VOAL

VOAL

Gati sistemi amerikan i mbrojtjes nga raketat në Evropë

Shtetet e Bashkuara do ta shpallin të enjten zyrtarisht funksional sistemin e tyre evripian të mbrojtjes nga raketat, pothuajse një dekadë pasi Uashingtoni propozoi vendosjen e një baze në Evropë për mbrojtjen kundër raketave balistike iraniane.

Kronologjia e hapave drejt sistemit

2007: Presidenti George W. Bush formalizoi planet për të ngritur një bazë për mbrojtjen nga raketat në Poloni dhe një radar në Republikën Çeke, si pjesë e sistemit më të gjerë të Shteteve të Bashkuara për mbrojtje nga raketat balistike me baza në Kaliforni dhe Alaskë.

2009: Presidenti Barack Obama anulon planet e ish-presidentit Bushit, duke paraqitur një strategji me bazë detare, duke argumentuar se sistemi mund të vendoset shumë më shpejt për t’iu kundërvënë raketave iraniane. Baza të përhershme tokësore janë parashikuar në një fazë të mëvonshme.

2010: Shtetet e Bashkuara ofrojnë të dërgojnë anijet e mbrojtjes nag raketat në Evropë për të mbrojtur forcat e NATO-s kundër raketave balistike me rreze veprimi prej deri në 3,000 km. NATO gjithashtu pranon bisedimet me Rusinë, e cila është thellësisht e shqetësuar për mburojën e mbrojtjes nga raketat, për të qetësuar frikën e Moskës se mburojat do të zhvillohen për t’iu kundërvënë armëve bërthamore.

2011: Shtetet e Bashkuara dërgojnë luftëanijen USS Monterey në Mesdhe, vendosja e parë afatgjatë e një anijeje të mbrojtjes nga raketat balistike. Holanda thotë se do të përmirësojë katër anije me radarë për paralajmërim të hershëm si kontribut për mburojën. Turqia pranon të kujdeset për një bazë tokësore radarësh të Shteteve të Bashkuara.

2012: Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Çikago, aleanca thotë se tani mund ta mbrojë Evropën jugore nga një sulm i kufizuar me raketa balistike. Ajo ka në plan për të mbuluar të gjithë Evropën, nga Groenlanda në Azores.

2013: Rusia ndërpret bisedimet me NATO-n mbi mbrojtjen nga raketat, pas nuk arrin të marrë premtimin se Uashingtoni do të kufizonte shtrirjen e interceptorëve të saj balistikë të mbrojtjes raketore.

2015: Shtetet e Bashkuara përfundojnë ndërtimin e bazës së mbrojtjes nga raketat në Deveselu, Rumani.

2016: Shtetet e Bashkuara deklarojnë se baza në Deveselu është operacionale dhe pritet t’ia dorëzojnë komandën e bazës aleancës së NATO-s. Ndërtimi nis për një bazë të dytë në Poloni.

2018: Baza e mbrojtjes nga raketat në Poloni pritet të përfundojë.

Çmimi Karli i Madh Papës së “shpresës” – Fjalimi i plotë i Papa Françeskut

Voal – Më 6 maj, në orën 12.00, në Vatikan, Papës iu dorëzua Çmimi Karli i Madh. Ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schultz; kryetari i Këshillit Evropian  Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker,  kancelarja gjermane, Angela Merkel e shumë personalitete tjera. Çmimi,  me të cilin qyteti Aachen nderon çdo vit personalitete të dalluara për rolin e tyre në mbrojtje të vlerave, iu dorëzua Papës Françesku për angazhimin e tij në ndërtimin e Evropës së paqes, themeluar mbi vlerat e përbashkëta, me porta të hapura për popujt e kontinentet e  tjera. Kohët e fundit patën jehonë të thellë  fjalët fuqimisht kritike, shqiptuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio për kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, në Kontinentin e vjetër.

Të jepet një sinjal në favor të themeleve morale dhe të vlerave njerëzore të Evropës, kontinent në të cilin nuk duhet të humbasin besimi, respekti e mëshira. E për këtë jemi këtu sot. Kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Aachen, Marcel Philipp, duke hapur ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Karli i Madh Françeskut, Papës së “shpresës”, siç e përshëndeti kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Në fjalët e tij, ashtu si dhe të liderëve të Parlamentit e të Komisionit, vetëdija e krizës në Evropë, por edhe besimi në forcën e bashkëpunimit, duke pasur parasysh fjalët e Papës, që u kujtuan të gjithëve shpirtin humanistik të Evropës.

Gjendja në Evropën e sotme është posaçërisht e vështirë; të shqetëson fort  shtytja e rinacionalizimit, gërryerja e bazës kulturore e morale, mungesa e solidaritetit dhe manipulimi i feve. Duket sikur fitoret e procesit unitar nuk do të ruhen, as nuk do të mbrohen aq lehtë, ndërsa zbulohet se globalizimi ka fytyrën e mijëra qenieve njerëzore, që trokasin në portat e Bashkimit. Ky, kuadri, që doli nga fjalët e të gjithë liderëve evropianë të cilët, përballë Papës, pyetën: “Ç’duhet të bëjmë?”. “A jemi të fortë, të bashkuar, njerëzorë aq sa duhet? Ku duhet përqendruar vëmendja?

Kujtoi parimin e humanizmit dhe të kujdesit ndaj njerëzve, kryetari i Bashkisë së Aachen, Marcel Philipp, ndërsa Kryetari i Parlamentit  Evropian Martin Schulz  nënvizoi nevojën e forcimit të asaj, që bashkon, e jo që ndan, duke mos e pranuar frikën, këshilltare e keqe e politikës.

Edhe Kryetari i Parlamentit  Evropian iu drejtua Papës, ashtu siç bëri edhe lideri i Komisionit Evropian, Junker. Françesku, argjentinas, bir emigrantësh, me sjellje të përvuajtur e  të përzemërt, theksuan, e shikon Evropën nga jashtë, me vërtetësi, e na jep shkas të shpresojmë, kur pohon se vështirësitë mund të bëhen forcë nxitëse e unitetit.

Duke shkuar në Lesbo, na tregoi çfarë është solidariteti e humaniteti; duke takuar të rinjtë e Sarajevës i nxiti të mos i mbyllin sytë para vështirësive; në “Lëvduar qofsh” na kujtoi se ardhmëria nuk mund të ndahet nga kujdesi për ambientin e pa shikimin e ngulur mbi të vuajtjet e të fundmëve. E na kujtoi, sidomos, se thirrja e Evropës është vepra e paqtimit, që mbarë bota të jetë më e qëndrueshme. Të forcuar nga këto qortime drejtuar njerëzimit, liderët pohuan se nuk i duan muret as mbylljet, se duan t’i kushtohen njeriut. Për Evropën ka ardhur koha të luftojë, theksuan, e prej këndej, duhen bashkuar energjitë e talentetet, për të përballuar krizat e shumta të ditëve tona, e për ta ringjallur në Evropë shpirtin e dashurisë e të lirisë, që të mos mbetet vetëm bashkim institucional.

E me rastin e dorëzimit të këtij Çmimi, Papa Françesku u drejtoi të pranishmëve këtë fjalim, sa akademik, aq edhe programatik, që prek problemet kyçe të Evropës

Miq të Ndritur,

ju uroj  nga zemra mirëseardhjen e ju falënderoj për praninë tuaj. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht  zotërinjve Marcel Philipp, Jürgen Linden, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk për fjalët  e mira. Dëshiroj ta kujtoj përsëri dëshirën time për t’ia dhuruar Evropës këtë çmim të rëndësishëm, me të cilin nderohem: prandaj nuk po bëjmë një gjest kremtues, por po shfrytëzojmë rastin për t’i uruar së bashku Kontinentit të dashur një hov të ri e të guximshëm.

Fryma krijuese, gjenia, aftësia për t’u ringritur përsëri në këmbë e për të dalë nga kufizimet e veta, janë pjesë e pandarë e shpirtit të Evropës. Në shekullin e kaluar ajo i dha njerëzimit dëshminë se gjithçka mund të fillohej nga e para: pas viteve të ndeshjeve tragjike, të cilat arritën kulmin me luftën më të tmerrshme që mbahet mend, zu fill, për hir të Zotit, një risi e pashembullt në histori. Hiri i gërmadhave nuk mundi ta shuajë shpresën, as kërkimin e tjetrit, që ndezën në zemrën e Etërve themelues, projektin evropian. Ata hodhën themelet e kështjellës së paqes, një ndërtese të ngritur nga Shtete, të cilat nuk u bashkuan me detyrim, por zgjodhën lirisht rrugën e së mirës, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga ndeshja. Evropa, pas shumë përçarjesh, gjeti, më në fund, vetveten e nisi të ndërtojë shtëpinë e vet.

 Kjo “familje popujsh”1, që më pas u bë lavdërueshëm më e gjerë,  kohët e fundit duket se po i ndjen më pak të vetat muret e shtëpisë së përbashkët, të ngritura nganjëherë duke u larguar nga projekti i ndritur  arkitektuar nga Etërit. Ajo atmosferë risie1, ajo dëshirë e zjarrtë për të ndërtuar bashkimin, duket sikur vijojnë të shuhen: ne, bijtë e kësaj ëndrre, tundohemi t’i nënshtrohemi egoizmit tonë, duke shikuar leverdinë  e duke menduar të ngremë gjerdhe të veçanta. Gjithsesi jam i bindur se dorëzimi para vështirësive e kapitja nuk kanë të bëjnë me shpirtin e Evropës e se edhe vështirësitë mund të bëhen nxitëse të fuqishme të unitetit”. 2

Në Parlamentin evropian ia lejova vetes ta quaja Evropën gjyshe. U thashë Eurodeputetëve se në të katër anët thellohet përshtypja e një Evrope të lodhur, të plakur, shterpë, pa gjallëri, ku idealet e mëdha që e frymëzuan, e kanë humbur tashmë forcën e tyre tërheqëse; një Evrope në rënie, që duket sikur e ka humbur aftësinë e saj krijuese. Një Evrope, që tundohet më shumë për të siguruar e për të sunduar hapësira, sesa për të përftuar procese  përfshirëse e shndërruese; një Evrope, e cila po rrëmon llogore, në vend që të parapëlqejë aksione që nxisin gjallërimin e shoqërisë; gjallërim  i aftë për t’i përfshirë e për t’i vënë në lëvizje të gjithë aktorët shoqërorë (grupe e individë) në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja për problemet aktuale, që sjellin fryte në ngjarje të rëndësishme historike: një Evrope që, larg mbrojtjes së hapësirave, bëhet nënë e lind procese (krh Esort, ap. Evangelii Gaudium, 223).

Ç’të gjeti kështu, Evropë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Evropë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Evropë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?

Shkrimtari Elie Wiesel, që shpëtoi i gjallë nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se sot është themelore të realizohet “transfuzioni i kujtesës”. Është e nevojshme “të kujtojmë”, të largohemi për një çast nga e sotmja, për të dëgjuar zërat e paraardhësve. Kujtesa jo vetëm që do të ndihmojë të mos biem më të njëjtat gabime të së kaluarës (krh Esort. Ap. Evangelii gaudium, 108), por do të na krijojë mundësinë t’i shfrytëzojmë fitoret, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë me guxim udhëkryqet e historisë, që u dolën përpara. Transfuzioni i kujtesës na çliron nga prirja aktuale, shpesh më tërheqëse, për të ndërtuar me nxitim mbi rërën lëvizëse të rezultateve të menjëhershme, që mund të prodhojnë një rentë politike të lehtë, të shpejtë e jetëshkurtër, por që nuk mund ta sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor” (ibid, 224).

Për këtë qellim na bën mirë t’i kujtojmë Etërit themelues të Evropës. Ata ditën të kërkojnë udhë alternative, inovative, në rrethana të vështira, në një kontinent të plagosur rëndë nga lufta. Ata u trimëruan jo vetëm ta ëndërrojnë idenë e Evropës, por edhe guxuan t’i ndryshonin rrënjësisht modelet, që shkaktonin dhunë e rrënim. Guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanëshme për problemet, që pak nga pak po bëheshin të përbashkëta.

