VOAL

VOAL

Komandanti rus i zënë rob – mesazh të fuqishëm nga Ukraina

Një komandant rus i kapur nga forcat ukrainase ka dhënë një deklaratë të fuqishme, duke dënuar agresionin ushtarak të vendit të tij dhe i është lutur Ukrainës, që të tregojë “mëshirë” ndaj bashkatdhetarëve të tij.

I burgosuri, një nënkolonel i Gardës Kombëtare të Rusisë, pretendoi se ai dhe shokët e tij ushtarë ishin gënjyer për Ukrainën, duke thënë se ishte gati të “shkonte në burg” për pushtimin.

Nënkoloneli Dmitry Mikhailovich besohet të jetë ushtari më i vjetër rus, që ka folur kundër pushtimit deri tani. Ai u tha gazetarëve se ishte në ekipin e njësisë së reagimit special të Gardës Kombëtare Ruse dhe se vendimi i Putinit për të pushtuar Ukrainën kishte ardhur papritmas, duke e zënë njësinë e tij në befasi.

I emocionuar, ai i kërkoi falje Ukrainës, duke u shprehur se “Nuk mund të gjej fjalë për t’i kërkuar falje popullit ukrainas”, ndërsa shtoi se do ta “kuptonte” nëse Rusia nuk do të falej kurrë për këtë që po bën.

Ai i kërkoi Ukrainës që t’i lërë të jetojnë ushtarët rusë, pasi sipas tij, “shumë prej tyre janë thjesht të turpëruar. Ata nuk duan luftë. Ne nuk duam të mbjellim vdekjen, është më mirë të mbjellim jetën”.

Më tej, ai pranoi se Rusia nuk mund të fitojë kurrë në Ukrainë, teksa u shpreh se “Rusia nuk mund të fitojë këtu. Edhe nëse shkojmë deri në fund. Ne mund të pushtojmë territorin, por nuk mund të pushtojmë njerëzit”.

Komandanti rus e mbyll mesazhin e tij, duke thënë se “pas pushtimit, rusët do të kishin turp të thonin se janë rusë”.

(BalkanWeb)

Presidenti i Lituanisë: Putini nuk do të ndalet në Ukrainë

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, paralajmëroi të hënën kryediplomatin amerikan, Antony Blinken, se dështimi për të ndaluar agresionin rus në Ukrainë, do të çojë në një konflikt global.

Sekretari amerikan i Shtetit po qëndron për vizitë në Vilnius.

Duke iu drejtuar atij, Nauseda tha se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, “nuk do të ndalet në Ukrainë” dhe se bota e ka detyrim t’i ndihmojë ukrainasit “me të gjitha mjetet në dispozicion”.

“Vërtet mendoj në të gjitha mjetet, nëse duam të shmangim Luftën e Tretë Botërore. Zgjedhja është në duart tona”, tha ai.

Lituania, vend anëtar i NATO-s, ka dërguar ndihmë ushtarake në Ukrainë dhe ka mirëpritur disa refugjatë ukrainas qëkur ka filluar pushtimi i saj nga Rusia, më 24 shkurt.

Blinken u takua me Nausedan përpara bisedimeve me ministrin e Jashtëm dhe kryeministrin e Lituanisë.

Ai i tha më herët stafit të Ambasadës amerikane në Vilnius, se pushtimi rus i Ukrainës ka sfiduar parimet bazë, të krijuara për ruajtjen e paqes midis vendeve./REL

Ambasadori gjerman kundër Yuri Kim: Shqiptarët vendosin vetë kë të votojnë

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf, thotë se është zgjedhje e shqiptarëve se kë do të votojnë.

Kjo ishte përgjigja e tij, pas pyetjes se a ndante të njëjtim mendim me Yuri Kim, që shqiptarët të mos votojnë për kandidatë që mbështeten nga lideri historik i demokratëve Sali Berisha.

‘Më lejoni që të mos komentoj rreth këtij fakti, se kush votohet, i takon popullit shqiptarë që të vendosë’, u shpreh ambasadori gjerman gjatë komunikimit me gazetarët.

Gjatë takimit që pati me komisionerët e qendrës së votimit, Zingraf i pyeti ata nëse situata është më e qetë se ajo e zgjedhjeve të Prillit, dhe mori konfirmim prej tyre.

‘Të gjitha zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për vendin, për Shqipërinë. Unë personalisht jam shumë kureshtar që të shoh atmosferën e përgjithshme, gjykoj se është një përgatitje shumë e mirë e tyre.

Ardhja ime në Shkodër ishte e rastësishme, është një qytet ku vij shpesh’, deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.

Goditje tjetër Putinit – Gjenerali bjellorus nuk pranon të mbështesë pushtimin aktual rus të Ukrainës

Zëvendësministri i Mbrojtjes për Bjellorusinë thuhet se ka dorëzuar dorëheqjen dhe pretendon se nuk mund të mbështesë pushtimin aktual rus të Ukrainës.

Gjeneralmajor Viktor Gulevich, i cili është gjithashtu shefi i shtabit të përgjithshëm, argumentoi se personeli i njësisë ushtarake bjelloruse refuzoi të merrte pjesë në veprime ushtarake dhe se Forcat e Armatosura të Bjellorusisë nuk mund të kompletonin një grup të vetëm batalioni.

Gulevich është në mesin e një numri zyrtarësh bjellorusë që përballen me sanksione ekonomike nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të afërsisë së tyre me Vladimir Putin.

Ai u akuzua për drejtimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe pëlqimin për vendosjen e trupave ruse përgjatë kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën – gjë që, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, “kontribuoi drejtpërdrejt në aftësinë e Rusisë për të sulmuar Ukrainën”.

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha më parë se ushtria bjelloruse ka “mbështetur dhe mundësuar pushtimin rus të Ukrainës” duke lejuar trupat ruse të ndërtohen në kufirin e saj me Ukrainën.

Një skanim i deklaratës së zotit Gulevich, i cili thuhet se iu drejtua ministrit aktual të Mbrojtjes Viktor Khrenin, shtoi: “Kryerja e punës shpjeguese me komandantët e njësive ushtarake nuk dha rezultate. Unë kam guximin të supozoj se zëvendësimi i komandantëve të këtyre reparteve ushtarake, të cilët nuk mundën të organizonin formimin e grupeve në terren, nuk do të na japë rezultatin që na duhet.

“Për sa më sipër, kërkoj vendimin tuaj për pranimin e dorëheqjes sime.

Një foto e letrës u shpërnda nga ish-zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Alexander Nosov.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë vuri në dyshim vërtetësinë e letrës dhe tha se zoti Gulevich nuk mund t’i kërkojë Ministrit të Mbrojtjes të japë dorëheqjen, por personit që e ka punësuar atë – komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Bjellorusisë.

