VOAL

VOAL

Pack kundër ndarjes, sulmon Evropën për vizat, arsyeton Qeverinë për taksën kundër Serbisë

Doris Pack, politikane gjermane dhe ish-deputete e Parlamentit Evropian, ka komentuar vendimin e taksës së Qeverisë së Kosovës për produktet serbe, ajo ka thënë se ky është mjeti i vetëm për t’iu kundërpërgjigjur mungesës së miqësisë me fqinjët. E quan të turpshëm mosheqjen e liberalizimit të vizave.

Pack është shprehur se asnjë politikan i arsyeshëm nuk mund ta çojë përparja ndarjen e Kosovës.

“Po, është e turpshme që ne ende e shtyjmë heqjen e vizave për Kosovën! Ata po ndihen të lënë anash, prandaj rritja e taksave për ta shihet si mjeti i vetëm për t’iu kundërpërgjigjur mungesës së miqësisë së fqinjëve të tyre. Asnjë politikan i dijshëm dhe i arsyeshëm nuk mund ta çojë përpara seriozisht ndarjen”, ka shkruar Pack në Twitter, transmeton Gazeta Express.

Kurz: “Stabiliteti i Evropës varet shumë nga stabiliteti i Ballkanit Perëndimor”

VJENË – Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se stabiliteti i Evropës varet shumë nga stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor.

Kancelari austriak në Vjenë sot organizoi një takim pune ku morën pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe komisarët evropianë Johannes Hahn dhe Marija Gabriel.

Temat e takimit ishin bashkëpunimi rajonal, perspektivat e Ballkanit Perëndimor, çështjet dypalëshe dhe tejkalimi i problemeve të mundshme.

Kurz pas takimit tha se Austria kultivon marrëdhënie të forta historike, ekonomike dhe kulturore me vendet e rajonit.

“Ne besojmë se Bashkimi Evropian do të jetë e kompletuar kur pjesë e saj të bëhen vendet e Ballkanit Perëndimor” tha Kurz.

Ai tha se këto vende kanë mbështetje në rrugën evropiane dhe se Austria do t’i japë rëndësi të veçantë gjatë presidencës së Këshillit Evropian.

Komisioneri evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn tha se gjatë takimit gjithashtu u diskutua për gjendjen ekonomike në rajon, e cila është një temë e rëndësishme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe tregun e saj.

Ai tha se dinamika e ekonomisë rajonale në dy vitet e fundit ka bërë përparim të vogël dhe se në dhjetë vitet e fundit tregtia e BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është dyfishuar.

Duke theksuar rëndësinë e një perspektive evropiane për vendet e rajonit, Hahn tha se vazhdimi i rrugës së tyre evropiane do të jetë i rëndësishëm për rajonin dhe për BE-në.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se vendet e rajonit në rrugën evropiane e presin procese të reformave të vështira dhe sfiduese duke shprehur besimin se ato janë gjithashtu të realizueshme.

Ai tha se liberalizimi i vizave për Kosovën është një çështje e një rëndësie të veçantë dhe shtoi se shpreson që Kosova të marrë liberalizimin pas zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Evropian. aa

Ish-kancelari gjerman në “listën e armiqve” të Ukrainës

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder.

Gjermania i bëri thirrje Ukrainës që të heqë nga interneti një listë të, siç thuhet, “armiqve të shtetit”, pasi ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, është shfaqur në të.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se “e dënon fuqishëm” listën në ueb-faqen Mirotvorez, e cila drejtohet nga një i njohur i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Arsen Avakov.

Schroeder është listuar si “anti-ukrainas” për “mbrojtjen e aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia”, në vitin 2014.

Edhe pse aneksimi ka qenë i paligjshëm, Schroeder ka pyetur: “Ju vërtet besoni se ndonjë president rus do ta ndryshojë këtë? Ky është një realitet me të cilin do të duhet të pajtohemi një ditë”.

Schroeder i ka bërë këto komente për gazetën gjermane Aachener Nachrichten.

Angela Merkel në Strasburg: Pro idesë së krijimit të ushtrisë europiane

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh pro idesë së krijimit të ushtrisë europiane. Me shumë interes është pritur fjalimi i kancelares gjermane, Angela Merkel për të ardhmen e Europës në Strasburg. Një gjysmë vit para zgjedhjeve për Parlamentin Europian, pritet se çfarë vizioni do të paraqiste kancelarja gjermane në mandatin e saj të fundit për bashkësinë europiane.

Pas presidentit francez, Emmanuel Macron që u shpreh para pak ditësh për krijimin e një ushtrie europiane, duke korrur kritika të forta nga presidenti amerikan, Donald Trump, edhe kancelarja Merkel u pozicionua në Strasburg. Ajo u shpreh pro krijimit të ushtrisë europiane. Në Parlamentin Europian në Strasburg, ajo e mbështeti idenë e presidentit francez. “Ne duhet të punojmë për vizionin që një ditë të kemi edhe një ushtri të vërtetë europiane.”

Kancelarja Merkel në fjalimin e saj preku edhe çështjen e euros duke theksuar, se euro mund të funksionojë si monedhë e përbashkët, vetëm nëse të gjithë i kryejnë detyrimet e tyre. Në BE është ndezur konflikti me Italinë për buxhetin e qeverisë populiste, që nuk e ndjek kursin e kursimeve.

Kancelarja gjermane, theksoi në Strasburg po ashtu, se një BE digjitale do të bëhet, vetëm, nëse përpjekjet globale dështojnë./DW

Era do të jetë burimi kryesor i energjisë elektrike në BE

Era do të tejkalojë qymyrin, atomin dhe gazin, duke u bërë burimi më i madh i energjisë elektrike në Bashkimin Evropian, thonë nga WindEurope, pas analizimit të raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), ku thuhet se kjo pritet të ndodhë para vitit 2030.

Sipas parashikimeve të IEA-së, të publikuara në raportin e saj të fundit, era në vitin 2027 do të bëhet burimi më i madh i energjisë në BE, duke tejkaluar kështu thëngjillin, atomin dhe gazin si lëndë për krijimin e energjisë, ndryshe nga analizat e mëparshme, të cilat thonin se kjo do të ndodhë pas vitit 2030.

Sipas IEA-së, prodhimi i energjisë elektrike nga era në BE, pritet të trefishohet deri në vitin 2040, me 1.100 terawatt-orë (TWh).

Drejtori i WindEurope, Giles Dickson, tha se kjo analizë, është në fakt një gjë shumë inkurajuese për zgjerimin e mëtejshëm të energjisë nga era në Evropë.

“Ka kohë që themi se më shumë energji nga era, ka rëndësi ekonomike sepse është forma me kosto më të ulët për sa i përket krijimit të energjisë. Është e mrekullueshme që IEA tani e ka kuptuar se era do të jetë burimi i parë i energjisë elektrike në Evropë në më pak se 10 vjet”, tha Dikson.

Ai thotë se kjo nënkupton centrale të reja nga era dhe modernizim të kapaciteteve ekzistuese të cilat do të sjellin vende të reja pune.

Megjithatë, thotë Dickson, energjia elektrike përfshin vetëm 24 për qind të energjisë së nevojshme në Evropë, prandaj apeloi për politika më të mira të cilat do të inkurajojnë investimet në burime të rinovueshme.

WindEurope, më parë Asociacioni Evropian për Energji nga Era (EWEA), është një organizatë me seli në Bruksel, dhe promovon përdorimin e energjisë nga era në Evropë. aa

Juncker: “BE bisedime në çdo nivel me SHBA-të për mosmarrëveshjet tregtare”

BERLIN – Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, ka theksuar se BE po kryen bisedime në të gjitha nivelet për të shmangur një luftë tregtare me SHBA-të. Ai tha se do të takohet sërish me presidentin amerikan, Donald Trump, në samitin e liderëve të vendeve G20 që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Argjentinë.

Në fjalimin e hapjes së samitit të 12-të të ekonomisë të zhvilluar në Berlin të Gjermanisë nga gazeta Süddeutsche Zeitung, Juncker ka njoftuar se BE-ja po zhvillon bisedime në të gjitha nivelet për të shmangur thellimin e problemeve të përjetuara në tregti me SHBA-të.

Juncker ka rikujtuar se në fillim të muajit korrik të këtij viti ka kryer një bisedë të gjatë me presidentin amerikan, Donald Trump, në lidhe me çështjen e mosmarrëveshjeve tregtare. Ai është shprehur se “Me zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po kryejmë bisedime në çdo nivel. Me Trumpin do të takohem sërish në samitin e liderëve të vendeve G20 që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Argjentinë”.

Pasi ka vënë në dukje se BE-ja ka nevojë për marrëveshje të tregtisë së lirë, Juncker, njoftoi se Bashkimi Evropian ka rreth 60 marrëveshje tregtare dhe se së shpejti do të nënshkruajnë një marrëveshje tregtare edhe me Vietnamin dhe Meksikën. “Këto marrëveshje të tregtisë së lirë automatikisht formojnë 40 milionë punësime”, tha Juncker.

“Edhe Kina dëshiron të bëjë marrëveshje tregtare me Evropën”

Jean-Claude Juncker, ka bërë të ditur se në 10 vitet e ardhshme do të ulet pjesa që Evropa do të marrë nga tregtia botërore dhe ka shtuar se edhe Kina dëshiron të bëjë me marrëveshje tregtare me Evropën.

