VOAL

VOAL

Gjermani: Dhjetëra të vdekur pasi një makinë godet turmën e njerëzve

Fotografi ilustruese

 

 

 

Dhjetëra njerëz janë vrarë pasi një veturë ka goditur turmën në qytetin Muenster të Gjermanisë, kanë raportuar mediat gjermane.

“Janë dhjetëra të vdekur dhe me gjasë në mesin e tyre është edhe i dyshuari”, ka thënë një zëdhnës i policisë.

Policia lokale ka shkruar në Tëitter se zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qendrën e qytetit, në mënyrë që makinat dhe ekipet e emergjencës të mund t’iu dalin në ndihmë të lënduarve.

Ende nuk është e qartë nëse kjo ngjarje është incident apo sulm.

Puigdemont dëshiron të kthehet në Belgjikë

Carles Puigdemont. 6 prill, 2018

Ish-lideri katalan, Carles Puigdemont ka thënë se shpreson që mund të jetojë në Beligjikë, pasi të kenë përfunduar procedurat ligjore në Gjermani.

Ai është liruar nga arresti në Gjermani të premten.

“Dëshira ime është të kthehem në Belgjikë, por pasi të kenë përfunduar procedurat ligjore këtu në Gjermani”, u ka thënë ai gazetarëve në Berlin.

Puigdemont është liruar nga një burg në Gjermani, pasi ka paguar 75 mijë euro për lirimin e tij me kusht, derisa të merret vendimi për ekstradimin në Spanjë.

Spanja akuzon Puigdemontin për rebelim dhe shpërdorim të fondeve publike lidhur me referendumin e paautorizuar për pavarësinë e Katalonjës në tetor të vitit 2016.

Merkel do të takojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara për të takuar presidentin, Donald Trump, tha Shtëpia e Bardhë.

Zëvendësi i sekretarit për media, Hogan Gidley, e konfirmoi vizitën e Merkelit në javët e ardhshme, por nuk dha datë të saktë.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha agjencisë Reuters se vizita pritet të realizohet më 27 prill.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet të takojë Trumpin në Uashington tre ditë para vizitës së Merkelit.

Takimet do të zhvillohen pak kohë para 12 majit, afatit që ka caktuar Trump për përmirësimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, të nënshkruar nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera botërore.

Gjermania, Franca dhe nënshkrueset e tjera i kanë bërë thirrje SHBA-së që të mbetet në marrëveshje.

Me paktin e vitit 2015, Teherani është pajtuar të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.

Trump ka thënë se Teherani është duke shkelur “frymën” e marrëveshjes me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.

Presidenti amerikan ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja nëse ajo nuk përmirësohet.

Ish-lideri i Katalonjës lirohet me kusht

Një gjykatë gjermane hodhi poshtë “rebelimin” si arsye për të ekstraduar ish-liderin e Katalonjës, Carles Puigdemont, dhe urdhëroi lirimin e tij me kusht.

Gjykata në qytetin Shlesvih-Hollshtajn tha se ai ende mund të përballet me akuzat për korrupsion në Spanjë dhe se ka pezulluar ekstradimin e tij, por nuk e ka përjashtuar atë.

Puigdemont është arrestuar në Gjermani muajin e kaluar, pasi Spanja ka lësuar urdhërarrest evropian për të.

Spanja i ka akuzuar separatistët katalanas për referendumin për pavarësi, të mbajtur në tetor.

Ministri i jashtëm hungarez flet kundër multikulturalizmit

Ministri i jashtëm i Hungarisë mohoi akuzat se qeveria e tij është raciste, por tha se nuk pranon që një shoqëri multikulturore është më e mirë se ajo homogjene. Komentet e tij kanë nxitur reagime nga organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Komisionerin e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó i tha të mërkurën Zërit të Amerikës në Organzatën e Kombeve të Bashkuara, se vendi i tij nuk e pranon se multikulturalizmi është në vetvete një vlerë.

“Ne nuk e pranojmë që multikulturalizmi do të ishte më i mirë sesa një shoqëri homogjene, për shembull. Ne mendojmë se një vend, ose shoqëria e tij janë ata që vendosin nëse e konsiderojnë atë si një vlerë”.

Ministri i Jashtëm Szijjártó shtoi se Hungaria ka qenë “një shoqëri homogjene e bashkuar hungareze, e krishterë ” për 1100 vjet dhe e konsideron “këtë si vlerë”.

Komentet e tij ishin gjithashtu një përgjigje ndaj komenteve qortuese të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut muajin e kaluar, ku ai akuzonte kryeministrin hungarez Viktor Orban se ishte një njeri “racist” dhe “ksenofob”, sepse Orban, tha ai, nuk dëshiron që Hungaria të jetë “shumëngjyrëshe”.

Emigracioni ka qenë një çështje e rëndësishme elektorale në disa zgjedhje të fundit evropiane, përfshirë Hungarinë. Këtë të dielë, hungarezët do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme dhe Kryeministri Orban dhe partia e tij e krahut të djathtë, Fidesz, pritet të dalë fituese dhe të vazhdojë të qëndrojë në pushtet.

Puigdemont flet për herë të parë pas arrestimit në Gjermani

Ish-lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të vazhdojnë rrugëtimin derisa ai është duke u përballur me ekstradim nga Gjermania, për shkak të rolit të tij në referendumin e Katalonjës për pavarësi.

I kërkuar në Spanjë për kryengritje dhe rebelim, Puigdemont ka folur për herë të parë prej kur është ndaluar përmes një fletë-arresti evropian.

Ai u ka thënë mbështetësve të tij se Spanja është duke vepruar në mënyrë “autoritare”.

Përkrahësit e idesë për pavarësi kanë marshuar në Berlin duke kërkuar lirimin e tij.

Gjyqatarët kanë 60 ditë për të konsideruar kërkesën për ekstradim.

Puigdemont ka folur përmes një audio-mesazhi të incizuar nga politikani i së majtës, Diether Dehm, i cili e ka vizituar në burgun në qytetin Neumünster.

“Përmes këtij mesazhi dua të them se ne duhet të vazhdojnë, duhet ta vazhdojmë rrugën tonë, të mbrojmë të drejtat tona, të drejta që janë njohur nga Kombet e Bashkuara përmes së cilave ne kemi të drejtë të vendosim për të ardhmen tonë”, ka thënë ai.

Papa Françesku u lau këmbët të burgosurve në “Regina Coeli”

Një ortodoks, një budist e dy myslimanë, ndërmjet 12 të burgosurve, të cilëve Papa Françesku u lau sot pasdite këmbët, gjatë meshës së Darkës së Mbrame, kremtuar në burgun romak “Regina Coeli”. Në orën 16.00, në sheshin e rrumbullakët brenda burgut, në rrugën Lungara 29, ashtu si shën Gjon Pali II në vitin 2000, i Lumi Pali VI më 1964 e shën Gjoni XXIII në vitin 1958, Ati i Shenjtë kremtoi meshën për më se 600 të burgosur, 65% të rinj të huaj.

Papa e kupton shpirtin e të burgosurve

“E ndjejnë si mik me zemër të madhe, të aftë të kuptojë edhe shpirtin e të burgosurve”, nënvizon kapelani i burgut të Trasteveres, atë Vittorio Trani, i cili zgjodhi ata, që Papa u lau këmbët në ritin e së Enjtes së Madhe, në kujtim të gjestit të Krishtit për apostujt. Atë Trani i zgjodhi duke pasur parasysh kombësinë e fenë për t’i mundësuar vërtet gjithë botës së vuajtur të burgut të përfaqësohej në këtë përqafim me Papën. Vizita e Françeskut në burgun romak, përveç kremtimit eukaristik, ishte edhe takim me të burgosurit e sëmurë në infermierinë e strukturës, si edhe me ata të Seksionit VIII, që vuajnë dënime për krime me natyrë seksuale, ose kanë nevojë për mbrojtje të veçantë nga sulme të mundshme të të burgosurve të tjerë.

Homelia e Papës

“Larja e këmbëve. Këmbët, në atë kohë, laheshin nga skllevërit”, u tha Papa të burgosurve në homeli. “E Jezusi deshi ta bënte këtë shërbim, për të na dhënë shembullin si duhet t’i shërbejmë njëri-tjetrit”. Pastaj, kujtoi dishepujt, që i patën kërkuar Jezusit një vend të rëndësishëm, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të Tij. Deshën të komandonin.

