VOAL

VOAL

U nda nga jeta në moshën 86 vjeçare Silvio Berlusconi

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ka ndërruar jetë në spitalin San Raffaele në Milano.

Lajmi është publikuar nga ANSA.

Berlusconi, ka qenë 3 herë kryeministër, themelues i Forza Italia dhe i një perandorie televizive që ka formësuar imagjinatën kombëtare.

Vëllai i tij Paolo dhe fëmijët e tij Eleonora, Barbara, Marina dhe Pier Silvio ndodhen në spitalin San Raffaele ku vdiq mëngjesin e sotëm ish-kryeministri dhe lideri i FI-së dhe ish-kryeministri.

Të gjithë kishin mbërritur brenda pak minutash.

Ish-kryeministri kishte hyrë në San Raffaele të premten e kaluar për t’iu nënshtruar “testeve të planifikuara” në lidhje me leuçeminë kronike mielomonocitare nga e cila vuante prej disa kohësh.

BE: Diskutimet për statutin e Asociacionit, vetëm në kuadrin e bisedimeve në Bruksel

VOA

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten se “çdo ndihmesë konstruktive në bisedimet e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, është e mirëseardhur”, por çështja mund të trajtohet vetëm në kuadër të këtyre bisedimeve.

Zëdhënësi Peter Stano i bëri këto komente pasi një ditë më parë kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se i ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Ai tha se për këtë e ka vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe palën amerikane.

Zëdhënësi Stano që nuk foli për projektin apo përmbajtjen e tij, tha se ishte në plan që me 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i hartimit të projekt statusit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat që më parë, por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

“Bashkimi Evropian si lehtësues i bisedimeve është gati të organizojë së shpejti seancën e hartimit të statutit dhe është në kontakt me të dyja palët”, tha zëdhënësi Stano.

Kryeministri Rama tha të enjten se dokumenti i ofruar prej tij është ‘konfidencial’ dhe nuk është konsultuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës as të premten nuk e komentoi nismën e kryeministrit Rama, ndërsa opozita u paraqit me qëndrime të ndara. Një pjesë e saj e vlerësoi atë, kurse pjesa tjetër tha se hartimi i projektit të statutit të Asociacionit i takon vetëm qeverisë së Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters të premten se “Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, Rama ka propozimin e tij për Asociacionin, disa Organizata Joqeveritare kanë propozimin e tyre për Asociacionin, por asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të bëjë propozime. Ai propozim është bërë nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”.

Me 2 maj në Bruksel u paraqit një projekt statut i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.

Por ai u refuzua nga kryeministri i Kosovës, i cili e cilësoi të “papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”. Në vend të tij ai tha se ka propozuar me një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Palët në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Shtetet e Bashkuara thanë se Asociacioni është mundësi për të ulur ndikimin e Beogradit në veri të Kosovës dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, duhet ta themelojë Asociacionin.

Zotimi për themelimin e tij u përtëri në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit më herët gjatë këtij viti në një përpjekje perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thirrjet për themelimin e Asociacionit u shtuan pas krizës së fundit në veri të Kosovës bashkë me shqetësimet për ripërtëritje konfliktesh në rajon.

BE, e gatshme të organizojë takim ekspertësh për draft-statutin e Asociacionit

Radio Evropa e Lirë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitave në Kosovë dhe Serbi, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet. Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren. Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Stano iu përgjigj pyetjes rreth një drafti me propozimin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se “secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

Zëdhënësi i BE-së, Stano, konfirmoi se plani ishte që më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat qysh më parë. Por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

“I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, theksoi Stano.

Ndërkohë, nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por, siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

Nga ana tjetër, sipas raportimit te shtetet anëtare të BE-së nga ana e një pjesëtari të ekipit të Lajçakut, presidenti i Serbisë,Aleksandar Vuçiq, ka shprehur gatishmërinë për t’i bindur serbët lokalë në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, por nën disa kushte të caktuara.

Gjatë raportimit të ekipit të Lajçakut para përfaqësuesve të vendeve anëtare, gjithashtu, janë diskutuar mundësitë e ndërmarrjes së disa masave nëse nuk respektohen kërkesat ndërkombëtare rreth hapave drejt uljes së tensioneve.

Çështja e pezullimit eventual të vendimit të liberalizimit të vizave, nuk është në mesin e masave që shqyrtohen, kanë konfirmuar disa burime nga shtetet anëtare. Shumë prej tyre vlerësojnë se një vendim i tillë do të ishte goditje, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës e jo për ata të cilët Brukseli i konsideron përgjegjës për mosrespektimin e kërkesave ndërkombëtare.

Gjithashtu, ngrirja e disa programeve financiare për momentin nuk ka hasur në përkrahje te shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe ashtu, sipas diplomatëve, mosmbajtja e konferencës së donatorëve për shkak të mungesës së përparimit në implementimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj, është një lloj sanksioni.

Por, për Kosovën është përmendur si masë që pritet të ndodhë shpejt pezullimi i disa takimeve dhe suspendimi i një nënkomiteti të përbashkët të Kosovës dhe BE-së në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ky do të ishte një sinjal, ndërsa masat tjera do të shqyrtoheshin varësisht nga zhvillimet.