Ndërsa në lidhje me përparimin e marrëdhënieve të Evropës me Rusinë, Juncker tha se pavarësisht të gjitha kritikave dhe problemeve me Rusinë duhet të formohet dialog.

Në fjalën e tij duke shtuar se në Berlin nuk ka ardhur për të bërë propagandën e BE-së, Juncker tha se BE-ja ka një histori suksesi dhe se nuk duhet të bëhen ankesa nga kjo situatë. “Në Evropë ka pak arsye për ankesa. Evropa vazhdon të jetë vendi më i bukur i botës dhe përveç evropianëve të gjithë e dinë këtë”, tha ai.

Pasi rikujtoi se në vitin 2014, ka marrë pozitën e presidentit të Komisionit Evropian, ai shtoi se çdo çështje nuk mund të zgjidhet vetëm nga Brukseli dhe deri më tani kanë reduktuar burokracinë në BE.

Evropa duhet të ndryshojë rregullat e veta të brendshme për të qenë më efektive në politikën botërore, tha Juncker.

Trump dhe Juncker, të cilët u takuan në Shtëpinë e Bardhë në muajin korrik, njoftuan se ata ranë dakord mbi një sërë masash për të shmangur një luftë tregtare. aa

“Ju jeni zonja Macron”, e moshuara ngatërron Angela Merkelin me Brigitten (video)

Gjatë festimeve në Paris për 100 vjetorin e paqes pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, presidenti i Francës Emmanuel Macron ka zhvilluar takime edhe me qytetarët.

Pikërisht, Macron ka takuar një grua 100-vjeçare e lindur në të njëjtin vit kur kishte mbaruar Lufta e Parë.

E emocionuar për takimin, ajo shprehet: “Kjo është fantastike. Është fantastike që t’i jap dorën presidentit të Republikës”.

Ndërkohë, teksa do shkrepej foto zyrtare, ajo duke dashur të kuptojë se me kë ishte afër e pyet kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel nëse ajo ishte zonja Brigitte Macron.

“Ju jeni zonja Macron”, i drejtohet 100-vjeçarja franceze Merkelit.

Me shumë mirësjellje, Angela Merkel i tregon se është kancelarja e Gjermanisë, e madje duke ia përsëritur disa herë në vesh këtë gjë.

Separatistët në Ukrainë mbajnë zgjedhje

Rajoni Donetsk

Separatistë e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës po mbajnë zgjedhje, të cilat po konsiderohen nga Kievi dhe Perëndimi si “të paligjshme”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se zgjedhjet e sotme të mbajtura në zonat e kontrolluara nga separatistët në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut do të pengojnë edhe më tej përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit që ka vrarë më shumë se 10,300 persona, që prej prillit të vitit 2014. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko tha se zgjedhjet “paraqesin edhe një shembull tjetër të aktivitetit subversiv rus”.

Moska mohon se zgjedhjet paraqesin shkelje të marrëveshjeve të Minskut, që kanë për qëllim dhënien fund të dhunës.

Kreu i rajonit të Donetskut, Denis Pushilin, 37-vjeç, pritet që të fitojë në zgjedhjet atje.Ndërkaq, në Luhansk, kreu aktual i këtij rajoni, Leonid Pasechnik, po ashtu pritet të fitojë

Që të dy, si Pushilin dhe Pasechnik kanë premtuar se do të kërkojnë lidhje më të ngushta me Moskën.

Francë, takim mes presidentit Trump dhe Macron

Presidenti amerikan dhe homologu i tij francez diskutuan pikëpamjet e tyre të ndryshme lidhur me sigurinë evropiane sot ndërsa presidenti Trump kritikoi Macron-in nëpërmjet një postimi në Twitter, menjëherë sapo mbërriti dje në Francë.

US President Donald Trump (L) is welcomed by French President Emmanuel Macron as he arrives for bilateral talks at the Elysee Palace in Paris

US President Donald Trump (L) is welcomed by French President Emmanuel Macron as he arrives for bilateral talks at the Elysee Palace in Paris

Ndërsa filluan takimin e tyre në Pallatin Elysee, presidenti amerikan bëri thirrje përsëri për ndarjen e barrës së kostos për mbrojtjen e Evropës.

“Po merremi vesh nga këndvështrimi i drejtësisë dhe dua të jem i drejtë, ne duam ta ndihmojmë Evropën, por në mënyrë të drejtë. Tani për tani barra ka qenë kryesisht mbi supet e Shteteve të Bashkuara. Macron e kupton se angazhimi i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë i kufizuar” tha presidenti Trump.

Emmanuel Macron u përgjigj se Evropa ka nevojë për një mbrojtje më të fortë dhe vetë-mbështetëse.

“Është e padrejtë që siguria evropiane të sigurohet sot vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe ne kemi nevojë për një ndarje shumë më të mirë të barrës. Prandaj besoj se ne kemi nevojë për më shumë kapacitete evropiane, më shumë mbrojtje evropiane për ta ndarë barrën. Kur presidentit Trump i duhet të mbrojë një nga shtetet amerikane, ai nuk i kërkon Francës, Gjermanisë apo një qeverie tjetër të Evropës për ta financuar atë”.

APTOPIX France WWI Centennial

APTOPIX France WWI Centennial

Të dy udhëheqësit, të paktën ndërsa gazetarët ishin në dhomë, iu shmangën kritikave të njëri-tjetrit.

Megjithatë, ndërsa avioni presidencial amerikan Air Force One u ul në aeroportin Orly të premten, Trump pati një mesazh për presidentin francez, duke e quajtur thirrjen e Macron-it për një ushtri evropiane “shumë fyese”.

Në një postim në Twitter, Trump sugjeroi që Evropa së pari duhet të paguajë “pjesën e saj të barrës” ndaj NATO-s para se të mendojë për një forcë mbarë-evropiane.

Gjermani, e preferuara e Angela Merkelit përballë një konservatori

Nën kujdestarinë e Kancelares gjermane, Annegret Kramp-Karrenbauer po përpiqet të dalë nga hija e mentores së saj dhe të humbasë nofkën që i ka mbetur, “mini-Merkel”. Ajo thotë se kërkon t’u rikthejë votuesve ndjesinë se ata i përkasin një atdheu gjerman.

“Një epokë ka mbërritur në fundin e saj. Duhet të gjejmë mënyrën për t’i bërë njerëzit të ndihen në shtëpinë e tyre”, u shpreh këtë javë zonja Kramp-Karrenbauer ndërsa bëri njoftimin se do të kandidojë për të zëvendësuar zonjën Angela Merkel në postin e kryetares së Partisë Kristian Demokrate në pushtet (CDU).

Zonja Merkel njoftoi javën e kaluar se do të largohej nga posti i kryetares së partisë në muajin dhjetor, duke i dhënë fund kështu një periudhe prej dy dekadash, gjatë së cilës ajo e zhvendosi partinë më të fuqishme gjermane nga e djathta drejt qendrës së spektrit politik. Vendimi i saj erdhi pas dy zgjedhjeve lokale në të cilat CDU-ja dhe aleatët e saj të qendrës, së bashku me social-demokratët me prirje të majta, pësuan humbjet më të mëdha elektorale të dekadave të fundit, duke ua lënë terrenin të gjelbërve dhe partisë populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Komentet e zonjës Kramp-Karrenbauer u bënë ndërsa po bëhej i ditur një anketim që sugjeron se shumica e gjermanëve ndjehen si të huaj në vendin e tyre, kryesisht për shkak të emigracionit. Sipas studimit të kryer nga Universiteti i Leipzigut, një nga tre gjermanë mendon se vendi është “pushtuar nga të huajt në përmasa të rrezikshme”.

Fluksi i 1.6 milionë refugjatëve dhe emigrantëve që nga viti 2014 shikohet si një faktor dëmtues për mandatin e katërt në detyrë të zonjës Merkel. Ajo planifikon të vazhdojë deri në vitin 2021, kur përfundon mandati i Kancelares, por po shtohen dyshimet nëse ajo do të mundet të qëndrojë deri atëherë. Shumë vëzhgues nuk mendojnë se koalicioni i saj qeveritar do t’i mbetojë shenjave në rritje se social-demokratët mund të dalin vitin e ardhshëm nga koalicioni i dobësuar qeveritar.

FILE - German Chancellor and chairwoman of the German Christian Democratic Union (CDU), Angela Merkel, right, and Annegret Kramp-Karrenbauer, left, secretary general of the CDU, talk at meeting in Berlin, Germany, Nov. 4, 2018.

FILE – German Chancellor and chairwoman of the German Christian Democratic Union (CDU), Angela Merkel, right, and Annegret Kramp-Karrenbauer, left, secretary general of the CDU, talk at meeting in Berlin, Germany, Nov. 4, 2018.

Një anketim i botuar këtë javë nga gazeta “Bild” pasqyron një padurim në rritje me vendimin e zonjës Merkel për të qëndruar në postin e Kancelares, me 62% të të pyeturve që janë shprehur se ajo duhet t’i hapë rrugën një pasardhësi dhe të largohet deri në fund të këtij viti.

