VOAL

VOAL

Reagimi i parë i fituesit të çmimit “Nobel”: Më vjen mirë që serbët janë të lumtur për mua

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, austriaku Peter Handke, në reagimin e tij të parë për këtë lajm i ka thënë mediave në Beograd se i vjen mirë që serbët janë të lumtur për të.

 

“Jam shumë i befasuar dhe shumë i lodhur, do të flasim më gjatë nesër. Dua të përshëndes të gjithë njerëzit në Beograd dhe Serbi, e ndiej gëzimin tuaj për njohjen e madhe që mora, faleminderit për atë dhe në emrin tim sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë ”, tha ai për Programin e Dytë të Radio Beogradit, transmeton Klan Kosova.

Lajmi se Peter Handke fitoi Nobelin e sivjetëm për Letërsi, ka ngjallur reagime të shumta pasi ai njihet si mbështetës i “Kasapit të Ballkanit” Sllobodan Millosheviqit.

Në mesin e tyre që kanë reaguar është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Shoqata e Shkrimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë të tjerë.

Zëri i Amerikës: Bisedimet me BE, Franca kërkon shtyrjen për Tiranën e Shkupin

Parisi propozon rishikim të procesit të Zgjerimit: Komisioni europian të paraqesë brenda pranverës së 2020 strategjinë e re. Ndërkohë të dy vendeve u kërkohet të avancojnë me reformat.

Franca kërkon shtyrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e javës së ardhshme të Këshillit Europian.

Zëri i Amerikës ka mësuar se propozimi që Franca ka hedhur për momentin në tryezën e vendeve anëtare, lidhet së pari me idenë publike të Presidentit Emmanuel Macron, për të reformuar fillimisht BE-në përpara se të avancohet me zgjerimin. Në funksion të kësaj ideje Franca kërkon një qasje të rishikuar të procesit të zgjerimit. Sipas saj negociatat me vendet që duhet të anëtarësohen duhen të jenë graduale, më konkrete dhe procesi të mos jetë automatik dhe i pakthyeshëm, ose e thënë me fjalë të tjera, që në momentin kur nuk vlerësohet përparimi i duhur, procesi të mund të pezullohet.

Kjo, siç i shpjeguan Zërit të Amerikës burime diplomatike, është në funksion të zbatimit të prekshëm të reformave, veçanërisht ato që lidhen me Shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të drejtave themelore.

Sipas propozimit të Francës, brenda pranverës së viti të ardhshëm, Komisioni europian duhet të hartojë këtë qasje apo strategji të re për procesin e zgjerimit. Ndërsa paralelisht, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i kërkohet që në ndërkohë, të vijojnë me zbatimin e reformave, specifikimi i të cilave mbetet për t’u përcaktuar, por që mund të jenë, në rastin e Shqipërisë, përafërsisht çka përmban propozimi gjerman dhe ndonjë element shtesë për të cilën Franca ka një ndjeshmëri të veçantë.

Takime të rëndësishme për ecjen përpara të Kosovës dhe parashikimi im për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 – Nga Nue Oroshi

Gjatë qendrimit tim dy javor në Kosovë në javen e parë kisha me vete edhe një delegacion gjerman të kryesuar nga Claudia Busken veprimtare e CDU-në në Kiel si dhe antare e Odës Ekonomike në Gjermani. Ka disa muaj që jemi duke u përpjekur që ta bëjmë themelimin e një zyre ndërlidhse në Kiel të Gjermanisë,për sjelljen e Investitorëve gjerman në Shqipëri dhe Kosovë. Në kuadër të shumë takimeve patëm edhe dy takime frytdhënëse.

Njërin me Legjendën e Luftës dhe politikanin që e mban fjalën Anton Quni.Me Antonin biseduam për intensifikimin e marëdhënieve shqiptaro-gjermane pas zgjedhjeve të 6 tetorit.Gjatë takimit u shoshitën shumë tema interesante për Kosovën në të ardhmën.Kosova duhet të orientohet edhe praktikishtë me Evropën dhe jo vetëm me fjalë të thata.Antoni jo vetëm që do të jetë Deputet në Parlamentin e Kosovës por në  të ardhmën do të luan një rol mjaftë të rëndësishem në politikën e Kosovës.Takimi i dytë  ishte me krerët e PSHDK-së ,dr.Ukë Berisha -kryetar,Zef Morina nënkryetar dhe David Kqira kryetar i PSHDK-së në Prizren.Kjo parti ka vjet që është lënë në harresë. Ka ardhur koha që të jetë prezente në Parlamentin e Kosovës,këtë duhet ta ketë parasysh edhe elektorati i LDK-së ku ajo është tash në koalicion parazgjedhor.

Me ftesë të Kryetarit të degës së LDK-së në Prizren Anton Quni morëm pjesë edhe në një takim të kësaj partie në Shadërvan, ku mori pjesë edhe kandidatja e LDK-së për Kryeministre të Kosovës Vjosa Osmani.Diskutimi i saj ishte i mrekulushem dhe linte përshtypje se është njohëse e politikës.Vjosën për kryeministre më të madhe është duke e përkrahur CDU në Gjermani si dhe politika amerikane.Kosova duhet ta ndryshoj mentalitetin Qeverisës.Të kaloi nga politika e barkut që është udhëhequr deri më tani në politikën e mendjes.Personalisht mendoj se pas zgjedhjeve të 6 tetorit të bëhet një koalicion në mes të LDK-së dhe AAK-së.Kjo duhet të bëhet për shumë arsye njëra ndër arsyet se të dy partitë janë të fokusuara në orjentimin Evropian të Kosovës.Në këtë rast Ramush Haradinaj duhet të mos bëj gabime që i bëri sa ishte në Qeverisje ku u rrethua nga këshilltarë të pandërgjegjshëm dhe mediokerr,të cilët për dy vjet qeverisje i humbën shumë përkrahës që kishte.Sa i përket renditjes së partive politike duke mos qenë pjesë e asnjë partie politike në Kosovë dhe duke vlerësuar me akullin e ftoftë të mendjes mund të them se renditja pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë do të jetë kështu:LDK-ja do të jetë parti e parë politike.Këtë e them se kjo parti arriti t´iu bëj ballë ndarjeve politike dhe në listën e saj përfshiu të rinjët dhe të rejat e familjeve tradicionale shqiptare që historikisht luajtën rol në shumë procese historike të Kosovës.

Rënja e PDK-së ka bërë që lufta në mes të VV dhe PDK të jetë shumë e afërtë për vendin e dytë.Ndoshta do të jenë votat e diasporës që do të vendosin se kush do të jetë i dyti dhe i treti.AAK do të jetë parti e katërt me një ngritje të mirë të votave kurse Nisma do të jetë parti e pestë.Tash në përfundim të  fushatës shumë kandidatë për deputetë ëndrrojnë të gjithë të jenë pjesë e Parlamentit por vetëm 10% nga këta kandidat do t´iu bëhet ëndrra realitet.Kalimi në Opozitë dhe humbja e pushtetit nuk është fundi i botës.Por edhe ardhja në Qeveri nuk është se të gjithë problemet e grumbulluara në Kosovë do të zgjidhen në mënyrë automatike.Për këtë fakt pas formimit të Qeverisë së Kosovës duhet zgjedhur në poste kyçe njerëzit që e njohin profesionin e tyre,pavarsisht së në cilin sektor angazhohen.Në të kundërtën do të kemi vetëm një vendnumrim siç  ka qenë tash e 20 vjet.

Holanda letër zyrtare BE-së: Hapja tani e negociatave për Shqipërinë është e parakohshme

Qeveria holandeze i ka dërgyuar ditën e sotme një letër zyrtare Bashkimit Europian përsa i përket negociatave të shqipërisë.

Holanda përshëndet hapat e Shqipërisë në procesin e vettingut dhe thotë se Shqipëria ka bërë sukses në sundimin e ligjit, por sipas tyre hapja e negociatave është e parakohshme

“Qeveria mirëpret hapat që Shqipëria ka ndërmarrë tashmë në fushën e vetting-ut radikal, në sundimin e ligjit, rritjes së operacioneve policore kundër krimit. Por Shqipëria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë, ditën e djeshme ministri i Jashtëm i Holandës Stefan Blok këmbënguli se Shqipëria nuk e meriton që t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE.

‘’Shqipëria nuk e meriton t’i hapen negociatat për anëtarësim. Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishme përpara. Progresi në sundimin e ligjit duhet të vazhdojë, prandaj ne po e vëzhgojmë situatën’’, përsëriti për të disatën herë ministri i Jashtëm holandez Blok për bllokimin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Gjermania reagon pas emërimit të Richard Grenell si emisar në negociatat Kosovë-Serbi

Presidenti Donald Trump, ka emëruar ambasadorin Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, Richard Grenell, edhe në postin e Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një vendim i tillë ka habitur shumë kë, pasi nuk kanë kaluar as dy muaj që prej emërimit të Matthew Palmer si Përfaqësues për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Besnik VELIU

Lidhur me këtë çështje Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë Federale të Gjermanisë, duke qenë se Richard Grenell ushtron edhe postin e ambasadorit të SHBA’së në Berlin.