Shefi i NATO-s: Rusia s’mund ta bllokojë anëtarësimin e Ukrainës

Radio Evropa e Lirë

 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia nuk mund ta ndalojë anëtarësimin eventual të Ukrainës në aleancës perëndimore të mbrojtjes ushtarake.

“Të gjithë aleatët pajtohen se dera e NATO-s mbetet e hapur, që Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës dhe se Rusia nuk ka të drejtë vetoje”, tha Stoltenberg më 6 qershor.

Deklarata e Stoltenbergut erdhi gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Sllovakisë, në Bratisllavë, për bisedime me presidentët e vendeve anëtare të aleancës në kufirin e saj lindor, të ashtuquajturin grupi i Nëntë i Bukureshtit.

Nisja e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar e ka intensifikuar aktivitetin e NATO-s, aleancës së themeluar pothuajse 75 vjet më parë për ta kundërshtuar Bashkimin Sovjetik.

Bisedimet në Bratisllavë vijnë pak para samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius, ku Stoltenberg tha se aleanca veri-atlantike do të marrë vendime “shumë të rëndësishme”.

“Ne do ta përforcojmë mbështetjen tonë për Ukrainën me një pako shumëvjeçare të ndihmave për t’u ndihmuar të kalojnë nga standardet e epokës Sovjetike në standardet e NATO-s dhe ta sjellim Ukrainën më afër NATO-s”, tha ai.

“Ne duhet të pajtohemi për një përkushtim më të madh për t’i rritur investimet në mbrojtje”, shtoi Stoltenberg.

Ukraina ka kërkuar disa herë anëtarësimin në NATO, mirëpo Stoltenberg ka thënë më parë se anëtarësimi në mes të një lufte nuk është opsion.

Ai gjithashtu tha se po “punonte shumë për t’u siguruar që ne do ta mirëpresim Suedinë sapo të bëhet anëtare e plotë e kësaj aleance”.

Suedia dhe Finlanda kaluan nga politika e mbajtur për dekada të tëra për mosrenditje ushtarake dhe aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Finlanda u anëtarësua zyrtarisht në NATO muajin e kaluar, në prill.

Scholz: Me sulmin në digë, lufta ka marrë përmasa të tjera

Sulmi në digën e Ukrainës i ka dhënë  një “dimension të ri” luftës së Rusisë, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Kjo është diçka që i përshtatet me shumë krimeve që kemi parë nga ushtarët rusë në Ukrainë dhe është pjesë e një lufte që sulmon objektivat civile,  qytete, fshatra, spitale, shkolla.

Prandaj, “ka një dimension të ri, por gjithashtu përshtatet me mënyrën se si Presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon luftën,” tha ai. syri.net

Evakuohen banorët nga Hersoni pasi Rusia shkatërron një digë

Diga Nova Kahovka e shkatërruar nga forcat ruse, në Herson të Ukrainës, 6 qershor 2023.

 

Radio Evropa e Lirë

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia. Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, shkaku i rrezikut për përmbytje masive.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.

“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.

“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky.

Agjencia ukrainase e energjisë nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës Nova Kahovka mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja, që përdor ujë nga ky rezervuar për procesin e ftohjes së reaktorëve bërthamorë.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se është duke e monitoruar situatën dhe shtoi se “nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë” në centralin bërthamor.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi ndaj digës e tregon “edhe një herë brutalitetin e luftës ruse në Ukrainë”.

“Shkatërrimi i sotshëm i digës Kahovka i rrezikon mijëra civilë dhe shkakton dëme të mëdha në ambient”, tha Stoltenberg.

Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit i konfirmoi raportimet për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet.

“Brenda pesë orëve, niveli i ujit do të arrijë një nivel kritik. Ka filluar evakuimi nga zonat e rrezikshme. Unë u bëj thirrje veçanërisht banorëve në bregun e majtë [të Dnjeprit]: bëni gjithçka që është e mundur për ta mbrojtur veten dhe për ta shpëtuar jetën tuaj. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, tha Prokudin në Telegram.

“Unë mund ta konfirmoj se shpërthimi [ka ndodhur]…. Të gjitha shërbimet janë duke punuar. Situata po monitorohet. Hidrocentrali u hodh në erë nga pushtuesit”, i tha Radios Evropa e Lirë Natalia Humenyuk, zëdhënëse ushtarake për forcat jugore të Ukrainës.

Shefi i Këshillit Evropian të BE-së, Charles Michel, u zotua se Rusia do të mbahej përgjegjëse për “krimin e luftës” të shkatërrimit të infrastrukturës civile.

Kreu i administratës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, e akuzoi Rusinë për “ecocid” – shkatërrim të ambientit përmes veprimeve të qëllimshme apo neglizhente të njerëzve – në një mesazh në platformën Telegram.

“Një tjetër krim lufte nga terroristët rusë. Ky është ecocid”, shkroi Yermak.

Niveli i ujit në qytezën pranë digës së shkatërruar mund të rritet për deri në 12 metra, tha kryetari i kësaj zone i emëruar nga Rusia, Vladimir Leontyev. Autoritetet thanë se niveli i ujit pritet të rritet përgjatë 72 orëve të ardhshme.

