VOAL

VOAL

Udhëheqësit e BE-së të qetë pas fitores së Macronit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian morën frymë lirisht, duke shijuar fitoren e kandidatit Emmanuel Macron në garën presidenciale të Francës. Gazetat e kontinentit të vjetër, me frymë pro Bashkimit Evropian, përshëndetën fitoren e 39-vjeçarit ndaj kandidates të së djathtës ekstreme Marine Le Pen.

Nëse do të zgjidhej, Le Pen pati premtuar se do të nxirrte Francën nga eurozona dhe se do të hidhte në vote qëndrimin ose jo të vendit brenda Bashkimit Evropian.

Pas muajsh ballafaqimi me një valë nacionaliste populiste në të gjithë kontinentin si dhe përçarjeje politike për arsye të krizës së emigracionit, fitorja e fortë e Macronit shtron mundësinë e një fillimi të ri për Bashkim Evropian i përgatitur për të hyrë në negociata të ndërlikuara për daljen e Britanisë.

Fitorja e Macronit është përshëndetur në mbarë botën.

Presidenti amerikan Donald Trump e uroi nëpërmjet një komenti në Twitter fitoren zotit Macron, ku shkruante: “Urime Emmanuel Macronit për fitoren e tij të madhe si presidenti i ardhshëm i Francës. Pres me padurim për të punuar me të”.

Zoti Trump nuk kishte mbështetur publikisht asnjë kandidat përpara zgjedhjeve, por kishte lënë të kuptohej se në përgjithësi favorizonte pikëpamjet e Marine Le Penit.

Ish kandidatja për presidente Hillary Clinton, udhëheqësi i të drejtave civile në Amerikë Jesse Jackson si dhe kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio, ishin ndër ata që përgëzuan zotin Macron dhe popullin francez për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Fitorja e Macronit u përshëndet edhe nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në një koment në Twitter shprehej se ndihej “i lumtur që francezët zgjodhën një të ardhme evropiane”

Ndërkohë një zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, përshëndeti rezultatin duke e cilësuar si një “fitore për një Evropë të fortë dhe të bashkuar”.

Një çantë e dyshimtë në sheshin ku pritet të mbajë fjalim Macron

Forcat policore kanë rrethuar sheshin ku ndodhet një nga muzetë më të famshëm në botë, atë të Louvre-s, ndërsa ka larguar qytetarët dhe turistët nga zona

PARIS – Policia franceze ka gjetur një çantë të dyshimtë në sheshin ku kandidati për president i këtij vendi, Emmanuel Macron, do të mbajë një fjalim gjatë darkës.

Forcat policore kanë rrethuar sheshin ku ndodhet një nga muzetë më të famshëm në botë, atë të Louvre-s, ndërsa ka larguar qytetarët dhe turistët nga zona.

Thuhet se çanta është gjetur pranë çadrës e cila ishte përgatitur për pjesëtarët e mediave që do të ndiqnin fjalimin e Macron këtë mbrëmje.

Kujtojmë se gjatë fushatës elektorale, një person ka sulmuar me thikë një ushtar në këtë zonë.

Në dy vitet e fundit, të paktën 230 persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e sulmeve terroriste.

Zgjedhjet presidenciale të ditës së sotme në Francë në garën e së cilave është lideri i lëvizjes Marshimi, Emmanuel Macron dhe liderja radikale e djathtë, Marine Le Pen, zhvillohen ndërkohë që në vend ekziston gjendja e jashtëzakonshme. Ndërsa për ruajtjen e sigurisë së këtyre zgjedhjeve të paktën 50 mijë forca të sigurisë janë në detyrë.

Rezultatet pritet të dalin gjatë ditës së sotme. aa

Mbi 6 mijë emigrantë janë shpëtuar në Mesdhe në dy ditët e fundit

Fotografi nga arkivi

 

Mbi 6 mijë emigrantë janë shpëtuar në dy ditët e fundit, në Detin Mesdhe kanë thënë zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të flotës italiane.

Roja bregdetare italiane ka thënë se rreth 3 mijë persona janë shpëtuar më 6 maj, pothuajse numër i njëjtë i emigrantëve të shpëtuar më 5 maj.

Roja bregdetare ka thënë se flota italiane, agjencia e BE-së, Frontex dhe disa organizata joqeveritare kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit.

Disa prej emigrantëve të shpëtuar janë dërguar në Itali, ndërkaq 730 emigrantë, në një anije të Mjekëve pa Kufi, janë nisur po ashtu drejt brigjeve italiane.

Roja bregdetare libiane i ka thënë agjencisë Associated Press se ka shpëtuar 170 emigrantë më 6 maj por nuk ka mundur që të shpëtojë më shumë emigrantë për shkak të mungesës së burimeve.

Italia dhe Libia kanë bashkëpunuar në përpjekjet për të shpëtuar emigrantët, të cilët po marrin rrugën e rrezikshme detare për të arritur në Evropë.

Ogranizata ndërkombëtare për Emigrantë, ka thënë se 43,490 emigrantë kanë arritur në Evropë përmes detit, që prej 26 prillit.

Zyrtarët thonë se rreth 1 mijë emigrantë kanë vdekur këtë vit, ndërkaq mbi 4 mijë e 500 emigrantë, kanë vdekur ose konsiderohen të zhdukur dhe ka frikë se janë mbytur më 2016.

Juncker: Anglishtja po e humb rëndësinë në Evropë

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, tha në një konferencë në Itali se “anglishtja është duke humbur rëndësinë në Evropë”.

Pas tensioneve me Britaninë, për shkak të negociatave për daljen e saj nga BE-ja, Juncker tha se do ta mbajë fjalimin në Firence në frëngjisht.

“Ngadalë, por me siguri, anglishtja po e humb rëndësinë në Evropë. Franca po ashtu mban zgjedhje”, tha ai, duke shpjeguar përse ka zgjedhur të flasë frëngjisht.

Juncker e cilësoi vendimin e Britanisë për të lënë BE-në si “tragjedi”.

Komentet e tij për gjuhën janë përcjellë me të qeshura dhe duartrokitje.

“Do të negociojmë në mënyrë të drejtë me miqtë britanikë, por mos të harrojmë se nuk është BE ajo që po braktis Britaninë, por Britania po braktis BE-në dhe këtu është dallimi”, tha Juncker.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka akuzuar disa zyrtarë evropianë se po bëjnë përpjekje të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare në Britani, të cilat do të mbahen më 8 qershor.

Bashkimi Evropian ka 24 gjuhë zyrtare.

Para se t’i bashkohej Britania më 1973, frëngjishtja ishte gjuha kryesore në BE.

Macron dhe Le Pen përplasen për ekonominë, terrorizmin, Rusinë…

Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen

Kandidatët për president të Francës u përplasën në një debat televiziv, të mërkurën mbrëma, duke fyer dhe kritikuar njëri-tjetrin për çështje si: anëtarësia në Bashkimin Evropian, lufta kundër terrorizmit dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Debati u zhvillua derisa sondazhet e opinionit nxirrnin kandidatin e qendrës, Emmanuel Macron, në kryesim të fortë, me 20 përqind, përballë kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Le Pen përmendi rolin e Macronit si ish-bankier investues, tha se favorizon “uberizimin” e ekonomisë dhe “globalizimin e egër”.