Ministria kundërshtoi gjithashtu pretendimet e tij dhe tha se formacionet dhe njësitë ushtarake të Bjellorusisë kanë staf ‘100 për qind’.

Ndërkohë, Oleksiy Arestovych, këshilltari i kreut të zyrës së presidentit ukrainas, tha se ai po kontrollon informacionin rreth dorëheqjes së z. Gulevich.

Duke folur për Rada TV të dielën në mëngjes, zoti Arestovych pretendoi se ushtria ruse po kryen bombardime nga Bjellorusia dhe po e mban kombin ‘peng’ gjatë pushtimit të Ukrainës.

Ai tha se ushtria bjelloruse nuk po përdoret kundër Ukrainës, por po vendoset përgjatë kufijve.

Ai shtoi: “Megjithatë, ushtria bjelloruse në nivelin e formacioneve nuk merr pjesë në agresionin e armatosur kundër Ukrainës.

“Megjithatë, territori i Bjellorusisë përdoret, për ta thënë butë, në maksimum – trupat vijnë nga atje, i gjithë sistemi i aeroporteve ushtarake përdoret për të bombarduar Ukrainën dhe lëshohen raketa antitaktike.”

Zoti Arestovych tha se dorëheqja e z. Gulevich mund të jetë për shkak se udhëheqja ruse po ‘shtyn dhe inkuadron’ ushtrinë dhe popullin bjellorus.

Duke njoftuar sanksionet kundër Gulevich, Ministria e Jashtme tha: ‘Gulevich është përgjegjës për drejtimin e veprimeve të forcave të armatosura bjelloruse, të cilat kanë mbështetur dhe mundësuar pushtimin rus të Ukrainës.

“Ai ka drejtuar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe ka dhënë pëlqimin për vendosjen e trupave ruse përgjatë kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën, gjë që ka kontribuar drejtpërdrejt në aftësinë e Rusisë për të sulmuar Ukrainën, duke përfshirë edhe nga pozicionet në Bjellorusi.

OKB: Mbi 1.5 milion refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje

Gjenevë

 Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi, njoftoi se më shumë se 1,5 milion refugjatë në Ukrainë kanë kaluar në vendet fqinje që nga fillimi i ofensivës ruse.

Në një deklaratë në Twitter, Grandi dha informacione për civilët e zhvendosur që nga 24 shkurti për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Duke theksuar se më shumë se 1,5 milion refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje brenda dhjetë ditëve, Grandi tha: “Kjo është kriza e refugjatëve në rritje më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se gjysma e refugjatëve ukrainas kanë kaluar në Poloni. Hungaria, Moldavia, Sllovakia, Rumania dhe vende të tjera evropiane radhiten përkatësisht pas Polonisë. AA

Ankaraja: Turqia dhe SHBA do të koordinojnë përgjigjen ndaj luftës në Ukrainë

Marrë nga Reuters

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë një “koordinim të ngushtë” ndërsa punojnë për gjetjen e një zgjidhje diplomatike për sulmin rus ndaj Ukrainës, tha Ministria e Jashtme turke pas bisedimeve mes zëvendësministrit të jashtëm turk dhe Zëvendës Sekretares amerikane të Shtetit të shtunën. Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë aleatë të NATO-s.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar për një sërë çështjesh vitet e fundit, përfshirë vendimin e Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes nga raketat, S-400 dhe dallimet në qasjen politike ndaj Sirisë dhe Mesdheut lindor. Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Ankarasë në dhjetor të vitit 2020 pasi Turqia bleu sistemin kundër-ajror rus S-400.

Turqia ndan një vijë kufitare detare me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka lidhje të mira me të dyja vendet. Ankaraja e ka quajtur të papranueshëm sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por gjithashtu ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës.

Në një deklaratë pas bisedimeve midis Zëvendës Ministrit të Jashtëm Sedat Onal dhe Zëvendës Sekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman në Ankara, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se aleatët “konfirmuan mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”.

“U theksua rëndësia e koordinimit të ngushtë të qëndrimeve për të menaxhuar ndikimet e shumëanshme të krizës dhe për të mbështetur një zgjidhje diplomatike”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme turke. Deklarata gjithashtu theksoi diskutimin mbi marrëdhëniet dypalëshe.

“U konfirmua vullneti i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dypalësh përmes një dialogu të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar dhe u theksua se, pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme për disa çështje, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një axhendë pozitive të gjerë”, thuhet në deklaratë.

Në përgjigje të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Turqia muajin e kaluar mbylli ngushticat e saj të Bosforit dhe Dardanelet që lidhin Mesdheun dhe Detin e Zi për anijet luftarake, bazuar në paktin e vitit 1936, duke kufizuar kalimin e disa anijeve ruse.

Megjithatë, Ankaraja ka kritikuar gjithashtu reagimin perëndimor ndaj sulmit në Ukrainë, duke thënë se sanksionet ndaj Rusisë duhet të synojnë ndalimin e luftës.

Ndërsa po përpiqet të forcojë lidhjet me Rusinë në fushën e energjisë, mbrojtjes dhe tregtisë, Turqia i ka shitur Kievit dronë ushtarakë, një vendim që ka zemëruar Moskën. Turqia, sektori i turizmit të së cilës mbështetet shumë tek turistët rusë, kundërshton gjithashtu politikat e Moskës në Siri dhe Libi, si dhe aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014.

Më herët, zëdhënësi i presidentit turk Tajip Erdogan kishte thënë se ai do t’i kërkonte homologut të tij rus Vladimir Putin të ndalonte sulmin ndaj Ukrainës gjatë një telefonate që do ta zhvillojë me presidentin rus të dielën.

Ukraina: Mbi 11 mijë ushtarë rusë të vrarë në luftë

Kiev

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha se më shumë se 11 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën midis dy vendeve.

Shtabi i Përgjithshëm ka rishikuar të dhënat për humbjet e palës kundërshtare në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Më shumë se 11 mijë trupa ruse thuhet se janë vrarë, ndërsa 44 avionë, 48 helikopterë, 285 tanke, 985 automjete të blinduara, 109 sisteme artilerie, 447 automjete, 60 cisterna karburanti dhe katër dronë janë shkatërruar. AA

Ukrainasit vrasin një negociator të tyre

VOAL- Shërbimet sekrete ukrainase vranë një anëtar të ekipit negociator me Rusinë të akuzuar për tradhti. Sipas burimeve të Ukrainska Pravda, burri u vra gjatë një tentative arrestimi.

