Voal – Voal.ch shkruan se iku nga kjo botë Gianroberto Casaleggio. U shua 12 prillin që shkoi. ANSA i dedikon një portret me titull “Vdiq ideologu i Lëvizjes së 5 Yjeve”. Casaleggio, 61 vjeç dha frymën e fundit në një dhomë të institutit Scientifico Auxologico të Milanos, ku ishte shtruar dy javë më parë pa e dhënë emrin e tij të vërtetë, për të ruajtur privatësinë. Në prill të 2014, Casaleggio ishte operuar me urgjencë në tru në Poliklinikën e Milanos.
Sapo do ta merrte vesh lajmin e hidhur, Nobelisti Dario Fo do të shkruante me dhimbje për këtë humbje – se “ndihet tmerrësisht i tronditur”. Këto ishin fjalët e Dario Fosë për themeluesin e Lëvizjes së 5 Yjeve, i cili sipas Fo-së kishte meritën e madhe se “e kishte reduktuar banalitetin” e politikës dhe “kishte propozuar një mënyrë të re reagimi, të komunikimit duke ofruar pjesmarrjen e tij”.
TESTAMENTI CASALEGGIO-s ?
“Grillo? Davide Casaleggio (i biri)? Apo Direktorati, kush do ta drejtojë tani M5S?”. Kjo është pyetja që bejnë të gjithë, edhe brënda M5S, por thuhet se ua ka lënë testamentin atyre që i kishte në rrethin e tij më të ngushtë edhe për zgjedhjet e ardhëshme që do të jenë në pranverën e 2017.
Por një gjë e kanë të qartë tashmë Pesëyjorët bashkë me Beppe Grillo-n, se do t’ju duhet që të shkojnë përpara pa mbështetjen e ideatorit dhe themeluesit të lëvizjes së tyre, që ishte edhe simboli i kësaj lëvizje.
Janë disa emra emra senatorësh si Paola Taverna e Nicola Morra që dalin në plan të parë. Po ashtu duhet të definohet edhe roli i të birit të ideologut, Davide Casaleggio, që gëzon mbështetjen e shumicës të Casaleggio Associati, që ka në pronësi Blog-un e Beppe-s.
“Gianroberto ishte një vizionar që arrinte ta kuptonte përpara të tjerëve të ardhmen – thotë një burim nga brënda Pesëyjorëve. Ishte i ndërgjegjshëm për gjendjen e tij shëndetësore dhe e kishte planifikuar se çfarë do të duhej të bëhej kur ai të mos ishte më. Ai planifikonte gjithmonë. Kështu ishte stili i tij.”Të ardhmen mund ta ketë pararenduar vetë Casaleggio në testamentin e tij politik: një periudhë tranzicioni me direktoratin dhe Davidin, të birin, nën kontrollin apo drejtimin e Beppe Grillo-s. Por nëse duhet ta shohim me një dritë optimiste këtë tranzicion mjafton të kujtojmë vetë fjalët e Casaleggio-s në blogun e tij javën që shkoi, ku shkruante: “Tek M5S nuk ka liderë. Vendosin vetë qytetarët”.
Një Guru “skllav” i mendimit revolucionar
“Nuk ka koka drejtuese M5S – shkruante disa para se të vdiste vetë Casaleggio në blogun e Beppe Grillo-s për të përgënjshtruar kalimin e trashëgimisë tek i biri i tij Davide – i vetmi leader i njohur janë qytetarët që janë pjesë e komunitetit të M5S. Jemi – vijonte ai – një komunitet që vendos me Rrjetin dhe instrumentat që ne i zhvillojmë çdo ditë”. Të njëjtat qendrime Casaleggio i kishte shprehur edhe në një intervistë për ANSA-n, nga shumë të paktat që ai ka dhënë. VOAL, do t’ju sjellë këtu edhe një nga këto intervista.
Mëngjezin e 12 prillit kur Gianroberto Casaleggio do të ikte nga kjo botë, Beppe Grillo do të shkruante në Blogun që mban emrin e tij: “Këtë mëngjes mungon Gianroberto Casaleggio, bashkthemeluesi i Lëvizjes së 5 Yjeve – M5S. Ne i bashkohemi të gjithë familjes. Gianroberto luftoi deri në momentin e fundit”. Këtij postimi i ishte bashkangjitur edhe motoja e Gianroberto Casaleggio, që në fakt ishte leader i kësaj lëvizje ku shkruhet: “Jam një qytetar i zakonshëm që me punën e tij dhe mjetet e tij të pakta kërkon, pa asnjë kontribut privat ose publik, ndoshta edhe duke patur iluzionin, nganjëherë edhe duke u gabuar, të përmirësojë shoqërinë ku jetojmë”. /Elida Buçpapaj