Diga, e ndërtuar në vitin 1956, është rreth 30 metra e lartë dhe rreth 3.3 kilometra e gjatë. Qëllimet e saj parësore janë prodhimi i energjisë, ujitja dhe navigacioni.

Ministria e Energjisë e Ukrainës ka thënë përmes një deklarate se shkatërrimi i digës nuk e rrezikon furnizimin energjetik të vendit pasi që “elektriciteti i prodhuar është i mjaftueshëm për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve”.

Incidenti në Herson pason mohimet nga Kievi për pretendimet e Rusisë se forcat e saj e kishin zmbrapsur një ofensivë të shumëfisht ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut.

Kievi i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur atë një përpjekje për dezinformim ndërsa mohoi se kishte nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë territorin e humbur që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, Kievi tha më 5 qershor se forcat ukrainase po “kalonin në veprime sulmuese” në disa zona dhe po kryenin operacione në shkallë të vogël.

Pretendimi rus, i cili erdhi pasi Zelensky i kishte thënë mediumit amerikan Wall Street Journal dy ditë më parë se forcat ukrainase ishin gati për kundërsulm, nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë dhe u mohua nga ushtria ukrainase.

Ushtria ukrainase tha se Rusia përdori video dhe fotografi të vjetra “si dhe materiale të tjera të rreme” në raportin e saj në lidhje me kundërsulmin e supozuar, në të cilin zyrtarët rusë thanë se Ukraina pësoi humbje të mëdha.

Më herët, më 5 qershor, Ministria ruse e Mbrojtjes lëshoi një video-deklaratë duke thënë se forcat ukrainase i sulmuan pesë pika në Donjeck duke përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy tanke, por tha se sulmi i tyre “nuk pati sukses”.

Në deklaratë thuhej se shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, gjenerali Valery Gerasimov, e ka mbikëqyrur personalisht mbrojtjen ruse.

Gjenerali Oleksandr Syrskiy, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, tha më 5 qershor se forcat ukrainase vazhduan të përparojnë pranë Bahmutit, qytetit që ka qenë epiqendra e luftimeve disamujore për marrjen nën kontrollin të rajonit të Donjeckut. Por, ai nuk përmendi nisjen e një kundërofensive.

Hidhet në erë diga më e madhe në Kherson, paralajmërohen përmbytje

Një nga digat më të mëdha të Ukrainës është hedhur në erë, mëngjesin e sotëm.

Ushtria ukrainase akuzon forcat ruse, ndërsa zyrtari i instaluar nga Moska në qytetin e Nova Kakhovka në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Kherson mohoi pretendimin.

“Rezervuari Kakhovka u hodh në erë nga forcat pushtuese ruse,” shkroi komanda jugore e Forcave të Armatosura të Ukrainës të martën në faqen e saj në Facebook.

“Shkalla e shkatërrimit, shpejtësia dhe vëllimet e ujit dhe zonat e mundshme të përmbytjeve janë duke u sqaruar,” shtoi më tej ushtria ukrainase.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS citoi një burim të paidentifikuar të afërt me çështjen që thoshte se diga ishte shkatërruar dhe territori ishte duke u përmbytur.

Ndërsa administrata ushtarake e Ukrainës për rajonin Kherson u bëri thirrje njerëzve që të jenë gati të evakuohen nga disa fshatra në bregun e djathtë të lumit Dnieper pasi niveli e uji po rritej pas shkatërrimit të digës.

“Niveli i ujit po rritet dhe kushdo që ndodhet në zonën e rrezikut duhet: Të fikë të gjitha pajisjet elektrike; të marrë dokumentet dhe gjërat thelbësore; kujdesuni për të dashurit dhe kafshët shtëpiake; ndiqni udhëzimet e shpëtimtarëve dhe policëve, “shkruan administrata në kanalin e saj të mesazheve Telegram.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thirrur një mbledhje urgjente të këshillit të sigurisë kombëtare të vendit pas shpërthimit në digë, tha Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Diga e epokës sovjetike në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Kherson mund të shkaktojë një përmbytje në të gjithë zonën e luftës, sipas forcave ukrainase dhe ruse.

Videot e pa verifikuara në mediat sociale treguan një seri shpërthimesh intensive rreth digës Kakhovka.

Video të tjera treguan ujin që vërshonte nëpër mbetjet e digës me kalimtarët që shprehnin tronditjen e tyre, ndonjëherë me gjuhë të fortë.

Diga, 30 metra e gjatë dhe 3,2 km (2 milje) e gjatë, u ndërtua në vitin 1956 në lumin Dnieper si pjesë e hidrocentralit Kakhovka. syri.net

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Shea: Veriu është çështje e brendshme e Kosovës

Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë tha një intervistë për Euronews Albania se prania e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën është e papranueshme.

Ai e cilësoi këtë veprim mbireagim të papranueshëm nga Beogradi, për diçka që siç tha është çështje e brendshme e Kosovës.

