VOAL

VOAL

Më shumë se 500 djem janë abuzuar në shkollën katolike gjermane

Më shumë se 500 djem kanë pësuar dhunë fizike dhe seksuale në një shkollë kori katolike në Gjermani midis viteve ‘45 dhe ‘92, sipas një raporti të publikuar sot (e martë).

Sipas raportit të juristit Ulrich Weber, të paktën 547 djem të korit të famshëm në të gjithë botën, Domspatzen, janë viktima të dhunës fizike dhe seksuale, të 49 abuzuesëve.

Weber, i cili e filloi studimin e tij në vitin 2015, është ngarkuar të merret me këto hetime fill pas skandalit të abuzimit seksual të vitit 2010, ku u përfshinë pjestarë të Kishës Katolike. Ai tha se viktimat ishin pre e “dhunës, frikës dhe pafuqisë”, ndërkohë që e krahasuan shkollën me “burgun, ferrin apo kampet e përqëndrimit”.

“I gjithë sistemi arsimor ishte orientuar drejt arritjet më të mëdha muzikore dhe sukseset e korit”, thotë raporti. “Krahas motiveve individuale, edhe ato institucionale, pra, ndrydhja e fëmijëve me qëllim disiplinën dhe përkushtimin masimal, krijuan bazat për dhunë”.

Weber tha se faji për abuzimet bie pjesërisht mbi njëfarë “kulture heshtjeje” dhe drejtoi gishtin nga Georg Ratzinger, i cili drejtoi korin nga viti 1964 deri në vitin 1994. Weber thotë në raport se “Ratzinger i injoroi ato që po ndodhnin dhe nuk ndërhyri”.

Ratzinger, vëllai i ish Papës Benedict, ka mohuar se ka pasur ndonjë dijeni për abuzime gjatë kohës që ai drejtoi korin.

Weber tha se ai i gjeti të 49 abuzuesit e dyshuar, por vuri në dukje se janë të pakta gjasat që ata të ndiqen penalisht, duke qenë se i kanë kryer kë krime përpara shumë kohësh.

Dioqeza lokale katolike tha se do t’u ofrojë viktimave dëmshpërblim deri në 23 mijë dollarë deri në fund të këtij viti.

Dita e Bastijës dhe simbolika e pjesëmarrjes së presidentit Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ishte i ftuari i nderit në festimet me rastin e “Ditës së Bastijës” në Francë. Gjithçka ishte përgatitur në hollësi, duke përfshirë bandën ushtarake, manifestimin me avionë ushtarake amerikanë e francezë si dhe një paradë që zgjati më shumë se dy orë dhe që shënoi gjithashtu 100 vjetorin e hyrjes së trupave amerikanë në Luftën e Parë Botërore. Parada shënoi dhe fundin e vizitës dy ditore të presidentit Trump dhe bashkëshortës së tij në Francë.

Në bulevardin e famshëm të Parisit Champs Elysees, flamuri amerikan u valvit krah atij francez. Trupat amerikane marshuan në një paradë mes mijëra ushtarëve francezë, shoqëruar nga mjetet ushtarake.

Gjithshçka monitorohej nga më shumë se 3500 policë, përgjatë gjithë bulevardit për të garantuar sigurinë ndaj ndonjë sulmi të mundshëm terrorist.

Në një fjalim në bulevardin Champs Elysees, presidenti francez iu referua historisë për të dëshmuar lidhjen e fortë mes dy vendeve.

Ne gjetëm aleatë të sigurtë, miq, të cilët erdhën për të na ndihmuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mes tyre. Kjo është arsyeja pse asnjëherë, asgjë, nuk do të na ndajë. Prania e presidentit amerikan Donald Trump dhe gruas së tij është shenja e një miqësie që zgjat në kohë“.

Prania e presidentit Trump si i ftuar nderi me rastin e ditës kombëtare të Francës është një simbolikë e thellë dhe tregues se Franca dhe Evropa kanë nevojë për angazhimin amerikan, më shumë se kurrë.

Më 14 korrik Franca përkujton mësymjen në Bastijë në vitin 1789, një ngjarje që shënoi fillimin e Revolucionit Francez.

Këtë vit u festua dhe 100 vjetori i vendimit të Shteteve të Bashkuara për të hyrë në Luftën e Parë Botërore, duke i shpallur luftë Gjermanisë.

Parada shënoi fundin e vizitës dy ditore të presidentit amerikan Trump dhe bashkëshortës së tij. Festimet në Paris vijnë një vit pas një sulmi me kamion në qytetin francez Nisë ku si pasojë u vranë 86 vetë. Grupi i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin. Në takimin mes dy udhëheqësve të lartë terrorizmi ishte një temë kryesore, pjesë e një axhende që u shënua dhe me dallime lidhur me çështjen e klimës dhe tregtisë.

Trump, Macron komentojnë për klimën dhe marrëdhëniet

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se “diçka mund të ndodhë” në lidhje me vendimin e Uashingtonit për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën.

Në komentet që bëri në Paris pas bisedimeve me homologun francez Emmanuel Macron, zoti Trump gjithashtu nuk i kushtoi rëndësi një takimi vitin e kaluar midis djalit të tij dhe një avokateje ruse.

“Në takim nuk ndodhi asgjë,” tha Presidenti Trump.

Para pak ditësh, djali i madh i Presidenti Trump, Donald Trump Jr., publikoi një email, nga i cili dilte se takimi ishte bërë për të diskutuar mbi materiale të mundshme që e dëmtonin fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton.

Rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe pohimeve se fushata e zotit Trump ka bashkëpunuar me interesat ruse, janë duke u zhvilluar disa hetime.

Lidhur me ndryshimet klimatike, Presidenti francez, Macron, pranoi se dy palët nuk pajtohen në këtë çështje, por “respektojnë” vendimin e zotit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit.

Zoti Trump la të kuptohej se rihyrja e SHBA në marrëveshje është diçka që mund të ndodhë në të ardhmen. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Me vizitën e tanishme në Francë Presidenti Trump synon të tregojë se administrata e tij mbetet e angazhuar me aleatët tradicionalë evropianë.

Ashtu si zoti Trump, edhe Presidenti Macron është i sapozgjedhur në këtë post dhe vjen në krye të vendit si një personalitet jashtë politikës.

Pak përpara se të fillonin bisedimet, Presidenti Macron tha se është “e natyrshme dhe e domosdoshme” për të patur shkëmbime me zotin Trump, motoja politike e të cilit, “Amerika e para” i ka shqetësuar disa aleatë të rëndësishëm evropianë.

NJË VIZITË E SHPEJTË

Presidenti Trump arriti në kryeqytetin francez pas një fluturimi gjatë natës nga Uashingtoni për një vizitë të shpejtë 36 orëshe, për të diskutuar me udhëheqësin francez mbi zgjidhjet e mundshme të krizës në Siri dhe mbi strategjitë më të gjera kundër terrorizmit.

Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump u përshëndetën nga zoti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, në Les Invalides, vendvarrimi i Napoleonit.

Presidenti amerikan do të marrë pjesë të premten në festimet e Ditës së Bastijës dhe në ceremonitë me rastin e 100 vjetorit të hyrjes së SHBA në Luftën e Parë Botërore.

Në festimet me rastin e Ditës së Bastijës, trupat amerikane do të marshojnë së bashku me ato franceze në bulevardin e famshëm Champs Élysées. Të enjten, një ditë para festimeve, presidenti amerikan u takua me homologun francez për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje si Siria dhe lufta kundër terrorizmit.

Në takimin e tyre në muajin maj, tërhoqi vemendjen shtrëngimi i duarve mes tyre, që u përhap me shpejtësi virale në mediat sociale – një udhëheqës i ri francez, i cili jepte mesazhin se Franca do t’i rezistonte Presidentit Trump dhe politikës së tij “Amerika e Para”.

Veç klimës, një tjetër çështje delikate është marrëdhënia e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, që u shfaq të premten, në punimet e G-20-ës. Franca, sikurse edhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore, e ndoqi takimin Trump-Putin me nervozizëm.

“Nuk ka asgjë substanciale për t’u shqetësuar për këtë, por vetë procesi, gjuha e përdorur, mënyra se si ai është aq i gatshëm të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve dhe hezitimi për të përdorur të njëjtën gjuhë ndaj Rusisë, i bën njerëzit të mendojnë, nëse do të ketë në muajt e ardhshëm një nismë amerikane për Sirinë, Rusinë, apo Ukrainën; ose nëse është rënë dakord me Kremlinin para se të diskutohet me Parisin, Berlinin apo edhe me Londrën…”– thotë analisti britanik Malcolm Chalmers.

Ky është udhëtimi i tretë përtej Oqeanit dhe në Evropë i zotit Trump, që kur ai filloi mandatin e Presidentit në janar të këtij viti.

Shtyhet gjykimi për tradhti i Yanukovychit

Ish presidenti ukrainas Viktor Yanukovych

 

Një gjykatë ukrainase e ka shtyrë gjykimin e Viktor Yanukovychit për tradhti, pasi avokati i ri i ish presidentit ka kërkuar më shumë kohë për t’u përgaditur.