“Zgjedhja politike që duhet të bëjë populli francez është e qartë. Macron është kandidat i globalizimit të shfrenuar, i ‘uberizimit’ të shoqërisë, pasigurisë, brutalitetit social, luftës së secilit kundër secilit”, tha Le Pen.

Macron kritikoi politikën e saj për të braktisur euron, duke e cilësuar si plan “të rrezikshëm” dhe “fatal”.

“Vizioni im është të ndërtojmë një euro të fuqishme, të ndërtojmë politika të fuqishme evrpiane, me të cilat do të ngrihemi për interesat e Francës”, tha Macron.

Shkëmbimet kanë kaluar edhe në personale: Macron e quajti Le Penin “parazite” dhe “priftëreshë e frikës”, ndërsa Le Pen e quajti atë “bankier të vetëkënaqur”.

Le Pen tha se Macron nuk brengoset për ekstremizimin islamik dhe se ai do ta lejojë Bashkimin Evropian të udhëheqë me Francën.

“Çfarëdo që ndodh, Franca do të udhëhiqet nga një grua: ose unë, ose zonja Merkel”, tha Le Pen duke iu refereuar kancelares gjermane.

Macron tha se politikat e Le Penit për përjashtimin e migrantëve dhe myslimanëve do të ishin në interes të terroristëve, do t’i kthenin francezët kundër njëri-tjetrit dhe do të çonin në “luftë civile”.

Dy kandidatët dallojnë shumë edhe në marrëdhëniet me Rusinë.

Macron tha se do të bëjë përpjekje të punojë me presidentin rus, Vladimir Putin, për të zgjidhur çështje rajonale si konfliktet në Siri dhe Ukrainë, porse përtej kësaj, nuk beson se Franca dhe Rusia ndajnë të njëjtat “vlera dhe prioritete”.

Le Pen, e cila ka bërë fushatë për riafrim me Rusinë, tha se është politikania me pozicionin më të mirë për të biseduar me Rusinë, Shtetet e Bashkuara nën presidentin Donald Trump, ose Britaninë, e cila po përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian.

“Nuk kemi arsye të jemi në Luftë të Ftohtë me Rusinë”, tha Le Pen.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet më 7 maj.

Përgatiti: Valona Tela

Merkel: Turqia, partnere dhe aleate në çështje të rëndësishme

“Turqia është një vend partner dhe aleat për çështje të rëndësishme dhe se nuk mund të shtyhet mënjanë për shkak të mosmarrëveshjeve me disa vende të Evropës”

BERLIN (AA) – Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se Turqia është një vend partner dhe aleat për çështje të rëndësishme dhe se nuk mund të shtyhet mënjanë për shkak të mosmarrëveshjeve me disa vende të Evropës.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Kölner Stadtanzeiger”, kancelarja Merkel duke vënë në dukje se Turqia ka strehuar 3 milionë refugjatë sirianë, ka shtuar: “Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë për dhënien e ndihmës në këtë drejtim është e drejtë. Synimi i kësaj marrëveshjeje ishte parandalimi i kontrabandistëve të cilët po bëheshin shkas për vdekjen e shumë njerëzve. Marrëveshja Turqi-BE ishte edhe në të mirën e refugjatëve. Zgjidhje të kësaj natyre kemi nevojë t’i bëjmë edhe me vende të tjera.” aa

Marine Le Pen akuzohet për plagjaturë

Kandidatja e ekstremit të djathtë në zgjedhjet presidenciale të Francës, Marine Le Pen, shkaktoi sot sensacion në mediat sociale, e akuzuar për plagjaturë.

Shkak u bë një fjalim i saj dje, para përkrahësve të saj, pjesë të të cilit ishin marrë nga një fjalim i rivalit konservator të zonjës Le Pen, Francois Fillon.

Ndihmësit e zonjës Le Pen e justifikuan këtë veprim, si një përpjekje të saj për të tërhequr votuesit e zotit Fillon në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Francës që mbahen të dielën.

Më 7 maj Marin Le Pen është në garë me Emmanuel Macron, cili e mundi atë me një diferencë të vogël votash në raundin e parë të zgjedhjeve në prill.

Franca në tension pas sulmit në Champs Elysee

Në Paris, një shënim i shkruar me dorë që lëvdonte grupin militant Shteti Islamik u gjet pranë personit të armatosur, të dyshuar për vrasjen mbrëmë të një polici në bulevardin Champs Elysees të kryeqytetit francez. Shteti Islamik, i cili mori përgjegjësinë për ngjarjen e djeshme, e identifikoi vrasësin si “Belgu Abu Jusuf” dhe tha se ai ishte një nga luftëtarët e ISIS-it.

Policia e Parisit tha se vrasësi i dyshuar, i cili u vra edhe vetë në sulmin e së enjtes, është identifikuar, por autoritetet nuk e kanë publikuar emrin e tij dhe nuk kanë thënë nëse ai bashkëpunonte me Shtetin Islamik.

Mediat franceze njoftojnë se fjala është për një 39-vjeçar që banonte në Seine-et-Marne, i cili kishte bërë disa vjet burg pasi kishte shtënë kundër policëve në fillim të viteve 2000.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot në Twitter se sulmi në Paris do të kishte ndikim në zgjedhjet presidenciale të Francës që mbahen të dielën.

Kandidatja presidenciale e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, duke marrë shkas nga sulmi, bëri thirrje për rivendosjen e kontrolleve kufitare dhe për dëbimin e të huajve që janë në listat e vëzhgimit të agjencive të zbulimit. Zonja Le Pen është e vetmja kandidate për presidente në Francë që mbështeti zotin Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, ku ai deklaroi se do të godiste imigracionin e paligjshëm.

Presidenti francez François Hollande tha se është i bindur që fjala ishte për një akt terrorizmi. Udhëheqësi francez mblodhi sot këshillin e sigurisë për të diskutuar rreth ndikimit që mund të ketë kjo ngjarje mbi votuesit në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Mbledhja e këshillit të sigurisë ishte pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të mbrojtur votimet e së dielës, që zhvillohen nën masa të forta sigurie.

“Ne do të tregojmë vigjilencë maksimale, veçanërisht në lidhje me zgjedhjet,” tha zoti Hollande në televizionin kombëtar.

Kandidati i qendrës Emmanuel Macron i bëri thirrje vendit që të mos frikësohet. Ai pezulloi dy tubime pas ngjarjes në Champs Elysees.

Nënpresidenti i SHBA, Mike Pence, duke folur të premten në Xhakartë të Indonezisë, tha se sulmi në Paris ishte një tjetër kujtesë se terrorizmi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë. Ai tha se SHBA nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për t’i dhënë fund terrorizmit.

Presidenti Donald Trump i dërgoi ngushëllime popullit francez. Ai e quajti sulmin “diçka e tmerrshme”, dhe tha se ky ishte një shembull tjetër i llojit të dhunës që “nuk përfundon kurrë”.

Franca është në tension përpara zgjedhjeve presidenciale të së dielës, ku pritet një rezultat mjaft i ngushtë.