Robert Schuman, në atë që shumëkush e shikon si akt i lindjes së Bashkësisë së parë evropiane, pati thënë: “Evropa nuk bëhet me një goditje të vetme, as përmes ndërtimit në tërësi; ajo do të bëhet përmes realizimeve konkrete, krijuese të solidaritetit të vërtetë”.3 Pikërisht tani, në këtë botën tonë të copëtuar e të plagosur, duhet të rikthehemi tek ky solidaritet konkret, tek e njëjta bujari konkrete, që pasoi luftën e dytë botërore, sepse – pati vijuar Schuman – “paqja botërore nuk mund të mbrohet, pa përpjekje krijuese, në lartësinë e rreziqeve, që e kërcënojnë”.4 Projekteve të  Etërve themelues, kasnecë të paqes e profetë të ardhmërisë, nuk u ka kaluar koha; na frymëzojnë, sot më shumë se kurrë, për të ndërtuar ura e për të shembur mure. Duket sikur na drejtojnë një ftesë të ngutshme që të mos kënaqemi me ndërhyrje  kozmetike e as me kompromise dredharake për të korrigjuar ndonjë traktat, por për të vënë trimërisht baza të reja, të rrënjosura thellë; siç pohonte Alcide De Gasperi “të gjithë njëlloj, të nxitur nga shqetësimi për të mirën e përbashkët të atdheut tonë evropian, Atdheut tonë Evropës” të nisim pa frikë “një punë konstruktive, që kërkon të gjitha përpjekjet tona durimtare e gjithë bashkëpunimin tonë afatgjatë.” 5

Ky transfuzion i kujtesës na krijon mundësi të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me guxim kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën për ta “rishikuar” idenë e Evropës. Një Evrope, të aftë për të nxjerrë në dritë humanizmin e ri, të bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar.

Aftësia për të integruar

Erich Przywara, në veprën e tij të ndritur “Ideja e Evropës”, na sfidon, duke na nxitur ta mendojmë qytetin si vend bashkëjetese të instancave e niveleve të ndryshme. Ai e njihte mirë këtë prirje reduksionistike, që e gjejmë në çdo përpjekje për ta menduar e për ta ëndërruar indin shoqëror. Bukuria, e rrënjosur në shumë nga qytetet tona, vijon të na mahnisë për faktin se u arrit të ruhen në rrjedhë kohe, ndryshimet e epokave, të kombeve, të stileve, të vizioneve. Mjafton ta kundrosh pasurinë e paçmueshme kulturore të Romës, për të pohuar edhe një herë se pasuria dhe vlera e një populli rrënjoset pikërisht kur di t’i harmonizojë të gjitha këto nivele në një bashkëjetesë të suksesshme. Reduksionistët dhe të gjitha synimet rrafshuese, larg çdo aftësie për të krijuar vlera, i dënojnë popujt tanë me një varfëri mizore: atë të përjashtimit. E larg çdo aftësie për të krijuar madhështi, pasuri e bukuri, përjashtimi krijon vetëm poshtërsi, mjerim, mizori.

Rrënjët e popujve tanë, rrënjët e Evropës, shkonin duke u konsoliduar në rrjedhë të historisë së saj, duke e mësuar t’i integrojë në sinteza përherë të reja kulturat më të ndryshme e në dukje, pa asnjë lidhje ndërmjet tyre. Identiteti evropian është e ka qenë gjithnjë shumëkulturor, në zhvillim të vazhdueshëm.

Veprimtaria politike e di se ka ndër duar këtë punë themelore, që nuk mund të shtyhet për më vonë. E dimë se “e tëra është më shumë se pjesët, e edhe se shuma e tyne e thjeshtë”, prandaj duhet punuar gjithnjë për të pranuar të mirën më të madhe, nga e cila mund të përfitojmë të gjithë.” (Esort. Ap Evangelii gaudium, 235). Ftohemi t’i japim shtytje integrimit, duke pranuar solidaritetin si mënyrën me të cilën duhen bërë gjërat, mënyrën që na tregon si duhet ndërtuar historia. Solidaritet, që nuk duhet ngatërruar kurrë me lëmoshën, por  duhet parë si krijim i mundësisë që të gjithë banorët e qyteteve tona – e të shumë qyteteve të tjera – të mund ta realizojnë me dinjitet jetën e tyre. Koha po na mëson se nuk mjafton më vetëm përfshirja gjeografike e njerëzve, por sfida është integrimi i vërtetë kulturor.

Në këtë mënyrë, bashkësia e popujve evropianë mund ta kapërcejë tundimin për të këmbëngulur në paradigma të njëanshme e për t’u marrë me “kolonizime ideologjike”; përkundrazi, do të zbulojë madhështinë e shpirtit evropian, lindur nga takimi ndërmjet qytetërimeve dhe popujve, më e shtrirë se kufijtë aktualë të Bashkimit Evropian dhe e thirrur të bëhet model i sintezave të reja dhe i dialogut. Vërtet, fytyra e Evropës nuk dallohet për kundërvënien ndaj të tjerëve, por për faktin se mban gjurmët e tipareve të kulturave të ndryshme dhe ka bukurinë që sjell fitorja kundër mbylljes së dyerve. Pa këtë aftësi integrimi, fjalët e shqiptuara nga Konrad Adenauer në të kaluarën, do të tingëllojnë sërish sot si profeci për të ardhmen: “E ardhmja e Perëndimit nuk kërcënohet aq nga tensioni politik, sa nga rreziku i masivizimit, nga uniformiteti i mendimit dhe i ndjenjave; shkurt, nga i gjithë sistemi i jetës, nga mosmarrja e përgjegjësisë, me shqetësimin e vetëm për ‘unin’ personal”6.

Aftësia për dialog

Nëse ka ndonjë fjalë, që duhet ta përsërisim derisa të lodhemi, është kjo: dialog. Jemi të ftuar të promovojmë një kulturë dialogu, duke u përpjekur me çdo mjet të shtrojmë çështje, në mënyrë që kjo të jetë e mundur e të na lejojë të rindërtojmë indin shoqëror. Kultura e dialogut nënkupton një formim të vërtetë e të vazhdueshëm, një lloj ushtrimi të asketizmit, që të na ndihmojë ta shohim tjetrin si bashkëbisedues të vlefshëm; që të na japë mundësinë ta shohim të huajin, emigrantin, të ardhurin nga një kulturë tjetër si subjekt për t’u dëgjuar, për t’u marrë parasysh e për t’u vlerësuar. Është urgjente për ne sot, të përfshijmë të gjithë protagonistët shoqërorë në promovimin e “një kulture, që privilegjon dialogun si formë takimi, si kërkim konsensusi dhe marrëveshjeje, por, pa e ndarë nga shqetësimi për një shoqëri të drejtë, të aftë të kujtojë e të mos përjashtojë” (Nxitja apostolike “Evangelii Gaudium”, 239). Paqja do të jetë e qëndrueshme, në masën me të cilën i armatosim fëmijët tanë me armët e dialogut, u mësojmë atyre betejën e mirë të takimit e të bisedimeve. Në këtë mënyrë, mund t’u lemë trashëgim një kulturë, që di të përvijojë jo strategji të vdekjes, por të jetës, jo të mënjanimit, por të integrimit.

Kjo kulturë dialogu, që duhet të hyjë në të gjitha planet mësimore shkollore si bosht transversal i lëndëve të mësimdhënies, do të na ndihmojë të rrënjosim në brezat e rinj një mënyrë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme nga ajo, me të cilën po i mësojmë. Sot, është urgjente të krijojmë “koalicione” jo më vetëm ushtarake apo ekonomike, por edhe kulturore, edukative, filozofike, fetare. Koalicione, që venë në pah se, pas shumë konflikteve, shpesh, është në lojë pushteti i grupeve ekonomike. Koalicione, të afta ta mbrojnë popullin, që të mos përdoret për qëllime të padenja. T’i armatosim njerëzit tanë me kulturën e dialogut e të takimit.

Aftësia krijuese

Dialogu dhe gjithçka lidhet me të na kujton se askush nuk mund të kufizohet e të sillet si spektator apo vëzhgues i thjeshtë. Të gjithë, nga më i vogli tek më i madhi, janë pjesë aktive në ndërtimin e një shoqërie të integruar e të pajtuar. Kjo kulturë është e mundur nëse të gjithë marrim pjesë në mendimin (ideimin) e në krijimin e saj. Gjendja aktuale nuk pranon vëzhgues të thjeshtë të luftës së tjetërkujt. Përkundrazi, është thirrje e fuqishme për përgjegjësi përsonale dhe shoqërore.

Në këtë kuptim, të rinjtë tanë kanë një rol mbizotërues. Ata nuk janë e ardhmja e popujve tanë, janë e tashmja; janë ata, që qysh sot, me ëndërrat e tyre, me jetën e tyre, po farkëtojnë shpirtin evropian. Nuk mund ta mendojmë të nesërmen, pa u lejuar atyre të marrin vërtet pjesë si tharm ndryshimi dhe shndërrimi. Nuk mund ta imagjinojmë Evropën pa i bërë pjesëmarrës e protagonistë të kësaj ëndrre.

Kohët e fundit, kam reflektuar mbi këtë aspekt dhe e kam pyetur veten: si mund t’i bëjmë pjesëmarrës të rinjtë tanë në këtë proces ndërtimi, nëse i privojmë nga puna; nga punë të denja, që u japin mundësinë të zhvillohen përmes duarve, inteligjencës dhe energjive të tyre? Si mund të pretendojmë t’ua njohim vlerën e protagonistit, kur treguesit e papunësisë e të nënpunësimit të miliona të rinjve evropianë janë në rritje? Si t’ia bëjmë për të mos i humbur të rinjtë tanë, të cilët përfundojnë duke ikur gjetiu, në kërkim të idealeve e të përkatësisë, sepse këtu, në tokën e tyre, nuk dimë t’u ofrojmë mundësi e vlera?

Shpërndarja e drejtë e fryteve të tokës e të punës së njeriut nuk është filantropi e thjeshtë. Është detyrë morale 7. Nëse duam t’i rimendojmë ndryshe shoqëritë, kemi nevojë të krijojmë vende pune dinjitoze dhe të paguara mirë, sidomos për të rinjtë tanë.

Kjo lyp kërkimin e modeleve të reja ekonomike më gjithëpërfshirëse dhe më të barabarta, që nuk orientohen në shërbim të pak vetëve, por në të mirën e njerëzve dhe të shoqërisë. E kjo na kërkon kalimin nga ekonomia e lëngshme [pra, që i përshtatet çfarëdo “ene” apo situate, pa pyetur për pasojat] në ekonominë shoqërore. Mendoj, për shembull, ppër ekonominë shoqërore të tregut, inkurajuar edhe nga Paraardhësit e mi (krh Gjon Pali II, Fjala për ambasadorin e R.F. Gjermane, 8 nëntor 1990). Të kalohet nga një ekonomi, që synon të ardhura dhe fitime mbi bazën e spekulimit dhe të kredive me interes, në një ekonomi shoqërore, që investon mbi njerëzit, duke krijuar vende pune dhe kualifikim.

Duhet të kalojmë nga një ekonomi e lëngshme, që priret të favorizojë korrupsionin si mjet fitimi, në një ekonomi shoqërore, që garanton tokën e strehimin për të gjithë, përmes punës, si fushë në të cilën njerëzit dhe bashkësitë mund të venë në lojë “shumë përmasa të jetës: krijimtarinë, ardhmërinë, zhvillimin e aftësive, ushtrimin e vlerave, komunikimin me të tjerët, adhurimin e Hyjit. Prandaj, realiteti shoqëror i botës së sotme, përtej interesave të kufizuara të ndërmarrjeve dhe racionalitetit të diskutueshëm ekonomik, kërkon “të vazhdohet të ndiqet si përparësi, objektivi i punësimit… për të gjithë” 8.

Nëse duam të synojmë në një të ardhme dinjitoze, nëse duam një të ardhme në paqe për shoqëritë tona, mund ta arrijmë vetëm duke pasur si qëllim integrimin e vërtetë: “atë që ta jep puna dinjitoze, e lirë, krijuese, gjithëpërfshirëse dhe solidare” 9. Ky kalim (nga një ekonomi e lëngshme në një ekonomi shoqërore) jo vetëm do të hapë perspektiva të reja dhe mundësi konkrete për integrim e gjithëpërfshirje, por do të na japë sërish aftësinë për ta ëndërruar atë humanizëm, për të cilin Evropa ka qenë djepi e burimi.

