VOAL

VOAL

Berlini me ndihmë të re ushtarake për Kievin në vlerë prej afër 3 miliardë eurosh

Ushtarët ukrainas duke u trajnuar nga partnerët gjermanë për përdorimin e tankeve Leopard. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Gjermania po përgatit një paketë të re të ndihmës me armatime për Ukrainën, në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh. Kjo është paketa më e madhe e ndihmës që Berlini do t’i japë Kievit, që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar, tha më 13 maj Ministria gjermane e Mbrojtjes.

“Ne shpresojmë për një përfundim të shpejtë të kësaj lufte të tmerrshme të Rusisë ndaj popullit ukrainas, por fatkeqësisht fundi nuk duket në horizont”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius përmes një deklarate.

“Prandaj, Gjermania do të dërgojë ndihmën që mundet, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi ai.

Paketa e re e ndihmës do të përfshijë edhe 30 tanke shtesë Lepoard, makina të blinduara të llojit Marder, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë vëzhgues, tha ministria gjermane.

Revista Der Spiegel tha se kjo do të jetë paketa më e madhe e ndihmës që Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës që nga nisja e luftës në fundin e shkurtit të vitit të kaluar.

Njoftimi për ndihmën e re për Ukrainën vjen në ditën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po viziton Romën, ku pritet të zhvillojë bisedime me liderët politikë. Më pas ai do të qëndrojë në Berlin.

Zyrtarët gjermanë megjithatë nuk kanë konfirmuar vizitën, por policia gjermane ka nisur përgatitjet për këtë vizitë të presidentit ukrainas.

Aleatët perëndimorë i kanë dërguar armë të fuqishme Kievit që kur Rusia dërgoi trupat e saj në Ukrainë në shkurtin e vitit të kaluar, edhe pse aleatët nuk kanë dërguar avionë luftarakë, të cilat i ka kërkuar Zelensky.

Vitin e kaluar, Gjermania i dha Ukrainës ndihmë në vlerë prej 2 miliardë eurosh dhe gjatë këtij viti ka planifikuar 2.2 miliardë euro të tjera ndihmë, edhe pse detajet për këtë ndihmë ende nuk janë finalizuar.

Berlini po ashtu ka premtuar se do t’i dërgojë Kievit më shumë tanke Leopard-2 dhe ka nisur të trajnojë ushtarët ukrainas për përdorimin e tyre.

Power: Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet për normalizimin e raporteve

RFE/RL

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë përpjekjet që të përshpejtohet rruga drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një konference për media në Prishtinë më 13 maj, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja amerikane tha se nga normalizimi i raporteve do të përfitonin qytetarët e të dyja shteteve.

“Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’i ndihmojë po ashtu normalizimit të raporteve dhe me këtë zhvillimit ekonomik dhe biznesit”, tha Power.

Power tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe që mbështetet nga SHBA-ja, është rruga e duhur që duhet të ndjekin të dyja shtetet. Ajo tha se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë proces, teksa agjencia që ajo udhëheq, USAID, po ashtu do të vazhdojë të investojë në Kosovë.

Power ka qëndruar në Kosovë për dy ditë dhe është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin po ashtu ka biseduar për dialogun me Serbinë.

Pas takimit me Kurtin ajo ka deklaruar se SHBA-ja është e përqendruar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që synon të çojë palët drejt normalizimit, duke theksuar se qëndrimi i Uashingtonit gjithmonë ka qenë që ky proces duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër arritën Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por dokumenti prej 11 nenesh kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Zelensky sot në Romë dhe Vatikan

Takimet me Papën, Mattarella dhe Meloni – Eurovizioni i mohon audiencën – Ukrainasit po përparojnë në Bakhmut, kështu thonë edhe rusët

 

VOAL- Volodymyr Zelensky do të jetë sot në Romë për të takuar Papa Françeskun, Presidentin e Republikës Italiane Sergio Mattarella dhe Kryeministrin Giorgia Meloni. Një vizitë në një qytet të blinduar dhe me një program që është qëllimisht i rrallë në detaje, për arsye të dukshme sigurie.

Vatikani as zyrtarisht nuk e ka konfirmuar, por ndërkohë burime diplomatike theksojnë se nuk ka lidhje me misionin misterioz të paqes që pretendohet se është duke u zhvilluar Selia e Shenjtë.

Sa i përket palës italiane, pas një takimi në Quirinale me Sergio Mattarella, presidenti ukrainas do të shohë Giorgia Meloni-n ballë për ballë dhe më pas diskutimi do të shtrihet tek delegacionet. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini – lider i Lidhjes që ka pasur marrëdhënie të mira me Kremlinin në të kaluarën – nuk do të jetë i pranishëm dhe tashmë është i diskutueshëm. Për Forza Italia do të jetë ministri i Jashtëm Antonio Tajani; Silvio Berlusconi – i njohur për miqësinë e tij me Putinin dhe deklaratat pro-ruse – është shtruar në spital për më shumë se një muaj. Dita do të mbyllet me një intervistë në programin Rai “Porta a porta”.
Asnjë Eurosong për presidentin

Nga ana tjetër, nuk do të ketë ndërhyrje – as nga larg – në finalen e Eurosong, festivali muzikor i fituar vitin e kaluar nga Ukraina, por i organizuar në Liverpool për arsye të dukshme. Zelenskit do ta kishte pëlqyer, dhe Londrën gjithashtu, por Eurovizioni ishte i vendosur: do ta politizonte demonstratën (nga e cila, për më tepër, Rusia tashmë është përjashtuar që nga viti i kaluar). Megjithatë, do të ketë një homazh për vendin e pushtuar, me disa artistë ukrainas në skenë.
Ukrainasit përparojnë

Zelensky mund ta ngushëllojë veten me situatën në Bakhmut, ku një kundërsulm nga ushtarët e tij në 24 orët e fundit ka bërë të mundur rikthimin e terrenit. Edhe zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes duhej të pranonte një “rigrupim taktik”, por udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, komentoi në mënyrë polemike: ajo që ndodhi në fushë quhet tërheqje. rsi-eb

Lufta në Ukrainë “çështje” në Eurovision, Zelensky nuk lejohet të japë mesazhin e tij, organizatorët: Do të politizonte festivalin

U zhvillua mbrëmja e dytë gjysmëfinale e Eurovisionit.

Pavarësisht nga sa pritej, presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky është ndaluar t’i adresohet ndjekësve të festivalit në natën finale.

Një kërkesë e liderit ukrainas për të bërë një video surprizë gjatë finales, në të cilën ai pritej t’i drejtohej një audience globale prej 160 milionë persona dhe të kërkonte mbështetjen e vendit të tij përballë agresionit rus, u refuzua nga organizatorët.

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), aleanca e më shumë se 100 transmetuesve që mbikëqyr konkursin, u shpreh se ishte e shqetësuar se një paraqitje e tillë e udhëheqësit ukrainas rrezikon të politizojë festivalin.

“Eurovision Song Contest është një shfaqje ndërkombëtare argëtuese dhe e udhëhequr nga rregulla dhe parime strikte që janë vendosur që nga krijimi i tij. Si pjesë e tyre, një nga themelet e konkursit është natyra jopolitike e festivalit. Ky parim ndalon mundësinë e bërjes së deklaratave politike apo të ngjashme si pjesë e konkursit. Kërkesa e zotit Zelensky për t’iu drejtuar audiencës në Festivalin e Këngës në Eurovizion, për fat të keq nuk mund të plotësohet pasi do të ishte në kundërshtim me rregullat”, tha një zëdhënës.

Kjo nuk është hera e parë që Zelensky ndalohet t’i drejtohet masës duke përdorur evente të tilla argëtuese.

Një kërkesë për të folur në Oscars në mars thuhet se është refuzuar për të dytin vit radhazi.

Kujtojmë se fituesi i vitit të kaluar ishte Ukraina, por për shkak të luftës, edicioni i këtij viti po mbahet në Liverpul.

Ndërkohë presidenti Zelensky është shprehur se do të preferonte që festivali të zhvillohej në Poloni, vend fqinj me Ukrainën.

“Kam respekt të madh për Mbretërinë e Bashkuar. Është një vend i mahnitshëm. Që nga fillimi, mendimi im ka qenë se nëse nuk mund ta presim ne Eurovizionin, atëherë ai duhet të zhvillohet në një nga vendet që ndajnë një kufi me ne, si Sllovakia, Polonia apo ndonjë vend tjetër që njerëzit tanë mund ta ndjekin lehtësisht. Diku afër. Gjithsesi gjëja kryesore është që konkursi po zhvillohet dhe njerëzit po tregojnë talentet e tyre”, tha ai për BBC.

Zelenskiy: Nuk është ende koha e duhur për kundërofensivën

VOA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se nuk është ende koha e duhur për kundërofensivën e planifikuar për të rimarrë kontrollin e territorit nga trupat pushtuese ruse.

“Kemi nevojë për pak më shumë kohë”, tha zoti Zelenskiy në një intervistë me mediat britanike të bërë publike të enjten.

Përgatitjet për kundërofensivën përfshijnë trajnimin e forcave ukrainase nga partnerët perëndimorë, si dhe dërgesat e municioneve, tankeve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore për të rritur aftësitë e palës ukrainase.

“Me [ato që kemi] ne mund ta fillojmë kundërofensivën dhe të jemi të suksesshëm,” tha presidenti Zelenskiy.

“Por do të humbisnim shumë njerëz. Mendoj se kjo do të ishte e papranueshme”, tha ai.

Të mërkurën vonë, admirali Bob Bauer, i cili kryeson Komitetin Ushtarak të NATO-s, u tha gazetarëve se Ukraina do të mund të luftojë me armë më të mira, megjithëse ka më pak ushtarë në dispozicion se Rusia.

“Rusëve do t’u duhet të përqendrohen tek numrat, tek një numër më i madh rekrutësh dhe të mobilizuarish, të patrajnuar mirë dhe me materiale të vjetra dhe jo me aq preçizion sa ato më të rejat”, shtoi ai.

PE miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

RFE/RL

Parlamenti Evropian ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.

Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.

Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.

Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në tekstin e raportit po ashtu përshëndetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Aty, po ashtu, mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.

Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, tha ajo gjatë debatit.

Në Rezolutën për Serbinë është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Gjatë debatit për Serbinë pati shumë deputetë që kërkon nga Beogradi që të shprehet qartë rreth aspiratave për integrime në BE dhe që këtë orientim ta dëshmojë duke mbështetur edhe sanksionet ndaj Rusisë. U dëgjua nga disa deputetë që Serbia po e bën të kundërtën, se në vend që të rrisë përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, po e zvogëlon atë.

Deputetja kroate, Zheljana Zovko, nënvizoi se nga 65 për qind që ka qenë vitin e kaluar, përshtatja e Serbisë me politikën e jashtme të bllokut evropian ka rënë në 45 për qind.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – gjatë debatit, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon kërkoi që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet dhe që procesi i normalizimit të vizave të përfshijë njohjen e ndërsjellë.

Ajo po ashtu kërkoi po ashtu që serbët në veri të Kosovës të kthehen në institucionet kosovare.

Serbët në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin në targa të ligjshme të Kosovës të makinave që bartnin targa ilegale serbe.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucione është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

Ndryshe, rezolutat e Parlamentit Evropian kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare.

Rrëzohet propaganda e Veliajt me 40 shkollat e reja, me fondet e bashkisë u ndërtuan vetëm 12

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, po trumbeton me të madhe se ka ndërtuar 40 shkolla gjatë 8 viteve në krye të institucionit vendor. Por nga verifikimet, ka rezultuar që jo vetëm që nuk janë 40, por bashkia ka bërë 12 shkolla të reja dhe ka rikonstruktuar 9 institucione arsimore. Ndërkohë që 3 prej shkollave janë kantier ndërtimi. 