“Kam qenë mjaft i qartë për dërgimin e forcave ushtarake serbe në kufi për një çështje që nuk i përket Serbisë, por është një çështje e brendshme e Kosovës. Ka një mbireagim, është e papranueshme dërgimi i këtyre trupave. Ato duhet të rikthehen në vendin e tyre. Beogradi duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës. Veriu është një çështje e brendshme e Kosovës. Mesazhi im është që: Kosovë, puno bashkë me BE dhe SHBA! Pavarësisht zemërimit, mos humbisni besimin e miqve më të ngushtë”, tha ai. syri.net

Kievi vazhdon të ushtrojë trysni ndaj trupave ruse në Bakhmut

VOA

Trupat ukrainase po vazhdojnë të ushtrojnë trysni ndaj trupave ruse në Bakhmut edhe pse këta të fundit shpallën fitoren atje pak kohë më parë. Beteja për qytetin është më e gjata dhe më përgjakshmja që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se Moska është përpjekur të krijojë përshtypjen se rreth Bakhmutit mbizotëron qetësia, por në fakt thotë ajo sulmet me artileri atje vazhdojnë ende, në nivele të ngjashme me ato në kulmin e betejës për të marrë qytetin.

Lufta, shton zonja Maliar, po evoluon në një fazë të re.

Beteja për Bakhmutit nuk ka ndalur, është në vazhdim, thjesht ka marrë formë tjetër”, tha zonja Maliar.

Forcat ruse tashmë po përpiqen, por po dështojnë të dëbojnë luftëtarët ukrainas nga disa zona të larta përreth, me fushëpamje nga Bakhmuti.

Ne po i mbajmë ato pozicione shumë fort“, tha ajo.

Rusia e shihte marrjen e kontrollit të Bakhmutit, si përmbushje të pjesshme të objektivit të saj për të marrë kontrollin e rajonit lindor të Donbasit, qendra industriale e Ukrainës.

Por kjo detyrë mund të bëhet më e vështirë për shkak të tërheqes së mercenarëve të grupit ushtarak privat ‘Wagner Group’, që ndihmoi në marrjen e kontrollit të qytetit. Tashmë ata do të zëvendësohen me ushtarë rusë.

Erdogani paraqet qeverinë e re

Recep Tayyip Erdogan, i cili fitoi mandatin e tretë në zgjedhjet presidenciale turke, njoftoi përbërjen e qeverisë së re të shtunën pasi u betua për një mandat të ri pesëvjeçar si lider i Turqisë.

Pas një darke zyrtare ku morën pjesë pothuajse 80 presidentë shtetesh dhe qeverish, Erdogan njoftoi përbërjen e qeverisë së re në të cilën ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë pësuan ndryshime të thella.

Qeveria e re do të mblidhet për herë të parë të martën, njoftoi ai më herët. Pas darkës, Erdogan shkoi në pallatin presidencial Cankaya, ku jetonte dhe punonte Mustafa Kemal Ataturk, për të shpallur përbërjen e qeverisë së re.

Siç pritej, eksperti i njohur Mehmet Simsek, ish-ministër i Financave (2009-2015) dhe më pas Zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike (deri në 2018), merr Ministrinë e Financave.

Emri i Mehmet Simsek, 56 vjeç u shfaq vazhdimisht në media: ish-ekonomisti i bankës amerikane Merrill Lynch do të jetë përgjegjës për të vendosur rregull në politikën financiare të vendit, për të rifituar besimin e investitorëve.

Ministritë kryesore do të rinovohen gjithashtu: kështu Hakan Fidan, ish-kreu i MIT, shërbimi inteligjent turk, do të marrë postin e ministrit të Jashtëm, në vend të Mevlut Çavusoglu.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, Yasar Gueler, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zëvendëson Hulusi Akar, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm që mbante detyrën që nga korriku 2018.

Akar u konsiderua si organizator i rezistencës ndaj grusht-shtetit të dështuar në korrik 2016. Në detyrë kanë mbetur vetëm dy ministra, Shëndetësisë dhe Kulturës. syri.net

BE: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, ose do të përballen me pasoja negative

VOA

Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.

Në një deklaratë të lëshuar nga shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut dënohen “aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se blloku qëndron fuqishëm në mbështetje të misionit të NATO-s dhe atij të BE-së për sundimin e ligjit në përmbushjen e mandateve të tyre.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pa bashkërenduar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të ulur tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet në deklaratë.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë që nuk e përshkallëzon situatën, dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” theksohet më tej në deklaratë në të cilën shprehet “shqetësimi për shkallën e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe”.

Bashkimi Evropian po ashtu kërkon që Kosova dhe Serbia “të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila garanton siguri, dhe demokraci për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Kjo përfshin fillimin pa vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e zotit Borrell.

Scandinavian Airlines vë në punë avionët e parë elektrikë

VOAL- Linja ajrore skandinave, Sas – Scandinavian Airlines, lëshoi ​​të premten bileta për tre fluturimet e para inauguruese elektrike që do të zhvillohen midis Danimarkës, Suedisë dhe Norvegjisë. Sipas kompanisë, çdo fluturim do të ketë 30 ulëse dhe do të niset në një datë, orë dhe destinacion që ende nuk është përcaktuar.

Të vetmet siguri janë viti, 2028, dhe itinerarja, e cila do të jetë një fluturim i brendshëm me distanca të shkurtra. Pavarësisht nga pikëpyetjet e shumta që i tejkalojnë pasiguritë e një rezervimi standard fluturimi, 90 vendet e disponueshme u shitën brenda pak orësh: “Ne do të shkruajmë një faqe të rëndësishme në historinë e aviacionit”, tha Alexandra Kaoukji, zëdhënëse e SAS, e intervistuar nga Radio Suedia. rsi-eb

Osmani takohet me Zelenskyn: Askush s’mund ta pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Osmani ka shpërndarë fotografi nga bashkëbisedimi me Zelenskyn, derisa bëri të ditur se atij i shpreh solidaritetin e popullit të Kosovës.

