times – SHBA E GATSHME PËR T’IU PËRGJIGJUR AGRESIONIT RUS NË EVROPËN LINDORE

 

VOAL – NJU JORK – E përditshmja New York Times shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të dërgojnë tanke dhe armatim të rëndë në Evropën Lindore për të zmbrapsur një agresion të mundshëm rus në këto vende.

Kjo lëvizje vjen si kundërpërgjigje ndaj një agresioni të mundshëm rus. Deri tani, gazeta amerikane thotë se do të vendosen më shumë se 5 mijë trupa në vendet baltike. Kjo është hera e parë që SHBA-­të po vendosin pajisje ushtarake në Europë në këtë masë, që pas përfundimit të luftës së ftohtë. SHBA-­të i druhen Rusisë dhe influencës së saj në vendet baltike (Estoni, Letoni, Lituani), që pas aneksimit të Krimesë nga ana e Moskës. Vetë vendet baltike e kanë kërkuar prezencën ushtarake të NATO-­s dhe SHBA-­ve, pasi edhe ato i druhen shumë një agresioni rus.

Mbyllet hetimi i përgjimit të celularit të Merkelit

 

 Prokurorët gjermanë kanë mbyllur hetimet e përgjimeve të dyshuara të celularit të kancelares Angela Merkel nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkaura

Zyra e prokurorit federal, Harald Range, ka thënë se nuk ka mundur të gjejë prova të mjaftushme për t’i paraqitur në gjykatë.

Akuzat për përgjim kanë rrjedhur nga dokumentet sekrete të SHBA-së, që i ka bërë publike ish-kontraktori i CIA-s, Edward Snowden, në vitin 2013.

Në atë kohë, Shtëpia e Bardhë nuk i ka mohuar drejtpërdrejt akuzat, por ka thënë se telefoni i Merkelit nuk është duke u përgjuar aktualisht dhe se nuk do të përgjohet në të ardhmen.

Merkel, ndërkaq, ka thënë se “spiunimi midis miqve nuk bën të ndodhë”. rel

Turqi: Analizë mbi humbjen e AKP-së

VOAL – Bisedimet për krijimin e një koalicioni qeverisës do të dominojnë në Turqi në javët e ardhshme pasi votuesit prishën planet e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të fituar shumicën prej dy të tretash, e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën dhe për zgjeruar kontrollin e tij mbi pushtetin. Zgjedhjet parlamentare të së dielës i dhanë goditjen më të madhe partisë së zotit Erdogan, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, që kur ajo mori pushtetin në vitin 2002. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Presidenti turk nuk ka folur publikisht mbi humbjen e partisë së tij, AKP, por, në një deklaratë me shkrim, ai deklaroi se opinioni i vendit qëndron mbi çdo gjë tjetër, dhe se të gjitha palët duhet të vlerësojnë gjendjen e tyre realisht. Toni pajtues i zotit Erdogan ishte në kontrast të fortë me atë të partive opozitare dhe udhëheqësve të tyre në ditët para zgjedhjeve.

Analisti politik, Cengiz Aktar i Universitetit Sulejman Shah të Stambollit thotë se denoncimi i presidentit si një autokrat nga kundërshtarët e tij, është një nga pengesat kryesore të formimit të një koalicioni qeverisës.

“Do të jetë shumë e vështirë të krijohet një qeveri koalicioni me AKP-në si partnere kryesore dhe me zotin Erdogan i cili do të kontrollonte dhe drejtonte atë. Dhe gjëja e dytë është se çdo partner i vogël qeveritar do të duhej t’i jepte llogari votuesve të tyre për një veprim të tillë. Në fund të fundit, këto parti ishin shumë të ashpra kundër pushtetit të zotit Erdogan-së”.

Partneri më i mundshëm i koalicionit është Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Veprimit Kombëtar ose MHP. Dy partitë besohet se kanë mbajtur bisedime joformale përpara zgjedhjeve. MHP konkurroi me një platformë që ka për synim përfundimin e procesit të paqes me grupin rebel kurd, PKK.

Studuesi politik Yuksel Taskin i Universitetit Marmara thotë se AKP mund të dëmtojë më tej popullaritetin e saj nëse hynë në koalicion me partinë MHP.

“AKP u godit rëndë në masë të madhe nga humbja e votuesve kurdë. Një koalicion ose qeverisje dy-partiake me partinë MHP, do të sillte vdekjen, ose të paktën ngrirjen e procesit të paqes. Kjo do të kontribuonte në humbjen e mëtejshme të votave të kurdëve për AKP-në”.

Analistët gjithashtu thonë se një koalicion i tillë nuk ka gjasa të jetë i qëndrueshëm. Sinan Ulgen, një analist i Institutit Karnegi në Bruksel, thotë se Turqia mund të hyjë në një epokë të re politike.

“Qendrueshmëria që ka gëzuar vendi në vitet e fundit do të mund të jetë pjesë e së kaluarës. Çfarëdo koalicioni që do të krijohet, ka shumë të ngjarë që të shtojë presionin për organizim të zgjedhjeve të parakohshme”.

Disa analistë parashikojnë se zgjedhje të reja parlamentare do të mund të organizoheshin në fillim të shtatorit. Por duke marrë parasysh rënien e madhe në tregjet financiare të Turqisë të hënën, udhëheqësit e partive mund të jenë të kujdesshëm ndaj një paqëndrueshmërie të gjatë politike.

Analisti politik Taskin përmend një çështje praktike që mund të pengojë organizimin e zgjedhjeve.

“Unë nuk besoj se shumica e deputetëve do të ishin në favor të organizimit të zgjedhjeve të reja, sepse për të fituar të drejtën e daljes në pension ata do duhet të qëndrojnë në parlament për dy vjet. Pra, ky është shqetësimi themelor i deputetëve të sapo zgjedhur. Secili deputet mendohet se mesatarsisht ka shpenzuar më shumë se 350,000 dollarë për t’u zgjedhur”.

Numan Kurtulmus, një anëtar i AKP-së me ndikim i cili thuhet se mund të jetë udhëheqës i partisë në të ardhmen, ka përjashtuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të paktën tani për tani, duke thënë se partia e tij është duke u përqëndruar në formimin e një qeverie. Analistët thonë se AKP është e vetëdijshme se zgjedhjet e parakohshme mund t’u shkaktojnë një humbje tjetër. Partia ka gjithashtu gjasa të jetë e zënë me analizimin e rezultateve të zgjedhjeve të së dielës, dhe ndoshta brenda partisë mund të ketë thirrje për një ndryshim në drejtimin politik dhe madje edhe ndryshim të udhëheqjes./za

Jeb Bush turne në Evropë

VOAL – Jeb Bush bëri thirrje për lidhje më të ngushta tregtare dhe sigurie me Evropën gjatë një fjalimi në Berlin, ndalesa e tij e parë e një turneu pesë ditor, për të testuar mbështetjen në politikën e jashtme, para se të shpallë kandidaturën për president të hënën në Majami.

Udhëtimi i zotit Bush në Evropë, që do të përfshijë ndalesa edhe në Poloni dhe Estoni, vjen disa ditë para se ai të fillojë fushatën për të siguruar emërimin e Partisë Republikane.

Duke iu drejtuar gati 2 mijë politikanëve dhe biznesmenëve në një konferencë për ekonominë të organizuar nga partia konservatore e kancelares Angela Merkel, zoti Bush u prit ngrohtësisht, por jo në të njëjtën mënyrë siç u prit në vitin 2008 senatori i atëhershëm Barack Obama në Tiergarten me më shumë se 200 mijë njerëz që e brohorisnin.

Zonja Merkel mori pjesë gjithashtu në konferencë, pak pasi zoti Bush përfundoi fjalimin e tij dhe i shtrëngoi dorën duke u duartrokitur nga audienca.

“BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të përbashkët për hapjen e qëndrueshme të tregjeve në mbarë botën”, tha zoti Bush në fjalimin e tij.

“Kjo është një arsye përse ne duhet të kemi një plan serioz për të përfunduar Parteneritetin e Investimeve dhe Tregëtisë Transatlantike”, tha ai duke iu referuar një marrëveshjeje tregëtare mes SHBA dhe BE-së që po negociohet.

Për sigurinë globale, zoti Bush theksoi rëndësinë e rolit të aleancës Natos, 70 vjet pasi Shtetet e Bashkuara dhe Evropa perëndimore filluan të ndërtojnë aleancën e pas-luftës.

Jeb Bush është përpjekur të  distancojë veten nga vëllai i tij George W. Bush, që mund të jetë presidenti amerikan më pak popullor në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore, kryesisht për shkak të vendimit të tij për të ndërhyrë në Irak në vitin 2003.

PAPA NË SARAJEVË – PUNONI PËR PAQE DHE PAJTIM

Papa Françesku u ka bërë thirrje myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve të Bosnjës, që t’i lënë prapa “plagët e thella” të së kaluarës dhe të punojnë së bashku për një të ardhme paqësore.

Ati i Shenjtë po zhvillon një vizitë njëditore në Sarajevë dhe atje u mirëprit nga mijëra boshnjakë, të cilët kishin dalë ta përshëndesnin derisa po kalonte autokolona prej aeroportit nëpër qytetin e banuar nga rreth 300 mijë myslimanë.

Në fjalimin e tij në Presidencë e Bosnjës, Papa u bëri thirrje boshnjakëve që të kundërshtojnë “barbarinë” e atyre që vazhdojnë të mbjellin ndarjen “si një pretekst për dhunë të tmerrshme”.

Ati i Shenjtë u bëri thirrje boshnjakëve që të vazhdojnë të punojnë për paqe dhe respekt ndërfetar, përmes durimit dhe dialogut të besueshëm.

“Kjo do të lejojë që zërat e ndryshëm të bashkohen dhe të krijojnë një melodisublime të fisnikërisë dhe bukurisë, në vend të klithmave fanatike të urrejtjes”, tha ai.

Papa Françesku më pas ka shkuar në stadiumin e Sarajevës, ku edhe do të zhvillohet ngjarja kryresore e vizitës së tij. Aty do të marrin pjesë 65 mijë njerëz, shumica prej tyre katolikë

SINJAL SHPRESE – VIZITA E PAPËS NË SARAJEVË

Papa Françesku po viziton Sarajevën. Nga kjo vizitë presin impulse jo vetëm besimtarët katolikë. Bosnje-Hercegovina ende është një vend i pastabilizuar, 20 vjet pas luftës.

“Vizita e Papës (06.06) vjen në kohën e duhur, tensionet nacionaliste dhe fetare janë gjithnjë e më prezente, nganjëherë ke ndjesinë se asgjë nuk e ndal politikën nacionaliste. Ana-Marija Lasić tingëllon pesimiste. Ajo është 38 vjeç, e lindur dhe rritur në Sarajëvë, ajo e ka përjetuar luftën dhe pushtimin e qytetit nga serbët boshnjakë. Ana është besimtare katolike dhe banore krenare e këtij qyteti dhe Bosnje-Hercegovinës. Një qëndrim i tillë nuk gjendet lehtë mes kroatëve boshnjakë, shumica besimtarë katolikë, që. ankohen se nuk janë qytetarë të barabartë në një vend ku ata janë në minoritet.