SYRI TV

Një prej arritjeve që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po promovon në fushatën e zgjedhjeve vendore për mandatin e tij të tretë, është ndërtimi i 40 shkollave gjatë tetë viteve në detyrë.

Nga verifikimi i të dhënave rezulton se bashkia ka bërë 12 shkolla të reja dhe rikonstruktuar 9 shkolla ekzistuese me investimet e veta dhe pjesa tjetër, janë shkolla ekzistuese të rikonstruktuara apo të rindërtuara pas tërmetit të viti 2019 me fondet e qeverisë apo donacione.

Nga verifikimi në terren rezulton se të paktën 3 prej shkollava janë ende kantier, ndërkohë që mësimi me turne dhe mbulimi i zonave me objekte arsimore sipas planit të territorit, mbeten çështje të pazgjidhura.

I ftuar në emisionin ‘Opinion’ më 27 prill, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se janë bërë 40 shkolla të reja në kryeqytet gjatë dy mandateve në detyrë. Ndërkohë, kryebashkiaku theksoi se Tirana ka nevojë edhe për 10-15 shkolla të reja.

Por a janë ndërtuar 40 shkolla te reja në Tiranë?

Gjatë përpunimit të të dhënave të siguruara në rrugë zyrtare, rezulton se shkolla të reja me fonde të bashkisë janë vetëm 12 pra thuajse ¼ e asaj që deklaron Veliaj, 9 të tjera janë shkolla ekzistuese të rikonstruktuara po me fondet e bashkisë, që në rastin më të mirë e çojnë në 21 numrin e objekteve arsimore me investime të saj.

Pjesa tjetër janë financimi i qeverisë, si pjesë e fondeve të rindërtimit, dhe financime të huaja (Eu4Schools, Katari, 1 Sllovakia dhe një investim i pjesshëm nga Çekia). Një pjesë e tyre janë financuar nga Fondi i Rindërtimit, disa të tjera janë financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet projektit EU4schools, por ka edhe shkolla të financuara nga Katari.

Shkollat e ndërtuara me financim nga Bashkimi Europian në Tiranë janë: “Shkolla 26 nëntori’; ‘Asim Vokshi’; ‘Emin Duraku’; ‘Musine Kokalari’; ‘Myslym Keta’; ‘Xhezmi Dielli’; ‘Ardian Klosi”. Shkollat e ndërtuara me financim nga Katari: “Shkolla 9-vjeçare ‘Jeronim De Rada’; Shkolla 9-vjeçare ‘Lasgush Poradeci’; Shkolla fillore dhe e mesme ’16 Shtatori”. Në 40 shkollat e artikuluara si të “bëra“ ka disa të cilat ende nuk janë gati pasi vijojnë punimet.

Në gjimnazin “Partizani”, ku financues është bashkia Tiranë po zhvillohen punime. Në kantier, tabela e punimeve përcakton afatin 12 muaj, por jo datën e nisjes dhe përfundimit të tyre.

Ky objekt nuk kishte përfunduar ende dhe nga verifikimi në terren shihet se ka akoma punë deri në përfundimin e plotë të objektit. Një tjetër objekt arsimor, që nuk ka përfunduar ende dhe financohet nga Bashkimi Europian është gjimnazi i gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. Punimet kanë filluar në nëntor të vitit 2022 dhe afati i përfundimit të punimeve është 8 muaj.

Një tjetër objekt arsimor që ende nuk ka përfunduar është edhe shkolla “Musine Kokalari” në zonën e Kombinatit.

Tabela e punimeve e vënë në hyrje të kantierit tregon qartë se ky objekt financohet nga Bashkimi Europian.

“Rindërtimi dhe riparimi i shkollës 9-vjeçare ‘Musine Kokalari’, Tiranë”.

Aty janë të përcaktuara edhe data e nisjes së punimeve 9 shkurt 2023 dhe e përfundimit pas 9 muajsh. Referuar tabelës në hyrje të kantierit, vlera e kontratës është 179,839,899.75 lekë. Sipas studimit të fizibilitetit, bazuar në VKM nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit” rrezja e mbulimit me shërbimin parauniversitar në vijë ajrore duhet të jetë: “Për shkollat fillore dhe 9-vjeçare, rrezja e mbulimit në vijë ajrore: 500 – 600 metra në zona urbane; 1000 – 1500 metra në zona urbane

Për shkollat e mesme, rrezja e mbulimit në vijë ajrore: 1000 – 1500 metra në zona urbane; 2000 – 4500 metra në zona rurale”.

Parlamenti Evropian diskuton për Kosovën dhe Serbinë

RFE/RL

Dy rezoluta për Kosovën dhe për Serbinë janë temat për të cilat do të diskutojë sot Parlamenti Evropian, në një seancë plenare që po zhvillon në Strasburg. Votimi për to, ndërkaq, do të bëhet të mërkurën.

Ky diskutim dhe këto rezoluta do të jenë të fundit me këtë përbërje të PE-së, pasi, së shpejti, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane dhe do të zgjidhen deputetët e rinj.

Nga Parlamenti Evropian u paralajmërua se diskutimet do të përqendrohen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa do të shprehet mbështetje edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nga Serbia, në anën tjetër, pritet të kërkohet që t’i përshtatë qëndrimet e saj në politikën e jashtme me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Tekstet e raporteve u miratuan para dy javësh në Komisionin e politikës së jashtme të BE-së, por, sipas procedurave të Parlamentit Evropian, ato tekste mund të ndryshohen në seancë plenare nëse ka propozime dhe amendamente nga deputetët.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, propozoi që në tekst të rezolutës për Kosovën të përfshihet edhe shprehja e keqardhjes për votimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, një veprim i tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Ohrit, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në muajin mars. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, dy vendet nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Në tekstin e rezolutës për Kosovën, i cili në Komisionin për politikë të jashtme ka kaluar me 44 vota në favor, 8 vota kundër dhe 3 vota të përmbajtura, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas tekstit, ky veprim reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin e saj të qartë gjeopolitik.

Në tekst përshëndetet edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – proces i cili është përmbyllur më 25 prill, kur vendimi është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Me këtë vendim, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në atë që njihet si Zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra vendesh evropiane, nisur nga 1 janari i vitit 2024.

Parlamenti Evropian pritet që edhe përmes kësaj rezolute të përsërisë thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

PE-ja do të kërkojë gjithashtu nga BE-ja që ta përshpejtojë procesin e zgjerimit, duke e cilësuar këtë si politikën më të suksesshme të bllokut evropian për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.

Në rastin e Kosovës, PE-ja rikujton se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi në sundimin e ligjit, në të drejtat themelore dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Sa i përket dialogut për normalizim raportesh, pritet që porosia e njëjtë të jetë edhe për Kosovën, edhe për Serbinë – se ato duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet që kanë arritur dhe se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve do të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë.

DW zbulon planin: BE po planifikon të zgjerojë prodhimin e municioneve për të ndihmuar Ukrainën

BE planifikon të zgjerojë prodhimin e municioneve deri në një 1 milionë sasi për të ndihmuar Ukrainën. Prodhuesit e armëve do të marrin për këtë deri në 1 miliardë euro.Në muajt e fundit është raportuar shpesh, se Ukrainës po i mbaron municioni në luftë kundër agresorit rus. Tani BE ka paraqitur një plan, i cili parashikon zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit të armëve përtej 12 muajve të ardhshëm. “Industria europiane e mbrojtjes duhet të mendohet si të kalojë në prodhimin e ekonomisë së luftës”, është shprehur Thierry Breton, komisioner i BE për industrinë e mbrojtjes dhe tregun e brendshëm në Bruksel. Bëhet fjalë për zgjerimin e prodhimit aktual, modernizimin e prodhimit e ngritjen e fabrikave të reja të prodhimit, ka thënë funksionari i lartë i BE.

Koncernet europiane të armatimit, sipas planit të ri të BE do të marrin deri në 500 milionë euro nga buxheti i përbashkët i unionit. Disa projekte të tjera do duhet të bashkëfinancohen nga vendet anëtare, e për to do të jenë në dispozicion edhe 500 milionë euro të tjera. “Mendoj, se në 12 muajt e ardhshëm do të mund të zgjerojmë kapacitetet e prodhimit në Europë me mbështetjen përkatëse deri në 1 milionë sasi municioni”, tha Breton pa përmendur, se sa i lartë është prodhimi aktual. Ky është sekret i ruajtur i mirë. Komisioneri i BE shpreson që propozimi të miratohet deri në qershor. Iniciativa e re e shtrirë për dy vjet do t’u mundësojë vendeve anëtare të marrin para nga fondi miliardësh i BE i rindërtimit pas Coronës.

Një plan me tre shtylla

Tek ky njoftim i BE bëhet fjalë për shtyllën e tretë të planit të vendeve anëtare në vlerë prej 1 miliardë eurosh. Shtylla e parë parashikon që vendet e BE të dërgojnë armë në Ukrainë nga rezervat e tyre e një pjesë e këtyre dërgesave do të zëvendësohet. Një procedurë që përdoret tanimë. Estonia për shembull u kritikua, se me gjasë përdor fondet e përbashkëta të BE për të ripërtërirë rezervat e vjetra ushtarake, por Talini i hodhi poshtë kritikat. Shtylla e dytë parashikon sigurimin e përbashkët të municionit për Ukrainën. Këtu ka vonesa për shkak të përplasjeve politike në prapaskenë. Vendet e BE nuk kanë qenë të një mendimi, kur bëhej fjalë që porosi voluminoze të jepeshin tek koncerne armatimi jashtë BE. Këtë javë ambasadorët e BE i sheshuan dallimet, sipas presidencës suedeze të BE dhe hapën rrugën për sigurimin e përbashkët të municionit.

 

BE nis një udhë të re

Që nga sulmi rus kundër Ukrainës, BE-së i është dashur të thyejë shumë tabu. Europa u krijua si projekt paqeje pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore, si pasojë përdorimi i përbashkët i armatimeve për rajone në luftë ishte i ndaluar. Por shpërthimi i luftës në Ukrainë, para derës së BE dhe vendimi për të mbështetur Kievin në luftë kundër Moskës solli ndryshimin: U krijua një mekanizëm i re financimi për mbështetje masive ushtarake, jashtë buxhetit të BE. “Duhet të pranojmë që BE ka nisur të përshkojë rrugë të reja”, thotë Camille Grand, nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, European Council on Foreign Relations për DW. “BE për herë të parë jep fonde të BE për mbështetjen e industrisë së mbrojtjes, jo për shkencë dhe zhvillim, por vërtet për mbështetjen e industrisë së armatimit.”

Megjithatë zgjidhje të shpejta nuk ka. Sipas Grand mbetet të pritet, nëse do të arrihet efekti i dëshiruar me këto fonde. Rritja e prodhimit të armatimit është proces i vështirë, dihet se prodhimi i municionit është më i lehtë se ai i tankeve apo avionëve, por prodhimi është kompleks, me zinxhirë të komplikuar furnizimi dhe vështirësi në gjetjen e fuqisë së mjaftueshme punëtore me kualifikime përkatëse. Sipas Grand, kapacitetet e prodhimit në BE nuk kanë qenë kurrë të lidhura me një luftë të madhe. “Nocioni ‘ekonomi lufte’ është i ekzagjeruar, por e bën të qartë se duhet të ndryshohen shumë gjëra.” Nga ana tjetër industria e prodhimit është e rezervuar, kur bëhet fjalë për rritje masive të kapaciteteve të prodhimit, të cilat shpejt pas përfundimit të luftës do duhet të reduktohen sërish. Iniciativat e BE dhe NATO-s duan t’i japin një sinjal industrisë së armatimit, se investimi ia vlen , sipas Grand.

I përpin “ekonomia e luftës” fondet për luftën kundër varfërisë?