Gjykimi do të mbahet më 3 gusht, ndonëse Viktor Yanukovych nuk do të jetë pjesë e gjykimit.

Gjyqtari i gjykatës së Kievit, Vladyslav Devyatko, i ka dhënë kohë shtesë avokatit mbrojtës të caktuar nga shteti, Vitaliy Meshechek, për t’u përgaditur rreth rastit.

Yanukovych ka thënë se nuk do të jetë pjesë e gjykimit, pasi sipas tij gjykimi është i motivuar politikisht.

Dy gjykatësit e mëparshëm kanë hequr dorë nga rasti, pasi Yanukovych i kishte lajmëruar se nuk i duheshin më.

Gjykata më pas vendosi që ai të përfaqësohej nga një gjyaktës i caktuar nga shteti.

Yanukovych është larguar nga Ukraina në shkurt të 2014-ës dhe u nis në Rusi në mesin e shumë protestave pas vendimit të tij për rregullimin e marrëdhënieve tregtare me Moskën.

Prokurorët po kërkojnë dënim me burgim të përjeshtëm për Yanukovychin, i cili akuzohet për tradhti, duke cenuar sovranitetin e integritetin territorial të Ukrainës.

Pasi ai u largua, Rusia aneksoi Krimenë nxiti konflikte në lindje të Ukrainës.

Nga përleshjet në mes të forcave të Kievit dhe separatistëve pro rusë në lindje të Ukrainës janë vrarë më shumë se 10,000 persona.

Trumpi merr pjesë në festimet e Ditës së Bastijës

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump, së bashku para nisjes së samitit G20 në Hamburg, javën e kaluar
 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, do të nisen sot për një vizitë dy ditore në Francë.

Ata do të jenë pjesë e festimeve, për Ditën Bastille në Paris, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Gjithashtu është bërë e ditur se Trump do të zhvillojë takime edhe me presidentin francez, Emmnauel Macron, duke u fokusuar në konfliktin në Siri dhe përpjekjet globale kundër terrorizmit.

Macron e ka ftuar presidentin Trump për shënimin e Ditës Bastille, gjatë një bisede telefonike, muajin e kaluar.

Përveç festimit të kësaj dite, këtë vit do të përkujtohet edhe 100 vjetori i përfshirjes së SHBA-së në Luftën e parë Botërore.

Dita Bastille përkujton marrjen me forcë të kalasë Bastille më 14 korrik 1789 nga një turmë. Kjo ngjarje konsiderohet si pike kthese dhe si simbol i rëndësishëm për francezët.

Kjo ditë shënohet si Dita Kombëtare e Francës dhe festohet cdo vit.

Bazuar në një studim të fundit nga Qendra për Kërkime Pew, vetëm 14 për qind e qytetarëve francezë besojnë në aftësinë e Trumpit “për të bërë gjënë e duhur në çështjet ndërkombëtare”.

Udhëtimi i presidentit Trump në Francë vjen në më pak se një javë pas pjesëmarrjes në samitin G20 në Hamburg të Gjermanisë.

Alfano: Vendet e Ballkanit Perendimor janë pjesë e Evropës

“Takimi në Trieste është i rëndësishëm. Ai njerëzve u dërgon një mesazh të qartë. Mesazhi më i rëndësishëm i samitit është ‘Të dashur qytetarë të Ballkanit Perëndimor, vendi juaj është në Evropë’, tha Alfano

TRIESTE – Ministri italian i Punëve të Jashtme, Angelino Alfano, në prag të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, theksoi se mesazhi më i rëndësishëm i Samitit është se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës.

“Takimi në Trieste është i rëndësishëm. Ai njerëzve u dërgon një mesazh të qartë. Mesazhi më i rëndësishëm i samitit është ‘Të dashur qytetarë të Ballkanit Perëndimor, vendi juaj është në Evropë'”, tha Alfano në një konferencë për shtyp në Trieste, ku nesër do të mbahet samiti për Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se në samitin e Triestes do të nënshkruhen edhe marrëveshje rreth projekteve të investimeve të vendeve të BE-së në rajon me vlerë prej 200 milionë euro.

Sipas tij, projektet e përmendura do të ndihmojnë vendet e rajonit në zbatimin e reformave në rrugën drejt BE-së.

Në Samitin që zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, do të diskutohet për krijimin e një tregu të përbashkët ballkanik, forcimin e bashkëpunimit rajonal, përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës të shërbimeve të energjisë në rajon, politikat e emigracionit dhe luftën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe të gjitha formave të radikalizmit.

Stoltenberg: Rusia duhet të tërheqë ushtarët nga Ukraina

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Kiev, 10 korrik 2017.
 

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se vendi i tij nuk do të synojë “menjëherë” anëtarësimin në NATO, por fillimisht do të përqendrohet në zbatimin e reformave.

Poroshenko, duke folur në Kiev, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se qeveria e tij “do të ndërtojë një program të vërtetë reformash” për t’i përmbushur kërkesat për anëtarësim në NATO në të ardhmen.

Stoltenberg, në anën tjetër, shprehu mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, që parashohin fundin e konfliktit midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

“Marrëveshjet e Minskut mbeten rruga e vetme drejt paqes. Rusia duhet të tërheqë mijëra ushtarët e saj nga Ukraina dhe të ndalojë mbështetjen për militantët me komanda, kontroll dhe pajisje ushtarake”, tha Stoltenberg.

Ai konfirmoi se vendet anëtare të NATO-s nuk e njohin aneksimin e rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014.

Liderët me deklaratë përfundimtare në Samitin G20

HAMBURG – Vendet pjesëmarrëse në Samitin e 12-të të Liderëve G20 që u mbajt në qytetin Hamburg të Gjermanisë u dakorduan përmes një deklarate të përbashkët.

Në deklaratë u theksua vazhdimi i luftës kundër proteksionizmit, tregtia ndërkombëtare, rritja ekonomike, eliminimi i varfërisë, mbështetja e Marrëveshjes së Parisit mbi Klimën, bashkëpunimi me Afrikën, rritja e punësimit dhe fuqizimi i rolit të gruas.

Në deklaratë ku thuhet se liderët e G20 janë takuar në Hamburg për t’i diskutuar vështirësitë e ekonomisë globale dhe kontribuimin për prosperitetin thuhet se “Kapërcimi i sfidave të kësaj kohe, formimi i një bote të ndërlidhur njëra me tjetrën dhe bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar është qëllimi i përbashkët i forumit tonë G20”.

Duke theksuar se zhvillimi i qëllimit të përbashkët për një rritje të fortë, të vazhdueshme, stabile dhe gjithpërfshirëse është një prej prioriteteve kryesore të samitit G20, në deklaratë thuhet se “Ne vendosëm për t’i adresuar sfidat themelore të shoqërisë si terrorizmi, zhvendosja, varfëria. Uria dhe kërcënimet shëndetësore, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe barazia. Do të vazhdojmë t’i zgjidhim këto probleme në bashkëpunim, përfshirë edhe shtetet të cilat janë në zhvillim”.

Duke vënë në dukje se përkundër asaj që pritjet e rritjes janë të inkurajueshme, shpejtësia e rritjes ende nuk është në nivelin e duhur dhe është e dobët, në deklaratë thuhet se liderët kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre për bashkëpunimi ekonomik dhe financiar ndërkombëtar për shpejtimin e rritjes dhe mbrojtjes së saj nga rreziqet e dobësimit.

Temat kryesore të këtij samiti, ku Turqia u përfaqësua nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan ishin “Ndarja e përfitimeve të globalizmit”, “Formimi i Qëndrueshmërisë”, “Zhvillimi i Burimeve të Qëndrueshme të Jetesës” dhe”Marrja e Përgjegjësisë”.

“Tregtia ndërkombëtare dhe investimi, një prej motorëve të rëndësishme të rritjes”

Në deklaratë qëndron se “Tregtia ndërkombëtare dhe investimi është një prej motorëve të rëndësishëm të rritjes, prodhimtarisë, inovacionit, krijimit dhe zhvillimit të punësimit”.

“Duke shprehur rëndësinë e tregtisë dypalëshe dhe asaj që sjell përfitime reciproke, si dhe të parimit të mosdiskriminimit do t’i mbajmë tregjet e hapura dhe do të vazhdojmë të luftojmë kundër proteksionizmit përfshirë edhe praktikat e padrejta tregtare dhe në këtë aspekt do të njohim rolin e mjeteve të mbrojtjes së tregtisë legale”.

Më tej potencohet rëndësia e transparencës për marrëdhëniet tregtare të cilat sjellin përfitime reciproke. “Për këtë qëllim ne u japim rëndësi aktiviteteve të monitorimit të Organizatës Botërore të Tregtisë, Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD) dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD)”.

Në deklaratë po ashtu u theksua se sistemi financiar i hapur dhe fleksibël i cili mbështetet në standardet ndërkombëtare dhe për të cilin është arritur marrëveshja, ka një rëndësi të madhe për rritjen e qëndrueshme. Gjithashtu nënvizohet se liderët vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri për finalizimin e axhendës së reformave të sektorit financiar të G20 dhe zbatimin e saj në kohë, në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme.

Marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike

Në deklaratë thuhet se është shënuar edhe vendimi i SHBA-ve për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën ku shtohet se “Liderët tjerë të G20 theksojnë se Marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme”.

Po ashtu bëhet e ditur se liderët kanë rikonfirmuar një angazhim të fortë për Marrëveshjen e Parisit.

Partneriteti me Afrikën

Në deklaratë e përbashkët përfshihen edhe vlerësimet për partneritetin me Afrikën, për të cilin kryesuesja e këtij Samiti, Gjermania i kushton rëndësi.

“Ne fillojmë partneritetin G20 me Afrikën, në drejtim të mundësive, të vështirësive dhe qëllimeve të vitit 2030 në shtetet e Afrikës. Përpjekjet tona të përbashkëta, do të inkurajojnë rritjen e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike dhe duke iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të shteteve të Afrikës, sidomos duke kontribuar në punësimin e grave dhe të rinjve, do të ndihmojnë në adresimin e varfërisë dhe jobarazinë në mes të arsyeve të migrimit”, qëndron në deklaratë. aa

Samiti G20, liderët me deklaratë të përbashkët kundër terrorizmit

Liderët e G20-ës bëjnë thirrje për “forcimin e masave kundër financimit të organizatave ndërkombëtare terroriste, në veçanti ISIS-it, Al-Kaedës dhe bashkëpunëtorëve të tyre”

HAMBURG – Liderët e 20 ekonomive më të fuqishme në botë (G20) u zotuan të premten për të rritur përpjekjet për të luftuar terrorizmin, duke përmirësuar ndarjen e informacioneve, duke luftuar financimin e terrorizmit dhe propagandën e saj në internet.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një konferencë shtypi se liderët kanë rënë dakord për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit, pas një diskutimi të gjatë në samitin e Hamburgut.

“Do të donim të punonim më pranë kornizës së Kombeve të Bashkuara”, tha ajo, duke shtuar se bashkëpunimi i tyre do të përqendrohet në luftimin e financimit, rekrutimit dhe burimeve ideologjike të terrorizmit.

Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, liderët e G20-ës bëjnë thirrje për “forcimin e masave kundër financimit të organizatave ndërkombëtare terroriste, në veçanti DEASH-it, Al-Kaedës dhe bashkëpunëtorëve të tyre”.

“Nuk duhet të ketë ‘hapësira të sigurta’ për financimin e terrorizmit kudo në botë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve.

Liderët u zotuan gjithashtu të përmirësojnë shkëmbimin e informacioneve midis organeve të inteligjencës dhe organet e rendit.

“Ne do të sigurojmë që terroristët të nxirren para drejtësisë”, kanë theksuar liderët.

Ndryshe, Samiti i sotëm në Hamburg është mbajtur teksa kanë vazhduar protesta të shoqëruara me përleshje dhe incidente mes protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave raportohet edhe për të lënduar.

PE miraton rezolutën për pezullimin e negociatave me Turqinë

Në seancën e sotme të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, 477 eurodeputetë ishin pro, kurse 64 ishin kundër miratimit të raportit të Komisionit Evropian për Turqinë

 Deputetët e Parlamentit Evropian me shumicë votash kanë miratuar sot projektrezolutën për pezullimin e negociatave me Turqinë. Në seancën e sotme të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, 477 eurodeputetë ishin pro, kurse 64 ishin kundër miratimit të raportit të Komisionit Evropian për Turqinë.

Ndër të tjera, brenda vendimit të miratuar ndodhet dhe rekomandimi për ndërprerjen e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE, nëse ky vend zbaton pakon e reformave kushtetuese në formën që votuesit turq e miratuan me shumicën votash në referendumin e mbajtur më 16 prill.

Rekomandimi, i cili përndryshe nuk ka karakter detyrues për BE-në dhe Turqinë, gjithashtu bën thirrje për bllokimin e negociatave të pranimit në rast të pezullimit të procesit të integrimit evropian të Turqisë.

Ministri turk për Çështjet e BE-së, Omer Çelik, sot më herët para takimit me komisionerin e BE-së, Johannes Hahn, tha se procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE është shtylla kurrizore e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit.

   Ministri turk i BE-së Çelik takon Eurokomisarin Hahn

Duke theksuar vendosmërinë e Turqisë për vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, Çelik ka thënë se janë të këqija dhe të dëmshme propozimet për ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve midis të dy palëve.

Turqia ka ripërtërirë negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2005 dhe deri tani ka realizuar me sukses plot 35 kapituj të bisedimeve. Bllokimi i negociata ka ndodhur në vitin 2007, për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me çështjen e Qipros. Gjermania dhe Franca kanë kundërshtuar anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE. aa

Mesazhi i fortë i Trumpit nga Varshava, ja çfarë thotë për Evropën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Amerika “është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Evropën qendrore”.

Duke folur në Varshavë, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin polak, Andrzej Duda, Trump tha se SHBA po punon me Poloninë për t’iu përgjigur “veprimeve të Rusisë dhe sjelljes së saj destabilizuese”, raporton rel.

“Aleanca jonë e fuqishme me NATO-n dhe Poloninë mbetet kyçe për të penguar konfliktet dhe për të sigurar se lufta midis fuqive të mëdha nuk do ta shkatërrojë më kurrë Evropën”, tha Trump.

Në Varshavë, Trump do të takojë liderët e Evropës qendrore dhe lindore, ndërsa do të mbajë edhe një fjalim nga sheshi Krasinksi.

Më vonë, Trump do të udhëtojë drejt Hamburgut, ku, të premten, do të marrë pjesë në Samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

Gjate këtij samiti, Trump do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin.

Amnesty International fajëson BE-në për vdekjet e emigrantëve në Mesdhe

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International (AI) fajësoi “dështimin e politikave të Bashkimit Evropian” për numrin e madh të vdekjeve të refugjatëve dhe emigrantëve në Detin Mesdhe.

Në një raport të publikuar sot, Amnesty tha se “marrëveshjet cinike” me Libinë përballen mijëra njerëz me rrezikun e mbytjes, përdhunimit dhe torturës.

Amnesty tha se BE ka mbyllur njërin sy ndaj abuzimeve në qendrat e paraburgimit në Libi, ndërsa shpëtimin e emigrantëve e ka lënë në duart e organizatave bamirëse.

Mbi 2,000 njerëz kanë vdekur në vitin 2017, gjatë përpjekjeve të tyre për të arritur Evropën, tha Amnesty International.

“Nëse gjysma e dytë e këtij viti vazhdon si e para dhe nëse nuk ndërmerren veprime urgjente, 2017-ta mund të bëhet viti më vdekjeprurës në rrugën më vdekjeprurëse të migrantëve në botë”, tha John Dalhuisen, drejtor për Evropën i Amnesty International.

BE nuk e ka komentuar ende raportin e organizatës.

Trumpi mban sot fjalim nga Varshava

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të paraqesë sot në Varshavë vizionin e tij për marrëdhëniet e Amerikës me Evropën.

Trump do të mbajë fjalimin e madh në Sheshin Krasinksi – vendin e kryengritjes së Varshavës, më 1944.

Ai po ashtu do të promovojë tregtinë në bisedimet me liderë të Evropës qendrore dhe lindore.

Më vonë, Trump do të udhëtojë drejt Hamburgut, ku, të premten, do të marrë pjesë në Samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

Në margjina të këtij samiti, Trump do të takojë edhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Maiziere: Rusia do të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet gjermane

Ministri i Punëve të Brendshme në Gjermani, Thomas de Maiziere

 

Gjermania pret që Rusia të provojë të ndikojë në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në shtator, duke synuar humbjen e besimit në demokracinë e Gjermanisë dhe jo me ndonjë tendencë për promovimin e ndonjë kandidati, kanë thënë disa zyrtarë gjermanë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere, ka thënë në një konferencë, se Berlini është duke u mobilizuar për dy sulme të cilat lidhen me lajme të rreme që supozohet të jenë orkestruar nga Moska.

“Ne kemi parë një ndikim të mundshëm të zgjedhjeve në Amerikë, dhe të atyre në Francë”, ka thënë ai.

“Kemi arsye të forta për të besuar se këto lëvizje kanë ardhur nga Rusia andaj nuk mund të përjashtojmë mundësinë se do të ketë tentime të tilla edhe në zgjedhjet e Gjermanisë”.

De Maiziere ka thënë se pret “ një kampanjë klasike të dezinformimit me gënjeshtra dhe të gjysmë të vërteta, me qëllim të krijimit të një opinioni publik.

Ai ka thënë se këta hapa mund të përcjellen me profile të rreme në rrjete sociale.

“Gjëja e vetme që mund të na ndihmojë është qetësia, zbulimi i së vërtetës dhe prezantimi i fakteve”, ka shtuar Maiziere.

Rusia mohon në vazhdimësi ndikimin në zgjedhjet jashtë Rusisë.