Vendi ende ndjen pasojat e një serie sulmesh terroriste vdekjeprurëse gjatë dy viteve të fundit që kanë lënë më shumë se 200 të vrarë.

Stefan Gajiç: Ja plani sekret i Bullgarisë dhe Shqipërisë për ndarjen e Maqedonisë

Drejtori i Institutit për Studime Evropiane në Beograd, Stefan Gajiç thekson se ka plan mes bullgarëve dhe shqiptarëve për ta ndarë Maqedoninë, transmeton Gazeta Express.

Ai këtë skenar e lidh me vizitën në rajon të Karl Bild, që është njohës i mirë i Ballkan dhe kryesues i Këshillit Evropian për politika të jashtme, një institut këshilldhënës i BE-së, për të hartuar politikat e jashtme.

Sipas ekspertit serb, ky plan nuk përjashtohet dhe se është në interes edhe të qarqeve të tjera apo fuqive të mëdha, që siç thuhet kanë në dorë shqiptarët. Plani përmend edhe përplasjet e politikave proruse në Maqedoni e Bullgari dhe politikave proamerikane në këto dy vende, por edhe në Shqipëri

Një polic i vrarë në sulmin në Paris; Shteti Islamik merr përgjegjësinë

Autoritetet e rendit në Paris thanë se një polic është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga të shtënat në bulevardin Champs-Elysees.

Një sulmues po ashtu u vra nga policia, mbrëmjen e së enjtes.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se është i bindur se sulmi “është i lidhur me terrorizmin”.

Grupi militant Shteti Islamik tha se një prej “luftëtarëve” të tij ka kryer sulmin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

“Ekzekutuesi i sulmit në zonën Champs-Elysees, në qendër të Parisit, është Abu Jusuf al-Beljiki dhe ai është një luftëtar i Shtetit Islamik”, tha agjencia e lajmeve Amaq, e lidhur me grupin ekstremist.

Prokurori i Parisit, Francois Molins, më vonë tha se “identiteti i sulmuesit është i njohur dhe është verifikuar”.

“Nuk do ta zbuloj atë, sepse hetimet dhe bastisjet tashmë janë duke u zhvilluar”, tha Molins.

Pamjet televizive tregojnë makina të policisë dhe helikopterë mbi bulevardin Champs-Elysees.

Autoritetet u bënë thirrje njerëzve që të shmangin zonën ku ndodhi sulmi, ndërsa nisën hetimet anti-terrorizëm.

Autoritetet po ashtu thanë se kanë nisur kërkimet në shtëpinë e sulmuesit të vrarë në lindje të Parisit, i cili ishte i njohur për shërbimet e sigurisë.

“Oficerët u sulmuan qëllimisht”, tha zëdhënësi i ministrisë së Brendshme të Francës, Pierre-Henry Brandet, për kanalin e lajmeve BFMTV.

Mijëra trupa dhe policë të armatosur janë vendosur nëpër pikat kryesore turistike, si bulevardi Champs Elysees dhe caqet e tjera potenciale si ndërtesat qeveritare dhe lokacionet fetare.

Trump: “Duket si një tjetër sulm terrorist”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, reagoi dhe tha se është “e tmerrshme” ajo që po ndodh në botë.

“Para së gjithash, ngushëllime për popullin e Francës. Po ndodh sërish. Është një gjë e tmerrshme. Është një gjë shumë e tmerrshme ajo çfarë po ndodh në botë sot. Duket si një tjetër sulm terrorist. Çfarë mund të thuash? Thjesht, nuk përfundon kurrë. Duhet të jemi të fortë, duhet të jemi vigjilentë dhe e kam thënë këtë për kohë të gjatë”, tha Trump.

Franca është në gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të sulmeve terroriste në territorin e saj, të cilat, qysh në vitin 2015, kanë lënë të vrarë mbi 230 njerëz.

Të shtënat, të enjten mbrëma, ndodhën në të njëjtën ditë kur kandidatët për president të Francës bënë apelet e fundit te votuesit.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet të dielën.

Përgatiti: Valona Tela

Arrestohet një person për sulmin ndaj autobusit të ekipit të Borussia Dortmundit

Autoritetet gjermane kanë thënë se kanë arrestuar një person me shtetësi gjermane dhe ruse, nën dyshimin se ka kryer sulmin me bombë të javës së kaluar, ndaj autobusit të një ekipi të futbollit.

Prokurorët federalë kanë thënë se personi i arrestuar, i identifikuar si 28-vjeçari Sergej W., është arrestuar më 21 prill në afërsi të qytetit jugperëndimor të Tuebbingen dhe është akuzuar për tentim vrasje, kryerje të shpërthimit dhe për lëndime të rënda trupore.

Tre bomba shpëthyen pranë autobusit të ekipit Borussia Dortmund, jashtë qytetit të Dortmundit më 11 prill, teksa lojëtarët ishin nisur drejt stadiumit për të zhvilluar një lojë në Ligën e Kampionëve. Nga këto shpërthime u lëndua një futbollist dhe një zyrtar policor.

Prokurorët kanë thënë se i dyshuar shpresonte që të shkaktojë rënien e çmimit të aksioneve të ekipit të futbollit.

Le Pen mbron periudhën koloniale të Francës në Afrikë

Marine Le Pen, ka deklaruar se kolonializmi francez ka patur një kontribut të madh për Algjerinë

PARIS – Kandidatja e partisë Fronti Kombëtar (FN) e ekstremit të djathtë në zgjedhjet presidenciale në Francë, Marine Le Pen, tha se kolonializmi francez ka patur një kontribut të madh për Algjerinë.
Në një intervistë në kanalin televiziv BFM, Le Pen duke bërë deklarata në lidhje me të kaluarën koloniale që Franca ka zbatuar në Afrikën veriore dhe vendet e tjera tha se “Për Algjerinë kolonializmi ka ofruar shumë gjëra. Edhe algjerianët të cilët janë me qëllime të mira gjithashtu e pranojnë këtë.”

Duke mbrojtur idenë e saj se Franca nuk ka mbrojtur mjaftueshëm ata që janë dërguar në Algjeri dhe algjerianët që kanë luftuar për Francën (Harki), Le Pen ka pretenduar se luftëtarët harki janë vendosur në kampe me kushte të tmerrshme në Algjeri.

Gjithashtu edhe ish-ministri i Ekonomisë nga Partia Socialiste dhe kandidati i pavarur në zgjedhjet presidenciale Emmanuel Macron gjatë një vizite dy muaj më parë në Algjeri kishte bërë deklarata në lidhje periudhën koloniale, ku ai ishte shprehur se “Periudha koloniale është një pjesë e historisë së Francës dhe është një krim i kryer kundër njerëzisë.”

Ndërsa edhe kandidati për president i qendrës së djathtë François Fillon në një fjalim të mbajtur vitin e kaluar duke pretenduar se vendi i tij është përhapur në vendet e tjera jo për kolonializmin, por për kulturë dhe qytetari, ishte shprehur se “Franca nuk mund të ketë kryer krim për shkak se ka ndarë kulturën e saj me vendet e Afrikës”.

Këtë të diel në Francë do të mbahet raundi i parë për garën presidenciale ku do të marrin pjesë 11 kandidatë. Nëse në raundin e parë nuk arrihet shumicë absolute raundi i dytë i votimit do të mbahet më 7 maj mes dy kandidatëve që kanë më shumë vota.