BE vërtet po ecën në rrugë të reja, po jo të gjithë janë dakord që fondet e BE që u parashikuan për të rimëkëmbur ekonomitë e BE pas pandemisë dhe mbështetur vendet më të varfra të BE, tani të përdoren për industrinë e armatimit. Martina Michels, deputete e Parlamentit Europian për Partinë E Majta kritikon këtë aspekt të planit të BE. “Fondet strukturore të BE janë instrumentat tanë për investime afatgjata strategjike. Ato duhet të përafrojnë standartet jetësore të vendeve anëtare në të njëjtën kohë me ndryshimin strukturor të përshtatshëm me klimën. Në asnjë mënyrë ato nuk duhet të përdoren për armatim. Ekonomia e luftës nuk është as me qëndrueshmëri sociale, as ekologjike dhe as ekonomike.”

Thierry Breton kujton se vendet anëtare do të vendosin vetë si t’i përdorin investimet, edhe për shembull për të zgjeruar një fabrikë municionesh që vitet e kaluara kishte reduktuar prodhimin. “Tek financimi duhet të veprohet shpejt, që industria të rrisë prodhimin”, kërkon komisioneri i BE./DW

Berlusconi u drejtohet mbështetësve nga spitali

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, u është drejtuar të shtunën mbështetësve, për herë të parë prej kur është shtruar në spital, një muaj më parë.

“Ja ku jam, këtu, për ju, i veshur me këmishë e xhaketë, për herë të parë pas një muaji”, ka thënë miliarderi 86-vjeçar, përmes një videoje të incizuar paraprakisht.

Incizimi i tij është lëshuar në konventën e partisë së tij të së djathtës ekstreme Forza Italia.

Ai i ka falënderuar mbështetësit për ndihmën, e cila, sipas tij, i ka ndihmuar “më shumë sesa gjithçka tjetër për të tejkaluar pneumoninë e rrezikshme”.

Berlusconi është shtruar në Spitalin San Raffaele të Milanos më 5 prill, pasi është diagnostikuar me infeksion në mushkëri, dhe më pas leukemi.

Mjekët e tij kanë konfirmuar këtë javë se gjendja e Berlusconit është “stabël”, por nuk kanë treguar se kur mund të largohet nga spitali.

Forza Italia është parti partnere në koalicionin qeverisës, në krye me Giorgia Melonin.

Berlusconi shihet rrallë në publik, përveç disa paraqitjeve në Senat, si lider i partisë.

Forza Italia e ka humbur një pjesë të mirë të mbështetjes, në krahasim me periudhën kur Berlusconi ka qenë në pushtet tri herë si kryeministër, në periudhën 1994-2011. REL

Ukraina shkatërron një transportues personel të blinduar rus me një dron kamikaz

Ushtria e Ukrainës ka shkatërruar një transportues personel të blinduar rus me një dron kamikaz FPV.

Pamjet e shkatërrimit të këtij automjeti luftarak janë publikuar në Twitter nga një faqe ukrainase që publikon vazhdimisht luftimet në Ukrainë.

Sipas videos, droni kamikaz shihet derisa u nis drejt cakut për ta shkatërruar mjetin luftarak.

Nuk dihet se në cilën zonë janë xhiruar pamjet në fushë të hapur, por luftime të ashpra po vijojnë në qytetin Bakhmut.

Ukraina pritet që së shpejti të nisë një kundërofensivë në këtë qytet.syri.net

Eurostat: Rreth 9950 shqiptarë u larguan me urdhër nga BE-ja më 2022, kryesojnë listën e të kthyerve

Raimond Kola

Shqiptarë kryesojnë listën e shtetasve të cilët u kthyen në një vend tjetër pas një urdhri për t’u larguar nga territori i një vendi të caktuar të Bashkimit Evropian gjatë vitti 2022.

Sipas raportit të Agjencisë Evropiane të Statistikave Eurostat publikuar të premten reth 9950 shqiptarët janë kthyer në një vend tjetër pas një urdhëri largimi nga një vend i Bashkimit Evropian.

Lista pasohet nga shtetasit gjeorgjianë me rreth 8040 persona dhe shtetasit sirianë me rreth 5590 persona.

Shtetasit shqiptarë me urdhra largimi janë zbuluar se jetonin në mënyrë të paligjshme në një nga vendet e BE-së, ku gjatë vitit 2022 u zbuluan rreth 1.08 milionë persona që jetonin në mënyrë të paligjshme.

Shtetasit shqiptarë udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian prej Dhjetorit të vitit 2010 por në rastet e zbulimit “si të paligjshëm” nga autoritetet e një vendi të Bashkimit Evropian ata kanë shkelur afatin e qëndrimit tremujor në vendet e zonës Shengen apo kanë kryer veprime jashtë programit të vizës për qëllime turistike.

Sipas raporteve për migrimin në vendet e Bashkimit Evropian, aktivitetet e personave nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, përshi Shqipërinë, të cilat përbëjnë shqetësim janë të lidhura kryesisht me punësimin, zënia e një pune apo vetëpunësimi, në një kohë kur kushtet e vizitave afatshkurtra nuk e lejojnë një gjë të tillë. Një aspekt tjetër, i lidhur me këtë, ka të bëjë me veprat penale ku mund të përfshihen vizitorët afatshkurtër.

Sipas Eurostat numri i shtetasve joanëtarë të Bashkimit Evropian, të urdhëruar për t’u larguar nga një shtet anëtar i Bashkmit Evropaon, ishte 422400 por rreth 96795 shtetas nga vendet jashtë Bashkmit Evropian, me të cilëve dhe shetasit shqiptarë, u kthyen në një vend tjetër pas urdhërave të largimit gjatë viti 2022.

Sipas raportit, Franca ka numrin më të lartë të shtetasve të kthyer, rreth 14240, ndjekur nga Gjermania me rreth 13130 persona dhe Suedia me rreth 10490 persona.

Ndërkohë shetasit shqiptarë renditën të dytët edhe në listën e refuzimit të hryjes në një vend të Bashkimit Evropian gjatë vitit 2022 .

Sipas Eurostat rreth 15630 shtetasve shqiptarë u është refuzuar hyrja, ndërkohë që lista kryesohet nga shtetasit Ukrainës me 28890 persona dhe në vend të tretë për nga refuzimi i hyrjes në Bashkimin Evropain renditen shetasit e Rusisë me 10 860 persona.

Në vitin 2022, rreth 141060 shtetasve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian , raporton Eurostat iu refuzua hyrja në Bashkimin Evropian.

Numri më i madh i refuzimeve të hyrjes sipas Eurostat u raportua nga Polonia me 23 330 persona, ndjekur nga Hungaria me 15 780persona, Kroacia me 11 800 persona dhe Irlanda me 9 240 persona.

BE: Roli i Ekipit Menaxhues përfundon vetëm kur të miratohet statuti

RFE/RL

Roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet, prandaj, sipas Bashkimit Evropian, vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shkarkuar atë është në kundërshtim me marrëveshjen.

Kështu ka thënë të enjten në një konferencë për shtyp në Bruksel zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke u përgjigjur në disa pyetje lidhur me rolin e Ekipit Menaxhues.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, më 3 maj ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues.

Ekipi në fjalë, i përbërë nga katër serbë nga Kosova, mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë, ku edhe paraqiti draftin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për më tepër, Kurti tha se koordinatorja e këtij ekipi, Danijella Vujiçiq, “është në konflikt interesi”, sepse ajo ka dhënë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë.

I pyetur se pjesë e cilit delegacion ishte Ekipi Menaxhues në takimin e fundit, Stano tha se ai ekip mori pjesë “si delegacion më vete” dhe se “ishin ftuar të vijnë dhe t’i bashkohen takimit për një pikë të rendit të ditës”.

“Ata nuk ishin pjesë e asnjërit delegacion, as të Serbisë e as të Kosovës”, deklaroi Stano.

Zëdhënësi i BE-së tha se përbërja e këtij ekipi “është në përputhje me marrëveshjen e dialogut”.

“Palët ishin pajtuar rreth përbërjes së Ekipit Menaxhues. Anëtarët e Ekipit Menaxhues janë propozuar nga Serbia dhe zyrtarisht janë emëruar nga Kosova”, sqaroi Stano.

Sipas BE-së, tha Stano, “marrëveshjet e dialogut qartë thonë se ekipet menaxhuese duhet të ekzistojnë derisa të miratohet statuti i Asociacionit”.

“Ekipi Menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin e parë, që do të thotë se nisën procesin e jo që procesi mori fund. Prandaj, vendimi për ta shkarkuar Ekipin Menaxhues shkel tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, theksoi Stano.

Pati edhe disa pyetje të gazetarëve rreth asaj se deri kur mund të vazhdohet në këtë mënyrë dialogu, me refuzime të njëpasnjëshme të palëve.

“Jeta është e vështirë, e dialogu është edhe më i vështirë”, u përgjigj zëdhënësi i BE-së duke përsëritur se arritja e marrëveshjes është e domosdoshme që palët të ecin para në procesin e integrimit evropian dhe se, në rast të dështimit, do të ketë pasoja, përfshirë edhe ato financiare.

Në pyetjen se a mund të thuhet se ekziston marrëveshja në tërësi, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur se ai “ia ka bërë të qartë BE-së se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes”, Stano ritheksoi se “Marrëveshja ekziston“ dhe se “përfaqësuesi i lartë, Joseph Borrell, e ka bërë të qartë se “Deklarata e lëshuar nga BE-ja, është parë dhe është pranuar edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nga kjo buron edhe obligimi i palëve për ta zbatuar”.

Ky zëdhënës i Bashkimit Evropian përmendi edhe Deklaratën për të Zhdukurit si dëshmi të progresit në dialog dhe shprehu bindjen e Bashkimit Evropian se palët do të punojnë për ta zbatuar këtë marrëveshje dhe për të zbuluar fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit.

Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Escobar: Zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe

VOA

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i bëri këto komente një ditë pas takimit të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në të cilin palët mos mospajtimeve diskutuan për projekt statutin e Asociacionit, themelimi i të cilit kërkohet edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilën zoti Escobar e cilësoi ligjërisht të detyrueshme.

“Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zoti Escobar duke theksuar se brenda dy javësh kryenegociatorët e të dyja vendeve pritet të takohen për të diskutuar këtë çështje dhe të punojnë për një statut që funksionon.

“Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët, posaçërisht Kosova, duhet ta marr seriozisht dhe të ecë përpara në mënyrë të përshpejtuar”, tha zoti Escobar dukë nënvizuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruar që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet dhe ky realitet bëhet me Asociacionin.

Ai tha se pati një përparim të vogël rreth themelimit të asociacionit në bisedimet e së martës, për të cilat shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ishin “një hap simbolik” rreth kësaj çështjeje.

Projekt statuti i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët janë liruar sot nga detyra me vendim të qeverisë së Kosovës, u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane,

Kryeministri Kurti tha se ka propozuar një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë, duke u frymëzuar siç tha, nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh “i brengosur” meqë siç tha “është e qartë se Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin” për themelimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Ata, ose do ta pranojnë atë për të cilën jemi pajtuar në vitin 2015, ose do të jetë fundi i çdo gjëje”, tha presidenti serb.

Zoti Escobar tha se zgjidhja duhet kërkuar në një kompromis ndërmjet palëve, duke mohuar të ketë trysni vetëm mbi Kosovën për këtë çështje.

“Ky duhet të jetë një statut i negociuar që mbron të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Pritjet dhe aspiratat tona janë të qarta dhe të larta dhe mbështetja jonë që palët të arrijnë një pozicion të përparuar është e qartë”, tha ai.

Marrëveshja e Ohrit, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por, vëzhguesit tërheqin vërejtjen se marrëveshja që do të duhej të ulte tensionet mes palëve, nuk e ka ndryshuar ligjërimin e tyre politik.