“Në momentet kur ka rëndësi se ku qëndroni, unë i shpreha Presidentit Zelensky solidaritetin tonë të plotë. Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”, ka shkruar Osmani në Twitter./Syri.net Kosova

Macron: Putin të mos gjykohet për krime lufte

Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar mos dërgimin e homologut të tij rus, Vladimir Putin, para drejtësisë në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte me arsyetimin se ai është i vetmi person me të cilin mund të ketë negociata për t’i dhënë fund luftës.

Në një fjalim të mbajtur në një konferencë të liderëve të BE-së në Moldavi, presidenti francez përcaktoi gjithashtu planet për një zgjerim të shpejtë të BE-së, një pajtim midis Evropës Lindore dhe Perëndimore dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Ai këmbënguli se Rusia kishte humbur të gjithë legjitimitetin, por tha se nëse ofensiva e ardhshme e Ukrainës nuk i përmbush objektivat e saj ushtarake, do të duhej të kishte një vlerësim të mbështetjes së ardhshme evropiane për Ukrainën.

Në të njëjtën kohë ai këmbënguli se Ukraina po mbronte jo vetëm kufijtë e saj, por edhe ato të Evropës nga agresioni rus.bw

Macron: Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara

Radio Evropa e Lirë

 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe.

Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë.

Qëndrimi i presidentit francez është në bashkërendim me deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të QUINT-it, të cilat e bënë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në deklaratën e tij tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”. Ai tha se këto veprime janë marrë “në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri të shtetit, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”.

“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell më 30 maj.

Reagimet ndërkombëtare erdhëm pas aksioneve të Policisë së Kosovës, më 26 maj, në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

“Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”, tha ai.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Von Cramon: Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me manovrat në veri

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjatë konferencës për media në Prishtinë.

RFE/RL

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, u shpreh e shqetësuar nga situata në veri të Kosovës gjatë një konference për media në Prishtinë. Ajo tha se Qeveria e Kosovës “duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri”.

“Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se ata kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave”, tha Von Cramon.

Ajo i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta pyesë veten “nëse kjo është qeverisje e mirë”, teksa shtoi se duhet të punohet në ndërtimin e besimit me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe që ata të mos portretizohen si “kriminelë” dhe “kukulla të Beogradit”.

Për t’u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë

Deklaratat e zyrtares evropiane vijnë në ditën kur serbët lokalë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 26 maj u rritën tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët e rinj, nën asistimin e policisë, u futën në ndërtesat komunale.

Policia u përlesh me protestuesit dhe për pasojë pesë policë u lënduan dhe u dogjën disa vetura policore.

Bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësimin me veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilës i ka kërkuar që të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka thënë se protestuesit serbë do të tërhiqen kur nga veriu të tërhiqen kryetarët e rinj dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 maj, pasi krerët e mëhershëm komunalë nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Lars-Gunnar Wigemark: Dënoj sulmin e paprovokuar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it!

Ka reaguar Lars-Gunnar Wigemark, Shefi i EULEX-it, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, ish-EUSR, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian dhe ambasador i BE-së në Bosnje- Hercegovinë dhe Pakistan:
Dënoj sulmin e sotëm të pakuptimtë dhe të paprovokuar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe u uroj ushtarëve të plagosur shërim të shpejtë.
@NATO_KFOR është partneri kryesor i sigurisë së #EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës.
Ne koordinohemi dhe stërvitemi së bashku.
Sot sundimi i ligjit u shkel në Kosovë 🇽🇰!”

Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni: Nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it !

Reagimi i kryeministres së Italisë Georgia Meloni:

“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë. Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira menjëherë të bëjnë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve. Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë. Konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat.”

 

Parlamenti Evropian rezolutë për Shqipërinë: Rama po rrezikon rrugën drejt BE!

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi raportin për Shqipërinë, duke evidentuar ndërhyrjen e shtetit për të penguar garën e partive politike në zgjedhje. Ky pasazh i referohet ndalimit të PD-së reale për të hyrë në zgjedhjet lokale me të gjitha atributet politike e ligjore që i përkasin asaj. Raporti i PE. shpreh një sërë shqetësimesh për zvoglëimin e hapësirave të opozitës në Kuvend, ndërsa nismat si amnistia fiskale dhe Pasaportat e Arta i konsideron të rrezikshme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Gjithashtu në raport thuhet se projekte si ai i Portit Durrës duhet të zbatojnë prokurimin Publik sipas standarteve europiane të MSA.

Nga SYRI TV

Kritikat e adresuara nga Brukseli në muajt e fundit tashmë janë konkretizuar me Rezolutë duke sjellë kështu një goditje të rëndë për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka kaluar për votim në seancë të raportit “Shqipëria 2022”, ku adresohen një sër problematikash, përfshi edhe shqetësimet për zgjedhjet e 14 majit, ku vihet theksi te mosgarimi I barabartë e ndërhyrja e shtetit, duke iu referuar ndalimit të PD-së reale për të hyrë në zgjedhjet lokale me të gjitha atributet politike e ligjore që i përkasin asaj.