Anketat tregojnë se Le Pen do të kalojë lehtë raundin e parë dhe do të marrë pjesë në raundin e dytë. aa

Franca parandalon një “sulm të dhunshëm” në prag të zgjedhjeve

Paris – foto arkivi

 

Franca tha se ka arrestuar dy persona për planifikim të një “sulmi të dhunshëm” në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Ministri i Brendshëm i Francës, Matthias Fekl, tha se “dy personat e radikalizuar, të lindur në vitin 1987 dhe 1993, kanë shtetësi franceze” dhe se janë arrestuar sot në qytetin Marsej.

Fekl tha se siguria rreth zgjedhjeve dhe kanidatëve është përforcuar.

Rrethi i parë i votimeve do të mbahet më 23 prill.

Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, dhe kanidati i qendrës, Emmanuel Macron, kryesojnë sondazhet.

Le Pen zotohet se do të pezullojë emigrimin

Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidente të Francës, Marine Le Pen

 

Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidente të Francës, Marine Le Pen, tha se do të pezullojë gjithë emigrimin e ligjshëm në Francë.

Le Pen tha në një tubim se dëshiron të ndalojë “një situatë të çmendur dhe të pakontrolluar”.

Më pas, shtoi ajo, Franca do të vendosë “rregulla shumë më drastikë” për migrimin, “më të arsyeshëm, më njerëzorë dhe më të menaxhueshëm”.

Sondazhet e opinionit e nxjerrin Le Penin në garë të ngushtë me kandidatin e qendrës, Emmanuel Macron.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë mbahet të dielën.

Gjermania bën thirrje për dialog pas referendumit në Turqi

Gjermania i ka bërë thirrje qeverisë turke që të angazhohet për “dialog me të gjitha partitë politike dhe forcat e shoqërisë civile në vend”, pas “rezultatit të ngushtë në referendumin, që tregon se sa e ndarë është shoqëria turke”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, në një deklaratë të përbashkët, kanë thënë se qeveria gjermane respekton të drejtën e popullit turk për të vendosur për Kushtetutën e tyre.

Por dy liderët gjermanë kanë thënë gjithashtu se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan bartë “përgjegjësi të madhe”, për hapat e mëtejshëm të shtetit.

Ata kanë theksuar edhe shqetësimet e shprehura nga OSBE-ja, më herët gjatë javës së kaluar, lidhur me dyshimet se nëse kushtet për votim ishin të drejta. Merkel dhe Gabriel kanë thënë se Turqia, që është anëtar i OSBE-së dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të marrë parasysh këto shqetësime.

NATO: Aktivizohet një batalion në Poloni afër kufirit me Kaliningradin

Ushtarët amerikanë në vendin Orzyzh në Poloni në kuadër të NATO-s

 

NATO-ja e ka aktivizuar një batalion të ri shumëkombësh në Poloni, afër kufirit me Kaliningradin e Rusisë, derisa presidenti i Polonisë, ka vlerësuar se ky ishte “një moment historik”, për vendin e tij.

Zyrtarët thanë dje se batalioni ishte stacionuar afër vendit Orzyzh, 60 kilometra nga kufiri me Kaliningradin, që është një territor rus i ndarë nga Rusia, në Detin Baltik.

Kjo njësi do të jetë nën komandën e Shteteve të Bashkuara dhe do t’i ketë afro 1 mijë ushtarë, përfshirë pjesëtarët nga Rumania dhe Britania, ndërsa pritet që ushtarët nga Kroacia do të bashkohen më vonë.

Aleanca veriatlantike po e forcon praninë e saj në pjesën lindore të Evropës, për t’i siguruar aleatët në periudhën e një vetëbesimi të rritur të Rusisë, pas aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës dhe mbështetjes së Moskës për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Një në pesë francezë mund të largohet nga shteti i tij

“20 për qind e popullsisë franceze planifikon të largohet nga Franca nëse rezultatet e zgjedhjeve nuk përshtaten me pritjet e tyre”

PARIS – Sipas një hulumtimi të opinionit publik, të realizuar para zgjedhjeve presidenciale në Francë, që do të mbahen më 23 prill, rezulton se çdo një person nga 5 francezë planifikon të largohet nga Franca nëse nuk zgjidhet kandidati të cilin e mbështesin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fushatën zgjedhore presidenciale në Francë po vihen në dukje skandalet dhe hetimet penale.

Në anketat e fundit shihet ngritja e kandidatëve ekstremë të djathtë dhe ekstremë të majtë, kurse edhe presidenti François Hollande i cili nuk do të kandidojë për këto zgjedhje, tha se “ndjen shqetësime” lidhur me rezultatet e mundshme të zgjedhjeve presidenciale.

Kryediplomati gjerman Gabriel niset për vizitë në Serbi dhe Kosovë

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, e fillon sot vizitën e tij dyditëshe në Serbi dhe Kosovë, për të diskutuar lidhur me rritjen e tensioneve në raportet ndërmjet dy palëve.

“Ne shohim se disa plagë të së kaluarës ende janë të thella dhe ende i mbajnë tensionet e larta”, tha sot Sigmar Gabriel, para se të nisej për në Beograd.

Ai theksoi se do të angazhohet zëshëm në “mbështetje të zhvillimit demokratik dhe sundimit të ligjit” në të gjitha vendet e rajonit.

Kosova e banuar me popullatë shumicë shqiptare, në vitin 2008 e ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga 114 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Por Serbia dhe aleati i saj, Rusia, nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Aktualisht, tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ndërmjet institucioneve qendrore të Kosovës dhe minoritetit serb brenda Kosovës, janë ende të larta.

Gjatë turneut të filluar sot, ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, do ta vizitoj edhe Shqipërinë më 16 të këtij muaji.

Duke u shprehur për perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, zoti Gabriel theksoi se do tu thotë liderëve të rajonit se “rruga kah BE-ja mbetet e hapur, nëse ju i zgjedhni reformat dhe progresin e jo ndarjet dhe ngecjen”.

Policia gjermane: Cak i sulmit ishte ekipi i Borusias

Në afërsi të sulmit ndaj autobusit me lojtarët e Borusia Dortmund, policia ka gjetur një letër në të cilën merret përgjegjësia për sulmin

DORTMUND (AA) – Policia gjermane në të gjitha drejtimet është duke hetuar sulmin e mbrëmshëm ndaj autobusit me lojtarët e Borussia Dortmundit dhe besojnë se cak i sulmit ishin lojtarët e klubit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në afërsi të sulmit ndaj autobusit me lojtarët e Borusia Dortmund, policia ka gjetur një letër në të cilën merret përgjegjësia për sulmin, duke mos përmendur detaje për përmbajtjen e saj deri sa të verifikohet vërtetësia e saj.

Më parë, drejtori i administratës së policisë së Dortmundit Gregor Lange tha se bëhet fjalë për sulm të shënjestruar ndaj lojtarëve të Dortmundit dhe se po bëhen hetime për vrasje në tentativë.