I njëjti burim zbulon se kishte “prova të forta” se ai po rrjedh informacione në Rusi. Lajmi, i cili nuk ka marrë ende konfirmim zyrtar, u publikua edhe nga agjencia shtetërore ukrainase UNIAN e cila zbulon emrin e negociatorit të akuzuar si spiun: është Denis Kireyev, një bankier me shumë përvojë që konsiderohet krijesë e oligarkut Andrei Klyuev, një aleat i ish-presidentit Viktor Ianukovich. rsi-eb

Ukraina thotë se NATO po mashtrohet nga Rusia

RFE/RL

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka akuzuar të shtunën aleancën e NATO-s për përkulje ndaj presionit rus.

Këto akuza ai i bëri duke komentuar refuzimin e anëtarëve e NATO-s që të zbatojnë një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.

“NATO nuk është forca që ukrainasit e kishin imagjinuar më parë”, shtoi Kuleba.

Duke folur në televizionin ukrainas, Kuleba tha gjithashtu se ishte i hapur për bisedime me homologun e tij rus Sergei Lavrov, por vetëm nëse këto negociata do të ishin “domethënëse”.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 4 mars duke thënë se refuzimi i NATO-s për të futur një zonë ndalim-fluturimi tregon “dobësi” dhe mungesë uniteti.

“Të gjithë njerëzit që vdesin nga kjo ditë e tutje do të vdesin gjithashtu për shkakun tuaj, për shkak të dobësisë suaj, për shkak të mungesës suaj të unitetit”, tha ai.

“Aleanca i ka dhënë dritën jeshile bombardimeve të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës, duke refuzuar krijimin e një zone ndalim-fluturimi”, tha Zelensky.

Pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, më 4 mars, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se avionët e saj nuk duhet të fluturojnë në hapësirën ajrore të Ukrainës gjatë konfliktit me Rusinë, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi mbi këtë vend.

Udhëheqësit perëndimorë, deri tani, e kanë hedhur poshtë idenë, nga frika se kjo do të çonte në përshkallëzim më të madh të luftës.

Mbi 66 000 burra ukrainas kthehen në atdhe, marrin armët dhe luftojnë kundër pushtimit rus

Mbi 66 000 burra ukrainas janë kthyer nga jashtë për të luftuar për vendin. Kështu deklaron ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleskii Reznikov.

Një nga ata që vendosën të kthehen është Yuriy Vernydub, një trajner futbolli 56-vjeçar që udhëhoqi skuadrën moldave Sheriff Tiraspol drejt një fitoreje shokuese kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve të vitit të kaluar.

Ai tha se vendosi të kthehej në momentin që djali i tij i telefonoi për t’i thënë se Rusia kishte sulmuar. Ai tregoi përvojën e tij të kthimit në shtëpi për BBC. bw

“Mirë se erdhët në ferr, rusë”, në qytetin e lindjes së Zelenskyt, bashkëqytetarët e tij gati të vdesin për presidentin e tyre

“Mirë se erdhe në ferr okupator rus”, është ky mesazhi i vendosur në një baner mbi një urë në rrugën hyrëse për në Kryvyi Rih, një nga qytetet minerare. Qyteti i djalit të famshëm, dikur një komedian, tani udhëheq vendin e tij pas sulmeve të agresionit rus.

Ndërsa janë në përgatitje për betejat në rrugë me trupat ruse, çdo burrë dhe grua në këtë qytet nuk ngurron të shprehë respektin për presidentit Zelensky. Ata gjithashtu janë të gatshëm të hidhen në luftë për të.

Ka vetëm një rrugë për rusë drejt qytetit të madh industrial të Dnipros, që kalon përmes Kryvyi Rih. Ndërkohë që forcat ruse kanë kapur Kherson dhe në lidhje lindje thuhet se kanë kapur termocentralin më të madh bërthamor në Europë.

Tani banorët e qytetit ku lindi dhe u rrit Zelensky janë të rrethuar për një luftë. Ata duan që presidenti i tyre ta dijë se nuk do të mungojnë.

“Të gjithë ne këtu dhe në Ukrainë jemi bashkë krah Zelenskit. Ai është një luftëtar i guximshëm që zgjodhi të qëndrojë në mesin e popullit të tij dhe t’i bashkojë ata, “tha kreu i administratës ushtarake të qytetit, Aleksandr Vilkul, dikur një rival politik i Zelensky, të cilin e njeh që kur ishin studentë në universitetin lokal.

“Ai na ka frymëzuar. Nuk ka të bëjë vetëm me mbështetjen tonë për të, por me mbështetjen e tij për ne. Ai duhet të dijë se qyteti i tij është gati për të luftuar.”, shtoi më tej ai.

Edhe një tjetër qytetar që merret me mirëmbajtjen e varreve, tregoi se ku ishin varrosur gjyshërit e Zelenskit. Ai tha se janë në një varrezë në anën perëndimore të qytetit, pranë një prej rrugëve kryesore të aksit ku po zhvillohet përparimi rus. “Unë jam gati të copëtoj dhe djeg pushtuesit rusë,”, tha 43-vjeçari Oleg, ndërsa tregoi se gjyshi i Zelenskit, Semyon Ivanovych Zelensky, një ushtar i Ushtrisë së Kuqe luftoi si anëtar i Divizionit të 57-të të Gardës Sovjetike të pushkëve me motor kundër Nazistët në Luftën e Dytë Botërore. “Presidentët e tjerë do të kishin ikur ose do të ishin dorëzuar, por jo Zelensky. Ne nuk do ta zhgënjejmë atë.”, pohoi ai.

Lufta tashmë ka arritur në Kryvyi Rih. Në ditën e parë të pushtimit, raketat goditën dy instalime ushtarake në qytet, i cili u themelua nga Kozakët në shekullin e 18-të.

Një ditë më parë, u pengua ulja e një avion transporti Il-76 të ngarkuar me parashutistë rusë teksa pista ishte bllokuar me tanke. Ndërkohë, tre ditë më parë, një kolonë e madhe e blinduar që po shtynte drejt qytetit u tërhoq pas dy herë pas sulmeve me raketa nga helikopterët ukrainas. Teksa rusët avancojnë drejt veriut, zyrtarët janë të sigurt se qyteti i tyre është objektivi tjetër.

“Ne jemi në rrugën kryesore për në Dnipro. Është vetëm një rrugë kryesore në veri që kalon përmes Kryvyi Rih,”, tha Vilkul, i cili po koordinon mbrojtjen. “Njësitë kryesore ruse janë vetëm 90 kilometra në jug larg nga ne. Ata lëvizin shpejt dhe kjo do të thotë se Ata duan të lëvizin në Dnipro, që do të thotë se këtu do të kemi beteja në rrugë.”, tha ai.

