VOAL

VOAL

Profesori Nezir Kraki: Anti-amerikan është Edi Rama, jo Sali Berisha

Profesori Nezir Kraki i cili vepron në Paris, vlerëson se antiamerikan është Edi Rama, jo Sali Berisha, ndërsa rendit edhe arsyet e këtij mendimi.

“Sepse veprimet dhe planet e tij politike janë prej kohesh në kundërshtim me interesat gjeostrategjike amerikane në Evropë e Ballkan. Ndarja e Kosoves, Ballkani i hapur, defaktorizimi i popullit shqiptar në rajon atj… janë veç disa nga angazhimet antiamerikane dhe pro serbe (e pro ruse) të Edi Ramës. 

Ku ku ka më antiamerikanizem sesa t’ia hapësh rrugët dhe ujërat e Shqipërisë ndikimit ruso-serb ne kohën kur Serbia e Rusia janë dakordu për destabilizime rajonale nga Bosna deri ne Ukrainë?!”, ka shkruar ai në reagim.

Ai ka shtuar se nuk je antiamerikan nëse ke mospajtim me një ambasadore apo diplomat.

Linja politike i përcakton aleancat, jo miqësia personale në korridoret e ambasadave, shton profesori.

“Prandaj, siç e thash para disa ditëve në një debat, shumë shpejt edhe Departamenti i shtetit do ta kuptojë që linja politike e Sali Berishes mbetet linja e vetme 100% e perputhshme me interesat amerikane dhe ato shqiptare. Sepse Sali Berisha ka qenë dhe mbetet politikani më vizionar sa i përket rreshtimit strategjik të shqiptarëve. Ka qenë dhe mbetet mbrojtësi më i madh i projektit më të madh amerikan të ketyre 30 viteve: Kosovës shtet. 

Sali Berisha është aset kombetar të cilin shqiptarët s’e kanë luksin ta mohojnë e nëpërkëmbin veç se një Kim, nje Dell apo një Grenell nuk ndihen komod në misionet e tyre pa qartesi diplomatike.  

Nuk hudhen në harresë 30 vite veprim publik me një tweet qorrazi të publikuar në dhunim të çdo parimi bazë demokratik”, ka shkruar mes të tjerash Kraki në postim të tij në Facebook.

 

“Serbia e ka humbur Kosovën”! Zbardhet debati i ashpër në PE, eurodeputeti francez: Ky parlament e njeh Prishtinën!

Parlamenti Evropian shprehu të enjten shqetësim të thellë për shkeljet e të drejtave të njeriut të punëtorëve vietnamezë në Serbi, dhunën kundër protestuesve mjedisorë dhe ndikimin në rritje të Kinës në vend. Eurodeputeti francez, Thierry Mariani, në emër të grupit të djathtë Identiteti dhe Demokracia, i kritikoi BE-në për qëndrimin e saj ndaj Serbisë.

Përveç kritikave ndaj autoriteteve serbe për përpjekjet për të shtypur protestat, mosrespektimin e standardeve evropiane të drejtave të punës dhe afërsinë me Kinën, disa ligjvënës evropianë kritikuan gjithashtu hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për afrimin e Serbisë në BE në rrethanat e krijuara.

Eurodeputetët paralajmëruan gjithashtu për shkelje të drejtave të njeriut të rreth 500 punëtorëve vietnamezë në kantierin e ndërtimit të fabrikës Linglong në pronësi kineze në Zrenjanin.

Punëtorëve vietnamezë thuhet se iu morën pasaportat dhe u detyruan të jetonin në kushte çnjerëzore.

Prandaj, ligjvënësit evropianë paralajmëruan se Serbia po i jep Kinës dhe industrialistëve kinezë gjithnjë e më shumë privilegje ligjore në vend, edhe kur ato janë në kundërshtim me ligjet e BE-së, dhe shprehën shqetësimin për ndikimin në rritje të Kinës në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Tonino Picula, eurodeputeti kroat nga socialistët (S&D) dhe njëri nga bashkautorët e propozim rezolutës, tha në një debat në Parlamentin Evropian se “në Serbi nuk janë të pakta rastet e ndikimeve të jashtme përmes investimeve të dyshimta që nuk janë në përputhje me ato evropiane, e të cilat rezultojnë me punë të detyrueshme”, transmeton Index.hr.

“E gjithë kjo me mbështetjen e drejtpërdrejtë të strukturave qeverisëse që krahasojnë protestuesit mjedisorë me fashistët, ndërsa huliganët e mbrojtur nga policia mbrojnë muralet për kriminelët e dënuar për krime të luftës”, shtoi Picula, duke treguar se çfarë është thënë edhe në amendamentin e tij në propozimin e rezolutës.

“Vendimi i Komisionit Evropian për hapjen e një grupi negociatash mjedisore me Serbinë pas sulmeve të dhunshme të huliganëve të Vuçiçit ndaj protestuesve nuk e ndihmon besueshmërinë e BE-së”, tha Picula.

Viola von Cramon – Taubadel nga të Gjelbrit, gjithashtu bashkëautore e propozimit të rezolutës, tha se protestat në Serbi nuk kishin të bënin vetëm me mbrojtjen e mjedisit dhe ligjin e referendumit, por edhe me luftën kundër korrupsionit të përhapur dhe theksoi se BE nuk duhet të bëjë kompromis me standardet për vendet që hyjnë në BE.

Deputeti kroat Tomislav Sokol, në emër të Partisë Popullore Evropiane, tha se situata aktuale tregon faktin se “Presidenti Vuçiç kurrë nuk ka qenë realisht besnik ndaj ideve dhe vlerave evropiane”.

“Protestat paqësore shoqërohen me incidente dhe provokime, konflikte sporadike, shtytje dhe përleshje të shkaktuara nga grupe provokatorësh dhe përkrahësve të qeverisë, me mungesë të dukshme të policisë me uniformë. Është e qartë se Partia Progresive Serbe në pushtet kërcënon të drejtat politike dhe liritë civile. në Serbi”, paralajmëroi Sokol.

Eurodeputeti francez Thierry Mariani, në emër të grupit të djathtë Identiteti dhe Demokracia, kritikoi BE-në për qëndrimin e saj ndaj Serbisë.

“Komisioni i kërkon Serbisë dispozita që nuk janë në marrëveshje të tjera”, tha ai.

“Serbia e ka humbur Kosovën dhe ky parlament e njeh Prishtinën. Të gjithë investitorët ndërkombëtarë, rusë, kinezë e të tjerë, ju doni të jenë në vartësi të Brukselit, nuk po e mbroni konkurrencën e ndershme në BE”, komentoi Mariani.

Mariani kërkoi që të zhvillohet një dialog i ndershëm me Serbinë dhe që BE “të mos ndjekë ideologjinë e saj në vendet e treta”. bw

Parlamenti Evropian kërkon hapjen e arkivave të ish-Jugosllavisë për shkak të lidhjeve mes krimit e politikës

RFE/RL

Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian më 15 dhjetor, vonë në mbrëmje votuan raportin për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Me këtë dokument, po ashtu, kërkohet që shtetet e rajonit t’i hapin arkivat e ish-Jugosllavisë.

Në dokumentin e miratuar, eurodeputetët u bënë thirrje qeverive të shteteve të rajonit që t’i shtojnë përpjekjet në drejtim të reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për këtë raport votuan 531 eurodeputetë, ndërsa 48 ishin kundër dhe 117 abstenuan.

Në raportin e miratuar thuhet se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë “shtete të prejardhjes, destinacionit dhe transitit me qenie njerëzore dhe shërbejnë si korridore transiti për emigrantët e refugjatët, por po aq janë edhe zona për shpëlarje të parave dhe tregti me armë zjarri”.

Në dokument, ndër tjerash, thuhet që “deputetët e Parlamentit Evropian, të vetëdijshëm për akuza për lidhjet ndërmjet figurave të larta politike dhe grupeve të krimit të organizuar, nëpërmes këtij raporti, theksuan nevojën që të çrrënjosen lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes masave të qarta të mbrojtjes nga korrupsioni dhe me ndjekje efikase penale të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë”.

“Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës e biznesit ekzistonin edhe para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe vazhduan deri në fund të konflikteve në vitet ’90, derisa deputetët e Parlamentit Evropian dënuan mungesën e qartë të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse në rajon që të hapin arkivat e ish-Jugosllavisë dhe dosjet t’u kthehen qeverive nëse ato duan”, shkruhet në dokument.

Po ashtu, theksohet nevoja që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të këmbejnë informatat e inteligjencës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.

Autori i dokumenti, deputeti evropian, Lukas Mandl, pas miratimit të këtij raporti deklaroi se krimi i organizuar dëmton besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të tyre publike.

“Andaj, kjo paraqet pengesë të madhe për shoqëritë në Ballkanin Perëndimor që të zhvillojnë shtetet dhe ekonomitë e tyre. Bashkimi Evropian nuk mund të përdorë krimin e organizuar si arsyetim për shtyrjen e procesit të zgjerimit, por duhet të qëndrojë krahas popujve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, porositi Mandl.

Deputetët e Parlamentit Evropian me këtë raport të miratuar u pajtuan që lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë procese të cilat fuqizohen mes vete, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të përshpejtojë procesin e integrimit.

Në këtë kontekst, meqë izolimi nxit aktivitetet kriminale, deputetët e Parlamentit Evropian po ashtu i bënë thirrje Këshillit që pa shtyrje të mëtutjeshme të miratojë liberalizmin e vizave për Kosovën.

Faktorët kryesorë që shoqëritë e Ballkanit Perëndimor i bëjnë të ndjeshme, sipas raportit, janë mungesa e mundësive për punësim, korrupsioni, dezinformatat, elementet e kapjes së shtetit, pabarazia dhe përzierja e regjimeve jodemokratike siç janë Rusia dhe Kina.

Në përputhje me këtë, sipas eurodeputetëve, Bashkimi Evropian do të duhej që t’i përkrahte këto përpjekje nëpërmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik.

Solange d’ANGELY misionarja franceze në Shqipninë e pas viteve ’90 Nga Denata Rroji

Solange d’ANGELY dhe jeta e saj

Solange d’Angely është e bija e francezit Robert d’Angely, i cili si të ishte një Rilindas shqiptar i vërtetë iu përkushtua gjuhës shqipe. Robert d’Angely u martua me vajzën shqiptare që quhej Maria. Ajo ishte e bija e doktor Josif Bënjës nga Përmeti dhe frut i dashurisë së tyre ishte Solange d’Angely.