Hans-Georg Maassen, presidenti i agjencisë së Intelegjencës në Gjermani, ka thënë se derisa ende nuk është e qartë se cili është qëllimi kryesor i Rusisë në zgjedhjet gjermane, ai ka supozuar se presidenti rus Vladimir Putin do të preferonte dikë tjetër në vend të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Merkel, e cila mbështet sanksionet kundër Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, ëshë duke kërkuar mandatin e saj të katërt në zgjedhjet e 24 shtatorit.

Maassen ka shtuar se sistemi i votimit në Gjermani ka më pak mundësi të jetë cak i sulmeve, pasi votimi në këtë vend është më i shprehur përmes votës në letër, në krahasim me votën elektronike.

Katalonja: Pavarësi e menjëhershme në rast fitoreje në referendum

Koalicioni në pushtet në Katalonja deklaroi sot se referendumi i vetëvendosjes që synon të organizojë në tetor do të ketë efekt të menjëhershëm dhe se do të shpallte menjëherë pavarësinë nëse “po”-ja fitonte.

“Nëse një maxhorancë votash është në favor të krijimit të një republike katalanase, do të duhet që të shpallet pavarësia menjëherë”, tha një e zgjedhur rajonale e CUP-së (ekstremi i majtë, separatist), Gabriela Serra, gjatë prezantimit të ligjit, nga një grup deputetësh indipendentistë të të gjitha drejtimeve, që shërben për të organizuar referendumin.

Qeveria katalanase drejtohet që prej vitit 2016 nga një koalicion separatist që ka premtuar se do të sjellë pavarësinë e rajonit.

Nga ana tjetër qeveria spanjolle e konservatorit, Mariano Rajoy i kundërvihet këtij referendumi duke vlerësuar se një çështjet e tullë që prek sovranitetin kombëtar duhet të debatohet nga të gjithë spanjollët.

Rajoy këtë çështje e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, që e shpalli të paligjshme dhe në shkurt Gjykata kishte njoftuar ekzekutivin katalanas se çdo veprim në këtë drejtim do të ishte i dënueshëm me ligj.

Por, vetë shoqëria katalanase është shumë e ndarë mbi këtë çështje, ku 48,5 për qind janë kundër shkëputjes ndërsa 44,3 për qind janë pro, sipas një sondazhi të fundit nga një institut që varet nga qeveria katalanase. Megjithatë një maxhorancë e gjerë e popullsisë, më shumë se 70 për qind, dëshiron që t’i jepet fund kësaj çështjeje me një referendum.

Francë, arrestohet i riu i cili kishte planifikuar vrasjen e Macronit

Zëdhënësja e prokurorit të Parisit Agnes Thibault-Lecuvre konfirmoi se planet e 23-vjeçarit të dyshuar ishin të paqarta dhe të papërfunduara dhe sipas të gjitha gjasave ka vepruar vetëm

PARIS – Autoritetet franceze javën e kaluar kanë arrestuar një të ri i cili kishte planifikuar që gjatë paradës ushtarake më 14 korrik, të kryej sulm ndaj presidentit francez Emmanuel Macron dhe grupeve minoritare, kurse ndaj të dyshuarit është ngritur akuzë paraprake për terrorizëm.

Zëdhënësja e prokurorit të Parisit Agnes Thibault-Lecuvre ka konfirmuar të hënën se planet e 23-vjeçarit të dyshuar ishin të paqarta dhe të papërfunduara dhe sipas të gjitha gjasave ka vepruar vetëm.

Ajo theksoi se i riu u arrestua në periferi të Parisit të enjten dhe se ka pranuar në polici se ishte duke planifikuar, që në ditën e paradës ushtarake në “Champs Elysees” më 14 korrik, në Ditën e rënies të Bastijës, të vrasë presidentin francez. Ai gjithashtu ka shfaqur edhe qëndrime nacionaliste.

Franca më 14 korrik shënon festën e saj kombëtare, Ditën Bastijës, dhe me këtë rast në “Champs Elysees” do të mbahet paradë ushtarake, në të cilën do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Macron pas paradës do të vizitojë Nicën, ku shënohet përvjetori i sulmeve terroriste, kur sulmuesi me kamion shtypi një turmë njerëzish, duke lënë të vdekur 86 persona. aa

Mogherini takoi Thaçin dhe Vuçiçin veç e veç

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, takoi veç e veç presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në takimin trepalësh në Bruksel, Vuçiq dhe Thaçi do të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre për vazhdimin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh, si dhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bëri të ditur Zyra e Mogherinit.

Përpara udhëtimit, Thaçi ka thënë se do të diskutohet për mënyrën se si do të vazhdojë dialogu në fazën e re dhe objektivat që synohen të arrihen në kuadër të procesit të normalizimit.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takimin e fundit në nivel të lartë më 1 shkurt.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakorduara kanë mbetur vetëm në letër.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.

Dhjetëra të plagosur dhe të zhdukur nga rrëzimi i autobusit në Gjermani

Pamje nga aksidenti

 

Tridhjetenjë veta janë plagosur dhe 17 janë zhdukur nga flakët që kanë përfshirë një autobus, i cili është rrëzuar në autostradën A9, në jug të Gjermanisë.

Autobusi është përplasur me një kamion pranë qytetit Shtambah, ne veri të Bavarisë.

Disa pasagjerë kanë marrë plagë të rënda, ndërsa dyshohet se disa të tjerë mund të kenë vdekur.

“Realisht duhet të presim viktima”, i tha agjencisë DPA një zëdhënës i policisë.

Në bordin e autobusit kanë qenë 46 pasagjerë dhe dy shoferë.

Nuk është ende e qartë se çfarë e ka shkaktuar aksidentin.

Disa helikopterë u janë bashkuar punëtorëve të emergjencës në vendngjarje.

Paraqitet raporti për diskriminimin e myslimanëve në Holandë

Në raportin e prezantuar nga ministri holandez Lodewijk Asscher, theksohet se 30 % e fëmijëve dhe të rinjve në grupmoshën 12-23 vjeç meshkuj si dhe 15 % femra kanë mendime negative rreth myslimanëve

HAGË – Paraqitet në Dhomën e Përfaqësuesve “Raporti Diskriminimit kundër Myslimanëve” i përgatitur nga një institucion privat, me kërkesë të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Holandës.

Në raportin e prezantuar nga ministri holandez i Punës dhe Çështjeve Sociale, Lodewijk Asscher, theksohet se 30 për qind e fëmijëve dhe të rinjve në grupmoshën 12-23 vjeç meshkuj si dhe 15 për qind femra kanë mendime negative rreth myslimanëve.

Në raport theksohet se të rinjtë holandezë të cilët më parë nuk janë njohur asnjëherë me një mysliman kanë mendime më negative në krahasim me të rinjtë që takohen rregullisht me myslimanët.

Gjithashtu në raport njoftohet se lajmet në media janë një faktor i madh në referimin e mendimeve negative tek të rinjtë në lidhje me këtë çështje.

Ministri Asscher në letrën e paraqitur me raportin në Dhomën e Përfaqësuesve ka theksuar se rezultatet e hulumtimit janë “të frikshme”.

Në letrën e tij duke tërhequr vëmendjen se diskriminimi kundër myslimanëve nuk duhet të bëhet një situatë normale asnjëherë, Asscher është shprehur se “Për këtë arsye ka nevojë për më shumë komunikim mes komuniteteve. Ashtu si na është paraqitur edhe në hulumtimin e kryer ajo që mua më jep shpresë është se komunikimi mes komuniteteve është një mjet i mirë kundër diskriminimit dhe perceptimit negativ.”

Mogherini mikpritëse e takimit Thaçi-Vuçiç

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, të martën në Bruksel do të jetë mikrpitëse e një takimi joformal të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Mërtutje, në njoftimin nga Zyra e zonjës Mogherini, theksohet se kjo bisedë bëhet pas takimeve dypalëshe gjatë Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u mbajt mbrëmë në Dubrovnik.

Ata do t’i këmbejnë pikëpamjet për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, po ashtu, për zhvillimet më të gjëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksohet në fund të një kumtese të shkurtër të Zyrës së zonjës Mogherini.

Gjermania kërkon punëtorë nga Ballkani, kushtet që duhet të plotësoni

Gjermania është në kërkim për punëtorë të huaj. Deri te puna në Gjermani është shumë lehtë të arrihet.Kushtet janë: E gjitha që kërkohet është edukimi profesional, përvoja e punës dhe ajo kryesorja, dëshira për punë. Lista e profesioneve që po kërkohet është në rritje e sipër, por më së shumti po kërkohen nga ana mjekësore.

Ndërsa për një periudhe të shkurtër punë do të ketë edhe për inxhiniera kompjuterik dhe për matematikanë. Përveç këtyre në Gjermani kërkohen edhe dhe kujdestare. Shanse të mëdha për punë kanë edhe njohësit e zanateve.

Ky është një rast i shkëlqyer për ballkanasit, sepse puna që ata e bëjnë brenda territoreve ballkanike, në Gjermani do t’u paguhet shumë më mirë,

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, Gjermania çdo vit humb miliarda euro, ndërsa qeveria gjermane ofron një numër të përfitimeve për punonjësit nga jashtë me arsim të lartë.