Në Bosnje-Hercegovinë krahas pakicave të vogla të romëve dhe hebrenjve jetojnë tre etni: Boshnjakët – shumica myslimanë, serbët -shumica ortodoksë serbë, dhe kroatët – shumica katolikë. Në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 1991, 17% e banorëve në Bosnje-Hercegovinë janë katolikë, 44% myslimanë dhe 31% ortodoksë-serbë. Por këto shifra vijnë nga koha e viteve 1992-1995, vite të luftës në vend. Shumë boshnjakë kroatë ndërkohë kanë emigruar, në Kroaci ose vende të tjera. Për ata që jetojnë në vend, feja dhe komuniteti fetar janë referime të rëndësishme të jetës së përditshme. Prandaj vizita e Papës është një sinjal i rëndësishëm – ata ndjehen të respektuar në përpjekjet e tyre.

Sarajeva – multikulturalitet që jetohet përditë

Por Papa Françesku nuk e ka zgjedhur Sarajevën si destinacion të udhëtimit të tij të tetë jashtë vendit vetëm për arsyet e lartpërmendura. Sarajeva është simbol i bashkëjetesës së kulturave dhe feve. Kjo bashkëjetesë është ngjizur në shekuj, duke u ngritur një kulturë e respektit dhe tolerancës së ndërsjellë – shembull për Europën. Sarajeva vetë është dëshmi e gjallë e kësaj kulture – në një hapësirë të vogël gjendet një sinagogë, një xhami, dhe një katedrale katolike – pak më larg edhe kisha ortodokse serbe. Por më e rëndësishme se fetë që jetojnë krahas njëra-tjetrës, është bashkëjetesa e përditshme thotë Enes Karić, profesor në Fakultetin e Teologjisë në Sarajevë. Sipas tij feja është sot më prezente në jetën e përditshme: “Në shumë vende feja përdoret për luftë, dhunë dhe destabilizim.” Prandaj viziza e Papës është e rëndësishme; “Paqja qoftë me Ju” – dhe paqja është sot një fjalë e rëndësishme, shton Enes Karić. Kjo vizitë është e rëndësishme jo vetëm për katolikët, por edhe për ortodoksët, myslimanët dhe hebrenjtë, thekson ai.

Katolike dhe qytetare e Bosnje-Hercegovinës

Problemi më akut i Bosnje-Hercegovinës është papunësia tejet e lartë dhe varfëria e madhe. Sipas fondacionit Konrad Adenauer më shumë se 50% e njerëzve janë të papunë, ndër të rinjtë papunësia kap madje shifrat e 72%. Ana-Marija Lasić ia ka dalë të ketë një ndër punët e preferuara në administratë. Nuk kam rrogë shumë të lartë, por të paktën një punë të sigurtë, thotë ajo. Megjithë vështirësitë ajo nuk do ta ndërronte jetën në Sarajevë. Bosnje-Hercegovina është vendi e gëzimi i saj, miqtë e saj janë myslimanë, serbë-ortodoskë, kjo nuk luan ndonjë rol.

Katolikja besimtare është e gëzuar për vizitën e Papa Françeskut, por shton: “Për mua si katolike kjo vizitë nuk do do të thotë shumë. Më e rëndësishme kjo vizitë është për mua si qytetare e Bosnje-Hercegovinës. Ne katolikët mund të shkojmë në Vatikan dhe të shohim Papën. Por tani Papa vjen në vendin tim, një vend që ende nuk është shëruar plotësisht nga tragjedia e luftës dhe konfliktet ndëretnike, edhe 20 vjet pas saj.”

Kjo vizitë shihet si një rreze shprese për vendin: Kur politika nuk është në gjendje të bëjë diçka, atëherë të paktën të ndihmojnë gjeste simbolike, mendojnë shumë vetë në Bosnje-Hercegovinë. Shumë media raportojnë për vizitën e Papës, por edhe për poltronin ku do të ulet Papa gjatë meshës në Koshevë. Atë e kanë gdhendur Edin und Salem Hajderovac, dy mjeshtra myslimanë. Ndërsa porosia erdhi nga komuniteti katolik vendor. dw

MERKEL – LUFTA CIVILE NË SIRI ZGJIDHET VETËM ME RUSINË

Rusia është e nevojshme për të përballuar krizat ndërkombëtare, thotë kancelarja Merkel në intervistë me DW. Megjithatë në rrethin e vendeve më të industrializuara, -G7, Moska aktualisht nuk është e mirëpritur.

Një zgjidhje për luftën civile në Siri, sipas mendimit të kancelares gjermane Angela Merkel (CDU), mund të arrihet vetëm me përfshirjen e Rusisë. Prandaj Moska në formatet e tjera të bisedimeve, ndryshe nga raundi i G7, mbetet “një partner i rëndësishëm”, si për shembull për zgjidhjen e çështjes së programit bërthamor iranian, tha Merkel të premten për Deutsche Welle në Berlin (në foto më sipër: Merkel në një intervistë me kryeredaktor Dagmar Engel). Edhe eliminimi i armëve kimike nga Siria është arritur vetëm me ndihmën e Rusisë.

Në intervistë kryetarja e qeverisë gjermane u shpreh edhe lidhur me krizën e borxhit të Greqisë. Ajo shpreson, dhe këtë do ta thotë edhe në G7, se bisedimet që po zhvillohen me Athinën “mund të përfundojnë me sukses.” Pak para takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive këtë të dielë, Merkel, e cila mban aktualisht presidencën e G7, është prononcuar në intervista të ndryshme në kanalet kryesore të lajmeve të botës perëndimore.

Në të njëjtën kohë Merkel theksoi se Rusia aktualisht nuk mund të përfshihet në formatin G7. Moska vitet e fundit “nuk u është afruar” shumë ideve të vendeve kryesore të industrializuara, argumentoi kancelarja. Me pranimin e Rusisë në rrethin e G7 në vitin 1998 janë pritur “më shumë gjëra të përbashkëta”, veçanërisht në kuadrin e përpjekjeve të mbrojtjes. Si shembull kancelarja theksoi partneritetin NATO-Rusi. Të dyja palët themeluan në këtë kontekst në vitin 2002 një këshill të përbashkët.

Më shumë angazhim kundër epidemive

Kancelarja Angela Merkel Kancelarja Angela Merkel

Merkel përmendi në fillim të bisedës me Deutsche Wellen defiçitet në luftën ndërkombëtare kundër epidemive dhe pandemive. Në këtë çështje duhet të bëhen përparime në takimin në kështjellën bavareze Elmau. Kur shpërtheu epidemia e ebolës në tre vende të Afrikës Perëndimore në fillim të vitit 2014, bashkësia ndërkombëtare “nuk ka reaguar mirë, shumë me vonëse, dhe jo sa duhet në unitet. Kjo nuk duhet të përsëritet.”

Në ditën e dytë të takimit të G7 diskutimeve do t’u bashkangjiten disa liderë afrikanë, ndër ta edhe presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf. Ajo i kishte kërkuar Merkelit në një apel dramatik publik në kulmin e krizës së ebolës në shtator 2014 , që ta ndihmonte vendin e saj për përballimin e sëmundjes. Prania e saj në Elmau do të “na bëjë edhe një herë të ndërgjegjshëm, se sa e rëndësishme është tema e shëndetit”, tha Merkel.

Greqia nuk do ta rëndojë takimin e G7

Kancelarja gjermane nuk pret që situata dramatike e borxhit në Greqi do të errësojë takimin në Elmau. Greqia nuk është temë qendrore në diskutime. Duke parë situatën ekonomike globale, G7 do të diskutojë edhe për situatën në Eurozonë. Pjesëmarrësit evropiane mund të theksojnë sukseset në Irlandë, e cila ka sot rritjen më të madhe ekonomike të Bashkimit Evropian. Edhe në vendet e krizës Portugali dhe Spanjë, ekonomia është përsëri në rritje.

Në Elmau takohen kryetarët e shteteve të G7 Në Elmau takohen kryetarët e shteteve të G7

Pjesëmarrësit në bisedimet G7 janë “shtete demokratike, që kanë si të përbashkëta të njëjtat vlera”, tha Merkel. Midis tyre “komunikim më të lirë, më intensiv”, i cili përcaktohet nga sistemet demokratike. Por krahas kornizës së G7, nevojitet edhe formati komplementar G20, i cili përfshin vende me rende krejtësisht të ndryshme shoqërore. Në raundin G20 që nga viti 1999 mblidhen së bashku për konsultime 20 vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe ato në zhvillim.

PAPA SHKON SOT NË BOSNJË NË EMËR TË PAQES

 

Papa Françesku do të vizitojë sot Sarajevën, 20 vjet pas përfundimit të luftës, për të përcjellë në Bosnjë me shumicë myslimane mesazhin universal të paqes.Kjo është vizita e tretë e një Pape në vend, që kur Bosnja u nda nga Jugosllavia dhe u përfshi në luftën që mori 100 mijë jetë njerëzish.

Në prill të vitit 1997, teksa vizitoi Sarajevën e shkatërruar më pak se dy vjet pas përfundimit të luftës, Papa Gjon Pali II i bëri thirrje për falje dhe pajtim, por 18 vite më vonë Bosnja mbetet peng e konflikteve të trashëguara, e ndarë politikisht dhe etnikisht dhe duke u zvarritur në rrugën e integrimit europian.

“Vij tek ju si vëlla dhe me një mesazh paqeje, për të shprehur, e theksoj të gjithë respektin dhe miqësinë time për ju”, u shpreh Bergolio në një video mesazh gjatë kësaj jave.

Ati i Shenjtë viziton Bosnjën vetëm pak kohë pasi Bashkimi Europian ka vënë një veprim një marrëveshje të vonuar gjatë në lidhje me përforcimin e marrëdhënieve me Bosnjen, një hap i parë drejt anëtarësimit të mundshëm.

Ky veprim është pjesë e një nisme të re perëndimore për të inkurajuar ndryshime politike dhe ekonomike, por edhe gjithashtu për të ulur ndikimin negativ që vjen nga varfëria në vend, papunësia e korrupsioni, të cilat çuan vendin në trazira të dhunshme në shkurt të 2014.

Vendi përballet gjithashtu me presionin e republikave autonome serbe, të cilat kërcënojnë shkëputjen nga Bosnja, inkurajuar edhe nga aleati serb Rusia. Disa kroatë katolikë, gjithashtu, kërkojnë njësinë e tyre si të serbëve ortodoksë.