Në moshën 20 vjeçare, Solange u diplomua në degën “fizikë-kimi-biologji” në Fakultetin e Shkencave në Paris. Dhe në 1953, ajo u regjistrua në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë në Paris,falë rezultateve të shhkelqyera fitoi bursë studimi. Më 26 tetor 1965, ajo përfundoi me sukses Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Parisit shoqëruar me certifikatën e studimeve me specialitet pediatrinë, e cila i dha asaj statusin e specialistit në pediatri.

Më 8 qershor 1966, ajo mbrojti tezën e saj mbi “Apneat e foshnjave të parakohshme” dhe në të njëjtën ditë mori diplomën shtetërore të doktorit të mjekësisë.

Solange d’ANGELY dhe Shqipëria e saj

 

Më 15 qershor 1971, Dr. Solange d’Angely erdhi në Shqipni me nanën e saj, Maria Bënja, e cila u kthye për herë të parë në vendin e saj të lindjes, të cilën ajo nuk e kishte parë që nga viti 1924. Nanë dhe bijë u prekën shumë nga situate e Shqipërisë së asaj kohe. Por vetëm në vitin 1991, me ranien e diktaturës komuniste, Dr Solange d’Angely vendosi të rikthehej me ide të qarta, me një përkushtim prej idealisteje për tí dhuru vendit amë energjinë e saj të mbledhun ndër vite, në pamundësi për me e dhanë, atë ndihmë që veçanërisht fëmijët e vegjël të sëmurë kishin nevojë.

Në vitin 1991, ajo themeloi shoqatën e parë humanitare, e cila u qujt “Bashkëpunimi Arsimor dhe Mjekësor për Fëmijët e Shqipërisë” me akronim CEMPEA. CEMPEA synonte të jepte kontribut në fushat: e shëndetit, arsimit dhe trajnimit, për të përmirësu kushtet e jetesës së fëmijëve në Shqipëri.

Po në këtë vit, Dr. Solange d´Angely organizoi “Ditët e para Pediatrike Franko-Shqiptare” në Tiranë (Shqipëri), nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës dhe në bashkëpunim me pediatrinë shqiptare si dhe të ndihmesës së pakufi të atashesë së kulturës në Ambasadën Franceze në Tiranë zonjës Evelyne Noygues .

D´Angely, shumë shpjet u bë aktorja kryesore në organizimin e kongreseve pediatrike, të cilat ndoqën njëra -tjetrën nga viti 1992- 2007 për të promovua mjekësinë, forcu shkëmbimet mes kolgëve francezë me ato shqiptarë. Gjithashtu CEMPEA, në drejtimin e Dr. Solange d´Angely, arriti të mbledhë dhe bashkojë energjitë e partnerëve të shumtë për të shpërndarë ndihma humanitare me ilaçe dhe pajisje mjekësore, rroba dhe qumësht, nga 1992 -1996.

Kjo grua e fuqishme, me një personalitet të admirueshëm dhe të besueshëm që kishte krijuar ne shoqërinë e lartë franzeze, në rrethet intelektuale, te profesorët e mjeksisë si dhe në rrjetet administrative, kjo grua me zemër të madhe, organizon pritjen e fëmijëve shqiptarë në spitalin De Paris për vite të tëra, duke fillu nga viti 1993- 2004, për kujdes të specializuar që nuk mund t’ju ofrohej në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, vizionarja Dr. Solange d´Angely, nëpërmjet CEMPEA, vokumin e mungesës së specialiteteve në mjeksinë shqiptare, arrin ta plotësojë duke siguruar mundësi trajnimi të disa pediatërve shqiptarë në Francë në fushat e gjenetikës molekulare dhe të biologjisë, reumatologjisë, pediatrisë dhe imunologjisë.

E ndër arritjet e saj më të mëdha, që mjeksia dhe populli shqiptar i përulet është se siguroi mbështetjen vendimtare në lidhje me ekzaminimin që në paralindje të diagnozës të beta-talaseminë, sëmundjes gjenetike që prek 10% të popullsisë në Shqipëri, si dhe arriti në bashkëpunim me autoritete shqiptare të përurojë të parin laborator të biologjisë molekulare dhe gjenetikës, brenda qendrës spitalore universitare (CHU) të “Nëna Tereza” në Tiranë në vitet 2005.

Kontributi madhështor i Dr. Solange d´Angely nuk njeh pengesa as kufinj të ndarë mes tokave shqiptare, nga viti 2007 ajo udhëhoqi projektin në mbështetje të fëmijëvë nga Shqipëria dhe Kosova me patologji komplekse duke iu mundësuar prindërve të tyne të merrnin shërbim të specializuar nga profesionistë francezë të kujdesit shëndetësor.

E emëruar me dekret në Gazetën Zyrtare franceze, më 1 Janar 2010, Dr .Solange d’Angely u dekorua me Kryqin e Kalorësit të Legjionit të Nderit franceze nga Profesor Gérard Lenoir, më 5 maj 2010, për iniciativën e saj qytetare në fushat e shëndetësisë, arsimit , aksion social dhe humanitar.

Asnjë nga Presidentë shqiptarë nuk u kujtua tí dekorojë kësaj misionareje urdhër mirënjohjeje.

Porse të gjithë ne I përulemi kësaj zonje të klasit francez e me zemër shqiptare, tani 88-vjeçare Solange d’Angely të shijojë pushimin e merituar të rrethuar nga familja dhe miqtë, rrethuar dhe me mirënjohjen tonë të thellë, por të pamundur deri më tani edhe institucionalisht.

 

Gjermania dëbon dy diplomatë rusë

RFE/RL

Gjermania dëboi dy diplomatë rusë pasi një gjykatë në Berlin shpalli fajtor një shtetas rus për vrasjen e një militanti çeçen më 2019 në Berlin, pas urdhrit të marrë nga Moska.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha më 15 dhjetor se ambasadori rus në Gjermani, Sergei Nechayev është njoftuar për dëbimin e diplomatëve.

Përfshirja ruse në vrasjen e Tornike Kavtarashvili më 2019 ishte “shkelje e rëndë e ligjeve gjermane dhe sovranitetit të Gjermanisë”, tha Baerbock.

Gjykata në Berlin tha se autori i vrasjes së Kavtarashvili ishte 56-vjeçari Vadim Krasikov, i njohur edhe me emrin Vadim Sokolov.

Vraja e Kavtarashvili në Berlin kishte përkeqësuar raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë. Por gjykata tha se vendimet e saj nuk janë ndikuar nga raportet politike midis Berlinit dhe Moskës.

Krasikov dyshohet se është agjent i shërbimit sekret rus, FSB.

Prokurorët thanë se Moska e kishte urdhëruar vrasjen sepse Kavtarashvili, që njihej edhe si Zelimkhan Khangoshvili, ishte komandant i separatistëve në Kaukazin Verior në periudhën ndërmjet vitit 2000 dhe 2004.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte cilësuar Khangoshvilin si “bandit” dhe terrorist.

Prokurori federal, Nikolaus Forschner gjatë gjykimit argumentoi se nuk ishte e rëndësishme nëse viktima ishte terrorist, pasi ai kishte qenë azilkërkues në Gjermani që prej vitit 2016 dhe sipas prokurorit, Khangoshvili nuk paraqiste rrezik që do të justifikonte vrasjen e tij.

Forschner e akuzoi udhëheqjen ruse për “shpërfillje të sundimit të ligjit” dhe shkelje të sovranitetit të Gjermanisë.

Ambasada ruse në Gjermani tha se vendimi i gjykatës ishte “i motivuar politikisht” dhe ky vendim do të komplikojë edhe më shumë raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë.

Bruksel, 900 euro shpërblim për ata që heqin dorë nga automjeti privat

Bruksel

Ata që jetojnë në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, nëse heqin dorë nga automjetet e tyre private, do të kenë mundësi të marrin një shpërblim deri në 900 euro, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qyteti i Brukselit ka përgatitur një projekt pilot për të mbështetur transportin e qëndrueshëm dhe për të rritur cilësinë e ajrit.

Në përputhje me këtë, ata që jetojnë në Bruksel dhe që nga prilli i vitit 2021 heqin targat e automjeteve private, do të marrin mbështetje financiare.

Këta persona do të marrin një premio prej 500 deri në 900 euro në varësi të të ardhurave të tyre vjetore.

Kjo premio mund të përdoret edhe për anëtarësim sa i përket transportit publik të qytetit, por edhe për mundësi alternative, ndër të cilat është përdorimi i taksive.

Ata që dëshirojnë do të mund të përdorin sistemin e ndarjes së automjeteve, marrjen me qira të skuterëve dhe biçikletave elektrike.

Franca do të hapë arkivat e saj të Luftës Algjeriane për Pavarësi

Franca do të bëjë publike 15 vite përpara nga data e caktuar një pjesë të arkivave zyrtare shtetërore lidhur me Luftën Algjeriane për Pavarësi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Kulturës, Roselyne Bachelot në një deklaratë për BFMTV tha se 15 vite përpara datës së caktuar do të hapin arkivat lidhur me hetimet gjyqësore të policisë dhe xhandarmërisë në luftën 1954-1962 në Algjeri.

Duke mbrojtur idenë e saj se të vërtetat historike në fjalë janë manipuluar, Bachelot tha se kanë arritur në këtë vendimmarrje për të parandaluar shtrembërimet dhe për t’u përballur me çështjen.

Në pyetjen nëse vendimi për hapjen e arkivave mund të rezultojë me mundësinë e zbulimit të veprimeve torturuese të ushtrisë së Francës në Algjeri, ministrja franceze tha se pranimi i kësaj do të jetë në dobi të Francës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron në një deklaratë në muajin mars premtoi hapjen e rrugës për të arritur qasje në arkivat e fshehta më të vjetra se 50 vite lidhur me Luftën e Algjerisë për Pavarësi.

Në anën tjetër ka tërhequr vëmendjen se deklaratat e ministres së Kulturës janë bërë dy ditë pas vizitës zyrtare që ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian zhvilloi në Algjeri.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan pasi Macron pretendoi se historia e Algjerisë nuk është e bazuar në të vërteta, se ajo është ndërtuar mbi armiqësinë ndaj Francës dhe pas cilësimit të dominimit Osman në vend si “kolonializëm”.

Deklaratat e Macron-it u pritën me reagime të shumta në Algjeri si nga pala zyrtare ashtu edhe nga pala civile.