Zëdhënësi i Qeverisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, Stefan Siebert, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se është e rëndësishme që të kenë koordinim me partnerët amerikanë sa i përket politikës për Ballkanin Perëndimor, duke potencuar se zhvillimet në këtë rajon janë shumë të rëndësishme.

“Para se gjithash, është në përgjegjësinë e Qeverisë se SHBA’së për të emëruar Përfaqësues Special. Për ne mbetet, që në fushën e politikave për Ballkanin perëndimor, gjë që është shumë e rëndësishme për ne, të kemi një pjesë të rëndësishme të politikës sonë të jashtme, dhe sigurisht duhet të koordinohemi me partnerët amerikanë, dhe ne do ta bëjmë, edhe tash kur Z. Grenell është Përfaqësues Special. Nuk mund t’iu japë një vlerësim personal nga perspektiva gjermane”, ka thënë Siebert për Gazetën Express.

Ndërkohë sot gjatë gjithë ditës ka pasur reagime lidhur me vendimin e fundit të Donlad Trump për emërimin e Richard Grenell në postin e Përfaqësuesit Special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, e ka cilësuar si një vendim bizar, Florian Bieber ekspert për Ballkanin e ka cilësuar si lajm jo të mirë, derisa gazetari britanik, Tim Judah, thotë se është çuditur nga një vendim i tillë.

Ndërkohë “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe ka publikuar një profil të Grenell, në të cilin flitet për problemet dhe izolimin e tij si diplomat në Gjermani, pasi ambasadori amerikan disa herë kishte bërë përpjekje që të ndërhynte në politikat e brendshme të Gjermanisë.

Aty tregohej edhe një takim sekret që Grenell e kishte mbajtur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë muajit dhjetor në Berlin, takim ky në të cilin presidenti i Kosovës i kishte premtuar atij se Kosova do ta hiqte vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkohë Presidneti Thaçi menjëherë sot ka zhvilluar një telefonatë me ambasadorin gjerman, Richard Grenell, duke thënë se emërimi i tij tregon se SHBA’ja dëshiron që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë mbetet ende e paqartë se cilat do të jenë lëvizjet e Bashkimit Evropian në vazhdim. Nëse do të emërohet ndonjë Përfaqësues Special siç ishte paralajmëruar, apo Josep Borell do të jetë ndërmjetësues në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, meqenëse shumë shpejtë do ta marrë pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE’së.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet që të rifillojë në fund të muajit dhjetor apo në fillim të janarit 2020, ndërkohë është raportuar se SHBA’ja dëshiron një marrëveshje finale Kosovë-Serbi deri në verën e vitit 2020.

BE-ja konfirmon bashkëpunimin me SHBA-në për dialogun Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Reagimi i BE-së, vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja ka dhënë një kontribut të çmuar në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për suksesin e dialogut (Kosovë-Serbi). SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesin e fuqishëm për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të përparuar”, ka thënë Kocijançiq, duke konfirmuar gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se emërimi i diplomatit Richard Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

BE paralajmëron SHBA-të me kundërpërgjigje tregtare

Bruksel

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se do të kundërpërgjigjet nëse SHBA-të vendosin taksa ndaj sektorit evropian të aviacionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një program të zhvilluar nga Dhoma Tregtare Amerikane, presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker lidhur me mosmarrëveshjen për Boeing-Airbus e cila vazhdon prej rreth 15 vitesh mes BE-së dhe SHBA-ve tha se tregtia e ndërsjellë mes BE-së dhe SHBA-së nuk është e lidhur vetëm me shifrat, por ajo ndikon drejtpërdrejt tek jeta e njerëzve.

“Luftërat tregtare fillojnë lehtë, rriten me shpejtësi por në përgjithësi ato përfundojnë keq”, theksoi Juncker.

Ai tërhoqi vëmendjen se luftërat tregtare do të paraqesin efekte negative pavarësisht se ku ndodhin. Juncker nënvizoi se Evropa gjithmonë mbron tregtinë e ndërsjellë, në kushte të barabarta, të drejtë dhe të lirë.

“Ne do të bëjmë të njëjtën gjë nëse dikush zbaton taksa doganore ndaj sektorit tonë të aviacionit”, tha Juncker rreth vendimit të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) i cili lejon që SHBA-ja të zbatojë taksë doganore shtesë prej 7.5 miliardë dollarë për shkak të mbështetjeve të jashtëligjshme të siguruara për Airbus.

Kompania amerikane Boeing dhe kompania evropiane Airbus nën partneritetin e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Holandës të cilat janë kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e avionëve akuzojnë njëra tjetrën se marrin mbështetje publike të jashtëligjshme.

Këto kompani zhvillojnë proces ligjor kundër njëra tjetrës me arsyetimin se brenda strukturës së OBT-së ekziston një konkurencë e padrejtë në këtë sektor.

Drejtuesit e BE-së: Të hapen bisedimet me Tiranën e Shkupin

Drejtuesit e institucioneve më të lartë të Bashkimit europian ju drejtuan sot vendeve anëtare me një letër të përbashkët për të kërkuar prej tyre hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. “Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet”, shkruhet në letrën e firmosur nga Presidenti i ri i Parlamentit europian David Sassoli, Presidenti aktual i Këshillit Europian Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian Jean Claude Juncker si dhe presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019. Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Marrja tani e një vendimi për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen”, shkruhet në letër, ku vihet në dukje se “bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do që të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”.
Drejtuesit më të lartë të institucioneve europiane theksojnë se “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë”. Ata nënvizojnë më tej se “Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësia nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshëm për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate”, vë në dukje letra.
Vendimi i vendeve anëtare pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të datës 18 Tetor. Ndërsa Gjermania e ka marrë vendimin e saj në favor të të dy vendeve, duke renditur megjthatë një sërë kushtesh për Shqipërinë, ende nuk ka një ide të qartë se çfarë do të bëjë Franca, pozicioni i së cilës është i lidhur me së shumti me idenë e presidentit Emmanuel Macron për reformimin së pari të vetë BE-së. Edhe Hollanda nga ana e saj nuk e ka fshehur skepticizmin e thellë. “Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar , diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten, se sa përpara ka shkuar progresi në Shqipëri, dhe aty kemi më shumë shqetësime. Për këtë ne do të flasim në javët e ardhshme edhe me partnerët europianë, sepse jemi vërtet të shqetësuar, për masën e progresit të arritur”, deklaroi kryeministri hollandez Mark Rutte një ditë më parë gjatë një vizite në Berlin.

Kreu i Kuvendit çek në mes të Beogradit: Mos prisni ta tërheqim njohjen për Kosovën

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Çeki, Radek Vondraçek, ka thënë se në shtetin e tij asnjëherë nuk ka pasur një qëndrim unik sa i përket pavarësisë së Kosovës, megjithatë thotë se nuk mund të pritet një tërheqje e njohjes për Kosovën.

Këto deklarata Vondraçek i ka bërë gjatë një adresimi në Parlamentin e Serbisë në një seance speciale, raporton agjencia e lajmeve Beta, transmeton Gazeta Express.

“Njohja e Kosovës është përcjellë me mosmarrëveshje të ndryshme në Çeki, dhe asnjëherë nuk e ka pasur përkrahjen e shumicës së shoqërisë. Dhoma e Përfaqësuesve gjithashtu kishte bërë thirrje që qeveria të kërkojë një zgjidhje alternative, dhe ta shihte të ardhmen përmes anëtarësimit të të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian. Parlamenti nuk kishte rekomanduar që Qeveria të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Por në fund një gjë e tillë u vendos nga një lloj presioni dhe u ndikua nga disa argumente të cilat nuk ishin të sakta dhe korrekte, e që koha i ka treguar”, ka thënë Vondraçek.

Teksa ka folur për deklaratat e Zemanit në Beograd për heqjen e njohjes, Vondraçek ka thënë se një deklaratë e tillë mund të nxisë në kërkimin e zgjidhjeve të reja, por jo edhe që të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor të qëndrimit të Çekisë për Kosovën.

“Nuk mund të pritet ndonjë ndryshim radikal i Qeverisë së Çekisë në çështjen e Kosovës, sepse bazuar në shumë ekspertë, një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë ndër të tjera Vondraçek.

Tutje ai ka thënë se përkrahin Serbinë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke potencuar se Evropa nuk mund të jetë stabile pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq ka thënë se ajo pret mbështetjen e Çekisë për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë me qëllim të gjetjes së një zgjidhje kompromisi.