Zonja Kramp-Karrenbauer është përgatitur nga vetë zonja Merkel, e cila e tërhoqi nga detyra e ministres së parë të rajonit Saarland, në kufi me Francën dhe Luksemburgun, për ta bërë sekretare të përgjithshme të CDU-së, pozicion për të cilin pati disa rivalë kryesorë. Një mijë delegatë të CDU-së do të zgjedhin kreun e tyre të ri gjatë një kongresi të partisë muajin e ardhshëm në Hamburg.

Zonja Kramp-Karrenbauer konsiderohet si më liberalja ndër pretendentët dhe më e përshtatshmja për centrizmin e zonjës Merkel. Pranimi i saj i rëndësisë së “ndjesisë së përkatësisë” po shikohet si një afrim me aktivistët më konservatorë të partisë, të cilët kanë qenë të irrituar me marshimin e zonjës Merkel drejt qendrës dhe joshjen e votuesve social demokratë.

Një besimtare e devotshme katolike, zonjës Kramp-Karrenbauer do t’i duhet të flirtojë me të gjitha grupimet e partisë, për të fituar përballë rrezikut të saj më të madh – Friedrich Merz, një politikan ish-biznesmen dhe rival i vjetër i zonjës Merkel.

62-vjeçari Merz braktisi politikën aktive në vitin 2009, për të ndjekur një karrierë joshëse në biznes dhe financë, pasi humbi përballë zonjës Merkel. Ai ka qenë i preferuari i konservatorëve, të cilët e mbajnë mend për argumentat se emigrantët duhet të asimilohen dhe të adoptojnë kulturën gjermane. Ai perceptohet si i paparashikueshëm dhe është quajtur nga shtypi gjerman “një çorientues konservator”.

FILE - German conservative Friedrich Merz arrives for a news conference about his candidacy to succeed Chancellor Angela Merkel as leader of the Christian Democrats, in Berlin, Germany, Oct. 31, 2018.

FILE – German conservative Friedrich Merz arrives for a news conference about his candidacy to succeed Chancellor Angela Merkel as leader of the Christian Democrats, in Berlin, Germany, Oct. 31, 2018.

Megjithë natyrën e tij luftarake, zoti Merz pati refuzuar për vite me radhë idenë e një rikthimi në ballin e politikës. Njoftimi i tij javën e kaluar se do të kandidojë për kreun e partisë, ishte i papritur për zonjën Merkel, siç pranojnë ndihmësit e saj. Kjo lëvizje ka ndryshuar tashmë edhe garën me rezultat të parashikueshëm që do të zhvillohej mes pretendentes kryesore, zonjës Kramp-Karrenbauer, dhe ministrit të shëndetësisë Jens Spahn, i cili nuk shikohet si një pretendent real.

Sipas gazetës së biznesit “Handelsblatt”, zoti Merz do ta ndryshonte CDU-në, duke e shndërruar “në partinë e shtetit ligjor, në vend të fotografive selfie me azilkërkues – në partinë e besimtarëve që shkojnë rregullisht në kishë, në partinë e afaristëve, dhe mbi të gjitha, në partinë e burrave”. Shumica e komentuesve gjermanë pranojnë se nëse zgjidhet zoti Merz, do të jetë e pamundur për zonjën Merkel të qëndrojë në detyrën e Kancelares deri në përfundim të mandatit.

Zoti Merz ka avantazhin e fillimit më herët të garës për zëvendësimin e zonjës Merkel, por ai ka zhgënjyer një pjesë të së djathtës duke lavdëruar planet për reformimin e Bashkimit Evropian, të mbështetura nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për një integrim të mëtejshëm të BE-së. Zoti Merz gjithashtu është shprehur se Gjermania duhet të bëjë më shumë për të mbajtur BE-në të bashkuar.

“Duhet t’u themi njerëzve në këtë vend se gjermanët duhet të kontribuojnë më shumë se të tjerët për suksesin e Bashkimit Evropian”, u shpreh zoti Merz gjatë një aktiviteti javën e kaluar. “Duhet të bëjmë më shumë se ç’po bëjmë aktualisht, pasi nëse Evropa dështon – dhe ky është një opsion i qartë; askush nuk mundet ta mohojë; Evropa gjendet në buzë të humbëtirës në këtë moment – nëse Evropa dështon, gjermanët do të jenë ata që do të vuajnë më së shumti”, tha ai.

BE i kërkon Qeverisë së Kosovës t’i heqë detyrimet doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjës

Bashkimi Evropian pret nga autoritetet në Kosovë që të ndërmarrin hapa drejt vazhdimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Kështu deklaruan për Radion Evropa e Lirë zyrtarët në Bruksel, pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk do të takohet me homologun kosovar, Hashim Thaçi, derisa të jetë në fuqi taksa që u ka vënë Kosova importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kjo thuhet të ketë qenë edhe tema kryesore e takimit të dy presidentëve, të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq, tha se masa që ka ndërmarrë Kosova ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës minon bashkëpunimin rajonal dhe “nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”.

“E kemi bërë të qartë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është shkelje e detyrimeve të Kosovës që dalin nga CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë midis vendeve të Evropës Qendrore). Ne qartë presim që Kosova ta tërheqë këtë masë”, tha Kocijançiq.

Të martën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kjo masë nënkupton taksën prej 10% në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja.

Ushtaraku austriak dyshohet se spiunoi për Rusinë për 20 vjet

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz.

Autoritetet austriake morën në pyetje një oficer të pensionuar ushtarak, nën dyshimet se ka spiunuar për Rusinë për gati 20 vjet, bëri të ditur kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz.

Ai po ashtu tha se ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, ka thirrur në bisedë informative të ngarkuarin rus me punë, në lidhje me çështjen, dhe se ka anuluar një udhëtim në Rusi, të paraparë për 2 dhe 3 dhjetor.

“Kërkojmë informacione transparente nga Rusia”, tha Kurz në një konferencë për gazetarë në Vjenë.

“Nëse dyshimet konfirmohen, rastet e tilla, pavarësisht nëse ndodhin në Holandë apo në Austri, nuk i përmirësojnë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian”, tha Kurz.

Ai iu referua dëbimit të katër agjentëve rusë nga Holanda në muajin prill, nën dyshimet se kanë planifikuar sulm kibernetik kundër Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë.

“Spiunimi rus në Evropë është i papranueshëm dhe dënohet”, tha Kurz.

Në përgjigje, Ministria e Jashtme e Rusisë thirri në bisedë informative ambasadorin e Austrisë për të kërkuar shpjegim në lidhje me akuzat, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Gjermania e përkujton Natën e Kristaltë

Gjermania do të kujtojë të premten viktimat e masakrës naziste, e cila ka qenë pikënisje e Rajhut të Tretë për shfarosjen e hebrejve, në kohën kur anti-semitizmi po rritet në Perëndim.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i këtij shteti, Frank-Walter Steinmeier do t’iu bashkohen liderëve hebrenj në sinagogën më të madhe në Gjermani për të përkujtur 80 vjetorin e asaj që njihet si “Nata e Kristaltë” apo Nata e Thyerjes së Xhamave.

Steinmeier do të mbajë një fjalim në Parlamentin gjerman, për të shënuar një nga ditët më të errëta të Gjermanisë, mirëpo edhe për të kujtuar dy ngjarje tjera që kanë ndodhur më 9 nëntor, përfundimin e qeverisjes perandorake më 1918 dhe rënien e Murit të Berlinit më 1989.

Megjithatë dita më e rëndë në mesin e këtyre tri datave është ajo e vitit 1938, kur nazistët kanë vrarë të paktën 90 hebrej, kanë djegur 1,400 sinagoga në Gjermani dhe Austri, si dhe kanë shkatërruar dyqanet dhe bizneset e zotëruara nga hebrenjtë.

Fotogaleri për përvjetorin e 75-të të “Natës së Kristaltë”

Masat e koordinuara janë arsyetuar me të shënat fatale të 7 nëntorit 1938, ndaj një diplomati gjerman në Paris nga një student hebre nga Polonia.

Në atë që është cilësuar si hakmarrje, nazistët kanë dëbuar të paktën 30,000 hebrej në kampe të përqendrimit.

Përveç kësaj, ata kanë detyruar hebrenjtë të pagujanë “kompensim” për dëmet e shkatuara në prona.

Fushata brutale ka arritur në pikën që persekutimet lokale të hebrejve atë kohë janë bërë sistematike dhe kanë kulmuar me Holokauest që ka rezultuar me gjashtë milionë persona të vdekur.

“Neo-nazistët e inkurajuar’

Në vjetët e fundit në gjithë Gjermaninë më 9 nëntor, shumë persona ulen në gjunjë për të lustruar pllakat e veçanta në tokë, në të cilat gjenden emrat e viktimave përpara shtëpive të tyre.

Mirëpo vitin e kaluar në Berlin, 16 pllaka janë nxjerrë nga sheshet dhe janë vjedhur pak para përvjetorit të Natës së Kristaltë, si shenjë e ringjalljes së anti-semitizmit.