Kryediplomati i Ukrainës: Shumë ushtarë rusë do të vriten nëse Rusia sulmon Ukrainën

Londër

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmitro Kuleba, ka deklaruar se një numër i madh i ushtarëve rusë do të vdisnin nëse Rusia vendos të pushtojë Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kuleba qëndron për vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, ndërsa për Sky News në Londër tha se Ukraina po bashkëpunon me aleatët, si SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, në mënyrë që të pengojë Rusinë nga përpjekjet për të sulmuar me qëllimin për të pushtuar Ukrainën.

“Ushtria ukrainase është e gatshme të mbrojë atdheun e saj. Aleatët tanë mund të përgjigjen me sulme ekonomike, ndërsa ne do të luftojmë në terren. Më vjen keq ta them këtë, por një numër i madh ushtarësh rusë do të vriten dhe shpresoj që edhe presidenti rus (Vladimir) Putin nuk e dëshiron këtë”, tha Kuleba.

Duke theksuar se Ukraina po ndjek një qasje tredimensionale për të penguar Rusinë duke dërguar mesazhe politike, duke inkurajuar sanksionet dhe duke forcuar bashkëpunimin ushtarak me aleatët, Kuleba tha se Ukraina shpreson në mbështetjen e NATO-s, por nuk pret që trupat e NATO-s të luftojnë nëse përpjekjet për të penguar Rusinë dështojnë.

“Ajo që ne duam për momentin është të shmangim luftën ose nëse nuk kemi zgjidhje tjetër, të na ndihmojë të forcojmë ushtrinë tonë nëse Rusia e dëshiron atë luftë”, u shpreh Kuleba.

Lirohet i arrestuari në Francë për vrasjen e gazetarit Khashoggi

RFE/RL

Autoritetet franceze më 8 dhjetor kanë liruar një burrë saudit të cilin e arrestuan gabimisht një ditë më parë nën dyshimet se ishte i përfshirë në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, në Stamboll para tre vjetësh.

Khaled al-Otaibi u arrestua nga policia kufitare franceze në aeroportin e Parisit, Charles-de-Gaulle më 7 dhjetor para se të udhëtonte në Riad.

Ai u vendos në paraburgim dhe pritej të paraqitej në gjykatë më 8 dhjetor.

Sidoqoftë, al-Otaibi është liruar sepse autoritetet franceze kuptuan që e kishin ngatërruar personin pas njoftimit të Ambasadës saudite në Paris, e cila njoftoi se “personi i arrestuar nuk kishte fare të bënte me rastin e Khashoggit”.

Më pas Prokuroria në Paris po ashtu njoftoi se pas verifikimeve është konstatuar se i arrestuari nuk ishte personi i kërkuar për vrasjen e gazetarit saudit.

Khashoggi, kritik i madh i Qeverisë saudite i cili jetonte në SHBA ishte vrarë në tetor të 2018-s pasi hyri në Konsullatën saudite në Stamboll për të rregulluar disa dokumente personale në mënyrë që të martohej.

Sipas zyrtarëve turq, një njësi speciale saudite ishte duke e pritur për ta vrarë. Trupi i tij asnjëherë nuk u gjet.

Vrasja kishte shkaktuar zemërim global dhe dëmtoi dukshëm imazhin e Arabisë Saudite dhe sundimtarit të saj Princit Muhammad bin Salman.

Deri tani tetë persona janë dënuar për vrasjen e gazetarit, nga Gjykatata saudite në vitin 2019. Pesë prej tyre u dënuan me vdekje por më pas dënimet u ndryshuan në 20 vjet burgim, derisa tre të tjerë u dënuan me nga 7 deri në 10 vjet burgim.

Edhe në Turqi filloi gjykimi në mungesë i 20 personave nga Arabia Saudite për këtë vrasje. 6 persona më pas u liruan.

Olaf Scholz zgjidhet kancelar

VOAL – Në Gjermani, epoka e Merkelit përfundon sot (e mërkurë), me zgjedhjen dhe betimin e socialdemokratit Olaf Scholz, i cili merr detyrën nga Bundeskanzlerin dhe bëhet kancelari i ri i Republikës Federale të Gjermanisë. Olaf Scholz u zgjodh nga Bundestagu me 395 vota. Kanë votuar 707 deputetë.

Socialdemokrati 63-vjeçar do të udhëheqë koalicionin e ashtuquajtur “semafor” (i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe Liberalët) pas fitores së zgjedhjeve të 26 shtatorit. Pas 16 vitesh në qeveri, Unioni (CDU-CSU) do të shkojë në opozitë.

Një duartrokitje e gjatë me ovacione e përshëndeti Angela Merkelin në Bundestag në fillim të seancës parlamentare.

Pas zgjedhjeve në Bundestag, Scholz do të shkojë te Presidenti Federal Frank Walter Steinmeier në Bellevue Castle për takim. Seanca parlamentare do të rifillojë në orën 12.00 për betimin e Bundeskanzler-it, i cili me ekzekutivin e ri (16 ministra) do të kthehet më pas nga krye i shtetit. sda-eb

 

Zëri i Amerikës: Mospajtime Kosovë – BE rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe

VOA

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shfaqën mospajtime rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është edhe çështja më e vështirë në bisedimet Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

Çështja u tha se është diskutuar përgjatë takimit të sotëm ne Bruksel të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe është arritur nga palët. Presim që marrëveshjet të respektohen dhe të zbatohet plotësisht nga të dyja palët, sepse trajtimi i nevojave të komunitetit serb, është një element i rëndësishëm i procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, tha zoti Borrell.

Janë 33 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por Beogradi gjithnjë e përmend vetëm një marrëveshje që nuk e ka kaluar sprovën në Gjykatën Kushtetuese. Mbaj mend se më 31 dhjetor të vitit 2015, kur Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi, vetëm Beogradi”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se bisedimet duhet të kenë synim përfitimet e qytetarëve të të dyja vendeve.

Unë jam demokrat, prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të jenë aty për të kënaqur një politikan, për t’i shpëtuar lëkurën atij apo fytyrën e një politikani tjetër, por për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve. Kam frikë se ky asociacion i komunave me shumicë serbe, është më shumë në shërbim të Beogradit sesa qytetarëve të varfër serbë të Kosovës, të cilëve unë u shërbej si kryeministër i republikës sonë”, tha ai.

Më duhet të them se unë jam demokrat po ashtu dhe nuk jam këtu t’i shërbej asnjë politikani të cilësdo palë. Nuk pajtohem me ju që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare dhe në kuadër të bisedimeve. Më vjen keq kryeministër, por duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje tjera të cilat s’janë zbatuar, por kjo është shumë e rëndësishme”, tha zoti Borrell.

Mospajtimet rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë pamundësuar vazhdimin e bisedimeve ndërmjet palëve, meqë Beogradi ngulë këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina kërkon që çështje tjera më të ngutshme si ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, të hidhen në tryezë.

Muajin e kaluar, zoti Borrell paralajmëroi mundësinë e një takimi në nivelin më të lartë politik ndërmjet palëve, por të hënën ai tha se parakusht është gatishmëria e të dyja palëve të pajtohen për rezultate konkrete.

Do të ishte e pakuptimtë të mbajmë takim nëse kushtet nuk përmbushen e të takohemi prapë për asgjë. Në bazë të informatave që kam marrë edhe nga i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak dhe nga puna e tij e palodhshme, s’ka gatishmëri në këtë pikë. Por ende s’ka përfunduar viti dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi që të kemi takime të tilla”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha ndërkaq se qeveria e tij është e gatshme të punojë për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që ka në qendër njohjen e ndërsjellë.

Beogradi kundërshton pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në shkëmbim të afrimit më strukturat e Bashkimit Evropian.

Kosova është e fundit në proceset integruese dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja me Bashkimin. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë pa viza në Evropën Perëndimore, ndonëse një mundësi e tille u është premtuar vite më parë.

Arrestohet në Francë një i dyshuar për vrasjen e Jamal Khashoggit

Është arrestuar në Francë një nga personat e dyshuar për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Mediat franceze raportojnë se ai u arrestua në aeroportin Roissy, afër Parisit.

Sipas raportimeve, personi i arrestuar po bëhej gati të hipte në aeroplan për të shkuar në Riad.

Personi i arrestuar sipas mediave franceze, ka qenë pjesë e Gardës Mbretërore të Arabisë Saudite. Ai besohet të jetë i përfshirë në vrasjen e gazetarit saudit.
Khashoggi është vrarë teksa ka qenë duke vizituar konsullatën saudite në Stamboll, në tetor të vitit 2018, dhe trupi i tij është copëtuar.

Gazetari 59-vjeçar ka qenë këshilltar i Qeverisë saudite dhe i afërt me familjen mbretërore, mirëpo më 2017 ka kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara. rel

Tension në konferencën e Kurtit me Borellin në Bruksel, shkak Asociacioni

Kryeministri Kurti dhe kryediplomati evropian, Josep Borell s’janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Kurti në konferencën e përbashkët me Borell tha se Asociacioni është në shërbim të Beogradit teksa Borell tha se s’pajtohet me Kurtin që Gjykata Kushtetuese nuk e mundëson zbatimin e marrëveshjes për Asociacioni, raporton Gazeta Express.

Kryeministri Kurti tha se Asociacioni do t’i shërbejë Beogradit më shumë se sa qytetarëve serbë.

“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lart për të kënaqur politikanët e caktuar s’janë demokratike e unë jam demokrat dhe besoj se kapitujt e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë s’duhet të jenë për të shpëtuar lëkurën e një politikani por t’i shërbejnë popullit dhe kam frikë se ky Asociacion është në shërbim të Beogradit shumë më shumë se sa ndonjë qytetari serb të Kosovës të cilëve u shërbej poaq si kryeministër i kësaj republike”, tha Kurti.

Pyetjes së njëjtë të gazetarëve në konferencë iu përgjigj edhe Shefi i Politikës së Jashtme, Josep Borell.

Borell tha se s’pajtohet me kryeministrin Kurti se Gjykata Kushtetuese e pamundëson zbatimin e Asociacionit, duke thënë se Asociacioni duhet të zbatohet sepse është marrëveshja më e rëndësishme.