Për çështjen e njohjes së Kosovës kanë folur edhe kryeministri i Çekisë, Andrej Babish, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Tomas Petriçek. Të dy kanë thënë se nuk ka asnjë arsye që shteti i tyre të ndryshojë qëndrim karshi Republikës së Kosovës.

Miliarderi francez dhuron 100 milionë euro për Notre Dame

Paris

Miliarderi francez, Francois Pinault dhe i biri i tij Francois-Henri Pinault kanë firmosur zyrtarisht dokumentet duke dhuruar 100 milionë euro për rindërtimin e Katedrales Notre Dame, transmeton Anadolu Agency (AA).

Donacioni vjen pas disa muajsh vonesash që zyrtarët francezë kryesisht u mbështetën në donacione të vogla bamirësie për të financuar fazën e parë të riparimeve, pas zjarrit shkatërrues më 15 prill.

Kryepeshkopi i Parisit, Michel Aupetit, tha se “të gjithë japin atë që munden sipas nevojave të tyre, por donatorët e mëdhenj na japin një dhomë për frymëmarrje”.

Francois Pinault, grupi ndërkombëtar luksoz Kering i të cilit zotëron Gucci dhe Saint Laurent, u zotua për paratë pas zjarrit. Rivali i tij, miliarderi francez Bernard Arnault nga grupi i mallrave luksoze LVMH, e ndoqi atë duke premtuar 200 milionë euro.

Arnault finalizoi marrëveshjen e tij të donacionit me fondacionin Notre Dame javën e kaluar.

Zelenskiy shkarkon sekretarin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e shkarkoi nga detyra sekretarin e Sigurisë Kombëtare dhe të Këshillit të Mbrojtjes.

Lajmi u bë i ditur nga dekreti i publikuar të hënën në ueb-faqen e presidentit.

Oleksandr Danylyuk ka ofruar dorëheqjen përpara se Zelenskiy të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara, javën e kaluar, për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tha zyra e Zelenskiyt më 27 shtator.

Danylyuk, më vonë, e konfirmoi dorëheqjen.

Ai dhe zyra e presidentit nuk dhanë arsye për vendimin.

Nuk është e qartë nëse ai lidhet me bisedën telefonike që Zelenskiy ka zhvilluar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për shkak të së cilës Kongresi amerikan ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas transkriptimit të publikuar javën e kaluar nga Shtëpia e Bardhë, Trump, gjatë bisedës telefonike më 25 korrik, i ka kërkuar Zelenskiyt të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik, Joe Biden, dhe djalin e tij.

Rivalët e Trumpit – demokratët – e kanë konsideruar këtë si “tradhti ndaj betimit të presidentit dhe sigurisë kombëtare”.

I jepet lamtumira ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac

Paris, 30 shtator 2019.

Udhëheqës të kaluar dhe të tanishëm botërorë u mblodhën të hënën në Paris për të ndjekur funeralin e ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac.

Ceremoninë pranë vendit të varrit të Napoleonit e udhëhoqi presidenti francez, Emmanuel Macron.

Himnin kombëtar “La Marseillaise” e performoi një grup ushtarak, ndërsa Chirac u varros në varrezat Montparnasse, ku gjendet edhe vajza e tij, Laurence, e cila ka vdekur më 2016.

Në mesin e pjesëmarrësve të huaj në ceremoni ishin: presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, dhe mbreti Abdullah II i Jordanisë.

Chirac vdiq më 26 shtator në moshën 86-vjeçare.

Familja e tij nuk ka dhënë detaje për shkakun e vdekjes.

Chirac ka shërbyer si president nga viti 1995 deri më 2007.

Nën udhëheqjen e tij, Franca ka hyrë në Eurozonë dhe ka shfuqizuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Në skenën ndërkombëtare, Chirac do të mbahet mend për kundërshtimin e ndërhyrjes në Irak më 2003.

Partia Popullore fituese e zgjedhjeve në Austri

Sebastian Kurz, udhëheqësi 33 vjeçar i Partisë Popullore austriake është në rrugë për të marrë sërish drejtimin e qeverisë, pasi që partia e tij doli fituese në zgjedhjet e parakohshme të së dielës.

Partia e tij fitoi 37 për qind të votave, një ngritje prej 6 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por ende e pamjaftueshme për të ngritur në qeveri.

Sipas rezultateve paraprake, të Gjelbrit siguruan 14 për qind të votave, një fitore e madhe derisa po rriten shqetësimet për ndryshmet klimatike.

Ish aleatët e zotit Kurz nga të djathtët e skajshëm të Partisë së Lirisë, janë humbësit më të mëdhenj në këto zgjedhje në të cilat Socialdemokratët e qendrës së majtë fituan 22 për qind të votave, rezultati më i keq i tyre, ndërsa liberalët NEOS fituan rreth 7 për qind të votave.

Rreth 6.4 milionë veta kishin të drejtë vote.

Koalicioni qeveritar i zotit Kurz u rrëzua në muajin maj pasi një video e publikuar tregonte zv/kancelarin e tij dhe udhëheqësin e Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache gjatë një darke në Ibiza me një grua e cila pozonte si mbesa e një oligarku rus. Në video, zoti Strache shihet tek ofron për të ndërmjetësuar kontratat qeveritare.

Zoti Kurz doli relativisht i padëmtuar nga skandali.

Dënimi për Saimir Tahirin “shkon” në Bundestag: S’na hidhni dot hi syve me atë dënim

Përfaqësues i CDU/ CSU, Peter Beyer në fjalën e tij në Bundestag për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut foli edhe për çështjen Tahiri.

Beyer ka thënë para kolegëve të Bundestagut se “nuk na hidhni dot hi syve me atë dënim”.

Nga ana tjetër deputeti i CDU/CSU, Florian Hahn tha se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar.

 

“Po të votojmë për Shqipërinë i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim”, Florian Hahn.

9 kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave – duhen me u arrestu të gjithë ata që kanë ngelë në Veting

Parlamenti gjerman votoi me 26 shtator për çeljen e negociatave, për Shqipërinë vendosi kushte, ndërsa Maqedonia e Veriut mund t’i fillojë negociatat qysh në janar.

Nëntë kushtet, që duhet të përmbushen përpara 17 tetorit janë si më poshtë:

– funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese

– miratimi i reformës zgjedhore;

– implementimi i reformës zgjedhore;

– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;

– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;

– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,

– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;

– përparime në reformën e administratës publike;

– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

 

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi pritet të emërohet pas 7 tetorit

Vendimi për të emëruar një të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është tashmë i sigurt, thonë burimet diplomatike për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Sipas tyre, vendimi ka gjasa të shpallet pas dëgjimit të shefit të ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Parlamentin Evropian.

Mësohet se Borrell, i cili vazhdon të shërbejë si ministër i Jashtëm i Spanjës, i ka njoftuar me këtë ide edhe disa kolegë të vendeve të tjera të BE-së.

Diplomatët, megjithatë, ende nuk flasin për emra konkretë të emisarit të ardhshëm, por thonë se ai, së paku, duhet të ketë ose të ketë pasur pozitën e ministrit të jashtëm.

Seanca dëgjimore e Borrellit në Parlamentin Evropian është caktuar për datën 7 tetor, kur edhe pritet të marrë konfirmimin zyrtar nga ky institucion.

Ideja për emërimin e një të dërguari evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi administrata amerikane emëroi Mathew Palmerin të dërguar të posaçëm për Ballkanin.

Ky vendim i Uashingtonit, në këmbim me sfondin politik të Borrellit, i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thuhet se ka ngritur çështjen e emërimit të një personi të ri që të merret drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive me dialogun Kosovë-Serbi.

Procedura për emërimin e këtij emisari, sipas pritjeve të diplomatëve, duhet të përfundojë përpara se Borrell të marrë detyrën e shefit të diplomacisë evropiane, përkatësisht para 1 nëntorit të këtij viti.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili tash e sa vite është ndërmjetësuar nga kreu i diplomacisë evropiane, është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së për heqjen e kësaj takse, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se pa heqjen e taksës, dialogu nuk do të vazhdojë. rel

U nda nga jeta ish-presidenti i Francës, Jacques Chirac

Ish-presidenti i Francës, Jacques Chirac, vdiq në moshën 86-vjeçare.

Dhëndri i tij konfirmoi se Chirac vdiq mëngjesin e së enjtes, “i rrethuar nga familja”.

Chirac ka shërbyer dy mandate si president i Francës, nga viti 1995 deri më 2007.

Një nga reformat e tij kryesore politike ishte shkurtimi i mandatit presidencial nga shtatë në pesë vjet.

Chirac e ka futur Francën në Eurozonë.

Ai ka qenë kundër pushtimit të Irakut nga forcat e udhëhequra nga SHBA-ja, në vitin 2003.