Por në video mesazh, Papa Françesku u bëri thirrje katolikëve të qëndrojnë krah për krah me bashkëqytetarët e tyre.

“Po vij mes jush me ndihmën e Zotit për të forcuar besimin katolik, për të mbështetur dialogun ndër-fetar dhe mbi të gjitha për të nxitur bashkëjetesën paqësore në vendin tuaj”, shprehet Bergolio.

Katolikët, shumica e tyre kroat etnik, përbëjnë rreth 15 për qind të popullsisë prej 3.8 milionë banorësh në Bosnje, e cila është goditur nga një valë e madhe emigrimi jashtë vendit gjatë dhe pas luftës.

Kroatët kanë ndarë pushtetin me boshnjakët myslimanë në Federatën e Bosnjës, rajon tjetër autonom i vendit krijuar në bazë të një marrëveshje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërmjetësuar në negociatat e qeverisë me grupet e ndryshme etnike.

Marrëveshja e BE-së hyri në fuqi më 1 qershor dhe në kthim politikanët kanë miratuar një angazhim për të ndjekur reformat ekonomike për të mirën e popullit të tyre të varfër dhe të integrimit europian të vendit.

MERKEL – KTHIMI I RUSISË NË G7 I PAIMAGJINUESHËM

Kancelarja gjermane Angela Merkel edhe një herë tha se është e “paimagjinueshme” për Rusinë të ribashkohet me Grupin e Shtatë fuqive ekonomike (G7), pas aneksimit të Krimesë.

“Pjesëmarrja e Rusisë në këtë moment është e paimagjinueshme. G7 është një grup i shteteve që ndajnë vlera siç është demokracia dhe sundimi i ligjit”, tha kancelarja në intervistën dhënë për DPA.

“Parimet tona përfshijnë edhe faktin që ne mbrojmë ligjin ndërkombëtare dhe paprekshmërinë e kufijve kombëtarë, sepse ato formojnë bazën e rendit tonë shoqëror në botë. Në anën tjetër, aneksimi i Krimesë ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha Merkel.

Merkel tha se Rusia mund të vazhdojë të marrë pjesë në vendime ekonomike globale në grupin më të gjërë në G20.

“Ne nuk mund të zgjidhim konflikte të caktuara siç është rasti i konfliktit në Siri pa Rusinë. Për këtë arsye unë qëndroj në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin Vladimir Putin”, tha ajo. rel

ROLAND JAHN – HAPJA E DOSJEVE TË STAS-it MUNDËSOI NDËRRIMIN E ELITAVE POLITIKE E SHOQËRORE

I ngarkuari Federal i qeverisë së Gjermanisë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në RDGJ, Roland Jahn, në intervistë për DW flet mbi përvojën e institucionit që ai drejton dhe dobnë e hapjes së dosjeve.

DW: Z. Jahn, Gjermania i hapi dosjet e ish-policisë sekrete komuniste, STASI shumë shpejt, pothuajse menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit dhe unifikimit të Gjermanisë. Ju na treguat këtu në Tiranë, sesi pesë gra gjermane, hynë të parat në zyrën e STASIT-t në Tyringji, për të mos lejuar që dosjet dhe materialet e policisë sekrete të asgjësoheshin, pastaj e njëjta gjë ndodhi në Berlin, në zyrat e saj qendrore. Në Shqipëri për fat të keq nuk ndodhi kështu . Pra cilët ishin faktorët në Gjermani që procesi i hapjes së dosjeve ndodhi menjëherë?

Roland Jahn: Në Gjermani, gjatë revolucionit paqësor, fillimisht gjithë funksionarët dhe drejtuesit e lartë – qoftë këta drejtues të partisë në pushtet, qoftë të policisë sekrete, u përpoqën fillimisht të asgjësonin dokumentacionin e arkivuar në zyrat e tyre përkatëse. Në Gjermani ishte shumë e rëndësishme tentativa e qytetarëve për t’i thënë ”STOP” procesit të asgjësimit të dosjeve dhe dokumenteve sekrete. Në këtë kontekst, mund të them madje, që në Gjermani vendet ku ruheshin dosjet praktikisht u pushtuan nga qytetarët në mënyrë që ato të siguroheshin dhe kështu të bëhej e mundur që më pas të hidhej dritë mbi rrethanat për gjithҫka kishte ndodhur, për personat që kishin qenë përgjegjës për ato rrethana dhe mënyrat sesi mekanizmat e policisë sekrete ishin vënë në lëvizje. Dhe sigurimi i dosjeve, i dokumentave dhe akteve sekrete ishte lëvizja vendimtare për të hedhur dritë mbi rrethanat, në të cilat kishte vepruar regjimi diktatorial. Procesi nisi 25 vjet më parë dhe ne vazhdojmë ta ndërtojmë atë ende në të tashmen dhe ky është një proces, që do të vijojë të ndërtohet edhe nga brezat e ardhshëm.

DW: Z. Jahn, cilat janë përfitimet kryesore, që shoqëria gjermane ka pasur gjatë këtyre 25 viteve të fundit, periudhë kur ka ndodhur pjesa më e madhe e procesit të hapjes së dosjeve të STASI-t, në ish Gjermaninë Lindore?

Roland Jahn: Hapja e dosjeve ka pasur një dobi shumë të madhe për shoqërinë gjermane pasi u bë i mundur një fillim i ndërtimit demokratik të shoqërisë gjermane, sidomos në Gjermaninë Lindore. Elementi më i rëndësishëm i gjithë këtij procesi ishte vendosja e viktimave të sistemit diktatorial në qendër të të gjitha lëvizjeve politike. Ishte shumë e rëndësishme mbështetja e tyre, pasi ishin ata që kishin luftuar për paqen dhe lirinë në atë sistem. Rikthimi apo trajtimi në mënyrë dinjitoze i viktimave ishte një sinjal pozitiv që i jepej shoqërisë së asaj kohe lidhur me vlerësimin apo rivlerësimin e tyre, gjë që do t’u mësonte edhe brezave të ardhshëm që vlerat e demokracisë dhe ato të të drejtave të njeriut do të ishin vlerat mbi të cilat ndërtohet një sistem demokratik. Hapja e dosjeve në Gjermani bëri të mundur edhe përcaktimin e përgjegjësive, të personave përgjegjës për të gjitha padrejtesitë që kishin ndodhur në sistemin diktatorial, gjë që solli më pas në shumë raste edhe largimin e përgjegjësve nga pozicione drejtuese në jetën politike, sociale apo në sektorë të tjerë. Përmes hapjes së dosjeve dhe akteve të policisë sekrete të STASI-it u bë i mundur edhe ndërrimi i elitave politike dhe shoqërore. Por, hapja e dosjeve ishte një veprim me shumë rëndësi edhe për ata, për të cilët ishin mbledhur informacione personale në mënyrë të kundërligjshme si: përmes përgjimeve, spiunimeve etj. Për këta njerëz u bë i mundur kthimi i së drejtës së tyre për të vetëvendosur për jetën e tyre. Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti që hapja e dosjeve, pavarësisht procesit të lustracionit, pra nëse ai ndodhi apo jo, ka ndikuar në saqarimin dhe hedhjen dritë mbi rrethanat në të cilat ka funksionuar sistemi diktatorial në atë kohë, që përbën një vlerë shumë të madhe. Hapja e dosjeve përbën një bazë shumë të mirë për të bërë të mundur analiza shkencore, qofshin ato edhe në sektorë të artit, letërsisë, medias për të kuptuar më mirë se si ka funksionuar ai sistem diktatorial. Motoja e punës time është: Sa më mirë të kuptojmë diktaturën, aq më mirë mund të formësojmë, ndërtojmë demokracinë . Për mua është vendimtare që nga e shkuara të mund të gjenerojmë sa më shumë ide, forcë për të ndërtuar në mënyrën më të mirë të mundshme të ardhmen. Në ato dosje është dokumentuar padrejtësia dhe represioni që është ushtruar ndaj njerëzve të ndryshëm por edhe dëshira e tyre për liri dhe përpjekjet për ta fituar atë. Dhe ky është edhe mesazhi që mund të nxjerrim për t’ua drejtuar gjithë brezave të tanishëm dhe të ardhshëm: problemet janë të zgjidhshme, mjafton që njerëzit të bashkohen dhe të kenë vullnetin për t’i zgjidhur ato.

DW: Z. Jahn, a ka ndodhur në Gjermani, që një pjesë e konsiderueshme e atyre që kryen krime dhe padrejtësi t’u kërkojnë ndjesë viktimave të tyre, si një mundësi për pajtim dhe paqe sociale?

Roland Jahn: Sigurisht, në Gjermani ka pasur raste, që në momentin kur janë gjetur personat përgjegjës për padrejtësitë apo krimet e kryera këta persona u kanë kërkuar ndjesë personave të dëmtuar. Por ky proces ka qenë i paraprirë nga ai i sqarimit të rrethanave dhe padrejtësive dhe hedhjes dritë mbi to. Viktimat mund të falin vetëm atëhere kur ato njohin me saktësi dhe mjaft mirë rrethanat. Parakusht për falje është hedhja dritë mbi rrethanat. Falja nuk është diçka që mund të urdhërohet nga lart, ajo ndodh mes njerëzve, dhe momentin se kur viktimat vendosin të falin këtë e përcaktojnë vetëm ato. Nëse kërkojmë një pajtim shoqëror, një shoqëri në paqe, kusht do të ishte trajtimi me dinjitet i viktimave apo rikthimi i dinjitetit të tyre.

DW: Z. Jahn, çfarë mendoni për situatën aktuale në Shqipëri lidhur me hapjen e dosjeve të Sigurimit, policisë sekrete të sistemit komunist, nisur nga diskutimet, pyetjet që juve ju drejtuan në një takim, që ju patët në Ambasadën Gjermane në Tiranë, me organizata të shoqërisë civile, grupet e të drejtave të njeriut, ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë dhe median?

Roland Jahn: Ishte një takim shumë interesant, që tregoi se në Shqipëri ka probleme lidhur me trajtimin e diktaturës komuniste, por rruga e zgjidhjes do të ishte biseda dhe dialogu mes palëve, pasi zbardhja e së shkuarës komuniste mund të realzohet vetëm duke qenë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit.

Samiti G7: Idil alpin dhe politikë botërore në Kështjellën Elemau

03-06-2015 18-26-18

VOAL – Samiti i 41-të i G7 do të mbahet në Kështjellën Elmau, Krün, në Bovari të Gjermanisë. Po ju sjellim një reportazh të Radio DW për të mësuar diçka më tepër:

 

Shkëlqim alpesh, wellness dhe kuzhinë e shijshme. Me shumë madhështi dhe luks pritet samiti i G7. Të fshehur në luginën e largët të Elmaut takohen të mëdhenjtë e politikës botërore. Por kjo nuk u pëlqen të gjithëve.