Në 80 vjetorin e Natës së Kristaltë, të njohur në Gjermani edhe si Reichspogromnacht, militantët e të djathtës ekstreme kanë planifikuar mbajtjen e protestave në Berlin, duke detyruar autoritetet të ndalojnë një gjë të tillë.

“Ideja që ekstremistët e të djathtës ekstreme të marshojnë në distrikte qeveritare në errësirë me qirinj është e pabesueshme”, ka thënë ministri i Brendshëm i Berlinit, Andreas Geisel.

“Ne nuk duhet të tolerojmë hapjen e ekstremizmit të së djathtës ekstreme me arsyetimin e lirisë së shprehjes”.

Presidenti i Kongresit Botëror të Hebrenjëve, Ronald Lauder, ka vënë në pah përkeqësimin e situatës në Perëndim.

“Do të ishte e pamundshme që të shënojmë këtë ngjarje në historinë e hebrenjeve pa theksuar klimën e frikshme të anti-semitizimit dhe ksenofobisë në rritje në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve, AFP.

“E djathta ekstreme është duke fituar fuqi me një shpejtësi alarmante dhe neo-nazistët janë duke u ndjerë të inkurajuar për të marshuar në rrugë duke bërtitur me gjuhë të urrjetjes dhe duke mbrojtur linjat më të rrezikshme të nacionalizmit dhe urrejtjes”.

“Detyra jonë”

Në Gjermani, partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, është aktualisht partia me e madhë opozitare në parlament, pavarësisht pse anëtarët kyçë të saj kanë sfiduar kulturën shtetërore të kompensimeve të bëra për Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin.

Rreth Atlantikut, Shtetet e Bashkuara janë përballur me sulmin më të rëndë anti-semitik muajin e kaluar, pasi si pasojë e një sulmi kanë vdekur 11 persona në një sinagogë në Pitsburg.

Sulmuesi i dyshuar i sinagogës në SHBA ngarkohet me 44 akuza

Komisioneri gjerman për luftimin e anti-semitizmit, Felix Klein, ka pranuar se “diskursi në shoqëri është duke u ashpërsuar”, mirëpo ka theksuar se demokracia jonë sot është stabile dhe e fuqishmë. Është plotësisht ndryshe nga situata e vitit 1938 në Republikën e Weimarit”.

Megjithatë ai ka shtuar se “në të njëjtën kohë, këto vlera duhet të vendosen në krye dhe të mbrohen”.

Lauder po ashtu ka kërkuar nga popullsia që të jetë e kujdesshme.

“Në nëntor të vitit 2018 nuk jemi duke u përballur me humnerën e një tjetër Nate të Kristaltë, ka thënë ai, “mirëpo është detyra jonë të parandalojmë që mizori të tilla të mos ndodhin asnjëherë”.

Polonia nënshkruan kontratë afatgjate për furnizim me gaz nga SHBA

VARSHAVË  – Kompania kryesore për gaz e Polonisë ka nënshkruar kontratë afatgjatë për furnizim me gaz natyral të lëngshëm nga SHBA-të në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të reduktuar varësinë nga Rusia.

Kompania shtetërore PGNiG nënshkroi marrëveshje 24-vjeçare me furnizuesin amerikan Cheniere të enjten në Varshavë, në prani të Sekretarit amerikan të Energjisë, Rick Perry dhe presidentit polak Andrzej Duda.

Vlera e marrëveshjes nuk bëhet e ditur, në përputhje me fshehtësitë e marrëveshjeve të tilla të ndjeshme të energjisë.

Megjithatë, Piotr Wozniak, kryetar i Bordit drejtues të PGNiG, tha se çmimi është 20-30 për qind më i ulët se ajo që Polonia paguante furnizuesin e saj të deritanishëm “nga Lindja”, duke iu referuar Rusisë.

Udhëheqësi i partisë polake në pushtet, Jaroslaw Kaczynski tha se ishte “i lumtur që marrëveshja do të rrisë sigurinë energjetike të Polonisë”. aa

Gjashtë persona ndalohen për komplotin rreth vrasjes së Macronit

Zyrtarët kanë njoftuar se gjashtë persona janë arrestuar në Francë nën dyshimet për kryerje të një sulmi “të dhunshëm” kundër presidentit francez, Emmanuel Macron.

Individët, që është raportuar të jenë pesë burra dhe një grua janë zënë nga shërbimet franceze të sigurisë në verilindje dhe juglindje të Francës.

Burimet gjyqësore kanë thënë se një hetim është duke ndodhur aktualisht meqë duket se ka lidhje “terroriste kriminale”.

Detajet e të dyshuarve dhe komploti i supozuar ende nuk janë bërë të ditura.

Të dyshuarit është raportuar të kenë qenë nën vëzhgim nga Agjencia për Siguri të Brendshme.

Ky lajm vjen pasi Macron është duke realizuar vizita në veri të Francës, teksa afrohet shënimi i përvjetorit të 100-të i përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Vitin e kaluar, një 23 vjeçar është akuzuar për organizim të komplotit për vrasje të Macronit në paradën e 14 korrikut për ceremoninë e shënimit të Ditës Bastille.

IOM: Në Mesdhe këtë vit rreth 2 000 emigrantë të vdekur

GJENEVË – Që nga fillimi i vitit më shumë se 100.000 emigrantë kanë arritur në Evropë përmes Mesdheut, ndërsa rreth 2.000 të tjerë kanë humbur jetën në këtë rrugë, tregojnë të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracion (IOM).

Zëdhënësi i IOM-it, Joel Millman, deklaroi në Gjenevë se në vitin 2018 rreth 50.000 emigrantë arritën deri në Spanjë, 27.000 në Greqi, ndërsa 22.000 në Itali.

Sipas tij, këtë vit në territorin e Evropës arritën 155.000 emigrantë nga pjesë të ndryshme të botës. Millman theksoi se në këtë rrugë kanë humbur jetën 1.989 persona.

Ai rikujtoi se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në Evropë arritën 155.000 emigrantë, ndërsa në ujërat e Mesdheut kanë humbur jetën 2.960 persona.

Zëdhënësi i UNHCR-së, Charlie Yaxley, rikujtoi se këtë javë janë gjetur 13 emigrantë të cilët tentuan me varka përmes Detit Mesdhe nga Afrika Veriore të mbërrijnë në Spanjë.

Ai porositi se Deti Mesdhe vitet e fundit është bërë deti më vdekjeprurës për emigrantët që tentojnë të arrijnë në Evropë.

Presidenti francez thirrje për krijimin e ushtrisë evropiane

PARIS – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për krijimin e ushtrisë evropiane, e cila do t’i sigurojë evropianët.

“Nuk do t’i mbrojmë evropianët nëse nuk vendosim të krijojmë ushtri evropiane”, tha Macron në intervistën për radio Europe 1.

Duke theksuar se Evropës i nevojitet ushtri e cila “nuk do të varet nga SHBA-të”, Macron tha se Evropa doemos të mbrohet veçmas nga Rusia dhe SHBA-të.

Duke iu referuar publikimit të presidentit amerikan, Donald Trump, të tërhiqet nga marrëveshja për armatim nga periudha e Luftës së Ftohtë, Macron tha se ky vendim drejtpërdrejt kërcënon sigurinë e Evropës.

Macron u përqendrua edhe në ekstremizmin e djathtë në rritje në Evropë, duke thenë se është me rëndësi të luftohet kundër tij.

“Ata luajnë në kartën e frikës nga të tjerët, dëshirojnë të mbyllin kufijtë. Vetëm për shkak se ata janë të zgjedhur, kjo nuk do të thotë që nuk mund t’i luftoj idetë e tyre”, theksoi Macron.

Presidenti francez rikujtoi se Bashkimi Evropian (BE) është projekti i vetëm i paqes dhe prosperitetit në historinë e botës.

“Paqen dhe prosperitetin në të cilin Evropa gëzon 70 vite janë çastet e arta të historisë sonë”, konsideron Macron. aa

Gjermani, ish-shefi i spiunazhit shkarkohet për shkak të komenteve kontradiktore

BERLIN – Ish-shefi i spiunazhit të Gjermanisë është dërguar në pension të parakohshëm pas komenteve të tij kontradiktore mbi qeverinë e koalicionit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, në një konferencë për media në Berlin tha se kritikat e Hans-Georg Maassen mbi politikën e koalicionit për emigracionin dhe komentet e tij mbi partnerin e koalicionit të Social Demokratëve (SPD) janë “të papranueshme”.

Sipas mediave lokale, në një takim të fundit me dyer të mbyllura të shefave të inteligjencës evropiane, Maassen kritikoi politikën e emigrimit të qeverisë si “naive” dhe disa politikanë të SPD-së i përshkroi si “forca radikale të krahut të majtë”.

Maassen, i cili kishte udhëhequr për gjashtë vjet agjencinë gjermane të inteligjencës BfV, është një figurë e diskutueshme.

Në muajin shtator, qeveria vendosi ta transferojë atë nga drejtues i BfV-së në një post të lartë në Ministrinë e Brendshme, pasi ai kritikoi publikisht anëtarët e qeverisë për komentet e tyre mbi dhunën kundër emigrantëve në Gjermaninë lindore.