Kur NATO-ja ka nisur bombardimet në caqet e ish-Jugosllavisë më 1999, për të ndalur dhunën në Kosovë, Chirac ka thënë se sulmet ajrore kanë nisur për të mbrojtur “paqen në tokën tonë, paqen në Evropë”.

Laura Codruta Kövesi emërohet kryeprokurorja e parë e BE-së

Ankara

Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian janë pajtuar të emërojnë Laura Codruta Kövesi si kryeprokuroren e parë evropiane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni i Bashkimit Evropian (BE) njoftoi se Zyra e Prokurorit Publik Evropian do të jetë një zyrë e pavarur dhe e decentralizuar e prokurorisë së bllokut me kompetenca për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar shkelësit e buxhetit të BE-së.

Selia e zyrës do të jetë e vendosur në Luksemburg, ndërsa Kövesi do të ushtrojë këtë funksion në një mandat 7-vjeçar të pa-renovueshëm.

“Ajo do të jetë përgjegjëse për organizimin e punës së Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, duke përfaqësuar, duke drejtuar aktivitetet dhe duke u kujdesur për funksionimin efektiv të zyrës”, tha Komisioni i BE-së.

46-vjeçarja Kövesi ishte kryeprokurorja e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit në Rumani derisa u pushua nga detyra në vitin 2018.

“Shqipërisë t’i hapen negociatat kur të plotësojë kushtet”- Budestagu gjerman: Përveç këtyre kushteve të zgjidhet edhe kriza politike

Shqipërisë do t’i hapen negociatat vetëm kur të përmbushë 9 kritereve të vendosura nga Gjermania. Bundestagu gjerman ka miratuar kërkesën e qeverisë federale gjermane dhe i kërkon asaj që në takimin e Këshillit të Evropës që do të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor 2019, të miratojë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë vetëm kur të përmbushen kriteret.

 

Budestagu gjerman vëren me shqetësim edhe krizën politike në Shqipëri. “Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”,- thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.

Përveç nëntë kushteve kryesore, grupet parlamentare të CDU/CSU dhe SPD, kërkojnë që Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.

– Të merret vendim  për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.

  1. b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave pwrmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojw plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar

– Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;

– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore  kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,

– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj  për të punuar

– Progres solid në krijimin e bilanci suksesi  në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe procedimet e para të përfunduara kundër nëpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,

– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e  parregullsive,

– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor,

  1. të sigurojë, që kuadri i  negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria. Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta;
  2. të qartësojë se Shqipëria duhet të bëjë ende përpjekje të tjera të konsiderueshme për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat

–        Sundimi i ligjit, kjo do të thotë vazhdimi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (proçesi i vetingut), krijimi i strukturave të reja të drejtësisë,

–        Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë forcimin dhe lidhjen e  institucioneve në rrjet, si dhe krijimin e bilanci suksesi në të gjitha nivelet dhe zbulimin dhe konfiskimin e fondeve financiare në lidhje me korrupsionin;

  1. të sigurojë që Komisioni dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm të informojnë rregullisht për përparimin e reformave gjatë negociatave të pranimit, veçanërisht në këto fusha kyçe.

Gjykata spanjolle lejon zhvarrosjen e mbetjeve të ish-diktatorit Franco

Madrid

Gjykata Supreme e Spanjës sot mori vendimin me të cilin lejon zhvarrosjen e mbetjeve mortore të ish-diktatorit spanjoll, gjeneralit Francisco Franco, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria spanjolle më herët publikoi planin për zhvendosjen e mbetjeve mortore të Francos nga mauzoleu i madh “Valle de los Caidos” në ndonjë varrezë tjetër.

Familjarët e diktatorit Franco apeluan vendimin në Gjykatën e Lartë të Spanjës. Këshilli gjyqësor gjashtë-anëtarësh sot mori vendimin se mbetjet mortore mund të zhvarrosen nga monumenti i kompleksit i cili u ndërtua gjatë diktaturës së Francos dhe i cili sot përbën një atraksion të rëndësishëm turistik në periferi të Madridit.

Partitë majtiste dhe familjet e viktimave të luftës civile në Spanjë, prej kohësh kërkojnë largimin e mbetjeve mortore nga mauzoleu. Kundërshtarët e këtij plani pretendojnë se një veprim i tillë mund të hapë disa plagë të vjetra brenda shoqërisë spanjolle.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Trump nuk i ka bërë presion Zelenskiyt

Presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën se ai nuk ka thënë ndonjë gjë të gabuar gjatë një bisede telefonike që ka patur me presidentin e ri të Ukrainës. Sipas njoftimeve në media zoti Trump i ka kërkuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy të hetojë djalin e ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden, i cili po konkuron për të qenë kandidati i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Ndërkohë demokratët i kanë përforcuar kritikat ndaj presidentit për atë që ata e shohin si një përpjekje për të përfshirë një udhëheqës të huaj në një skemë për të dëmtuar kandidaturën e rivalit kryesor të zotit Trump në fushatën presidenciale.

Në një postim në twitter të shtunën në mëngjes zoti Trump shkruante se ai kishte zhvilluar një “bisedë normale e rutinore” më 25 korrik me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe se “nuk kishte thënë asgjë të gabuar”.

Zoti Trump akuzoi demokratët dhe median se kanë injoruar pretendimet kundër zotit Biden dhe se kanë krijuar një histori të rreme për të.

Sipas njoftimeve në media që i referohen personave që kanë dijeni mbi çështjen zoti Trump i kërkoi zotit Zelenskiy rreth tetë herë gjatë bisedës, që të hetohet djali i zotit Bidenit. Të njëjtat burime thonë se qëllimi i zotit Trump ishte që zoti Zelenskiy të bashkëpunonte me avokatin e tij, Rudolph Giuliani për një hetim që mund të minonte zotin Biden.

Ministri i Jashtëm ukrainas Vadym Prystaiko i mohoi shtunën njoftimet në media se zoti Trump i kishte bërë presion zotit Zelenskiy gjatë bisedës telefonike. Ai tha rrjetit televiziv ukrainas Hromadski se Ukraina nuk mban anë në politikën amerikane.

Zoti Trump dhe zoti Guiliani kanë kërkuar me javë të tëra një hetim të zotit Biden bazuar në njoftimet në shtyp gjatë këtij viti, që pretendojnë se një kompani energjitike ukrainase është përpjekur të sigurojë ndikim në SHBA, duke punësuar djalin e vogël të Bidenit, Hunter.

Demokratët e kanë dënuar atë që ata e shohin si një përpjekje të bashkërenduar për të dëmtuar zotin Bidenin. za

Shqipëria, Korea e Veriut e Europës Nga Christoph Dieckmann

 

Historiani gjerman: Enver Hoxha e shndërroi Shqipërinë në vend invalid, por për krimet e regjimit të tij s’flet askush, as nuk dënohet askush

 

Së fundi kanë qëndruar për vizitë në Shqipëri 20 shkencëtarë gjermanë, të cilët merren me trajtimin e së kaluarës. Qëllimi i vizitës ka qenë që me palën shqiptare të krijohen kontakte për bashkëpunim. Shkencëtarët kanë vizituar kampet e internimit në Spaç dhe Tepelenë, kanë qëndruar në Shkodër dhe kanë diskutuar me të mbijetuar të diktaturës së Enver Hoxhës. Pas kësaj vizite historiani Christoph Dieckmann ka shkruar një tekst të gjatë në gazetën DIE ZEIT të Hamburgut mbi historinë e Shqipërisë në shekullin e XX dhe trajtimin e së kaluarës komuniste – ose thënë më mirë: mungesën e gatishmërisë për të trajtuar krimet e komunizimit.

 

Dieckmann përshkruan fillimisht një vizitë në Spaç, dikur minierë e bakrit dhe qendër e kampit më të tmerrshëm të shfarosjes të ndërtuar më 1968 nga regjimi i Enver Hoxhës. Dieckmann e quan Spaçin «kamp përqendrimi». Në minierën e Spaçit punonin 1400 të burgosur. Më 1973 dhe 1985 në Spaç u shtypën dy kryengritje të të burgosurve. Shtatë udhëheqës të revoltës u vranë. Në vitin 1990 kampi u mbyll, më 2009 qeveria vendosi që në Spaç të hapë një muze. As sot e kësaj dite ky muze nuk është hapur. Fabian Kati, njëri nga të burgosurit në Spaç, thotë se shoqëria shqiptare nuk e sheh të domosdoshme të merret me trajtimin e diktaturës komuniste. Përse ishte dërguar në burgun e Spaçit Fabian Kati? Sepse me një antenë «kundërrevolucionare kishte dëgjuar pop-muzikë», e cila nga regjimi konsiderohej armike e klasave. Kati kishte përkthyer edhe tekste të këngëve, ky ishte mëkati i tij i radhës.