Gjatë samitit G7 e tërë bota i ka sytë nga Bavaria. E thënë më saktë nga Elmau, një luginë e vogël në Werdenfelser Land në Bavari. “Pallati Elmau” është hoteli, ku mbahet konferenca e shtatë vendeve kryesore perëndimore të industrializuara dhe delegacioneve të tyre (G7). I ndodhur në këmbët e vargut malor Wetterstein “Pallati Elmau” është një nga hotelët kryesorë me pesë yje në Gjermani.

Shtatë kilometër e gjatë është kjo rrugë private, që gjarpëron nëpër pyje dhe livadhe në lulëzim në luginën e gjërë të Elmaut. Përveç blegërimës së largët të dhive dhe tingëllimit të këmborëve të tyre, nuk dëgjohet asgjë tjetër. Zogj grabitqarë fluturojnë në qiell. Nën këpucë ndjehet zhurma e guralecëve të shtigjeve malore, që kalojnë bri plevicave dhe kasolleve malore.

Një përshendetje e shkurtër me kokë dhe një “Grüß Gott”, me kaq dhe kalimtari përballë zhduket përsëri. Vetëm trokitja e shkopinjve të tij, që prekin tokën, lë pas jehonën e vet.

Gazetarëve u tregohet kështjella Elmau Gazetarëve u tregohet kështjella “Elmau”

Në këtë pejsazh alpin do të bëjnë fotografinë tradicionale kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti amerikan Barack Obama dhe homologët e tyre. Çfarë fotografie e bukur do të ishte: G 7 përpara një kasolle tradicionale në bjeshkë, në sfond një panoramë malore, që të lë pa frymë. Por nuk do të jetë kështu. Bukurinë alpine e prishin ndërtimet prej xhami të kasolles së përzgjedhur alpine “Elmauer Alm”. Dhe më e keqja: Ndërtimi është i paligjshëm. Krerët e shtetit të fotografohen para një ndërtimi të paligjshëm? Nuk bën.

Gazetarët presin në rradhë

Fajin e ka Dietmar Müller-Elmau, pronari i “Schloss Elmau”, të cilit i takon “Elmauer Alm”. Çatinë e ka ngritur pa lejen e administratës së landit në Garmisch-Partenkirchen. Për vite të tëra kjo nuk i ka rënë në sy askujt. Po ndërhyhet vetëm tani me rastin e fotografimit: Çatia duhet zmontuar.

Müller-Elmau tregon para kamerave shtatë apartamentet identike me vështrim mbi pejsazhin mahnitës. Gazetarët presin me muaj në rradhë për intervistë. Ai i shëtit ato me krenari nëpër sallat e hotelit, që është vend takimi për intelektualë, mendimtarë të lirë, biznesmenë dhe politikanë, që duan të njohin “frymën e Elmaut”. Këtu ka edhe program kulturor për mysafirët e hotelit: me muzikantë të famshëm të muzikës klasike dhe xhaz, lexime, yoga. Edhe restorantet kanë yje dhe shije të mirë.

Pronari Dietmar Müller-Elmau bën reklamë për kështjellën Elmau Pronari Dietmar Müller-Elmau bën reklamë për kështjellën Elmau

Në Elmau gjithçka bëhet e mundur

Pronari i kështjellës duket se nuk e merr shumë seriozisht punën e lejeve të ndërtimit. Ato dhe mbrojtja e natyrës mund të harrohen një herë nga samiti. Kështu pas samitit duhet të kthehet përsëri në gjendjen e tij origjinale sheshi i betonuar ekstra për aterrimin e helikopterëve. Edhe për këtë betonim nuk është folur me zyrën e qarkut në Garmisch-Partenkirchen.

Müller-Elmau është në gjendje ta vërë në qendër “kështjellën” e tij. Edhe kontejnerët e ndërtimit, që janë pirg fare pranë kështjellës dhe që janë vënë në funksionim si qendra e shtypit, janë paketuar në stilin alpin. Samiti duket se është hapësira e përkryer për t’i bërë reklamë pronarit.

G7 është një ngjarje shumë e madhe për rajonin

“Nëse kjo pamje e hotelit luksoz përhapet në botë, atëherë vijnë mysafirë të hoteleve me pesë yje”, mendon politikani lokal i të Gjelbërve, Jërg Jovy. Problemi është se jashtë Elmaut hotelet nuk mund të ofrojnë një standard kaq të lartë.

Turizmi i rajonit karakterizohet nga ekskursionizmi ditor, apo nga shfrytëzimi i imazhit të mbretit bavarez Ludwig, mendon Jovy. Keshtjellat e famshme Linderhof dhe Schachen janë fare pranë. Werdenfelser Land nuk është një rajon turistik i suksesshëm, pavarësisht potencialit të tij të madh, mendon Jovy.

Lulëzim i një rajoni të harruar turistik?

Me pejsazhin e paprekur alpin qarku Garmisch-Partenkirchen dëshiron të fitojë pikë në botë. Kryetarja e bashkisë Sigrid Meierhofer është e sigurtë. Nga dritarja e zyrës ajo vështron malin Wank në Garmisch. Për të dhe komunitetin e saj samiti i G7 është një bekim, jo vetëm për shkak të rinovimit të bashkisë. Ajo mbyll dritaren, që të mos pengohet nga zhurma e kantierit të ndërtimit dhe makinat dhe buzëqesh e kënaqur.

Ka javë të tëra, që shumica e shtretëve të vendit me më pak se 26.000 banorë janë zënë nga pjesëmarrësit e samitit, apo u janë dhënë me qira gazetarëve dhe policëve. Për shkak të situatës së jashtëzakonshme gjatë ditëve të samitit, ajo ka një këshillë për qytetarët e saj: “Të mos bëjnë panik, por të jetojnë si zakonisht – me qetësi dhe mikpritje”. Shpresa e Meierhofer është që “të behemi edhe më interesantë si destinacion turistik.”

Forcat e sigurisë në Elmau dhe rreth tij Forcat e sigurisë në Elmau dhe rreth tij

Por Jërg Jovy i të Gjelbërve e sheh këtë çështje krejtësisht ndryshe. “Rrethi i Garmisch-Partenkirchen është një vend i keq për mbajtjen e samitit. E gjithë infrastruktura nuk është ndërtuar për diçka të tillë. Vendi është plot e përplot e nuk zë dot më”, por ajo që e shqetëson atë më së tepërmi, është një fotografi në faqen e internetit të ministrisë së Brendshme bavareze. “Fotografia tregon luginën e Elmaut plot me makina policie. Nuk jam i sigurtë, nëse është ky imazhi, që duam të përcjellim në botë ..Që nuk mund të lëvizësh dot me nga forcat e shumta të sigurisë.”/dw

SULMOHET NJË OJQ RUSE NË ÇEÇENI

Një organizatë joqeveritare ruse thotë se njerëz të maskuar janë futur sot në zyret e tyre në kryeqytetin e Çeçenisë në Grozni.

Komiteti Kundër Torturës ka thënë sot se disa djem të rinj, të armatosur me mjete të forta prej metali, kanë sulmuar zyret qendrore të tij. Kjo organizatë thotë se policia nuk është përgjigjur në thirrjet e saj për ndihmë dhe se sulmuesit më pas kishin arritur të iknin përmes dritareve.

Zyrat e kësaj organizate edhe më parë kishin qenë cak i sulmeve të tilla, ku disa punonjës kishin pësuar lëndime.

Komiteti Kundër Torturës është njëri prej grupeve të pakta të të drejtave të njeriut që vepron në Çeçeni. Lideri i këtij vendi, i mbështetur nga Kremlini, Ramazan Kadyrov po akuzohet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. rel

USHTRIA UKRAINASE THOTË SE FORCAT RUSE PO PËRPAROJNË NË LINDJE TË VENDIT

Separatistët pro-rusë kanë nisur një ofenzivë duke sulmuar me artileri të rëndë, përfshirë dhe tanke, pozicione të trupave qeveritare ukrainase në perëndim të Donjeckut, duke përshkallëzuar kështu konfliktin në lindje të vendit, ka thënë sot ushtria ukrainase.

“Në orën 3 të mëngjesit (sipas kohës lokale), armiku ka nisur bombardime masive në pozicionet tona afër Maryinka-s dhe Krasnogorvika-s, duke përfshirë këtu edhe armë të rënda. Ata kanë përdorur tanke dhe artileri”, tha sot zëdhënësi i ushtrisë së Ukrainës Andriy Lysenko.

“Armiku ynë është duke tentuar që të avancojë. Forcat ukrainase janë duke iu bërë ballë të gjitha sulmeve”, tha Lysenko.

Maryinka është 15 kilometra në perëndim të Donjeckut, qytet i cili po kontrollohet nga rebelët pro-rusë.

Shërbimi për media i rebelëve DAN ka cituar një komandat të lartë rebel, Eduard Busarin, duke thënë se përleshja e armatosur është ende duke vazhduar, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Ai ka akuzuar trupat qeveritare se kanë sulmuar me armatim të rëndë forcat separatiste. rel

MERKEL – GJERMANIA ËSHTË VEND I EMIGRANTËVE

Derisa liderët evropianë janë të brengosur për valën e emigrantëve që kanë pushtuar Evropën, kancelaria gjermane Angela Merkej ka thënë se Gjermania është vend i emigrantëve.

Numër i madh i emigrantëve po tentojnë që nga Siria, Iraku, Libia dhe vendet tjera afrikane të arrijnë në shtetet e Evropës.

Siç pohohet zyrtarisht 75 përqind prej atyre që kanë kërkuar azil, duan ta fitojnë në pesë shtete të Evropës, Francë, Gjermani, Suedi, Itali dhe Hungari.

Kancelarja Merkel ka kërkuar që të zbutet ky shqetësim duke thënë se emigrimi është në përputhje me kulturën gjermane.

“Ka diçka shqetësuese kur dikush nuk do të vijë te ne”, ka thënë Merkel.

Ajo ka deklaruar se Gjermania kujdeset që t’u mundësojë të gjithë emigrantëve që të ndihen sikurse në shtëpinë e tyre e po ashtu që t’u sigurojë kushtet e jetës.

Gjatë vitit 2014 në Gjermani kanë shkuar rreth 800 mijë emigrantë dhe pritet që ky numër të rritet edhe më shumë.

TENSIONE TË REJA NË REPUBLIKËN E MOLDAVISË

Në Veri të Republikës së Moldavisë është parashikuar të mbahet një referendum për më shumë autonomi. Kjo inisiativë simbolizon tendencat separatiste në rritje dhe tensionet e reja në raportin e Moldavisë me Rusinë.

Në 1 nëntor të këtij viti, qytetarët e Balti-t, qytetit të dytë për nga madhësia të Moldavisë do të marrin pjesë në një referendum për më shumë autonomi. Këtë e vendosi Këshilli i Qytetit, dy të tretat e të cilit përbëhen nga përfaqësues të Partisë komuniste proruse. Shumica e popullatës së qytetit e ka rusishten gjuhë amëtare.