Merkel kritika ndaj Trumpit

BERLIN – Kancerlarja gjermane, Angela Merkel, tha se problemet e botës nuk mund të zgjidhen me izolim dhe proteksionizëm.

Merkel, në deklaratën e saj në Parlamentin Federal në lidhje me Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) organizuar javën e kaluar dhe Samitin G20 që do të organizohet javën e ardhshme, theksoi se Samiti i Liderëve të BE-së ka dhënë sinjal të gjallërisë dhe besimit.

Kancelarja gjermane duke theksuar se të ardhmen e Evropës e shikon në mënyrë optimiste, tha se kjo është për shkak të frymës së bashkëpunimit të të gjitha vendeve të BE-së si dhe nga përshtatja e Gjermanisë me Francën.

Ajo duke theksuar se ndër çështjet e trajtuar në samit ka qenë edhe se çfarë roli do të ketë Evropa në botë në të ardhmen, vuri re se lufta kundër ndryshimeve klimatike, kërcënimi ndërkombëtar i terrorizmit, globalizimi, mundësitë e digjitalizimit dhe migrimi iu interesojnë të gjitha shteteve.

Kritika ndaj Trumpit 

Merkel duke e kritikuar politikën proteksioniste të presidentit amerikan Donald Trump, tha se “Kush do që mendon se problemet e botës do t’i zgjidhë me izolim dhe proteksionizëm është në një gabim të madh. Problemeve të shekullit mund t’iu japim përgjigje të sakta vetëm së bashku. Kjo, ashtu siç është e vlefshme për G20 është e vlefshme edhe për BE-në.”

Kancelarja gjermane gjithashtu duke treguar se BE-ja qëndron pas Marrëveshjes së Parisit për ndryshime kilmatike dhe së shpejti do të zbatojë këtë marrëveshje tha se, “Pasi që SHBA-të hoqën dorë nga Marrëveshja e Parisit për ndryshime klimatike, jemi të vendosur edhe më shumë që marrëveshja të arrij sukses.”

Ajo theksoi se mbrojtja e klimatikës është një provim në lidhje me ekzistencën e botës dhe njoftoi se Gjermania duhet të bëjë detyrat e saj në lidhje me këtë çështje dhe se marrëveshja nuk është e hapur për negociata.

Merkel njoftoi se në Samitin G20 do të trajtohen çështjet, si terrorizmi, ndryshimet klimatike dhe politikat proteksioniste. Ajo kërkoi që në Samitin G20 që do të mbahet më 7-8 korrik të qëndrohet kundër proteksionizmit, të merret qëndrim për treg të lirë dhe sistem tregtar shumëpalësh.

Merkel gjithashtu kërkoi që nga Samiti G20 të dalë sinjal i vendosmërisë, dhe shtetet pjesëmarrës të kuptojnë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në lidhje me botën.

Masakra e Srebrenicës, një gjykatë në Hagë bën Holandën bashkëpërgjegjëse për gjenocidin

Më shumë se 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës në Luftën e Bosnjes, një gjykatë në Hagë bëri sërish bashkëpërgjegjëse shtetin holandez për vdekjen e 350 viktimave gjatë masakrës ndaj myslimanëve në Srebrenica në vitin 1995.

Megjithatë gjykata shfuqizoi pjesërisht një vendim të instancës së parë duke pohuar përgjegjësi të pjesshme të Holandës e ushtarëve helmetkaltër holandezë për masakrat që ushtruan serbët.

Gjatë luftës së Bosnjes helmetkaltrit holandezë duhet të ruanin enklavën boshnjake të Srebrenicës si edhe mijëra refugatë. Por në korrik 1995, ata u dorëzuan pa luftë pas sulmit të stuhishëm të njësive serbe. Forcat serbe nën komandën e gjeneralit serb, Ratko Mlladiç vranë më pas 8000 burra dhe djem myslimanë. Masakra e Srebrenicës është gjenocidi më i madh në truallin europian pas Luftës së Dytë Botërore.

Familjarët e viktimave akuzuan shtetin holandez dhe iu dha e drejtë pjesërisht në instancën e parë. Një gjykatë civile kishte marrë vendimin se Holanda mbante përgjegjësi për vdekjen e 300 burrave, që atëherë ishin nën mbrojtjen e helmetkaltërve holandezë. Ky ishte vendi i parë që fajësonte një shtet pjesëmarrës në trupat e OKB-së për krimet e të tretëve.

Në instancën e parë gjykata në Holandë nuk e kishte bërë shprehimisht përgjegjëse Holandën për rastin e enklavës dhe vdekjen e refugjatëve. Por ushtarët kishin vepruar jo në përputhje me ligjin në deportimin e 300 burrave nga territori i tyre ushtarak. Kjo, megjithëse, sipas gjykatësve, kishte pasur sinjale për vrasje masive.

Në argumentimin e gjykatësve nënvizohet se “me shumë siguri mund të thuhet, se këta burra do të kishin jetuar, nëse Dutchbat do t’u kishte lejuar atyre të qëndronin brenda territorit ushtarak.”
Qeveria holandeze kishte apeluar vendimin. Sipas saj Dutchbat nuk mund të bënte asgjë kundër supremacisë serbe, dhe se trupat kanë qenë nën komandën e OKB-së. Por edhe të afërmit e viktimave e apeluan vendimin. Organizata “Nënat e Srebrenicës” është e mendimit, se Holanda është përgjegjëse për më shumë viktima./DW/

Spanjë, zjarret kërcënojnë trashëgiminë botërore të UNESCO-s

Agjencia spanjolle e Meteorologjisë (AEMET) raporton se këtë vit vendi përjetoi pranverën më të nxehtë

MADRID – Zjarret vazhdojnë të kërcënojnë Parkun Kombëtar të Donadas në Spanjën jugore, ku më shumë se 2.000 banorë vendas dhe turistë janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë dhe kampet e tyre, theksuan zyrtarët.

Të hënën në mëngjes, tre zjarre vazhduan të tërbojnë, dy prej tyre janë nën kontroll, pasi qindra zjarrfikës vazhdojnë të luftojnë me flakët, bëri të ditur qeveria rajonale në një njoftim.

Zjarret shpërthyen të shtunën në mbrëmje dhe kanë shkatërruar zona të mëdha toke afër njërës nga rezervatet më të rëndësishme natyrore të Spanjës, gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vendbanim i 50.000 hektarë tokë këneta dhe dru.

Autoritetet urdhëruan evakuimin e një qendre të mbarështimit për rrëqebullin e egër të Iberisë.

Qendra bëri të ditur se një femër me emrin Homer nuk i mbijetoi evakuimit, duke thënë se ajo ndërroi jetë për shkak të stresit.

Agjencia spanjolle e Meteorologjisë (AEMET) raporton se këtë vit vendi përjetoi pranverën më të nxehtë.

Në zonën ku zjarret vazhdojnë të tërbojnë nuk është regjistruar të ketë rënë shi për 45 ditë.

BE kërkon heqjen e përmbajtjeve terroriste nga interneti

BRUKSEL – Liderët e Bashkimit Evropian (BE) në samitin që do të mbahet këtë javë do të diskutojnë lidhur me heqjen e përmbajtjeve terroriste nga interneti në kuadër të politikave të sigurisë.

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u ka dërguar letër ftese liderëve të shteteve të BE-së me rastin e samitit që do të mbahet më 22 dhe 23 qershor. Në letrën e tij, Tusk është shprehur se për shkak të dobësimit të forcave kundër BE-së ka ndryshuar mjedisi që ka mbizotëruar disa muaj më parë dhe se tani janë më optimistë.

Tusk ka tërhequr vëmendjen se në samit prioritet do të kenë temat e sigurisë. Sipas tij, terrorizmi vazhdon të jetë kërcënim i madh, ndërsa sulmet e fundit janë tregues i një vale të re të radikalizimit në Evropë. Ai ka theksuar se BE-ja nuk do ta zë vendin e shteteve kombëtare në këtë luftë, sepse, siç është shprehur, zbatimi i politikave varet nga qeveritë.

“Megjithatë, BE-ja mund të ndihmojë të fitohet kjo luftë. Deri më tani është shënuar përparim lidhur me luftëtarët e huaj dhe të kthyerit (nga zonat e luftës). Tani ka ardhur koha ta rrisim bashkëpunimin me industrinë e internetit. Propaganda terroriste përbën efektin me të madh qysh në orët e para pas ngarkimit në internet. Për këtë arsye, ne duhet ta nxisim industrinë që të zhvillojë vegla të cilat automatikisht do të detektonin dhe largonin përmbajtjet me materiale terroriste dhe ato të dhunës”, ka theksuar Tusk.

Donald Tusk po ashtu ka theksuar nevojën që të shqyrtohet edhe çështja e migrimit dhe gjendja në rutën e Mesdheut Qendror, ndërsa ka përmendur edhe rëndësinë që të bashkëpunohet me Libinë.