“Nuk pajtohem me juve kur thoni se Gjykata Kushtetuese e bën të pamundshme implementimin e marrëveshjes së Asociacionit që është lidhur nga përfaqësuesit e të dy palëve në pajtim me normat ndërkombëtare për lidhjen e marrëveshjeve dhe në kuadër të dialogut dhe më vjen keq kryeministër më duhet t’ju kërkojë për implementimin e kësaj marrëveshje. E di se ka marrëveshje të pa implementuara nga të dyja palët por kjo është më e rëndësishmja”, tha ai.

Borell tha gjithashtu se është demokrat poashtu por që s’i shërben asnjë politikani, duke ia përkujtuar kryeministrit Kurti se dialogu është i vetmi forum për zgjidhjen e çështjeve.

“Më lejoni të them se edhe unë jam demokrat dhe nuk jam këtu për të shërbyer cilindo politikan nga cilado anë. Ajo çfarë ka ndodhur me tabelat e veturave ka dëshmuar se dialogu është i vetmi forum për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura. Do të doja që ju të merrni parasysh rëndësinë e këtij dialogu për të tejkaluar vështirësitë për Kosovën për integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Borrell insiston në themelimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell në Bruksel.

 

RFE/RL

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 7 dhjetor, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet.

Në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit, por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si marrëveshje jokushtetuese.

Megjithatë, Borrell insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.

“Nuk pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që janë arritën në Bruksel, por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, atë të Asociacionit.

“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.

Borrell tha se është i vetëdijshëm që ka edhe marrëveshje të tjera të arritura, të cilat nuk zbatohen, por marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është më e rëndësishmja.

“Tashmë kemi thënë që themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje u arrit me pajtimin e palëve dhe presim të zbatohet e respektohet nga të gjithë. Kjo çon drejt normalizimit të raporteve dhe këtë sot ia kam thënë edhe kryeministrit Kurti”, tha Borrell.

Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar në dialogun me Serbinë me qëllim dhe përkushtim që të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme dhe të normalizohen raportet mes Prishtinës e Beogradit.

Në Bruksel, të martën është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Delegacionin e Kosovës e udhëheq kryeministri, Albin Kurti, kurse në atë të BE-së do të jetë shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.

Gjermani: Socialdemokratët, të Gjelbërit dhe FDP nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit

Berlin

Partitë e qendrës së majtë, ambientaliste dhe liberale të Gjermanisë nënshkruan një marrëveshje koalicioni sot për formimin e qeverisë së ardhshme të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kancelari i emëruar Olaf Scholz vlerësoi punën e mirë ekipore midis socialdemokratëve të tij dhe partnerëve të koalicionit dhe shprehu shpresën se kjo do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për të adresuar problemet e vendit.

“Ndërsa po fillojmë të punojmë, kemi një detyrë të vështirë për të mposhtur, atë të luftës me krizën e koronavirusit”, tha ai në ceremoninë e nënshkrimit, duke theksuar se qeveria do të shtojë përpjekjet për të frenuar pandeminë.

Partia Socialdemokrate (SPD) e Scholz-it arriti një fitore të ngushtë në zgjedhjet e 26 shtatorit ndaj kristiandemokratëve të Angela Merkelit dhe arriti një marrëveshje koalicioni me dy partitë më të vogla pas negociatave disajavore.

Qeveria e koalicionit trepartiak mes SPD-së, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) do të betohet në parlamentin federal të mërkurën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk kandidoi në zgjedhjeö duke bërë të ditur vendimin e saj për largim nga politika aktive sapo të marrë detyrën qeveria e re.

Kartëmonedhat euro do të ridizajnohen më 2024

Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka bërë të ditur se kartëmonedhat euro do të kenë një pamje të re në vitin 2024, respektivisht ky do të jetë ri-dizajnimi i parë i tillë në më shumë se dy dekada, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimi nga ECB-ja, një grup tematik këshillimor me një ekspert nga çdo vend i euro-zonës do të paraqesë një listë të ngushtë me pamje të reja në këshillin drejtues.

“Kartëmonedhat euro janë këtu për të qëndruar. Ato janë një simbol i qartë dhe i dukshëm që ne qëndrojmë së bashku në Evropë, veçanërisht në kohë krizash dhe ka akoma një kërkesë të fortë për to”, tha Christine Lagarde, presidentja e ECB-së.

Modelet aktuale të kartëmonedhave euro bazohen në një pamje të “moshës dhe stilit”, të përfaqësuara nga dritare, dyer dhe ura.

Lagarde tha se pamja e kartëmonedhave do të ri-shqyrtohet për t’i bërë ato më të lidhura me evropianët e të gjitha moshave dhe prejardhjeve.

Papa akuzon Evropën për injorim të problemit të emigrantëve

Papa Françesku takon emigrantët në ishullin grek, Lesbos. 5 dhjetor 2021.

RFE/RL

Papa Françesku e ka përshkruar neglizhencën e Evropës ndaj emigrantëve si “përmbytje të qytetërimit”, teksa ka folur para azilkërkuesve që gjenden në ishullin grek, Lesbos.

Gjatë vizitës në kampin Mavrovouni më 5 dhjetor, Ati i Shenjtë tha se disa në Evropë “ngulmojnë ta trajtojnë problemin (e emigrantëve) si një çështje që nuk iu takon atyre”.

Kjo sjellje, sipas Papës, “dënon me vdekje” të gjithë ata që gjendet në këtë situatë.

Kampi që vizitoi Papa ka 2,300 azilkërkues nga Afganistani, Siria, Iraku dhe shtetet e tjera dhe është epiqendra e një vale të emigrantëve, të cilët në vitet e fundit po tentojnë të hyjnë në Evropë.

Papa për herë të fundit kishte vizituar Lesbosin më 2016, kur ky ishull ishte pika kyçe e hyrjes në Evropë të mbi 1 milion personave që kishin ikur nga luftërat në Siri dhe Irak. Ai tha se që atëherë, “pak ka ndryshuar sa i përket çështjes së migrimit”.

Papa Françesku ka zhvilluar një vizitë pesëditore në Qipro dhe Greqi dhe vizita e tij është dominuar nga çështja e emigrantëve.

Çështja e emigrantëve së fundmi ka rritur tensionet mes Bashkimit Evropian dhe Bjellorusisë.

BE-ja e akuzon liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka se po përdorë emigrantët si pjesë e “luftës së tij hibride”, për t’iu kundërpërgjigjur sanksioneve që blloku evropian ka vendosur ndaj Minskut për shkak të shtypjes së protestave ndaj Lukashenkas, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të vitit 2020.

 

Fillon Festivali i Dritës në Amsterdam

Amsterdam

Nën hijen e pandemisë së COVID-19 në kryeqytetin e Holandës, Amsterdam, ka filluar Festivali i Dritës, raporton Anadolu Agency (AA).

Konsiderohet si një nga festivalet më të rëndësishme në Evropë, ku çdo vit marrin pjesë rreth një milion njerëz.

“Festivali i Artit të Dritës” është një instalacion me drita i përgatitur nga artistë, stilistë dhe arkitektë nga Holanda dhe vende të ndryshme të botës.

Vizitorët mund të shijojnë performanca me drita në dhe rreth vendeve të famshme të qytetit, përveç turneve me varkë.

Festivali është i hapur nga ora 07:00 deri në ora 9:00 dhe nga ora 15:00 deri në 17:00, meqë qeveria holandeze mbyll punën nga ora 17:00 për të luftuar numrin në rritje të rasteve me COVID-19.

Festivali do të zgjasë deri më 23 janar të vitit të ardhshëm.

“Me gaz në zemër” – Kancelarja gjermane Angela Merkel largohet me nderime ushtarake

Mbas 16 vjetësh në krye të qeverisë gjermane, Angela Merkel, ndahet me një ceremoni të madhe ushtarake.

Në këto 16 vjet të drejtimit të qeverisë Merkel kishte kaluar shumë kriza, prandaj edhe ajo  quhej “kancelarja e krizave”. “Ishin 16 vjet plot ngjarje dhe sfida, që kanë kërkuar shumë prej meje, por edhe më kanë plotësuar”, tha Merkel.

Deutschland | Großer Zapfenstreich für Bundeskanzlerin Angela Merkel

Angela Merkel, gjatë ceremonisë së ndarjes nga detyra, të enjten, më 2 dhejtor 2021, në Berlin.

Në fjalën e lamtumirës ajo  përmendi tre krizat kryesore: atë të sistemit bankar, në vitin 2008, krizën e migracionit në vitin 2016 dhe atë të pandemisë së virusit corona. Ajo kujtoi parimin e qeverisjes së saj për “barazimin e interesave”, duke dëgjuar gjithmonë edhe palën tjetër.  “Ju inkurajoj që ta shihni botën edhe me sytë e tjetrit dhe të merrnin perspektivën e tjetrit, edhe nëse ajo është jokomode”, porositi politikania demokristiane.

Ndër të tjera ajo lëvdoi edhe kulturën e debatit në Gjermani “për të cilën na e kanë zili në shumë vende të botës.” Ajo falënderoi edhe familjen dhe i uroi pasardhësit të saj Olaf Scholz: Gjithë të mirat dhe një dorë të mbarë dhe shumë suksese!

Deutschland | Großer Zapfenstreich für Bundeskanzlerin Angela Merkel

Në ceremoninë e zhvilluar në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes ishin ftuar bashkëpunëtorë të kancelares gjermane nga katër qeveri. Merkel qeverisi 16 vjet dhe ishte kancelarja e parë e Gjermanisë që nuk u hoq nga ky post, por u largua me dëshirë.

Porosia e saj e fundit: 

“Unë jam e bindur se ne mund të vijojmë ta formësojmë të ardhmen tonë, nëse nuk i hyjmë punës me negativitet, me smirë, me pesimizëm, por, siç e kam thënë edhe gjetkë para tri vjetësh, me gaz në zemër. Unë kështu kam vepruar gjithmonë, në RDGJ, por edhe, dhe sidomos, në kushtet e lirisë. Është ky gaz në zemër, që ua uroj të gjithëve, dhe në kuptimin figurativ, edhe vendit tonë”.

Tri këngët e ndarjes

Një citat prej të cilit secili mund të interpretojë edhe pse Angela Merkel kishte përzgjedhur në repertorin e ceremonisë ato tri këngë.