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann citon ish të burgosur të cilët thonë se një e treta e shqiptarëve janë përndjekur nga regjimi, Spaçi ka qenë Auschwitzi ynë, thotë një tjetër, dhe njëri shton: Auschwitzi u çlirua pas tri vitesh, Spaçi tek pas disa dekadave. Dieckmann përshkruan me ton telegrafik vërtitjen e Shqipërisë komuniste nga aleanca me Bashkimin Sovjetik te thellimi i raporteve me Kinën. Më 22 nëntor 1967 Radio Tirana njoftoi se Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë. 2035 objekte kulti u shkatërruan apo iu ndërrua destinimi, dinjitarët fetarë u vranë apo internuan, lutjet dënoheshin me masa drakonike. Mes alpeve shqiptare dhe Detit Jon u ndërtuan 173 mijë bunkerë. Shërbimi sekret Sigurimi nuk ndalej së zbuluari armiqtë klasorë, më 17 dhjetor 1981 kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në shtratin e tij. «Kur vdiq Enver Hoxha më 1985, ai la pas vetes një vend invalid, krejtësisht të izoluar. Pas autokratit pushtetin e mori zëvendësi i tij Ramiz Alia, pas diktaturës personale erdhi oligarkia partiake», shkruan Dieckmann.

 

Pushkatimi i Nikolai Çausheskut dhe gruas së tij në Rumani më 1989 i frikësoi komunistët shqiptarë, të cilët lejuan themelimin e partive politike. Më 1990 u themelua Partia Demokratike. Dieckmann shkruan: «Demokratët e rinj nuk kishin një Havel apo një Valensë. Ata nuk rridhnin nga skena e disidentëve, as nga lëvizja sindikale, as nga kisha e distancuar nga regjimi, as nga grupi i kuadrove të ekzilit. Të gjithë vinin nga sistemi i mbyllur, të gjithë ishin edukuar në frymën komuniste. Ky është totalitarizëm. Sot të dy partitë funksionojnë si sisteme klanore dhe klienteliste. Në Shqipëri qarkullon një maksimë: të majtit janë më të djathtë se të djathtit dhe e kundërta».

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann tregon hollësisht vrasjen e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihet në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Ajo sot është martire e kishës, martirë janë edhe 36 priftërinj dhe një imam. Vetëm në Shkodër regjimi burgosi 2890 njerëz, 601 i vrau, 136 vdiqën nga torturat. Në Shqipërinë diktatoriale u vranë 6000 njerëz. Pjerin Mirdita, i cili drejton një qendër memoriale në Shkodër, thotë se vrasësit e kohës së diktaturës as nuk përmenden, as nuk ndiqen penalisht. Nga vullneti i arsimtarëve varet nëse ata e tematizojnë diktaturën e Hoxhës në shkolla. Sipas Pjerin Mirditës shumë njerëz në Shqipëri kanë qejf të flasin për të arriturat e vendit në periudhën e Luftës së ftohtë. Pleqtë duan të harrojnë.

 

Rrugës për në Tepelenë, shkruan Dieckmann, shihen gra me shami të bardha duke punuar arat, burra me gomarë duke medituar, djem mbi mure duke përshëndetur me dorë, minare dhe një pikë karburanti, ku mes pastës së dhëmbëve dhe marmelatës së fikut gjenden CD me këngë që e lavdërojnë Enver Hoxhën. Tepelena, sipas historianit gjerman: para muzeut një përmendore e Ali Pashë Tepelenës, në muze kiç partizan, përfshirë një dhomë në kujtim të diktatorit Hoxha. Një pikturë revolucionare e paraqet atë duke e edukuar popullin, lart mbi luginë dhe lumë. Në Tepelenë Simon Mirakaj tregon historinë e tij: si u internua si fëmijë në kampin e Tepelenës, si pa dhe përjetoi vuajtje, vaj e vdekje – dhe Ilda Themeli, përkthyesja e shkencëtarëve gjermanë, kërkon një pauzë, sepse duhet të qajë.

 

Shumica e të internuarve në Tepelenë nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim, nuk ka dokumente për kampin e Tepelenës, s’ka as fotografi, ekzistojnë vetëm disa vizatime dhe tregime të të burgosurve. «Arkivi i diktaturës së Shqipërisë janë kujtimet e familjeve. Organizatat e viktimave punojnë të ndara në rajone, janë të fragmentuara, nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk ka diskurs kombëtar mbi diktaturën ose konsenzus mbi historinë», shkruan Dieckmann.

Në fund të vizitës Dieckmann flet edhe në emër të kolegëve të tij gjermanë, kur thotë: jemi të tronditur kur shohim se deri më sot në Shqipëri autoriteti i dosjeve të Sigurimit ka përpunuar dhe miratuar vetëm 1500 kërkesa për zbardhjen e dosjeve. Ligjin përkatës e ka miratuar qeveria socialiste e Edi Ramës, opozita demokrate nuk ka votuar, shoqatat e viktimave e quajnë ligjin «demagogji». Shqipëria, shkruan Dieckmann, është planet tjetër, s’mund të krahasohet me Gjermaninë e cila pas bashkimit është ballafaquar me të kaluarën komuniste të Gjermanisë Lindore./Përktheu Enver Robelli

 

 

Christine Lagarde merr mbështetjen e PE-së për të drejtuar Bankën Qendrore Evropiane

Parlamenti Evropian mbështeti emërimin e Christine Lagarde si presidente e ardhshme e Bankës Qendrore Evropiane.

Ky votim i hap rrugën asaj që të bëhet gruaja e parë që mban këtë post.

Ligjvënësit votuan 394 për, 206 kundër dhe me 49 abstenime në seancën e parlamentit në Strasburg.

“Christine Lagarde është një zgjedhje e shkëlqyeshme”, tha para votimit, Ludek Niedermayer, një ligjvënës i krahut të djathtë.

Lagarde nuk ishte e pranishme në seancë, pavarësisht ftesës për të marrë pjesë.

Lagarde ka drejtuar më parë Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Udhëheqësit e BE-së do të formalizojnë emërimin e saj për një mandat tetë vjeçar në një samit të rregullt në mes të muajit tetor.

Von der Leyen e mbron idenë e “Mënyrës Evropiane të Jetesës”

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Urusla von del Leyen, e mbrojti vendimin e saj për të emëruar në mesin e anëtarëve të rinj të KE-së një zyrtar përgjegjës për, siç thuhet, Mbrojtjen e Mënyrës Evropiane të Jetesës, edhe pse kritikët e cilësuan këtë si slogan të ekstremit të djathtë.

Von der Leyen reagoi pasi udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, e cilësoi emërimin e ri si “fitore ideologjike”.

Von der Leyen postoi në Twitter një pjesë nga Traktati i Lisbonës, i cili thotë se Bashkimi Evropian është i bazuar në vlera që përfshijnë respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Mënyra evropiane e jetesës gjithashtu nënkupton të dëgjoni dhe debatoni me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje për të mirën e përbashkët. Kjo është ajo që unë dua që ne të bëjmë së bashku”, tha ajo.

Von der Leyen e emëroi grekun Margaritis Schinas, ish-anëtar i Parlamentit Evropian, komisionar për Mbrojtjen e Mënyrës Evropiane të Jetesës.

Ekipi i saj do të marrë detyrën më 1 nëntor.

Italia lejon zbarkimin e 82 emigrantëve në portin e saj

Italia pranoi të lejojë anijen e shpëtimit “Ocean Viking” të zbarkojë 82 emigrantë në portin e Lampeduzës. Megjithatë, autoritetet italiane kërkojnë garancë që këta emigrantë të mos kenë Italinë si destinacionin e tyre të fundit, por të shpërndahen në vende tjera evropiane.

Ministri i ri i jashtëm italian dhe udhëheqësi i subjektit politik “Lëvizja Pesë Yjet”, Luigi Di Maio, theksoi se Italia ofroi ambient zbarkimi për anijen shpëtuese “Ocean Viking” vetëm pasi Evropa pranoi të marrë emigrantët afrikanë që ndodhen në anije.

“Është e qartë se edhe në të kaluarën, me qeveritë e mëhershme, qëllimi ynë ishte të sigurojmë që emigrantët që vijnë në Itali të shpërndahen në vende të tjera të Evropës. Tani është krijuar mekanizmi dhe kjo na mundëson të sigurohemi që kur një i huaj mbërrin në Itali me anije, të mund të dërgohet në vende evropiane”, tha ministri i jashtëm italian, Luigi Di Maio.

Anija shpëtuese “Ocean Viking” ishte në misionin e saj të dytë dhe po endej për dy javë mes Maltës dhe Italisë, duke kërkuar një port për të zbarkuar emigrantët.