“Kush komandon – bëri një paralelizëm me krerët e politikanët e sotëm, Papa – duhet të shërbejë. Kreu juaj duhet të jetë shërbëtori juaj. Jezusi e përmbys zakonin historik, kulturor të kohës – edhe këtë të epokës së sotme…”

Jezusi rrezikon, sepse na do

Sa luftra e vrasje do të ishin shmangur, nëse krerët e politikanët e sotëm do ta kishin parasysh këtë gjë, vijoi Papa. Jezusi u jep rëndësi të mënjanuarve e pikërisht për ta kujtuar si u përul për t’u bërë shërbëtor i të tjerëve, Papa shkoi sot në mes të të burgosurve, edhe ata, konsideruar të fundmit e shoqërisë:

“Sot, jam mëkatar si ju, por përfaqësoj Jezusin. Sot, jam ambasador i Jezusit. Sot, kur të përkulem mbi secilin prej jush, mendoni: “Jezusi rrezikoi në këtë njeri, në këtë mëkatar, që të vijë tek unë e të më thotë se më do”. Ky është shërbimi, ky është Krishti: nuk na braktis kurrë; nuk lodhet kurrë së na faluri”.

Asnjë dënim të mos përjetohet pa shpresë

Pasi përfundoi mesha, Papa dëgjoi përshëndetjen e falenderimin e një të burgosuri e pati një këshillë të fundit për të gjithë të dënuarit:

“Ҫdo dënim duhet të ketë parasysh horizontin e shpresës. Prandaj, dënimi me vdekje nuk është as njerëzor, as i krishterë. Ҫdo dënim duhet t’i hapet shpresës, integrimit, qoftë edhe për ta përdorur përvojën e jetuar në të mirë të njerëzve të tjerë. Ujin e ringjalljes, vështrimin e ri, shpresën… këto ju uroj”.

Në vitin 2013, ndër të miturit e Casal del Marmo

Papa Françesku kremtoi meshën “in Coena Domini” me të burgosurit edhe në vitin 2013, më 2015 e vitin e kaluar. Është traditë, të cilën e ndjek që nga koha kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit. Më 28 mars 2013, vetëm dy javë pas zgjedhjes, shkoi në burgun për të mitur në Casal del Marmo, gjithnjë në Romë. E pati thënë:

“Ta ndihmojmë njëri-tjetrin: këtë na mëson Jezusi e këtë bëj edhe unë. Dhe e bëj me zemër, sepse e kam për detyrë. Si prift dhe si ipeshkëv duhet të jem në shërbimin tuaj”.

Në Don Gnocchi, lau këmbë nga e gjithë bota

Të Enjten e Madhe të vitit 2014, më 17 prill, Papa Françesku viziton qendrën rehabilituese romake “Zoja e Provanisë Hyjnore” e Fondacionit “don Gnocchi” dhe u lan këmbët paraplegjikëve të çdo moshe, etnie e feje. Nga Osvaldinjo, 16 vjeçari i Kepit të Gjelbërt, në karrige me rrota pas një zhytjeje të pafat në det, tek Hamed, 75 vjeçari mysliman nga Libia, me dëmtime të mëdha neurologjike pas një aksidenti rrugor. Atyre dhe rreth 500 vetëve jashtë kishës, Papa u kujton trashëgiminë e Krishtit:

“Ai është Zot e u bë shërbëtor, shërbëtori ynë. Kjo është trashëgimia. Edhe ju duhet të jeni shërbëtorë të njëri-tjetrit. Ai e bëri këtë udhë për dashuri: edhe ju duhet të duheni e të jeni shërbëtorë në dashuri”.

Në Rebibbia: Jezusi na do të gjithëve

Në vitin 2015, më 2 prill, Papa Bergoglio kthehet në një burg, kësaj radhe në atë të Rebibbia-s. Kur mbërrin përshëndet e puth një e nga një 300 të burgosurit, që e prisnin për meshën e darkës së Mbrame.

“Dashuria e Jezusit për ne nuk ka kufi – nënvizon në homeli – gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më shumë. Nuk lodhet së dashuri. I do të gjithë aq, sa jep jetën për secilin prej nesh: …për ty, për mua, për atë tjetrin atje… për secilin, me emër e mbiemër. Dashuria e Tij është kështu: personale”.

Ndër emigrantët e Castelnuovo di Porto

Më 13 prill 2016, Ati i Shenjtë shkon në Qendrën për azilkërkuesit në Castelnuovo di Porto, në portat e Romës. E presin 900 refugjatë e vullnetarë. Vetëm pak ditë më parë, Isis pati realizuar një atentat të tmerrshëm në Bruksel. E Papa, duke akuzuar fabrikuesit e trafikantët e armëve, që duan gjak e jo paqe, shpjegon larjen e këmbëve, duke bërë thirrje për vëllazërim:

“Sot, në këtë çast, kur do të bëj gjestin e Jezusit, që u lan këmbët të 12-ve, të gjithë ne bëjmë një gjest vëllazërimi e të gjithë ne themi: ‘Jemi të ndryshëm, kemi kultura e fe të ndryshme, por jemi vëllezër e duam të jetojmë në paqe”.

Në burgun e Palianos: shërbëtor për dashuri

Vitin e kaluar, më 16 prill, Papa Françesku shkon në një burg jashtë Romës, në Paliano, në provincën e Frozinones. Ndër të 12-ët e larjes së këmbëve, edhe një shqiptar. Papa u kujton se Jezusi, duke qenë kreu i Kishës, diti të bëhej skllav për ne e të na dojë deri në fund:

“Ka një përmbysje rolesh: ai, që duket më i madhi, duhet të bëjë punën e skllavit, por për të mbjellë dashuri. Nëse ju mund të ndihmoni, të bëni ndonjë shërbim, këtu në burg, për një shoqe a një shok, bëjeni. Sepse kjo është dashuri, kjo do të thotë t’u lash këmbët. E të jesh shërbëtor i të tjerëve”.

 

Polonia blen sistem të mbrojtjes raketore nga SHBA-ja

Polonia ka nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 4.75 miliardë dollarësh, për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore Patriot nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të mbrohet nga lëvizjet agresive të Rusisë në rajon.

Presidenti Andrzej Duda ka thënë se kjo marrëveshje historike për Poloninë dhe forcat e saj të armatosura.

“Janë shumë para, por ne e dimë nga eksperienca jonë se siguria nuk ka çmim”, ka thënë Duda.

Sistemi Patriot është i pajisur me teknologji që përdoret nga NATO dhe trupat amerikane në Poloni, ka thënë presidenti polak.

Rumania po ashtu ka nënshkruar një marrëveshje 3.9 miliardë dollarëshe vitin e kaluar për sistemin e mbrotjes raketore Patriot.

Mogherini në Beograd: Çfarë ndodhi të hënën në Mitrovicë – nuk duhet të ndodhë më

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, shkoi të martën pasdite në Beograd, për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një komunikatë të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se është biseduar në mënyrë të hapur, miqësore dhe thelbësore për zhvillimet e fundit dhe të ardhmen e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Gjatë bisedës, zonja Mogheirni “shprehu keqardhjen për ngjarjet e djeshme në Kosovë. Çfarë ndodhi dje nuk duhet të ndodhë prapë. Bashkimi Evropian pret qetësi, urtësi, përmbajte dhe udhëheqje të duhur”.

Në komunikatë thuhet se “presidenti dhe përfaqësuesja e lartë u pajtuan për të kërkuar rrugë të reja për të vazhduar punën dhe zgjidhur në rrugë paqësore çështjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ata janë pajtuar se është në interesin kombëtar dhe shtetëror të Serbisë që të ruhet qëndrueshmëria, paqja dhe përparimi në rrugën evropiane”, thuhet në njoftim.

Vizita pason ngjarjet e një dite më parë në veriun e Kosovës ku policia arrestoi zyrtarin serb Marko Gjuriç, për shkak të hyrjes së paligjshme në Kosovë.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të “dëshmojnë përmbajtjen e domosdoshme dhe pjekuri” dhe të ruajnë dialogun.

Edhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë nënvizuar se “dialogu nuk ka alternativë”.

Gjermania: Çështja e Katalonjës të zgjidhet në kuadër të kushtetutës së Spanjës

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert thotë se zgjidhja e çështjes së Katalonjës duhet të gjendet në kuadër të të drejtës dhe kushtetutës së Spanjës

BERLIN – Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert thotë se zgjidhja e çështjes së Katalonjës duhet të gjendet në kuadër të të drejtës dhe kushtetutës së Spanjës.