Hans-Joachim Watzke: Jemi të tronditur

Hans-Joachim Watzke, drejtori i Borussia Dortmund, pas shpërthimit që ndodhi në afërsi të autobusit të klubit, ka thënë se janë të tronditur dhe se bëhej fjalë për sulm me bombë.

Watzke theksoi se ndaj autobusit është kryer sulm me bombë dhe se janë shkaktuar dëme materiale.

Sipas tij, sulmi ndaj autobusit është kryer menjëherë me të dalur nga hoteli ku ishin vendosur lojtarët e klubit. Watzke ka konfirmuar se është plagosur lojtari Marc Bartra.

Po ashtu edhe trajneri i Borusisë së Dortmundit Thomas Tuchel ka thënë se janë të tronditur.

Tre shpërthime kanë ndodhur mbrëmë në afërsi të stadiumit të Dortmundit, ku klubi gjerman duhej të luante ndeshjen e parë të çerekfinales të Ligës së Kampionëve kundër AS Monaco.

Nga shpërthimi është plagosur mbrojtësi Marc Bartra, i cili ndodhej pranë xhamit. Sipas mediave gjermane, ai ka thyer kyçin dhe dorën dhe iu nënshtrua operacionit. Policia tha se edhe polici i cili ishte me motor në shoqërim të autobusit me lojtarët ka pësuar tronditje.

Ndeshja e anuluar e Ligës së Kampionëve mes Borussia Dortmund dhe AS Monaco do të luhet sot në ora 18:45.

Dortmund: Është gjetur letra me të cilën merret përgjegjësia për sulmin

Pamje e autobusit të dëmtuar të ekipit Borussia nga ekspolodimet e djeshme

 

Autoritetet e Gjermanisë thonë se tri eksplodime kanë ndodhur dje afër autobusit ku gjendeshin futbollistët e ekipit, Borusia Dortmund.

Shefi ekzekutiv i klubit, Hans-Joachim, tha se mbrojtësi spanjoll i ekipit, Marc Bartra, është lënduar dhe ishte dërguar në spital.

Bashkëlojtarë të tij u thanë mediave zvicerane se ai ishte “goditur nga copat e xhamave të thyer”.

Policia tha se indikimet e para janë se ky ishte “sulm me pajisje serioze eksploduese”.

Në fotografitë e autobusit nga vendi i ngjarjet shihen dritaret e thyera të autobusit.

Një letër, me të cilën merret përgjegjësia, është gjetur afër vendit të eksplodimeve, ka thënë prokurorja, Sandra Leucke, por pa dhënë detaje të tjera.

Incidenti ka ndodhur në vendin Hoeshten, afër qytetit Dortmund, derisa ekipi ishte nisur për takimin gjysmëfinal të Kupës së Kampionëve kundër Monakos.

Ndeshja është shtyrë për sot, ka njoftuar klubi.

Spanja arreston një programues rus kompjuterash

Një programues rus kompjuterash u arrestua dje në Barcelonë, ndoshta lidhur me hakerimet gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Arrestimin e njoftoi një zëdhënës i ambasadës së Rusisë në Madrid, i cili nuk tha se përse personi në fjalë ishte marrë në paraburgim.

36-vjeçari Peter Levashov dyshohet se u ndalua me një urdhërarrest amerikan, ndërsa ndodhej me pushime në Spanjë me gruan. Zyrtarët amerikanë thanë se tani për tani nuk mund të jepnin asnjë informacion.

Gjermania: “Nuk mund të ketë zgjidhje për Sirinë, nëse Asadi qëndron në pozitën e tij”

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Seibert tha se “gjetja e një zgjidhjeje paqësore dhe stabile për konfliktin në Siri, nuk mund të realizohet nëse Asad vazhdimisht mbetet në krye”

BERLIN – Zëdhënësi i Qeverisë Federale të Gjermanisë Steffen Seibert tha se nuk është e mundur të ketë një zgjidhje paqësore dhe stabël për Sirinë, nëse Bashar al-Asad do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Berlin, Seibert tha se Asad po vazhdon ta mbajë qëndrimin e tij të ashpër dhe të egër ndaj popullit të tij. “Arritja e gjetjes së një zgjidhjeje paqësore dhe stabile për konfliktin në Siri, nuk mund të realizohet nëse Asad vazhdimisht mbetet në krye”, tha ai.

Seibert shprehu qëndrimin e qeverisë gjermane se përgjegjësi kryesor i luftës së brendshme në Siri është Asadi.

“Ai është përgjegjësi kryesor i vdekjes së rreth 300 mijë personave dhe të më shumë se 5 milionë refugjatëve. Ashtu siç u dëshmua, ai përdori armë kimike, bomba fuçi dhe bomba thërrmuese. Përsëri, ashtu siç u dëshmua, i sulmoi qëllimisht objektet mjekësore. Po të mos ishte mbështetja e njohur e partnerëve ndërkombëtarë, nuk do të kishte qenë e mundur të vazhdojë këtë qëndrim agresiv dhe të ashpër ndaj popullit të tij. Regjimi i tij në asnjë mënyrë deri më tani nuk tregoi se është i gatshëm për një proces politik. Në të kundërtën ende po i beson një zgjidhjeje ushtarake. Kjo duhet të përfundojë”, tha Seibert.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Schaefer, i cili mori pjesë në konferencën për media tha se në Siri po vazhdon përdorimi i armëve kimike. Sipas tij, Rusia dhe Irani duhet t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të bindur regjimin e Asadit, për ndërprerjen e kësaj gjendjeje.

Budapest: Mijëra vetë demonstruan në mbështetje të Sorosit

Pamje nga protesta në Budapest ku shihet edhe mbishkrimi “Mos e mbyllni CEU-n, Orban në burg”

 

Dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar dje rrugëve të kryeqytetit Budapest në Hungari, për të protestuar kundër legjislacionit të ri, i cili mund ta detyroj një unviersitet të financuar nga miliarderi amerikan, George Soros, që të largohet nga Hungaria.

Demonstruesit kanë kërkuar nga presidenti i Hungarisë, Janos Ader, që të mos e nënshkruajë një legjislacion lidhur me këtë çështje dhe ta dërgoj atë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 4 prill, parlamenti i Hungarisë e ka miratuar këtë ligj, i cili kërkon që universitetet e jashtme në Hungari ta kenë kompleksin e tyre dhe në vendet e tyre të origjinës të kenë kurse të ngjashme.

Shumë persona në Hungari mendojnë se ky legjislacion e ka në shënjestër Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) në Budapest, të cilin qeveria nacionaliste e kryeministrit, Viktor Orban, e sheh si qendër të fuqishme të opozitës liberale.

Sipas legjislacionit, CEU do të mund të detyrohej të mos pranonte studentë në vitin 2018 dhe përfundimisht të mbyllej në vitin 2021.

Le Pen: Franca nuk ka rol në gjenocidin e hebrenjve të Parisit

Kundërshtari i Le Pen, lideri i lëvizjes En Marche (marshim), Emmanuel Macron, përmes një deklarate në televizionin BFMTV, ka thënë se deklarata e Le Pen është një “gabim serioz”

PARIS – Liderja e Partisë radikale të krahut të djathtë në Francë, Fronti Kombëtar, Marine Le Pen, ka thënë se Franca nuk ka rol në gjenocidin e hebrenjve të Parisit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një dalje televizive në LCI, Le Pen, ka thënë: “Mendoj që për dërgimin e hebrenjve të Parisit në Gjermani, nuk është përgjegjës Franca. Nëse do të flas në përgjithësi dua të them që përgjegjës për këtë ishin personat të cilët atëherë kanë qenë në qeveri dhe jo Franca”.