“Du hast den Farbfilm vergessen” (Ke harruar filmin me ngjyra) – nga këngëtarja ish-gjermanolindore Nina Hagen, e cila njihet edhe si gjyshja e muzikës punk në ish RDGJ, ku Merkel është socializuar;

“Für mich soll es rote Rosen regnen” (Për mua trëndafilat bien nga qielli” nga këngëtarja gjermane, Hildegard Knef, një reflektim për fazat e ndryshme të jetës së një gruaje që ende ëndërron, dëshiron dhe  beson në mrekulli;

një këngë kishtare  “Großer Gott, wir loben dich” (Zot i madh, ne të lëvdojmë) – e cila na tregon dhe anën  tjetër të protestantes dhe bijës së priftit, Angela Merkel.

Angela Merkel, e ardhur në pushtet në vitin 2005, ishte e vetmja kancelare e Gjermanisë, që nuk humbi zgjedhjet, por u largua vetë. /DW

Ndërroi jetë ish komandanti i KFOR-it, Klaus Reinhardt

VOA

Forcat paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja në Kosovë, ulën flamurin në gjysmështizë të enjten, në shenje nderimi ndaj ish-komandantit të KFOR-it, Klaus Reindhardt, i cili ndërroi jetë më 30 nëntor.

Gjenerali gjerman, Klaus Reinhardt, i lindur në vitin 1941, përveç ushtarak, ishte edhe doktor i shkencave politike dhe historisë. Ai drejtoi forcat e KFOR-it në Kosovë në periudhën ndërmjet 8 tetorit të vitit 1999 dhe 18 prillit të vitit 2000.

“Me zemër të rënduar përshëndesim dhe e ulim flamurin e KFOR-it në gjysmështizë për humbjen e ish-komandantit, gjeneral Dr. Klaus Reindhardt. Nuk i harrojmë kurrë vëllezërit tanë të armëve dhe të gjithë ndajmë dhimbjen për humbjen e ish-komandantit tonë. Prehu ne paqe gjeneral”, thuhet në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale nga forcat paqeruajtëse në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke ngushëlluar familjen dhe miqtë e zotit Reinhard, shkroi se Kosova “humbi një mik të dashur. E pikëlluar për vdekjen e gjeneralit Klaus Reinhardt, i cili udhëhoqi KFOR-in në kohë të vështira për vendin tonë”, shkroi ajo.

Ngushëllime për vdekjen e gjeneralit Reinhardt shpresën edhe udhëheqës tjerë institucionesh e partish politike.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se zoti Reinhardt, “u bë pjesë e rrugëtimit historik të Kosovës, në kohën e vështirë të vendosjes së paqes dhe rindërtimit”.

Klaus Reinhardt në vjeshtën e vitit 1999, pasoi në krye të KFOR-it gjeneralin britanik, Michael Jackson që ishte komandanti i parë i forcave paqeruajtëse që hynë në Kosovë në qershor të atij viti, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Ish-kancelari austriak Sebastian Kurz largohet nga politika

VOAL – Ish-kancelari austriak Sebastian Kurz largohet nga politika. Lajmin e parashikuar nga Kronen Zeitung e ka konfirmuar i interesuari në një konferencë për shtyp të mbajtur në orën 11:30 të ditës së enjte.

I dërrmuar nga hetimi i sondazheve të pilotuara, të cilat do të ishin paguar pjesërisht nga qeveria, Kurz ia kishte lënë karrigen e kreut të Ekzekutivit Alexander Schallenberg, duke mbetur megjithatë lider i partisë popullore OEVP dhe duke u bërë kryetar grupi në Parlament. Sekretari i ri i OeVP tani mund të bëhet ministri i brendshëm Karl Nehammer.

Megjithatë, nuk do të kishte qenë aq hetimi ndaj tij që e shtyu në këtë hap, sesa lindja e një fëmije: “Kjo hap një kapitull të ri në jetën time. Dua t’i kushtoj më shumë kohë familjes”, deklaroi ai. përballë mediave duke pranuar se “flaka e entuziazmit është shuar pak”.

Duke folur për akuzat kundër tij, 34-vjeçari Kurz tha se ai nuk ishte “as një shenjt dhe as një kriminel”. “Do të demonstroj pabazueshmërinë e akuzave të ngritura ndaj personit tim, edhe nëse do të më duhet të pres vite”, përfundoi ai pa lënë vend për pyetjet e gazetarëve. rsi-eb

Ukraina i bën thirrje NATO-s të marrë masa parandaluese ndaj Moskës

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

RFE/RL

Ukraina ka thënë se do t’i kërkojë NATO-s që të rrisë bashkëpunimin ushtarak me Kievin dhe të përgatisë sanksione ekonomike në kuadër të masave për të parandaluar sulmet e Rusisë ndaj këtij shteti.

Liderët e aleancës veriatlantike do të zhvllojnë të mërkurën, 1 dhjetor, takimin e dytë në Letoni, ndërkohë që rriten shqetësimet për prezencë ushtarake ruse afër kufirit ukrainas.

“Ne besojmë se nëse bashkojmë forcat, nëse veprojmë në mënyrë të koordinuar, ne do të mund të pengojmë presidentin rus, Vladimir Putin dhe të demotivojmë atë nga zgjedhja e skenarit më të keq, që është operacioni ushtarak”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pasi është nisur për të biseduar me homologët e NATO-s në kryeqytetin e Letonisë, Rigë.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, ka thënë se çfarëdo operacioni ushtarak që do të mund të rrezikonte sovranitetin e Ukrainës, do të ketë pasoja të rënda, dhe se shteti i tij do të jetë i gatshëm për t’u përgjigjur me sanksione të ashpra.

Komentet e Kofodit kanë qenë në linjë me paralajmërimet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe të ministrave tjerë të Jashtëm të bllokut të NATO-s, të cilët në ditën e parë të takimit, të zhvilluar më 30 nëntor, kanë thënë se Rusia do të paguajë çmim të shtrenjtë për çfarëdo agresioni ushtarak kundër Ukrainës.

Moska, në anën tjetër, i ka tërhequr vërejtjen NATO-s, që të mos kalojë “linjën e kuqe”.

Ukraina – e cila synon të bëhet anëtare e NATO-s, hap që është kundërshtuar ashpër nga Moska – ka thënë se Rusia është duke mbajtur mijëra trupa dhe pajisje të rënda afër kufirit të përbashkët, situatë që ka rritur shqetësimet për pushtim të mundshëm.

Rusia, e cila ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe përkrah separatistët që luftojnë kundër Kievit në luftën që ka lënë të vdekur më shumë se 13,200 njerëz në shtatë vjetët e fundit, ka hedhur poshtë sugjerimet se është duke planifikuar sulm dhe fajëson Ukrainën dhe përkrahësit e Perëndimit se janë duke nxitur tensione.

BE thirrje Serbisë: Të lejohen ministrat nga Kosova të vizitojnë Preshevën, duhet të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për refuzimin e vizitës së katër ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve.

“Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve”, ka deklaruar Stano.

“Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojnë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.

Stano deklaron se vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në përputhje me marrëveshjen dhe është dashur të lejohet.
“Vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në mënyrë adekuate në përputhje me marrëveshjen dhe prandaj është dashur të lejohet të zhvillohet. I bëjmë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejojë që të bëhen vizita zyrtare që plotësojnë kushtet e mësipërme”, ka thënë Stano për KlanKosova.

Ishte ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, që e bëri të ditur se kjo vizitë nuk u lejua nga shteti serb të shtunën. Sipas tij, kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u refuzua pa arsye.

“Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë. Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në orën 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.

“Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike.

Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”,ka shkruar Aliu.
Bashkë me të në Luginë kishte për të shkuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

BE gjatë vitit 2020 prodhoi 284 milionë tonë kimikate

Zyra evropiane e statistikave (Eurostat) ka bërë të ditur se vendet anëtare të bllokut evropian gjatë vitit 2020 ka prodhuar 284 milionë tonë kimikate apo 1 për qind më shumë krahasuar me vitin 2019, transmeton anadolu Agency (AA).

“Konsumimi i këtyre produkteve arriti në 302 milionë tonë, duke reflektuar një rritje prej 1 për qind krahasuar me vitin 2019”, tha Eurostat, duke shtuar se pandemia COVID-19 nuk shkaktoi asnjë ulje në këtë fushë.

Rreth 221.4 milionë tonë kimikate të rrezikshme për shëndetin u prodhuan vitin e kaluar, ndërsa sasia e prodhuar e kimikateve të rrezikshme për mjedisin ishte 78.8 milionë tonë.

Po ashtu, tregojnë të dhënat e Eurostat, u konsumuan rreth 230.1 milionë tonë kimikate të rrezikshme për shëndetin dhe 79.8 milionë tonë kimikate të rrezikshme për mjedisin.

Vendimi i Bashës ndaj Berishës, Doris Pack: Kryetari nuk respektoi statutin! Ja kush e shtyu…

Ish-deputetja e Parlamentit Europian, Doris Pack, tha se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shkeli statutin e partisë kur mori vendimin për të përjashtuar ish-liderin historik Sali Berisha pa marrë mendimin e anëtarësisë.

Në një intervistë për euronews, Doris Pack tha se SHBA vendosi ta shpallte ‘non grata’ Berishën dhe familjen e tij pa pasur asnjë provë dhe ambasadorja e SHBA në Shqipëri mori një rol politik pasi e shtyu kreun e PD të dëbonte nga Parlamenti Berishën.

Doris Pack: Dhe nuk e kuptoj dot se si kryetari i partisë sonë simotër, Partisë Demokratike, ju bind kësaj pa i marrë mendimin anëtarëve, pasi në statutin e partisë ai është i detyruar që t’i marri mendim se si duhet të sillet në situata të tilla, dhe mendoj se në këtë mënyrë do të kishte pasur mundësi të gjendej një zgjidhje tjetër, ndryshe nga ajo që ai bëri me mendjen e vet.

Për znj. Pack, lëvizja e Berishës është një drejtën e tij për të mbrojtur veten, duke fituar mbështetjen e demokratëve që ‘besojnë se shpallja e tij non grata nga SHBA është e pabazë’.

Doris Pack: Pasi ai u keqtrajtua, duke u dëbuar nga grupi parlamentar, nga PD-ja dhe nga Parlamenti. Ndaj, nuk mund të jem kundër tij. Nuk jam pro nuk jam kundër. Mendoj se i takon anëtarëve të PD-së për të gjetur një zgjidhje.

Ajo sugjeroi që demokratët të mbajnë një kuvend dhe të zgjidhin problemet me letra të hapura.

Kryeministri polak: NATO të zgjohet përballë Rusisë

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se aleatët e NATO-s “duhet të zgjohen” përballë përpjekjeve ruse për të destabilizuar rajonin.