Ai po ashtu ishte nën zjarr nga Social-Demokratët për kontaktet e tij të dyshuara me politikanë të lartë nga ekstremi i djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila hedh poshtë një platformë anti-emigracion dhe anti-islame. aa

Hebrejtë gjermanë propozojnë orë antisemitizmi për emigrantët myslimanë

Gjermani

Organizata më e madhe hebraike e Gjermanisë kërkoi orë të veçanta për emigrantët myslimanë që do të ndihmonin në ndalimin e përhapjes së antisemitizmit.

Nënpresidenti i saj, Abraham Lehrer, tha se shumë emigrantë kanë ardhur nga vende ku “antisemitizmi është pjesë e arsyetimit të shtetit”.

Ai tha se orët e integrimit duhet të “përshtaten” me vendin e origjinës.

Gjermania ka parë një rritje të madhe të numrit të azilkërkuesve që nga viti 2015, shumë prej të cilëve vijnë nga vendet me shumicë myslimane.

Ky vend po lufton me një valë antisemitizmi, që pjesërisht i atribuohet retorikës së partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.

Qindra incidente antisemite u raportuan në Gjermani vitin e kaluar, pjesa më e madhe e të cilave u kryen nga grupe neonaziste apo grupe të tjera të ekstremit të djathtë.

Lehrer, nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani, tha se antisemitizmi midis emigrantëve është një problem që “qëndron përpara nesh”, derisa emigrantët po vendosen përgjithmonë në vend.

Sicili, në një shtëpi të përmbytur gjenden trupat e 9 viktimave

ROMË – Të paktën 9 persona e kanë humbur jetën në ishullin italian të Sicilisë.

Autoritetet lokale mëngjesin e sotëm njoftuan se ekipet e shpëtimit kanë gjetur trupat e nëntë të vdekurve në një shtëpi në Casteldacca, pranë Palermos.

Ekipet zjarrfikëse konfirmuan lajmin duke sqaruar së bëhet fjalë për prindërit dhe fëmijët e dy familjeve.

Sot në mëngjes është gjetur trupi i një viktime tjetër në qendër të qytetit Vicari.

Italia për disa ditë me radhë është duke u ballafaquar me stuhi dhe erëra të fuqishme, reshje të dendura dhe përmbytje, në të cilat javën e kaluar jetën e kanë humbur të paktën 15 persona.

Ligji i ri për emigrim në Gjermani rrezikon numrin e popullsisë në Ballkan

SARAJEVË – Ligji i ri për emigrim, të cilin Gjermania planifikon ta nxjerrë me qëllim për të mbuluar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, mund të shkaktojë humbje serioze për popullsinë e vendeve të Ballkanit si në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.

Ky ligj për emigrim të cilin qytetarët e Ballkanit e shohin si një shpresë, mund të shkaktojë “ikjen e trurit” dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ligji i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2019 dhe që do të lehtësojë punësimin e njerëzve nga shtetet e Ballkanit, po pritet me padurim nga popujt e rajonit ndërkaq një pjesë e madhe nuk është ende në dijeni për rrezikun që mund të ndodhë.

Në një deklaratë nga Ambasada e Gjermanisë në Sarajevë, thuhet se ky ligj ende ndodhet në fazën e përgatitjes dhe se ende është herët për t’i vlerësuar detajet e tij.

“Bosnjë e Hercegovina do të hyjë në rrezik”

Drejtoresha e Unionit të Integrimit në Bosnjë e Hercegovinë, Mirhunisa Zukiç në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se me hyrjen në fuqi të ligjit për emigracion, BeH do të hyjë në një rrezik të madh. “Do të humbim një numër të madh të njerëzve tanë me profesione të shumta duke filluar nga inxhinieria. Në 5 vitet e fundit rreth 170 mijë persona u larguan nga BeH”, tha ajo.

Zukiç thotë se edhe ata të cilët janë kthyer në shtetet e tyre pas luftës në BeH (1992-1995), me këtë ligj të ri do të shkojnë përsëri në shtetet e BE-së, duke filluar nga Gjermania.

Sipas saj, njerëzit në BeH janë të dëshpëruar për shkak të strukturës komplekse politike dhe mos mbajtjes së premtimeve të dhëna. Zukiç tha se për parandalimin e emigracionit duhet t’i kushtohet rëndësi dhe të dëgjohen problemet, e sidomos të të rinjve.

Nga Serbia emigrojnë më së shumti punonjësit e shëndetësisë

Një nga vendet e rajonit që po ballafaqohet me probleme të emigracionit në shtete të BE-së është Serbia.

Sipas informacioneve të marra nga Instituti për Punë të Serbisë thuhet se njerëzit nga fusha e shëndetësisë përbëjnë grupin kryesor të cilët emigrojnë nga vendi ndërsa pas punonjësve të shëndetësisë vijnë shoferët e kamionëve.

Gjatë vitit 2018, 144 persona kanë emigruar dhe janë vendosur në Gjermani ndërsa në qytete të ndryshme të Serbisë, duke filluar nga Beogradi janë organizuar punëtoritë me tema “Jeta dhe Puna në Gjermani”.

Miljana Pejiç nga një shoqatë rinore tha se nga Serbia sidomos mjekët dhe infermierët janë të gatshëm që të emigrojnë në Gjermani, duke shtuar se me hyrjen në fuqi të këtij ligji këta persona do të largohen nga Serbia.

Poashtu edhe Tatjana Miliçeviç e cila po përgatitet të emigrojë në Gjermani tha se i vazhdon studimet master në fushën e teknologjisë dhe se në të njëjtën kohë mëson gjuhën gjermane.

“Kushtet në Gjermani janë shumë të mira. Atyre u duhen ekspertë të fushave të ndryshme. Në të kundërtën me Serbinë, ata respektojnë njerëzit të cilët e zhvillojnë veten”, tha ajo.

Nga Kosova dhe Mali i Zi emigrojnë të rinjtë

Edhe në Mal të Zi i cili është shteti më i vogël në Ballkan për nga numri i banorëve, emigrimi në Gjermani është çështje aktuale.

Në një deklaratë nga Ambasada e Gjermanisë në Podgoricë thuhet se në vitin 2017, 876 persona kanë emigruar nga Mali i Zi në Gjermani. Kjo ambasadë njofton se në aplikimet për punë sidomos janë fushat si ndërtimtaria, gastronomia dhe kujdesi për të moshuar.

Një nga anëtarët e shoqatës së quajtur “Euromost” (Ura e Evropës) në Mal të Zi, Almer Mekiç thotë se gjatë 3 viteve të fundit rreth 7.000 persona kanë emigruar në shtetet e Evropës, duke bërë të ditur se shumica e emigrantëve janë me diploma universitare.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë për vitin 2017, 5.000 mijë shtetas kosovarë kanë emigruar në Gjermani.

Antigona Ferrataj e cila dëshiron të punojë si infermiere në Gjermani tha se nuk ka arritur që të gjejë punë në Kosovë. “Më kanë humbur plotësisht shpresat për të patur sukses në Kosovë. Më ka mbetur edhe një vit për t’i përfunduar studimet. Do të shkoj në Gjermani për të ardhmen e fëmijëve të mi”, tha ajo.

Gjendja është kritike edhe në Kroaci

Gjithashtu edhe Kroacia, e cila është anëtare e BE-së, është një nga vendet që po ballafaqohet vazhdimisht me emigrimin. Që nga viti 2013 kur është anëtarësuar në BE, rreth 300 mijë persona kanë emigruar në vendet e BE-së.

Autori i librit “Emigrimi i kroatëve në Gjermani: A po e humbim Kroacinë”, Tado Juriç tha se kroatët nuk emigrojnë për shkak të varfërisë, por për shkak të asaj se e ndjejnë veten “të panevojshëm” në vendin e tyre. Ai shtoi se kroatët janë shumë të kënaqur me kushtet jetësore në Gjermani.

Demografi Stjepan Sterc vuri në dukje se në Gjermani jetojnë 800 mijë kroatë. Ai theksoi se Gjermania çdo vit humb 90 mijë punëtorë dhe se në këtë aspekt shihet si një destinacion i rëndësishëm për emigrim nga njerëzit e rajonit.

Vjeshta në Bruksel, parqe me ngjyra të arta

BRUKSEL – Bukuria e vjeshtës është e dukshme çdo hap në shumicën e qyteteve evropianë. Vjeshta dhe ngjyrat e bukura të arta në të verdhë që vijnë me këtë stinë kanë mbuluar gjithashtu edhe kryeqytetin belg Bruksel.

Shumë qytetarë këtyre ditëve kanë vendosur të shëtisin në parqet e Brukselit dhe shëtitoret përreth.

Fotoreporteri i AA-së përmes objektivit të tij bashkoi të gjitha bukuritë e vjeshtës, si dhe shumë shëtitës që gëzojnë bukuritë e kësaj periudhe të vitit në kryeqytetin belg.

Gjermania thyen rekordin për numrin e të punësuarve

BERLIN – Punësimi total në Gjermani në muajin shtator të këtij viti është rritur në 45 milionë persona. Kështu që pas bashkimit të Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore në vitin 1990, për herë të parë është arritur në shifrën prej 45 milionë të punësuarve me ç’rast është thyer rekord.