Ngjashëm u shpreh të mërkurën ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, i cili tha se bisedimet janë të vështira dhe përparimi i paktë.

“Është një ton i keq. Askush nuk thotë asgjë të mirë ndërmjet takimeve në kuadër të bisedimeve. Është një proces i vështirë dhe çështjet janë të vështira me rrënjë në histori dhe në luftë. Por, nuk e di cila është alternativa”, tha ambasadori Hill në një konferencë në Shkup mbi sfidat e sigurisë rajonale, duke nënvizuar se bisedimet duhet të përshpejtohen.

Zelensky viziton Finlandën për takime me udhëheqësit nordikë

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto (djathtas), pret homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Helsinki, më 3 maj 2023.

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Finlandë, të mërkurën, për të marrë pjesë në një samit të udhëheqësve të pesë vendeve nordike, ka njoftuar Presidenca finlandeze.

Zelensky është takuar në Helsinki me presidentin finlandez, Sauli Niinisto, vendi i të cilit u bë anëtari më i ri i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), në prill, për të diskutuar për “luftën e Ukrainës për mbrojtje”, raporton AFP.

Zelensky pritet me gardë nderi në Helsinki.

Zelensky pritet me gardë nderi në Helsinki.

Udhëheqësi ukrainas do të zhvillojë, po ashtu, bisedime bilaterale me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, me Jonas Gahr Storen e Norvegjisë, me Mette Fredriksenin e Danimarkës dhe me Katrin Jakobsdottirin e Islandës.

“Për të hyrë në NATO dhe për të mbështetur aleancat, për të siguruar mbështetje, duhet të bëhet punë thelbësore diplomatike. Ukraina po e bën atë sot”, ka shkruar këshilltarja për komunikime e Presidencës ukrainase, Daria Zarivna, në Telegram.

Të gjitha vendet nordike janë zotuar se do t’i ofrojnë Ukrainës mbështetje, si financiare, ashtu edhe ushtarake, pas pushtimit nga Rusia në shkurtin e vitit 2022.

Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia i janë bashkuar, po ashtu, përpjekjes ndërkombëtare për ta furnizuar Ukrainën me armë të rënda, duke i dhuruar disa prej tankeve të tyre Leopard 2, apo duke ofruar mbështetje financiare për blerjen e tyre.

VIDEO- Avioni luftarak i ukrainasve lokalizon ata rusë, u vihet pas, i gjuan me raketa

Një video amatore shfaq momentin, kur aeroplani luftarak i forcave ajrore ukrainase ndjek nga pas aeroplanët rusë të cilët i godet me raketa.

Pamjet i publikoi shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ku aeroplani i Kievit arriti të lokalizojë aeroplanët e Moskës të cilët më pas fillon t’i gjuajë me raketa.

Nuk dihet nëse ndonjëri nga aeroplanët e rusëve është rrëzuar, por në pamje shihen raketat që i lëshon aeroplani i ukrainasve.

Në anën tjetër një kundërofensivë e paralajmëruar nga Kievi, ka alarmuar forcat pushtuese ruse, që kanë filluar përgatitjet për evakuim në shumë zona.

Ndryshe luftimet e ashpra po vazhdojnë të zhvillohen në tërë territorin e Ukrainës, në veçanti në lindje të vendi – përkatësisht në Bakhmut.syri.net

 

Pa truproja dhe me tren drejt Italisë për të takuar homologun Matarella, fotoja e Presidentit të Austrisë bëhet virale

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen, ka postuar një fotografi në rrjetet sociale, që ka bërë shumë bujë.

Presidenti austriak ka treguar se është nisur me tren në takimin zyrtar me Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella.

Megjithëse po shkonte në një takim zyrtar, ai po udhëtonte vetëm dhe pa truproja, madje edhe me transport publik, duke u dhënë shembull liderëve të tjerë, sidomos atyre të Ballkanit.

Më parë edhe liderë të tjerë kishin vepruar ngjashëm, ndërsa kishin bërë bujë për modestinë e tyre.bw

 

Whatsapp Image 2023 05 01 At 10.07.42
Whatsapp Image 2023 05 01 At 10.07.42

Armenia dhe Azerbajxhani do të mbajnë bisedime për paqe në Uashington

Pamje nga rajoni i Nagorno-Karabakut.

RFE/RL

Armenia dhe Azerbajxhani do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh në Uashington të dielën, në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet, tha të shtunën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Armenisë.

Tensionet janë rritur sërish mes dy vendeve për rajonin e Nagorno-Karabakut që dy vendet pretendojnë se u takon.

Aty paqeruajtësit rusë u vendosën aty në vitin 2020 për t’i dhënë fund një lufte, e dyta që Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për enklavën që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Rajoni malor njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është populluar kryesisht nga armenë etnikë.

“Nga 30 prilli Ministri i Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan do të jetë në Uashington për një vizitë pune. Është planifikuar raundi tjetër i diskutimeve për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit,” tha zëdhënësja, Ani Badalyan në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Nuk pati asnjë konfirmim të menjëhershëm të takimit nga Azerbajxhani.

Pavarësisht përpjekjeve për ndërmjetësim mes tyre, Armenia dhe Azerbajxhani ende nuk kanë arritur një marrëveshje paqeje që do të zgjidhte çështjet e pazgjidhura si përcaktimi i kufijve dhe kthimi i të burgosurve.

Azerbajxhani ngriti një pikë të re kontrolli të dielën e kaluar në rrugën për në Karabakh, korridori Lachin, në një lëvizje që Armenia e quajti një shkelje të rëndë të armëpushimit të vitit 2020.

Zjarr i madh në Krime pas sulmit me dron

Pamje të tymit pas një sulmi të raportuar me dron në Sevastopol të Krimesë në Ukrainë. (29 prill 2023)

 

Një zjarr i madh shpërtheu të shtunën në një depo karburanti në Sevastopol, porti kryesor në Gadishullin e Krimesë në Ukrainë, i aneksuar nga Moska.

Autoritetet thanë se shpërthimi ishte rezultat i një sulmi me dron.

Sevastopol është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi dhe është goditur nga një seri sulmesh me dronë që kur ofensiva e Rusisë në Ukrainë filloi vitin e kaluar.

Zyrtarët rusë kanë fajësuar për sulmet Ukrainën.

Ndërsa, një zëdhënës i forcave të armatosura të Ukrainës tha se nuk kishte asnjë informacion që të sugjeronte se Ukraina ishte përgjegjëse për zjarrin

“Një depo karburanti është në zjarr në rrethin e Gjirit Kazakia” të qytetit port të Krimesë, Sevastopol, tha në Telegram, guvernatori i gadishullit i vendosur nga Rusia, Mikhail Razvozhajev.

Ai tha se gjerësia e zonës së kapluar nga zjarri ishte “rreth 1000 metra katrorë” dhe publikoi imazhe të reve të mëdha tymi që ngriheshin në ajër.

Razvozhajev u bëri thirrje banorëve të Krimesë të “qëndrojnë të qetë” dhe në një postim të mëvonshëm tha se “askush nuk u lëndua”.

Ai tha se autoritetet e kanë “situatën nën kontroll” dhe tha se nuk kishte asnjë kërcënim për infrastrukturën civile.

Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se kishte “zmbrapsur” një sulm me dron në port.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.rel

Të paktën 21 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

VOA/Marrë nga Reuters

Rusia goditi me raketa qytete në gjithë Ukrainën në orët e para të së premtes ndërsa njerëzit flinin, duke vrarë të paktën 21 persona në sulmet e para ajrore në shkallë të gjerë prej gati dy muajsh.

Disa orë pas sulmeve, Kievi tha se po përfundonte përgatitjet për një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë kontrollin e territorit të pushtuar nga forcat ruse që kur nisi lufta para 14 muajsh.

Në qytetin qendror të Umanit, zjarrfikësit u përpoqën të vinin nën kontroll një zjarr të furishëm në një ndërtesë banimi që ishte përfshirë nga flakët në katin e sipërm.

Të paktën 19 persona u vranë në Uman, përfshirë dy fëmijë, dhe nëntë persona u dërguan në spital, tha guvernatori rajonal.

Në qytetin juglindor të Dnipros, një raketë goditi një shtëpi, duke vrarë një fëmijë 2-vjeçar dhe një grua 31-vjeçare, tha guvernatori rajonal Serhiy Lysak. Në sulm u plagosën edhe tre persona.

“Ekipet e shpëtimit do të punojnë derisa të sigurohen që askush tjetër të mos mbetet nën rrënoja”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në Twitter.

“Ne mund ta mposhtim terrorin rus vetëm së bashku – me armë për Ukrainën, sanksionet më të ashpra kundër shtetit terrorist, dënime të drejta për vrasësit rusë.”

Ushtria ukrainase tha se kishte rrëzuar 21 nga 23 raketa kruz të lëshuara nga Rusia.

OBJEKTET ENERGJITIKE

Nuk ishte e qartë se cili ishte objektivi i Rusisë me sulmet e së premtes. Operatori kombëtar i rrjetit të Ukrainës, Ukrenergo, tha se sulmi nuk dëmtoi asnjë infrastrukturë energjetike.

Rusia filloi të kryejë sulme të tilla në fund të vitit të kaluar afërsisht çdo javë gjatë dimrit. Ato u pakësuan me përfundimin e dimrit dhe fuqitë perëndimore thanë se Moska kishte përdorur pjesën më të madhe të arsenalit të saj të raketave me rreze të gjatë veprimi, në përpjekje për të rrëzuar objektet e energjisë dhe të linte pa ngrohje qytetet e Ukrainës.

Moska thotë se nuk vë në shënjestër civilët, por sulmet ajrore dhe me granata kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve dhe kanë shkatërruar qytete në të gjithë Ukrainën.

Kievi thotë se sulmet në qytete larg vijave të frontit nuk kanë asnjë qëllim ushtarak përveç frikësimit dhe goditjes së civilëve, një krim lufte.

Edhe kryeqyteti Kiev u trondit nga shpërthimet dhe zyrtarët njoftuan se njësitë e mbrojtjes ajrore kishin shkatërruar 11 raketa dhe dy drone.

Dy persona u plagosën në qytetin Ukrayinka në jug të Kievit dhe pati njoftime për shpërthime në qytetet qendrore Kremenchuk dhe Poltava dhe në Mykolaiv në jug, thanë zyrtarët rajonalë.

Ofensiva dimërore ruse njëmujore fitoi pak terren pavarësisht luftimeve më të përgjakshme deri tani.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha se Kievi po përfundon përgatitjet për një kundërofensivë, por nuk tha se kur mund të fillojë.

Stoltenberg: NATO ka dërguar mbi 1500 automjete të blinduara dhe 230 tanke në Ukrainë

“Më shumë se 98% e mjeteve luftarake që NATO i premtoi Ukrainës tashmë janë dorëzuar”.

Kështu u shpreh të enjten Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, shkruan Tass.

“Në përgjithësi, përmes Grupit të Kontaktit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e NATO-s i kanë ofruar mbështetje të paprecedentë Ukrainës. Më shumë se 98% e mjeteve luftarake të premtuara Ukrainës tashmë janë dorëzuar. Kjo do të thotë mbi 1550 automjete të blinduara, 230 tanke dhe pajisje të tjera, duke përfshirë sasi të mëdha municionesh.

Në total ne kemi trajnuar dhe pajisur më shumë se nëntë brigada të reja të blinduara ukrainase,” vuri në dukje ai në një takim me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel në Bruksel.

Shefi i NATO-s paralajmëroi kundër nënvlerësimit të ushtrisë ruse dhe pretendoi se Rusia po dërgonte mijëra trupa për të sulmuar qytetin e Artyomovsk. syri.net

Parlamenti Evropian kritikon Serbinë për afërsi me Rusinë

Parlamenti Evropian, përmes një raporti për Serbinë, të miratuar të mërkurën në Komisionin për Politikë të Jashtme, ka kritikuar edhe një herë Serbinë për afërsi me Rusinë dhe për refuzimin që të përshtatet me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Për më tepër deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar edhe kushtëzimin e ndihmës financiare të BE-së për Serbinë me qëndrimet e saj ndaj Rusisë.