Në një intervistë për BBC-në, Morawiecki tha se ngjarjet e fundit tregojnë se Kremlini dhe aleatët e tij duan “ta ndryshojnë sistemin gjeopolitik” dhe “ta përçajnë Bashkimin Evropian”.

Morawiecki përmendi këtu rritjen e pranisë ruse pranë kufirit me Ukrainën, rritjen e çmimeve të gazit dhe krizën me migrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë.

Ai i bëri komentet në prag të një takimi të ministrave të NATO-s, që pritet të mbahet gjatë ditës së martë.

NATO, e cila është aleanca më e fuqishme e mbrojtjes në botë, dhe udhëheqësit e BE-së e kanë akuzuar Bjellorusinë së voni për orkestrimin e krizës me migrantë në kufirin e saj me Poloninë.

Morawiecki tha se “nuk është tepër vonë për të vepruar”, por shtoi se mund të jetë vonë pas disa muajsh.

“Gjëra të këqija mund të ndodhin në Ukrainë, për shembull; ose, mund të ketë një problem tjetër të madh me migracionin në të gjithë Evropën”, tha Morawiecki.

Ai tha se beson se “autor” i krizës me migrantë është udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenka, por, sipas tij, “ai e ka sponsorin e tij, ai e ka drejtorin e tij” në Kremlin – duke iu referuar kështu presidentit rus, Vladimir Putin.

“Të gjitha pjesët e enigmës së bashku paraqesin një pamje jo shumë të mirë”, tha Morawiecki.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, takohen të martën në Riga të Letonisë për bisedime. rel

Magdalena Andersson rikonfirmohet kryeministre e Suedisë

Gruaja e parë e cila u zgjodh në postin e kryeministres në Suedi, Magdalena Andersson është riemëruar në post, më 29 nëntor pasi që mosmiratimi i buxhetit në Parlament e detyroi të jep dorëheqje vetëm pak orë pas emërimit javën e shkuar.

Ajo dha dorëheqje të enjten e shkuar pasi koalicioni i saj kolapsoi.

Deputetët suedezë e përkrahën sërish udhëheqësen e partisë Social-Demokrate, Magdalena Andersson me shumicë të ngushtë gjatë votimit të ri të hënën më 29 nëntor.

Tani detyra e Andersson do të jetë të udhëheq qeverinë njëpartiake deri në zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2022.

Në votimin e së hënës, 349 deputetët e Parlamentit suedez votuan për Andressonin ndërkaq 75 abstenuan. 173 votuan kundër.

Nën sistemin politik suedez për t’u emëruar kryeministre asaj i duhej shumica e thjesht e votave.

Ish-kampionia suedeze në not nga Universiteti i Upsalas, Andresson e nisi karrierën politike në vitin 1996 si këshilltare e kryeministrit të atëhershëm, Goran Persson.

Shtatë vjetët e shkuara i kaloi si ministre e Financave para se të bëhej udhëheqëse e Social-Demokratëve në fillim të nëntorit. rel

1600 emigrantë të humbur në Detin Mesdhe gjatë këtij viti

Një varkë me 99 emigrantë diktohet nga një organizatë humanitare larg bregut të Libisë (16 nëntor 2021)

 

Marrë nga Associated Press

ROMË – Mbytja e një varke me mbi 30 persona në bord këtë javë shënoi tragjedinë më vdekjeprurëse deri më tani në Kanalin e La Manshit.

Por tragjedi të tilla me emigrantë nuk janë të pazakonta në ujërat përreth kufijve jugorë të Evropës.

Vetëm këtë vit, zyrtarët e OKB-së vlerësojnë se 1600 persona kanë vdekur ose rezultojnë të zhdukur në Detin Mesdhe, që shërben si porta kryesore hyrëse drejt Evropës për emigrantët që përpiqen të kalojnë me ndihmën e trafikantëve.

Numri i viktimave është më i lartë se vitin e kaluar, por jo i pashembullt unikal. Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (IOM) vlerëson se 23 mijë persona kanë humbur jetën që nga viti 2014, gjatë përpjekjes për të kaluar Mesdheun me varka të pasigurta apo gomone. Numri i viktimave arriti kulmin në vitin 2016, me mbi 5 mijë. Gjatë së njëjtës periudhe shtatë vjeçare, rreth 166 persona kanë vdekur në kanalin e La Manshit.

Javën e kaluar, 85 persona humbën jetën në dy incidente të veçanta, ndërsa përpiqeshin të arrinin në Itali nga Libia, thotë Flavio di Giacomo, zëdhënësi i IOM-it në Itali. Këto tragjedi morën pak vëmendje në Evropë.

“Mendoj se është çështje afërsie”, thotë zoti di Giacomo. “Mendoj se vëmendja e medias për çfarë ndodh mes Britanisë dhe Francës është gjithashtu diçka e re. Evropa nuk është mësuar të ketë diçka të tillë në brendësi të kontinentit; zakonisht është në kufijtë e saj të jashtëm”.

Këtë vit, shtegtimi më i ngarkuar dhe me më shumë viktima për të emigruar drejt Evropës është përmes Mesdheut qendror, ku njerëzit udhëtojnë me varka të mbingarkuara nga Libia dhe Tunizia, dhe ndonjëherë nga Turqia, drej Italisë. Rreth 60 mijë persona kanë mbërritur në Itali në rrugë detare këtë vit. Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, rreth 1200 kanë vdekur apo janë zhdukur gjatë udhëtimit.

Numri i të zhdukurve është vlerësuar bazuar në informacionin e marrë nga të mbijetuarit apo nga varkat e përmbysura.

Aktivistët për shpëtimin e emigrantëve thanë të enjten se një varkë në Mesdheun qendror me 430 persona në bord po përmbytej dhe u kërkoi ndihmë autoriteteve evropiane. Një tjetër varkë e menaxhuar nga organizata bamirëse Sea-Watch po kërkonte një port të sigurtë ku mund të zbarkonte 463 emigrantë të shpëtuar në det të hapur.

Anija e organizatës Sea-Watch 3 duke mbërritur në Siçili me emigrantët e shpëtuar

Anija e organizatës Sea-Watch 3 duke mbërritur në Siçili me emigrantët e shpëtuar

Është shtuar ndërkohë trafiku edhe përgjatë një vije më të rrezikshme në Oqeanin Atlantik, ku emigrantët nisen nga Senegali, Mauritania dhe Maroku, me varka të thjeshta druri, duke shpresuar se mund të arrijnë deri në Ishujt Kanari të Spanjës. Disa nga varkat përmbyten jo larg bregut të Afrikës dhe të tjera zhduken më në thellësi. Në disa raste i humbasin krejtësisht Ishujt Kanari dhe vazhdojnë më në thellësi të Oqeanit Atlantik.

“Udhëtimi nga Afrika perëndimore është shumë i gjatë dhe shumë i rrezikshëm”, thotë zoti di Giacomo.

IOM-i ka regjistruar 900 vdekje përgjatë vijës për në Ishujt Kanari gjatë këtij viti, thotë ai, por numri i vërtetë mund të jetë dyfish “dhe askush nuk po i kushton shumë vëmendje”.

Rreth 400 persona u shpëtuan këtë javë, ndërsa përpiqeshin të arrinin tek këta ishuj.

Grupet e të drejtave të njeriut i kritikojnë shpesh qeveritë evropiane se nuk kanë bërë më shumë për të shpëtuar emigrantët që përpiqen të arrijnë në kontinent me mjete detare në gjendje të dobët lundrimi. Përpjekjet evropiane për shpëtimin, të udhëhequra nga Italia në Detin Mesdhe, u pakësuan disa vite më parë dhe theksi u vu tek trajnimi dhe paisjet për rojen bregdetare libiane që do të pikaste varkat me emigrantë përpara se ato të mbërrinin në ujërat evropiane. Kritikët thonë se Evropa po e mbyll njërin sy përballë abuzimeve me të drejtat e njeriut në qendrat e mbajtjes së emigrantëve në Libi.

Duke vënë në dukje se 9 nga 10 emigrantë janë larguar drejt vendeve fqinje, Carlotta Sami nga zyra e UNHCR-së në Itali thotë se agjensia po u kërkon qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian që t’u ofrojnë “kalimin e sigurtë” refugjatëve, “me qëllim uljen e numrit të personave që përpiqen t’i hyjnë këtij udhëtimi jashtëzakonisht të rrezikshëm”.

Italia strehon afganen që ishte imazh i National Geographic

Fotografia e Sharbat Gulas, e vitit 1984.

Sharbat Gula, e njohur si “Vajza Afgane” me sy të gjelbër, e cila është shfaqur në ballinën e revistës National Geographic më 1985, është evakuuar në Itali, ka thënë Qeveria italiane.

“Shtetasja afgane, Sharbat Gula ka arritur në Romë”, ka thënë Zyra e kryeministrit, Mario Draghi, më 25 nëntor.

Qeveria italiane ka thënë se u është përgjigjur kërkesave nga organizatat joqeveritare “që ajo të udhëtojë në Itali, në kuadër të programit të zgjedhur për evakuim të shtetasve afganë dhe planit qeveritar për t’i pranuar dhe integruar ata”.

Me shikimin e saj shpues dhe një mbulesë të kuqe në kokë, Gula është kthyer në refugjaten më të famshme të Afganistanit, kur fotografi amerikan, Steve McCurry, i ka bërë një foto në një kamp të Pakistanit më 1980, e cila më pas ishte publikuar në ballinën e revistës National Geographic.

Gula ka arritur në një kamp në Pakistan më 1980 si jetime gjatë pushtimit sovjetik në Afganistan.

Identiteti i saj është zbuluar më 2002, pasi McCurry është kthyer në atë rajon dhe e ka kërkuar.

Më 2016 ajo është dëbuar në Afganistan, pasi Pakistani ka thënë se ajo ka mashtruar me dokumente identifikimi.

Në muajin shtator, Italia ka thënë se ka evakuuar pothuajse 5,000 afganë, pasi talibanët kanë marrë pushtetin në muajin gusht.

Gjermania pritet të emërojë gruan e parë ministre të Jashtme

Bashkudhëheqësja e Partisë së Gjelbër në Gjermani, Annalena Baerbock.

RFE/RL

Partia e Gjelbër në Gjermani ka bërë të ditura planet për emërime nëpër ministri, teksa përgatitet për të qenë pjesë e Qeverisë për herë të parë në 16 vjet.