Lajmërimi në dukje joproblematik i autoriteteve të qytetit ngërthen në vetvete lëndë shpërthyese politike. Presidenti i Parlamentit të Moldavisë, Andrian Candu e vlerësoi këtë projekt si “rrezik për unitetin shtetëror”. Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit të Sigurisë që të ndërmarrin hapat e nevojshme, për të “ruajtur interesat” e vendit. “Kemi të bëjmë shumë qartë me një provokim kundër unitetit të shtetit”, mendon edhe politilogu Dionis Cenusa për inisiativën në Balti. Këto tendenca separatiste dëshmojnë dobësinë e qeverisë moldave, shtoi ai.

Simpati me separatistët

Ky konflikt ka ngjashmëri të pabesueshme me konflikte të mëparshme në Republikën e Moldavisë. Që në shkurt 2014 banorët e rajonit autonom të Gaugazisë votuan me shumicë të madhe (98,4 %) për bashkimin doganor me Rusinë. I ashtuquajturi referendum u dënua atëherë nga qeveria qendrore. Sepse në bazë të kushtetutës moldave, një referendum lokal mund të propozohet dhe kryhet vetëm nga autoritetet në Çisinau. Por Këshilli i Qytetit të Baltit e injoroi qeverinë qendrore moldave. Që në pranverë 2012 në qytet u zëvendësua flamuri i Republikës së Moldavisë (blu-i verdhë-i kuq) me një flamur vetjak – kuq e blu. Prokuroria nisi atëherë hetime, por të cilat deri sot nuk kanë përfunduar.

Premtime të vagullta nga Brukseli

Në një pozicionim të parë për referendumin e shpallur, kryeministri i Moldavisë Chiril Gaburici reagoi i shpenguar: “Njerëzit mund të bëjnë atë që duan!” tha ai. Më vonë ai megjithatë shtoi se drejtësia do ta verifikojë ligjshmërinë e kësaj inisiative lokale.

Paralelisht me këtë zhvillim ka tensione të reja në marrëdhëniet me Rusinë. Kështu Moska ua ndaloi në maj 20 shtetasve moldavë, kryesisht punëtorë migrantë, hyrje në Rusi, njëmbëdhjetë moldavas të tjerë u kthyen me detyrim në atdhe. NGO-të në Moldavi besojnë se Rusia dëshiron “ta ndëshkojë” Moldavinë për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me BE. Në Rusi punojnë në bazë të shifrave zyrtare rreth 400.000 moldavë, në të gjithë Evropën janë mbi një milion vetë. Vetëm remitancat e moldavëve nga Federata Ruse vitin e kaluar ishin të barabarta me 60 përqind të të gjitha pagesave nga bota e jashtme – që kapën shumën 1,5 miliardë dollarë.

Në tregun mediatik, për shkak të “raportimit të njëanshëm” në konfliktin e Ukrainës, autoritetet mbikqyrëse mediatike në Çisinau i hoqën licensën e transmetimit kanalit televiziv rus Rossija 24. Stacione të tjera ruse u ndëshkuan me gjoba.

Presion nga Moska

Rusia është e zemëruar, sepse Moldavia ua ka refuzuar disa ushtarakëve rusë kalimin tranzit në rajonin separatist të Transnistrisë. Në Transnistri janë të stacionuar mbi 2000 ushtarë rusë.

Dhe në 29 maj në aeroportin e Çisinaut arrestuan një oficer nga Pellgu i Donjeckut, i cili në bazë të të dhënave të tij donte të rekrutonte në Transnistri luftëtarë vullnetarë. Këta do të shkaktonin pastaj në qytetin ukrainas Odesa “trazira të qëllimshme”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës. Shefi i autoriteteve ukrainase të kufirit, Viktor Nazarenko konfirmoi se në kufirin lindor të Republikës së Moldavisë në pjesën midis Transnistrisë dhe Moldavisë duhet llogaritur rrezik i shtuar ushtarak.

Në këtë sfond, shumë moldavas pyesin nëse duhet të vazhdojnë t’u besojnë ende premtimeve të turbullta të BE. Sepse Brukseli e inkurajon Çisinaun të vazhdojë kursin proevropian, pa i bërë vendit një premtim konkret për anëtarësim. Dhe takimi i fundit i nivelit të lartë në Riga nuk i eleminoi dyshimet: konfrontimi në rritje midis BE dhe Rusisë duket se do ta spostojë gjithnjë e më në sfond “partneritetin lindor” të lëvduar kaq shumë. Për pakënaqësinë e madhe të atyre forcave politike dhe shoqërisë civile në Moldavi, të cilat duan t’i përmbahen edhe më tej kursit proevropian të vendit të tyre.. dw

GJERMANI – KËRKOHEN ME URGJENCË INFERMIERË TË HUAJ!

Ata vijnë nga Spanja, Polonia ose Kroacia, janë thuajse të gjithë të huaj dhe kërkohen me urgjencë në përkujdesjen shëndetësore. Por numri i tyre është i vogël. Fajin e mbajnë para së gjithash punëdhënësit gjermanë.

Sipërmarrjet gjermane e kanë të vështirë përshtatjen me tregun global të punës. Vërtet që ndalimi dikur i rreptë i kërkimit të punonjësve të huaj i përket së kaluarës, megjithatë migrimi në Gjermani i dëshiruar ndërkohë nga politika për punonjësit e kualifikuar ende nuk po manifestohet si dëshirohet. Problemi qendron në mungesën e kërkesës për fuqi punëtore të huaj nga punëdhënësit gjermanë. Një vështrim në degën ekonomike të përkujdesjes për të sëmurët e të moshuarit e vërteton këtë. Karakteristikë e kësaj dege është mungesa pjesërisht e madhe e punonjësve të specializuar. Gati dy të tretat e instituteve të përkujdesjes kanë vende pune bosh, mesatarisht në çdo sipërmarrje mungojnë 4,3 punonjës. Këtë e konstatoi tani në një studim Qendra për Kërkimet Ekonomike Evropiane (ZEW). U pyetën rreth 600 punëdhënës të degës ekonomike të përkujdesjes shëndetësore dhe tre të katërtat e tyre e karakterizuan plotësimin e vendeve të lira të punës si të vështirë. Megjithatë, vetëm 16 përqind e sipërmarrjeve e kanë shfrytëzuar botën e jashtme për rekrutimin e punonjësve të huaj. Ato preferojnë që të tërheqin më mirë personel nga sipërmarrjet konkurente.

Institucionet e vogla të përkujdesjes shëndetësore druhen ndaj të huajve

Kjo ka një shkak: shumë prej sipërmarrjeve të pyetura me përvojë rekrutimi të fuqisë punëtore në botën e jashtme e quajnë shumë të mundimshëm këtë opsion dhe shumë të shtrenjtë. Veç kësaj ekzistojnë edhe pengesa të mëdha juridike. 83 përqind të sipërmarrjeve kanë përvojë me njohjen nganjëherë të komplikuar të kualifikimeve dhe dëftesave. Edhe vështirësitë me leje e migrimit për shtete të treta ushtrojnë me sa duket efekt frikësues tek punëdhënësit gjermanë. Veçanërisht të vështirë e kanë sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Studimi tregon: sa më e madhe të jetë sipërmarrja dhe sa më profesionist sektori i saj i burimeve njerëzore, aq më shumë punonjës të huaj arrin të fitojë.

61 përqind e personelit përkujdesës shëndetësor (infermierëve) vijnë nga Spanja. 19 përqind vijnë nga Polonia dhe 16 përqind nga Kroacia. Nga shtete jo anëtare të BE rrugën për në Gjermani e gjejnë para së gjithash fuqi punëtore nga Bosnjë-Hercegovina, Ukraina, Rusia, Kina dhe Filipinet. Pasi vijnë këtu, ato gjejnë kryesisht mbështetje si nga kolegët, ashtu edhe nga punëdhënësit. Para së gjithash lëvdohet angazhimi i tyre në punë. Gati gjysma e sipërmarrjeve të pyetura tha se angazhimi në punë i të huajve është madje më i lartë se i punonjësve gjermanë.

Migrantët e kualifikuar jo vetëm të lejohen, por të kërkohen

Për të zbutur mungesat në personel në institucionet gjermane të përkujdesjes shëndetësore dhe në azile, botuesit e studimit kërkojnë informime më të mira të sipërmarrjeve, që duan të rekrutojnë punonjës jashtë vendit. Më tej kërkohet që në të gjithë Gjermaninë të praktikohen procedura të njësuara për njohjen e profesionit të personelit të përkujdesjes shëndetësore, si dhe rregulla më të thjeshta dhe më transparente për migrimin.

Një studim i ZEW i vitit të kaluar arriti në përfundimin se migrimi është pozitiv jo vetëm për ekonominë, por edhe për shtetin social gjerman. Kontributi i migrantëve për arkat e sigurimeve për pensionet, për institutet e sigurimit shëndetësor dhe sigurimin për të papunët mund të jetë më i lartë, sikur qasja e migrantëve në tregun gjerman të punës të ishte më e lehtë. Por kjo duhet të nxitet në mënyrë aktive politikisht, rekomandojnë autorët e studimit të ZEW.

KTHIM I NJË REFORMATORI KOKË MË VETE – koment

Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Michail Saakashvili, pritet të kryejë si guvernator i Odesës reforma. Po është e diskutueshme, nëse modeli i provuar në Gjeorgji i një diktature modernizuese është i përshtatshëm për Ukrainë.

Ekspertët nga bota e jashtme janë të kërkuar në Ukrainë. Ata i presin poste këshilltarësh dhe pozicione kyçe në politikë dhe administratë. Meqenëse ata vijnë nga jashtë, konsiderohen të parënduar nga klanet dhe nepotizmi, të cilat prej dekadash pengojnë në Ukrainë çdo nismë reformuese politike. Tri ministri – për ekonominë, financat dhe shëndetin – tashmë drejtohen nga ekspertë nga bota e jashtme. Për këtë ata morën nënshtetësinë ukrainase. Dëshminë që janë në gjendje të bëjnë reforma, ministrat e rinj ende nuk e kanë paraqitur.

Se si mund të luftohet korrupsioni dhe shfaqjet e tij, këtë e tregoi një prurje e re në politikën e Ukrainës: në fundjavë, Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko emëroi ish-kryetarin e shtetit të Gjeorgjisë, Michail Saakashvili në postin e guvernatorit të Odesës. Si këshilltar, Saakashvili kishte kohë që ishte aktiv në Ukrainë. Edhe ai mori tani nënshtetësinë ukrainase dhe që prej këtij momenti është me siguri politikani më enigmatik dhe para së gjithash më i diskutueshëm që ka hyrë së fundi në skenën politike në Ukrainë.