Në rilindjen e kësaj Evrope të lodhur, por akoma të pasur me energji e mundësi, mund e duhet të kontribuojë edhe Kisha. Detyra e saj përkon me misionin e saj: kumtimi i Ungjillit, që sot, më shumë se kurrë, do të thotë, sidomos, kujdes për plagët e njeriut, duke i çuar atij praninë e fuqishme e të thjeshtë të Jezusit, mëshirën e Tij ngushëlluese e inkurajuese. Zoti dëshiron të banojë ndërmjet njerëzve, por mund ta bëjë këtë vetëm përmes burrave e grave që, ashtu si ungjillëzuesit e mëdhenj të kontinenteve, të preken me dorë prej Tij e ta jetojnë Ungjillin, pa kërkuar gjë tjetër. Vetëm një Kishë e pasur me dëshmitarë mund t’i vaditë sërish me ujin e kristaltë të Ungjillit rrënjët e Evropës. Për këtë, rruga e të krishterëve drejt bashkimit të plotë është shenjë e madhe e kohrave, por edhe kërkesë urgjente për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit “që të jenë një gjë e vetme” (Gjn 17,21).

Me mendje e me zemër, me shpresë e pa nostalgji të kota, si biri që rigjen në Evropën-nënë rrënjët e veta të jetës e të fesë, ëndërroj një humanizëm të ri evropian, “një rrugë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen “kujtesë, guxim, utopi e shëndoshë e njerëzore” 10. Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën. Ëndërroj një Evropë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Evropë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut. Ëndërroj një Evropë, ku të rinjtë të thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, ta duan bukurinë e kulturës e të jetës së thjeshtë, të pandotur nga nevojat pa fund të konsumizmit; ku martesa dhe lindja e fëmijëve të jetë përgjegjësi dhe gëzim i madh, por jo problem i shkaktuar nga mungesa e një pune mjaftueshmërisht të qëndrueshme. Ëndërroj një Evropë të familjeve, me politika vërtet efektive, me në qendër fytyrat e jo numrat, lindjet e fëmijëve e jo shtimin e pasurive. Ëndërroj një Evropë që nxit e mbron të drejtat e secilit, pa harruar detyrat ndaj të gjithëve. Ëndërroj një Evropë për të cilën të mos thuhet se impenjimi për të drejtat e njeriut ka qenë edhe utopia e saj e fundit.

(1) Fjalimi në Parlamentin evropian, Strasburg, 25 nëntor 2014

(2) Ibid.

(3) Deklaratë e 9 majit 1950, Salon de l’Horloge, Quai d’Orsay, Paris

(4) Ibid

(5) Fjalim në Konferencën Parlamentare Evropiane, Paris, 21 prill 1954

(6) Fjalimi në asamblenë e artizanëve gjermanë, Dyseldorf, 27 prill 1952.

(7) Discurso a los movimentos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(8) Enciklika “Laudato si’”, 127.

(9) Discurso a los movimientos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(10) Fjalimi për Këshillin e Evropës, Strasburg, 25 nëntor 2014.

 

Liderët BE: të inkurajuar nga Papa në projektin Evropë

Nga Papa morëm një mesazh të qartë për mbrojtjen e tërësisë evropiane. Kështu u shpreh kancelarja Angela Merkel, në përfundim të audiencës private me Papën, me rastin e dorëzimit të Çmimit Karli i Madh. Një ceremoni, që i preku thellë tre liderët evropianë, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk, për të cilët, gazetarët e pranishëm në konferencën e shtypit, thanë se e ndjejnë veten thellësisht të inkurajuar nga Papa  e se dëshrojnë ta përhapin në të gjitha kryeqytetet e Kontinentit të vjetër, fjalimin e Françeskut, mbajtur me këtë rast.

Njëzet e pesë minuta në një klimë përzemërsie, në qendër të të cilave, integrimi i ardhshëm i Evropës. Kështu kaloi audienca private e Papës me Angela Merkel, e cila theksoi se e ndjeu fuqimisht nxitjen për ta shpëtuar tërësinë evropiane, si për monedhën dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm, ashtu edhe për detyrën humanitare, që nuk duhet harruar.

Dialogu, integrimi e krijimtaria, tri bazat e një shoqërie evropiane me fytyrë njerëzore, të nënvizuara nga Papa, prekën thellë edhe Kryetarin e Parlamentit, të Këshillit e të Komisionit BE. Kështu pohuan gazetarët në konferencën e shtypit, menjëherë pas kremtimit. “Më preku posaçërisht shqetësimi i Papës për kohezionin evropian e për kërcënimin më të rëndë në jetën e Kontinentit, që është papunësia në radhët e të rinjve,  tha Martin Schulz, që e mori vitin e kaluar Çmimin Karli i Madh. Sot, vijoi, rrezikohemi ta flakim ndër hithra trashëgiminë evropiane. Forcat e nxitura nga kriza po përçajnë, në vend që të na bëjnë më të bashkuar; egoizmat kombëtare, rinacionalizmi e partikolarizmi po fitojnë përsëri terren. Nuk ka asnjë dyshim se kriza e refugjatëve përfaqëson një sfidë, që tregon sa  i vlen lëkura Evropës. Në asnjë epokë, që nga Lufta II Botërore e tutje, nuk janë parë kaq shumë njerëz në ikje nga dhuna e nga terrori. Populistët pa skrupuj, që nuk kanë asnjë rrugëzgjidhje për të orfruar, përfitojnë nga  frika e njerëzve në këtë situatë. Ata duhet ta lexojnë të parët fjalimin e Papës.

Frika mund të kuptohet, por është këshilltare e keqe. Ka ardhur koha të ngrihemi në këmbë e t’i tregojmë botës se jemi evropianë. Papa Françesku na jep shpresë për të ardhmen. Ai na tregoi të gjithëve, e posaçërisht  krerëve të qeverive, që refuzojnë t’i pranojnë refugjatët muslimanë, sepse vendet e tyre janë të krishtera, ç’do të thotë solidaritet, ç’do të thotë qenie njerëzore, kur, pas vizitës të tij në Lesbo, pranoi në Vatikan tri familje siriane”.

Ka shumë evropianë të përkohshëm, kujtoi Jean Claude Junker, që duartrokiti qëndrimin e Italisë ndaj refugjatëve, por pa hyrë në çështjen e financimeve. E, duke folur për ndërrimin e kryesisë së qeverisë turke, përshëndeti kryeministrin Davutoglu si partner i besueshëm, por jo i thjeshtë,  duke uruar një ardhmëri konstruktive bashkëpunimi.

Mogherini: “Të rithemelohet Evropa sipas fjalëve të Papa Françeskut”

 

Voal – Voal.ch shkruan se  Federica Mogherini, Komisarja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Sigurinë ka botuar sot një opinion tek gazeta italiane L’Avvenire me titullin “Të rithemelohet Evropa sipas fjalëve të Papa Françeskut”. Federica Mogherini dje ishte në Kosovë me rastin e liberalizmit të vizave dhe midis të tjerave tha se “Kosova është Europë”, ndërkohë që Papa Françesku është figura më e shkëlqyer që ka sot njerëzimi.

Ja si shkruan midis të tjerave zonja Mogherini në artikullin e saj:  “Të rithemelohet Evropa sipas fjalëve të Papa Françeskut”:

“Sa herë që Papa Françesku u drejtohet parlamentarëve tanë e institucioneve tona, ai pranohet me shumë duartrokitje të stuhishme. Por të duartrokasësh nuk mjafton për atë që posedon një rol institucional në Evropë. Nevojitet të dëgjohet vërtetë porosia e Papës dhe të përkthehet në gjeste konkrete. Kur Papa Françesku e ka quajtur Evropën si një “gjyshe”, ka përdorur fjalë të buta dhe të rënda njëkohësisht. Vetëm kush mbahet me Evropën mund të ketë edhe aspirata të mëdha ndaj Evropës.

Ka ardhur momenti i një ri-themelimi të Evropës, ka thënë Papa kur i është shpallur se do të pranonte çmimin Karli i madh: “Ku janë sot një SCHUMAN o një ADENAUER?”. Shtatëdhjetë vite më vonë pas etërve themelues, Evropa ka nevojë për një ri-lindje të nënave dhe të baballarëve ri-themelues. Nuk do të jetë e lehtë. Por besoj që asnjë person i një vullneti të mirë mund të injoroi apelin e Bergoglio-s. Porosia e Papa Françeskut buron nga feja, por ka një impakt të fort politik. Ai i flet botës, jo vetëm katolikëve.”

Ka ardhur momenti që të heqim dorë nga e shkuara dhe të përqendrohemi tek përgjegjshmëritë që kemi për të ardhmen. Është ora që të heqim dorë nga keqardhjet për “deklinin” e kontinentit tonë dhe të luajmë një rol parësor drejt një sistemi të ri ndërkombëtar. Papa Françesku i ua kërkuar Evropës që të sillet si një Bashkim i vërtetë, me qëllim që të punojë për të mirën e paqes në në skenën globale. Nuk do të arrijmë dot një rithemelim të Evropës, nëse nuk do të investojmë energjitë tona më të mira në këtë prohjekt,” përfundon këtu opinioni i zonjës Mogherini, përfaqësuese e Bashkimit Europian për Punët e Jashtëme dhe Sigurinë./JTH

Cameron: Ja pse nuk i kërkoj falje Trumpit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka thënë sot se ai nuk do t’i kërkojë falje Donald Trumpit – edhe pse ky i fundit është bërë kandidati i supozuar për President të ShBA-së nga radhët e republikanëve – për komentet që i kishte bërë më herët për propozimin e Trumpit që t’ua ndalojë myslimanëve të futen në Amerikë, të cilin Cameron e kishte quajtur të gabuar dhe budallallëk.

Cameron i bëri këto komente për Trumpin pasi që ky i fundit u zotua dhjetorin e kaluar se do t’ua ndalonte të gjithë myslimanëve të futeshin në Shtetet e Bashkuara, nëse ai do të zgjidhej President.

“Nuk do ta ndryshoj mendimin dhe nuk do ta ndryshoj. Jam shumë i qartë se ideja e politikës që ai ka propozuar ishte e gabuar, është e gabuar dhe do të mbesë e gabuar,” Cameron tha para gazetarëve kur u pyet nëse do të kërkonte falje për komentet e më hershme.

Lunacek: Pranimi në UEFA hap drejt përfundimit të izolimit të Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka uruar Kosovën për pranimin në UEFA.

Lunacek, në Facebook shkruan se pranimi i Kosovës në UEFA si anëtare e 55-të është një hap më shumë për përfundimin e izolimit të papranueshëm për sportistët, artistët dhe qytetarët kosovarë.

“Lajm i mirë nga UEFA: Që nga sot, Kosova është anëtarja e 55-të e trupës qeverisëse të futbollit evropian! Është një hap i rëndësishëm drejt dhënies fund të izolimit të papranueshëm të sportistëve, artistëve dhe qytetarëve kosovarë”, ka shkruar Lunacek. /Kp

Në Gjermani papunësia më e ulët e të rinjve në Europë

Sipas statistikave që gazetari i AA ka siguruar nga Zyra e Statistikave të Europës (Eurostat) thuhet se papunësia e të rinjve në muajin mars të vitit 2016 në vendet e BE-së, është në kuotën e 19.1 për qind, ndërkohë që në vitin 2008 kjo përqindje ishte 15.9

FRANKFURT – Lokomotiva e ekonomisë së Europës, Gjermania, krahas dinamikës ekonomike dhe vëllimit të madh të eksportit tërheq vëmendje me papunësinë më të ulët të të rinjve mes vendeve të Bashkimit Evropian.

Papunësia e të rinjve, sidomos kur bëhet fjalë për ata që janë nën moshën 25 vjeç është një problem serioz në Evropë. Ky problem është bërë edhe më serioz që prej 8 vitesh më parë kur nisi kriza globale e cila filloi në vitin 2008 me shpalljen e falimentit nga banka amerikane e investimeve, Lehman Brothers dhe e cila për një kohë të shkurtër kaploi gjithë globin.

Sipas statistikave që gazetari i AA ka siguruar nga Zyra e Statistikave të Europës (Eurostat) thuhet se papunësia e të rinjve në muajin mars të vitit 2016 në vendet e BE-së, është në kuotën e 19.1 për qind, ndërkohë që në vitin 2008 kjo përqindje ishte 15.9.

Ndërkohë ndryshe ndodhe me lokomotivën e ekonomisë së Europës, Gjermaninë. Krahas teknologjisë së përparuar dhe eksportit të lartë, ky vend ka edhe përqindjen më të ulët të të papunësuarve të rinj në BE.

Gjermania në vitin 2008 kishte 10.4 për qind të rinj të papunë. Edhe pse kjo përqindje ka pasur një rritje në vitin 2009 gjatë viteve të mëvonshme kjo përqindje ka pasur një trend rënieje. Përqindja e të papunëve të rinj në Gjermani muajin mars të këtij viti në krahasim me tetë vite më parë ka rënë deri në 6.9 për qind. Kështu Gjermania kryeson për papunësinë më të ulët të të rinjve në radhitjen e statistikave për muajin mars 2016. Ndërkohë atë e ndjekin Holanda dhe Malta.