Organizata “Mjekët Pa Kufij” e cila e drejton anijen bashkë me organizatën “SOS Mediterranee”, thanë se grupi i emigrantëve përbëhet nga 58 burra, 6 gra dhe 18 fëmijë.

Në misionin e saj të parë “Ocean Viking” shpëtoi 365 emigrantë.

Burime diplomatike thanë së fundmi se Italia është duke u munduar të krijojë një formë automatike të shpërndarjes së emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe, drejt vendeve evropiane.

Sipas shtypit në Itali, Franca dhe Gjermania i dhanë dritën e gjelbër sistemit të ri, sistem ky që do ta përfshinte edhe Luksemburgun, Maltën, Portugalinë, Rumaninë dhe Spanjën.

Statuja e mareshalit sovjetik shkakton përplasje diplomatike midis Rusisë e Çekisë

Statuja e Ivan Konevit në Pragë

Një votim në asamblenë e një qarku të Pragës për të hequr një statujë të mareshalit sovjetik Ivan Konev shkaktoi përplasje diplomatike midis Rusisë dhe Republikës Çeke.

Ministria e Jashtme e Çekisë thirri të premten në bisedë informative ambasadorin rus, për shkak të komenteve të një ligjvënësi në Moskë, të cilat e krahasonin kryetarin e qarkut Praga 6 – që ka votuar për heqjen e statujës – me nazistët.

Ministria e Jashtme e Rusisë e kundërshtoi këtë vendim, duke thënë se “nuk do të kalojë pa përgjigje”.

Disa e shohin Konevin, forcat e të cilit kanë çliruar pjesën më të madhe të territorit të Çekosllovakisë në Luftën e Dytë Botërore, si zbatues të rregullave sovjetike në Evropën lindore dhe qendrore, për shkak të rolit që ka luajtur pas konfliktit.

Statuja e komandantit ushtarak sovjetik është përdhosur disa herë – herën e fundit më 21 gusht, në përvjetorin e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, më 1968.

Por të tjerë e respektojnë dhe shpesh vendosin lule pranë saj.

Presidenti çek, Millosh Zeman, i cili ka marrëdhënie të ngushta me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin, tha se statuja duhet të mbetet në vend dhe e kritikoi propozimin e kryetarit të qarkut Praga 6, Ondrej Kolar, për largimin e saj.

Pika të reja për karikimin e automjeteve elektrike në Itali dhe Austri

Me 200 pikat e reja të karikimit të shpejtë, numri i stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike ka arritur në 400 në rrugët kryesore të distancave të gjata në Itali dhe Austri, njoftoi Enel, operatori i pikave të karikimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga pikat e reja, 180 janë të vendosura në Itali dhe 20 në Austri.

Pikat e reja të karikimit me kapacitet prej 50 kilovat do të jenë në gjendje të karikojnë plotësisht dy automjete njëkohësisht duke marrë rreth 30 minuta.

Stacionet e karikimit të shpejtë janë pjesë e një rrjeti të gjerë në Itali dhe Austri që “u mundëson shoferëve të udhëtojnë nga Siçilia në Austri me automjetet e tyre elektrike me vetëm ndonjë ndalesë të shkurtër dhe pa frikën se mos mbeten pa energji”, tha Enel.

Pikat e karikimit u instaluan si pjesë e programit “Arteriet e Automjeteve Elektrike”, projekt evropian për zhvillimin e lëvizshmërisë elektrike të nisur në vitin 2016.

Vjenë, në aeroport zbulohen 88 zvarranikë në bagazh

Vjenë

Në aeroportin ndërkombëtar Schwechat të Vjenës nga bagazhi i një australiani që jetonte në Filipine zbulohen 88 zvarranikë të gjallë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Ministria e Financave, një ditë më parë oficerët doganorë në aeroport gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhet e një udhëtari konfiskuan 88 zvarranikë të gjallë nga të cilët 43 prej tyre gjarpërinj helmues.

Po ashtu në deklaratë bëhet e ditur se 20 nga kafshët ishin gjallesa të rrezikuara nga zhdukja të cilët vinin nga Filipinet për t’u shitur në mënyrë të paligjshme në Gjermani.

Kafshët u dërguan në kopshtin zoologjik Schönbrunn në Vjenë dhe në qendrën e zvarranikëve në Klagenfurt. Ndaj personit që kryente trafikimin e kafshëve u hap hetim me akuzat për trafikim dhe tregti në mënyrë të jashtëligjshme të llojeve të kafshëve që jetojnë në natyrë.

Takimi i Vishegradit nën hijen e debateve për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten, se nuk mori pjesë në takimin e Vishegradit që i zhvilloi punimet në kryeqytetin e Republikës Çeke, për shkak të angazhimeve rreth zgjedhjeve në Kosovë.

Takimi i vendeve të Vishegradit ku bëjnë pjesë Çekia, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin e Evropës juglindore dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Vendimi i zotit Haradinaj për të mos marrë pjesë në këtë takim u publikua një ditë pasi që presidenti çek, Milosh Zeman, tha në Beograd se do të diskutojë me zyrtarët e lartë të vendit të tij për mundësinë e tërheqjes së njohjes së Kosovës, të cilën Çekia e ka njohur në maj të vitit 2008.

Por zoti Haradinaj në një postim në rrjetet sociale as që e përmendi këtë çështje si arsye për mospjesëmarrje.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 (grupi i Vishegradit) dhe WB6 (vendet e Ballkanit Perëndimor), nën kryesimin e Republikës së Çekisë. Përmes kësaj letre i kam shprehur falënderimet e sinqerta Kryeministrit të Republikës së Çekisë, z. Andrej Babis, për ftesën drejtuar Kryeministrit të Kosovës për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribuues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, shkroi ai.

Deklaratat e presidentit çek nxitën shumë reagime në Çeki, ku zyrtarë të qeverisë dhe senatit thanë se ideja e tij është joreale.

Të enjten kryeministri çek, Andrej Babish tha se “nuk sheh asnjë arsye që qeveria çeke të ndryshojë qëndrimin e saj” ndaj Kosovës.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e cilësoi joreale mundësinë që Çekia të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Të enjten ambasadori amerikan në Çeki, Stephen B. King, takoi në Pragë të ngarkuarin me punë në ambasadën e Kosovës, Arbër Vllahiu, sic shkroi ai në rrjetet sociale “për të ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për një Republikë sovrane e të pavarur të Kosovës, të integruar plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare”.

Në takimin e sotëm të grupit të Vishegradit, kryeministrat e vendeve anëtare të grupit miratuan një deklaratë në mbështetjen të zgjerimit të Bashkimit Evropian duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri çek tha se politika e zgjerimit është “instrumenti më efektiv për nxitjen e qëndrueshmërisë, sigurisë, demokracisë dhe përparimit në Ballkanin Perëndimor. Siguria në Ballkan gjithashtu nënkupton sigurinë në Evropë”, tha ai.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Tashmë Mali i Zi dhe Serbia i kanë të hapura negociatat, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia presin që kjo të ndodhë muajin e ardhshëm.

Rruga evropiane e Kosovës që shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë, varet nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre. Por procesi i bisedimeve është pezulluar që nga viti i kaluar kur Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së saj.

Presidenti çek dëshiron të rishqyrtohet njohja e Kosovës – kundërshtohet në Pragë (video)

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman, tha të mërkurën në Beograd se do të diskutojë me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, një veprim që nuk përkon me postin kryesisht ceremonial të tij.

Presidenti çek i cili po viziton Serbinë, tha një ditë më parë se nuk i pëlqen Kosova, pavarësia e së cilës është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë edhe 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Çekia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008.

“Nuk jam diktator, Por ajo që mund të bëj është se pas një muaji mblidhet këshilli kushtetues dhe unë do të shtrojë çështjen nëse është e mundur të tërhiqet njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha presidenti çek gjatë një konference me gazetarë bashkë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Ddeklaratat e presidentit 74 vjeçar, që është i njohur për qëndrime kundërthënëse, nxitën reagime në Çeki.

Presidenti i senatit çek, Jaroslav Kubera, u tha medieve në Çeki se presidenti Zeman bëri deklarata të tilla vetëm për t’u bërë qejfin serbëve, por ideja e tij është joreale. “Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, cituan mediet çeke presidentin e senatit.

Shefi i diplomacisë çeke Tomáš Petříček, tha se nuk sheh asnjë arsye për një debat të tillë dhe se kjo nuk do të ishte në interes të Republikës Çeke.

Në një postim në rrjetin social twitter ai shkroi se “qeveria çeke, që është përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës apo cilitdo vend të Ballkanit Perëndimor. Ne vazhdojmë të mbështesim bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”.