Ndërsa kundërshtari i Le Pen, lideri i lëvizjes En Marche (marshim), Emmanuel Macron, përmes një deklarate në televizionin BFMTV, ka thënë se deklarata e Le Pen është një “gabim serioz”.

Nga ana tjetër në lidhje me këtë çështje, një deklaratë është bërë edhe nga një organizatë e hebrenjve, CRIF, e cila ka thënë se deklaratat e Le Pen nuk janë gjë tjetër vetëm se “poshtërim i Francës”.

Ish presidenti i Francës, Jacques Chirac dhe ai aktual François Hollande, kanë kërkuar falje nga hebrenjtë për ngjarjet e vitit 1942 ku policia franceze mblodhi 13 mijë hebrenj dhe i dërgoi ato në Gjermani me kërkesë të nazistëve.

Merkel: Kemi bërë mëkate në periudhën koloniale në Afrikë

Merkel iu ka bërë thirrje anëtarëve të G20-ës që të bëjnë diçka urgjentisht për vendet e Afrikës

BERLIN – Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se vendet evropiane kanë mëkatuar në Afrikë në periudhën koloniale.
Sipas lajmit në gazetën “Welt”, Merkel iu ka bërë thirrje anëtarëve të G20-ës që të bëjnë diçka urgjentisht për vendet e Afrikës.

Në një takim në selinë e Qeverisë së Gjermanisë me personat që ndihmojnë refugjatët e ardhur në Gjermani, duke vënë në dukje se në Afrikë janë hartuar kufijtë pa rregull duke mos parë rajonet e fiseve, Merkel është shprehur se “Kemi mëkatuar në Afrikë në periudhën koloniale.”AA

ETA pas disa dekadash dorëzon armët

Komisioni ndërkombëtar për verifikim, njoftoi se ky informacion menjëherë iu është transmetuar autoriteteve franceze, që tani do të mbledhin armët e ETA-s

PARIS – Grupi separatist bask ETA u ka dorëzuar autoriteteve franceze listën e lokacioneve ku gjenden armët, municionet dhe mjetet e tyre shpërthyese, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni ndërkombëtar për verifikim, me detyrë për të kontrolluar procesin, të shtunën njoftoi se ky informacion menjëherë iu është transmetuar autoriteteve franceze, që tani do të sigurojnë dhe mbledhin armët e ETA-s.

Komisioni thekson se konsideron se ky hap paraqet çarmatosjen e ETA-s. ETA, e cila nuk është aktive më gjatë për pesë vite, tha se do të dorëzojë armët e saj, që parqet një hap historik pas 43 vitesh fushatë të dhunshme në të cilën janë vrarë 829 persona, kryesisht në Spanjë.

Suedi: Policia thotë se i arrestuari është i dyshuar se ishte shofer i kamionit

Policia duke e evakuuar stacionin kryesor hekurudhor në Stokholm pasi dje një kamion u përplas në turmën e njerëzve

 

Policia e Suedisë tha sot se një person i arrestuar për “dyshim për krim terrorist”, po ashtu, është i dyshur se ishte shofer i kamionit, që dje u përplas në turmën e njerëzve në pjesën qendrore të Stokholmit, duke i vrarë katër vetë dhe plagosur 15 të tjerë.

“Ne konsiderojmë se personi i arrestuar është i dyshuar se e kishte kryer” sulmin, tha zëdhënësi i policisë në Stokholm, Lars Bystrom.

Ky person ishte arrestuar dje në një lagje veriore të Stokholmit.

Radioja publike suedeze dhe gazeta, Aftonbladet, kanë raportuar se i dyshuari në paraburgim është një person 39 vjeçar me origjinë nga Uzbekistani.

Duke cituar burime policore, transmetuesi suedez, SVT, ka raportuar se ishte arrestuar edhe një person tjetër, por policia nuk ka bërë komente lidhur me këtë çështje .

Autoritetet e Stokholmit thanë sot herët në mëngjes se gjashtë persona të plagosur janë liruar nga spitali, ndërsa tetë vetë të tjerë dhe një fëmijë, ende mbeten në spital.

Kamioni hyn në një dyqan në kryeqytetin e Suedisë, disa të vdekur

STOCKHOLM – Një kamion ka hyrë në një dyqan të madh në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm. Bëhet e ditur se ka disa të vdekur.

Televizioni shtetëror i Suedisë, SVT njoftoi se në rajon janë dëgjuar të shtëna armësh.

Policia njoftoi se kanë marrë njoftim se një automjet ka plagosur disa persona në rrugën Drottninggatan, në qendër të qytetit.

Lofven: Arrestohet një person lidhur me sulmin në Stockholm

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven ka theksuar se një person është arrestuar lidhur me sulmin e sotëm në Stockholm.

Ai theksoi se të gjitha indikacionet me të cilat autoritetet disponojnë çojnë në atë se bëhet fjalë për një “sulm terrorist”.

Njëkohësisht, policia suedeze njoftoi se bëhet fjalë për sulm që lidhet me terrorizmin.

Së paku tre persona humbën jetën kur një kamion hyri në një dyqan të madh në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm. Radioja e Suedisë, transmetoi se në ngjarje kanë humbur jetën 3 persona.

Ndërsa televizioni shtetëror i Suedisë, SVT njoftoi se në rajon janë dëgjuar të shtëna armësh. Policia njoftoi se kanë marrë njoftim se një automjet ka plagosur disa persona në rrugën Drottninggatan, në qendër të qytetit.

Hyjnë në fuqi kontrolle më të rrepta të pasaportave në Shengen

Në fokus janë para së gjithash xhihadistë që kthehen nga Lindja e Afërt. Në Gjermani preket qarkullimi i udhëtarëve në aeroporte dhe në portet detare.

Rregulli i ri i detyron shtetet anëtare të Shengenit që sapo kalohet një kufi i jashtëm i Shengenit, t’i krahasojnë të dhënat që kanë me listat e personave në kërkim. Të dhënat e personave që hyjnë e dalin do të krahasohen edhe me listën e dokumentave të humbura apo të vjedhura. Ky ashpërsim i kontrolleve për kufijtë e jashtëm të Shengenit hyn në fuqi që të premten e sotme.

I detyrueshëm që prej këtij momenti do të jetë verifikimi sistematik i të gjithë personave që hyjnë e dalin, pra edhe i shtetasve të Bashkimit Evropian, vendet e të cilave bëjnë pjesë në hapësirën e Shengenit. Këtë e bëri të ditur Policia Federale Gjermane. Në rastin e Gjermanisë, e cila nuk ka në kufi shtete që nuk janë anëtare të Shengenit, kontrollet do të bëhen në aeroporte dhe në portet detare.