Seibert në një deklaratë në Berlin tha se procesi në lidhje me ndalimin e ish-presidentit të Qeverisë Autonome të Katalonjës Carles Puigdemont në Gjermani po zhvillohet në kuadër të ligjeve gjermane dhe rregulloreve të urdhër-arrestit evropian.

Seibert thotë se kjo çështje është në dorën e institucioneve të provincës Schleswig-Holstein dhe të gjykatave përkatëse dhe se duhet të priten vendimet.

Ai tha se Spanja është shtet demokratik dhe ligjor. “Qeveria gjermane mbetet në bindjen e saj se zgjidhja e çështjes së Katalonjës duhet të gjendet në kuadër të të drejtës dhe kushtetutës së Spanjës”, tha Seibert.

Sipas tij, Gjermania mbështet qëndrimin e qeverisë spanjolle për mbrojtjen e rendit kushtetues.

Do të dalë para gjykatës

Ish-presidenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, ndaj të cilit Spanja ka lëshuar urdhër-arrest evropian, është ndaluar dje në Gjermani. Ai pritet që sot të dalë para gjykatës.

Pritet që gjykata lokale në Neumünster të marrë vendimin lidhur me atë nëse do të mbahet Puigdemont në ndalim apo jo.

Gjykata do të shqyrtojë kërkesën e Spanjës për ekstradim ndërsa Gjykata e Lartë Shtetërore Schleswig-Holstein do të vendosë lidhur me ekstradimin apo jo të Puigdemont-it.

Sipas Agjencisë gjermane të lajmeve (DPA), vendimi që do të merret në lidhje me Puigdemont-in, mund të mbetet për javën e ardhshme për shkak të Festës së Pashkëve. Autoritetet dhe gjykatat gjermane kanë afat 60 ditor për të vendosur në lidhje me çështjen.

Puigdemont dje u ndalua në autostradën A7, e cila lidh Danimarkën dhe Gjermaninë dhe ishte vendosur në Burgun Neumünster. Gjykata e Lartë e Spanjës të premten lëshoi urdhër arresti në nivel evropian ndaj Puidgemont-it dhe katër anëtarëve të kabinetit dhe ndaj Marta Rovira, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Majtë Republikane të Katalonjës (ERC) e cila kishte ikur në Zvicër.

Politikanët separatistë katalonjas, në mesin e të cilëve është edhe Puigdemont, akuzohen për “rebelim kundër shtetit” për shkak të rolit të tyre në referendumin e paligjshëm dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonjës. aa

Shpërthejnë protestat pas arrestimit të ish-udhëheqësit të Katalonjas

Kundërshtarët dhe mbështetësit e pavarësisë së Katalonisë nga Spanja organizuan në grupe të ndara sot protesta në Barcelonë, pas arrestimit të ish-udhëheqësit katalonas Carles Puigdemont në Gjermani.

Partia katalonase Asambleja Kombëtare dhe e majta radikale CUP u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre të dalin në rrugë dhe të mbështesin Puigdemont.

Ish-kreu i parlamentit të Katalonisë u arrestua sot nga policia gjermane afër kufirit me Danimarkën, sipas një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Spanja. Policia gjermane njoftoi se arrestimi ishte bërë, pasi Puigdemont do të largohej nga Gjermania drejt Danimarkës.

“Bora e portokalltë” huton evropianët

Fotografi ilustruese

Shumë njerëz në lindje të Evropës janë hutuar nga pamja e borës me nuanca të ngjyrës së portokalltë, transmeton BBC.

Fotografitë e borës janë postuar në rrjetet sociale nga Rusia, Bullgaria, Ukraina, Rumania e Moldavia.

Meteorologët kanë thënë se ky fenomen është shkaktuar nga rëra e shkretëtirave të Saharës dhe është përzier me borë dhe shi.

Sipas tyre kjo gjë mund të ndodhë një herë në pesë vjet, pasi koncentrimi i rërës është më i lartë se zakonisht.

Disa njerëz janë ankuar se kanë shijuar rërë në gojën e tyre.

Shumë persona që kanë shkuar në disa komplekse afër Soçit në Rusi kanë dërguar fotografi të skenave të rralla të ngjyrës së borës.

Puigdemont arrestohet

VOAL – Carles Puigdemont arrestohet nga policia gjermane, në kufirin mes Danimarkës dhe Gjermanisë.

Lideri separatist katalan, ndaj të cilit është lëshuar një urdherarrest evropian, po largohej nga Danimarka, ku kishte ardhur prej Finlandës.

Puigdemont u arrestua nga policia rrugore e Schleswig-Holstein.

Avokati tha se Puigdemont po mbahet në kushte të mira në një stacion policor të Gjermanisë, duke shtuar se ai ka bërë përgatitjet e nevojshme juridike.

Gjykata e Lartë Spanjolle, ditën e premte lëshoi urdhërarrest evropian për Puigdemontin dhe katër politikanë të arratisur.

Procesi

Pas shpalljes së pavarësisë së njëanshme më 27 tetor të vitit 2017 në Katalonjë, autoritetet spanjolle filluan hetime ndaj Puigdemont, i cili së bashku me katër ish-ministra kishte ikur në Belgjikë.

Në zgjedhjet e mbajtura më 21 dhjetor pas vendimit të qeverisë qendrore, partitë separatiste me diferencë të vogël fituan shumicën për formimin e qeverisë.

Kryetari i Parlamentit të Katalonjës, Roger Torrent, rishpalli kandidat për president të rajonit kreun e shkakruar Puigdemont, duke njoftuar mbajtjen e një votimi më 30 janar.

Mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Spanjës se Puigdemont mund të jetë president vetëm nëse merr pjesë personalisht, në vend të tij si kandidat u propozua njëri nga liderët e shoqërisë civile katalonjase në burg, Jordi Sanchez. Por, pas refuzimit të kërkesës së Sanchez-it për lirim, u propozua Jordi Turull.

Parlamenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës më 22 mars, tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme u mblodh për zgjedhjet presidenciale.

Në seancë u diskutua kandidimi i separatistit Jordi Turull, emri i të cilit vjen në plan të parë pas Puigdemont-it dhe liderit në burg të shoqërisë civile katalonjase, Jordi Sanchez.

Pak kohë para seancës njëra nga partitë separatiste CUP bëri të ditur se nuk do ta mbështesë Turull-in për shkak se programi i tij qeveritar nuk parasheh formimin e një shteti të pavarur. Turull nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjidhur.

Politikanët separatistë katalonjas, në mesin e të cilëve është edhe Puigdemont, akuzohen për “rebelim kundër shtetit” për shkak të rolit të tyre në referendumin e paligjshëm dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonjës.

Puigdemont i shmanget arrestimit në Finlandë

Ish-lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont është larguar nga Finlanda para se autoritetet e këtij vendi ta arrestonin atë.

Kryeministri finlandez, Mikko Karna, ka thënë se Puigdemont ka konfirmuar se ka arritur në Belgjikë.

Fletë-arresti nga Spanja për ndalimin e tij ishte kërkuar të premten, një ditë pasi Puigdemont ka arritur në Finlandë.

Në rast se kthehet në Spanjë, Puigdemont mund të dënohet me 25 vjet burgim për akuzat e rebelimit dhe organizimit të referendumit joligjor vitin e kaluar.

Puigdemont ishte nisur në ekzil të vetë-imponuar në Belgjikë, vitin e kaluar, pasi parlamenti i Katalonjës bëri një deklaratë simbolike të pavarësisë nga Spanja.

Aktualisht gjendja në Katalonjë është shumë e tensionuar pasi liderët e kësaj zone kanë braktisur planet për të emëruar një president të ri, pas arrestimit të kandidatit të fundit.

Të premten, gjyqtari i Gjykatës Supreme në Spanjë, Pablo Llarena ka kërkuar që 25 persona të gjykohen për rebelim dhe mosbindje ndaj shtetit.

Në mesin e tyre është edhe Puigdemont.

Anulohet fluturimi në Gjermani pasi bashkëpiloti ishte i dehur

Kompania ajrore portugeze, TAP, ka kërkuar falje për bllokimin e më shumë se 100 pasagjerëve në aeroportin e Shtutgardit, në jugperëndim të Gjermanisë, pasi njëri nga fluturimet është anuluar në minutin e fundit meqë bashkëpiloti ishte i dehur, transmeton AP.

Vetëm pak minuta para se të realizohej fluturimi i kompanisë portueze TAP drejt Lisbonës, një punëtor i aeroportit ka vërejtur se kopiloti nuk ka ecur si duhet dhe ka mbajtur erë alkooli.