Gjithashtu, Tusk ka thënë se do t’i informojë liderët në samit lidhur me takimet e realizuara me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentin amerikan Donald Trump. aa

Qëllohet një person në Stacionin Qendror të Brukselit

Trupat belge që patrullojnë Stacionin Qendror në Bruksel, thanë se e kanë “neutralizuar” një person pas një shpërthimi të vogël të martën. Një zyrtar tha se nuk ka pasur dëme të tjera në njerëz dhe situata është nën kontroll.

Ai nuk ishte në gjendje të konfirmojë raportimet sipas të cilave personi kishte një jelek me mjete shpërthyese dhe nuk është e qartë nëse personi i qëlluar është ende gjallë.

Kryeministri, Charles Michel, u bëri thirrje njerëzve që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

Prokurori federal, Eric Van Der Sypt, u tha gazetarëve se shpërthimi po trajtohet si “sulm terrorist”.

Stacioni dhe zona historike aty ngjitur në qendër të qytetit, duke përfshirë sheshin e stilit barok Grand Place, plotë me turistë dhe vendas në një mbrëmje të ngrohtë, u evakuuan pasi policia ngriti një kordon të sigurisë, thanë dëshmitarët.

Tabloidi Het Laatste Nieuws, citoi dëshmitarë sipas të cilëve personi i qëlluar brohoriti në arabisht “Allahu Akbar” (Zoti është i madh), para shpërthimit të vogël.

Ushtarët që vrapuan drejt vendit të ngjarjes, panë tela që vareshin nga rrobat e burrit dhe e qëlluan atë.

Pohimet nuk ishte e mundur të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur.

Qyteti është në gjendje alarmi për më shumë se 18 muaj që kur militantët e grupit Shteti Islamik me bazë në Bruksel, kryen sulme në Paris në nëntor të vitit 2015 që lanë pas vetes 130 të vrarë dhe më pas në mars të vitit të kaluar hodhën bomba në aeroportin dhe metronë e Brukselit, duke vrarë 32 veta.

Një zëdhënës i policisë tha se “ka një incident në Stacionin Qendror. Pati një shpërthim afër një personi. Ai është neutralizuar nga ushtarët që ndodheshin në zonë. Aktualisht policët janë në stacion dhe situata është nën kontroll”.

Kryeministri Michel dhe ministri i Brendshëm janë në Qendrën kombëtare të krizave dhe po i ndjekin zhvillimet.

Përmbyset anija me emigrantë në Detin Mesdhe, 126 të zhdukur

ROMË/TUNIZI – Të paktën 126 perona janë zhdukur pas fundosjes së një anije e cila po transportonte emigrantë nga Libia në Itali përmes Detit Mesdhe.

Zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Flavio Di Giacomo, ka deklaruar se ekipet e shpëtimit në vendin e fatkeqësisë kanë gjetur dhe shpëtuar katër persona.

Duke cituar deklaratat e të mbijetuarve, Giacomo ka thënë se anija u mbyt pasi kontrabandistët kishin vjedhur motorin e anijes. Shumica e emigrantëve të zhdukur janë me origjinë nga Nigeria dhe Sudani.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për migrim më parë pati deklaruar se në katër muajt e parë të këtij viti përmes detit Mesdhe në Evropë kanë ardhur 44,209 emigrantë dhe refugjatë. Numri më i madh i tyre kanë mbërritur në Itali, pastaj në Greqi, Qipro dhe Spanjë.

Në të njëjtën periudhë, nga mbytjet e anijeve kanë humbur jetën apo janë zhdukur gjithsej 966 emigrantë në rrugën përmes Mesdheut që lidh Afrikën e Veriut dhe Italinë jugore.

Prokurorët gjermanë kërkojnë t’i hiqet imuniteti parlamentar lideres nacionaliste

Frauke Petry

 

Prokurorët gjermanë kanë kërkuar t’i hiqet imuniteti parlamentar politikanes së ekstremit të djathtë, Frauke Petry.

Bashkudhëheqësja e Alternativës për Gjermaninë, parti populiste dhe anti-islamike, është anëtare e parlamentit shtetëror në Saksoni.

Mendohet se ajo mund të përballet me akuzat për dëshmi të rreme për financimin e zgjedhjeve në vitin 2014, në rajonin e Saksonisë.

Mbështetja për partinë e saj është rritur viteve të fundit.

Sondazhet e opininit tregojnë se Alternativa për Gjermaninë mund të fitojë 8 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare në shtator dhe të futet për herë të parë në parlamentin federal të Gjermanisë, i njohur si Bundestag.

Parlamenti shtetëror i Saksonisë do të mbajë seanca dëgjimore për të vendosur nëse do të përmbushë kërkesën për t’i hequr imunitetin zonjës Petry.

Kjo e fundit do të ftohet të flasë po ashtu në seanca.

Vendimi, megjithatë, nuk pritet para gushtit.

Incident me makinë në Paris

Champs Elysees

Në Paris, një makinë u përplas me një furgon policie në zonën e njohur turistike të Champs Elysees-së.

Policia njoftoi në Twitter se “gjendja në Champs Elysees është nën kontroll dhe askush nga forcat policore apo nga publiku nuk është dëmtuar.”

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha se shoferi i makinës, e cila shpërtheu kur po i afrohej furgonit të policisë, ka shumë mundësi të ketë vdekur.

Ai tha se ekipet kundër bombave vazhdojnë punën për të siguruar vendin e ngjarjes.

Zgjedhjet parlamentare në Francë, Le Pen për herë të parë deputete

“Është skandaloze që nuk do të mund të formojmë grup politik në kuvend”, theksoi Le Pen, duke bërë thirrje që të bëhen punime që grupet politike të formohen sipas numrit të votave, e jo sipas numrit të deputetëve

PARIS – Teksa Lëvizja Marshi Republikan në Francë e presidentit Emmanuel Macron siguroi fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare në Francë, liderja e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Nacional, Marine Le Pen, arriti që për herë të parë të zgjidhet deputete dhe të hyjë në Kuvendin Nacional.

Le Pen dha një deklaratë për mediat në zonën zgjedhore Henin-Beaumont, ku theksoi se partia e saj ka siguruar të paktën gjashtë deputetë.

“Jam zgjedhur me 56 për qind. Kjo zgjedhje e elektoratit është krenari e madhe për mua. Shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhje tregon se qëndrimi i elektoratit kundër politikës ka arritur kulmin. Shkallët e pjesëmarrjes në zgjedhje bëjnë që të diskutohet legjitimiteti i Kuvendit. Po ashtu, kjo tregon se mandati i ri po fillon me një themel negativ”, tha Le Pen.

Portugali, 3 ditë zie për viktimat e zjarrit

Sipas të dhënave të fundit Ministrisë së Punëve të Brendshme të Portugalisë, nga zjarret kanë humbur jetën të paktën 62 persona dhe janë plagosur 59 të tjerë, prej të cilëve shumica janë në rrezik jete

LISBONË – Autoritetet e Portugalisë kanë shpallur tri ditë zie kombëtare për viktimat nga zjarri në pyje i cili shpërtheu dje. Sipas të dhënave të fundit Ministrisë së Punëve të Brendshme të Portugalisë, nga zjarret kanë humbur jetën të paktën 62 persona dhe janë plagosur 59 të tjerë, prej të cilëve shumica janë në rrezik jete.

Më shumë se 600 zjarrfikës po luftojnë me flakët të cilat dje kanë përfshirë pyjet në Portugalinë qendrore. Shumica e viktimave janë nga rajoni më i prekur i Pedrogo Grande.

Televizioni shtetërorë RTP njofton se në mesin e të lënduarve janë disa zjarrfikës dhe adoleshentë. Hetimi për shkaqet e zjarrit është duke u zhvilluar. Ndihmë Portugalisë i kanë ofruar institucionet e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare si Spanja dhe Franca.

Gjatë meshës së rregullt të së dielës, Papa Françesku së bashku me mijëra besimtarë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan u lut për viktimat në Portugali, të cilën Papa e vizitoi muajin e kaluar.

Po ashtu edhe përfaqësuesja e Portugalisë në futboll, e cila po merr pjesë në Kupën e Konfederatave në Rusi, ka nderuar viktimat nga zjarri.

Portugali, dhjetëra të vdekur nga zjarret në pyje

Jorge Gomes, zyrtar në Ministrinë e Brendshme, ka thënë se të gjithë viktimat kanë vdekur në rajonin Pedrogao Grande, rreth 150 kilometra në verilindje të Lisbonës

LISBONË – Dhjetëra veta kanë humbur jetën në zjarret e pyjeve në Portugalinë qendrore, shumica e të cilëve ishin në makinat e tyre, deklaruan të dielën zyrtarët portugezë.

Zjarri shpërtheu të shtunën, kurse për shuarjen e tij janë angazhuar rreth 600 zjarrfikës. Jorge Gomes, zyrtar në Ministrinë e Brendshme, ka thënë se të gjithë viktimat kanë vdekur në rajonin Pedrogao Grande, rreth 150 kilometra në verilindje të Lisbonës.