Plani i betejës së Vilkul për të mbrojtur vendlindjen e Zelensky është i thjeshtë. Duke shfrytëzuar mijëra vullnetarë civilë dhe forca të mbrojtjes territoriale që janë mbledhur pas thirrjes së Zelensyt për të marrë armët dhe për të mbrojtur vendin, ata kanë ngritur në rrugë linja të segmentuara të mbrojtjes. Trupat ukrainase dhe armatimi antitank mbrojnë territorin nga armiku, ndërsa civilët e armatosur janë gati për luftime në rrugë duke vendosur barrikada me thasë me rërë. “Ne kemi grumbulluar ushqime, municione dhe armë. Nuk do të tërhiqemi. Ne do të qëndrojmë dhe do të luftojmë.”, shtoi Vilkul.

Zelensky lindi nga prindër hebrenj në vitin 1978, djali i një profesori dhe një inxhiniereje dhe studioi drejtësi në universitetin e qytetit. Shumë nga shokët e tij studentë ishin dje në barrikada.
“Ai ishte një udhëheqës i natyrshëm brenda grupit të tij në universitet, energjik dhe i shkëlqyer në organizim,” tha Vadim, një vullnetar 43-vjeçar i cili po drejtonte punëtorët për të krijuar barrikadat në rrugë. “Ne rrinim bashkë kur ishim studentë dhe bënim shaka. Isha i habitur kur ai hyri në politikë dhe, si çdokush me të cilin keni qenë në shkollë që përfundon në politikë, isha i dyshimtë se si do të vepronte. Por që nga pushtimi ai ka frymëzuar secilin prej nesh në këtë qytet. Ai është njeriu ynë. Udhëheqja e tij në këtë luftë e ka bërë atë presidentin më të mirë që ka pasur ndonjëherë Ukraina.”, tha një prej shokëve të Zelenskyt.

Besnikëria ndaj presidentit ishte shumë e madhe në kompleksin e banesave Kvartal 95 (Treekulli 95), ku ai jetoi si fëmijë dhe që më vonë i dha emrin trupës së tij të komedisë dhe kompanisë së parë të prodhimit të filmit. Prindërit e Zelensky kanë ende një apartament këtu, megjithëse të dy u larguan nga forcat e sigurisë në një vend sekret në prag të pushtimit.

“Ai është një djalë i lezetshëm,” tha Yulia, një banore në Kvartal 95, familja e së cilës ndante pushimet me dy nga miqtë dhe bashkëpunëtorët kryesorë të Zelensky, Sergei dhe Boris Shefir.

Megjithatë, në zemrat e banorëve të tjerë të kompleksit të banesave, kishte acarim kur pyetej për presidentin. Brenda disa minutave pas mbërritjes sonë, të nxitur nga lajmet mbi raportet e fshehta ruse ku thuhej se po planifikonin vrasjen e presidentit të tyre, një grup banorësh dolën nga banesat e tyre të irrituar. “Nëse do të kisha një armë, do të qëlloja çdo të huaj që vinte këtu për të pyetur për presidentin tonë,” bërtiti një grua, ndërsa të tjerët bllokuan makinën tonë derisa policia e armatosur mbërriti për t’i shpërndarë. “Ne jemi në luftë. Ne nuk jemi të interesuar të flasim për prejardhjen e Zelensky.”, tha një tjetër.

Përkthyer nga: The Times

(BalkanWeb)

Forcat Speciale të Ukrainës shkatërrojnë autokolonën ruse pranë Kievit

Një operacion i Forcave Speciale të Ukrainës ka shkatërruar një autokolonë ushtarake ruse të përbërë nga tanke dhe blinda, në hyrje të Kievit.

Pamjet e shpërndara në rrjet tregojnë tanket në flakë në mes të rrugës. Beteja ka qenë mjaft e ashpër në periferi të kryeqytetit ukrainas.

Forca armike është neutralizuar e gjitha, por po ashtu edhe arsenali ushtarak që do tentonte të pushtonte Kievin, është bërë shkrumb e hi.

Ky kontigjent ushtarak i përket trupave dhe mjeteve që kapërcyen kufirin drejt Ukrainës mëngjesin e 24 shkurtit.

Sa i takon autokolonës gjigante prej 64 km, të dhënat e inteligjencës amerikanë bëjnë të ditur se karvani ushtarak është bllokuar 25 km larg nga Kievi dhe prej disa ditësh nuk ka lëvizur.

Luftimet në Ukrainë vijojnë prej 10 ditësh, pas agresionit ushtarak të Vladimir Putin për të pushtuar fqinjin jugor. syri.net

Zelensky: “Nuk kam ikur”


VOAL- “Çdo dy ditë thonë se kam ikur nga Ukraina, nga Kievi. Por unë jam këtu, e shihni, në vendin tim”. Kështu presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një video të postuar në Instagram, mohoi njoftimin e bërë më herët nga presidenti i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, sipas të cilit vetë Zelensky kishte ikur në Poloni. Askush nuk ka ikur askund, po punojmë”, shton aty presidenti ukrainas. rsi-eb

Zelensky dënon “jo”-në e NATO-s për një zonë të ndaluar fluturimi

VOAL- Presidenti ukrainas ka dënuar NATO-n për përjashtimin e një zone të ndaluar fluturimi mbi vendin e tij, duke deklaruar se aleanca ushtarake perëndimore e di se agresioni i mëtejshëm rus ka të ngjarë. “Duke ditur se sulmet dhe viktimat e reja janë të pashmangshme, NATO ka vendosur qëllimisht të mos mbyllë qiellin ndaj Ukrainës”, tha Volodymyr Zelensky në një video të publikuar nga presidenca. “Sot lidershipi i aleancës – këmbënguli presidenti – i dha dritën jeshile bombardimeve të mëtejshme të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës, duke refuzuar krijimin e një zone ndalim-fluturimi”. rsi-eb

Të paktën tre komandantë rusë janë vrarë ditën e sotme

Të paktën tre komandantë rusë janë vrare ditën e sotme sipas zytareve perendimore.

Ata thonë se zëvendëskomandanti i Ushtrisë së 41-të të Armëve të Kombinuara u vra nga zjarri snajper. Një komandant divizioni dhe një komandant regjimenti janë vrarë gjithashtu.

Komandantët rusë kanë ecur më tej për të marrë më shumë kontroll dhe më shumë shtysë pas operacioneve të cilat, në disa raste, kanë ngecur keq.