Pas dy muajve negociata prej mbajtjes së zgjedhjeve federale, Social-Demokratët e qendrës së majtë (SPD), Partia e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë, kanë arritur marrëveshje për koalicion qeveritar.

Në një adresim para anëtarëve të partisë më 24 nëntor, një zyrtar i lartë i Partisë së Gjelbër, Michael Kellner, ka thënë se bashkudhëheqësi i tij, Robert Habeck do të udhëheqë “super ministrinë” duke bërë bashkë, ekonominë, energjinë dhe mbrojtjen e klimës.

Ai po ashtu pritet të jetë nënkancelar i Gjermanisë.

Kancelari i ri gjerman pritet të jetë Olaf Scholz nga SPD, i cili do të zëvendësojë kancelaren, Angela Merkel, pas formimit të Qeverisë në fillim të muajit dhjetor.

Bashkudhëheqësja e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock, pritet të jetë gruaja e parë në pozitën e Ministres për Punë të Jashtme.

Ajo ka dhënë shenja se do të jetë më e vendosur kundër shteteve me regjime autoritare sikurse Kina dhe Rusia, duke i vënë të drejtat e njeriut në qendër të diplomacisë.

Mbyten 27 emigrantë në La Mansh – Presidenti francez Emmanuel Macron tha se “Franca nuk do të lejojë që Kanali të bëhet varrezë”

Voal.ch – Mbyten 27 emigrantë në La Mansh – Po kalonin kanalin mes Francës dhe Anglisë me gomone, e cila u përmbys.

Tragjedia detare ne ngishticen mes Anglise dhe Frances, ku humben jeten te pakten 27 emigrante ka shkaktuar termet politik ne te dyja vendet te cilet po flasin me njera-tjetren per te arritur nje zgjidhje, qofte edhe te perkohshme, per nje problem qe duket se do jete afatgjate, nese nuk riadresohet teresisht ndryshe qasja nga Britania, por edhe partneret evropian, ne kushtet e epokes post-Brexit.

Dëshmitarët tregojnë se midis viktimave ka fëmijë dhe një grua shtatzanë.

Kjo është tragjedia më e rëndë e regjistruar në këtë zonë deti që nga viti 2018.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se “Franca nuk do të lejojë që Kanali të bëhet varrezë” dhe kërkoi një takim urgjent të ministrave europianë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Nga ana e tij, kolegu britanik Boris Johnson tha se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar” dhe mbajti një takim ndërministror të krizës në mbrëmje./rsi.ch/eb

Sllovakia kërkon falje për sterilizim të detyrueshëm të grave rome

RFE/RL

Qeveria sllovake ka kërkuar falje zyrtarisht për sterilizimet e detyrueshme të grave rome nëpër dekada.

Koalicioni qeveritar ka lëshuar një deklaratë të mërkurën, duke dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut ndër vite dhe u ka kërkuar falje personave të prekur, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, TASR.

Numri i saktë i sterilizimeve nuk dihet, mirëpo të paktën mijëra gra janë prekur nga ai vendim, ka thënë përfaqësuesja qeveritare e komunitetit rom, në faqen e saj zyrtare.

Sipas Qeverisë, sterilizimet e detyrueshme janë kryer në periudhën 1966-1989, me qëllim të zvogëlimit të numrit të foshnjave të lindura në mesin e këtij komuniteti.

Por edhe pas rënies së komunizmit, Qeveria e ka pranuar se grave rome u është bërë presion – në mënyrë të paligjshme – nëpër klinika që të sterilizohen pasi kanë pasur fëmijë.

Qeveria në këtë rast ka folur për periudhën 1990-2004.

Organizatat për të drejta të njeriut dhe Këshilli i Evropës kanë kërkuar tash e një kohë që Sllovakia të pranojë shkeljet sistematike të të drejtave të komunitetit rom dhe që t’i kompensojë viktimat.

Komisionarja për të Drejta të Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, e ka mirëpritur këtë kërkim-falje, duke e konsideruar hap të rëndësishëm.

Megjithatë, ajo ka përmendur edhe nevojën e krijimit të një mekanizmi për kompensim sa më shpejt që është e mundur.

Gjermania – Auf Wiedersehen Angela! Koalicioni trepalësh nënshkruan paktin qeverisës

Berlin— Social Demokrati Olaf Scholz njoftoi të mërkurën nënshkrimin e një marrëveshjeje për të formuar një koalicion të ri qeverisës në Gjermani që synon të modernizojë ekonominë më të madhe të Evropës, të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër dhe të ulë perden e epokës së Angela Merkelit.

Aleanca, e para në nivel federal midis të Gjelbërve të ndryshëm ideologjikisht, Demokratëve të Lirë (FDP) dhe Social-demokratëve të qendrës së majtë të Scholz, i jep fund 16 viteve të qeverive konservatore të udhëhequra nga Merkel.

Të tre partitë gëzojnë një shumicë në dhomën e ulët të parlamentit dhe shpresojnë se qeveria do të bëjë betimin në fillim të muajit të ardhshëm pasi të ratifikojnë paktin e koalicionit prej 177 faqesh.

E quajtur sipas ngjyrave përkatëse të palëve, “aleanca e semaforëve” do të sjellë një epokë të re marrëdhëniesh me Evropën dhe planifikon të përshpejtojë dixhitalizimin e ekonomisë më të madhe të kontinentit duke ruajtur disiplinën fiskale.

Në një konferencë shtypi në Berlin, i rrethuar nga krerët e FDP dhe të Gjelbërve, Scholz kujtoi se kur u ngrit semafori i parë në Potsdamer Platz të qytetit në vitin 1924, shumë vunë në dyshim nëse ai mund të funksiononte.

“Sot, semafori është i domosdoshëm kur bëhet fjalë për rregullimin e qartë të gjërave dhe sigurimin e orientimit të duhur dhe sigurinë që të gjithë të ecin përpara të sigurt dhe pa probleme,” tha ai.

“Ambicia ime si kancelar është që kjo aleancë semaforike të luajë një rol të ngjashëm novator për Gjermaninë.”

Merkel lë pas gjurmë të mëdha. Ajo ka lundruar në Gjermani dhe Evropë përmes krizave të shumta dhe ka qenë një kampione e demokracisë liberale përballë autoritarizmit në rritje në mbarë botën.

Kritikët e saj thonë se ajo ka arritur në vend se ka zgjidhur problemet dhe i ka lënë pasardhësve të saj vendime të vështira në shumë fronte.

Qeveria e ardhshme përballet me sfida të menjëhershme, me Evropën që po përballet me pasojat nga Brexit, një krizë në kufirin e Bashkimit Evropian me Bjellorusinë dhe rastet në rritje të COVID-19.

Scholz, 63 vjeç, një politikan me përvojë i cili ishte Ministër i Financave në “koalicionin e madh” në largim të SPD dhe konservatorëve, tha se lufta kundër pandemisë COVID-19 do të ishte përparësia e tij kryesore.

Por koalicioni i tij ka gjithashtu plane ambicioze afatmesme dhe afatgjata, duke përfshirë një zgjerim më të shpejtë të burimeve të rinovueshme, një dalje të përshpejtuar nga qymyri ndotës dhe një rritje të pagës minimale, sipas paktit të tij.

Duke nënvizuar prirjen e tij shoqërore liberale, koalicioni ra dakord gjithashtu të lejojë shtetësinë e shumëfishtë, të rrisë emigracionin e rregullt, të ulë moshën e votimit në 16 vjeç dhe ta bëjë Gjermaninë vendin e parë evropian që legalizon shitjen e kanabisit për përdorim mjekësor.

Bashkëdrejtuesja e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, 40 vjeç, pritet të bëhet Ministrja e parë e Jashtme e Gjermanisë dhe Scholz ka thënë se dëshiron një qeveri të barabartë gjinore.

Ndërsa fushata elektorale e Gjermanisë u përqendrua kryesisht në çështjet e brendshme, partitë sinjalizuan në paktin e koalicionit një hapje për të reformuar rregullat fiskale të bllokut, të njohura gjithashtu si Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes.

Ata ranë dakord gjithashtu se Gjermania do të mbetet pjesë e marrëveshjes së ndarjes bërthamore të NATO-s, një veprim që do të parandalojë një përçarje në aleancën ushtarake perëndimore në një kohë të tensioneve në rritje me Rusinë.

Koalicioni i ardhshëm do të duhet të balancojë thirrjet e të Gjelbërve për një linjë më të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës për të drejtat e njeriut me preferencën e mundshme të Scholz-it për të shmangur konfrontimin mbi Tajvanin dhe Ukrainën./DW

Suedi, kryeministrja e parë grua jep dorëheqjen disa orë pas zgjedhjes

Partitë gjermane arrijnë marrëveshje për qeverinë e koalicionit

Berlin

Partitë e qendrës së majtë, liberale dhe ambientaliste të Gjermanisë kanë arritur marrëveshje për të formuar qeveri koalicioni trepalësh, njoftuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA)..

Udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate (SPD), Demokratët e Lirë (FDP) dhe të Gjelbrit planifikojnë të mbajnë konferencë shtypi të mërkurën për të prezantuar marrëveshjen e tyre të koalicionit, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Socialdemokratët fituan ngushtë zgjedhjet e 26 shtatorit kundër Kristiandemokratëve (CDU/CSU) të kancelares Angela Merkel dhe kanë negociuar me të Gjelbrit dhe FDP që nga tetori për të formuar qeverinë e ardhshme të koalicionit. ​​​​​​​

Trafiku i qënieve njerëzore drejt Italisë me varka luksoze me vela

Marrë nga Associated Press

Autoritetet italiane po shohin një rritje të madhe të numrit të emigrantëve të paligjshëm, që përdorin një korridor më pak të njohur të trafikut të qënieve njerëzore, që nis nga Turqia në drejtim të rajonin jugor italian, Kalabrisë. Trafikantët përdorin varka me vela për të transportuar emigrantë të pasur afganë, irakianë, iranianë dhe kurdë drejt Evropës. Këto lloj mjetesh lundruese luksoze janë më të vështira për t’u pikasur nga autoritetet, që thonë se ato shpesh drejtohen nga kontrabandistë ukrainas, që bashkëpunojnë me gjasë me mafiozë turq e me grupin mafioz italian “Ndrangheta”.