Sipas të dhënave të përkohshme të Zyrës Federale Statistikore të Gjermanisë (Destatis), punësimi i rregulluar sezonalisht në vend në muajin shtator të këtij viti, në krahasim me muajin gusht të të njëjtit vit është rritur për 0,5 për qind. Numri i personave që janë punësuar në shtator është rritur për 216 mijë persona ndërsa numri total është 45 milionë e 12 mijë.

Ndërkohë sipas vlerësimeve të përkohshme të bazuara në anketat e fuqisë punëtore, në muajin shtator janë regjistruar 1,43 milionë të papunë, që në krahasim me një muaj më parë është zvogëluar për 44 mijë (2,7 për qind). Ndërsa shkalla e papunësisë në vend është 3,4 për qind.

Ekspertët theksojnë se bashkimi i arsimit profesional, arsimit teorik dhe atij praktik kanë një ndikim të madh mbi nivelin e vogël të papunësisë, sidomos tek të rinjtë. aa

Itali, vazhdon situata e emergjencës

Italia vazhdon të jetë në një situatë emergjence që ka goditur pothuaj gjysmën e vendit, pasojë e një moti të keq dhe me erëra e shira të furishëm. Sot autoritetet konfirmuan viktimën e 10- të. Megjithëse të martën fuqia e erërave dhe shiut u zbut disi, vendi vazhdon të vuajë pasojat e përmbytjeve të mëdha, rrëshqitjeve të dheut dhe dëmeve të pallogaritshme.

Autoritetet italiane vazhdojnë përpjekjet për shpëtim ndërsa popullata po vuan pasojat e një vale moti të keq që ka goditur vendin në tre ditët e fundit shoqëruar me erëra e shira të furishëm njoftoi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Lumenj të fryrë, rrëshqitje dheu, vende të izoluara prej ujit e baltës, rajone të tëra të gjunjëzuara, me qindra njerëz të zhvendosur, kështu u gdhi Italia të martën.

Edhe pse fuqia e erërave dhe shiut u zbut disi të martën, situata e emergjencës vazhdon. Të hënën fuqia e erës në disa rajone të vendit arriti deri në 100 kilometra në orë.

Në portin turistik të Rapalos, si pasojë e erërave dhe dallgëve të fuqishme u dëmtuan me dhjetëra jahte si dhe u shkatërruan limanet ankoruese. Shqetësim për autoritetet përbën niveli ujit të disa lumenjve.

Brigada Kombëtare e Zjarrfikësve u është përgjigjur thirrjeve për ndihmë në 7 mijë raste dhe si pasojë një nga punonjësit e saj mbeti i vrarë i goditur nga një pemë, gjatë një operacioni shpëtimi në një qytet të vogël në veri të vendit. Rreth 5,800 zjarrfikës janë angazhuar në terren për të përballuar situatën e emergjencës.

Alarmi portokalli, i dyti më i madh sipas shkallës së matjes së rreziqeve, është lëshuar në rajonet qendrore të Abrucos dhe Lacios, duke përfshirë dhe kryeqytetin e vendit Romën, ku të hënën shpejtësia e erës arriti një forcë të pazakontë mbi 100 kilometrave në orë.

Venecia vazhdon ende të jetë e përmbytur. Qyteti njihet për përmbytjet e vazhdueshme por të hënën uji arriti nivele të jashtëzakonshme. Të martën ministria italiane e Punëve të Brendshme u kërkoi autoriteteve në rajonet e goditura nga stuhia, që përbëjnë rreth gjysmën e vendit, të mbyllin shkollat dhe zyrat e shërbimeve publike.

Ish-infermieri gjerman pranon se ka vrarë 100 pacientë

Një ish-infermier ka pranuar se ka vrarë 100 pacientë gjatë ditës së parë të gjykimit, duke e kthyer këtë person në një nga vrasësit më të mëdhenj serialë të periudhës së pasluftës në Gjermani.

Hetuesit kanë thënë se Niels Högel, 41 vjeçar, u ka dhënë doza fatale të ilaçeve personave për të cilët ka pasur detyrë të përkujdeset në dy spitale në veri të Gjermanisë.

Prokurorët kanë thënë se qëllimi tij ka qenë për t’iu lënë përshtypje kolegëve duke ringjallur pacientët që ka sulmuar.

Högel aktualisht është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjashtë persona të vdekur, që kanë qenë nën përkujdesje të tij.

Ai ka thënë tani se ka vrarë 36 pacientë në Oldenburg dhe 64 të tjerë në spitalin në Delmenhorst në periudhën 1999-2005.

Kur është pyetur nga gjyqtarët në gjykatën në Oldenburg nëse akuzat kundër tij janë të vërteta, 41 vjeçari ka thënë se “pak a shumë” të gjitha nga to.

Gjykimi aktual, i cili ka nisur me një minutë heshtje për viktimat, pritet të zgjasë deri në muajin maj.

Seancat kanë nisur pas kryerjes së testeve toksikologjike për vite të tëra në 130 mostra.

Högel është zënë për herë të parë më 2005 pasi i ka injektuar një pacienti ilaçe të papërshkruara paraprakisht.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e gatshme të heqë dorë nga drejtimi i CDU-së

VOAL – Në Kongresin e ardhshëm të CDU-së të dhjetorit, Kancelarja gjermane Angela Merkel është e gatshme të heqë dorë nga drejtimi i partisë së saj pas humbjeve të rënda zgjedhore në Hessen. Lajmin e dha DPA, mbështetur në burime të partisë së Merkelit.

 

Parlamenti Evropian kërkon ndalimin e grupeve neo-fashiste dhe neo-naziste në BE

VOAL – Parlamenti Evropian bën thirrje për ndalimin e grupeve neo-fashiste dhe neo-naziste në BE. Me një rezolutë jo legjislative të miratuar me 355 vota për, 90 dhe 39 abstenime, deputetët e PE u bëjnë thirrje autoriteteve kombëtare të ndalojnë formimin e grupeve të lartpërmendura dhe çdo shoqate tjetër që glorifikon nazizmin dhe fashizmin, si dhe ksenofobinë. Teksti i miratuar përmend mes të tjerash sulmin që vrau 77 njerëz në Norvegji në 2011 nga Breivik, vrasjen e deputetes britanike Jo Cox në 2016 dhe sulmi i fundit fashist nga CasaPound kundër deputetit evropian Eleonora Forenza dhe në mesin e sjelljeve që ai dëshiron të luftojë, mungesa e ashpërsisë për neofashistët në disa shtete, marrëveshja e dyshuar midis politikanëve dhe policisë me neo-fashistët dhe neonazistët dhe zbatimi i masave të nevojshme kundër racizmit dhe ksenofobisë në stadiumet e futbollit. ansa

PE miraton projekt-rezolutë për hetim ndërkombëtar për vrasjen e Khashoggit

BRUKSEL – Parlamenti Evropian miratoi një projekt-rezolutë që bën thirrje për zhvillimin e një hetimi ndërkombëtar për vrasjen e Khashoggit dhe zbatimin e sanksioneve kundër autoriteteve saudite në rast të përcaktimit të përgjegjësive të tyre.

Sarkozy humb apelin në rastin e financimit të paligjshëm të fushatës

PARIS – Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozy, ka humbur apelin kundër vendimit të mëparshëm ligjor dhe mund të gjykohet me akuza për financim të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2012.

Gjykata e Apelit në Paris konfirmoi sot vendimin e vitit të kaluar, duke urdhëruar Sarkozy-n të përballet me gjyqin mbi mashtrimet e dyshuara gjatë rizgjedhjes së dështuar për vitin 2012.

Avokati i Sarkozy-t, Thierry Herzog, tha se klienti i tij do të apelojë vendimin në Gjykatën e Kasacionit, gjykata më e lartë e Francës.

Sarkozy përballet me akuza se fushata e tij presidenciale kaloi mbi kufirin ligjor prej 22.5 milionë euro (24 milionë dollarë) dhe u përpoq të mbulonte atë me mashtrim. aa

Komisioni Evropian hodhi poshtë buxhetin italian

BRUKSEL – Komisioni Evropian ka hedhur poshtë propozim buxhetin e Italisë për vitin e ardhshëm, duke pohuar se deficiti dhe shpenzimet e saj nuk do të mbajnë borxhin italian në nivelin aktual.

Në këtë mënyrë për herë të parë në histori ndodhë që një organ ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) të refuzojë buxhetin e ndonjë shteti anëtar.

Komisioni Evropian dëshiron që Qeveria e Italisë të hartojë propozim të ri të buxhetit, pasi pala italiane hodhi poshtë kritikën e Komisionit Evropian dhe gjykoi se niveli i këtillë i shpenzimeve është i domosdoshëm për të aktivizuar ekonominë e saj.

Komisioni Evropian i ka dhënë Italisë kohë tri javë që të miratojë propozim të ri. Të dyja palët tashmë disa javë kontestojnë rreth buxhetit, por Pierre Moscovici, komisari evropian për çështje ekonomike dhe financiare, gjatë fundjavës deklaroi se dëshirojnë të evitojnë konflikt të madh me ekonominë e tretë më të madhe në eurozonë. aa

Kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse barten në vendet e Ballkanit

Kiev, Ukrainë

Njohja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit, me në krye Patriarkun Ekumenik Bartholomew, dhe kundërshtimi i Kishës Ortodokse ruse, se një ndarje e tillë mund të çojë në shkatërrimin e botës ortodokse, ka vënë në fokus dy raste të ngjashme në Ballkan: kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Të dyja këto kisha janë nën Kishën Autoqefale të Serbisë.