E gjithë kjo mundësohet pas një ndryshimi të Kodit Kufitar të Shengenit, për të cilin vendimi u mor përfundimisht më 15 mars, pas konsultimeve të gjata. Kjo masë qe vendosur në shkurt 2016 nga ministrat e Brendshëm të BE dhe synon të luftojë terrorizmin. Kështu synohet të pengohet që luftëtarë xhihadistë, të cilët kanë një pasaportë të një shteti anëtar të Shengenit, të mund të kthehen nga Siria dhe Iraku pa u njohur.

Përjashtimet janë të mundura

Zona e Shengenit sot përfshin gjithsej 26 vende, 22 shtete anëtare të BE si dhe Norvegjinë, Islandën, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin. Brenda këtij territori në parim nuk ka kontrolle, normalisht mbikqyren vetëm kufijtë e jashtëm.

Policia Federale gjermane dha garanci se synon që t’i mbajë “sa më të pranueshme që mundet” pasojat për transportin ajror dhe kohët e pritjes për udhëtarët. Por shoqëritë e udhëtimit kanë paralajmëruar tashmë për vonesa të mundshme në kalimet kufitare, për shembull me Kroacinë. Megjithatë rregulli parashikon përjashtime, në ato raste kur aplikimi i tij strikt veçanërisht në kufijtë e vendit do të çonte në “pasoja joproporcionale në rrjedhën e qarkullimit”.

U ashpërsuan edhe direktivat për t’i kontrolluar edhe në dalje personat nga shtete pa leje për udhëtim të lirë. Për këtë grup, detyrimi për krahasimin sistematik të të dhënave deri tani vlente vetëm kur ata hynin në hapësirën e Shengenit.

Parlamenti Evropian miraton liberalizimin e vizave për shtetasit e Ukrainës

Parlamenti Evropian e ka miratuar liberalizimin e vizave për shtetasit e Ukrainës.

Në votimin e sotëm për këtë masë ishin 521 ligjvënës evropianë, 75 ishin kundër, ndërsa 365 të tjerë abstenuan.

Që kjo masë të bëhet e plotfuqishme nevojitet që edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian ta miratojnë atë.

Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së pritet që këtë marrëveshje ta miratojnë në mbledhjen e 26 prillit në Bruksel, derisa burime të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ministrat e shteteve anëtare të BE-së, pastaj më 11 maj, do ta vërtetojnë vendimin e ambasadorëve.

Diplomatët thanë se presin që regjimi i udhëtimit pa viza për shtetasit e Ukrainës do të bëhet i plotfuqishëm në mes të muajit qershor.

Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Brexit-in

Në votimin e kryer në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së që është mbledhur në qytetin Strasburg të Francës projektrezoluta është pranuar me 516 vota pro dhe 133 vota kundër

STRASBURG – Parlamenti Evropian (PE), miratoi projektrezolutën që përmban kushtet e negociatave të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në votimin e kryer në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së që është mbledhur në qytetin Strasburg të Francës projektrezoluta është pranuar me 516 vota pro dhe 133 vota kundër.

Gjithashtu është theksuar se Britania duhet të zbatojë të gjitha përgjegjësitë financiare që ka nënshkruar si vend anëtar. Pritet që marrëveshja t’i kushtojë Britanisë 60 miliardë euro.

Në rezolutë parashikohet marrja e disa masave në lidhje me procesin e tranzicionit, në rast të shënimit të përparimeve konkrete përgjatë negociatave për daljen nga Unioni, proces i cili do të zgjasë për 2 vite. Ndër të tjera theksohet se pa u plotësuar dalja nga BE-ja nuk do të nënshkruhet marrëveshja e re e cila rregullon marrëdhëniet mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian.

Ndër të tjera në rezolutë përfshihet edhe thirrja që bëhet për ruajtjen e të drejtave të 3 milionë qytetarëve evropianë që jetojnë në Britani dhe të afërsisht 1 milionë qytetarëve britanikë që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Freedom House: Vladimir Putini ka mbështetur populistët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara

Rrënjët e rilindjes së populizmit në Evropë

Organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, Fredoom House, vlerëson se në dekadën e kaluar, lideri rus (Vladimir Putin) ka mbështetur populistët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një përpjekjeje të fshehtë për të destabilizuar rendin transatlantik. 

Batica e populizmit ka qenë në rritje në Evropën Qendrore që nga viti 2010, kur Viktor Orbán, (kryeministri hungarez) e ktheu partinë Fidesz përsëri në pushtet dhe pastaj prishi kontrollet dhe balancat e vendit, duke ndryshuar kushtetutën dhe kodin zgjedhor për të siguruar dominimin e partisë së tij dhe duke injoruar qortimet e BE-së. Kjo baticë mblodhi forcë gjatë gjashtë viteve të fundit derisa udhëheqësit në Ballkan forcuan pozicionet e tyre me sulme mbi shoqërinë civile dhe medien, duke gërryer institucionet e pavarura, madje edhe derisa po ecnin drejt integrimit në BE. Dhe batica përparoi në vitin 2015, me frikën mbi migrimin në Evropë dhe fitoren parlamentare të partisë “Ligj dhe Drejtësi” në Poloni, e cila menjëherë kërkoi të imitojnë shembullin e Orban në Hungari, duke paralizuar gjykatën kushtetuese dhe duke e kthyer transmetuesin publik në një zëdhënës të partisë.

Në dekadën e kaluar, lideri rus (Vladimir Putin) ka mbështetur populistët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një përpjekjeje të fshehtë për të destabilizuar rendin transatlantik. Rezultatet në 2016 ishin ndoshta përtej ëndrrave të tij më të papërmbajtshme. Edhe pse ekonomia e Rusisë vazhdon të ngecë në vend, Putin duket shumë afër qëllimit të tij për një ndarje të re të Evropës në sferat e ndikimit perëndimore dhe asaj ruse.

Me paqartësitë e Shteteve të Bashkuara rreth BE-së dhe NATO-s, vendet në rajon ka të ngjarë të nxitojnë për të shfrytëzuar mundësitë e reja, si mbrojtje kundër skenarëve më të këqij, dhe për të siguruar përfitimet ekzistuese para arritjes së një drejpershimi. Ankesat nacionaliste dhe revanshiste mund të bëhen edhe një herë monedha më e fuqishme për udhëheqësit dhe partitë e rrezikuara.

Kjo mund të rrisë rrezikun e luftës në Evropë dhe Euroazi, thuhet në raport u përmenden zhvillimet në Ukrainë, Armeni e Azerbajxhan si dhe tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe rritjen e mosmarrëveshjeve ndëretnike si pjesë e krizës politike në Maqedoni.

Në Bruksel mblidhet Këshilli NATO-Rusi

Ambasadorët e vendeve të NATO-s dhe të Rusisë janë mbledhur në selinë e aleancës në Bruksel, për sesionin e parë të Këshillit NATO-Rusi për vitin 2017.

Bisedimet e sotme pritet të përqendrohen në konfliktin në lindje të Ukrainës, situatën e sigurisë në Afganistan dhe mënyrat për reduktimin e rreziqeve ushtarake në Evropë.

“Për mua, ky është një hap i rëndësishëm drejt gjërave më të parashikueshme, drejt transparencës më të madhe, e cila është veçanërisht e nevojshme tani, kur kemi rritje të aktivitetit ushtarak përgjatë kufijve tanë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sesioni i Këshillit NATO-Rusi pason tri mbledhje të ngjashme vitin e kaluar.