Në veçanti, shprehet zhgënjim për faktin se Serbia vazhdon të jetë një prej vendeve të vetme të rajonit dhe ndër të paktat në botë, të cilat nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë. Në këtë mënyrë, këto vende kanë vazhduar t’i refuzojnë kërkesat që të përshtaten edhe sanksionet, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë prej kur ka nisur agresioni i saj ndaj Ukrainës.

Përmes amendamenteve që janë votuar, Parlamenti Evropian ka shprehur edhe shqetësim për emërimin e ish-ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, për shef të Shërbimit të Zbulimit të Serbisë, BIA, pasi që ai konsiderohet të jetë i afërt me Moskën dhe person “i njohur për retorikën kundër Bashkimit Evropian”.

Në raport përmendet se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, se kjo është një zgjedhje strategjike e Serbisë, prandaj ajo edhe duhet të sillet në përputhje me këtë qëndrim dhe t’i mbështesë vlerat evropiane.

Në raport thuhet se është e papranueshme që Serbia të përshtatet me “regjimin luftënxitës autokrat të Rusisë”.

Ndonëse përshëndetet fakti se Serbia i ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku dënohet agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, shprehet keqardhje për refuzimin që të mbështeten edhe sanksionet.

Në këtë dokument shprehet keqardhje për sjelljen e përgjithshme të Serbisë, e cila disa aspekte të politikës së jashtme i ka tërësisht në kundërshtim me qëndrimet e BE-së.

Në raportin për Serbinë thuhet se përparimi në rrugën e integrimeve evropiane do të varet nga suksesi në reforma, përshtatja me politikën e jashtme dhe nga normalizimi i raporteve me Kosovën.

Po ashtu, kërkohet që të normalizohen raportet me Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë.

Raporti për Serbinë është miratuar në Komisionin përkatës parlamentar me 43 vota në favor, gjashtë kundër dhe pesë abstenime. Raporti tash shkon për debat dhe miratim edhe në seancë plenare. Ndërsa pritet të jetë në rend dite në seancën e 9 majit./ REL/

Parlamenti Evropian paralajmëron për ndërhyrjen ruse për krijim tensionesh në Ballkanin Perëndimor

Një billboard i medias shtetërore ruse “Russia Today” në qendër të Beogradit, më 26 dhjetor 2022.

 

RFE/RL

Parlamenti Evropian, në një raport kushtuar ndërhyrjes së huaj në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, e ka dënuar mundësinë që Serbia i ka dhënë kanalit rus, Russia Today, për të përhapur fushatën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ky kanal shtetëror i Rusisë është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) për shkak se akuzohet se shërben për përhapjen e propagandës së Rusisë, ndërsa në Serbi ka hapur një zyrë dhe një kanal në gjuhën serbe.

Në këtë raport të përpiluar nga një komitet i veçantë i Parlamentit Evropian (PE) për ndërhyrje të jashtme, e që është miratuar të mërkurën në Komisionin e Politikës së Jashtme, nënvizohet nevoja që BE-ja në mënyrë aktive t’i kundërvihet propagandës së aktorëve që kanë qëllime të këqija në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe që kanë për qëllim dëmtimin e interesave dhe të vlerave të BE-së.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor në këtë raport vlerësohet si hapësirë në të cilën përballen interesat e ndryshme strategjike dhe se disa vende të rajonit, në veçanti Serbia dhe hapësirat e dominuara nga serbët janë të ndjeshme ndaj tentimeve për destabilizim.

Raporti përmend përdorimin e investimeve strategjike dhe fushatat e dezinformimit për të dëmtuar edhe reputacionin e BE-së dhe për të penguar proceset demokratike.

Si shembull përmendet edhe fushata që ka për qëllim zvogëlimin e orientimit euroatlantik të qytetarëve të vendeve të rajonit.

Rusia, sipas këtij raporti, përdor ndikimin e saj në Serbi duke tentuar që të destabilizojë vendet fqinje, për shembull: “Në Bosnje e Hercegovinë përmes Republika Sërspkas; në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe si dhe Kishës ortodokse serbe; në Kosovë duke përdorur mospajtimet ekzistuese në veri”.

Qëllimi i ndërhyrjes ruse, sipas raportit, është duhet parë si pjesë përbërëse e një strategjie të promovimit të autoritarizmit në tërë Evropën.

Raporti përmend se si qëndrimet pro-ruse përhapen në rajon përmes mediave serbe dhe hungareze. Sa i përket Serbisë shprehet shqetësim sidomos për faktin se “Serbia është vendi më i përshtatshëm për ndikimin e huaj në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht nga Rusia dhe Kina”.

Në të njëjtën kohë theksohet edhe fakti se Serbia vazhdon të mos i mbështesë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Në këtë pikë edhe në raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë shprehet keqardhje për mospërshtatjen e Beogradit zyrtar me këto sanksione. Në mënyrë të veçantë përmendet hapja e kanalit Russia Today në Beograd.

“Me këtë i mundësohet këtij aktori qëllimkeq që të përhapë dezinformata në tërë rajonin e Ballkanit”, thuhet në raport dhe kërkohet nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin emetimin e këtij kanali, si dhe të shërbimit Sputnik.

Miratohet raporti për Kosovën në Komisionin e Parlamentit Evropian

RFE/RL

Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot raportin për Kosovën dhe amendamentet e paraqitura nga deputetët për këtë raport.

Drafti i raportit ishte prezantuar nga Viola Von Cramon-Taubadel, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian(PE), ndërsa në këtë raport janë paraqitur mbi 300 amendamente nga deputetë të ndryshëm.

Raporti për Kosovën u miratua me 44 vota për, tetë kundër dhe tri abstenime.

Raporti përmban pikat e përgjithshme ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por ka marrë parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë. Me këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik.

Ndërkaq, është përshëndetur edhe vendimi i shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili proces u përmbyll të martën, më 25 prill, kur vendimi edhe u botua në Gazetën Zyrtare të BE-së, pasi më herët ishte nënshkruar nga Parlamenti dhe Këshilli i BE-së.

Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vjet që liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt. Së fundi u arrit pajtimi edhe mes PE-së dhe Këshillit të BE-së për këtë çështje.

Një thirrje që Parlamenti Evropian e përsërit secilin vit në raportet për Kosovën, është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe. Kjo është thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, që ta bëjnë një gjë të tillë”.

Pikërisht për këtë pikë janë paraqitur shumë amendamente, sidomos nga deputetët nga Spanja dhe vendet tjera që nuk e njohin Kosovën, duke tentuar që referencat për shtetësi të Kosovës të hiqen nga raporti.

Sa i përket situatës në Kosovë, në tekst thuhet se Kosova pa pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe u bën ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrë më shumë veprime për t’u përballur me sfidat gjatë rrugëtimit evropian.

Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi që do të arrijë për sundimin e ligjit, të drejtave themelore dhe normalizimin e raporteve me Serbinë.

Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Gjithashtu, PE-ja mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë në programin e Partneritetit për paqe të NATO-s.

Në këtë tekst, po ashtu, përshëndetet përkushtimi për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e Gjyqësorit në Kosovë që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.

Keqardhje shprehet për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t’i japin fund praktikës së abstenimit.

Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë në tekst përshëndetet fakti se në Kosovë “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por shprehet shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shqetësim ngrihet për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore.

Në raport bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili do të forconte besimin e ndërsjellë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga BE-ja kërkohet që ta bëjë më dinamik procesin e zgjerimit duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

Deputetët e Parlamentit Evropian përmes propozimeve për amendamente kanë kërkuar që të forcohet roli i BE-së në rajon.

Tre burra u arrestuan për vrasjen e një ariu të murrmë!

Policia në Sllovaki arrestoi tre gjuetarë të dyshuar për vrasjen e një ariu të murrmë.

”Burrat, të cilët vinin nga Republika Çeke fqinje, u kapën duke transportuar kafshën në makinën e tyre”, tha departamenti special i Sllovakisë për krimin mjedisor, sipas agjencisë TASR.

Ka nisur edhe një procedim penal.

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me 5 vjet burg.

Arinjtë e murrmë janë nën mbrojtje të rreptë në Evropë.

Sipas një studimi të vitit të kaluar bazuar në analizat e ADN-së, rreth 1 000 syresh ende enden në vargun malor të Karpateve Perëndimore të Sllovakisë.

Sipas vlerësimeve të organizatave për ruajtjen e natyrës, dhjetëra arinj të tillë bien viktima të gjuetarëve pa leje çdo vit. gsh

Evropë, viti 2022 është viti më i thatë ndonjëherë

Edhe në jug të Alpeve ne dimë diçka për të: në imazhin e lumit Breggia në korrik 2022

Raporti i Copernicus: që nga gjysma e dytë e viteve 1800 është viti më i keq për nga shtrirja e zonave të prekura nga thatësira, por gjithashtu akullnajat janë shkrirë si kurrë më parë

 

VOAL- Viti 2022 ishte viti më i thatë në Evropë që kur ka pasur sondazhe shkencore (gjysma e dytë e shekullit të 19-të): në vend të parë për zgjerimin e zonave të prekura nga thatësira, në vend të dytë për uljen e prurjes së lumenjve. Kjo u zbulua nga raporti vjetor i Copernicus, shërbimi i BE-së për vëzhgimin e Tokës, “Gjendja Evropiane e Klimës 2022”, sipas të cilit vitin e kaluar në Alpet Evropiane u shkri më shumë akull se kurrë. Akullnajat kanë humbur më shumë se pesë kilometra kub akull, një masë, skajet e së cilës – nëse shtypen hipotetikisht në formën e një kubi – do të ishin rreth pesë herë e gjysmë më e lartë se lartësia e Kullës Eifel.

Por, siç është shkruar, edhe lumenjtë kanë vuajtur shumë: 63% e rrjedhave ujore evropiane në vitin 2022 ishin nën mesataren e viteve 1991-2020 dhe ishte viti i gjashtë radhazi me prurje nën mesatare për rrjedhat ujore të kontinentit.

Në dimrin 2021-2022, pjesë të mëdha të Evropës kishin më pak se mesatarja e ditëve të borës, në shumë rajone për më pak se 30 ditë. Në pranverë, reshjet ishin nën mesataren në shumë zona, me majin që ishte muaji me më pak shi në histori. Mungesa e shiut vazhdoi edhe gjatë verës, me valë të jashtëzakonshme të nxehtit, të cilat çuan në thatësirë ​​të madhe dhe të zgjatur. Sipas Copernicus, Evropa Jugore kishte numrin më të madh të ditëve me “stres shumë të rëndë të nxehtësisë” në rekord, dhe tendenca në të gjithë Evropën është në rritje.

“Klima që na pret do të jetë shumë, shumë e ndryshme nga ajo në të cilën jemi rritur,” u tha gazetarëve drejtori i Copernicus Carlo Buontempo.

Viti i dytë më i ngrohtë dhe rrezatimi diellor në nivelin më të lartë të 40 viteve

Në vitin 2022, sasia e rrezatimit diellor të marrë nga kontinenti ishte më e larta në 40 vjet, me një tendencë në rritje gjatë së njëjtës periudhë. Shpejtësia e erës në territorin evropian vitin e kaluar ishte në përputhje me mesataren e tridhjetë viteve të fundit.

Temperaturat mesatare në Evropë gjatë 5 viteve të fundit, 2018-2022, ishin 2.2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale 1850-1900.