Ai ka njoftuar autoritetet e aeroportit, të cilat kanë vendosur që të anulojnë fluturimin.

Ende nuk është bërë e ditur nëse kopiloti 40 vjeçar është ndaluar nga autoritetet e sigurisë.

Agjencia e lajmeve dpa ka thënë sot se të gjithë 106 pasagjerët do të mund të udhëtojnë drejt Lisbonës në ditën e hënë.

Francë: Vdes polici hero që dha veten në këmbim të pengjeve

Polici francez që dha vetën për një peng tek i armatosuri që zuri pengje në një supermarket dje në Francë, ka vdekur nga plagët e marra.

 

Arnaud Beltrame, 45 vjeçar, “ra si hero” dhe tregoj “guxim të jashtëzakonshëm”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Beltrame ndihmoi që t’i jepej fund të armatosurit që kishte mbytur tri pengje në një komunë të vogël në jug të Francës.

25 vjeçari, Redouane Lakdim, u qëllua për vdekje pas një rredhimi disa orësh.

Duke lajmëruar vdekjen e oficerit policor në Twitter, ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Coollomb tha se “ai vdiq për vendin e tij”.

“Franca kurrë nuk do ta harrojë heroizmin e tij, trimërinë dhe sakrificën”.

Më herët, vet Macron njoftoi se Beltrame po vuan nga plagët e marra dhe po lufton me jetën në spital.

16 njerëz u lënduan në total, dy seriozisht, në këtë ngjarje që Macron e quajti akti i terrorizimit islamik.

Lakdim thuhet të ketë kërkuar lirimin e Salah Abdeslam, figura kryesore që u zu pas sulmit të 13nëntorit në Paris kur mbetën të vdekur 130 njeëz.

Një person – që besohet të jetë partner i Lakdim – është arrestuar në lidhje me ngjarjen e djeshme.

“Dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira me Turqinë”

Merkel në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur me presidentin e Francës Emmanuel Macron në kuadër të Samitit të BE-së, duke bërë të ditur se në samit kanë diskutuar në lidhje me marrëveshjen aktuale me Turqinë për refugjatët

BRUKSEL – Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se “Dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira me Turqinë”.

Merkel në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur me presidentin e Francës Emmanuel Macron në kuadër të Samitit të BE-së, duke bërë të ditur se në samit kanë diskutuar në lidhje me marrëveshjen aktuale me Turqinë për refugjatët, tha se “Kemi shprehur shqetësimet tona në lidhje me Afrinin. Kemi biseduar gjithashtu për situatën përreth Qipros në Mesdhe si dhe për 2 ushtarët grekë që janë aktualisht të arrestuar në Turqi”.

“Dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira me Turqinë, por kemi shqetësime të mëdha. Ne sërisht i qëndrojmë marrëveshjes Turqi-BE për refugjatët. Në këtë çështje ne e dimë se duhet të mbahet i gatshëm pjesa e dytë prej 3 miliardë eurosh. Ne kemi biseduar edhe për këtë çështje dhe kemi shprehur angazhimin tonë” ka shprehur Merkel.

Ndër të tjera duke theksuar se i mirëpresin bisedimet që do të zhvillohen në Varna mes përfaësuesve të institucioneve të BE-së dhe presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, Merkel ka vënë theksin se ata do ti qëndrojnë marrëveshjes aktuale mes Turqisë dhe BE-së për refugjatët.

Çështja tjetër që kemi biseduar është sulmi me gaz në Salisbury, njoftoi Merkel, e cila ka vënë theksin se këtë çështje e shohim si siguri e përbashkët të Evropës. Ne solidrizohemi me Britaninë dhe për sulmin në fjalë bëjmë përgjegjës Rusinë dhe se kjo vërehet se është rezultati më i arsyeshëm.

Merkel gjithashtu ka cekur edhe ngjarjen e terrorizmit të ndodhur sot në jug të Francës, ku ajo ka shprehur se janë gjithmonë në krah të Francës kundër sulmeve terroriste dhe se ata janë të gatshëm të ofrojnë çdo ndihmë që kanë mundësi.

Më tej kancelarja Merkel, deklaroi se në samit kanë biseduar kryesisht edhe çështjet e tregtisë, ku ata gjithmonë favorizojnë tregtinë me shumë drejtime dhe se janë kundër proteksionizmit në tregti.

Në lidhje me largimin e Britanisë nga BE-ja, pasi ka bërë të ditur se këtë do ta diskutojnë edhe në muajin qershor, Merkel tha se kanë biseduar edhe për çështjet në lidhje me të ardhmen e Eurozonës.

Çeki: Shumica e viktimave nga shpërthimi në uzinën kimike janë nga Rumania

Pamje pas shpërthimit në një uzinë kimike në Çeki

Pesë nga gjashtë personat e vrarë në shpërthimin në një uzinë kimike në Çeki janë nga Rumania, ka njoftuar Ministria e Jashtme në Bukuresht.

“Numri i shtetasve rumunë të vrarë në këtë tragjedi është rritur në pesë”, ka thënë kjo Ministri.

Incidenti ka ndodhur më 22 mars në qytetin Kralupy-nad-Vltavou, 30 kilometra në veri të Pragës.

Kombësia e viktimës së gjashtë ende nuk është bërë publike.

Ndërkaq, dy persona janë dërguar në spital dhe raportohet se njëri prej tyre ka “lëndime të rënda në fytyrë”, ndërkaq i lënduari i dytë ka plagë të shkaktuara nga djegia.

Uzina kimike ishte pjesë e një kompleksi të grupit kimik çek Unipetrol.

Shpërthimi ndodhi teksa po pastroheshin rezervuarët, kanë njoftuar shërbimet e emergjencës.

Tashmë kanë nisur hetimet lidhur me këtë shpërthim.

Francë: Të paktën një i vdekur gjatë pengmarrjes në një supermarket

Të paktën një person është vrarë gjatë një pengmarrjeje sot nga një njeri i armatosur në një supermarket në qytetin jug-perëndimor francez të Trebës, njoftoi për mediat kryebashkiaku i qytetit Eric Menasi.

Sipas tij, një tjetër person është plagosur, por gjendja e tij nuk dihet. Pengmarrësi ndodhet aktualisht vetëm me një polic në supermarket dhe të gjithë pengjet e tjerë janë liruar, njoftoi kryebashkiaku.

Sipas një televizioni lokal edhe viktima e dytë ka vdekur dhe 12

persona të tjerë janë plagosur. Më herët një burim policor kishte bërë të ditur se tetë persona po mbaheshin peng dhe se pengmarrësi kishte qëlluar një oficer policie.

Sipas televizionit “BFM TV” pengmarrësi kishte deklaruar mbështetjen e tij për Shtetin Islamik. Zyra e prokurorit në Paris njoftoi se prokurorët kundër terrorizmit po e hetonin incidentin, por nuk ka komentuar mbi lidhjen e mundshme të pengmarrësit me grupin islamik.

Nën akuzë separatistët katalanas – Carles Puidgemont dhe 13 udhëheqës të tjerë rrezikojnë 30 vjet

VOAL – Gjyqtari i Pablo Llarena i gjykatës supreme spanjolle ka akuzuar zyrtarisht për rebelim dhe paditi ish-presidentin Carles Puigdemont dhe 12 të tjerë katalanasit kryesorë pro-pavarësisë. Në mesin e tyre edhe kandidati presidencial Jordi Turull, ish-zëvendës president i rajonit Oriol Junqueras, i ish-presidenti i Parlamentit Carme Forcadell, dhe lideri i ERC Marta Rovira i cili të premten ka refuzuar të paraqitet përpara gjykatës njoftoi se ai do të largohet nga vendi.

Të trembëdhjetë separatistët duhet t’i përgjigjen përpjekjes për të shpallur pavarësinë e rajonit nga Spanja. Ata rrezikojnë 30 vjet burg.

Puidgemont, Junqueras dhe pesë ish-këshilltarë të tjerë gjithashtu akuzohen për përvetësim për shpenzimet e bëra për referendumin e 1 tetorit.

Pesë ish-anëtarët e tjerë të qeverisë katalane do të duhet gjithashtu t’i përgjigjen shpërdorimit të fondeve publike dhe mosbindjes. Një krim gjithashtu u akuzua kundër pesë ish-anëtarëve të zyrës presidenciale të parlamentit dhe politikanëve të tjerë duke përfshirë edhe Anna Gabriel rishfaqur në Gjenevë.