Me përvojë në reforma, por autoritar

Dhjetë vjet me radhë ishte Saakashvili Präsident në Gjeorgji. Bilanci i tij është tepër kontradiktor. Deri sot gjeorgjianët janë të ndarë në mendimin për të. Edhe në Perëndim atë e shohin në mënyrë kritike. Me vendosmëri dhe në mënyrë radikale ai e modernizoi politikën dhe administratën e ish-Republikës sovjetike. Me sukses ai reformoi para së gjithash policinë dhe autoritetet tatimore, të cilat deri atëherë kishin qenë qendra të korrupsionit. Saakashvilin e zgjodhën në mënyrë demokratike. Në fillim ai ishte shumë i preferuar. Por gjithnjë e më tepër, ai e drejtoi vendin në mënyrë autoritare. Filloi të qarkullojë koncepti i diktaturës së modernizimit. Protestat presidenti i shtypi që në fillim në mënyrë rigoroze, opozitarët i nxorri para gjyqit. Në fund, Saakashvili u largua nga politika e Gjeorgjisë, sepse shumica e njerëzve nuk e donin më. Ndërkohë ai kërkohet me urdhër ndërkombëtar arresti për shpërdorim të postit dhe fshehje të dokumentave. Procesit penal të nisur kundër tij ai i bën bisht duke mos qenë i pranishëm në vend. Tani Ukraina bëhet si të thuash vend i migrimit për të, i pajisur me një post të rehatshëm guvernatori.

Bernd Johann Bernd Johann

Kthimi i Saakashvilit në Ukrainë zemëron jo vetëm Gjeorgjinë. Konflikte krijohen edhe me Rusinë. Saakashvili mban një bashkëpërgjegjësi për luftën midis Gjeorgjisë dhe Rusisë në vitin 2008. Duke përdorur në mënyrë provokuese armët në Abkazi dhe në Osetinë Jugore ai kontribuoi shumë në shkallëzimin e konfliktit. Me zgjuarsi atëherë ai nuk veproi, sepse i ofroi Rusisë pretekstin për një ndërhyrje të armatosur ushtarake në Gjeorgji.

Poroshenko ka pak personel që mund ta angazhojë

A është Saakashvili pra njeriu i duhur për Odesën? Rezultatet e tij si reformator radikal në Gjeorgji mund ta kualifikojnë atë për detyrën e re. Por Odesa nuk është Gjeorgjia. Si guvernator i një zone ai ka shumë më pak kompetenca se Presidenti i shtetit. Një politikan i pajtimit të interesave të ndryshme Saakashvili kokëmëvete nuk ka qenë kurrë. Qendrimi i tij ekstrem kritik ndaj Rusisë gjen simpatinë e shumë ukrainasve. Por ai mund t’i thellojë tensionet midis grupeve të popullatës proukrainase dhe proruse në Odesën multietnike.

Poroshenko e zgjodhi Saakashvilin me siguri sepse ka ndërmend të nisë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Vendimi për një person nga jashtë vendit bën të qartë se pak personel ka në dispozicion ai në Ukrainë. Por nëse një person që ngjall debate si Saakashvili do të mund ta ndihmojë Poroshenkon të forcojë pushtetin e tij në Ukrainë, kjo është më se e diskutueshme.

SEKRETARI KERRY ANULON UDHËTIMET NË MADRID E PARIS

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka anuluar udhëtimet zyrtare në Madrid dhe Paris, pasi ka pësuar një aksident me biçikletë në Francë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Kerry, 71 vjeç, ka lënduar këmbën dhe se është dërguar me helikopter në Gjenevë.

Zëdhënësi John Kirby ka thënë se Kerry do të udhëtojë në SHBA për trajtim dhe se ai pritet të shërohet plotësisht.

Aksidenti ka ndodhur në Scionzier të Francës.

Kerry është dashur të takojë në Paris kryeministrin e Irakut, Haider al-Abadi, për të biseduar për luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. rel

EVROPËS LISTË E ZEZË NGA MOSKA


Masa ndaj 89 politikanëve evropianë përkeqëson tensionet me Rusinë

Qeveria ruse ka publikuar një listë me emrat e 89 politikanëve nga BE-ja të cilëve u ndalon hyrjen në Rusi. Lista e zezë me emrat e atyre që janë të prekur nga kjo masë u është dërguar disa ambasadave të BE-së. Sipas informationeve të gazetës “Bild” dhe të “Frankfurter Allgemeinen Zeitung” në këtë listë bëjnë pjesë edhe tetë politikanë gjermanë.

Me “listën e zezë” qeveria e Moskës reagon me sa duket ndaj sanksioneve të Perëndimit për krizën në Ukrainë, të cilat përfshijnë edhe ndalime udhëtimi në vendet e BE-së për deputetë dhe sipërmarrës rusë.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier e quajti vendim rus “jo shumë të zgjuar”. Në një vizitë në qytetin ukrainas, Dnipropetrovsk, ai tha: “Në një kohë kur ne përpiqemi për të zbutur një konflikt të rrezikshëm e kokëfortë në zemër të Evropës, ky veprim nuk kontribuon për këtë.”

Përveç kësaj, Steinmeier u ankua se politikanët në fjalë nuk qenë informuar prej Rusisë. “Do të ishte më e pakta që personat në fjalë të njoftoheshin se cilat janë rezervat në lidhje personin e tyre, ose që lista të tilla të bëheshin të paktën publike,” tha ministri.

Reagime të ashpra

Kritika të ashpra erdhën edhe nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, nga Presidenti i Parlamentit të BE-së Martin Schulz dhe shumë qeveri evropiane.

Ndalimet janë “krejtësisht të pabaza dhe të pajustifikuara”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Përveç nga listës së emrave Moska nuk ka dërguar “asnjë informacion tjetër në lidhje me bazën ligjore, kriteret dhe procesin e këtij vendimi”.

Këshilltari i ardhshëm i kancelares Angela Merkel për politikën evropiane, Uwe Corsepius, i cili gjendet gjithashtu në listë, tha me humor: “Ka gjëra më të këqia, se sa ndalimi për të shkruar në Rusi, aq më tepër që ky vend nuk është në qendër të shërbimeve të mia.” Megjithatë, është e patolerueshme përpjekja “për t’i bërë politikanët që në këtë mënyrë të heshtin”. 54-vjeçari Uwe Corsepius është aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së. Politikani i gjelbër gjerman Daniel Cohn-Bendit tha për gazetën “Bild” se e ndjen veten të nderuar që Rusia e konsideron si armik të totalitarizmit.

Në listën e zezë të Moskës bëjnë pjesë edhe politikania e gjelbër Rebecca Harms, polikani i CSU-së Bernd Posselt, poltikani i CDU-së Karl-Georg Wellmann, kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestag Michael Fuchs, sekretarja e shtetit në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, Katrin Suder, dhe inspektori i aviacionit ushtarak gjerman, Karl Müller. dw

ROJAT ITALIANE SHPËTUAN MBI 4200 REFUGJATË

Roja bregdetare italiane ka shpëtuar mbi 4200 refugjatë në ujërat e Mesdheut. Roja bregdetare ndërhyri dje me mbështetjen e marinës italiane si dhe të anijeve gjermane dhe irlandeze që veprojnë në kuadër të operacionit Triton të Bashkimit Evropian.

Roja bregdetare tha se kishte nxjerrë 17 trupa. Nuk është e qartë shkaku i vdekjes së viktimave, por zyrtarët italianë kanë rrëfyer kushte të rënda për refugjatët në anije. Shumë prej refugjatëve ishin tepër të lodhur, të ekspozuar ndaj kushteve të natyrës, naj etjes dhe dhunës gjatë udhëtimit me mjete të papërshtatshme për atë itinerar.

Kohët e fundit ka pasur një shtim të dyndjes së imigrantëve. Vëzhguesit thonë se situata kaotike në Libi, ku shumë nga imigrantët e fillojnë udhëtimin drejt Evropës, lejon për një trafik të tillë. Shumë nga refugjatët janë nga Siria, Nigeria, Mali dhe Eritrea dhe largohen për t’i shpëtuar dhunës, persekutimit politik dhe varfërisë ekstreme. za

KINËS – INTEGRIM NE VEND TË KUFIZIMIT

Kina kërkon të rikthehet në krye të botës. Përgjigja e Evropës dhe e Perëndimit duhet të jetë: Kina të integrohet – të paktën në sektorët, ku kjo është e mundur, mendon Philipp Bilsky.

Mesazhi ishte i qartë. “You go!”-“Mbathjani!”. Gjithsej tetë herë i kërkoi marina kineze javën e kaluar një avion spiunazhi të SHBA që të tërhiqet. Avioni ushtarak amerikan po fluturonte mbi një rajon në Detin e Kinës së Jugut, për të cilin Kina ka pretendim për vete. Një zonë detare, në të cilën Republika Popullore përpiqet që me ndërtimin e ishujve artificialë të krijojë fakte – më shumë se 1000 kilometra larg zonës kontinentale të Kinës dhe nën protestat e ashpra të disa shteteve fqinje dhe të SHBA.

Kina i përfaqëson interesat e saj në rajon në mënyrë shumë më intensive se sa disa vite më parë. Qendra Kërkimore kryesore në Gjermani për studimet për Kinën, Insituti Mercator për Studimet për Kinën në Berlin, sheh madje një fund të politikës kineze të hapjes. Kolonat bazë të politikës së njohur nga Ten Hsiaopini, në tri dekadat e gjysmë të kaluara, tani nën Xi Ping po eleminohen njëra pas tjetrës – midis tyre edhe politika e përmbajtur e jashtme.

Ndryshim thelbësor në politikën e jashtme të Kinës?

Shumëçka flet për një tezë të tillë. Veprimet e forcës në Detin e Kinës Jugore janë vetëm një shembull. Veç kësaj, Kina përpiqet që me projektin e saj për një Rrugë të re të mëndafshtë të depërtojë në Azi me një rrjet infrastrukturor, në qendër të të cilit të jetë Kina. Dhe Pekini po krijon institucione të reja ndërkombëtare, në të cilat Kina ka një peshë më të madhe. Këto veprime jashtë vendit shoqërohen në vend me një ndryshim rrënjësor të ekonomisë kineze. Deri në vitin 2049 Kina do të kthehet në një superfuqi industriale – të mos jetë vetëm tavolina e punës e botës, por një qendër inovacioni dhe efikasiteti.