Ndërsa në një nga ekonomitë më të mira të Europës, Franca në vitin 2008 kishte një papunësi të të rinjve 19 për qind, ndërkohë sipas statistikave të muajit mars kjo përqindje është rritur duke kapur shifrat e 24 për qind. Për të njëjtën periudhë papunësia e të rinjve në Itali u rrit nga 19 për qind në 36.7, ndërsa në Spanjë nga 24.5 në 45.5 për qind.

Përqindja më e lartë e papunësisë në BE, është ajo e Greqisë në të cilën 51.9 për qind e të rinjve janë të papunë. Kjo përqindje është regjistruar në muajin janar 2015. Greqinë e ndjek Spanja me 45.5 për qind, më pas vjen Kroacia me 39 për qind dhe Italia me 36.7 për qind.

– Turqia ka treguar një performancë më të mirë se shumë vende të BE-së

Turqia në vitin 2008 kishte 18.5 për qind të rinj të papunë, ndërkohë sipas statistikave të Eurostat kjo përqindje në janar të 2016-ës është 17.8 pqr qind.

Si rrjedhojë, Turqia në këtë kontekst ka treguar një performancë më të mirë se sa shumë vende të BE-së në punësimin e të rinjve. Turqia sipas statistikave ka kaluar disa vende të rëndësishme të BE-së siç është Franca, Italia dhe Spanja.

Franca 300 metra mur për ndalur hyrjen e refugjatëve nga kufiri me Britaninë

Autoritetet e qytetit bregdetar francez Calais, i njohur si stacioni i fundit për migrantët në rrugën e tyre për në Britani të Madhe, kanë vendosur që për 300 metra të zgjasin murin përgjatë portit për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit, raporton “Anadolu Agency” (AA). Vincent Berton, zëvendësguvernator i Calais- it, ka thënë se muri do të zgjatet për 300 metra për të parandaluar kalimet e paligjshme të migrantëve në ishull. Ai ka thënë se ndërtimi i murit nuk do të pengojë trafikun rrugor. Burton ka theksuar se lartësia e planifikuar e murit është katër metra dhe se ndërtimi i tij pritet të fillojë në maj.

Ndërkaq, ditën e djeshme, Parlamenti Evropian ka nisur një procedurë për krijimin e një liste të shteteve “të sigurta”, ku supozohet se do të jenë shtatë vende, përfshi Ballkanin Perëndimor, Franca si dhe Turqia. Kjo do të thotë se të gjithë ata që kërkojnë azil nga këto shtete në BE, sipas kësaj liste, nuk do të kenë fare shanse që ta fitojnë atë. Përmes kësaj iniciative, siç thuhet në këtë parlament, do të zvogëlohet numri i azilkërkuesve në Evropë dhe do të merren me ato raste që, me të vërtetë kanë nevojë.

Bazuar në të dhënat e agjencisë së BE-së, për kontrollin dhe menaxhimin e kufijve-“Frontex”, gjatë vitit të kaluar, vetëm nga Kosova ka pasur 24 kërkesa për azil në shtetet e BE-së. Për këtë arsye, Komiteti i Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve në Parlamentin Evropian ka nisur këtë iniciativë, që do të formonte këtë listë të vendeve të sigurta, në të cilën do të gjenden të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. Por, përkundër kësaj, kalimi i kësaj liste do të hasë në shumë polemika nga deputetët e Parlamentit Evropian për mënyrën e vendosjes së kritereve që vlerësojnë se cilat shtete janë të sigurta e cilat jo.

Kampioni i Kickboxingut planifikonte të sulmonte Vatikanin

Një operacion i gjerë kundër terrorizmit është organizuar në rajonet e Piemontes dhe Lombardisë në Itali.

Ndër 6 personat e arrestuar është dhe emri i 27 – vjeçarit Abderrahim Moutaharrik, me origjinë marokene, një kickboxer profesionist.

Sportisti kishte bërë disa ndeshje në të cilat ishte shfaqur me të mbathura të zeza, që mbanin simbole të ISIS, por askush nuk i kishte vënë re më parë.

Sipas hetimeve, ai ishte gati për t’u nisur nga Lecco ku banonte, së bashku me bashkëshorten Salma Bencharki, për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

Hetimet e autoriteteve italiane kanë arritur në përfundimin se Moutaharrik ishte pjesë e një celule xhihadiste në Itali, e gatshme për t’iu bashkuar ISIS në Siri dhe ndërkohë po planifikonte atentate në Romë, në Ambasadën e Izraelit dhe në Vatikan.

Në një prej përgjimeve rezultoi se ishte pikërisht Moutaharrik, personi të cilit iu ishte kërkuar nga “sheikë” të ISIS, që të godiste Italinë.

Gjatë transkriptimeve ka dalë dhe një “poemë – bombë”, e cila përshkruhet nga autoritetet si “një thirrje e qartë për të kryer akte dhune, me qëllime terroriste”.

“Dëgjo Sheikun dhe godit!” ishte thelbi i thirrjes.

Në një tjetër mesazh audio, të dërguar në WhatsApp, një “sheik” i ISIS, i pa identifikuar, e fton sportistin për hakmarrje kundër të krishterëve.

“Të bësh mirë këtë pjesë aty, në Romë, në Itali, në Spanjë, në Francën kristiane, në Anglinë e krishterë. Për sheikun, ky është i vetmi operacion që e kënaq më shumë se dhjetra bomba”.

Vetë bokseri Abderrahim Moutaharrik, në një mesazh të 25 Marsit të vitit të kaluar, i shkruante një tjetër të arrestuarit në këtë operacion, Mohamed Koraichi, ku i thoshte: “Këtyre armiqve betohem, nëse arrij të siguroj familjen time, të betohem që do të jem i pari që do t’i godas. Në këtë Itali kryqtarësh, do të jem i pari që do të sulmoj. Betohem, betohem, që do të sulmoj në Vatikan, me vullnet të Zotit”./tvklan.al

Sonte pas pak “Fontana di Trevi” ngjyroset me të kuqe për martirët e krishterë

“Në mbrojtje të të krishterëve”: ky është titulli i veprimtarisë së promovuar sot nga misioni i Selisë së Shenjtë në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, seli e OKB-së. Në simpozium, përveç vëzhguesit të Vatikanit, imzot Bernardito Auza, marrin pjesë edhe personalitete të botës së krishterë e myslimane. Të pranishmit dëgjojnë edhe dëshminë e prindërve të Kayla Mueller, të riut që u rrëmbye dhe u vra nga Isis në Siri. Ndërkaq, rritet numri i njerëzve, që duan të marrin pjesë nesër mbrëma në nismën e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, në “Fontana di Trevi” (Shatërvani i Trevit).

Monumenti historik në qendër të Romës sonte në orën 20:00 do të bëhet i kuq si gjaku, me fasha drite të purpurta, pikërisht për të kujtuar gjakun e martirëve të krishterë të ditëve të sotme. Sipas raportit të fundit të Fondacionit, të krishterët e persekutuar në botë arrijnë shifrën e frikshme prej 200 milion vetësh.

Përveç pjesëmarrjes së mjeteve të shtypit dhe të institucioneve, edhe Kisha të ndryshme në botë, në çastin e ndezjes së dritës së kuqe, do të bashkohen në lutje me të pranishmit. Në veçanti, do të marrin pjesë të krishterët e Pakistanit, ata të Nigerisë e ata të Bagdadit, në Irak, ku do të jetë i pranishëm Patriarku kaldeas, imzot Sako.

Organizatorët shpresojnë të sensibilizojnë opinionin publik për këtë persekutim, që vijon edhe në epokën e demokracive perëndimore. Shpesh, është vetëm zëri i Papës Françesku ai, që ngrihet përmbi heshtjen e indiferencës. E shpesh i duhet pikërisht Atit të Shenjtë – si në rastin e motrave të Nënë Terezës, vrarë në Jemen – të kujtojë se “kaq pak i interesuan opinionit publik”.

Biden në Vatikan në konferencën për kancerin

Nënpresidenti amerikan Joe Biden mori sot pjesë në një konferencë mjekësore në Vatikan, me synimin për ta përqëndruar vëmendjen e komunitetit botëror tek kërkimet për kancerin. Nënpresidenti Biden më parë i ka nxitur përpjekjet në këtë fushë në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha në konferencë se “kanceri është “një urgjencë e përhershme” dhe bëri thirrje për shpejtimin e ritmit të zbulimit dhe përdorimit të mjekimeve të reja.

Vitin e kaluar, zoti Biden humbi djalin e tij, Beau Biden, ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit Delauer, nga kanceri në tru. Disa muaj më vonë ai deklaroi një projekt madhor për gjetjen e një kure për kancerin, kur bëri të njohur se nuk do të kandidonte për president.

Sipas Shoqatës amerikane të Kancerit, në vitin 2016 do të diagnostikohen rreth 1 milion e 685,210 raste të reja kanceri në Shtetet e Bashkuara dhe 595,690 prej këtyre pacientëve do të vdesin.

Një tjetër shtet drejt referendumit për dalje nga BE

Shtohen gjithnjë e më shumë zërat për një referendum në Finlandë në lidhje me qëndrimin ose jo në Bashkimin Evropian.

Sipas mediat ndërkombëtare shkruajnë se finlandezët janë lodhur me euron. Mbi 50 mijë qytetarë kanë nënshkruar një peticion për daljen nga BE dhe nisma do të diskutohet në një seancë të veçantë në Parlamentin e vendit.

Në fakt ka qenë një politikan i opozitës ai që i rindezi debatin mbi monedhën e përbashkët e foli për të parën herë hapur për shkëputje.

Edhe pse për Finlandën e përballur me probleme financiare një skenar i tillë duket i largët, numri i firmave të mbledhura nënkupton se Parlamenti është ligjërisht i detyruar të diskutojë referendumin.

Peticioni u propozua nga 69-vjeçari Paavo Vayrynen, i cili ka mbajtur pozicionin e ministrit në disa qeveri të mëparshme.

Një sondazh i realizuar nga televizioni publik YLE në muajin dhjetor tregoi se 31% e të intervistuarve ishin në favor të daljes nga Eurozona, në një kohë kur katër vjet më parë idenë e mbështesnin vetëm 5% e finlandezëve.

Kriza ekonomike ka ndikuar në rritjen e mosbesimit ndaj BE-së.

Eurovisioni shpall flamurin e Kosovës të ndaluar, në listë me flamurin e ISIS-it

Rast i paprecedentë! Flamuri i Kosovës është renditur krah atij të ISIS-it dhe të disa vendeve të tjera që nuk i njohin shumica e shteteve në botë, si i ndaluar për t’u valëvitur në garën më të madhe evropiane të muzikës, Eurovision.

Kjo është bërë me dije në një rregullore të këtij manifestimi, të organizuar nga Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU).

Pasi është bërë me dije se cilët flamuj do të lejohen që të valëviten në publikun e sallës në Stokholm të Suedisë, ku sivjet do të mbahet festivali, rregullorja shkruan se brenda do të lejohen flamujt e 42 shteteve pjesëmarrëse dhe flamujt e vendeve të tjera që janë anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Bavari – Libri i Hitlerit ‘Mein Kampf’ mund të futet në shkolla

Parlamenti bavarez po debaton nëse një version i shoqëruar me shënime i librit të Hitlerit ”Mein Kampf” mund të autorizohet për përdorim arsimor apo për përdorime të tjera.

Libri i ish-diktatorit nazist përfshin 3 700 shënime të tij.

Propozimi justifikohet si një përpjekje për të kuptuar kontekstin e retorikës antisemite të Hitlerit dhe për të nxjerrë në shesh propagandën e tij naziste.

Partitë opozitare në Bavari, përfshirë socialdemokratët, të gjelbërit dhe Votuesit e Lirë po kërkojnë përdorimin e librit në shkolla me qëllimin që brezi i ri të njihet me historinë e vendit.

Një departament i Ministrisë bavareze të Arsimit po përgatit një manual për mënyrën e integrimit të këtij libri në programin shkollor.

Liderët e komunitetit hebre, përfshirë Charlotte Knobloch, ish-presidente e Këshillit Qëndror Hebre në Gjermani, kanë kundërshtuar me faktin se ai përmban një gjuhë urrejtjeje.