Ata komandantë po përpiqen të imponojnë personalitetin e tyre në fushën e betejës, por kjo nga ana tjetër po i vë në rrezik më të madh, besohet.bw

Suedezët tani janë pro NATO-s

VOAL- Për herë të parë, shumica e suedezëve janë në favor të anëtarësimit në NATO, një ndryshim opinioni i shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë. Këtë e ka zbuluar një sondazh i Institutit Demoskop të publikuar sot. Në një muaj, numri i mbështetësve të anëtarësimit u hodh me nëntë pikë, duke arritur një rekord të të gjitha kohërave prej 51%, ndërsa ata që e kundërshtojnë atë ranë në 27%, një rënie prej dhjetë pikësh. Ndërkohë, numri i të pavendosurve mbetet pothuajse i qëndrueshëm në 22%. sda-eb

BE: Anëtarësimi i Ukrainës duhet të bëhet sa më shpejt

Komisioneri evropian, Maros Sefcovic, tha sot se BE-ja dëshiron që Ukraina të bëhet shtet anëtar sa më shpejt që është e mundur.

Këto komente ai i bëri para gazetarëve gjatë një konferencë shtypi, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Është koha për të sinjalizuar se populli i Ukrainës është njëri nga popujt evropianë dhe ne i duam ata sa më shpejt që është e mundur”, tha ai duke shtuar se unioni evropian për momentin duhet të fokusohet në çështjet që kanë të bëjnë me luftën atje.

“Mendoj se çka është e rëndësishme tani është t’a ndihmojmë Ukrainën në luftë”, shtoi ai.

Pas invazionit rus, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, formalisht ka nënshkruar aplikimin e Ukrainës që të bëhet shtet anëtar i BE-së.

Ushtria ukrainase rrëzoi sot nje aeroplan tjetër rus: E kemi ne në zotërim qiellin në Ukrainë

Ukraina ka thënë se sot ka rrëzuar një aeroplan ushtarak rus Sukhoi Su-25, afër qytetit të Volnovakha në Ukrainën lindore.

Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhny, ka thënë se ushtria ukrainase e ka në zotërim qiellin në Ukrainë.

“Një tjetër avion armik SU-25 së bashku me pilotin u shkatërrua. Gjithsej 34 avionë armikë dhe 37 helikopterë u rrëzuan gjatë luftës”, ka thënë ai në një postim në Twitter, transmeton Gazeta Express.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Jashtme e Ukrainës ka publikuar të dhënat mbi humbjet e Rusisë në territorin e Ukrainës që na fillimi i agresionit.

Megjithatë, këto të dhëna janë shumë më të vogla në numra sesa ato që i ka publikuar vetë Rusia.

Shefi i NATO-s: Në Ukrainë do të ketë “më shumë vdekje, më shumë vuajtje dhe më shumë shkatërrim”

Bruksel

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se pret që të vijnë ditë më të këqija në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës

Duke folur në një konferencë për media pas takimit të jashtëzakonshëm të shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të NATO-s, Stoltenberg paralajmëroi se “më shumë vdekje, më shumë vuajtje dhe më shumë shkatërrim do të vijnë” në luftën Rusi-Ukrainë.

Ai përsëriti thirrjet e NATO-s për Rusinë që të “ndalojë menjëherë këtë luftë, të tërheqë pa kushte të gjitha forcat nga Ukraina dhe të angazhohet në diplomaci të vërtetë dhe të sinqertë”.

Stoltenberg theksoi se marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë “kanë ndryshuar rrënjësisht që kur vendi filloi agresionin më të keq ushtarak në Evropë për dekada”. Sipas tij, kjo lëvizje e Rusisë “synon të vendosë një normë të re në rendin botëror”.

Ai theksoi se zhvillimet e fundit çojnë një zgjedhje “nëse do të mbizotërojë demokracia apo autokracia dhe në çfarë lloj bote duam të jetojmë”.

Më 24 shkurt Rusia nisi luftën për të “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën, duke e cilësuar këtë inkursion masiv ushtarak rus një “operacion special ushtarak”.

Masa erdhi disa ditë pasi ai njohur rajonet Luhansk dhe Donetsk, dy enklava të kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore, veprim që u ballafaqua me dënim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë në Ukrainë të paktën 249 civilë janë vrarë dhe 553 të tjera janë plagosur.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje. AA

Rusët pushtuan Melitopolin dhe Khersonin, ukrainasit nuk dorëzohen, me flamuj në duar dalin në protesta: Largohuni nga vendi ynë!

Rusia ka arritur të pushtojë dy qytete ukrainase. Bëhet fjalë për Melitopol dhe Kherson, ku prej ditësh janë zhvilluar luftime të egra.

Tashmë, qyteti komandohet nga forcat e Putinit, por qytetarët vendas janë kundër kësaj.
Ata kanë dalë me mijëra në rrugë, me flamuj kombëtarë në duar duke protestuar, e duke i kërkuar pushtuesve të rinj të largohen nga vendi i tyre.

Vlen të përmendet se si pasojë e luftimeve në këto dy qytete janë shënuar shumë viktima, në mesin e tyre edhe civilë. Të shumta janë edhe dëmet e shkaktuara, ku flitet për shkatërrimin e qindra shkollave, ndërtesa banimi dhe institucione shtetërore. bw

Scholz: “Unë e këshilloj Shrëderin të tërhiqet nga të gjitha postet e tij në Rusi”

VOAL – “Këshilla ime për Gerhard Shrëderin është të tërhiqet nga këto poste të tij.” Këtë e deklaroi kancelari gjerman Olaf Scholz, i intervistuar nga Maybritt Illner në Zdf, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me ish-kancelarin, gjithashtu i kritikuar në SPD se nuk ka hequr dorë ende nga biznesi i tij në Rusi dhe në postin e kryetarit të bordit të mbikëqyrjes në Rosneft. rsi-eb

Ukraina: Forcat ruse kanë humbur 9.166 ushtarë

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se 9.166 ushtarë të ushtrisë ruse kanë humbur jetën dhe se ushtria e Ukrainës ka shkatërruar 33 avionë, 37 helikopterë, 251 tanke, 939 automjete të blinduara, 105 topa dhe 2 skafe të lehta të Rusisë

Kiev

Autoritet ukrainase kanë njoftuar se 9.166 ushtarë kanë humbur jetën nga forcat ruse që sulmuan Ukrainën.

Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës janë ndarë informacione lidhur me humbjet që forcat ruse kanë përjetuar në 9 ditët e fundit.

Në deklaratë thuhet se 9.166 ushtarë të ushtrisë ruse që sulmuan Ukrainën kanë humbur jetën dhe se ushtria e Ukrainës ka shkatërruar 33 avionë, 37 helikopterë, 251 tanke, 939 automjete të blinduara, 105 topa dhe 2 skafe të lehta të Rusisë.

Gjithashtu thuhet se forcat ruse kanë humbur edhe 50 sisteme raketahedhëse, 404 automjete, 60 automjete me karburant, 18 sisteme të mbrojtjes ajrore dhe 3 dronë. Në këto shifra bëhet e ditur se nuk përfshihen informacionet për luftimet në vazhdim.