Çdo emigrant i rritur paguan rreth 10 mijë dollarë për të hipur në varkë dhe gjysmën e shumës për çdo fëmijë. Punonjësit e ndihmës i quajnë si udhëtime të “klasit të parë”. Por në kushtet kur rreth 100 emigrantë bëhen të gjithë bashkë, nën kuvertë, për t’iu shmangur patrullave ajrore, apo të rojes bregdetare, situata aty është e kundërta e luksit.

Bashkëshortët afganë Hamid dhe Zakia, vendosën të largohen nga Kabuli pasi talebanët morën pushtetin në gusht. Në atë kohë, Hamidi, 28 vjeç, punonte si revizor ndërsa Zakia, 24 vjeç, studionte në universitet për ekonomik. Ata u larguan nga Afganistani së bashku me motrën e Hamidit, Tooban, me profesion avokate, bashkëshortin e saj doktor, si dhe tre fëmijët e tyre të vegjël.

Pas një odiseje disa mujore ata arritën në Kalabri më 10 nëntor, të dehidratuar, të uritur e të lagur, por të lehtësuar që ndodhedhin në Evropë. Në një qendër të improvizuar, jo larg bregut, Hamidi dhe Tooba përshkruajnë udhëtimin e tyre.

Ishim 105 veta, përfshirë gra, disa shtatzëna, e fëmijë. Pra, ishim 10 herë më shumë sesa kapaciteti i varkës me të cilën lundruam“, thotë Hamidi.

Jeta jonë nuk ishte e sigurt në Kabul me ardhjen e talebanëve. Unë isha avokate. Ishte një udhëtim i vështirë. Shkuam në Iran dhe më pas në Turqi e Itali, tre muaj duke udhëtuar”, thotë Tooba.

Gjatë viteve të fundit ndërsa qindra mijëra imigrantë nga Afrika e Veriut kanë lundruar përgjatë Mesdheut për të arritur në Evropë, pak vëmendje i është kushtuar rrugës kalabreze, që nis nga Turqia.

Imigrantët që marrin këtë rrugë priren të jenë më të arsimuar, të paguajnë më shumë para, të udhëtojnë si familje e të mbërrijnë me varka me vela, që shpesh braktisen pranë bregut. Vendasit i quajnë ato anije fantazmë, sepse shpesh lundrojnë pa u pikasur nga autoritetet. Vittorio Zito është kryebashkiaku i Roccella Jonica, një qytet i vogël në bregdetin kalabrez që ka qenë qendra e të ardhurve.

Përdorimi i varkave me vela, për të përshkuar këtë korridor ujor, bëhet pasi ato janë më të vështira për t’u kapur nga autoritetet edhe nëse ata i vëzhgojnë nga sipër me avionë. Ata shohin varka me vela, gjysmë të reja, ndonjëherë edhe te reja, jo diçka që ngjall dyshime. Sheh dy marinarë, zakonisht me kombësi ukrainase”, thotë ai.

Zoti Zito thotë se kontrabandistët mund të sigurojnë rreth 500,000 euro për çdo udhëtim. Autoritetet thonë se gjatë vitit të kaluar ka patur një rritje të ndjeshme të numrin të imigrantëve që kanë përdorur këtë korridor për të hyrë në Evropë. Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, rreth 10 mijë imigrantë e refugjatë kanë mbërritur në Kalabri që nga mesi i nëntorit, pothuajse katër herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Situata ka nxitur autoritetet të përforcojnë hetimet për të gjetur lidhjet e mundshme mes klaneve mafioze italiane dhe grupeve kriminale në vende të tjera. Policia italiane ka arrestuar disa kontrabandistë ukrainas, të cilët janë dënuar për nxitje të migracionit të paligjshëm, por ata thjesht një pjesë e vogël e zinxhirit të një operacioni të madh kriminal. Sa i takon Hamidit dhe familjes së tij, odiseja e tyre nuk ka përfunduar ende. Pas dy javësh në karantinë, ata do të nisin procedurat për të kërkuar azil në Itali, ose të udhëtojnë drejt veriut, me shpresën për të arritur tek të afërmit e tyre në Suedi. VOA

Austria futet në izolim të plotë

RFE/RL

Më 22 nëntor, Austria u fut në izolim të plotë teksa në mbarë Evropën janë mbajtur protesta kundër masave kufizuese të vendosura për shkak të rritjes së rasteve me koronairus.

Në Austri, 8.9 milionë banorë nuk do të lejohen të dalin nga shtëpia përveç nëse duhet të shkojnë në punë, të blejnë gjërat e nevojshme dhe të ushtrojnë. Ndërkaq, restorantet, baret, parukeritë, teatrot dhe dyqanet jothelbësore do të jenë të mbyllura.

Masat izoluese do të zgjasin deri më 12 dhjetor edhe pse autoritetet thanë se do të rivlerësojnë masat pas dhjetë ditësh.

Javën e kaluar, Austria u bë shteti i parë në Evropë që e bëri të detyrueshëm vaksinimin. Kjo masë pritet të hyjë në fuqi në muajin shkurt.

Masat kundër koronavirusit nxitën kundërshti dhe protesta, ndërkaq mbi 30,000 persona protestuan në Vjenë gjatë fundjavës. Ndërkaq, vetëm të dielën, më 21 nëntor rreth 6,000 persona protestuan në Linz.

Protesta të dhunshme kundër masave në fundjavë kishte në mbarë Evropën.

Më 21 nëntor, në disa qytete në Holandë pati protesta të dhunshme. Policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit, ndërkaq këta të fundit hodhën gjësende të forta drejt zyrtarëve policorë.

Të paktën katër protestues janë plagosur.

Në Holandë është vendosur izolim i pjesshëm, masë e cila do të zgjasë tri javë. Ky shtet po regjistron rritje të rasteve me COVID-19, pavarësisht se 85 për qind e popullsisë së rritur janë të vaksinuar plotësisht.

Protestuesit po kundërshtojnë propozimin e Qeverisë që të kërkojë dëshmi nga qytetarët nëse ata janë të vaksinuar apo të shëruar, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në ngjarje të ndryshme që mbahen në ambiente të mbyllura.

Më 21 nëntor kishte protesta edhe në Belgjikë, të cilat në Bruksel u bënë të dhunshme. Protestuesit kundërshtuan masat e reja që kërkojnë që qytetarët të pajisen me certifikata të vaksinimit.

Protesta në fundjavë janë mbajtur edhe në Kroaci, Zvicër dhe Itali.

NATO i bën thirrje Rusisë të shmangë përshkallëzimin e tensioneve në kufirin me Ukrainën

Berlin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë që të shmangë përshkallëzimin e tensioneve në kufirin me Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin, Stoltenberg tha se NATO po ndjek nga afër situatën në kufirin e Ukrainës.

Duke vënë në dukje do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Kievin, Stoltenberg tha: “Në afërsi të kufirit të Ukrainës shikojmë intensitetin më të madh dhe më të jashtëzakonshëm të forcave ruse. Rusisë i bëjmë thirrje që të jetë transparente, të mos përshkallëzojë tensionet, të ndihmojë dhe të ulë tensionet përgjatë kufirit me Ukrainën”.

Ai vuri në dukje se është urgjente që Rusia të tregojë transparencë për çështjen e lëvizshmërisë së saj ushtarake në zonat e afërta me kufirin.

“NATO ka ndjek nga afër situatën. Vazhdojmë të sigurojmë mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën”, shtoi Stoltenberg.

Stoltenberg theksoi se NATO ka nevojë për një Gjermani të fuqishme politikisht dhe ushtarakisht, duke shtuar se “Kjo në të njëjtën kohë nënkupton se kemi nevojë për një ushtri gjermane që ka të gjitha përvojat për të mbrojtur vendin”.

Edhe kancelarja Merkel shprehu shqetësimet e saj lidhur me aktivitetet e fundit ushtarake të Rusisë në rajon.

Pavarësisht problemeve, dialogu me Rusinë nuk duhet të shkëputet, tha Merkel.

“Gjithmonë e kam mbështetur dialogun mes NATO-s dhe Rusisë. Edhe pse mes NATO-s dhe Rusisë ka dallime të mëdha, besoj se vazhdimi i bisedimeve mes nesh do të jetë gjithmonë më i mirë”, theksoi kancelarja gjermane.

Në rajonet lindore të Ukrainës mosmarrëveshjet vazhdojnë që nga marsi 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë në mënyrë të paligjshme.

Vendet Perëndimore akuzojnë Rusinë për destabilizim të rajonit duke siguruar mbështetje ushtarake për separatistët.

Arrestohet në Itali për terrorizëm një 19 vjeçare me prejardhje nga Kosova

VOA

Polica e Milanos tha se arrestoi të mërkurën një 19 vjeçare me prejardhje nga Kosova nën akuzat për terrorizëm.

Mediat italiane shkruajnë se ajo ishte radikalizuar në moshën 16-vjeçare dhe ishte një mbështetëse e përkushtuar e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.

Hetimi nisi pas një raporti të shërbimeve të zbulimit në lidhje me bashkëshortin e vajzës, një 21 vjeçar nga Kosova, që kishte lidhje me sulmuesin e Vjenës, Kujtim Fejzulai.

Sulmi në Vjenë ndodhi më 4 nëntor të vitit 2020. Kujtim Fejzulai vrau katër persona përpara se të vritej nga forcat e sigurisë.

Mediat citojnë urdhrin për arrestim në të cilin thuhet se “19-vjeçarja mbante mijëra fotografi dhe video në celularin e saj, disa prej të cilave ishin prodhuar nga nga agjencia e Shtetit Islamik ‘Al Hayat Media Center’, me pamje të flamurit të ISIS-it, skena luftimesh e ekzekutimesh.

Mes tjerash në celularin e saj ishte edhe fotografia e sulmuesit, që i përket organizatës ISIS-Khorasan, i cili hodhi veten në erë në aeroportin e Kabulit më 26 gusht, duke shkaktuar qindra të vdekur në mesin e civilëve që përpiqeshin të arratiseshin nga Afganistani, tani në duart e talebanëve. Në celularin e saj ka edhe fotografi të masakrës në redaksinë e revistës franceze, Charlie Hebdo.

Mediat e identifikuan të arrestuarën si Bleona Tafallari, e lindur në Kosovë, por me vendbanim në Milano.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, në vitin 2011, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Autoritetet thonë se prej andej janë kthyer 253 persona. Mbi 70 veta kanë humbur jetën në zonat e konfliktit ku ende ndodhet një numër i shtetasve të Kosovës.


Send this to a friend