Ai vjen një ditë para takimit të ministrave të Jashtëm të aleancës, ku do të marrë pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

NATO ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Rusinë pasi Moska ka aneksuar Krimenë në vitin 2014, porse kanalet politike kanë mbetur të hapura përmes Këshillit.

Paris, vazhdojnë protestat kundër vrasjes së emigrantit kinez

Në kryeqytetin e Francës në Paris, vazhdojnë protestat edhe në ditën e tretë kundër vrasjes nga policia të emigrantit kinez të moshës 56 vjeçare, Shaoyo Liu

PARIS – Në kryeqytetin e Francës në Paris, vazhdojnë protestat edhe në ditën e tretë kundër vrasjes nga policia të emigrantit kinez të moshës 56 vjeçare, Shaoyo Liu.

Qindra emigrantë me prejardhje aziatike, shumica e të cilëve ishin kinezë, në ditën e tretë të protestës ndaj policisë u mblodhën përballë ndërtesës së komunës, i cili ndodhet qendër të qytetit.

Më shumë se 300 protestues, shprehën reagimet e tyre ndaj forcave të sigurisë me sloganin “polic vrasës”. aa

Skocia kërkon referendum të ri për t’u shkëputur nga Britania

Parlamenti i Skocisë votoi dje për të kërkuar një referendum të ri për pavarësinë nga Britania, duke i hapur rrugën kryeministrit, që t’i kërkojë qeverisë britanike të miratojë kryerjen e një votimi për këtë çështje.

Parlamenti në Edinburg votoi 69-59 për t’i kërkuar miratimin parlamentit të Britanisë. Kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon parashikon që referendumi të mbahet brenda dy viteve të ardhshme. Kjo përpara se Britania të mbyllë përfundimish procesin e largimin e saj nga Bashkimi Evropian.

E ardhmja e Skocisë duhet të jetë në duart e Skocisë. Ky është debati, pra e ardhmja e vendit tonë. Sesi ne t’i shfrytëzojmë sa më mirë potencialet e vendit dhe si i tejkalojmë sfidat me të cilat përballemi“, tha kryeministri skocez.

Votuesit britanikë miratuan me një rezultat të ngushtë vitin e kaluar referendumin për të dalë nga Bashkimi Evropian.

Por gati dy të tretat e votuesve skocezë votuan pro qëndrimit në B.E..

Që atëherë kryeministri skocez ka këmbëngulur se pavarësia është e vetmja mënyrë që vendi të ruajë marrëdhëniet e tij zyrtare me BE-në.

Kryeministrja britanike May ka deklaruar se ajo nuk do të mbështesë një votim të ri të Skocisë për këtë çështje derisa Britania të jetë larguar zyrtarisht nga unioni. Një proces negociatash që sipas ekspertëve kërkon disa vite që të përmbyllet.

Sulmohet konsullata e Polonisë në perëndim të Ukrainës

Lutsk, Ukrainë

Sulmues të paidentifikuar raportohet se kanë hapur zjarrë në konsullatën e Polonisë në qytetin veriperëndimor Lutsk në Ukrainë, mëngjesin e sotëm.

Nga sy sulm është dëmtuar çatia e konsullatës dhe janë thyer xhamat.

Duke cituar dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, portali Volyn24 ka raportuar se incidenti ka ndodhur në orët e hershme të 29 marsit, menjëherë pas mesnatës.

Nga ky incident nuk raportohet për të lënduar.

Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur një granata hedhës, raporton një televizion ukrainas.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo klimkin ka shprehur indinjatën e tij për këtë sulm, duke e quajtur “akt të shëmtuar i atyre që kundërshtojnë miqësinë tonë me Poloninë”.

Klimikin po ashtu ka shkruar në Tëitter se autoritetet ukrainase janë të përkushtuara për të gjetur dhe dënuar sulmuesit.

Nisin hetime zyrtare ndaj gruas së kandidatit për president të Francës

Francois Fillon (në të djathtë) dhe gruaja e tij, Penelope Fillon (në të majtë)

 

Ndaj gruas së kandidatit për president të Francës, Francois Fillon kanë filluar hetime zyrtare nën dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike.

Ky vendim vjen dy javë pasi nisën hetimet ndaj Fillon. Ai dyshohet se ka paguar gruan dhe fëmijët e tij, qindra mijëra euro nga paratë publike, për dekada me rradhë për punë, që ata mund të mos i kenë kryer.

Penelope Fillon po hetohet për dyshimet për pjesëmarrje në shpërdorimin e fondeve publike dhe disa vepra të tjera të ngjashme.

Fillon, ish-kryeministër, ka mohuar akuzat. Ai është kandidati i parë francez për president, që zyrtarisht është nën hetime.

Deri kohët e fundit, Fillon ishte kandidati favorit për të fituar zgjedhjet. Por tani ai është prapa kandidates të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen dhe Emmanuel Marcon.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet më 23 prill.

Gjermania arreston një komandant taliban

Prokurorët gjermanë thonë se kanë arrestuar një ish komandant të dyshuar të talibanëve, që besohet se ka marrë pjesë në sulmin ku u janë vrarë ushtarë amerikanë dhe afganë.

Zyra e Prokurorit federal ka thënë se qytetari afgan, i identifikuar vetëm si Abdullah P., 30-vjeçar, është arrestuar në shtetin e Bavarisë më 23 mars, nën dyshimin se është pjesëtar i organizatës terroriste dhe për tentim vrasje.

Në deklaratën e Zyrës së Prokurorit thuhet se i dyshuari besohet se i është bashkuar talibanëve më 2002 dhe ka qenë komandant më 2004.

Sipas autoriteteve gjermane, ai është përfshirë në misione kundër luftëtarëve të huaj dhe afganë, përfshirë edhe në sulmin ndaj konvojit ushtarak ku u vranë 16 ushtarë amerikanë dhe afganë.

Akoma nuk është e qartë se në cilin vit ka ndodhur ky sulm.

Prokurorët gjermanë kanë shtuar se ai ishte larguar nga njësia e tij luftarake më 2008. Më 2009 ai kishte ikur në Pakistan, ndërkaq më 2011 ka ardhur në Gjermani si emigrant.

“Etna” përsëri nxjerr llavë dhe hi vullkanik

Kujtojmë se vullkani u aktivizua edhe në mes të muajit, ndërsa në atë shpërthim u lënduan dhjetë persona

CATANIA – Vullkani aktiv Etna që gjendet në ishullin e Sicilisë, në jug të Italisë, ka vazhduar të hedh llavë dhe hi. Tashmë një muaj vullkani është aktiv, ndërsa hedhja e llavës është vërejtur edhe të hënën dhe të martën.

Kujtojmë se vullkani u aktivizua edhe në mes të muajit, ndërsa në atë shpërthim u lënduan dhjetë persona.

Në mesin e të lënduarve gjendet edhe një ekip i BBC-së. Instituti nacional për gjeofizike dhe vullkanologji (INGV) pas shpërthimit shpalli alarm të portokalltë për rajonin e Etnas dhe rrethinës së saj. aa


Send this to a friend