Raporti i publikuar të enjten përsërit të dhënat mbi klimën evropiane të parashikuara tashmë nga Copernicus në janar. Viti i kaluar ishte viti i dytë më i ngrohtë në rekord në Evropë pasi ka të dhëna shkencore: 0.9 gradë mbi mesataren historike 1991-2020, një rekord i tejkaluar vetëm nga viti 2020. 2022 kishte verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë: 1.4 gradë mbi mesataren e tridhjetë viteve .

Globalisht, gazrat serrë nuk po zvogëlohen

Në nivel global, 8 vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat e regjistruara dhe përqendrimet e gazeve serrë kanë arritur nivelet më të larta të zbuluara ndonjëherë nga satelitët: 417 pjesë për milion për dioksidin e karbonit dhe 1,894 pjesë për miliard për metanin.

Në vitin 2022, temperatura mesatare globale ishte 1.2 gradë mbi nivelet para-industriale. Marrëveshja e Parisit e 2015-ës për klimën parashikon të mbajë temperaturat nën 2 gradë nga mesatarja para-industriale e viteve 1850-1900, dhe Glasgow Cop26 e uli këtë prag në 1.5 gradë. rsi-eb

Ministrja gjermane uron Kosovën për viza: Ishte hap i vonuar

Ministrja gjermane për Evropën dhe Klimën pranë Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, Anna Luhrmann, ka uruar Kosovën me rastin e liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian.

Ajo tha se vendimi ishte i vonuar prej kohësh, por është hap i rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në BE

“ Parlamenti Evropian miratoi përfundimisht liberalizimin e vizave për #Kosovën! Vendim i vonuar prej kohësh! Hap i rëndësishëm drejt #integrimit në BE + përfitim konkret për popullin kosovar”.

Ndryshe, Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pas këtij hapi pason nënshkrimi i tekstit që garanton liberalizimin e vizave për Kosovën.

Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.

Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh. syri.net

BE: Themelohet Komiteti Monitorues për zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi

VOA

Bashkimi Evropian tha se së bashku me Kosovën dhe Serbinë, ka krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes or normalizimin e marrëdhënieve, një muaj pas pajtimit të plaëve në Ohër për zbatimin e një plani evropian për këtë çështje.

Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga i dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviç.

Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel, thuhet në një njoftim të BE-së në të cilin theksohet se hollësitë do të përmbyllen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të mbahet pas takimit të radhës të të nivelit të lartë që pritet të mbahet në Bruksel më 2 maj.

Me 18 mars në Ohër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.

Në fillim të këtij muaji kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan për tekstin e një deklarate mbi personat e zhdukur gjatë luftës, që pritet të miratohet në takimin e 2 majit.

Merkel dekorohet me çmimin më të lartë në Gjermani

RFE/RL

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, është dekoruar me çmimin më të lartë të shtetit.

Gruaja e parë që ka udhëhequr Gjermaninë, është dekoruar me çmimin Kryqi i Madh i Urdhrit të Meritës, për arritje të veçantë.

Çmimi i është ndarë nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në një ceremoni të organizuar në Berlin.

Në atë organizim kanë marrë pjesë kancelari aktual gjerman, Olaf Scholz, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe ish-trajneri i ekipit kombëtar të Gjermanisë në futboll, Juergen Klinsmann.

Merkel ka folur gjatë mbrëmjes për “shumë përvoja të mira” përgjatë vjetëve sa ka qenë kancelare.

Vetëm dy ish-kancelarë të Gjermanisë janë nderuar me çmimin e njëjtë në të kaluarën: Konrad Adenauer, lideri i parë i Gjermanisë së pasluftës, dhe Helmut Kohl, i konsideruar si arkitekt i ribashkimit të Gjermanisë.

Merkel njihet për drejtim të Gjermanisë në kohën e krizës financiare globale, në kohën e krizës së borxheve në Eurozonë, dhe përgjatë pandemisë së koronavirusit.

Megjithatë, kritikat ndaj saj rëndojnë për qasjen që e ka pasur ndaj Rusisë.

Në nëntor të vitit të kaluar, Merkel ka thënë se ka synuar të organizojë bisedime evropiane me presidentin rus, Vladimir Putin një vit para luftës, mirëpo nuk ka parë asnjë mundësi që mund të ndikojë te presidenti rus, meqë ka qenë në fund të mandatit.

Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

Si lidere veterane në Bashkimin Evropian, edhe qëndrime tjera politike të saj janë kritikuar me raste.

Aty përfshihet vendimi që Gjermania të hapte dyert për refugjatët më 2015, si dhe të mbyllte të gjithë reaktorët bërthamorë.

Në tetor të vitit të kaluar, Merkel ka thënë se nuk pendohet për vendimet që ka marrë sa u përket politikave për energji.

Berluskoni del nga terapia intensive

VOAL- Silvio Berlusconi doli sot nga njësia e kujdesit intensiv të spitalit San Raffaele ku ishte shtruar që nga 5 prilli. Shkruan Corriere della Sera duke cituar burime pranë familjes. Lideri i Forza Italia, ish-kryeministër nga viti 1994 deri më 1995 dhe nga viti 2001 deri në 2006, megjithatë qëndron në spitalin e Milanos, ku edhe sot u vizitua nga vajza e tij e madhe Marina dhe miku dhe bashkëpunëtori i tij shumëvjeçare Fedele Confalonieri, president i Mediaset grup.

Berlusconi vuan nga një infeksion në mushkëri i ndërlikuar nga leuçemia kronike nga e cila vuan prej disa vitesh. Situata e tij është cilësuar si e përmirësuar ditët e fundit. rsi-eb

Finlandë: Nis punën reaktori më i madh bërthamor në Evropë

Reaktori bërthamor i gjeneratës së re, Olkiluoto 3 – më i madhi në Evropë – është funksionalizuar tërësisht të dielën në Finlandë, disa orë pasi Gjermania i ka dhënë fund epokës së reaktorëve bërthamorë.

Olkiluoto 3, që tani prodhon rreth 14 për qind të elektricitetit të shtetit, pritet të punojë për “të paktën 60 vjetët e ardhshëm”, sipas operatorit të reaktorit, TVO.

Autoritetet kanë bërë presion që reaktori të vihej në funksion prej dhjetorit, mirëpo funksionalizimi është shtyrë disa herë në fazat testuese.

Reaktori është ndërtuar nga koncorsiumi Areva-Siemens, në drejtim të francezëve, ndërsa punimet për të kanë nisur më 2005.

“Faza e testimit është kompletuar dhe prodhimi i rregullt i elektricitetit ka nisur sot”, ka thënë TVO.

Operatori TVO e ka konsideruar reaktorin Olkiluoto 3 si “aktin më të madh klimatik të Finlandës”, i cili do të shpejtojë rrugën drejt krijimit të një shoqërie neutrale në karbon. syri.net

Macron nënshkruan ligjin për reformën në pensione, pavarësisht protestave

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka nënshkruar të shtunën ligjin për reformën në pensione, duke sfiduar tre muaj protesta dhe zotimet e sindikatave se nuk do ta zbatojnë vendimin e ri.

Ligji ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Francës.

Ky publikim është bërë disa orë pasi Këshilli Kushtetues i ka dhënë dritën jeshile fuqizimit të ligjit, i cili parasheh rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç.

Sindikatat kanë paralajmëruar se do të thërrasin protesta më 1 maj, kur shënohet Dita e Punëtorëve.

Beteja për të nënshkruar këtë ligj është kthyer në sfidën më të madhe për Macronin, përgjatë mandatit të tij të dytë si president.

Kjo temë i ka kushtuar atij edhe me rënie të popullaritetit.

Sondazhet kanë treguar se dy në tre franceze janë kundër vazhdimit të punës për dy vjet më shumë.

Mirëpo, Macron i ka konsideruar ndryshimet si të “domosdoshme”, për të shmangur deficitin në buxhetin për pensione, i cili, sipas parashikimeve, mund të arrijë në 13.5 miliardë euro deri më 2030.rel

Deputeti britanik Henry Smith: Vendimi për Berishën politik, e drejta e tij ta çojë çështjen në gjyq

Deputeti konservator i parlamentit Britanik, Henry Smith ndodhej në një vizitë në Shqipëri, ku ka zhvilluar takime të shumta.

Siç edhe është shprehur në një intervistë për gazetarin Bledian Koka në SYRI TV, konservatori Smith, ka deklaruar se ndodhet në vendin tonë për të takuar njerëz nga fusha dhe sfera të ndryshme të jetës politike, duke shërbyer kështu edhe si një faktmbledhës.

Deputeti konservator i parlamentit Britanik, Henry Smith ndodhej në një vizitë në Shqipëri, ku ka zhvilluar takime të shumta.

Një prej takimeve ishte dhe ai me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjatë intervistës së dhënë për SYRI TV, gazetari Bledian Koka e pyet deputetin britanik nëse, ai e dinte se ndaj Berishës ishte vendosur emërtimi i ‘non grata’.

Në përgjigjen e tij, Smith thotë se, po e dinte, por mendon se kjo çështje duhet të zgjidhet në gjykatë, pasi sipas tij, vendimi ka qenë politik.

-Bledian Koka: Si anëtar i Komitetit të Huaj në Parlamentin britanik, cili është opinioni juaj për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në këto momente dhe çfarë mund të bëhet më shumë për t’i përmirësuar ato?

– Henry Smith: Mendoj se ajo që është shumë e rëndësishme është se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë vetëm ato mes dy qeverive, por ato relata janë mes njerëzve po ashtu. Mendoj se janë shumë të rëndësishme marrëdhëniet mes partive që jo domosdoshmërisht janë në qeveri. Partia Demokratike për shembull, mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë angazhim me ta edhe pse nuk janë në qeverinë e Shqipërisë në këto momente. Kjo sepse është e rëndësishme të ketë një shkëmbim të gjerë dhe mirëkuptim mes politikanëve e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar dhe politikanëve e njerëzve këtu në Shqipëri.

-Bledian Koka: Pra, siç e përmendët, opozita është një tjetër portë relatash mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. A e konsideroni emërtimin e Berisha non-grata nga qeveria si një problem në këto lloj marrëdhëniesh dhe a ishit i vetëdijshëm kur u takuat me Berisha për këtë emërtim?

– Henry Smith: Unë e dija për atë status dhe një nga gjërat për të cilat doja të dëgjoj nga z. Berisha ishte opinioni dhe qasja e tij për çështjen ‘non-grata’ me të cilën ai po përballet personalisht. Unë nuk jam një person i përfshirë në procesin gjyqësor, kështu që është e pamundur për mua të gjykoj meritat e këtij vendimi. Ajo që unë jam i interesuar është të dëgjoj disa nga arsyet se pse ka ndodhur kjo gjë. Mendoj se disa nga emërtimet që kemi parë, mbase kanë të bëjnë më shumë me politikën se sa me provat konkrete. Por duke thënë se kjo është përshtypja ime fillestare dhe është diçka për të cilën nuk kam të gjithë informacionin e duhur për të krijuar një opinion të plotë. Megjithatë mua më duket e qartë se shtrirja e liberalizimit të demokracisë në Shqipëri mund të shkojë shumë më larg. Dhe se do të përfitonte nga të qënurit shumë më të hapur dhe me qasje të lira ndaj procesit demokratik, në vend që ti etiketojmë njerëzit me akuza për përfitime politike.

-Bledian Koka: Por disa kritikë këtu në Shqipëri, në Tirana veçanërisht, pyesin se si është e mundur që një deputet i parlamentit britanik të takojë një person që është emërtuar ‘non-grata’ nga vendi i tij? Si i përgjigjeni kësaj?