Libri i Hitlerit u ribotua në janar, i shoqëruar me shënime, dhe deri tani janë shitur 55 000 kopje. dita

Jep dorëheqjen shefi i Agjencisë së Zbulimit në Gjermani

Berlin – foto arkivi

Shefi i Agjencisë së Zbulimit në Gjermani, Gerhard Schindler, ka dhënë dorëheqje, dy vjet përpara përfundimit të mandatit.

Arsyet për largimin e tij nuk janë të qarta, por ai ka qenë në shënjestër të kritikave prejse është bërë e ditur se agjencia e tij ka spiunuar për Agjencinë për Siguri Kombëtare të SHBA-së.

Schindler do të zëvendësohet nga zyrtari i Ministrisë së Financave, Bruno Kahl.

“Na duhet një fillim i ri”, ka thënë një zyrtar që heton aferën e spiunimit për agjencinë amerikane.

Agjencitë evropiane të zbulimit, në përgjithësi, janë nën presion pas sulmeve terroriste në Bruksel më 22 mars, dhe në Paris më 13 nëntor.

I dyshuari i sulmeve të Parisit ekstradohet nga Belgjika në Francë

Salah Abdeslam

Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor për sulmet terroriste të nëntorit në Paris, ku mbetën të vrarë 130 njerëz, është ekstraduar nga Belgjika në Francë.

Prokurorët e të dyja vendeve kanë konfirmuar se ekstradimi ka ndodhur mëngjesin e sotëm.

Abdeslam, 26 vjeçar, ishte i personi më i kërkuar në Evropë deri në kapjen e tij në Belgjikë më 18 mars, pas kërkimeve që zgjatën rreth 4 muaj.

Ai pritet të paraqitet sot para një gjykate franceze.

Hetuesit thonë se Abdeslam u ka treguar atyre se ai ishte marrë me aspektin logjistik të sulmeve të 13 nëntorit në Paris dhe se kishte planifikuar ta hidhte vetën në erë në një stadium futbolli në Paris, por në minutat e fundit ishte tërhequr.

Prin fushatën kundër Shqipërisë, deputeti laburist britanik kritikohet si ksenofob

Deputeti laburist në Britaninë e Madhe, Chuka Umunna, një mbrojtës i fortë i nismës për të mbajtur Britaninë në BE, është kritikuar si ksenofob pasi u tall me Shqipërinë.

Sipas “The Sun”, ai postoi online një foto me një poster të fushatës së tyre.

Në poster shihet flamuri shqiptar mbi “Buckingham Palace”.

“Fushata për t’u larguar nga BE kërkon që ne të braktisimin tregun e vetëm dhe të bëhemi si Shqipëria. Seriozisht”, thuhet në poster.

Gazeta britanike shkruan se deputeti e fshiu mesazhin pasi komentuesit i thanë se është e turpshme që të fyesh një shtet.

“Çfarë ka Shqipëria? Ksenofob je ti,” i shkruan dikush.

“A është qasja më e mirë e fushatës suaj që të thuash gjëra negative për një tjetër vend europian”, i shkroi një komentuese.

“The Sun” shkruan se ky veprim i deputetit laburist duket se nuk do i bëjë përshtypje të mirë ish-liderit të Partisë Laburiste, Tony Blair, që është këshilltar i qeverisë shqiptare.

Në fakt sot, deputeti laburist Chuka Umunna e ka nisur ditën duke i bërë jehonë deklaratave të Edi Ramës.

Ai shkruan se Rama thotë se modeli shqiptar i tregtisë me BE-në nënkupton tarifa, mungesë aksesi në marrëveshjet e tregtisë së jashtme dhe më pak prosperitet.

Obama: Merkeli ndodhet në anën e duhur të historisë

Presidenti i SHBA, Obama e vlerësoi me fjalë maksimale rolin e Angela Merkelit në krizën e refugjatëve. Në takimin në Hanover, Merkel dhe Obama folën për temat kryesore të politikës botërore.

Presidenti i SHBA, Barack Obama e vlerësoi sërish rolin drejtues të Kancelares Angela Merkel në politikën evropiane për refugjatët. “Unë jam krenar për popullin e Gjermanisë”, tha Obama. Për Merkelin personalisht ai tha: “Ajo ndodhet në anën e duhur të historisë.” “Historia do t’i japë asaj të drejtë”.

Pas një bisede të përbashkët, Obama e karekterizoi në Hanover “të guximshëm” qendrimin e Merkelit në çështjen e refugjatëve – ndoshta “sepse ajo ka jetuar dikur vetë pas një muri”, tha Obama.

Me shpejtësi të madhe dy kryetarët e shtetit folën në konferencën e përbashkët të shtypit për shumë pika të nxehta në botë. Një gjë mbeti e përbashkët gjatë gjithë treçerekorëshit: në mënyrë të dukshme të përzemërt u shpreh Obama për Kancelaren gjermane.

Obama: Miqësia me Merkelin, më e rëndësishmja në mandatin tim
Ai lëvdoi humorin e saj. “Ju nuk e njihni atë”, u tha Obama gazetarëve, “sepse ajo nuk e tregon sensin e saj të mirë për humor në konferencat e shtypit – atje ajo është gjithmonë serioze”, tha me shaka Obama. “Kjo është marrëdhënia më e rëndësishme, miqësia më e rëndësishme, që kam pasur gjatë mandatit tim”, tha Obama për marrëdhënien me Merkelin. Dhe ai bëri të ditur se si person privat do të vazhdojë ta admirojë Merkelin pas fundit të mandatit të tij.

Mesazhi i qartë i daljes së përbashkët para gazetarëve ishte: SHBA dhe Gjermania ndodhen në kohë të vështira pranë njëra-tjetrës.

Vatrat e nxehta të konflikteve
Merkeli dhe Obama u shprehën shumë të shqetësuar për gjendjen në Siri. Obama u shpreh sërish kundër një zone sigurie për popullatën. “Unë vërtet e dëshiroj këtë, po ka një sërë problemesh praktike.” Merkeli deklaroi se zona të tilla duhet të jenë pjesë e procesit të negociatave të Gjenevës.

Përsa i përket gjendjes në Ukrainë, të dy politikanët thanë se është e rëndësishme që të zbatohen Marrëveshjet e Minskut. Për fat të keq, armëpushimi nuk është i qendrueshëm, thanë ata.

Obama nguli këmbë që dy muaj e gjysëm pas takimit të nivelit të lartë të NATO-s, shtetet anëtare duhet t’i rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 2 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto. Gjermania është në nivelin 1,1 përqind, kurse SHBA në 3,5 përqind. Merkeli tha “Unë besoj se i gjithë pozicionimi i Bundeswehrit e pasqyron plotësisht përgjegjësinë ndërkombëtare”.

 

Obama e akuzoi për “provokim” regjimin e Koresë së Veriut, për testin e fundit raketor. Ai tha se e merr “shumë seriozisht” këtë akt dhe i bëri thirrje Kinës që të ushtrojë efekt më të fortë të Koreja e Veriut.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis SHBA dhe BE, TTIP i preokupoi veçanërisht Merkelin dhe Obaman. Presidenti i SHBA shprehu shpresën që negociatat do të përfundojnë deri në fund të vitit 2016. Por ratifikimi nuk do të bëhet dot gjatë kësaj kohe. Kjo ka të bëjë edhe me fushatën elektorale të SHBA. Kancelarja Merkel theksoi se TTIP është shumë e rëndësishme nga perspektiva evropiane për rritjen ekonomike në Evropë.

Përsa i përket Libisë, Obama dhe Merkel qenë dakord se detyrë kryesore mbetet ndërtimi i një shtetit të bashkuar. Obama tha se “vazhdon të besojë se qe veprim i duhur ndërhyrja në Libi”. Por ai pranoi edhe gabime. “Do të kishte qenë më mirë po të kishim menduar më parë se çfarë do të pasojë më vonë. Këtë nuk e bëmë sa duhet.”

Është hera e pestë që Obama qendron për vizitë në Gjermani. Të hënën do të zhvillohet një takim botëror i nivelit të lartë edhe me Presidentin francez François Hollande dhe kryeministrin italian, Matheo Renzi, të cilët kancelarja Merkel i ka ftuar në Hanover, ku po zhvillohet edhe panairi i përvitshëm industrial.

Protestojnë punëtorët e IBM-së në Gjermani

Ilustrim

Ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama, po qëndon në Hanover, qindra njerëz po protestojnë kundër shkurtimeve të vendeve të punës në kompaninë amerikane të teknologjisë, IBM.

Rreth 200 punëtorë të IBM-së po mbajnë protesta të zhurmshme kundër masave që ata thonë se kanë shkurtuar 900 vende pune në Gjermani.

Protestuesit kanë mbajtur parulla me mbishkrimet: “Profit, profit, profit, por ku janë njerëzit?”

Përfaqësia e IBM-së në Gjermani nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës së mediave për të komentuar lidhur me protestën.

Zgjedhjet presidenciale në Austri – udhëheq kandidati i ekstremit të djathtë

Norbert Hofer

Kandidati i Partisë së Lirisë, një forcë e ekstremit të djathtë, duket të jetë fitues i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Austri. Sipas vlerësimeve paraprake, ai pritet të përballet në balotazh me një kanditat të pavarur, gjë që paraqet një goditje për establishmentin politik vjenez.

Projeksionet paraprake tregojnë se Norbert Hofer, i cili garon me platformën kundër migruesve dhe anti BE, ka fituar 36 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës.

Ai sipas të gjitha gjasëve do të përballet me Alexander van der Bellen, i mbështetur nga të gjelbrit, ose me kandidaten e pavarur, Irmgard Griss, një ish gjykatëse që shpreson të bëhet presidentja e parë austriake në balotazhin e 22 majit.

Rezultatet projektuara të raundit të parë të votimeve, thyen traditën e pas luftës në Austri, për të pasur ose një kandidat nga Social Demokratët e qendrës së majtë ose të Partisë konservatore Popullore, në krye të shtetit.

Obama thotë se sanksionet ndaj Rusisë duhet të vazhdojnë

Takimi Obama-Merkel, 24 prill 2016

Presidenti amerikan, Brack Obama, tha sot se ai dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë pajtuar që sanksionet ndaj Rusisë, që kanë lidhje me Ukrainën, duhet të tërhiqen vetëm në rast se Moska vepron në përputhje me marrëveshjen për t’i dhënë fund luftimeve ndërmjet forcave të Kievit dhe seperatistëve të përkrahur nga Rusia.

“Sanksionet ndaj Rusisë duhet dhe mund të tërhiqen vetëm nëse Rusia vepron në pajtueshmëri me marrëveshjen paqësore të Minskut”, ka thënë Obama sot, gjatë një konference për media të mbajtur në Hanover, pas takimit me kancelaren Merkel.

Merkel tha se armëpushimi nuk është i qëndrueshëm dhe se ajo dhe Obama kanë diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjes së Minskut, të shkurtit të vitit 2015, e cila synon përfundimin e konfliktit në lindje të Ukrainës, ku mbetën të vrarë më shumë se 9,000 vetë që nga prilli i vitit 2014.

Obama arriti në Gjermani më herët gjatë ditës, për t’i dhënë një shtytje një pakti të ri tregtar ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së, si dhe të marrë pjesë nesër në një samit me liderët kryesorë evropian.

Obama në Gjermani për të diskutuar tregtinë e lirë me BE-në

Presidenti Barack Obama ka mbërritur në Gjermani për të filluar bisedimit për një pakt të tregtisë trans-atlantike.

Obama zbarkoi në Hannover të dielën pasdite. Ai është në krye të një delegacioni të udhëheqësve të biznesit amerikan të cilët do të marrin pjesë në Hannover Messe, panairi më i madh në botë për tregti dhe teknologji industriale, raporton usnews.

Obama do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel, para hapjes së panairit. Presidenti pritet të shfrytëzojë këtë vizitë për të diskutuar një marrëveshje për tregti trans-atlantike, e cila ka për qëllim tregtinë e lirë mes Amerikës dhe BE-së.

Në intervistat e mëparshme Obama ka thënë se do të duhen deri në 10 vite që një bashkëpunim tregtar i tillë të arrihet dhe se beson se negocimi me Britaninë e madhe do të ishte më i vështiri.

Austria sot zgjedhjet presidenciale

Austria po mban sot zgjedhjet presidenciale, në një kohë kur po vërehet pakënaqësia e votuesve me mënyrën se si qeveria po e trajton krizën me emigrantë.

Për herë të parë, presidenti i ardhshëm i vendit do të jetë me gjasë dikush që zyrtarisht nuk përkrahet nga asnjëra prej dy partive të mëdha, të cilat e kanë dominuar politikën e vendit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kandidati Social-demokrat, Rudolf Hundstorfer, ka 15 për qind të përkrahjes, ndërsa Andreas Khol, homologu i tij nga Partia Popullore, ka 11 për qind. Kjo krahasohet pastaj me mbështetjen në mes të 22 dhe 24 për qind për kandidatin e Partisë së Lirisë, Norbert Hofer.