Bilsky Philipp Philipp Bilsky

Kina do që të kthehet atje, ku Pekini mendon se e ka pasur historikisht vendin: në krye të shteteve të botës. Që kjo të arrihet, është gjithçka tjetër por jo vetëkuptueshme. Sepse lista e sfidave duket e pafundme. Sfida ndoshta më e madhe nga pikëpamja e qeverisë kineze: mbajtja e premtimit, që i ka dhënë partisë komuniste në dekadat e shkuara legjitimimin në popull – që kinezët të jetojnë sot ekonomikisht më mirë se dje. Dhe që nesër ata të jetojnë më mirë se sot. Mbajtja e këtij premtimi duket – përballë nevojës së rishpikjes së plotë të modelit ekonomik kinez – e parë nga jashtë nganjëherë gati e pamundur.

Kina kërkon ta zgjerojë edhe më ndikimin

Por këto janë çështjet e dekadave të ardhshme. Për momentin është e sigurtë: Kina po e zgjeron edhe më tej ndikimin e saj. Çfarë do të thotë kjo për Evropën? Çfarë do të thotë për Perëndimin? Ata duhet të përpiqen – sa herë të jetë e mundur – të bashkëpunojnë me Kinën dhe ta përfshijnë e integrojnë Kinën. Ajo që nuk funksionon, këtë e konfirmuan në mënyrë impresionuese SHBA para pak kohësh: të kufizohet ndikimi i Kinës dhe që Kinës t’i vendosen kufij. Kur Pekini ngriti Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë (AIIB), SHBA u përpoqën t’i bindin aleatët e tyre që t’i rrijnë larg këtij institucioni të ri. Për Uashingtonin ky ishte një superskandal diplomatik. Njëri vend pas tjetrit u bashkuan me inisiativën kineze, edhe me argumentin se fjalën e tij mund ta thotë vetëm ai që edhe ndodhet në tryezë.

Një hap i drejtë. Por e qartë megjithatë është edhe: atje ku interesat kundërvihen direkt, bashkëpunimi është thuajse i pamundur. Deti i Kinës Jugore është shembulli më i mirë. Kina do ta zgjerojë edhe më tej ndikimin e saj atje. Jo së fundi, sepse ky rajon edhe për zhvillimin ekonomik të Kinës, nga pikëpamja kineze ka një rëndësi strategjike. SHBA nga ana tjetër shohin se vendi i tyre i deritashëm në rajon është i rrezikuar. Ndërsa vendet fqinjë e shohin gjithashtu me shqetësim dominimin e parashikueshëm të Pekinit. Një zgjidhje e kësaj çështjeje nuk duket në horizont, konfliktet e ardhshme janë paraprogramuar që sot

JOSCHKA FISCHER – BALLKANI PERËNDIMOR KA RËNDËSI STRATEGJIKE PËR BE-në

Intervistë ekskluzive për DW e Joschka Fischer, ish-Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, që mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, zhvilluar ( 28.05.2015) në Tiranë.

DW: Z. Fischer, ju dhe politikanë të njohur të vendeve anëtare të BE- Francë, Itali, Gjermani, që në një mënyrë ose tjetër keni luajtur një rol në zhvillimet postkomuniste në Ballkan – bashkë me kryeministrat e gjithë vendeve të rajonit po merrni pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, që po zhvillohet në Tiranë. Po synohet të arrihet një konsensus për projektet strategjike, që rajoni si një i tërë do të paraqesë në Takimin e Vjenës, në kuadër të Nismës së re të BE-së për Ballkanin Perëndimor, lançuar gushtin e kaluar nga kancelarja Angela Merkel. Sa i rëndësishëm është për BE-në një Ballkan që po i thotë ”JO” konfliktit dhe “PO”bashkëpunimit?

Joschka Fischer: Ballkani dhe sidomos Ballkani Perëndimor është jashtëzakonsisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Europë. Kjo nuk është thjeshtë një ide por një fakt. Nëse shikoni historinë, për t’iu larguar traditave të konfliktit dhe ecur drejt një mënyre të re bashkëpunimi, që konsiston në të qenit bashkë në rrugëtimin drejt BE, kjo është shumë e rëndësishme për gjithë të Europën.

DW: Në këtë përpjekje të rajonit për të lënë pas të shkuarën e konfliktit, shkrirja e akujve në marrdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës po shihet si një tregues ”par excellence” për hapjen e një faqeje të re në marrdhëniet mes vendeve fqinjë në Ballkanin Perëndimor. Cila është dobia rajonale madje europiane e kësaj që po ndodh në marrdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve?

Joschka Fischer: Shqiptarët dhe Serbët, para së gjithash, janë popuj fqinjë. Le t’i drejtohem përvojës sonë, të Gjermanisë me Francën. Franca ka qënë armikja e Gjermnanisë për gjyshin, stërgjyshin apo katragjyshin tim dhe ne kemi qënë armiku i Francës. Kësaj armiqësie i erdhi fundi kur burra shteti me kurajo, vendosën që jo konflikti por bashkëpunimi duhet të ishte faktori mbizotërues në marrdhënier me fqinjët, sepse fqinjësia nuk mund të ndryshohet, edhe nëse ti e urren vendin tënd fqinj, apo e do fort, je i intersuar për atë apo nuk do t’ia dish, ai mbetet fqinji yt. Prandaj, mendoj që bashkëpunimi është e vetmja përgjigje e arsyeshme, që Beogradi dhe Tirana të ecin përpara dhe të forcojnë marrdhëniet mes tyre. Mendoj që zhvillimi i marrdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë ështe shumë i rëndësishëm për gjithë rajonin. Ka ndikim pozitiv për Kosovën dhe shumë pika të tjera të nxehta. Dhe kjo është e rëndësishme për Europën gjithashtu. Europa duhet t’i japë një mbështetje të plotë dhe të fuqishme këtij zhvillimi.

DW: Z.Fischer, në mënyrë unanime të gjithë kryeministrat e vendeve të Ballkanit po i drejtojnë BE dhe Komisionit Europinan të njëjtin apel nga Tirana: mbështesni me financimin e projekteve rajonale strategjike paqen e shumëpritur por të brishtë në Ballkanin Perëndimor, që ajo të mos rrezikohet. A do ta dëgjojë BE këtë apel pa humbur?

Joschka Fischer: E kuptoj shumë mirë pozicionin e Ballkanit Perëndimor. Ky rajon po pyet: Çfarë po bën konkretisht BE? Ok, konferencat dhe seminaret e BE janë të mira për rajonin po ku është produkti, rezultati, substanca? Dhe për këto pyetje përgjigjen duhet ta japë Brukseli. Natyrisht, është një çështje e progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e tyre drejt anëtarësimit në BE, që lidhet ngushtë me financimin e projekteve të rëndësishme strategjike për rajonin. Lidhja mes vendeve të rajonit shumë e rëndësishme, nëse dëshiron të kesh bashkëpunim rajonal të duhet të kesh rrugë, autostrada, linja hekurudhore dhe kjo është e rëndësishme të kuptohet në Bruksel. Pastaj zbatimi bëhet këtu, në terren, në vendet e rajonit. Shpresoj që konferenca e ardhshme e Vjenës, që vijon konferencën e Berlinit , që u zhvullua në gusht të vitit të kaluar, do të sjellë progres në këtë drejtim, Nga perspektiva gjeo-politike kjo është shumë e rëndësishme. Europa është për momentin në një situatë jo shumë të mirë, kemi krizën në Europën Lindore, në Ukrainë , kemi krizën financiare që vijon në Greqi por nuk duhen lënë mënjanë sfida të tjera. Duhet kohë, duhet angazhim, nuk është një zbavitje afatshkurtër, nuk është një vrapim disa qindra metraah, por është një maratonë. Kjo nuk duhet harruar. Duhet një presion i vazhdueshëm ndaj Brukselit duke mbrojtur interesat e rajonit. Dhe prandaj konferenca e Vjenës do të jetë shumë e rëndësishme.

DW: Kanë mbetur rreth dy muaj nga zhvillim i kësaj konference. A do ta ketë rol drejtues Gjermania si lançuese e Nismës së re të BE për Ballkanin Perëndimor?

Joschka Fischer: Kjo nismë ishte inisiativë e kancelares Angela Merkel. Kjo nuk duhet harruar. Mendoj, që personalisht, vetë kancelarja është shumë e interesuat për këtë process. Edhe pse nuk kam votuar kurrë për atë, mendoj që me Nismën për Ballknain Perëndimor, kancelarja Merkel, bëri gjënë e duhur.

DW: Z. Fischer, BE ka “lodhje nga zgjerimi”, Ballkani Perëndimor po thotë me këmbëngulje se ka rrezik t’i mbarojë durimi i pritjes së gjatë për ditën kur do të bëhet pjesë e BE. Ku mund ta çojnë Europën dhe rajonin këto dy vektorë ?

Joschka Fischer: Nga njëra anë lodhja nga zgjerimi është fakt, nga ana tjetër, situata gjeopolitike në Europë nuk e lejon këtë lodhje. Në gjeo-politikë nuk ka vaakume. Europa ka interes, Ballkani Perëndimor është një rajon që i përket Europës. Nëse europianët nuk i kuptojnë interesat e tyre kjo do të krijojë problem për të gjithë ne, jo vetëm për rajonin e Ballkanit. Prandaj mendoj se është një mundësi e mirë që kriza gjeo-politike përqark Europës, të mprehë ndërgjegjësimin e liderëve europianë për rëndësinë gjeo-politike të rajonit, gjë që duhet të përdoret pa humbur kohë.

DW: Z. Fischer, ju keni qenë i lidhur me rajonin, më 1999 ju mbështetët pjesëmarrjen ushtarake gjermane në Luftën e Kosovës duke lënë mënjanë filozofinë pacifiste të të Gjelbërve, forcës politike ku ju bënit pjesë atëhere. Sot jeni në Tiranë mes gjithë kryeministrave të vendeve të rajonit. Çfarë ndjeni nëse meditoni për atëhere dhe tani?

Joschka Fischer: Jam sot në Tiranë shumë i emocionuar nga pjesëmarrja në Forumin Ekonomik të Vjenës e gjithë kryeministrave të rajonit, dhe nuk kam sesi të mos sjell ndërmend kur isha ministër i Jashtëm i Gjermanisë, në kohën e Luftës së Kosovës dhe pas përfunimit të saj. Tani rajoni ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme, ju përmendët në krye të kësaj interviste marrdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Këmbëngul ato janë faktori kyç për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo është fantastike dhe jam vërtet i emocionuar.

OPOZITA TURKE E KËRKON MBËSHTETJEN E BESIMTARËVE

 

Partia kryesore opozitare në Turqi, Partia Republikane Popullore, po kërkon të ndryshojë imazhin para zgjedhjeve të 7 qershorit. Përpjekja vjen pas një sërë humbjeve përballë partisë AK në pushtet me bazë islame, e cila e kishte protretizuar opozitën si armike të fesë. Siç na njeh materiali në vazhdim, opozita po përpiqet të fitojë mbështetjen e besimtarëve ndërsa pëpiqet të mbrojë bazën tadicionale laike.