– Henry Smith: Unë po takoj shumë njerëz këtu në Shqipëri, jam i etur për të marrë një varësi këndvështrimesh. Ajo që është tepër e rëndësishme në një demokraci të shëndoshë, është që të ketë një opozitë të shëndoshë dhe një alternativë të zbatueshme ndryshe nga programi i qeverisë. Kjo vlen për çdo shtet demokratik. Unë mendoj se nëse kjo gjë katalizohet, nëse kjo gjë parandalohet, është dëmtuese jo vetëm për demokracinë por po dëmtojnë gjerësisht ekonominë e vendit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra, unë jam këtu për të dëgjuar varietetin e këndvështrimeve në Shqipëri dhe për t’u përpjekur të bëj atë që mundem për të inkurajuar një proces demokratik të shëndoshë dhe të hapur.

-Bledian Koka: Thjesht një pyetje të fundit për non-grata. Z.Berisha ka deklaruar disa herë se edhe herën e parë kur SHBA e emërtoi non-grata por edhe herën e dytë kur qeveria britanike, Ministria e Brendshme në këtë rast e emërtoi non-grata, në të dy rastet nuk janë deklaruar atij apo publikut prova që tregojnë se pse është marrë ky vendim. Ju përmendët më herët se më shumë se një proces I bazuar, ai është një vendim politik. Çfarë mund të kuptojmë në këtë rast kur ju thoni se ai ishte vendim politik? Çfarë duhet të kemi parasysh?

– Henry Smith: Mendoj se nëse dikush do të akuzohet për keqbërje duhet të ketë prova për këtë gjë dhe duhet të ketë një proces të pavarur gjyqësor, i cili rishikon këto prova dhe vendos nëse dikush është fajtor për atë që akuzohen apo jo. Mendoj se është e rëndësishme jo vetëm të akuzosh dikë për diçka, por nëse do ta bëni këtë gjë duhet të pasohet me provat dhe procesin e pavarur juridik që më pas vendos besueshmërinë e këtyre provave. Pa këtë gjë, shqetësimi është se mbase mund të jetë për politikën dhe jo për kuptimin e vërtetë nëse një krim është kryer apo jo.

-Bledian Koka: A ka ndonjë mundësi që ju apo ndonjë Komision tjetër në parlamentin britanik, të kërkojë informacion se si është marrë ky vendim për Z.Berisha? a është e mundur?

– Henry Smith: Ajo që unë do të rekomandoja, ajo që unë I thashë z. Berisha më herët sot, është se nëse ai ndihet se Ministria e Brendshme britanike e ka emërtuar gabimisht si dikush që nuk i lejohet të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar, ai duhet të ngrejë një apel formal kundër atij vendimi në mënyrë që të shqyrtohen provat dhe të rishikohet vendimi, nëse ishte një vendim i drejtë apo jo.

-Bledian Koka: A mund të rishikohet ky vendim?

– Henry Smith: Njerëzit kanë të drejtë të apelojnë nëse një vendim është marrë kundër tyre në baza emigracioni. Nëse një akuzë është ngritur nëse ata duhet të hyjnë në vend, atëherë është e rëndësishme që provat të shqyrtohen në një mënyrë të pavarur.

Gjatë intervistës ai shprehet se, arsyeja kryesore e emigrimit të shqiptarëve drejt Britanisë janë problemet e thella ekonomike që ka Shqipëri.

Deputeti Britanik – VIDEO/ Smith për SYRI TV: Problemet ekonomike në Shqipëri të thella, kjo po nxit emigracionin masiv

 

 

-Bledian Koka: Zoti Smith, faleminderit që pranuat këtë intervistë dhe faleminderit që ndodheni në Tiranë.

– Henry Smith: Faleminderit për mikpritjen tuaj, është kënaqësi që ndodhem këtu!

-Bledian Koka: Së pari, cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Tiranë?

– Henry Smith: Në fakt, jam këtu në këtë vizitë për tu takuar me politikanë të cilët shpresojnë që të zgjidhen në zgjedhjet lokale të 14 Majit, të zbuloj procesin politik, por edhe të kuptoj disa nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe sesi ndikon kjo me pjesën tjetër të Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Jam këtu edhe për të folur me gazetarë, me politikanë apo dhe mediat si në rastin tuaj, për të zbuluar akoma më shumë.

-Bledian Koka: Zoti Smith, cila ishte përshtypja juaj e parë gjatë qëndrimit në Tiranë? Ju thoni se jeni këtu për të parë situatën para-elektorale, por sot ne dëgjuam se si një automjet i një drejtuesi lokal të PD-së, në rrethinat e Shkodrës, u hodh në erë nga një bombë. A është kjo një situatë normale para-elektorale?

– Henry Smith: Sigurisht që dhuna nuk ka vend në një proces të vërtetë demokratik. Është vërtetë tronditëse të dëgjosh lajme se një kandidati i hidhet makina në erë. Cilido që merr pjesë në një proces demokratik duhet ta zhvillojë atë pa patur frikë nga dhuna apo kërcënimet. Prandaj, unë jam këtu për tu njohur me sfidat me të cilat përballet Shqipëria, por edhe për të kuptuar se si e gjitha kjo ndikon në mënyrë më të zgjeruar tek fqinjët, miqtë në Europë dhe kudo.

-Bledian Koka: Cilat ishin informacionet e para që ju keni marrë sa i takon situatës elektorale këtu në Shqipëri? Ju patët sot një takim me liderin e Partisë Demokratike, Z. Sali Berisha.

– Henry Smith: Sigurisht që është një situatë sfiduese politike, krejt e ndryshme nga ajo në Mbretërinë e Bashkuar dhe mënyra se si zhvillohen zgjedhjet tek ne. Duket qartë se ka disa vështirësi me të cilat politikanët përballen këtu, sa i takon adresimit të mesazhit politik dhe alternativës për vendin. Pra, kanë qenë shumë të rëndësishme bisedat me një rreze të gjërë politikanësh dhe gazetarësh, për të kuptuar më qartë se si Shqipëria po zhvillohet. Në Tiranë, qartazi qyteti është zhvilluar shumë shpejt, me të paktën 1 milionë banorë që përbën 1/3-ën e popullsië. Shqipëria ka ende disa sfida të vërteta ekonomike. Kjo duket se është dhe arsyeja e emigracionit të popullisë, që po regjistrohet në disa vende të BE-së përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, pikërisht si rezultat i politikave ekonomike që ndihen këtu.

-Bledian Koka: Ju përmendët valën e emigracionit të cilën po e vuan Shqipëria, por që prek edhe brigjet e Britanisë së Madhe. Cila është optika e Londrës në raport me Shqipërinë, me këtë që po ndodh?

– Henry Smith: Gjithmonë, optika e emigracionit në shkallë të lartë, krijon kryelajme politike dhe jo rrallë këto lajme përdoren në mënyrë politike, që jo gjithmonë reflekton kompleksitetin e situatës. Unë nuk besoj se shumë njerëz i fajësojnë ata që kërkojnë një të ardhme të sigurtë ekonomike për veten e tyre. Mendoj se shqetësimi I vërtetë në Mbretërinë e Bashkuar është natyra e këtij emigracioni ku përdoren trafikantët e qenieve njerëzore për të kaluar Kanalin anglez për në Mbretërinë e Bashkuar. Njerëzit brenda në vend, shumica mendojnë se ky është një problem I paqëndrueshëm që duhet të adresohet. Mendoj një prej problemeve të mëdha është se nëse do të gjendeshin mundësi më të mira për Shqipërinë këtu, atëherë pak njerëz do të donin të largoheshin nga vendi. Dhe, mendoj se emigracioni në të gjitha pjesët e Europës nga Shqipëria, po shkakton pasoja të dëmshme në ekonominë këtu në Shqipëri. Pra, mendoj se është një problem për Shqipërinë dhe si rezultat është problem për pjesët e tjera të Europës. Pa dyshim, është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes atyre që po emigrojnë për arsye ekonomike dhe atyre që mbase po përdorin rrugët e jashtëligjshme si ajo e trafikimit të qenieve njerëzore dhe kriminalitetit që e shoqëron atë.

-Bledian Koka: Pa dyshim. Si do ta përshkruanit komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar? Mendoj se edhe në distriktin tuaj mund të keni shqiptarë që punojnë dhe jetojnë aty. Cila është përshtypja juaj për ata, për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar?

– Henry Smith: Mendoj se njerëzit nga Shqipëria që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, shumica vijnë sepse duan punësohen, të sigurojnë përfitimet ekonomike dhe mendoj se shumica e shohin këtë gjë si mjaft të arsyeshme. Ka disa shqetësime por mbase kjo gjë është më e përforcuar në media nga sa është realiteti, për deri diku eksportimin e kriminalitetit nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e tjera. Mendoj se ka një fokus mjaft të madh në këtë gjë edhe pse ndoshta nuk është një reflektim I saktë I shumicës së shqiptarëve. Unë kam disa miq shqiptarë dhe I vlerësoj miqësitë me ta.

-Bledian Koka: Kryeministri ynë, Z.Rama gjatë vizitës së tij të fundit në Londër, ngriti pretendimin se nuk janë shqiptarët ata që po eksportojnë kriminalitetin por mbase e gjetën atë në Mbretërinë e Bashkuar. Në opinionin tuaj, a është kjo një deklaratë politike e saktë?

– Henry Smith: Në çdo shoqëri ka kriminalitet dhe është një problem me të cilin përballet çdo shoqëri, çdo shtet ka kriminalitet që buron nga vetë vendi. Por, mendoj se një burim i parregulluar i emigracionit mund të lejojë kriminalitetin të kalojë kufijtë në një mënyrë të pakontrolluar. Si pasojë, mendoj se është e vërtetë të thuhet se ka kriminalitet që buron në Mbretërinë e Bashkuar, sigurisht që ka, por po ashtu mendoj se është e vërtetë të thuhet se ka një element të kriminalitetit që po vjen në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria, nga shumë shtete të tjera. Por, është e rëndësishme të theksojmë se këta janë një numër I vogël I njerëzve që po hyjnë në vend dhe jo shumica.

-Bledian Koka: Në opinionin dhe pritshmëritë tuaja, çfarë mund të bëjë më shumë qeveria shqiptare për të parandaluar, së pari kriminalitetin që hyn në Angli apo si munden dy qeveritë të bashkëpunojnë për të parandaluar apo kthyer mbrapsht elementin e kriminalitetit. Dhe, çfarë mund të bëjë më shumë qeveria shqiptare për të ndaluar valën e emigracionit të atyre njerëzve të thjeshtë që duan vetëm të kenë një jetë më të mirë?

– Henry Smith: Mendoj se në termat e elementit të kriminalitetit, unë e di që qeveria britanike po bashkëpunon me Shqipërinë në një numër programesh në përpjekje për të ulur fluksin e atyre që po kalojnë kufirin për arsye kriminale. Por, unë mendoj se në fund të fundit, mënyra më e mirë për t’u siguruar që ka emigracion konstant dhe të qëndrueshëm, është të sigurohemi që ka një ekonomi funksionale për shqiptarët këtu në Shqipëri. Që domethënë se pak shqiptarë do ta ndjenin nevojën për të lënë vendlindjen e tyre për të shkuar në shtete të tjera, për të gjetur punësim dhe aktivitetin ekonomik. Mendoj është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë një shoqëri të hapur, të hapur ndaj tregtisë me Europën, Amerikën e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, që të ketë një shoqëri më të pasur këtu në Shqipëri. Për rrjedhojë, përfiton ky shtet, por edhe njerëzit që emigrojnë ta bëjnë në një mënyrë të rregulluar dhe jo në një mënyrë që akomodon bandat e trafikut të qenieve njerëzore në plazhet e Francës veriore.

-Bledian Koka:A I keni marrë këto mesazhet apo angazhimet pozitive nga qeveria shqiptare gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Londër?