Peshkopi i Dibrës dhe Kërçovës, Timotej, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë ka thënë gjatë shtatorit se kjo situatë hap rrugën për autoqefalinë e Kishës Ortodokse maqedonase.

“Kjo nënkupton që Kisha Ortodokse e Maqedonisë të jetë e njohur nga pjesa më e madhe e kishave ortodokse si një kishë e barabartë, e cila mund të kryejë shërbesa dhe të komunikojë në mënyrë të barabartë. A pajtohet apo jo Kisha Ortodokse Serbe me këtë, neve kjo nuk duhet të na shqetësojë pasi këtë nuk e zgjidhim ne, por Patriakana e përgjithshme”, ka thënë peshkopi Timotej.

Nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi ka thënë për agjencinë MIA se “akti historik i Patriakanës së Stambollit nuk mund të mbetet pa u nderuar”.

“Ekziston tendenca që çështjet e Kishës që po e ngarkojnë botën ortodokse, përfshirë edhe çështjen e Kishës Ortodokse maqedonase dhe malazeze, përfundimisht të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme”, ka thënë nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Serbisë e kundërshton vendimin për njohjen e Kishës Ortodokse të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit.

Patriarku Ekumenik Bartholomew e ka dhënë pëlqimin për pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe ky lajm është mirëpritur në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se për këtë vendim kanë “ëndërruar gjatë”, ndërkaq Moska ka thënë se bëhet fjalë për një “katastrofë”.

Merkel zotohet se do ta rifitojë besimin e gjermanëve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se humbja e madhe e aleatëve të saj konservatorë në rajonin e Bavarisë tregon se votuesit e kanë humbur besimin në qeveri dhe premtoi se do të luftojë për ta rifituar atë.

“Mësimi im nga kjo është se unë, si kancelare, duhet të siguroj rikthimin e besimit. Do të punoj për këtë me gjithë energjinë që kam”, tha Merkel në një ngjarje të përfaqësuesve të industrisë gjermane.

Komentet vijnë pasi partia simotër e Merkelit pësoi të dielën humbje të madhe në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë, duke shkaktuar pasiguri në koalicionin qeverisës.

Me gati të gjitha votat e numëruara, Unioni i Krishterë Social humbi shumicën absolute në Parlamentin e Bavarisë, të cilën e ka që nga viti 1957.

Të Gjelbrit u ngritën në vendin e dytë, ndërsa partia anti-migrante Alternativa për Gjermaninë do të futet për herë të parë në Parlamentin bavarez.

Sipas analistëve, shoqëria gjermane ka nisur të ndahet thellësisht që nga viti 2015, kur Merkel ka hapur dyert e Gjermanisë për mbi një milion migrantë, kryesisht myslimanë nga Lindja e Mesme.

Aleati i Merkelit në Bavari përballet me “humbje të thellë”

Kryetari i Partisë Kristian-Sociale, Horst Seehofer dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Partia simotër e kancelares gjermane, Angela Merkel, Unioni Krisitan-Social (CSU) është përballur me humbje të madhe në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë, bazuar në rezultatet e parakohshme.

Partia e qendrës së djathtë pritet të humbë shumicën absolute në parlamentin shtetëror.

Partia e të Gjelbërve pritet të listohet në vendin e dytë, derisa partia me qasje kundër-migrantëve, Alternativa për Gjermaninë (AfD) pritet të jetë pjesë e parlamentit shtetëror për herë të parë.

Anëtarët e partisë CSU kanë udhëhequr në Bavari pothuajse vetëm nga viti 1957.

Mirëpo është thënë se kjo parti ka humbur mbështetjen për shkak të opinioneve të ndara në çështjen e emigrimit.

Lideri i kësaj partie, Horst Seehofer ka thënë se kjo “nuk është ditë e mirë”, mirëpo ajo është vetëm “njëra anë e monedhës” pasi votat i japin “mandat të qartë” kësaj partie për të formuar qeverinë e re.

Në rezultatet preliminare është parë se CSU-ja ka fituar rreth 37 për qind të votave, 10 për qind më parë se katër vjet më parë.

Partia e të Gjerbërve ka fituar 18 për qind të votave, derisa Alternativa për Gjermaninë është listuar e katërta me rreth 10 për qind të votave, përkatësisht pas kandidatëve të pavaruar.

Partnerët e koalicionit kombëtar të Merkelit, Social-Demokratët e qendrës së majtë (SPD), janë renditur në vendin e pestë me më pak se 10 për qind të votave të fituara.

Pas publikimit të rezultatave, ka pasur spekulime se SPD-ja mund të largohet nga Qeveria Gjermane, duke tentuar të shpëtojë si parti.

Një vepër kushtuar Florian Vlashit, premierë botërore në koncertin e violinistit në Madrid

TIRANË, 11 tetor/ATSH/- Violinisti i mirënjohur Florian Vlashi do të jetë të dielën protagonist, së bashku me violonçelisten Ruslana Prokopenko, në koncertin që organizohet në Madrid në kuadër të ciklit “Muzikë për Mijëvjeçarin e Tretë”.

Vepra violinistike “Ju duk se panë të flinte në të një shenjë”, të cilën kompozitori Hugo Gomez-Chao Porta ia ka kushtuar violinistit shqiptar, do të jetë premierë botërore në koncertin e 14 tetorit në kryeqytetin spanjoll.

Kompozitori Porta shkruan mbi pjesën se “ashtu si në një lëvizje me kamera të ngadaltë, apo një kokë që kthehet ngadalë për të parë në anën tjetër; kështu edhe kjo vepër e vogël përbën një lëvizje të vetme, të qetë dhe të vazhdueshme ndërmjet dy telave të violinës me tinguj që largohen pak nga njëri-tjetri dhe, në këtë rrugë distancimi, gjejnë pikat e tyre të takimit, gjejnë ndalesat e tyre. Si të ishte një dritë që ndizej pak nga pak në errësirë dhe vetëm në fund arrin të shndrisë”.

Florian Vlashi ka në repertorin e tij qindra pjesë të interpretuara si solist dhe dirigjent në Spanjë, ku jeton dhe punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë që nga viti 1992; po ashtu edhe në Durrës, në vendlindje, ku ka organizuar që nga viti 2003 tetë edicione të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.

Kompozitorë shqiptarë dhe të huaj si Edmond Buharaja, C. López García, J. Vara, X. De Paz, P. Pereiro, D. Malumbres, J. Durán, F. Buide del Real, Akil Koci, W. Rosinskij dhe Hugo Gomez-Chao Porta i kanë kushtuar veprat e tyre violinistit 55-vjeçar Florian Vlashi. /G.Kabashi/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij

Suedi, refugjatja 107 vjeçare ballafaqohet me rrezikun e deportimit

STOCKHOLM – Refugjatja 107 vjeçare afgane, Bibikhal Uzbek, e cila njihet si refugjatja më e vjetër në botë, ballafaqohet me rrezikun e deportimit nga Suedia.

Sipas radios shtetërore suedeze SR, refugjates Uzbek, e cila jeton në qytetin Gotland së bashku me nipërit/mbesat e saj, pas 3 javësh do t’i përfundojë afati i lejeqëndrimit të përkohshëm dhe ajo mund të deportohet nga Zyra për Emigrantë. Vitin e kaluar ishte vendosur për deportimin e saj, por pas presionit nga opinioni publik Gjykata Administrative e Emigracionit ndaloi përkohësisht deportimin e refugjates së moshuar.

Nipi i 107 vjeçares afgane, Muhammed Uzbek në një deklaratë për radion SR kritikoi qëndrimin e Zyres për Emigrantë ku tha: “Përse nuk i japin lejeqëndrim një gruaje të vjetër e cila vuan nga sëmundja e demencës”.

Ai thotë se gjyshja e tij nuk mund të flasë e as nuk mund të ecë. “Nuk kupton shumë nga ajo që flitet, sytë e saj nuk shohin, e veshët nuk i dëgjojnë. Të paktën duhet t’i zgjasin edhe dy vite lejeqëndrimin”, thotë Uzbek.

Njihet si refugjatja më e vjetër në botë

Uzbek për shkak të përleshjeve në shtetin e saj, dy vite më parë ishte detyruar të ikte dhe së bashku me familjen e saj nëpërmjet rrugëve ilegale arriti në Kroaci. Policia kroate në atë kohë kishte ekzaminuar dokumentet e gruas së moshuar dhe njoftoi se ajo është e moshës 105 vjeçare. Gruaja afgane nga Kroacia shkoi në Suedi, ku edhe bëri kërkesën për azil. aa

Bombë selisë së Lega Nord, Salvini: Ishin anarkistët

Një bombë ka shpërthyer në selinë e partisë Lega Nord në Ala të Trentinos jugore në Itali.

Shpërthimi ka ndodhur  gjatë natës, teksa selia pritej të vizitohej sot nga kreu i partisë dhe njëherazi ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, për fushatën zgjedhore.