ATS

Lirim nën mbikqyrje, Sarkozy do të apelojë vendimin e gjykatës

VOAL – PARIS, 23 MARS – Avokati i Nicolas Sarkozy, Thierry Herzog, njoftoi të enjten në mikrofonët e RTL-së qëllimin për të apeluar kundër masës së provës kundër klientit të tij, i hetuar që nga e mërkura për “ korrupsion pasiv, financim ilegal dhe marrjen e fondeve publike libiane “.
“Për çfarë arsyeje kjo liri është urdhëruar – pyeti Herzog – në Francë ekziston një shkallë e dyfishtë e juridiksionit. Sarkozy ka të drejtë të apelojë dhe do të apelojë dhe do të shohim se çfarë do të thonë gjykatësit hetues”.
Sipas asaj që është mësuar, masa kufizuese e imponuar ndaj ish-presidentit të republikës e ndalon, ndër të tjera, të takojë disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, përfshirë ish-sekretarin e përgjithshëm të Eliseut, Claude Gueant, të përfshirë në historinë e burimeve libiane.

Franca përballet me një grevë masive në sektorin publik

Protesta është thirrur në shenjë revolte për reformat e punës dhe shkurtimin e paralajmëruar të vendeve të punës

PARIS – Franca është bërë gati për t’u përballur të enjten me një kaos trafiku, të cilit do t’i paraprijë greva e miliona të punësuarve në sektorin publik, përfshirë shkollat, sportelet, shërbyesit civilë, kontrollorët e trafikut ajror, oparatorët e hekurudhave dhe metrosë së Parisit.

Protesta është thirrur në shenjë revolte për reformat e punës dhe shkurtimin e paralajmëruar të vendeve të punës, dhe e njëjta është përkrahur nga shtatë sindikata të punëtorëve, të cilat bënë thirrje për “ditë veprimi”, në kuadër të të cilit në pjesë të ndryshme të Francës do të mbahet mbi 140 tubime protestuese.

Tubimi më i madh protestues pritet të mbahet në sheshin “Place de la Bastille” në Paris, me pjesëmarrje të rreth 25 mijë njerëzve.

Reformat përfshijnë plane për ngrirjen e pagave, ashpërsimin e pushimit mjekësor si dhe shkurtimin e 120 mijë vendeve të punës në sektorin publik, që duhet të realizohet deri në vitin 2022.

Greva e sektorit publik pritet të mbahet nga sot deri të premten në mëngjes. aa

Gjykatësit aktakuzë ndaj ish-presidenti francez Sarkozy për financim të paligjshëm të fushatës

Gjykatësit francezë kanë ngritur aktakuzë nga ish-presidentit Nicolas Sarkozy për korrupsion dhe financim të paligjshëm të fushatës, në lidhje me dyshimet se ai ka marrë fonde nga diktatori i ndjerë libian, Muammar Qaddafi për fushatën e tij më 2007, kanë thënë zyrtarët.

Akuzat vijnë pasi Sarkozy për dy ditë është marrë në pyetje nga policia anti-korrupsion në Nanterre, në veriperëndim të Parisit. Gjyqtarët hetues janë duke hetuar mbi dyshimet se regjimi i Qaddafit në mënyrë të fshehur i ka dhënë Sarkozyt 50 milionë euro për fushatë.

Kjo shumë është dyfishi i shumës së lejuar për financim të fushatës në Francë.

Sarkozy, 63-vjeç, ishte president i Francës nga vitit 2007 deri më 2012.

Ai vazhdimisht ka mohuar këto akuza.

Ukraina i jep fund bashkëpunimit ekonomik me Rusinë

Në takimin e Këshillit të Ministrave i është dhënë fund programit të bashkëpunimit ekonomik 2011-2020

Ukraina i ka dhënë fund bashkëpunimit ekonomik me Rusinë.

Sipas mediave lokale në takimin e Këshillit të Ministrave i është dhënë fund programit të bashkëpunimit ekonomik 2011-2020 me arsyetimin se Rusia ka hedhur hapa kundër kushteve të bashkëpunimit.

Në takim u rikujtua se Rusia, e cila ka pushtuar Krimenë në vitin 2014, anuloi në vitin 2015 Marrëveshjen e Zonës së Tregtisë së Lirë të Bashkësisë të Shteteve të Pavarura me Ukrainën.

Marrëveshja e cila parashikon bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fusha të tilla si ekonomia, tregtia, transporti, turizmi, ndihma sociale dhe humanitare është nënshkruar më 7 korrik të vitit 2011 në Moskë. aa

Liderët e BE-së mblidhen nesër në Bruksel

Nesër mbahet Samiti i BE-së ku do të marrin pjesë liderët e vendeve anëtare të BE-së ndërsa do të diskutohet për çështjet si largimi i Britanisë nga Unioni, Ballkani Perëndimor, Rusia, zhvillimet në Turqi etj

BRUKSEL – Nesër mbahet Samiti i Bashkimit Evropian ku do të marrin pjesë liderët e vendeve anëtare të BE-së ndërsa do të diskutohet për çështjet si largimi i Britanisë nga Unioni (Brexit), Ballkani Perëndimor, Rusia, zhvillimet në Turqi, tatimi i kompanive dixhitale dhe çështjet ekonomike.

Samiti i cili do të nisë ditën e nesërme dhe do të përfundojë më 23 mars në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, do të mbledhë së bashku krerët e qeverive dhe shteteve anëtare të BE-së.

Në samitin që do të mbahet në Këshillin e BE-së do të diskutohen kryesisht çështjet ekonomike, ku krahas kësaj Ballkani Perëndimor, Rusia, zhvillimet në Turqi, Brexit, tatimi i kompanive dixhitale do të përbëjnë pikat tjera të rendit të ditës.

Në Samitin e Liderëve të BE-së do të mbahen tri seanca për të diskutuar mbi çështje të ndryshme. Në seancën e parë nesër krerët e shteteve dhe qeverive të 28 shteteve anëtare të BE, do të vlerësojnë marrëdhëniet e jashtme dhe çështjet sociale. Ditën e dytë, në seancën që do të mbahet nën emrin Samiti i Eurozonës do të diskutohet për çështje të bashkimit ekonomik dhe monetar. Ndërsa në seancën e fundit do të diskutohet mbi zhvillimet e fundit në negociatat e Brexit-it.

Politika e jashtme

Në krye të temave që liderët do të trajtojnë në politikën e jashtme, është helmimi i ish-agjentit rus në Britani. Krerët që parashikohet se janë në solidaritet të plotë me Britaninë pritet të marrin një vendim sanksionues mbi Rusinë.

Gjithashtu në samit do të diskutohet edhe çështja e fazës kritike në negociatat e nisura pas vendimit të Britanisë për t’u larguar nga Unioni. Do të diskutohet për marrëveshjen që qeveria britanike ka arritur me BE-në mbi kushtet e gjera të periudhës së tranzicionit Brexit.

Pritet gjithashtu që në samit të vlerësohet situata e shteteve në rajon në kuadër të samitit që BE-ja do të mbajë me vendet e Ballkanit Perëndimor në Sofje më 16-17 maj.

Zhvillimet në lidhje me Turqinë

Vendet anëtare të BE në samit do të bisedojnë edhe për Turqinë ku theksohet se temat kryesore do të jenë në lidhje me problemet e përjetuara së fundmi në Egje dhe Mesdhe mes Turqisë, Greqisë dhe Qipros greke, ku në kuadër të kësaj parashikohet që liderët e Greqisë dhe Qipros greke të mbajnë nga një fjalim.

Pavarësisht se Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka përdorur deklaratat e Athinës një muaj më parë se “Do të vlerësojmë nëse janë apo jo të përshtatshme kushtet në lidhje me zhvillimin e takimit të Varnës me Turqinë më 26 mars”, burimet e BE-së theksojnë se nuk parashikohet ndonjë ndryshim në datën e takimit të liderëve.

Nga ana tjetër, në rendin e ditës së liderëve është planifikuar të jenë zhvillimet e tjera aktuale që po ndodhin në Turqi, por nuk pritet që të merren vendime konkrete edhe në çështje të tilla si liberalizimi i vizave apo rinovimi i bashkimit doganor.

Tregtia dhe ekonomia

Në Samitin që do të fillojë nesër fokusimi do të jetë kryesisht në ekonomi. Liderët e BE-së do të marrin vendime për mundësitë e punësimit, rritjen dhe konkurrencën.