Duke i bërë jehonë këtij postimi, ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli shkroi se “Miqësia dhe partneriteti ynë është i fortë si guri. Ju bëj thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Nuk ka asnjë ç’njohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Unë i jam mirënjohës homologut tim Ministrit të Jashtëm Tomáš Petříček për mbështetjen e tij dhe të popullit dhe qeverisë së Republikës Çeke”.

Përfaqësues të opozitës në Çeki i dënuan deklaratat e presidentit Zeman duke theksuar se nuk është punë e tij të përzihet në vendimet e qeverisë.

Presidenti çek ishte kryeministër në vitin 1999 kur NATO-ja bombardoi Serbinë për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia ka marrëdhënie të mira me NATO-n.

“Do të përpiqemi gjithmonë të kemi marrëdhënie të tilla në të ardhmen në mënyrë që viti 1999 të mos ndodhë më. Plagët e popullit serb nga vitit 1999 ende nuk janë shëruar dhe sot është vështirë të gjesh dikë që ta kuptojë atë që NATO-ja ka bërë në vitin 1999”, tha presidenti serb.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës gati dyvjeçare. Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës, por aspiratat e të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë të kushtëzuara me një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh ndërmjet tyre.

Presidenti çek: “Nuk më pëlqen Kosova” (video)

Presidenti çek Milos Zeman u dëgjua duke thënë se “nuk i pëlqen” Kosova, ndërsa takohej me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç pas mbërritjes në Beograd të martën.


Zeman ndodhet në Serbi për një vizitë dy-ditore që pritet të përqendrohet në përmirësimin e lidhjeve tregtare midis dy vendeve.

Ai i tha zotit Vuçiç në aeroportin e Beogradit se “më pëlqen Serbia dhe populli serb”, duke shtuar më pas me zë të ulët: “dhe nuk më pëlqen Kosova”.

Serbia nuk e njeh deklaratën e pavarësisë së Kosovës, por Republika Çeke është ndër 22 vendet anëtare të Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën.

Vuçiç nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komentit të Presidentit Zeman, por u përgjigj “faleminderit shumë”.

Më vonë ata morën pjesë në një ceremoni për vendosjen e kurorës në Monumentin e Mbrojtësve të Beogradit 1914-1918. za

Zemërim në Gjermani për zgjedhjen e një “neo-nazisti” kryetar qyteti

Zyrtarë të lartë të partive qeverisëse në Gjermani shprehën zemërimin e tyre për, siç thanë, zgjedhjen e një neo-nazisti kryetar i një qyteti në shtetin Hese.

Stefan Jagsch, nga Partia Kombëtare Demokratike e ekstremit të djathtë, u zgjodh kryetar i qytetit Valdzidlung – pranë Frankfurtit – i cili ka rreth 2,650 banorë.

Jagsch nuk pati asnjë kundërkandidat dhe këshilltarët lokalë, që përfaqësojnë Demokristianët e kancelares Angela Merkel, partnerin e tyre qeverisës, Partinë Social-Demokrate, dhe Partinë e Demokratëve të Lirë, votuan për Jagschin.

Udhëheqësja e Demokristianëve, Annegret Kramp-Karrenbauer, kërkoi anulimin e zgjedhjeve.

Sekretari i saj i përgjithshëm, Paul Ziemiak, tha se “zgjedhja e një anëtari të një partie që ndjek synime antikushtetuese, është turp”.

Sekretai i përgjithshëm i Social-Demokratëve, Lars Klingbeil, tha se partia e tij ka qëndrim të qartë dhe se “nuk bashkëpunon me nazistët”.

Jagsch premtoi se “do të punojë për interesat e qytetit”.

Partia kryesore e ekstremit të djathtë në Gjermani është Alternativa për Gjermaninë.

Partia Kombëtare Demokratike është shumë më e vogël dhe ka fituar vende vetëm në asambletë rajonale.

Në vitin 2017, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vendosur kundër ndalimit të Partisë Kombëtare Demokratike, duke thënë se ajo është “antikushtetuese”, porse nuk është në gjendje të rrëzojë rendin demokratik të Gjermanisë.

Itali: Pas disfatës, Matteo Salvini përballet me sfida dhe shpreson rikthimin

Planet e populistit të ekstremit të djathtë të Italisë, Matteo Salvini për t’u bërë kryeministri i vendit, dështuan. Mbështetja e tij në sondazhe ka rënë që kur ai shkaktoi një krizë politike artificiale, me shpresën se mund të orkestronte zgjedhje të parakohshme, të fitonte dhe të siguronte siç ishte shprehur ai “fuqi të plota”.

Por e ka pësuar keq.

Zoti Salvini nuk e kishte marrë me mend që kryeministri në largim Giuseppe Conte do të bëhej rivali i tij i befasishëm. As që partnerët e tij të një koalicioni qeveritar jetëshkurtër dhe të trazuar, lëvizja anti-konformiste Pesë Yjet, do të arrinin një marrëveshje me Partinë Demokrate të krahut të majtë dhe do të binin dakord për një koalicion këtë javë me zotin Conte si kryeministër të ri.

Besnikët e tij tallen me idenë se Kapiteni, siç e quajnë atë do të mbetet i mënjanuar për një kohë të gjatë. Ata thonë se manovrat politike të shkollës së vjetër nga dy partitë – dikur armiq të betuar – thjesht po përgatit terrenin për kthimin e tij.

Ndërsa kabineti i ri me shtatë ministre femra dhe 11 ministra meshkuj bëri betimin, zoti Salvini, kreu i Partisë Lega, tha se forcat e errëta ishin pas formimit të qeverisë së re, duke thënë se “fuqi të forta” brenda Evropës ishin pas koalicionit të ri.

“Nuk do të zgjasë shumë,” shkruajti ai në Twitter. “Duhet të bëjmë opozitë në parlament, në sallat e qyteteve dhe sheshe, dhe kështu do të votojmë dhe fitojmë.”

Salvini thotë se ata që kanë frikë nga zgjedhjet mund t’i shpëtojnë një votimi për “tre ose gjashtë muaj”, por në fund do të duhet të përballen me një parti Lega që është e gatshme t’i ofrojë Italisë një qeveri “të fortë dhe koherente” dhe jo një të manipuluar nga elitat apo qeveritë e huaja. Besnikët e tij u entuziazmuan nga gjuha e tij luftarake.

Por edhe po të mos merren në konsideratë kërcënimet populiste të Salvinit, është e vështirë të mendohet se qeveria e re do të jetë më pak e trazuar se paraardhësja e saj.

Marrëveshja mes dy partive, nuk është një koalicion natyral dhe nuk është e qartë se sa kohë mund të qendrojnë për të sjellë një fare qetësie, pas dramës politike. E vetmja gjë që ata kanë të përbashkët është frika nga Matteo Salvini dhe një vendosmëri për të frenuar atë.

Një koalicion mes tyre, rrezikon të jetë një aleancë tjetër e pazakontë e paralizuar nga mosmarrëveshjet e brendshme, paralajmërojnë analistët. Ndërsa Partia Demokrate është pro Bashkimit Evropian, Pesë Yjet është skeptike dhe në një kohë donte të eliminonte Euron, megjithëse tani është pajtuar me të majtët për për të zbutur kritikat e saj ndaj BE-së.

Por ideja për të parë se çfarë po bën zoti Salvini po e humb interesin. Nxitja e krizës nga ana e tij që çoi në përjashtimin e tij nga korridoret e pushtetit ishte një gabim strategjik.

Ambicia dhe pompoziteti e bënë atë të humbte fokus.

Zoti Salvini përballet edhe me një rrezik tjetër. Prokurorët milanezë që dyshojnë se partia Lega kërkoi fonde të fshehta ruse, kanë të ngjarë të dyfishojë përpjekjet e tyre hetimore. Zoti Salvini i shpërfilli akuzat kur ato u shfaqën në fillim të këtij viti.

Sfidat e tjera ligjore mund ta dëmtojnë liderin e Legës.

Të enjten Salvini u vu nën hetim nga prokurorët në Romë me dyshimin e shpifjes për Carola Rackete, kapitenia gjermane e anijes së shpëtimit të Sea-Watch 3, e cila theu një bllokim detar të imponuar nga Salvini për të çuar në tokë emigrantë të shpëtuar. Hetimi pason një ankesë të paraqitur nga Rackete në korrik në të cilën kapitenia e anijes pretendoi se Salvini shpifi ndaj saj dhe kërkoi të ngjallte urrejtje ndaj saj. za

Skandal në Itali, djali i themeluesit “Lëvizja 5 Yjet” akuzohet për përdhunim në grup

ITALI

Në kohën kur dilemat u shuan për krijimin e qeverisë së re bashkë me Partinë Demokratike, “Lëvizja 5 Yjet” në Itali, po përballet me një tjetër skandal të rëndë.