Thirrje autoriteteve shqiptare që të adresojnë prioritetin e jashtëzakonshëm të rekomandimeve të zgjedhjeve dhe financimit të partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, lirinë e asociimit, përfshirë në partitë politike, si garantimin e lirisë për të dalë në zgjedhje pa ndërhyrje të panevojshme të shtetit ose ndërhyrje të tjera.

Por jo vetëm pabarazia në zgjedhje për mbajtjen peng të logos së Partisë Demokratike, por raporti vë në dukje edhe shkeljen e rregullores së Kuvendit për ngushtimin e hapësirës për rolin mbikqyrës të opozitës parlamentare përfshi edhe refuzimin për ngritjen e komisionit hetimor, duke sjell si shembull refuzimin e mazhorancës për Komisionin Hetimor për rolin e kryeministrit Edi Rama në skandalin Mcgonigal.

Keqardhje për konfrontimin politik dhe veprimet përçarëse, shkeljet e rregullores parlamentare, zvogëlimin e hapësirës për rolin e opozitës, duke përfshirë refuzimin e komisioneve hetimore parlamentare dhe nënvizon përgjegjësi të përbashkët politike dhe sociale për reformat.

Rezoluta e Parlamentit Europian është tepër kritike sa i përket nismave të qeverisë shqiptare, madje paralajmëron se disa nga këto nisma si amnistia fiskale apo pasaportat e arta, rrezikojnë seriozisht bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Shpreh shqetësimin për aspektet e projektligjit për amnistinë fiskale dhe propozimin e shtetësisë sipas skemës së investimeve që janë të papajtueshme me normat e BE-së dhe politikën e saj të vizave. I bën thirrje qeverisë të anulojë urgjentisht çdo iniciativë ligjore në lidhje me amnistinë fiskale/penale dhe shtetësinë nga skemat e investimeve që janë një kërcënim për BE-në dhe Shqipërinë dhe sigurisht që do të bllokojnë çdo progres në integrimin evropian.

Por një tjetër çështje ku Parlamenti Europian citon se “është i skandalizuar, është ajo në lidhje me kontratën e Portit Durrës me një kompani nga Emiratet e Bashkuara, kontratë kjo që sipas raportit, shkel Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE megjithë paralajmërimet e mëparshme të Parlamentit e Komisionit Europian.’

Parlamenti Europian është i tmerruar nga qeveria që miratoi kontratën në shkelje të MSA-së në Portin e Durrësit me një kompani të Emirateve të Bashkuara Arabe, pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian’’

PE shpreh shqetësimin për regresin e lirisë së shprehjes dhe të medias, refuzimin e qeverisë për të dhënë informacion, si dhe përpjekjet për diskreditimin e gazetareve.

Shpreh shqetësimin e tij serioz për regresin në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe thekson rolin e qeverisë dhe liderëve politikë në krijimin e një mjedisi favorizues për ndjekjen e këtyre lirive. Dënojmë përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe për të fshehur në mënyrë arbitrare informacionin publik nga autoritetet qeveritare, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve; u kërkon autoriteteve të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimit ndaj gazetarëve.

Gjithashtu në raport kërkohet hetim për shembjen e paligjshme te aseteve të lidhura me mediat e pavara nga qeveria apo kritike me të, siç eshtë rasti i Prestige Ressort dhe 24 News. Raporti shpreh edhe shqetësim se nuk ka progres në pastrimin e parave të Krimit, si dhe evidentohet korrupsioni në nivel më të lartë qeveritar ku mungojnë dënimet gjyqësore.

Presim përmirësime në parandalimin, hetimin proaktiv dhe ndjekjen penale të dënimeve përfundimtare jo selektive për rastet që përfshijnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Vërejmë se nuk ka dënime të zyrtarëve për akuza për korrupsion të nivelit të lartë.

Propozuesit e këtyre amendimeve, janë eurodeputetet Michael Gahler, David Lega,, Lukas Mandl, Antonia Lopez Isturiz, Miriam Lexman, Peter van Dalen, Vladimir Bilcik, Zeljana Zovko e Arba Kokalari.

E procedura e Parlamentit Europian është e tillë, që të gjitha raportet që përpilohen nga komisionet përkatëse miratohen nga eurodeputetët, e kjo do të shënonte një goditje të rëndë për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.

Lukashenko sëmuret rëndë pas takimit me Putinin, lideri bjellorus shtrohet me urgjencë në spitalin e Moskës

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko raportohet se është shtruar me urgjencë në spitalin e Moskës gjatë një vizite në Rusi, pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar sërish.

68-vjeçari mësohet se ishte shtruar në spital në një gjendje ‘kritike’ pasi u rrëzua gjatë një udhëtimi për të takuar aleatin e ngushtë Vladimir Putin.

Incidenti me shëndetin e Lukashenkos vjen pasi para disa javësh lideri bjellorus u zhduk nga sytë e publikut për ditë me radhë për shkak të gjendjes së rënduar.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve lokale për t’i dhënë fund spekulimeve me fotografi dhe video të kreut që kryente detyrën më 15 maj, mjekët po ngrenë sërish shqetësime mbi shëndetin e tij sipas DailyMail.