Ndërkohë, në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, mbrëmë vonë u dëgjua zhurma e një shpërthimi të madh. Zhurma ishte një nga shpërthimet më të forta të dëgjuara në Sheshin e Pavarësisë në qendër të qytetit gjatë sulmeve ruse.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me sanksione të ashpra financiare kundër Moskës nga Bashkimi Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), 227 civilë janë vrarë dhe 525 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas thonë se numri i të vdekurve është më shumë se 2.000.

Agjencia e OKB-së për refugjatët raportoi gjithashtu se më shumë se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje. AA

Zelensky: Të mbyllt plotësisht hapësira ajrore, sepse raktetat lëshohen edhe nga Bjellorusia

Presidenti ukrainas kërkoi mbylljen e “plotë” të hapësirës ajrore, duke thënë se raketat lëshohen jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia.

“Unë dua që hapësira ajrore të mbyllet plotësisht sepse raketat lëshohen jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia”, u tha Volodymyr Zelenskyy gazetarëve në një konferencë shtypi në Kiev.

Ai shtoi se raketat Iskander, sistemi rus i raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi, po lëshohen nga ato zona.

Duke nënvizuar nevojën urgjente për avionë në Ukrainë, ai tha: “Ne kemi nevojë për avionë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë pa avionë tani. Kjo situatë po u kushton jetën shumë njerëzve”.

Ai i kërkoi homologut të tij rus Vladimir Putin që “të ndalojë këtë luftë”.

“Duhet të ulemi dhe të bisedojmë pa parakushte”, vazhdoi ai.

Zelenskyy gjithashtu falënderoi për të gjithë mbështetjen e dhënë Ukrainës, por ai tha se fëmijët nuk do të kishin vdekur nëse mbështetja nuk do të kishte ardhur “shumë vonë”.

“Ne jemi mbrojtja midis qytetërimit dhe Rusisë”, tha ai, duke shtuar se Kievi ka nevojë për siguri dhe garanci nga Perëndimi për mbrojtje.

Ai gjithashtu u bëri thirrje nënave ruse që të vijnë të marrin fëmijët e tyre, duke thënë: “Të rinjtë nuk duhet të jenë në morgje”.

Në lidhje me marrëdhëniet e Ukrainës me Poloninë, presidenti shpjegoi se sa të ngushta janë lidhjet e tyre duke thënë se homologu i tij polak e telefonon çdo ditë dhe e pyet për nevojat, dhe se ai e mban në linjë, pastaj thërret ushtrinë dhe i mbledh për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij.

Konferenca për shtyp e Zelenskyy-t erdhi pasi delegacionet ruse dhe ukrainase filluan raundin e dytë të bisedimeve të paqes në qytetin bjellorus Brest. AA

Gjenerali rus u vra në luftime

VOAL – Gjeneralmajori rus Andrei Sukhovetsky, komandanti i Divizionit të 7-të Ajror Rus, u vra në fillim të kësaj jave në Ukrainë. Kjo është raportuar nga transmetuesi britanik Sky News duke cituar një organizatë oficerësh në Rusinë jugore. Gjenerali 47-vjeçar kishte marrë pjesë në fushatën ruse në Siri. rsi-eb

Zelensky-NATO-s: Na dërgoni aeroplanë luftarakë! Nëse ne nuk jemi më, Zoti na ruajt, por këto 3 vende do të jenë të radhës

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka dhënë një konferencë shtypi – ku i bëri thirrje Perëndimit që t’i dërgojë avionë luftarakë.

“Nëse nuk keni fuqinë për të mbyllur qiejt [të zbatoni një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë], atëherë më jepni aeroplanë,” tha ai.

“Nëse nuk jemi më atëherë, Zoti na ruajt, Letonia, Lituania, Estonia do të jenë të radhës.”

Këto vende janë pjesë e aleancës mbrojtëse të NATO-s, që do të thotë se nëse Rusia do të pushtonte një të tillë, do të ishte në luftë me të gjithë anëtarët. bw

Zelensky: Formacioni i parë i një grupi prej 16 000 vullnetarësh të huaj po arrin në Ukrainë

VOAL – Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se  formacioni i parë i një grupi prej 16 000 vullnetarësh të huaj po arrin në vend.

Rusia thotë se mercenarët e huaj që veprojnë në Ukrainë do të ndiqen penalisht dhe nuk do t’u jepet statusi i të burgosurve të luftës. Kjo është bërë e ditur nga ministria ruse e mbrojtjes e cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve Tass. rsi-eb

Kolona 64 km ka ngecur prej 3 ditësh, por bombat mbi Kiev nuk ndalen

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi u godit nga katër shpërthime të mëdha gjatë natës. Imazhet dramatike tregojnë se si është goditur një kompleks banimi në rrethinat e qytetit.

Por sipas Daily Mail, kryeqyteti akoma nuk është përballur me më të keqen, siç po ndodh në Mariupol dhe Kharkiv.

Kjo mesa duket vjen për shkak se kolona e vdekjes, siç është etiketuar një karvan rus i gjatë 64 km, ka ngecur prej tre ditësh.

Autokolona luftarake është akoma rreth 29 kilometra larg Kievit, bëri të ditur inteligjenca britanike. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë, Ukraina po bën një rezistencë të fortë ndaj pushtuesit rus.

Nga ana tjetër, ushtria ruse po has në probleme logjistike, të cilat i kanë dëmtuar forcat ruse që kur tentuan të rrethojnë kryeqytetin.

Në ditën e tetë të pushtimit rus, qyteti Kherson ka rënë në duart e Moskës. Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelinsky është zotuar se do vazhdojnë rezistencën. syri.net

Shefi i Shtabit të Ushtrisë ukrainase bën deklaratën: Kemi kaluar nga mbrojtja në kundërsulm!

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Ukrainë, ka deklaruar se ushtria tanimë po kalon nga mënyra mbrojtja në një taktikë kundërsulmi. Këtë deklaratë ai e ka bërë për mediat vendase.

“Tani po kalojmë nga mbrojtja në kundërsulm”, ka deklaruar shefi i shtabit.

Vlen të përmendet se Rusia po godet me ofensivë të plotë mbi qytetet kryesore të Ukrainës, si Kievi dhe Kharkiv, por atje është përballur me rezistencën e ushtrisë vendasve dhe qytetarëve të rekrutuar. Ukraina ka deklaruar këto ditë se kanë vrarë mijëra ushtarë rusë, kanë shkatërruar qindra tanke, artileri të rëndë, avionë e helikopterë. Nga ana tjetër, pretendime të ngjashme ka pasur edhe nga ana e Rusisë.