Protesta para arritjes së Obamës në Gjermani

Protesta në Hanover, 23 prill 2016

Mijëra njerëz kanë protestuar në qytetin gjerman të Hanoverit, para arritjes së presidentit amerikan, Barack Obama, për të kundërshtuar një marrëveshje të propozuar transatlantike.

Plani i Obamës është të qëndrojë në qytetin verior në një panair të teknologjisë industriale, si dhe të takohet me kancelaren Angela Merkel, si dhe liderë të tjerë evropian, për t’i dhënë shtytje negociatave për Marrëveshjen Transatlantike dhe Partneritetin Investues.

Ky pakt ka hasur në kundërshtime të mëdha në disa pjesë të Evropës. Kundërshtarët e saj kanë reaguar kundër atyre që i quajnë “bisedime sekrete”, dhe druhen nga ulja e tregut të punës dhe mbrojtja e mjedisit.

Zyrtarët kanë thënë se më shumë se më shumë se 16 mijë njerëz morën pjesë në protestën e sotme në Hanover. Një protestë e ngjashme u mbajt në Berlin, në muajin tetor, në të cilën morën pjesë më shumë se 200 mijë njerëz.

Presidenti Obama në Teatrin Globe në Londër

Londra, Stratfordi por edhe qytete të tjera britanike kanë organizuar aktivitete nga më të ndryshmet për të kujtuar 400 vjetorin e mjeshtrit të madh.

Presidenti Obama, aktualisht në vizitë në Britani, shfrytëzoi rastin dhe vizitoi teatrin Globe ku ndoqi për 10 minuta pjesë nga tragjedia Hamleti, përfshirë edhe monologun e famshëm “Të rrosh a të mos rrosh”. Teatri Globe është objekti më i dashur londinez në kujtim të dramaturgut të madh.

Teatri është ndërtuar që të marrë dritë direkte nga jashtë dhe për interpretime në skenë të hapur, pak a shumë në formë të ngjashme me interpretimet në kohën e Shekspirit.  Pasi ndoqi për 10 minuta pjesën teatrale, presidenti Obama u takua me aktorët dhe u shprehu përshtypjet e tij për interpretimin “Ishte e mrekullueshme, nuk do të doja të mbaronte kurrë”.

Gjatë një interviste në 2008, Presidenti Obama ka përmendur tragjeditë e Shekspirit si një ndër tre influencat kryesore letrare të jetës së tij, së bashku me veprën Këngët e Solomonit të Toni Morrison dhe Për Kë Bien Kambanat të Heminguejt.

Globi është e vetmja ndërtesë në Londër që ka leje për të pasur çati prej kashte. Ajo është një kopje e teatrit origjinal që dikur zotërohej pjesërisht nga Shekspiri, por që u dogj në vitin 1613.

Presidenti Obama porosit të rinjtë britanikë të jenë optimistë

Presidenti amerikan, Barack Obama

Gjatë qëndrimit në Britani të Madhe, presidenti amerikan, Barack Obama, sot ka mbajtur një takim publik me të rinjtë në Londër.

Ai ka folur për thirrjet e reja që disa individë po i bëjnë për izolim dhe ksenofobi, si dhe këndvështrimet e disave për të mos qenë pjesë e debateve demokratike. Sipas tij, ato janë reagime ndaj ndryshimit të kohës dhe pasigurisë. Por, Obama ka thënë se u përgjërohet të rinjëve që t’i refuzojnë thirrjet e tilla.

“Jam këtu për t’ju kërkuar që t’i refuzoni nocionet se ndodheni nën kthetrat e forcave që nuk mund t’i kontrollojmë, dhe dua që ju ta keni një këndvështrim më optimist të historisë dhe rolit që ju mund ta luani në të. Dua që ta përqafoni këndvështrimin e njërit prej paraardhësve të mi, presidentit John F.Kennedy, i cili dikur thoshte: ‘Problemet tona janë të krijuara prej njerëzve, kështu që ato mund të zgjidhen nga njerëzit. Dhe njeriu mund të jetë aq i madh sa do ai”, citohet të ketë thënë Obama para të rinjëve britanikë.

Ai i ka ftuar të rinjtë që ta refuzojnë pesimizmin dhe cinizmin, ta kuptojnë se progresi është i mundshëm dhe se problemet mund të zgjidhen.

Presidenti Obama: Dalja nga BE dëmton marrëveshjet SHBA-Britani

Presidenti amerikan Barak Obama është angazhuar me komente në një debat shumë të ndezur aktualisht në Britani, atë lidhur me të ardhmen e Britanisë në Bashkimin Evropian. Votuesit britanikë do të thonë fjalën e tyre lidhur me këtë dilemë në referendumin e 23 qershorit.

Në komentet që bëri sot duke dalë para gazetarëve së bashku me Kryeministrin britanik David Cameron, zoti Obama tha se Britania është në formën më të mirë kur është në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se Britania do të dalë në fund të radhës për sa u përket marrëveshjeve tregtare me Shtetet e Bashkuara, nëse shkëputet nga BE.

“Do ta them hapur, Në fund të fundit, votuesit britanikë janë ata që duhet të vendosin për veten. Por marrëdhënia jonë speciale, miqësia jonë e kërkon që të jem i sinqertë dhe ta bëj të qartë çfarë mendoj. E thënë me sinqeritet, rezultati i këtij vendimi është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara, pasi prek edhe interesat tona,” tha zoti Obama.

Deklaratat e Presidentit Obama u pritën me kritika të ashpra nga ata që mbështesin daljen e Britanisë nga BE-ja. Kryetari i bashkisë së Londrës Boris Johnson, një ndër figurat më të njohura të lëvizjes për shkëputje, tha se udhëheqësit amerikanë kurrë nuk do të pranonin një organizëm si BE-ja për veten e tyre.

Stoltenbergu: Numri i emigrantëve ka rënë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se numri i emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë detin Egje nga Turqia për në Evropë po bie ndjeshëm. Por ai shtoi se kontrabandistët mund të ndryshojnë rrugët e trafikimit prandaj autoritetet nuk duhet t’i pakësojnë para kohe përpjekjet e sigurisë.

Duke folur sot në Ankara, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha se në bazë të informacioneve të Aleancës, numri i emigrantëve ka rënë, si rezultat i ndihmës së NATO-s me operacionet në detin Egje.

“Turqia ka ndërmarrë veprime për të ndihmuar në frenimin e trafikimit të njerëzve. Shifrat e organizatave të ndryshme konfirmojnë se numri i emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë detin Egje po pakësohet ndjeshëm,” tha zoti Stoltenberg.

Por ai paralajmëroi se emigrantët vazhdojnë të përpiqen për të kaluar dhe se numri i tyre mund të rritet përsëri në qoftë se NATO-ja dhe partnerët e saj i ndalin përpjekjet.

“Ne kemi parë një pakësim të ndjeshëm në shifra. Por unë mendoj se është e rëndësishme të mos e ndalim punën tepër herët. Sepse ne ende shohim që kontrabandistët vazhdojnë përpjekjet për kalimin e njerëzve nëpër Egje. Nëse i ndërpresim veprimet tona, atëherë mund të shohim shtimin e numrit të atyre që përpiqen për të kaluar Egjeun në mënyrë të paligjshme dhe të rrezikshme”, tha zoti Stoltenberg.

Turqia dhe BE-ja muajin e kaluar nënshkruan një marrëveshje që synon t’i japë fund hyrjes kaotike të emigrantëve dhe refugjatëve në Evropë. Më shumë se 1.1 milion hynë në BE gjatë vitit të kaluar, kryesisht nëpërmjet Greqisë nga Turqia.

Ndërkohë, sot, rreth 235 emigrantë u sollën në portin sicilian të Augustës pasi u shpëtuan në det.

Shumica ishin nga Eritrea, Egjipti, Sudani dhe Siria. Mendohet se ata ishin nisur nga Egjipti për të kaluar drejt Italisë. Ata u kapën në det mes Maltës dhe Greqisë, me një operacion të përbashkët italian dhe grek shpëtimi.

Papa Françesku: Kurrë afër mëkatit, gjithnjë pranë mëkatarit

Me mëkatin nuk duhet rënë kurrë në kompromis, ndërsa mëkatarët duhen trajtuar me mëshirë. Këtë na mëson Krishti në Ungjillin, që Papa Françesku e thelloi gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 30 mijë vetëve.

Maska e pastër, që tregon përçmueshëm me gisht tjetrin – nësa nuk dihet fare ç’fshihet pas kësaj dukjeje të bukur – e fytyra e sinqertë, e pushtuar nga dhimbja, që lyp përvujtërisht falje për të keqen e bërë. Nga cila anë është Zoti, me cilën fytyrë? Na e tregon vetë Jezusi në Ungjill, e jo në një, por në një mori episodesh.

Mëkati e mëkatari

Papa Françesku u ndalua mbi një aspekt të mëshirës, pasqyruar mrekullisht mirë në fragmentin ungjillor të Shën Lukës. Bëhet fjalë për një ngjarje, që i ndodhi Jezusit, ndërsa ishte mysafir tek një farize me emrin Simeon. Ky e kishte ftuar Jezusin në shtëpinë e tij, sepse kishte dëgjuar të flitej për të, si për një profet të madh. E ndërsa ishin ulur në sofër, hyn një grua e njohur në të gjithë qytetin si mëkatare e madhe. Pa thënë asnjë fjalë, ajo i bie Jezusit ndër këmbë, ia fshin me flokët e saj të gjatë, pastaj ia puth e ia lyen me vaj aromatik, të cilin e kish sjellë me vete.

Rreth kësaj skene u shtjellua katekizmi i audiencës së sotme, për t’u kujtuar besimtarëve se Fjala e Zotit na mëson ta dallojmë mëkatin nga mëkatari. Farizeu, i shkandulluar nga sjellja e Jezusit, që e lë gruan të bëjë ç’të dojë tek këmbët e Tij, nuk  mund ta kuptojë sesi një Rabbi mund të lejojë të molepset nga një grua, që shikohej si e gërbulur në gjirin e shoqërisë ku jetonte:

“Kjo sjellje është tipike për një lloj mënyre të të kuptuarit të fesë, e motivohet me faktin se Zoti e mëkati i kundërvihen rrënjësisht njëri-tjetrit.  Por Fjala e Zotit na mëson të bëjmë dallim ndërmjet mëkatit e mëkatarit: me mëkatin nuk duhet rënë kurrë në kompromis, ndërsa mëkatarët – domethënë ne të gjithë – janë si të sëmurët, të cilët duhen mjekuar, prej këndej,  kanë nevojë për mjekun që t’u afrohet, t’i vizitojë, t’i prekë”.

Shikoje mëkatin tënd

Në krahasim me farizeun – shpjegoi Papa – Jezusi është i lirë, i lirë sepse pranë Zotit, pranë Atit të mëshirshëm, madje, duke hyrë në lidhje me mëkataren, Jezusi i jep fund  gjendjes së izolimit, me të cilën e kishte dënuar gjykimi i pamëshirshëm i farizeut dhe i bashkëqytetarëvet të saj:

“Të gjithë jemi mëkatarë, por shumë herë biem edhe në tundimin e hipokrizisë, në tundimin për t’u dukur më të mirë se të tjerët. Por, shikoje mëkatin tënd…Të gjithë ne i shikojmë mëkatet tona, rrëzimet tona, gabimet tona e shikojmë edhe Zotin. Kjo, udha e shëlbimit; lidhje ndërmjet ‘un-it’ mëkatar e Zotit. Nëse unë e ndjej veten të drejtë, nuk mund ta krijoj këtë lidhje”.