Ndër të tjera do të theksohet se BE-ja duhet të përjashtohet nga taksat doganore shtesë të SHBA-ve për çelikun dhe aluminin si dhe në kundërpërgjigje ndaj SHBA-ve do të diskutohen masat alternative ku BE-ja duhet të jetë më aktive në tregjet e Japonisë, Singaporit dhe Meksikës. aa

Vrasja e gazetares malteze: Dëshmitarja “në rrezik për jetën”

Daphne Caruana Galizia

Një informatore ruse, e lidhur me gazetaren e vrarë të Maltës, Daphne Caruana Galizia, i është dorëzuar policisë në Greqi, duke thënë se ka frikë për jetën e saj.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë lëshuar një deklaratë të martën, duke iu bërë thirrje autoriteteve në Athinë që t’i sigurojnë mbrojtje Maria Yefimovas.

Një urdhërarrest evropian për Yefimovan është lëshuar në nëntor, pasi ajo është akuzuar për dhënie të informacioneve të rëndësishme gazetares Caruana Galizia, e cila më pas ka shkruar një raport për lidhje të mundshme të paligjshme midis qeverive të Maltës dhe Azerbajxhanit.

Yefimova raportohet se i ka thënë Caruana Galizias se ajo ka parë dokumente që sugjerojnë se një milion euro nga familja e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kanë arritur në llogarinë e Michelle Muscat, gruas së kryeministrit të Maltës.

Joseph Muscat dhe gruaja e tij i kanë hedhur poshtë akuzat se paratë janë transferuar nga familja e Aliyevit përmes firmës sekrete Egrant Inc në Panama.

Deklarata e Parlamentit Evropian e përshkruan Yefimovan si “dëshmitare të rëndësishme për hetimet për korrupsion dhe shpëlarje parash në Maltë”.

Ajo ka ikur nga Malta vitin e kaluar, duke thënë se druhet për jetën e saj dhe të familjes. Autoritetet në Maltë dhe Qipro kanë lëshuar urdhërarreste për të, por për arsye të ndryshme.

Urdhri maltez bazohet në një akuzë të ngritur nga banka Pilatus në Maltë, e cila thotë se ajo ka vjedhur nga banka, ku edhe ka punuar më herët. Yefimova i mohon akuzat.

Urdhërarresti qipriot bazohet në pretendime të ngjashme për përvetësim nga një kompani në Qipro, ku ajo ka punuar përpara se të zhvendosej në Maltë. Yefimova i hedh poshtë edhe këto akuza.

Greqia duhet të vendosë nëse do ta ekstradojë Yefimovan në ndonjërin prej këtyre vendeve.

Stelios Kouloglou, anëtar grek i Parlamentit Evropian, ka thënë se “ekstradimi i saj i mundshëm në Maltë do ta rrezikonte seriozisht jetën e saj”.

“Urdhërarresti kundër Maria Yefimovas bazohet në akuza qesharake nga autoritetet e Maltës”, ka thënë ai.

Kouloglou ka thënë se po e ndihmon Yefimovan me një kërkesë për qëndrim në Greqi.

Ana Gomes, anëtare portugeze e Parlamentit Evropian, ka kërkuar nga shtetet e BE-së që t’i japin Yefimovas azil ose mbrojtje ndërkombëtare, pasi “ajo është në rrezik serioz”.

Caruana Galizia është vrarë nga bomba e vendosur në makinën e saj në tetor të vitit 2017. Tre burra janë akuzuar për vrasjen e saj, por organizatori i sulmit besohet të jetë ende i lirë.

Përgatiti: Valona Tela

Sarkozy vazhdon të merret në pyetje nga policia

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, po merret në pyetje për të dytën ditë me radhë, në lidhje me akuzat se fushata e tij zgjedhore më 2007 ka marrë fonde nga regjimi i diktatorit të ndjerë libian, Muammar Qaddafi.

Pasi ka kaluar natën në shtëpi, Sarkozy është kthyer në stacionin e policisë në Nanterre, në veriperëndim të Parisit, për t’u marrë në pyetje nga zyrtarët e policisë anti-korrupsion.

Hetimi gjyqësor ka nisur në vitin 2013, pasi ueb-faqja franceze e lajmeve Mediapart ka publikuar akuzat e biznesmenit francezo-libanez, Ziad Takieddine, se ai ka transferuar 5 milionë euro nga ish-shefi i inteligjencës së Qaddafit, Abdullah Senussi, te shefi i fushatës së Sarkozysë.

Sarkozy, 63 vjeç, i cili ka qenë president nga viti 2007 deri më 2012, ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.

Mogherini: Negociatat me Shqipërinë të hapen në qershor!

“BE duhet të hapë negociatat me Shqipërinë në qershor.” Thirrja e fortë është bërë nga Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini duke folur në Parlamentin Europian, ku në qendër të diskutimit është Shqipëria dhe reformat e ndërmarra

Zyrtarja e lartë italiane tha se pret që Komisioni Europian të japë një “rekomandim të pakushtëzuar” për negociatat e pranimit të fillojë në “dy deri në tre muaj” të ardhshëm.

“Aderimi do të ishte i dobishëm jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për “pajtimin” e rajonit të Ballkanit”, tha ajo duke shtuar se “ Shqipëria ende mund të mos jetë gati për t’u bashkuar me bllokun prej 28 anëtarësh, por se ka bërë gjëra të pabesueshme në procesin e reformës në vitin e kaluar apo më shumë.”

“Ajo që unë shoh, megjithatë, është një vendosmëri e madhe dhe përkushtim, një ndjenjë e ‘të qënurit evropiane. Është kjo dëshirë dhe aspirata të jetë pjesë e BE-së, kjo energji Evropa ka nevojë aq shumë, veçanërisht në dritën e tendencave aktuale politike. Ajo na kujton se për çfarë është BE-ja.” theksoi zyrtarja e lartë italiane

 

Mogherini, gjithashtu foli me entuziazëm për progresin e bërë deri më tani, duke përmendur reformën gjyqësore dhe politikat e punëve të jashtme si shembuj kryesor.

“Sa i përket rezultateve që ka arritur në procesin e reformës, veçanërisht në reformën e drejtësisë dhe në politikën e jashtme, Shqipëria ka bërë gjëra të pabesueshme gjatë vitit të kaluar dhe po ecën në drejtimin e duhur. Ne jemi 100% në të njëjtën anë. ”

Ndërkohë nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama, e cilësoi “qesharake” tendencën për ta etiketuar vendin e tij si një “kryeqytet kriminal” rajonal.

Ai pranoi se kishte ende probleme për t’u adresuar në lidhje me krimin e organizuar, korrupsionin dhe ndërtimin e institucioneve, por se vendi tani ishte gati të fillonte bisedimet e pranimit në BE.

“Nuk po themi se jemi gati për pranim sot dhe as nuk kërkojmë ndonjë dhuratë apo kënaqësi që është e pamerituar. Ne po themi vetëm se ka ardhur koha për të hapur bisedimet sepse e meritojmë. Një nga një kemi bërë çfarë na është kërkuar, jo sepse na është kërkuar nga Brukseli, por sepse është e mirë për vendin dhe gjeneratën e ardhshme. Skeptikët duhet të kuptojnë se hapja e bisedimeve nuk do të krijojë probleme të reja potenciale dhe se BE ka nevojë për Ballkanin ashtu siç Ballkani ka nevojë për BE”. u shpreh Kryeministri

Shqipëria është një kandidate zyrtare për anëtarësim në BE që nga qershori 2014 dhe është në axhendën aktuale për zgjerimin e ardhshëm. Shqipëria aplikoi për anëtarësim më 28 prill 2009.

Ndërkohë që Brukseli ka nënvizuar disa herë vendosmërinë për të pranuar Ballkanin në BE, brenda vitit 2025.

Arsyeja pse Sarkozi ndodhet në paraburgim. Ja çfarë e lidh atë me Gadafi-n

Ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi ndodhet në paraburgim për t’u marrë në pyetje lidhur me akuzat se ai ka marrë fonde nga udhëheqësi i Libisë, Muammar Gaddafi.

Policia është duke hetuar parregullësitë lidhur me financimin e fushatës së tij presidenciale në vitin 2007. Sarkozi është pyetur edhe më parë në lidhje me këtë çështje. Sipas burimeve gjyqësore shkruan BBC, ish presidenti po ndodhet në Nanterre, një zonë periferike e Parisit perëndimor.