Ai ka reaguar menjëherë për sulmin, duke u shprehur se ata që vunë bombën janë anarkistët dhe duke falënderuar policinë për identifikimin e dy autorëve.

“Ishin anarkistë. Unë jam krenar për policinë dhe për militantët tonë të jashtëzakonshëm që kanë pastruar çdo gjë tanimë. Disa individë duan që të reagojnë me dhunë, por kjo nuk do të ndalojë buzëqeshjen tonë. Pasditen e sotme unë do të jem në Trentino Alto Adige për të përqafuar të gjithë të pranishmit. Mirënjohje për policinë…”, tha Salvini.

Ky është rasti i tretë në tre muaj, pas selisë në Villorba (Treviso) dhe Cremona që sulmohen selitë e partisë Lega Nord.

Ish-kancelari gjerman martohet për herë të pestë

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder do të martohet për herë të pestë në moshën 74 vjeçare. Partnerja e tij është një 49 vjeçare nga Koreja e Jugut.

Të ftuar në ceremoni janë dhe presidenti rus Vladimir Putin si dhe ministri i jashtëm turk Cavusoglu.

Një ceremoni martese me 150 të ftuar në hotelin prestigjioz Adlon në Berlin, pranë portës së Brandeburg: në këtë mënyrë do të festojë mbrëmjen e së shtunës martesën e tij të pestë ish-kancelari gjerman socialdemokrat Gerhard Schröder.

74 vjeçari do të lidhet në martesë me koreanojugoren Kim So-Yeon, 49 vjeçe.

Në listën e të ftuarve janë emra si Presidenti i Republikës federale dhe kolegu i Partisë Frank-Walter Steinmeier, ish ministri i jashtëm Sigmar Gabriel, dhe këngëtari i grupit legjendar Skorpion, Klaus Meine.

Por të ftuar janë gjithashtu dhe ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu dhe presidenti rus Vladimir Putin, një mik i vjetër i tij, por që nuk do të jetë i pranishëm sipas mediave gjermane.

Schröder dhe partnerja e tij janë celebruar katër muaj më parë në Korenë e Jugut.

Në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë mund të diskutohet anulimi i Brexitit

Një kundërshtar i Brexitit në Londër.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka caktuar një seancë më 27 nëntor për të vendosur nëse Parlamenti Britanik mund të ndryshojë njëanshëm mendje për largim nga Bashkimi Evropian, i ka thënë një burim agjencisë së lajmeve, Reuters.

Ligjvënësit skocezë që kanë kundërshtuar Brexitin, kanë nisur një peticion në Gjykatën Skoceze vitin e kaluar për të vërtetuar se Britania ka mundësi që njëanshëm të vendosë për të qëndruar në bllokun më të madh tregtar në botë.

Sipas tyre, ende nuk ka asgjë dyshim ligjor se Britania mund të ndalojë procesin e Brexitit, me leje të 27 anëtarëve tjerë të Bashkimit Evropian, andaj duhet të kërkojë zbatimin e të drejtës ligjore, pavarësisht a i pëlqen bllokut evropian ky vendim apo jo.

Ky lajm ka ardhur në kohën kur Britania duket të jetë në prag të arritjes së marrëveshjes me Brukselin në procesin e largimit nga BE-ja, kanë thënë burime diplomatike të premten.

Për shkak se asnjë shtet nuk është larguar nga BE-ja më parë, kuptimi i plotë i Artikullit 50 në Traktatin e Lisbonës, që përfshin largimin nga BE-ja nuk është testuar ende.

“Ne kemi seancën tonë më 27 nëntor në orën 9:00”, ka thënë disa zyrtarë, duke folur në kushte anonimiteti.

Mirëpo pjesëtarë të Gjykatës Evropiane, e cila vepron sipas ligjeve të BE-së, nuk kanë qenë në gjendje t’i komentojnë këto deklarata.

Gjermania do t’i vazhdojë ndihmat për jugun e Shqipërisë

Deutsche Welle (www.dw.com)

Gjermania kontribuon për përmirësimin e kushteve të jetesës në Shqipëri. Së fundmi ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri të ditur, se Gjermania do të japë një shumë rekord ndihme për Shqipërinë në nëntor.

Në festimet me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman në Tiranë të mërkurën (03.10.) ambasadorja gjermane, Susanne Susanne Schütz dha një lajm të mirë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Schütz tha se “në nëntor të këtij viti Qeveria Federale, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, do t’i japë një shumë rekord Shqipërisë  për të realizuar projekte të mëtejshme”.

Ndihma gjermane e prekshme në Shqipëri

Rezultatet e bashkëpunimit ekonomik për zhvillimin Gjermani-Shqipëri janë të prekshme. Sivjet në 30 vjetorin e këtij bashkëpunimi, njerëzit e zakonshëm shohin në jetën e tyre të përditshme sesi mbështetja gjermane ka modernizuar bujqësinë, sesi në rubinetat e shtëpive vjen ujë i pastër, sesi energjia elektrike nuk ndërpritet më dhe mjediset, ku ata jetojnë po përmirësohen. Në kushte më të mira jetese njerëzit e thjeshtë shohin të përligjur edhe pro-europianizmin e  tyre. „Një gjë është e qartë: E gjithë mbështetja gjermane kontribuon në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së njerëzve në Shqipëri, për t’u dhënë atyre një perspektivë në atdheun e tyre dhe për ta bërë Shqipërinë të gatshme për integrimin në BE”, tha mbrëmë Ambasadorja Schütz.

Albanien Energieversorgung Südalbanien (DW/A. Ruci)

Modernizimi i elektricitetit – prioritet i ndihmës gjermane në Shqipëri

Jugu i Shqipërisë – pasqyrë e përmirësimit të kushteve të jetesës nga mbështetja gjermane

Një udhëtim në Rajonin Bregdetar Jugor me potenciale të mëdha turistike, është një pasqyrë për të parë sesi bashkëpunimi ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë ka përmirësuar jetën e përditshme. Sektorët ku ndryshimi është i prekshëm janë jetikë: energjia elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, mjedis i pastër, mbështetje e sipërmarrjes në zonat rurale, edukim i fëmijëve në kopshte për të mbrojtur mjedisin dhe marrë pjesë në ekonominë ricikluese.

Nënstacioni elektrik në Himarë i ka dhënë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike, humbjeve në rrjet. Kjo ka përmirësuar të përditshmen e banorëve dhe ka mundësuar zhvillimin ekonomik të zonës, veçanërisht zhvillimin e turizmit. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha për DW se ” Më shumë se 400 mijë banorë dhe mijëra turistë që vizitojnë rajonin bregdetar buzë detit Jon, janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga ndërtimi i nënstacionit elektrik në Himarë.”

 Electrical Substation Himara (DW/A. Ruci)

Nënstacioni elektrik Himarë

Ky nënstacion së bashku me nënstacionin elektrik në Orikum të Vlorës, janë pjesë e projektit të reabilitimit të linjës unazore 110 kV në Jug-Perëndim dhe në Jug-Lindje të Shqipërisë, një nga projektet më të mëdha në historinë e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Uji është jetë. Me këtë këndvështrim Qeveria gjermane, përmes Bankës KfW ( Banka Gjermane për Rikonstruksion) po investon në Himarë 40 milionë Euro për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore shërbimin e ujit dhe mbrojtjen e mjedisit. Përfituesit janë banorët e Himarës dhe ekonomia lokale, që forcohet nga krijimi i kushteve bazë për një turizëm të qëndrueshëm në të gjitha stinët e vitit. Teknologjia e përdorur është ajo moderne gjermane që automatizon procesin në shërbimin e ujit.

Albanien Kindergarten Unterricht zum Thema Müllentsorgung (DW/A. Ruci)

Fëmijët mësojnë në kopshtin në qendër të Himarës se si të kujdesen për mjedisin

Respekt për mjedisin- ekonomia ricikluese

Fëmijë 4-5 vjeҫarë, në kopshtin në qendër të Himarës krijojnë nga një bidon uji plastik një vazo lulesh, në formën e një derrkuci.  Ata nxiten për të qënë krijues, patur sens artistik dhe prodhuar objekte utilitare nga mbetjet prej konsumit të përditshëm në familje. Në sajë të projektit të përbashkët të qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, të financuar me 3 milionë Euro nga pala gjermane, për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta dhe ekonominë ricikluese, në respekt të mjedisit, në Himarë është modernizuar sistemi i menaxhimit të këtyre mbetjeve. Mbetjet mblidhen në mënyrë të diferencuar në kontenierë përkatës. Riciklimi i tyre është rritur. Kosto e transportit është ulur.

Një proces që ka hapur vende të reja pune. Në supermarketet kryesore në Himarë janë shpërndarë në sajë të projektit ҫanta pambuku dhe konsumi i qeseve plastike është reduktuar në 50%. Ndryshimi ndihet në ajër. Por ka ende shumë për të bërë që rinia të mbetet në Himarë dhe ta kthejë atë në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në rajon. Rinia pret që prona të shkojë tek i zoti, që investitorë seriozë dhe të fuqishëm të kenë garanci ligjore që të investojnë në Himarë.


Send this to a friend