Do më shumë, atë që të fal më shumë

Jezusi i përgjigjet pakënaqësisë së farizeut, duke treguar në atë ças historinë e dy huamarrësve, të cilëve huadhënësi ua fal borxhet, njëri më i madh se tjetri. Historia përfundon me pyetjen: “Kush prej tyre, thua, do ta dojë më shumë?”:

“Gruaja mëkatare na mëson lidhjen ndërmjet fesë, dashurisë e mirënjohjes. Iu falën shumë mëkate e prandaj edhe do shumë, shumë. Ndërsa ai, të cilit iu fal pak, pak edhe do të dojë. Edhe vetë Simeonit i duhet të pranojë se do më shumë ai, që pasi u dënua më shumë, edhe u fal më shumë. Zoti i përfshin të gjithë në misterin e mëshirës së Tij: e jep atë dashuri, që na prin gjithnjë e na mëson të gjithë neve të duam”

Mëshirë që rrëmbush shpirtin

Ndërmjet shërbyesit të zellshëm të ligjit dhe mëkatares së paemër, Françesku i ftoi të krishterët t’i përngjasin së dytës, duke i lypur Zotit hirin e begatë, që ta rrëmbush shpirtin me mëshirën e Tij:

“Ta lëmë dashurinë e Krishtit të dikohet begatisht në ne; nga kjo dashuri thith dishepulli e mbi të mbështetet; kushdo mund të ushqehet me këtë dashuri. Kështu, përmes kësaj dashurie mirënjohëse, që pastaj e dikojmë edhe ne mbi vëllezërit tanë, në shtëpitë tona, në familjet tona, në shoqëri,  u komunikohet të gjithëve mëshira e Tënzot”.

Ndërmjet përshëndetjeve përfundimtare në Shesh, Papa iu drejtua besimtarëve e pranishëm, ardhur nga vendet e prekura prej tragjedive të rënda e të dyfishta: të dëmtuarve nga tërmeti në Ekuador, e të dëmtuarve nga pasojat e Çernobilit dhe të konfliktit të armatosur, në Ukrainë.

Mbi 330 000 emigrantë kanë fituar azil në Evropë

Agjencia për Statistika e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se vendet e BE-së u kanë dhënë azil mbi 330 000 emigrantëve vitin e kaluar.

Eurostat ka thënë se 333 350 personave u është dhënë mbrojtje ndërkombëtare në vitin 2015.

Shifra është 72 përqind më e lartë se në vitin 2014.

Rreth gjysma e përfituesve të azilit, përkatësisht 166,100 veta janë shtetas sirianë, pastaj 27,600 janë nga Eritrea dhe 23,700 nga Iraku.

Gjermania ka miratuar shumicën e kërkesave për azil. Suedia ka qenë e dyta, pastaj Italia, Franca, Birtania, Austria dhe Holanda.

Vendet e Bashkimit Evropian që kanë pranuar më pak se 100 veta, përfshijnë Kroacinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Slloveninë dhe Sllovakinë.

Mbi një milion veta, shumica nga Lindja e Mesme, kanë arritur vitin e kaluar në Evropë.

Stoltenberg: Mosmarrëveshje të thella midis NATO-s dhe Rusisë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca dhe Rusia kanë zhvilluar “bisedime të sinqerta dhe serioze”, pavarësisht “mosmarrëveshjeve të thella”.

Ambasadorët e NATO-s dhe të Rusisë janë takuar sot në Bruksel për herë të parë në afro dy vjet.

Duke folur pas takimit, Stoltenberg ka thënë se palët “nuk pajtohen për faktet dhe përgjegjësitë në Ukrainë”.

“Pasi veprimet e Rusisë kundër Ukrainës kanë çuar në gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona, aleatët e NATO-s e kanë bërë të qartë se ata vazhdojnë të mbështesin fuqishëm sovrantitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Aleatët nuk e njohin aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka përsëritur se Rusia vazhdon të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës me municion dhe financa.

NATO-ja ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Moskën në prill të vitit 2014, një muaj pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina.

Prej atëherë, Këshilli NATO-Rusi është takuar vetëm një herë, në qershor të vitit 2014.

Megjithatë, Stoltenberg është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në disa raste gjatë viteve të fundit.

IS-i besohet se ka dërguar të tjerë luftëtarë në Evropë

Autoritetet belge kanë thënë se janë duke hetuar disa informacione, të cilat sugjerojnë se grupi militant Shteti Islamik (IS) ka dërguar më luftëtarë në Evropë.

“Sinjalet tregojnë se Shteti Islamik ka dërguar sërish luftëtarë në Evropë, në vendin tonë”, ka thënë Paul Van Tigchelt, udhëheqës i Qendrës për Analiza të Kërcënimit të Sigurisë në Belgjikë.

Ai nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka thënë se Belgjika do të mbetet në gjendje gatishmërie sepse “kërcinimi ekziston, është serioz dhe i mundshëm”.

Van Tigchelt ka shtuar se autoritetet belge besojnë se kanë “destabilizuar” një rrjet që ka kryer sulmet vetëvrasëse në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion të metrosë së qytetit, më 22 mars.

Në këto sulme janë vrarë 32 veta.

Autorët kanë pasur lidhje të afërta me grupin që ka kryer sulmet në Paris, nëntorin e kaluar, duke vrarë 130 njerëz.

Në Gjermani arrestohen pesë themeluesit e grupit terrorist djathtist

Në një deklaratë të Zyrës së Prokurorisë Federale thuhet se pesë shtetas gjermanë janë arrestuar sot në mëngjes, ndërsa janë bastisur disa apartamente në shtetin lindor të Saksonisë

BERLIN – Zyra e prokurorisë gjermane tha të enjten se pesë persona janë arrestuar me dyshimin se kanë formuar një grup terrorist të krahut të djathtë për sulmet ndaj shtëpive të refugjatëve dhe objekteve të tjera.

Në një deklaratë të Zyrës së Prokurorisë Federale thuhet se pesë shtetas gjermanë janë arrestuar sot në mëngjes, ndërsa janë bastisur disa apartamente në shtetin lindor të Saksonisë.

Më tej sqarohet se të arrestuarit kishin formuar “Grupin Freital”, të emëruar sipas periferisë së Dresdenit, ku, në korrik të vitit të kaluar janë mbajtur disa protesta kundër refugjatëve dhe incidente të tjera. aa

Themeluesi i Pegidas sot para gjyqit

Lutz Bachmann

Themeluesi i lëvizjes anti-islamiste në Gjermani, Pegida, do të dalë në gjyq për gjuhë të urrejtjes.

Lutz Bachmann akuzohet se ka nxitur urrejtje racore përmes disa postimeve në Facebook, në të cilat ai i ka quajtur refugjatët “kafshë” dhe “plehra”.

Gjyqi i tij do të mbahet sot në Drezden.

Tubimet e Pegidas kanë tërhequr mijëra mbështetës në Gjermani.

Lëvizja është shpërndarë në disa vende prejse është lansuar në vitin 2014.

Gjykata në Drezden ka thënë se Bachmann ka penguar rendin publik me komente që përmbajnë sulme mbi dinjitetin e refugjatëve.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me dënim prej tre muajsh deri në pesë vjet burgim.

Dyshohet për qindra emigrantë të mbytur në Mesdhe

Shumë njerëz besohet se janë mbytur pasi anija e tyre është fundosur në Detin Mesdhe.

Dyzetenjë të mbijetuar, shumica emigrantë nga Afrika Lindore, kanë folur për BBC-në në qytetin grek Kalamata, ku edhe po mbahen.

Ata kanë thënë se deri në 500 njerëz mund të kenë vdekur, edhe pse nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për incidentin.

Ngjarja ndodh në prag të njëvjetorit të fundosjes së një anijeje me migrantë, në ujërat midis Libisë dhe Italisë, ku kanë humbur jetën rreth 800 veta.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se 180,000 migrantë kanë bërë përpjekje të arrijnë Evropën këtë vit përmes detit.

Sipas OKB-së, afro 800 jetë njerëzish janë humbur në ujëra në vitin 2016.

Mbi 50 milionë votues italianë do të vendosin sot për fatin e platformave të naftës në det

Votuesit në Itali sot në referendum do të votojnë për leje të përhershme për kompanitë lidhur me pompimin e naftës dhe gazit nga deti italian

ROMË  – Votuesit në Itali sot në referendum do të votojnë për leje të përhershme për kompanitë lidhur me pompimin e naftës dhe gazit nga deti italian.

Afër 50.6 milionë votues do t’i përgjigjen pyetjes së referendumit për mbetjen apo shfuqizimin e ligjit që qeveria e koalicionit të kryeministrit Matteo Renzi i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, i cili siguron se kompanitë mund të bëjnë pompimin e naftës dhe gazit natyror nga deti italian pa kufizime kohore.

Vendvotimet janë hapur këtë mëngjes në ora shtatë sipas kohës lokale, ndërsa mbyllja e vendvotimeve është planifikuar për 23 orë. aa

Gianroberto Casaleggio: Lideri i Lëvizjes të Pesë Yjeve është vetë Lëvizja – Liria është si këndon Gaber, pjesëmarrje!

Si këndonte Gaber “Liria është pjesëmarrja”

Voal.ch sjell për lexuesin intervistën e fundit të Gianroberto Casaleggio-s, Gurusë, ideologut dhe bashkëthemeluesit të Lëvizjes të Pesë Yjeve – M5S dhënë për La Stampa, më 15 dhjetorin e vitit të shkuar, 4 muaj pa tre ditë përpara 12 prillit kur dha frymën e fundit në një klinikë të Milanos.

Casaleggio: “Lëvizja e Pesë Yjeve do t’i bëj italianët të vetëdijshëm që si qytetarë të vendosin vetë për jetën e tyre dhe mos delegojnë të tjerë  për këtë gjë.”

     I  N  T  E  R  V  I  S  T  A

Është normale, nëse një lëvizje duhet të mendojë për jetëgjatësi, a duhet të mbetet e pandotur nga themeluesi ?
“Po, përndryshe ajo nuk mund të mbijetojë. Shikoni se çfarë ka ndodhur me Berluskonin.”

Pse ky veprim tani?
“Kjo mund të  kishte ndodhur në tre muaj. Ne kemi bërë një ndalesë, një pit-stop për të ndërruar gomat, ndërsa të tjerët shpejt do të mbeten pa benzinë. ”

Si funksiononi me Beppe Grillo-n?
“Ne dëgjohemi shpesh dhe shihemi gjatë muajit, në Milano ose Gjenovë. Nuk kemi një metodë funksionimi, përveçse ndajmë idetë dhe kur duhet marrim vendime. ”

Një herë Bruce Sterling ka krahasuar Beppe Grillon me Garibaldin dhe ju me Mazzini-n. Më pas ai shtoi se problemi i M5S ishte se nuk kishte një Cavour në parlament apo nuk ishte e gatshme për të qeverisur. Mund të jetë Luigi Di Maio ose Alessandro Di Battista?

“Sterling i referohej një epoke tjetër historike, kombinimet e tij mund të jenë interesante, por në M5S nuk ekziston as Garibaldi ose Mazzini as Cavour. Lideri i M5S është vetë M5S, emrat nuk janë të rëndësishme, por programi dhe pjesëmarrja. Kjo nuk është një lojë tenisit apo lojë futbolli, ku dikush do të fitojë e dikush do të humbasë. Është ashtu si këndonte Gaber “Liria është pjesëmarrja”. Qëllimi ynë është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në çështjet publike, demokracia e drejtpërdrejtë pa liderë. ”

Në pranverë votohet në disa qytete kryesore, duke përfshirë Milano, Romë, Torino, Napoli, Bolonja. Ku keni mundësinë  të fitoni?
“Parashikimi im është se ne do të përmirësojmë kudo rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme lokale. Ne do të përpiqemi që edhe kur kemi balotazh, të fitojmë. Qytetarët tashmë  kanë bërë zgjedhje të shkëlqyera si Chiara Appendino në Torino, Patrizia Bedori në Milano e Massimo Bugani në Bologna. Në të ardhmen do të votohet në internet kandidati për kryetar bashkie i Romës. Në vitin 2016 do të shkojnë për të votuar në 1283 komuna të mëdha e të vogla dhe Lëvizja e Pesë Yjeve, M5S do të përpiqet të jetë e pranishme në çdo komunë me një listë. ”

Appendino është një zgjedhje ekscentrike në krahasim me profilet tuaja të tjera, apo jo?
“Lëvizja nuk është krijuar vetëm nga  njerëzit alternative, por edhe për të zhbërë mitet. Appendino dikur kishte për t’u quajtur borgjeze, ajo ka studiuar në Universitetin Bocconi, ka treguar se di të punojë në kompani. Pra është OK. ”

A mendon ende se interneti është një mjet efektiv për të seleksionuar dhe zgjedhur kandidatët?
“Sigurisht, unë kurrë nuk e kam ndryshuar mendjen në këtë pikë. Mendoj për rrjetin e internetit si për një inteligjencë kolektive. Sot janë regjistruar në M5S rreth 130 mijë njerëz dhe kjo shifër vazhdon të rritet. Deri më tani ka pasur pak raste në përqindje të kandidatëve, nga 1600 të zgjedhur që janë provuar si të papërshtatshëm si rezultat i votimit në internet. ”

Prioritetet  në axhendën politike?
“Ky është i njëjti argument për kandidatët, nëse është e mundur duhet forcuar. Qytetarët duhet të zgjedhin prioritetet dhe metodat e ndërhyrjes. Prioritetet nuk mund të zbresin nga lart, dmth nga politika, politika nuk mund t’i imponojë prioritetet, ato i vendosin qytetarët. ”

Çfarë ndodhi me Rousseau, sistemin operativ dixhital për menaxhimin e Lëvizjes?
“Është i vonuar, e di, por në rrugë.”