Mediat italiane raportojnë se Ciro, djali 19-vjeçar i themeluesit të Lëvizjes si dhe komikut të famshëm Beppe Grillo, u akuzua orët e fundit për përdhunimin e një vajze së bashku me shokët e tij, veprim ky që dyshohet të jetë kryer brenda ambienteve të një vile në Sardenja, e cila është pronësi të familjes.

Siç raportojnë mediat fqinje, akuzuesja është një modele me origjinë skandinave. Sipas dëshmive të modeles në polici, ngjarja ka ndodhur pas një nate të gjatë ku të rinjtë kishin konsumuar shumë alkool.

Djali themeluesit të “Lëvizja 5 Yjet” së bashku me grupin e shokëve janë marrë në pyetje nga policia italiane, ndërsa iu janë sekuestruar edhe telefonat celularë.

Itali

Mediat shkruajnë se brenda telefonave është gjetur një video e aktit seksual, që sipas avokatëve, është një provë e fortë se gjithçka ka ndodhur sipas dëshirës së modeles me origjinë skandinave dhe nuk ka prova që provojnë akuzën e “përdhunimit në grup”.

Qeveria e re italiane bën betimin

Romë

Qeveria e re e koalicionit në Itali sot ka bërë betimin dhe filloi detyrën e saj nën kryeministrinë e teknokratit Giuseppe Conte.

Në një ceremoni të mbajtur në Pallatin Quirinale me praninë e presidentit Sergio Mattarella, Conte dhe 21 ministra të tjerë bënë betimin.

Takimi i parë i kabinetit të qeverisë pritet të mbahet sot në mbrëmje.

Conte, i cili javën e kaluar mori një mandat të ri nga Mattarella për të formuar qeverinë, të mërkurën njoftoi një koalicion të Lëvizjes populiste të Pesë Yjeve (M5S) dhe Partisë Demokratike të qendrës së majtë (PD), ndërsa ka mbajtur jashtë pushtetit drejtuesin e krahut të djathtë Matteo Salvini.

Lista e re e kabineteve përfshin 10 ministra nga M5S, nëntë nga PD, dhe një nga partia e ekstremit të majtë të Lirë dhe të Barabartë.

Gjithsej shtatë ministre gra do të shërbejnë në kabinetin e ri.

Luigi Di Maio, drejtuesi i partisë Pesë Yje, u emërua ministër i Jashtëm, ndërsa Lorenzo Guerini i PD mori rolin e ministrit të Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme shkoi te Luciana Lamorgese, ish-guvernatore e Milanos.

Tensionet brenda koalicionit të mëparshëm midis Partisë së ekstremit të djathtë të Ligës dhe Pesë Yjet ishin ngritur nga projekti infrastrukturor që përfshinte lidhjen hekurudhore me shpejtësi të lartë me Francën.

Të dyja partitë fajësuan njëra-tjetrën për ndarjet e thella në koalicion, duke bërë që Salvini të ftonte në zgjedhje të reja dhe t’i jepte fund qeverisë së koalicionit.

Partia Pesë Yjet dhe Liga formuan qeveri koalicioni në qershor të vitit 2018 nën udhëheqjen e Conte-s. aa

U dogj brenda makinës pas aksidentit, detaje tronditëse nga vdekja e futbollistit shqiptar

Detaje tronditëse janë zbardhur nga vdekja e futbollistit shqiptar nga Kosova, Amir Ademi, teksa u përfshi në një aksident rrugor në Gjermani. 22-vjeçari humbi tragjikisht jetën mbrëmjen e kaluar, ndërsa pas aksidentit makina e tij u shkrumbua e tëra, bashkë me trupin e të riut. Ademi luante për FC Kosova Regensburg dhe ishte konsideruar një talent i shkëlqyeshëm.

Fitim Ademaj, i cili e mori FC deri vonë në një rol drejtues, ishte dukshëm i tronditur nga ngjarja e rëndë. Prandaj, ai e kishte të vështirë të gjente fjalët e duhura, shkruajnë mediat gjermane. Aftësitë e futbollit të Ademit ishin të padiskutueshme. “Amiri ishte talenti më i madh që ka pasur FC Kosova. Ai ishte tepër i fortë teknikisht, një futbollist i çmendur dhe një pasuri për ekipin”, thotë ai.

I gjithë FC Kosova Regensburg është thellësisht i tronditur nga lajmi. “Ashtë një humbje e çmendur. Amir ishte veçanërisht i popullarizuar, një diell në ekip. Amiri do të qëndrojë gjithmonë në zemrat tona”, thotë Fitim Ademaj. Klubi i shpreh ngushëllimet familjes në këto orë të vështira. Amir Ademi lë pas prindërit e tij një motër dhe një vëlla më të vogël.

E humb mandatin e deputetit për shkak të deklaratave raciste

Flamuri i Sllovakisë

Një ligjvënës i djathtë në Sllovaki e ka humbur mandatin në parlament, pasi Gjykata Supreme e vendit la në fuqi dënimin e tij për racizëm.

Gjykata Supreme e Sllovakisë, të martën, mbajti në fuqi dënimin e një gjykatë më të ulët, e cila kishte vendosur që, Milan Mazurek i Partisë Popullore “Sllovakia Jonë” ka bërë komente raciste dhe të paligjshme ndaj komunitetit rom, gjatë një transmetimi në radio më 2016.

Në deklaratat e tij ai fliste për një “terror rom” duke thënë se romët “kurrë nuk kanë bërë asgjë për kombin”.

Mazurek u deklarua i pafajshëm dhe apeloi dënimin e tij, vitin e kaluar.

Gjykata Supreme e gjobiti atë me 10.000 euro, duke dyfishuar dënimin e gjykatës së ulët.

Mazurek është ligjvënësi i parë sllovak që humb mandatin pas një dënimi penal.

Anëtarët e partisë së tij përdorin përshëndetjet naziste, fajësojnë romët për krim, e quajnë NATO-n një grup terrori, dhe dëshirojnë që Sllovakia të largohet nga aleanca dhe Bashkimi Evropian.

Polonia shënon 80-vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Zëvendës Presidenti i SHBA Mike Pence iu bashkuan udhëheqësve polakë për të përkujtuar 80 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore në Poloni, ku konflikti i kaluar është ende një çështje e ndjeshme politike.

Pak vende panë vdekje dhe shkatërrim në përmasat e Polonisë, e cila humbi një të pestën e popullsisë, përfshirë shumicën dërrmuese të 3 milion qytetarëve të saj hebrej.

Pas luftës, kryeqyteti i saj i shkatërruar Varshava u desh të ngrihej përsëri nga gërmadhat dhe Polonia mbeti nën sundimin sovjetik deri në vitin 1989.

Ceremonitë filluan në qytetin e vogël Wielun, ku nisën bombardimet e para të luftës, më 1 shtator 1939.

Disa politikanë polakë kanë kërkuar dëmshpërblime lufte nga Gjermania, një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Polonisë. Berlini thotë se të gjitha pretendimet financiare që lidhen me Luftën e Dytë Botërore janë zgjidhur.

Presidenti Trump e anuloi vizitën e planifikuar në Poloni, sepse siç tha, i duhej të qëndronte në SHBA për shkak të uraganit që po afron.

Qeveria e tanishme polake shihet si një ndër aleatet më të ngushta të Uashingtonit në Evropë. Presidenti Trump ka thënë se do ta realizojë vizitën një herë tjetër në të ardhmen e afërt. za

Ministrat e BE-së diskutojnë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Komisionari për zgjerim dhe fqinjësi i BE-së, Johannes Hahn.

Në Helsinki të Finlandës të premten zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Pritet që në këtë takim të dominojë tema e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas arritjes në Helsinki, Komisionari për zgjerim dhe fqinjësi i BE-së, Johannes Hahn ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për perspektivën evropiane të rajonit.

Ai ka thënë se Kosova duhet të heqë tarifat prej 100 për qind në mallrat ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Serbia duhet të heqë dorë nga fushata kundër Kosovës.

“Të dyja palët duhet të bëjnë disa hapa në drejtim të njëra tjetrës, dhe pastaj mund të gjejmë një zgjidhje. Kjo nuk është e pamundur”, është shprehur Hahn.

Kosovën në këtë forum po e përfaqëson, ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Burime nga presidenca finlandeze, të cilët organizuan këtë takim, theksuan se ata nuk pajtohen me vërejtjet e palës serbe për pjesëmarrjen e barabartë të zyrtarëve të Prishtinës në takim, pasi ky është një takim joformal ku do të diskutohen tema me rëndësi të madhe për të gjithë rajonin.

Në nëntor të vitit të kaluar, autoritetet e Kosovës kanë vënë taksë 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Këtë veprim, presidenti serb, Aleksadar Vuçiq e ka përmendur vazhdimisht kur ka arsyetuar pezullimin e bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes këtyre dy shteteve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian ka filluar më 2011.


Send this to a friend