Kjo e enjte sakaq, shënon edhe raundin e dytë të bisedimeve mes dy vendeve. Pritet të shihet nëse do të gjendet një marrëveshje për armëpushim. Putini i ka bërë të qarta kërkesat e tij. Ai kërkon që Ukraina të shpallë gjendjen e neutralitetit, të heqë dorë nga Krimeja dhe të mos anëtarësohet në NATO. Këto kërkesa, nuk janë pranuar nga Zelensky. bw

OKB: një milion ukrainas janë larguar nga vendi

Një milion njerëz janë larguar nga Ukraina që kur forcat ruse pushtuan vendin: njoftoi në një postim në Twitter Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

‘Në vetëm shtatë ditë, një million njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje. Për miliona njerëz të tjerë është koha që armët të ulen në mënyrë që të mund të sigurohet ndihma huminitare’ shkruan në statusin e tij Grandi. syri.net

Pas një jave luftë, rusët pushtojnë qytetin e parë të madh

VOAL – Një javë pasi nisën operacionin e tyre, forcat ruse pushtuan Herson, një qytet i madh në Ukrainën jugore. Një raund i dytë i bisedimeve për armëpushimin pritet të fillojë të enjten në mëngjes midis negociatorëve rusë dhe ukrainas. Herson është qyteti më i madh ukrainas i pushtuar nga trupat e Moskës.

Konflikti, i cili ka zgjatur për shtatë ditë, ka detyruar një milion njerëz të ikin në vendet fqinje, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

Ndërkohë, kreu i administratës rajonale (ku qëndron Kherson), Genadi Lakhuta, ftoi banorët në Telegram të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, duke thënë se “pushtuesit (rusë) janë në të gjitha pjesët e qytetit dhe janë shumë të rrezikshëm”.

Më tej në lindje, në Mariupol, porti kryesor i Ukrainës në Detin Azov, “situata po përkeqësohet nga ora në orë”, thanë disa banorë që raportuan gjithashtu bombardime të forta në qendër të qytetit. rsi-eb

Rusët sërish protestë në Shën Petersburg kundër luftës së Putinit në Ukrainë, arrestime masive

Vijojnë protestat kundër Putinit. Demonstruesit sfidues rusë kanë dalë edhe një herë në rrugët e Shën Petersburgut, qyteti i lindjes së presidentit Putin – për të protestuar kundër pushtimit të Ukrainës.

Ashtu si ditët e mëparshme, forca të shumta policore tentuan që të shpërndanin turmën, ndërkohë që dhjetëra protestues u arrestuan.

Vala e re e protestave erdhi pasi kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny bëri thirrje nga burgu për mitingje të përditshme kundër sulmit ushtarak, duke thënë se Rusia nuk duhet të jetë një “komb frikacakësh të frikësuar”. bw

Shpërthimi në Kiev- Ukrainasit shmangin tragjedinë, si u sulmua raketa ruse me objektiv qendrën e kryeqytetit, viktimat mund të ishin me qindra

Një shpërthim pranë stacionit qendror hekurudhor të Kievit mbrëmë u shkaktua nga nje rakete e rrëzuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Sipas këshilltarit te ministrisë së Brendshme Anton Herashchenko copat e raketes goditën një tub ngrohjeje, duke shkaktuar shpërthimin.

 

“Forcat tona Ajrore Heroike rrëzuan një raketë me krahë të fashistëve rusë, e cila ishte menduar për një nga qendrat e kontrollit. Rrënojat e një rakete të rrëzuar, dëmtuan termometrin, por dëmi do të hiqet deri në mëngjes. Nëse kjo raketë do të godiste objektivin diku në qendër të Kievit, viktimat dhe shkatërrimet do të ishin të tmerrshme.

Lavdi Forcave Ajrore të Ukrainës!

STOP! 

Askush s’mund te thote dicka se pse Forca jonë Ajrore po gjuan raketat e armikut mbi zonat shumë të banuara të Kievit.” bw

Presidenti i Francës Emmanuel Macron: S’jemi në luftë me Rusinë, Putin të dorëzojë armët, po përshkallëzon konfliktin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka mbajtur një fjalim këtë mbrëmje për situatën në Ukrainë. Macron theksoi se ‘ne nuk jemi në luftë me Rusinë‘.

Ndër të tjera, ai deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin e Ukrainës, Volodymy Zelensky dhe atë rus, Vladimir Putin.

Udhëheqësi i Francës, tha se në kontaktet e vazhdueshme që ka pasur me Putinin, është përpjekur ta bindë atë që të tërhiqet nga sulmet në Ukrainë.

“Jam përpjekur ta bind atë të heqë armët për të parandaluar zgjerimin e konfliktit.”-tha Macron./CNN/

“Qyteti do rezistojë edhe sonte”, kryebashkiaku i Kharkivit: Sulmet ruse nuk ndalen, kanë hedhur kundër civilëve bombën vakum

Kryebashkiaku i Kharkivit ka deklaruar se bombardimet ruse po shkaktojnë viktima të rënda te civilët, ndërsa zotohet se qyteti nuk do të bjerë në duart e forcave pushtuese të Vladimir Putinit.

Igor Terekhov thotë për BBC se luftime intensive po zhvillohen në të gjitha anët e qytetit, duke shtuar se situata është shumë e rrezikshme. Kryebashkiaku pohon se trupat ruse po hedhin granata dhe gjuajnë me raketa në zonat e banuara. Po ashtu ai pohon se ka marrë raporte se forcat e Moskës kanë shpërthyer një të ashtuquajtur “bombë vakum” në qytet.

“Ata (Rusia) hodhën kundër Kharkiv të gjitha forcat e imagjinueshme dhe një numër i madh tankesh po i afrohen Kharkiv,” thotë kryebashiaku. Ai shton se sulmi rus “nuk ndalet kurrë”, ndërsa i bën thirrje botës që “të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndaluar agresorin”.

“Qyteti i Kharkivit do të mbajë dhe sot. Kharkiv është i bashkuar si kurrë më parë. Gjendja është serioze dhe të gjithë janë të përqendruar, por qyteti është i bashkuar dhe do të qëndrojë i palëkundur,” thotë ai.bw

‘Ndaloni së vrari popullin tim’, Ruslana nga Ukraina: Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar

Këngëtarja ukrainase, Ruslana, e cila në vitin 2004 u shpall fituese e “Eurovizionit”, ka folur së fundmi për mediat në lidhje me situatën e sulmeve ruse në vendin e saj.

Ruslana ka treguar se ndihet e frikësuar nga kjo situatë, e cila është e rëndë.

“Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar për të gjithë njerëzit në Ukrainë, por edhe për të gjithë njerëzit në mbarë botën. Nuk kemi parë kurrë një luftë të tillë. Bomba, raketa, tanke, shumë gënjeshtra dhe dezinformata, përmes internetit dhe mediave sociale. Jemi të shokuar”, thotë këngëtarja e njohur, teksa shtoi:

“Unë nuk jam me familjen time, nuk e di nëse kam apo jo shtëpi për momentin dhe ju kërkoj të bëheni një me ne paqeruajtësit. Ndihmoni, flisni, por ndihmoni pak. Ju lutemi mos na injoroni. Njerëzit tani jetojnë në bodrume, në strehimore ditët e fundit. Çfarë do të ndodhë me fëmijët? Çfarë do të ndodhë me të moshuarit? Ata nuk mund të hanë, nuk mund të flenë. Unë nuk jam me familjen time, nuk mendoj për veten time. “Unë përdor zërin dhe emrin tim për të bërë gjithçka që mundem për të ndaluar luftën e Putinit”. syri.net

NATO po shikon mundësinë e një zone ndalim-fluturimi mbi qiejt e Ukrainës


VOAL- Sipas ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i cituar nga Sky News UK, NATO po “konsideron” mundësinë e krijimit të një zone ndalim-fluturimi mbi qiejt e Ukrainës me kërkesë të Kievit. Ky opsion, i përjashtuar në mënyrë eksplicite deri të martën nga liderët perëndimorë si Joe Biden apo Boris Johnson, do të parashikonte automatikisht mundësinë për të qenë në gjendje të synonte avionët ushtarakë rusë dhe për këtë arsye, në letër, të shkaktonte një konfrontim të drejtpërdrejtë me Moskën. “Një Luftë e Tretë Botërore, nëse do të shpërthente, do të ishte bërthamore dhe shkatërruese,” paralajmëroi Ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov në një intervistë për Al Jazeera të filmuar nga TASS. rsi-eb

Kherson është ende në duart e ukrainasve

VOAL- Raportime kontradiktore për qytetin portual të Ukrainës jugore Kherson, afër Krimesë, të cilin forcat e armatosura ruse pretenduan se e kishin pushtuar plotësisht mëngjesin e së mërkurës. Kryetari i bashkisë së qytetit në Facebook tha: “Ne jemi ende ukrainas. Ne jemi solidë”. Guvernatori i rajonit Kherson tha nga ana e tij se qyteti është i “rrethuar” nga rusët, duke kundërshtuar në fakt lajmin e pushtimit. Të dy burimet ukrainase raportohen nga BBC. Ministria britanike e Mbrojtjes gjithashtu shkroi në llogarinë e saj në Twitter se qytetet jugore të Ukrainës Kherson dhe Mariupol ishin të rrethuar nga forcat ruse. Më parë, ushtria ruse kishte pretenduar se kishte pushtuar qytetin strategjik të Khersonit, në Ukrainën jugore. rsi-eb

Lukashenko mbështet Putinin, paralajmërimi i Ukrainës: Mund të nisim sulme raketore mbi Bjellorusinë

Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Ukrainës, Oleksiy Danilov, ka thënë se Ukraina mund të nisë një sulm raketor ndaj Bjellorusisë.

“Ky vendim i takon komandantit të përgjithshëm, Zelenskyt”, ka thënë Danilov.

Vlen të përmendet se Bjellorusia është rreshtuar krah Rusisë në këtë betejë. Ato kanë lejuar ushtrinë ruse, që të përdorë territorin e tyre si vend kalimi për të hyrë në Ukrainë. Madje, president ii vendit Alexandër Lukashenko, ka thënë se nëse është e nevojshme, Bjellorusia është e gatshme të ndërhyjë në Ukrainë me ushtrinë e saj. bw

Presidenti Zelenskyy i bën thirrje BE-së “të mos e braktisë Ukrainën”

Bruksel

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i bëri thirrje sot BE-së “të mos e braktisë Ukrainën” dhe premtoi se BE-ja do të jetë më e fortë me Ukrainën.

Duke folur me një video-mesazh në seancën plenare të Parlamentit Evropian kushtuar luftës ruso-ukrainase, Zelenskyy përshëndeti mbështetjen e unifikuar të BE-së për Ukrainën, por vuri në dukje se ai nuk e dinte që Ukraina duhej të paguante “një çmim kaq të lartë për të”.

Ai tha se vendi i tij po paguan “çmimin e lirisë” që kur presidenti rus Vladimir Putin filloi luftën kundër Ukrainës të enjten.

Ai përmendi dy sulmet me raketa kundër qytetit të Kharkiv të martën në mëngjes dhe tha se vetëm dje, 16 fëmijë u vranë nga sulmet ruse.

“Askush nuk do të na thyejë. Ne jemi të fortë, ne jemi ukrainas”, tha Zelenskyy, por theksoi se duam “t’i shohim fëmijët tanë të gjallë”.

Zelenskyy u bëri thirrje ligjvënësve të BE-së të “dëshmojnë se jeni me ne, të dëshmoni se nuk do të na zhgënjeheni, të dëshmoni se edhe ju jeni evropian”.

“BE-ja do të jetë shumë më e fortë me Ukrainën”, pohoi Zelenskyy.

Seancë plenare e PE-së për agresionin rus kundër Ukrainës

Roberta Metsola, kryetarja e Parlamentit Evropian, tha se ligjvënësit e BE-së “nuk do të shikojnë anash” për krimet e luftës të kryera dhe do të mbështesin një hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Ajo u zotua se do të mbajë përgjegjës presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, nëse ata kryejnë krime lufte.

Metsola përshëndeti gjithashtu kandidaturën e Ukrainës në BE dhe premtoi mbështetje për pranimin e vendit në BE.

Ligjvënësit e BE-së do të miratojnë më vonë gjatë ditës një rezolutë që dënon agresionin rus kundër Ukrainës.

Zhvillimet e fundit

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës të enjten e kaluar, ajo është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, me BE-në, Britaninë dhe SHBA-në që zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

BE-ja miratoi javën e kaluar tre pako sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar ndër të tjera presidentin Putin, kryediplomatin Sergey Lavrov, sektorin bankar rus dhe kompanitë kryesore shtetërore.

Të dielën, presidenti Zelenskyy nënshkroi zyrtarisht kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE.

Në një letër të hapur, Lituania, Letonia, Estonia, Republika Çeke, Bullgaria, Sllovakia, Sllovenia dhe Rumania shprehën mbështetjen për kandidaturën e shpejtë të Ukrainës.

Sipas të dhënave të OKB-së, deri më tani, të paktën 136 civilë, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë dhe 400 të tjerë, përfshirë 26 fëmijë, janë plagosur në Ukrainë.

Rreth 660.000 njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje, theksoi sot Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. AA


Send this to a friend