 

Valery Tsepkalo, lideri i opozitës bjelloruse, tha: “Sipas informacioneve që kemi, të cilat kanë nevojë për konfirmim shtesë, Lukashenko, pas takimit me Putinin me dyer të mbyllura, u dërgua urgjentisht në Spitalin Klinik Qendror në Moskë, ku ndodhet tani.”bw

Shtëpia e Bardhë dhe republikanët – më afër marrëveshjes për tavanin e borxhit

VOA/Ken Bredemeier

Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësit republikanë ishin afër një marrëveshjeje të enjten në mbrëmje për të rritur tavanin e borxhit për dy vjet, duke kufizuar gjithashtu shpenzimet federale për të gjithë, përveç atyre për ushtrinë dhe veteranët.

Nëse marrëveshja arrihet dhe miratohet, do të rriste tavanin e huamarrjes së qeverisë për dy vjet deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Sipas gazetës The New York Times, që raportoi e para për këtë çështje, kompromisi do t’i lejonte demokratët të thonë se i kursyen shumicën e programeve vendase nga shkurtimet e mëdha dhe republikanët të thonë se shkurtuan disa shpenzime federale. Sipas gazetës negociatorët kishin filluar të hartonin tekstin legjislativ.

“Kemi biseduar me Shtëpinë e Bardhë gjatë gjithë ditës… dhe nuk është e lehtë”, u tha gazetarëve kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy teksa po largohej nga Kapitoli të enjten në mbrëmje. “Duhet pak kohë dhe ne po punojmë shumë për ta arritur atë”.

Më herët të enjten, presidenti Joe Biden tha se negociatat me ligjvënësit republikanë për të rritur tavanin e borxhit të qeverisë amerikane dhe për të vendosur nivelet e shpenzimeve në të ardhmen po shkonin mirë, ndërsa siguroi amerikanët se vendi nuk do të dështojë të përmbushë detyrimin e tij për të paguar faturat.

Negociatorët e Shtëpisë së Bardhë vazhduan të bisedojnë me përfaqësuesit e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy për të zgjidhur hollësitë e fundit të një marrëveshjeje, por asnjë marrëveshje nuk u njoftua pasi ligjvënësit filluan të largoheshin nga Uashingtoni përpara fundjavës së Ditës Përkujtimore.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët nuk planifikon të kthehet në punë deri të martën, vetëm dy ditë përpara 1 qershorit, datë kur Sekretarja e Thesarit Janet Yellen thotë se qeverisë mund t’i mbarojë paratë e gatshme për të përmbushur detyrimet e saj nëse tavani ekzistues i borxhit prej 31.4 trilion dollarësh nuk rritet. Si Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe Senati duhet të miratojnë rritjen e tavanit të borxhit përpara se presidenti Biden ta nënshkruajë ligjin.

Gjiganti gjerman Lufthansa i bashkohet ITA Airways

VOAL- Qeveria italiane dhe Lufthansa arritën një marrëveshje të enjten për hyrjen e gjigantit gjerman të linjës ajrore në kapitalin e linjës ajrore shtetërore ITA Airways, e lindur nga hiri i Alitalia. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria Italiane e Ekonomisë.

Lufthansa synon të blejë një pakicë prej 41% të aksioneve në kompaninë italiane, duke rezervuar opsionin për të rritur aksionet e saj në afat të mesëm, tha një burim qeveritar për AFP. Sipas shtypit italian, Lufthansa do të duhet të paguajë nga 300 deri në 320 milionë euro për të blerë aksionet e saj.

Marrëveshja u nënshkrua në Romë nga ministri i ekonomisë Giancarlo Giorgetti dhe shefi i Lufthansa-s, Carsten Spohr. Kjo marrëveshje “shënon fundin e një rruge në historinë e linjës ajrore kombëtare, e cila çon në perspektivën e integrimit me një transportues të madh evropian”, tha Giorgetti. rsi-eb

Bjellorusi, fituesi i çmimit Nobel për Paqe transferohet në një burg brutal

Laureati i çmimit Nobel për paqen, Ales Bialiatski, është transferuar në një burg famëkeq brutal në Bjellorusi dhe nuk është marrë vesh asgjë për të prej një muaji, tha në një deklaratë gruaja e tij.

Natalia Pinchuk tha se Bialiatski, i cili po vuan një dënim prej 10 vitesh është mbajtur në një burg, ku të burgosurit rrihen dhe i nënshtrohen punës së rëndë.

Në mars, gjykata dënoi 60-vjeçarin Bialiatski, avokati kryesor i të drejtave të njeriut në Bjellorusi dhe një nga fituesit e çmimit Nobel për Paqen në vitin 2022 -dhe tre kolegë të tij me akuzat për financimin e veprimeve që shkelin rendin publik dhe kontrabandën.

Lukashenko, një aleat i vjetër i presidentit rus Vladimir Putin, i cili mbështeti pushtimin rus të Ukrainës, e ka udhëhequr vendin me grusht të hekurt që nga viti 1994. Gjatë protestave në vitin 2020, më të mëdhatë ndonjëherë në Bjellorusi, më shumë se 35,000 njerëz u arrestuan.