Ku e shihni veten pas pesë vitesh? Ende si kreu i Lëvizjes të Pesë Yjeve, paçka se juve ju pëlqen të thoni se jeni garant i saj apo do t’ja dedikoni kohën tuaj diçkaje tjetër ?
“Interesi im kryesor është Rrjeti dhe ndryshimet që mund të ndodhin në realitetin e përditshëm. Edhe gjatë pesë viteve, si tani, unë do të mbulojë këtë, madje edhe në aspektin profesional, si një konsulent për organizata. Unë do të shpenzoj më shumë kohë me familjen time dhe miqtë e mi. Unë gjithashtu mund të kujdesem për një pyll të vogël  e të braktisur në vite që e kam blerë në Canavese. ”

Supozojmë se ju japin më tepër pushtet për të zgjidhur problemet urgjente të këtij vendi. Çfarë do të bëni?
“Do t’i bëj italianët të vetëdijshëm që si qytetarë të vendosin vetë për jetën e tyre dhe mos delegojnë të tjerë  për këtë gjë.”

Si do ta menaxhoni terrorizmin?
“Siç kemi thënë në parlament. Më shumë shpenzime për inteligjencën, të mos bëjmë biznes me vende si Arabia Saudite, të mos i japim shansin ISIS  të vazhdojë të shesë naftë, me të ardhura vjetore prej 500 milion. ”

Sipas mendimit tuaj çfarë është duke ndodhur?
“Ky është një kthim i Fuqive Qendrore: atëher Gjermania, sot Evropa; Perandoria Osmane, Rusia. Ndryshojnë aleancat, por problemi i vërtetë është se në Lindjen e Mesme ne kemi krijuar kufijtë me sundimtarin. Dhe tani historia na paraqet faturën. ”

Çështja e migrimit është një urgjencë globale. Si do të përballeshit me këtë problem?
“Migrimi është një efekt. Ne duhet të eliminojmë shkaqet. Pra luftërat, grabitjen e lëndëve të para dhe nga të njëjtat  territore të  vendeve nga të vijnë, të ndalohet shitja e armëve dhe të inkurajohen investimet në vendet e përfshira. Për emigrantët pastaj të përshpejtohen procedurat e njohjes të statusit të azilantit, të cilat shpesh i tejkalojnë dy vjet. Duhet të jepet njohja e azilit brënda 30 ditësh nga dita kur bëhet kërkesa, me një vendim brënda tri ditësh për ata që janë refugjatë dhe ata që janë klandestinët dhe gjithashtu duhet të eleminohet Rregullorja e Dublinit që e detyron refugjatin të mbetet në vendin e parë të mbërritjes, që ia ndalon të drejtën për të lëvizur lirisht në hapësirën BE, duke i detyruar që të mbeten në Itali ose Greqi.”

Në periudhën më të keqe të krizës ekonomike ju keni thënë: “Se nuk flasim kurrë për vlera, të vetmet që na ndihmojmë t’i tejkalojmë krizat.” Krizat jemi duke i arkivuar, po vlerat?
“Kriza nuk është arkivuar aspak, ju duhet të pyesni njerëzit që kanë humbur vendet e punës, të cilët nuk mund të paguajnë këstin e shtëpisë dhe për t’u kuruar duhet t’i drejtohen trajtimit privat kostot e të cilit është i pamundur t’i përballojnë pas shkurtimeve të qeverisë. Disa të dhëna: norma e papunësisë italiane është 11.8%, dyfishin e vendeve në hapësirën OCDE që është 6.7%; Familjet italiane kanë vështirësi gjithnjë e më shumë me pagesën e shpenzimeve që lidhen me pagesat e kësteve, qerave. Është fjala për 3 milionë italianë që bëjnë 11.7% të popullsisë; Raporti Censis vë në dukje se 41,7% e familjeve italiane kanë hequr dorë të paktën nga një shërbim shëndetësor prej shpenzimeve shumë të kripura dhe listat e pritjes janë shumë të gjata. Kjo qeveri ka shkurtuar shpenzimet për kujdesin shëndetësor më tepër se çdo qeveri e mëparëshme. Vetëm një vit më parë Fondi Shëndetësor Kombëtar ishte 112 miliardë dhe pritej në 2016 të shkonte në 115.4 miliardë Euro, por gjatë vitit 2015 Fondi është ulur në 109.7 miliardë euro dhe parashikimin për vitin 2016, si rezultat pritet të jetë 113.1 miliardë; në ligjin për Stabilitetin e vitit 2016 të shqyrtuar në Senat, qeveria i ka rritur shkurtimet.  Janë edhe 2 miliardë të tjerë shkurtime në Fondin Shëndetësor Kombëtar, i cili në vitin 2016 do të zbresë në 111 miliardë. Sa për vlerat, solidaritetin, mbrojtjen e mjedisit, tejkalimin e totemit të parasë dhe pasurimit me çdo kusht, këto nuk janë marrë ende në konsideratë nga politika. ”

Presidenti i INPS Tito Boeri ka bërë kohët e fundit një propozim të ngjashëm me tuajin sa i përket të ardhurave bazike për qytetarët. Çfarë mendoni ju?
“E konsideroj shfaqjen një tjetër rënie, si ajo e Michele Emiliano, guvernatorit të Pulias. M5S ka paraqitur një projektligj mbi të ardhurat bazike të qytetarit, që nuk e dëshiron asnjë aparat i sistemit, prej qeverisë, partive, sindikatave. Të ardhurat bazike të qytetarit janë kërkuar prej kohësh nga BE, në Europë ky problem nuk është i pranishëm vetëm në Itali dhe Greqi, e drejta e një jete dinjitoze edhe për ata që kanë humbur vendin e punës deri në gjetjen e një pune tjetër. Nuk është ajo që propogandon qeveria, një lloj asistence, por një ndihme për ata që janë në nevojë, të cilëve u hiqet kjo e drejtë nëse refuzojnë tre vende pune të propozuara. Shtesa prej 15 miliardë Euro është bërë për një pagesë mujore në shumën 780 Euro, kur nuk kanë të ardhura të tjera, është gjetur si zgjidhje dhe e certifikuar nga M5S, e siguruar duke shkurtuar abuzimet, diçka që është e dokumentuar. ”

Një nga mendimtarët të cilët shpesh citoni është David Graeber, frymëzuesi i lëvizjes Occupy Wall Street. Tani ai pretendon se kanceri i shoqërisë sonë është burokracia. Pajtoheni?
“Vetë burokracia në vetvete nuk është nuk është e mirë apo e keqe. Problemi është teprimi i burokracisë. Burokracia e panevojshme duhet të eliminohet. Kjo është e vështirë, sepse burokracia ushqen veten dhe burokratët nuk duan të humbasin privilegjet e tyre. Shumëzohen me njëri-tjetrin si amebat. Problemi themelor nuk është burokracia, por mungesa e ndershmërisë, e cila me kalimin e kohës ka gërryer dhe korruptuar shoqërinë tonë.”

Ishit në EXPO?
“Jo. EXPO ishte një iniciativë që mund të shkonte  në fillim të shekullit të shkuar. Sot për qasje në informata është interneti. Dhe pastaj slogani “Feeding Planet” – “Ushqim Planetit” – bie në kontradiktë me  një milion metra katrore të tokës bujqësore ku u shtri EXPO. Kështu sikur duam t’i japim çimento në vend të bukës disa dhjetra miliona të uriturve ? Kush do të ketë një ide të qartë për EXPO, larg propagandës, i këshilloj librin e Gianni Barbacetto “Excelsior, il gran ballo dell’Expo”.

Kryeministri Renzi thotë se ura mbi ngushticën e Mesinës do të ngrihet. Çfarë mendoni ju?
“Kjo nuk është një prioritet dhe as një domosdoshmëri. Sicilia është pa ujë dhe ka probleme të mëdha të infrastrukturës. Ura mund të presë, edhe sepse shpenzimet e saj do të arrijnë në 8.5 miliardë euro. ”

Një herë më keni thënë se nuk shikoni kurrë TV, sepse koncepti i palinsestit linear ka marrë fund.  Por, nëse do të kishte akses në Netflix, ndoshta do të mendonit dhe do ta hapnit. Tani që Netflix ka mbërritur tek ne. Çfarë  bëni?
“Unë do të shikoja Netflix, si e kishte parashikuar, por sapo ka filluar. Është një akt, një revolucion i atij që deri më tani e kemi quajtur televizzor, që do të duhej të quhej “main screen”, “ekrani kryesor” që lidhet me të ashtuquajturin “second screen” – “ekranin e dytë”, që me çdo pajisje të lëvizëshme si për shembull një një smartphone të lidhur në internet, që ka aplikime për të bashkëvepruar si me programin televiziv ashtu edhe me rrjetet sociale të përdoruesve të lidhur. Më në fund është bashkim i TV të vjetër me rrjetin, dhe ne jemi vetëm në fillim. ”

Keni ndonjë ide për skandalin e Vatileaks?
“Në Vatikan ajo është duke u luajtur akti i thikave të gjata.” /E shqipëroi Elida Buçpapaj

29cb4164d56d57b9ba13db19bf7f7f20-kb7H-U10701020420808H8C-1024x576@LaStampa.it

 

Papa Françesku sot mes refugjatëve në Lesbos

Papa Françesku vizitoi sot një kamp refugjatësh në ishullin Lesbos.

Fëmijë e të rritur vajtonin në kompleksin e strehimit, duke iu drejtuar Atit të Shenjtë me fjalë përgjërimi pasi udhëtimi i tyre i gjatë drejt Evropës Perëndimore u ndërpre, kur u bllokua rruga e kalimit nga Greqia drejt veriut.

Disa fëmijë i dhuruan Papës punime arti që kishin bërë në kamp. Ati i Shenjtë ia kaloi një prej ndihmësve të tij një vizitatim të një fëmije me fjalët: “Mos e palos, se do ta vë në tavolinën e punës”.

Më parë sot, televizioni shtetëror grek njoftoi se Papa Françesku kishte në plan të merrte 10 refugjatë me vete, për t’i sistemuar në Vatikan. Tetë prej tyre janë sirianë. Emrat e refugjatëve u zgjodhën me short këtë javë. Ndihmësit e Papës nuk pranuan të komentojnë, por thanë se hollësitë do të dalin gjatë ditës.

Akti i Papës vjen ndërkohë që Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje të kritikuar nga shumë aktorë, për të deportuar refugjatët.

Papa Françesku do të marrë me vete në Itali 10 refugjatë

Raportohet se Papa Françesku ka ofruar që t’i marrë me vete në Itali 10 refugjatë, pas vizitës që po e realizon në ishullin grek Lesbos.

Televizioni shtetëror grek, ERT ka raportuar se tetë sirianë dhe dy afganë e kanë mundësinë që të largohen nga ishulli bashkë me Papën, kur ku i fundit ta përfundojë sot vizitën në Greqi.

Përfshirja e afganëve do të ishte një veprim simbolik, meqë Bashkimi Evropian nuk i konsideron më të gjithë afganët si refugjatë dhe nuk i përfshinë ata në mesin e shtetasve që u aprovohen aplikacionet.

Papa Françesku po e viziton një qendër të refugjatëve në ishull. Aty ai po takohet me refugjatët dhe do të drekojë me disa prej tyre.

Papa Grançeskut i është bashkuar lideri shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në botë, Patriarku Bartholomew.

Kjo vizitë e Papës po konsiderohet si veprim i guximshëm për të shprehur solidaritetin me migrantët, çështja e të cilëve ka turbulluar politikën evropiane.

Vatikani tha se vizita e Papa Françeskut në ishullin Lesbos është krejtësisht humanitare dhe fetare për nga natyra, dhe se nuk ka qëllim që të jetë e natyrës politike apo kritikuese ndaj politikave të Bashkimit Evropian.

Ishulli grek ka pranuar me qindra mijëra azilkërkues, e shumë migrantë të tjerë kanë kaluar përmes këtij vendi. Lesbosi konsiderohet si një nga ven


Send this to a friend