Në vitin 2013 në Francë u hap një hetim në lidhje me pohimet se fushata e tij kishte përfituar fonde të paligjshme nga Gadafi, ndërsa Sarkozi i ka mohuar këto akuza. Sipas burimeve në pyetje është marrë edhe një prej ish ministrave të Sarkozi Brice Hortefeux.

Pretendimet erdhën nga një biznesmen francezo-libanez, Ziad Takieddine dhe disa ish zyrtarë të regjimit të Gaddafit./

Burimi: BBC

Rasti Skripal: BE i merr seriozisht akuzat kundër Moskës

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dënuan fuqishëm helmimin e një ish-agjenti rus në Britani dhe thanë se e kanë marrë “shumë seriozisht” vlerësimin e Londrës se Moska qëndron prapa sulmit.

Britania dhe aleatët e saj kanë fajësuar Moskën për sulmin kundër Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, më 4 mars, në Sallsbëri të Anglisë.

Dy viktimat mbeten në gjendje kritike për jetën.

“Bashkimi Evropian e merr seriozisht vlerësimin e Mbretërisë së Bashkuar se Federata Ruse, sipas të gjitha gjasave, është përgjegjëse”, thanë përmes një deklarate 28 ministrat e Jashtëm të BE-së.

“BE-ja shpreh solidaritet të pakufizuar me Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë përpjekjet e saj për t’i sjellë përgjegjësit e këtij krimi para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Kremlini, në anën tjetër, përsëriti se Britania duhet të dëshmojë përfshirjen e Rusisë në helmimin e Skripalit dhe të vajzës së tij ose të kërkojë falje.

“Herët ose vonë, këto akuza të pabaza do të duhet të marrin përgjigje”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

NATO nis zhvendosjen në seli të re në Bruksel

NATO-ja do të nisë zhvendosjen e selisë së saj në Bruksel, pas disa vonesave të shkaktuara nga problemet teknike.

Zhvendosja e personelit prej rreth 4,000 vetash do të marrë 12 javë kohë, thanë zyrtarët.

Ndërtesa e re është pranë selisë ekzistuese të aleancës, e cila do të vazhdojë të shfrytëzohet gjatë periudhës së tranzicionit.

NATO ka thënë se objekti i ri do të ofrojë hapësirë për 1,500 anëtarë të stafit të aleancës, 1,700 pjesëtarë të stafit ushtarak ndërkombëtar dhe civil, 600 pjesëtarë të agjencive të NATO-s dhe rreth 500 vizitorë në ditë.

Kosotoja fillestare e shpenzimeve për selinë e re ka qenë 750 milionë euro, por shpenzimet aktuale janë rreth 1.17 miliardë euro.

Zhvendosja e selisë ka qenë e paraparë të bëhet në janar, por është shtyrë për shkak të problemeve të lidhura me teknologjinë e internetit.

Shefi i NATO-s jep alarmin: Rusia po bëhet gjithnjë më e rrezikshme dhe më agresive

Pas vrasjes së një ish-agjenti në Britani të Madhe, Stoltenberg paralajmëron nga kërcënimet e reja ruse. Në samitin e ardhshëm të NATO-s duhet të jepen përgjigje.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka paraqitur një konstatim tepër dramatik për strategjinë e Kremlinit në vitet e kaluara. Kjo strategji shtrihet prej aneksimit ilegal të Krimesë, stacionimit të trupave ushtarake në Gjeorgji, sulmet e shumta kibernetike e deri tek helmimi i fundit në Britaninë e Madhe, për të cilin thuhet se e ka kryer Rusia. Sulmi në Salisbury “është kryer sipas një modeli të caktuar”, që është vërejtur prej disa vitesh, thotë Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”. Ai paralajmëron: “Rusia po bëhet gjithnjë e më e pallogaritshme dhe më agresive”.

Sulmi atomik?

Shefi i NATO-s shkon edhe një hap më larg: “Ne po shohim kohët e fundit se si Rusia po i fut në doktrinën e saj ushtarake dhe në stërvitjet ushtarake armët atomike”. Kjo shton frikën për sulme me armë bërthamore nga ana e Moskës. “Ne duhet të gjejmë përgjigje ndaj kësaj mundësie”, paralajmëron shefi i NATO-s. Tek e fundit, “ekziston rreziku që qeveria ruse të lëvizë gradualisht nga përdorimi i armëve konvencionale drejt përdorimit të armëve bërthamore”.

Brüssel NATO Generalsekretär Stoltenberg PK zur neuen Strategie (picture-alliance/abaca/D. Aydemir)

Përgatitja serioze

Aleanca perëndimore duhet të përgatitet për mbrojtje dhe duhet t’i përmirësojë aftësitë e veta. Stoltenberg llogarit me vendime të reja të kancelares Merkel dhe kolegëve të saj në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor, në Bruksel. “Ne duhet të jemi të zgjuar”, thotë Stoltenberg. Rusia nuk duhet të bëjë kalkulime të gabuara, “sepse ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në çdo moment, nëse cënohet një prej anëtareve të NATO-s”. Aleanca duhet të tregojë qartë aftësitë e veta, me qëllim që të evitojë ndonjë luftë të re.

Stoltenberg hedh poshtë kërkesat për çarmatime bërthamore. “Përderisa në botë ekzistojnë armët bërthamore, edhe NATO duhet të ketë armët e veta”. Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut “posedojnë arsenale sinjifikante të këtyre armëve”. Shefi i NATO-s e mbron në këtë kontekst paralajmërimin e SHBA që të modernizojë bombën atomike B-61. “Duhet të jemi të sigurt se ato janë në funksion.”

Lufta kibernetike

Një temë tjetër e mundshme në takimin e Këshillit NATO-Rusi është lufta e mundshme hibride, një përzierje e mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake. NATO pohon se një strategji të këtillë Moska është duke e zbatuar në lindje të Ukrainës. Sulmet kibernetike dhe fushatat për dezinformim bëjnë pjesë në këtë strategji të luftës kibernetike.

Stoltenberg ka kumtuar para disa ditësh në emër të NATO-s se ai nuk dyshon në pohimet e Britanisë së Madhe se Rusia qëndron pas sulmeve ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe vajzës së tij. Por ai ka paralajmëruar nga konfrontimet me Rusinë si në kohën e Luftës së Ftohtë dhe ka kërkuar që të mos fillojë një fazë e armatimeve të reja.

DW

Çekia hedh poshtë akuzat e Rusisë mbi origjinën e agjentit nervor

Policët britanikë qëndrojnë në afërsi të vendit ku ka ndodhur sulmi me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus

Ministri i Jashtëm çek Martin Strionicky ka hedhur poshtë sot akuzat e Moskës se agjenti nervor, që është përdorur kundër ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani, ka ardhur nga Republika Çeke.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i ka thënë sot televizionit Rossiya 24 se ka shumë gjasa që burimi i agjentit nervor, i tipit Noviçok, të jetë në Britani, Republikën Çeke, Sllovaki, Suedi ose Shtetet e Bashkuara, transmeton agjencia Reuters.

Rusia ka dëbuar 23 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj masave të ndërmarra nga Londra, e cila e akuzon Kremlinin se qëndron prapa sulmit me agjent nervor.

“Ne hedhim poshtë këto pretendime mbi origjinin e agjentit nervor, prentendime këto që nuk qëndrojnë”, ka shkruar ministri Stropnicky në Twitter.

“Kjo është formë standarde e manipulimit të informacionit, përmes mesazheve shumë spekulative të cilat po prezantohen dhe nuk mund të provohen nësa janë të sakta”, ka shkruar tutje ai.

Ndërkaq, ministrja e Mbrojtjes së Çekisë, Karla Slechtova, në një postim në Twitter ka thënë se është “absurde” të mendohet se agjenti nervor, që është përdorur për të helmuar ish-spiunin rus, të ketë origjininë në Republikën Çeke.

Poloni, hapet kafeneja e parë për të fjetur

Sipas hulumtimeve, dremitja 20-minutëshe u mundëson njerëzve që janë nën presionin e punës dhe punojnë në një mjedis konkurrues të pastrojnë mendimet e tyre dhe të jenë më kreativ

WROCLAW – Në Wroclaw të Polonisë është hapur kafeneja e parë për të fjetur, Vinci Power Nap Sleep Cafe, ku qytetarët mund të bëjnë një gjumë të shkurtër dhe të mbushin “bateritë” për pjesën e mbetur të ditës.