– Henry Smith: Epo unë nuk jam anëtar I qeverisë britanike, kështu që nuk isha pjesë e këtyre diskutimeve me Kryeministrin Rama por, unë e kuptoj se u arritën një sërë marrëveshjesh. Mendoj se kjo është një çështje më e madhe se thjesht disa marrëveshje mes dy qeverive. Mendoj se ky është problem I qëndrueshmërisë ekonomike këtu në Shqipëri dhe qëndrueshmërisë së emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e tjera. Ajo që po shohim tani nuk është një situatë e rregulluar, për rrjedhojë krijohen probleme si në Shqipëri ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithandej. Pra, mendoj se adresimi I disa arsyeve thelbësore se pse njerëzit duan të emigrojnë në numra të mëdhenj, është shumë e rëndësishme.

 -Bledian Koka: Por Z.Smith a mund të ngremë pyetjen se pse nuk janë njerëzit nga Mali I Zi, apo shqiptarët e Kosovës, apo qytetarët e Maqedonisë së Veriut, apo grekët, ata që po vërshojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar, por janë vetëm shqiptarët? A është ky një problem në vetëvete?

– Henry Smith: Mendoj se rrjedh nga fakti se situata ekonomike këtu në Shqipëri nuk është aq e fortë sa ajo në shtetet fqinje si Mali I Zi, Kosova apo Greqia.

-Bledian Koka: Edhe Maqedonia e Veriut.

– Henry Smith: Po madje edhe Maqedonia e Veriut. Po mund të ketë sfida ekonomike në ato shtete, ka sfida ekonomike edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë pjesë të tjera të botës, teksa po rikuperohemi nga Covid 19, përballemi me luftën në Ukrainë, që kanë vënë presion në ekonomitë në mbarë botën. Por, mendoj se problemet ekonomike këtu në Shqipëri, nga ata me të cilët kam biseduar, më duken në veçanti të thella dhe prandaj mendoj se kjo po nxit emigracionin e paqëndrueshëm. Them i paqëndrueshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, si edhe për ato vende që po presin shifra të larta të njerëzve në periudha të shkurtra kohore.

 

Gjermania lejon Poloninë t’ia dërgojë Ukrainës avionët e vjetër luftarakë

Avionët luftarakë të llojit MiG-29.

RFE/RL

Gjermania e ka miratuar kërkesën e Polonisë për t’i eksportuar pesë avionë të vjetër luftarakë të llojit MiG-29, për ta forcuar fuqinë ajrore të Ukrainës kundër pushtimit rus. Këtë lajm e konfirmoi të enjten Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të agjencisë së lajmeve Reuters lidhur me këtë temë deri në momentin e publikimit të artikullit.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se kërkesa kishte mbërritur të enjten dhe se miratimi i kërkesës në po të njëjtën ditë nga Berlini tregon se të tjerët mund të mbështeten në Gjermaninë.

Gjermania i trashëgoi 24 avionë të llojit MiG-29 nga ish-Gjermania Lindore pas ribashkimit në vitin 1990. Në atë kohë, ky lloj i avionit cilësohej si njëri ndër avionët luftarakë më të avancuar në botë.

Në vitin 2004, Berlini ia dërgoi 22 avionë të tillë Polonisë. Nga dy avionët e mbetur në ushtrinë gjermane, një u shkatërrua gjatë një përplasjeje dhe një është në një ekspozitë në një muze.

Polonisë i nevojitet paraprakisht miratimi nga Berlini zyrtar për t’i dërguar këta avionë në një vend tjetër.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një vizite në Varshavë javën e kaluar se Polonia do të ndihmojë në formimin e një koalicioni të fuqive perëndimore për ta furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë.

Ukraina, e cila shpreson të nisë një kundërofensivë ndaj forcave ruse gjatë javëve apo muajve të ardhshëm, dëshiron të sigurojë avionë luftarakë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore.

Vendet perëndimore deri tani kanë hezituar të dërgojnë avionë luftarakë të avancuar si F-16 në Kiev, por disa vende kanë vendosur të dërgojnë avionë të vjetër MiG-29, të cilët Ukraina është tashmë duke i përdorur.

Norvegjia dëbon 15 “oficerë rusë të inteligjencës”

RFE/RL

Norvegjia ka njoftuar se do të dëbojë 15 zyrtarë të Ambasadës ruse, që sipas Ministrisë së Jashtme janë zyrtarë të inteligjencës që po operonin duke u paraqitur si diplomatë. Moska tha se do të kundërpërgjigjet për këtë veprim të Oslos.

Me dëbimin e këtyre zyrtarëve, Oslo deri më tani ka dëbuar një të katërtën e diplomatëve rusë në Norvegji.

Vendimi i Oslos është i fundit në shtetet perëndimore që janë dëbuar diplomatë rusë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar. Vetëm gjatë këtij viti, Estonia, Holanda dhe Austria po ashtu kanë dëbuar diplomatë rusë.

Në prill të vitit 2022, Norvegjia kishte dëbuar tre diplomatë rusë.

“Ky është një hap i rëndësishëm në luftimin dhe uljen e nivelit të aktivitetit të inteligjencës ruse në Norvegji dhe në këtë mënyrë për të mbrojtur interesat tona kombëtare”, tha përmes një deklarate ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt.

“Rusia aktualisht paraqet kërcënimin më të madh të inteligjencës për Norvegjinë. Ne nuk do të lejojmë që oficerët e inteligjencës ruse të operojnë, duke u paraqitur si diplomatë”, shtoi ajo.

Sipas autoriteteve norvegjeze, zyrtarët rusë duhet të lëshojnë territorin e Norvegjisë shumë shpejt.

Ministria e Jashtme ruse tha se Moska do të përgjigjet për dëbimin e zyrtarëve të saj, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, pa dhënë më shumë detaje.

Norvegjia, shtet i aleancës ushtarake të NATO-s, ndan kufi me Rusinë në Arktik.

Dëbimet mund të ndërlikojnë edhe më tej procesin e transferimit të kryesimit të Këshillit të Arktikut, që është një trup shumëpalësh ku shtetet e Arktikut bisedojnë për çështjet që prekin rajonin polar.

Moska aktualisht udhëheq këtë këshill, por Norvegjia pritet ta marrë kryesimin e këshillit më 11 maj.

Akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, lirohet nga qelia pas 4 muajsh eurodeputetja greke

Lirohet eurodeputetja greke, e akuzuar për Qatar-Gate, Eva Kaili. Avokati belg Sven Maryka konfirmuar vendimin e autoriteteve belge për lirimin me byzylyk elektronik pas 4 muajsh në burgun Haren të Belgjikës.

44-vjeçarja ish nën kryetare e PE akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion, legalizim të ardhurash nga aktivitete të paligjshme pas zbulimit të shumave të mëdha të paguara nga Maroku dhe Katar për influencimin e vendimeve dhe politikave europiane në favor të dy vendeve.

Para Eva Kaili u liruan me të njëjtën procedurë dhe koka e organizatës, ish eurodeputeti socialist italian Pier Antonio Panzeri dhe ndihmësi belg Marc Tarambela.bw

Porti i Durrësit, kompania gjermane padit qeverinë shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit

Një kompani gjermane ka paditur në Gjykatën e Arbitrazhit qeverinë shqiptare për një mosmarrëveshje që lidhet me koncesionin e Portit të Durrësit.

Akuza vjen nga Kompania gjermane EMS Shipping & Trading ka regjistruar çështjen më 7 prill, ndërsa kjo konfirmohet nga Reporteri i Arbitrazhit të Investimeve.

Kompania fitoi në vitin 2013 të drejtën e kontratës koncesionare për të operuar në Terminalin indoor të Portit të Durrësit, për të ngarkuar dhe shkarkuar anijet. Ankesa e kompanisë gjermane ka të bëjë me zhvendosjen që do t’i bëhet terminalit të mallrave në Porto Romano, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Alabbar për transformimin e portit. Sipas tyre, në mungesë të portit të ri, vazhdimi i aktivitetit koncesionar të EMS nuk është i sigurt.

Kompania ka edhe rreth 25 vite të mbetura në kontratën 35-vjeçare, ndërsa fitimet e saj në vitin 2021 llogariten në rreth 1,3 milionë euro.

Kujtojmë se kjo akuzë vjen pak ditë pas vendimit të Arbitrazhit për dëmshpërblim nga qeveria shqiptare ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti. Pas këtij vendimi Rama paralajmëroi se Shqipëria nuk do të bëjë asnjë pagesë, dhe se vendi jonë do dalë nga juridiksioni i kësaj Gjykate.bw

Lufta – Fëmija vritet bashkë me prindërit, Rusia godet si veriun dhe jugun e Ukrainës

Ndërsa Rusia vazhdon të përqendrohet në kapjen e lindjeve industriale të Ukrainës, dy provinca të tjera – Kharkiv në verilindje dhe Zaporizhzhia në juglindje – u sulmuan me raketa të dielën.

Zonat e banuara u goditën duke përfshirë një grup shtëpish ku një fëmijë ishte në mesin e viktimave. Presidenti Zelensky tha: “Ushtria ruse bombardoi Zaporizhzhia me raketa S-300. Goditën një shtëpi, një ndërtesë apartamentesh. Tri njerëz ishin brenda. Një burrë, një grua dhe një fëmijë – një vajzë, emri i saj ishte Iryna, ajo do të mbushte 11 vjeç këtë vit. Ajo vdiq. Burri vdiq gjithashtu. Ngushëllimet e mia… Gruaja ndodhet në gjendje kritike, në spital, po i ofrohet kujdes mjekësor. Ja si e kalon shteti terrorist këtë të diel të Palmave. Kështu Rusia e fut veten në izolim edhe më të madh nga bota, nga njerëzimi.”

Në fjalimin e tij të natës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu referua sulmit në Zaporizhzhia, duke thënë se Rusia “e vendos veten në izolim edhe më të madh nga bota dhe nga njerëzimi” duke goditur shtëpitë në të Dielën e Palmave të Kishës Ortodokse.

Shumica dërrmuese e ukrainasve me përkatësi fetare identifikohen si të krishterë ortodoksë, një besim që kremton Pashkët më 16 prill të këtij viti.

Disa katolikë festuan Pashkët të dielën ndërsa kishat ortodokse shënuan të Dielën e Palmës në fundjavë.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës publikuan për herë të parë pamjet e sistemit të avancuar kombëtar të raketave sipërfaqe-ajër (NASAMS).

Videoja pretendonte se “mbi pesë muaj operacione luftarake, NASAMS ukrainase ka shkatërruar mbi 100 raketa armike dhe drone”.

Image

Image

Berluskoni vazhdon trajtimin në spital

Reporterë të mediave para spitalit

VOAL- Silvio Berlusconi kaloi një natë të qetë, është me vetëdije dhe gjendja e tij është qëndrueshme: ky është sqarimi që jep buletini mjekësor mbi kushtet e katër herë kryeministrit italian, i cili është shtruar në spital që nga e mërkura në repartin e kujdesit intensiv të San Raffaele, spitali në Milano, ku kishte mbërritur me vështirësi në frymëmarrje.

Sipas burimeve të cituara nga Corriere della Sera dhe agjencia e lajmeve Reuters, senatori 86-vjeçar vuan nga komplikimet e leukemisë, një diagnozë për të cilën, megjithatë, nuk ka një konfirmim zyrtar. Mjeku i tij, Alberto Zangrillo, u larguar nga spitali në mbrëmje pa bërë asnjë deklaratë dhe duke u kufizuar në ftesën e gazetarëve për të shkuar në shtëpi.

Berlusconi ka pasur disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas një operacioni në zemër në vitin 2016. Në vitin 2020 ai gjithashtu përfundoi në spital për Covid-19. Shtrimi i fundit në spital përfundoi pak ditë më parë, më 30 mars. Si dëshmi e seriozitetit të gjendjes së tij në këtë rast, fëmijët dhe vëllai i tij Paolo mbërritën në San Raffaele të mërkurën. rsi-eb


Send this to a friend