Ai theksoi se numri më i madh i viktimave kanë gjetur vdekjen në makinat e tyre në rrugën që lidh qytetet Figueiro do Vinhos dhe Castanheira de Pera.

Në pamjet televizive shihet tym i dendur dhe zjarr i fuqishëm që përhapet përmes zonës pyjore në afërsi të së cilës ka shtëpi.

“Ky rajon edhe më parë është përfshirë nga zjarri për shkak të pyjeve, por nuk mbajmë mend tragjedi të kësaj shkalle”, tha Valdemar Alves, kryetar i Pedrogao Grande.

Televizioni shtetëror RTP njoftoi se në mesin e 20 të plagosurve janë dhe gjashtë zjarrfikës, ndërsa 14 të tjerë janë në gjendje kritike.

Hetimet për shkaqet e shpërthimit të zjarrit kanë filluar, kurse autoritetet besojnë se temperaturat e larta të ajrit, të cilat kanë përfshirë Portugalinë gjatë ditëve të fundit, mund të kenë ndikim të rëndësishëm në këtë katastrofë. aa

Bukuritë natyrore të Islandës me peizazhe mahnitëse

Vrazhdësia dhe terreni i papërshtatshëm i japin Islandës një notë e cila vizitorët i lë pa frymë, ku disa nga këto peizazhe gjenden në ujëvarat Seljalandsfoss dhe Skogafoss, të gjata nga 60 metra

REYKJAVIK – Gjatë ditëve të verës, Islanda zbulon peizazhet joshëse të cilat lirisht mund të marrin epitetin e veprave artistike të natyrës. Ujëvarat, liqenet dhe pika e kontaktit mes pllakës tektonike amerikano-veriore dhe euro-aziatike janë vetëm disa nga atraksionet turistike të cilat i ofron ky vend vullkanik.

Islanda, toka e ishullit, që ndodhet pranë Groenlandës, është larg nga pjesa kontinentale e Evropës. Ishulli ndodhet në Atlantikun e Veriut dhe është i banuar nga pak më shumë se 330.000 njerëz.

Vrazhdësia dhe terreni i papërshtatshëm i japin Islandës një notë e cila vizitorët i lë pa frymë.

Disa nga këto peizazhe gjenden në ujëvarat Seljalandsfoss dhe Skogafoss, të gjata nga 60 metra.

Islanda është e pasur me liqene të akullt, në mesin e të cilëve liqeni më i njohur Jokulsarlon, ku janë xhiruar skena të filmave të njohur “Batman Begins” dhe “Game of Thrones”.

Në jug të Reykjavikut është i vendosur parku nacional Thingvellir. Ky vend është i njohur si pika ku preken pllakat tektonike amerikano-veriore dhe euro-aziatike. aa

Merkel: SHBA nuk duhet të lidhin sanksionet ndaj Rusisë per interesa ekonomike amerikane

Steffen Seibert, zëdhënësi i Angela Merkel, ka thënë se kancelarja gjermane beson se do të ishte në dëm të Shteteve të Bashkuara nëse do të lidhnin sanksionet ndaj Rusisë me përpjeket për të promovuar interesat ekonomike amerikane.

Senati i Shteteve të Bashkuara ka votuar të mërkurën për sanksione të reja ndaj Rusisë lidhur me dyshimet për ndërhyrjen e saj në fushatën zgjedhore të vitit 2016 në SHBA dhe agresionin e saj në Siri dhe Ukrainë. Legjislacioni tani duhet të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka kritikuar ashpër një dispozitë përmes së cilës sanksionet prekin bizneset evropiane të përfshira në importimin e gazit natyror rus. Kjo menjëherë paraqet nevojën për nxitjen e eksporteve të energjisë nga SHBA-të.

Zëdhënësi i kancelares, Steffen Seibert, ka thënë të premten se kancelarja është njoftuar për shqetësimet e Gabrielit dhe e ka quajtur vendimin e senatit amerikan “të çuditshëm “.

Europol: Xhihadistët evropianë rekrutojnë kryesisht të rinj

Xhihadistët që përpiqen të kryejnë sulme terroriste në Evropë po përpiqen të rekrutojnë të rinj dhe shumë prej tyre janë gra si kurrë më parë, njoftoi agjensia kryesore evropiane e zbatimit të ligjit “Europol” në një raport të ri të lëshuar të enjten.

Vitin e kaluar në Evropë, policia arrestoi 718 terroristë të dyshuar xhihadistë, një rritje me dyfish krahasuar me 395 të arrestuar në vitin 2014. Sipas raportit nga të arrestuarit pothuajse një e treta ishin nën moshën 25 vjeçare dhe rreth një e katërta e tyre ishin gra.

Xhihadistët e kthyer nga fushat e betejës në Siri dhe Irak përbëjnë një tjetër kërcënim të madh për Bashkimin Evropian. Autoritetet i druhen përdorimit sësish të eksplozivëve me dronë që kanë ndodhur më parë në Evropë.

Me qëllimin për të luftuar kërcënimin në rritje të dhunës xhihadiste në Europë, udhëheqësit e BE-së thonë se ndarja e informacionit ndërkufitar do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në vitet në vijim.

Lufta kundër terrorizmit do të mbetet në krye të prioriteteve tona të përbashkëta politike në vazhdim jo vetëm në Evropë, por në nivel botëror“, tha komisioneri i BE-së për emigracionin Dimitris Avramopulos. “Për sigurinë e qytetarëve tanë dhe për kohezionin e shoqërive tona, duhet të rrisim shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin tonë ndërkufitar në të gjitha nivelet“, tha ai.

Në raportin e “Europol-it” thuhet se grupet xhihadiste janë bërë më të sofistikuara në përdorimin e rrjeteve sociale për të përhapur mesazhet e tyre dhe për të rekrutuar ndjekës. Shteti Islamik ka ulur frekuencën e prodhimit të videove ndërsa përpiqet të ruajë kontrollin mbi kalifatin e vetëshpallur në Siri dhe Irak.

Sipas raportit, më pak xhihadistë po udhëtojnë për të luftuar në Siri, pasi IS-isi ka humbur kontrollin e territoreve që zotëronte dikur, gjë që mund të duket si një zhvillim pozitiv, por që gjithashtu paraqet një kërcënim në rritje prej xhihadistëve që kthehen në Evropë dhe ata që nuk lejoheshin në Siri.

Numri i të kthyerve pritet të rritet, nëse IS-isi, ashtu siç dhe duket, mund të mposhtet ushtarakisht ose të shkatërrohet. Një numër në rritje i të kthyerve ka të ngjarë të forcojnë lëvizjet xhihadiste të brendëshme dhe si rrjedhojë të rrisë kërcënimin që ata paraqesin për Bashkimin Evropian“, thuhet në raport.

Sulm fizik ndaj deputetes franceze Kosciusko-Morizet

Politikania konservatore nga Partia Republikane, Kosciusko-Morizet është sulmuar në kohën kur po ndante afishe në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare në Francë

PARIS – Deputetja franceze Nathalie Kosciusko-Morizet ka qenë viktimë e një sulmi mbi të në qendër të Parisit, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të sulmuesit.

Politikania konservatore nga Partia Republikane, Kosciusko-Morizet është sulmuar në kohën kur po ndante afishe në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare në Francë, të cilat do të mbahen të dielën, ndërkohë që ekipi i cili drejton fushatën e saj ka thënë se deputetja është dërguar në spital me vetëdije të humbur.

Kryeministri i Francës, Eduardo Philippe vizitoi deputeten e lënduar në spital, ndërkohë që në mediat sociale ka publikuar një mesazh në përkrahje të saj.

Televizioni BFMTV ka publikuar një video të sulmit që tregon se si sulmuesi hedh një sasi më të madhe të afisheve në fytyrë të Kosciusko-Morizet.

Sulmuesi iu afrua asaj, e hedh për toke dhe pastaj largohet nga vendngjarja. Deputetja e lënduar 44 vjeçare më herët ka shërbyer si ministre e Ambientit, më konkretisht gjatë mandatit të ish-presidentit Nicolas Sarkozy. aa

Biçikleta feston 200 vjetorin, mjeti i përditshëm që e përdorin më shumë Europianët (fotot)

Biçikleta feston 200 vjetorin. Dy shekuj ngjitje, zbritje, rënie, shëtitje dhe sfida, mjeti me dy rrota ka hyrë në përdorimin e të gjithë, por edhe në kulturën e njerëzimit, duke u bërë kështu mjeti kult dhe ikona e të gjitha kohërave.

Data ekzakte e udhëtimit të parë me biçikletë nuk është e saktë, por dimë që është në qershor të 1817, kur baroni gjerman Karl Von Drais testoi për herë të parë ‘laufmachinè (makinën e garave).

Bëhej fjalë për një mjet me dy rrota. E para nuk kishte pedale dhe frena dhe për të ndaluar përdoruesit i duhej të ulte këmbët në tokë.

Gjatë 200 viteve të historisë biçikleta ka qenë më e mira e të gjithave në të gjithë komponentët e saj, duke u bërë kështu një nga mjetet e transportit më të nevojshme në botë dhe në mënyrë të veçantë në Europë.