Ky është një objekt inovativ i projektuar nga Magdalena Filcek. Kafeneja e parë për “ëndrrat” qetëson shqisat dhe atyre që e vizitojnë u ofron dizajn unik të enterierit me çarçafë të varur ku mund të shtrihen. Rreth tyre është bari i butë artificial si dhe muzikë e posaçme qetësuese.

Sipas hulumtimeve, dremitja 20-minutëshe u mundëson njerëzve që janë nën presionin e punës dhe punojnë në një mjedis konkurrues të pastrojnë mendimet e tyre dhe të jenë më kreativ.

Magdalena, një artiste dhe admiruese e Leonardo da Vinçit, gjithashtu një pjesë të emrit e përfshiu në emrin e kafenesë. aa

Merkel: Edhe myslimanët edhe Islami i përkasin Gjermanisë

“Në ditët tona tanimë në Gjermani jetojnë 4 milionë myslimanë. Pra, edhe myslimanët i përkasin Gjermanisë si dhe feja e tyre Islami”, tha kancelarja gjermane, Merkel

BERLIN – Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se edhe myslimanët dhe feja e tyre Islami i përkasin Gjermanisë.

Merkel pas takimit me kryeministrin e Suedisë, Stefan Löfven mbajti një konferencë për media ku u përgjigj në pyetjen e një gazetari lidhur me atë se çfarë mendon për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Ndërtimit dhe Atdheut të Gjermanisë, Horst Seehofer se “Islami nuk i përket Gjermanisë”.

Ajo tha se krishterizmi dhe judaizmi kanë lënë gjurmë në të kaluarën e Gjermanisë, por që në ditët e sotme edhe Islami është shndërruar në një pjesë të shtetit për shkak të 4 milionë muslimanëve që jetojnë në këtë vend.

Merkel vuri në dukje se duhet treguar përpjekje për një jetesë të përbashkët dhe paqësore në mes të feve.

“Shtetin tonë në masë të madhe e ka formësuar krishterimi. Edhe judaizmi ka lënë gjurmë. Por në ditët tona tanimë në Gjermani jetojnë 4 milionë myslimanë. Pra, edhe myslimanët i përkasin Gjermanisë si dhe feja e tyre Islami. Ne kërkojmë një Islam në bazë të kushtetutës dhe që i përshtatet kushtetutës. Edhe në të kaluarën e kam thënë këtë qartazi. Duhet të tregojmë çdo lloj të përpjekjes për tolerancë fetare ndërsa Konferenca Islame është mjet i rëndësishëm në këtë fushë”, theksoi Merkel.

Ndërkaq lidhur me pyetjen për helmimin e ish agjentit rus Sergey Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani të Madhe, Merkel tha se të gjitha gjetjet e ngarkojnë Rusinë. Ajo tha se këtë çështje do ta diskutojnë në Këshillin Evropian.

Merkel tha se në takimin me Löfven kanë diskutuar për çështjet në interes për Evropën si dhe për marrëveshjen e arritur me Turqinë për çështjen e refugjatëve. Kancelarja gjermane shtoi se mbështesin iniciativat e Suedisë për ndërmjetësim lidhur me mosmarrëveshjet bërthamore me Korenë e Veriut.

Nga ana e tij kryeministri Löfven potencoi se ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho ndodhet në Suedi për të zhvilluar takime dhe se Suedia është e gatshme të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund krizës me Korenë e Veriut, pa arritur kjo krizë në nivele edhe më të larta.

Lidhur me helmimin e ish-agjentit rus dhe vajzës së tij, Löfven thotë se ndan mendimin e njëjtë me Merkel-in. Lidhur me muslimanët në shtetin e tij kryeministri suedez tha se çdo kush në shtetin e tij mund të zgjedhë secilën fe që do, por që janë kundër dhunës fetare dhe terrorizmit. aa

Ministri gjerman: Islami nuk i përket Gjermanisë

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, tha se beson se “Islami nuk i përket” vendit të tij.

Në një intervistë për gazetën Bild, Seehofer tha se Gjermania “është e formësuar nga krishterimi” dhe se ajo nuk duhet të heqë dorë nga traditat e veta.

Seehofer po ashtu premtoi se do të rrisë dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar.

Komentet e tij janë në kundërshtim me qëndrimin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Më shumë se një milion emigrantë kanë arritur në Gjermani pasi Merkel ka hapur dyert për azilkërkuesit sirianë në vitin 2015.

Hungarezë e polakë marshojnë në mbrojtje të kryeministrit Orban

Kryeministri hungarez, Viktor Orban në marshin e mbajtur sot në Budapest.

Dhjetëra mijëra mbështetës të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban kanë marshuar sot në përkrahje të tij, duke shpresuar se ai do ta fitojë edhe një tjetër mandat në zgjedhjet e 8 prillit që mbahen në këtë vend.

Atyre u janë bashkuar edhe mijëra mbështetës të partisë konservatore PiS, që udhëheq në Poloni.

Sikur partia polake ashtu edhe partia Fidesz e Orbanit po përballen me Bashkimin Evropian pasi kanë mendime të ndara për emigrimin si dhe për lëvizjet rreth rritjes së kontrollit në gjykata dhe media.

Organizatorët kanë dërguar me autobusë protestuesit polakë dhe ata hungarezë drejt Budapestit, për të marshuar në ditën e cila përkon edhe me revolucionin e vitit 1848 në këtë shtet.

Orban dhe kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki udhëheqin qeveri konservatore, nën presionin e Brukselit për shkak të refuzimit që të pranojnë migrantë sipas sistemit të kuotave.

Mbështetësit e të dyja partive kanë ecur në rrugët e Budapestit duke bartur banerë me slloganet “Hungaria e mbron Evropën” dhe “Ne jemi me ty Viktor”.

Orban ka thënë në marsh se armiqtë, “dëshirojnë të na e marrin shtetin”.

Pas vrasjes së gazetarit dhe të dashurës së tij, dorëhiqet kryeministri sllovak

Kryeministri sllovak, Robert Fico ka thënë se ai është i gatshëm për t’u dorëhequr nëse presidenti pranon që koalicioni aktual të vazhdojë qeverisjen pa mbajtur zgjedhje të parakohshme, transmeton BBC.

Fico ka thënë se ai është gati të prezantojë një kandidat për kryeministër nga partia e tij.

Deklarata e tij vjen pas skandalit të shkaktuar nga vrasja e gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova.

Kuciak ishte duke hetuar korrupsionin qeveritar kur është vrarë.

“Sot kam ofruar dorëheqjen time te presidenti i republikës”, ka thënë Fico në një konferencë për media.

“Nëse presidenti pranon, jam i gatshëm të dorëhiqem nesër”, ka shtuar ai. /Rel

Hungaria riatdheson 3 tonë ar nga Londra

Banka Kombëtare e Hungarisë (MNB) ka njoftuar se do të sjellë në shtëpi rreth 3 tonë rezerva ari nga Londra.

Vendimi për riatdhesimin e rezervave të arit, gjithsej me vlerë 33 miliardë forintë hungarezë (130 milionë dollarë amerikanë), u shpjegua për arsye të sigurisë, në rast të ndonjë krize të mundshme gjeopolitike.

Tërheqja e rezervave të arit është një thuajse një tendencë ndërkombëtare, pasi ruajtja jashtë vendit konsiderohet e rrezikshme nga shumë banka qendrore, duke përfshirë ato austriake, gjermane dhe holandeze. Kohët e fundit ata kanë vendosur të riatdhesojnë rezervat e tyre të arit.

Banka qendrore e Hungarisë ka ruajtur rezervat e arit që nga themelimi i saj në 1924. Shuma u rrit vazhdimisht deri në Luftën e Dytë Botërore. Shuma më e madhe e arit të mbajtur ishte rreth 65-70 ton në fillim të viteve 1970.

Banka më pas vendosi të ulë rezervat e arit në nivelin më të ulët të mundshëm dhe të investojë në borxhin sovran të vendit.

Në fillim të vitit 2010, tendenca për të mbajtur rezervat jashtë vendit ka ndryshuar përsëri dhe bankat qendrore kanë filluar të grumbullojnë arin si një përgjigje të mundshme ndaj një krize financiare.

SHBA dhe Gjermania janë aktualisht mbajtësit më të mëdhenj në botë të arit. Hungaria ka një nga sasitë më të vogla të metaleve të çmuara krahasuar me vendet e tjera të Evropës Qendrore. Që nga viti 1992, aktiviteti i Budapestit ka mbetur i qëndrueshëm pasi MNB nuk ka blerë ose shitur asnjë nga rezervat e saj të arit.


Send this to a friend