Kandidatja për deputete Selin Sayek-Boke është një prej anëtarëve të Partisë Republikane Popullore, shkurtimisht CHP, me bazë laike, e cila ndryshe nga fushatat e tjera po përqëndrohet tek ekonomia.

“Mesazhi për ekonominë, premtimi dhe angazhimi për një administratë më të mirë publike prek jetën e të gjithëve.”  

Kandidatja po e përçon mesazhin tek pronarët e bizneseve të vogla, votues tradicionalë të partisë në pushtet AK. Opozita CHP po premton ulje taksash për naftën dhe politika të tjera që synojnë rigjallërimin e ekonomisë.

Kjo strategji duket se po funksionon tek disa tregtarë, që po ankohen rreth problemeve në biznes.

“Do të ndihmonte njerëzit të siguronin nevojat bazë me çmimet në rënie. Do të rigjallëronte tregjet,” thotë një tregtar.

((mandatory cg:  CHP campaign ad))

Reklamat tërheqëse, prodhim i një kompanie të njohur, janë pjesë e strategjisë së Partisë CHP, për t’i çliruar nga imazhi si parti laike.

Por trashgimia e CHP si parti e themeluesit të shtetit laik, Mustafa Kemal Ataturk dhe deri së fundmi mbështetëse e kufizimeve mbi praktikat fetare, si vënia e shamisë, mbeten një pengesë elektorale. Beul Durmaz është profesor sociologjie.

“CHP ka ndaluar disa praktika fetare dhe disa herë është shprehur kundër përdorimit të shamive të kokës. Për këtë arsye ende disa njerëz nuk i besojnë kësaj partie.” 

Shumë publikime partiake synojnë t’u kundërvihen thënive nga partia në pushtet me bazë fetare, se opozita është anti-myslimane.

Izmiri, me një popullsi të madhe dhe laike, është bazë e fortë e partisë CHP dhe politikat e vijës së ashpër gëzonin mbështetje mes votuesve në atë qytet. Por kandidatja Sayek-Boke këmbëngul se mesazhi i ri pluralist nuk do të thotë se partia po hedh poshtë themelet laike.

“Është një përpjekje e madhe për të treguar se jemi parti social demokrate. Parti që qëndronte për barazi, respekt për të gjitha besimet dhe etnitë. Turqia është ndarë në shumë pjesë përmes etnisë dhe fesë. Aktulishte ne duam pajtim.” 

Në Izmir, Sayek-Boke dhe kandidatët e tjerë të partisë së saj po mundohen të zgjerojnë mbështetjen mes popullsisë së devotshme turke, por njëkohësisht ata nuk duan të zemërojnë bazën e partisë. Suksesi partisë CHP për t’ia arritur qëllimit do të jetë kyç në përcaktimin nëse  ata arrijnë rezultatin elektoral që dëshirojnë. za

ULRICH KÜHN – NATO KA DEFICITE NË MBROJTJE

Manovër nga ajri e NATO-s në Lituani

Në Europën veriore kanë filluar manovrat e përbashkëta të gjashtë vendeve të NATO-s me shtete neutrale. Eksperti i sigurisë, Ulrich Kühn flet mbi efektin dhe rëndësinë e kësaj manovre ushtarake.

DW: Zoti Kühn manovrat perëndimore konsiderohen “si nga më të zgjeruarat e llojit”. Sa rëndësi kanë ato?

Ulrich Kühn: Për këtë manovër ekzistojnë tre argumenta: Së pari: NATO kërkon t’i dërgojë një sinjal Putinit se aleanca si në aspkeitn ushtarak edhe politik e ka vullnetin që të respektojë detyrimet e saj për anëtarët e aleancës, pra edhe për tre vendet balltike. Së dyti: Me të dërgohet një sinjal tek partnerët lindorë, që aleanca është e gatshme t’i mbrojë ata në çdo kohë, edhe kundër një agresioni të mundshëm rus. Së treti: Trupat duhen stërvitur për sfida të reja ushtarake, si për shembull për stilin “hibrid” të luftës që po përdor Rusia në Krime dhe Ukrainën lindore. Në këtë drejtim duhet vepruar. Në këtë kuptim manovra mund të konsiderohet si shumë e rëndësishme.

Çfarë nënvizimi të ri merr kjo manovër, kur në të marrin pjesë edhe vende neutrale, si Finlanda, Suedia, apo Zvicra?

Duhet thënë se Finlanda dhe Suedia ndjehen të rrezikuara nga manovrat e fundit ruse. Kështu herë pas here gati shkelet hapësira ajrore nga aviacioni rus. Kështu ka zëra tani në Finlandë dhe Suedi që kërkojnë futjen në NATO. Kjo i sinjalizon Rusisë që ajo nuk perceptohet më si një partner i besueshëm, por si kërcënim serioz. Në tërësi mund të thuhet se vihet re një militarizim i ri i sigurisë europiane.

A nuk është disi qesharake deklarata zyrtare se bëhet fjalë për një stërvitje për një mision të OKB-së, kur çdokush e di se arsyeja e vërtetë është kërcënimi rus?

Këto manovra i drejtohen qartë Rusisë. Sinjali është: “Rusia po mpreh shpatën, por ne jemi gati”. Arsyetimi me një ushtrim relevant për OKB-në është thjeshtë fasada. Me sa duket nuk do t’i japë më njeri Putinit raste të tjera për propagandë mediatike. Sinjali ushtarak është shumë i qartë.

Deutschland Ulrich Kühn Institut für Friedensforschung und Sicherheitspolitik Uni Hamburg Eksperti Ulrich Kühn

Rusia nga ana e saj ka reaguar me demonstrim ushtarak. Janë këto manovra rruga e duhur për të vepruar me rrezikun që vjen nga Rusia, nuk tensionohen kështu edhe më shumë marrëdhëniet me Rusinë?

Këto manovra janë të justifikuara për gjendjen aktuale. Madje vetë koha, gjendja e brishtë mes emergjencës ushtarake dhe përgjegjësisë policore, kur “uniformat e gjelbra”, pra njësi speciale të paidentifikuara kalojnë në kufi, kërkon masa të reja dhe të përshtatshme. Njëra nga manovrat e NATO-s në Letoni lidhet pikërisht me një skenar të tillë. Mendoj se është gjëja e duhur t’i tregosh Rusisë se nuk ka asnjë shans të veprojë në vendet baltike ashtu si në Ukrainë. Por në plan afatgjatë dhe të mesëm NATO duhet të ndërtojë ura komunikimi me Rusinë. Pra, si në kohën e Luftës së Ftohtë: Nga njëra anë oferta serio´ze bashëkpunimi, nga ana tjetër gatishmëri realiste për mbrojtje. Për fat të keq është Rusia që prej më shumë se një viti po e rrotullon spiralen drejt shkallëzimit.

Sa të rrezikuara janë vërtet vende si ato baltike, Estonia, Letonia, Lituania apo vendet jo anëtare, si Suedia apo Finlanda?

E parë në mënyrë realiste, Rusia nuk mund t’i rrezikojë seriozisht tre vendet baltike, Estoni, Letoni, Lituani. Në rastin më ekstrem- një shkëmbim nuklear – SHBA duhet të jetë gati të “këmbejë” Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin me Talinin, Rigën dhe Vilnën. Edhe pse ky qëndrim të duket shumë i ekzagjeruar, ai i përgjigjet logjikës së kërcënimit. Edhe Rusia e di këtë. Por në të njëjtën kohë ajo ia ka dalë me sukses të veprojë në një zonë gri, pa e kaluar pragun e një lufte të hapur. Në këtë pikë NATO ka deficite në mbrojtje, dhe tre vendet baltike e kanë vënë re me kujdes këtë mangësi në aleancën e përbashët. Këtu NATO duhet të përmirësohet.

A mendoni se Suedia dhe Finlanda do të bëhen pjesë e NATO-s?

Për Suedinë dhe Finlandën nuk shoh ndonjë kërcënim direkt rus. Por si në kohën e Luftës së Ftohtë të dyja vendet gjenden në hapësirën e influencës së Rusisë, gjë që i bën ato potencialisht objektiva të lojërave ushtarake. Por t’i bësh këto vende tani pjesë të NATO-s do të thotë të dërgosh një sinjal shumë të gabuar tek Moska. Edhe në këto vende nuk ka ndonjë shumicë që e kërkon këtë anëtarësim. Por opinionet politike mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Ulrich Kühn është ekspert për marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë në Institutin për Studimet e Paqes dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut.

BRITANI-BE, MBRETËRESHA ELISABETË SHPALL PLANET PËR REFERENDUM

Mbretëresha Elizabeth ka thënë të mërkurën se Qeveria britanike do të kalojë ligjin që i hap rrugën referendumit për anëtarësinë e vendit në Bashkimin Evropian.

“Legjislacioni i ri do të sigurojë referendumin për anëtarësinë në BE deri në fund të vitit 2017”, ka thënë Mbretëresha në një fjalim para Parlamentit britanik.

“Qeveria ime do të rinegociojë marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në dhe do të ndjekë reformën e BE-së për të mirën e të gjitha vendeve anëtare”, ka shtuar ajo.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, i cili është rizgjedhur më 7 maj, është zotuar se do të negociojë një “marrëveshje më të mirë” për Mbretërinë e Bashkuar dhe se do të mbajë referendum për anëtarësinë në BE më 2017. rel

FORBES – MERKEL, GRUAJA MË E FUQISHME E BOTËS

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, për të pestin vit me radhë, kryeson listën e grave më të fuqishme në botë të revistës Forbes.

Pas saj vjen ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ndërsa në vendin e tretë Melinda Gates, bashkëkryesuese e Fondit Bill dhe Melinda Gates.

Në top-dhjetëshen e parë bën pjesë edhe shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, në vendin e gjashtë, dhe presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, në vendin e shtatë.

Lista vjetore e 100 grave më të fuqishme të botës përfshin lideret në tetë kategori: politikë, teknologji, biznes, financa, media, sipërmarrje, filantropi dhe miliardere.

TIMOFTI – MOLDAVIA SYNON EVROPËN, JO RUSINË

VOAL – Presidenti i Moldavisë, Nicolae Timofti, ka thënë se vendi i tij preferon t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe jo të qëndrojë në orbitën ruse.

Ai i ka bërë këto komente për agjencinë The Associated Press në Tiranë, ku ka ndjekur një takim të vendeve të Evropës Juglindore.

“Ne nuk mund t’i mohojmë realitetet që ekzistojnë në Moldavi. Kemi qenë pjesë e një unioni, ku Rusia ka qenë dominuese. Por, ne jemi vend evropian dhe populli ynë ka aspirata evropiane”, ka thënë Timofti.

Ish-republika sovjetike ka fituar pavarësinë në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik është shpërbërë.

Rreth 1,500 trupa ruse janë aktualisht të stacionuara në rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester. rel


Send this to a friend