Në shumë vende, mbi të gjithë në Holandë, dy rrotakët janë mjetet më të zakonshme të lëvizjes së njerëzve.

Mynih: Sulmuesi ia rrëmben armën polices gjermane dhe e qëllon atë në kokë

Një police gjermane është qëlluar me armë në kokë nga një person i cili ia kishte rrëmbyer armën asaj në Mynih.

Policja është plagosur rëndë, ndërsa edhe dy kalimtarë të rastit janë plagosur në incidentin me të shtëna në stacionin Unterfohring S-Bahn, transmeton Express.

Ndërkohë, policia e ka qëlluar dhe plagosur sulmuesin, i cili gjendet në paraburgim tani.

Policia ka thënë se sulmi nuk ishte terrorist.

Kalimtarët e rastit dhe i dyshuari nuk janë plagosur rëndë.

Policia ka njoftuar se situata është nën kontroll dhe se nuk ka rrezik

Gati krijimi i Prokurorisë Evropiane

Projekti për ngritjen e Prokurorisë Evropiane njohu epilogun e tij këtë javë (08.06). Ministrat e Drejtësisë të Unionit kanë rënë dakord mbi legjislacionin, që mundëson ngritjen e kësaj strukture. 20 vende anëtare do të jenë pjesë e këtij mekanizmi juridik, që shënon një progres në fushën e bashkëpunimit të thelluar, në sferën penale. Vendet e tjera, që kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë projekt (Hungaria, Polonia, Britania e Madhe, Irlanda, Holanda, Danimarka, Suedia, Malta) mund t’i bashkohen këtij mekanizmi në çdo moment, që ato do të dëshirojnë. Selia qendrore e Prokurorisë Evropiane do të jetë në Luksemburg, një vend, që i ka ofruar tërësisht falas ambientet e tij dhe do të jetë funksionale në vitin 2020.

Por, ç’rol do të ketë Prokuroria Evropiane dhe deri ku do të shtrihen kompetencat e saj ?

Ngritja e saj, synon mbrojtjen e interesave financiare të Unionit. Këto interesa përfshijnë të gjithë të ardhurat, shpenzimet, të mirat materiale, që mbulohen ose përfitohen nga buxheti i Unionit dhe buxheti i institucioneve, zyrave dhe agjencive të tij, si edhe buxhetit të menaxhuar dhe të monitoruar prej tyre.

Prokuroria Evropiane, do të ketë kompetencë ekskluzive për hetimin, ndjekjen penale dhe çuarjen para drejtësisë të të gjithë krimeve, që prekin buxhetin e BE-së. Kompetencat janë ekskluzive, çka do të thotë se, zyra do të mbulojë jo vetëm çështje të natyrës që përfshijnë një-dy, apo më shumë shtete, por se do të mbulojë edhe çështjet kombëtare. Pra, zyra do të marrë përsipër përgjegjësinë, që aktualisht ushtrohet nga prokuroria kombëtare dhe autoritetet e përforcimit të ligjit, për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet financiare ndaj BE-së, duke e transferuar këtë kompetencë në nivelin e një zyre të BE-së.

Struktura është e decentralizuar dhe parashikon ngritjen e një njësie qendrore, pra të zyrës evropiane të prokurorisë dhe ngritjen e zyrave lokale në vendet anëtare. Ajo do të ketë një pushtet uniform hetimi në Union, të bazuar dhe të integruar në sistemin ligjor kombëtar. Prokurorë me eksperiencë do të delegohen nga sistemet kombëtare në zyrën evropiane. Prokuroria Evropiane dhe konkretisht Prokurorët e deleguar do të kryejnë hetimet dhe ndjekjen penale në vendin e tyre anëtar, duke përdorur stafin kombëtar, dhe duke aplikuar ligjin kombëtar. Por, veprimet e tyre do të jenë të koordinuara nga një zyrë qendrore e kryesuar nga prokurori publik evropian, që do të sigurojë koherencën dhe efikasitetin e nevojshëm, mes vendeve anëtare. Zyra do të ketë fuqinë për të kërkuar, ose për të urdhëruar masa hetimore, pasi një sërë instrumentesh janë vënë në dispozicion të saj. Masa, që përfshijnë kontrolle të ambienteve profesionale dhe private, të sistemeve kompjuterike, sekuestrim objektesh, përgjime të komunikimeve telefonike, ngrirje të transaksioneve financiare, etj. Gjykatat vendase, do të jenë gjithashtu kompetente për shqyrtimin e çështjeve penale.

Krime të pandëshkuara 

Por, cila është arsyeja e krijimit të saj ? Në fakt, aktualisht ekzistojnë mekanizma të tjerë si OLAF (Zyra evropiane kundër mashtrimit) apo edhe Europol, por ato vlerësohen se nuk janë të mjaftueshme dhe për më tepër nuk gëzojnë kompetenca në fushën e kryerjes së hetimeve penale, apo për të bërë të mundur ndjekjen penale, në rastet e mashtrimit. Kompetenca e OLAF-it, është e kufizuar dhe lidhet vetëm me kryerjen e një hetimi administrativ, rezultatet e të cilit, iu komunikohen autoriteteve kompetente kombëtare, që vendosin më pas, në mënyrë të pavarur të nisin, apo jo, një procedim penal bazuar mbi këto konkluzione.

Në tërësi, bëhet fjalë për abuzime të larta, që prekin interesat financiarë të BE-së, dhe që kapin shumën e afro 500 milionë euro në vit, ndonëse kjo shumë vlerësohet të jetë më e lartë, pasi të dhënat mbi mashtrimet e ndryshme të raportuara, nuk mund të përfshijnë mashtrimin, që nuk arrin të zbulohet. Numri i çështjeve shkon deri në 2500 raste në vit, por me krijimin e zyrës së re dhe kompetencat që i ofrohen asaj ky numër konsiderohet se do të jetë edhe më i lartë, për shkak të mbledhjes më të gjerë të informacioneve dhe kompetencave më të larta që ajo do të gëzojë. Problematika shtrihet tek fakti se shpeshherë, rastet e abuzimeve financiare, që përmbyllen me konkludime hetimesh administrative nga OLAF, nuk ndiqen penalisht në vende të caktuara anëtare, për shkaqe të ndryshme, që lidhen sa me dosje komplekse, që kërkojnë bashkëpunim në fushën e hetimit penal mes vendeve të ndryshme, sa me juridiksionin jo shumë të qartë në këtë fushë, si edhe me faktin që nënvlerësohen, duke e konsideruar trajtimin e këtyre dosjeve si humbje kohe. Shembujt e dështimeve në këtë fushë, janë të shumtë. Ato, që ofrohen flasin për një standard të dyfishtë mbi dosje të njëjta. Një rast i njohur, lidhet me transferimet e konkluzionit të hetimit administrativ të OLAF, autoriteteve gjermane dhe bullgare, në një dosje që lidhej me abuzime të fondeve të zhvillimit rajonal të BE-së, në fushën e agrikulturës. Teksa autoritet gjermane nisin hetimin, ndjekjen penale duke përmbyllur procesin me dënimin e abuzuesve financiarë, autoritetet bullgare e mbyllin këtë proces, duke iu dhënë pafajësinë të gjithë të akuzuarve. Tashmë me krijimin e kësaj zyre, dosje të tilla komplekse, që kanë një dimension të gjerë dhe ku përfshihen disa shtete, do të udhëhiqen dhe do të koordinohen nga kjo zyrë.

Planet për krijimin e Prokurorisë Evropiane, fillimisht janë shfaqur në vitin 2009, me krijimin e bazës juridike që mundësoi traktati i Lisbonës, edhe pse proceset e konsultimeve mes vendeve anëtare datojnë që në vitin 2000. Por, me kalimin e viteve këto plane kanë hasur në rezistencë, nga vende të ndryshme anëtare si Polonia, apo Hungaria. Arsyeja lidhej kryesisht me frikën për humbjen e sovranitetit kombëtar në këtë fushë, pasi prokuroria do të kishte pushtet për të operuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendet anëtare. Por, përtej domosdoshmërisë së krijimit të kësaj zyre, si një mjet i nevojshëm, që synon të mbrojë më mirë financat e BE-së, të zbulojë dhe ndëshkojë autorët e abuzimeve, në vendet e saj anëtare, rëndësia e saj qëndron në krijimin e një faze të re avancuese, në projektin e integrimit të thelluar evropian. Në atë që tashmë ka marrë prej kohësh formën e Evropës së disa shpejtësive. Kjo pasi, fillimisht ajo do të mundësojë një integrim edhe më të thelluar të përforcimit të ligjit kombëtar, përmes përforcimit të ligjit të BE-së; së dyti do të shembë atë që tashmë njihet si “barrikada e territorit kombëtar”, pra themelit mbi të cilën ngrihen sistemet juridike kombëtare, duke krijuar në këtë mënyrë një territor unik dhe autonom veprimi; dhe së fundmi, do t’i mundësojë BE-së, të avancojë më tej në fushën penale, duke krijuar kornizën e një Unioni juridik.


Send this to a friend