Deri më 1516 janë të burgosur politikë në Bjellorusi.dita

Presidentja e Moldavisë: Vladimir Putini do të arrestohet nëse vjen në vendin tonë

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se Moldavia do të arrestojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nëse ai hyn në territorin e vendit të saj.

“Republika e Moldavisë do të respektojë vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, e cila lëshoi ​​një urdhërarrest për Vladimir Putinin për krime lufte të kryera në Ukrainë dhe nëse ai hyn në territorin e vendit tonë, do të arrestohet”, tha presidentja moldave në një bisedë me gazetarë të huaj, raporton M1 Moldova.

Ajo theksoi se tani për tani nuk ekziston rreziku i një pushtimi ushtarak të Moldavisë nga Rusia.

“Tani nuk ka rrezik për një pushtim ushtarak për Moldavinë për shkak të Ukrainës, e cila e mban ushtrinë ruse larg kufijve tanë, por ne po përballemi me përpjekje nga Rusia për ta destabilizuar atë. Fatmirësisht, institucionet tona kanë arritur të mbrojnë vendin dhe ne po bëhem më rezistent”, tha Sandu.

Ajo shprehu mirënjohjen që për herë të parë që nga pavarësia, Moldavia nuk është e varur nga energjia ruse.

“Për shumë vite shohim se Rusia po përpiqet të na shantazhojë me energji dhe dua t’ju them se sot, për herë të parë që nga pavarësia, Moldavia, me përjashtim të rajonit të Transnistrias, nuk konsumon gaz rus. Ne po punojmë, po bëhemi më rezistent, por sigurisht që kemi nevojë për mbështetje. Propaganda është një problem i madh dhe ka ndikuar në procesin tonë demokratik”, theksoi ajo.

Kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​një urdhërarrest për Putinin në mes të marsit, duke e akuzuar atë për krime lufte.

Kështu, 123 vende anëtare të kësaj gjykate janë të detyruara të arrestojnë liderin e Kremlinit nëse ai hyn në territorin e tyre. Moska ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se forcat e saj të armatosura kanë kryer krime në Ukrainë.

Moldavia ratifikoi traktatin për krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2011.bw

Bombardime vdekjeprurëse ruse godasin rajonin Herson të Ukrainës

RFE/RL

Të paktën dy civilë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në rajonin jugor Herson të Ukrainës për shkak të bombardimeve të kryera nga Rusia, tha një zyrtar ukrainas.

Ndërkohë, ushtria ukrainase raportoi se luftimet për kontrollin e qytetit lindor të Bahmutit ende po vazhdojnë.

“Rusia shënjestroi lagjet e banimit të zonave të populluara nga civilët dhe objektivat e infrastrukturës në rrethin [Herson] Berislav”, shkroi kreu i administratës ushtarake rajonale në Herson, Oleksandr Prokudin, në Telegram.

Prokudin tha se forcat ruse kryen 64 granatime të territorit të kontrolluar nga qeveria ukrainase në Herson, duke përdorur artileri të rëndë, raketa, tanke dhe dronë.

Pasi Ukraina rimori pjesë të rajonit të Hersonit vjeshtën e kaluar, forcat ruse kanë granatuar rajonin dhe qytetin pothuajse çdo ditë.

Në Ukrainën lindore, lufta për kontrollin e Bahmutit dhe rrethinave të tij është ende në vazhdim, me mbrojtësit ukrainas që zmbrapsën 26 sulme nga forcat ruse gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës më 24 maj. Drejtimet kryesore të sulmit të Rusisë përqendrohen rreth linjës së frontit Bahmut-Avdivka-Marinka, e cila mbetet epiqendra e luftimeve në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck.

Forcat ruse kanë nisur gjithashtu sulme në Liman, në veri të Bahmutit dhe Kupiansk, në rajonin e Harkiv, tha ushtria në raportin e saj të përditshëm.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, kanë pretenduar se po arrijnë sukses gjatë luftimeve në Bahmut.

Rusia pretendon se e ka qytetin nën kontrollin e saj pas një muaj luftimesh që besohet të kenë marrë mijëra viktima, por ushtria ukrainase thotë se ka përparuar në krahët verior dhe jugor të qytetit, duke synuar ta rrethojë atë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky më 23 maj vizitoi trupat në vijën e frontit në Donjeck. Zelensky postoi foto të tij duke shpërndarë medalje për luftëtarët në një vend pranë qytetit të Vuhledar.

Ndërkohë, u raportua se luftimet rreth rajonit të Belgorodit të Rusisë një ditë pasi luftëtarët e armatosur që dyshohet se vinin nga brenda Ukrainës nisën një nga inkursionet më të mëdha ndërkufitare që nga fillimi i luftës.

Qeveria ukrainase ka mohuar çdo rol në këtë ngjarje.

Ministria ruse e Mbrojtjes më 23 maj pretendoi se trupat e saj kishin rrethuar luftëtarët e armikut dhe përdorën “sulme ajrore dhe veprime aktive nga njësitë kufitare” për të zmbrapsur forcat, duke vrarë shumë prej tyre.

Edhe pse Radio Evropa e Lirë nuk arriti të konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet, Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit të Belgorodit, deklaroi se “masat kundër terrorizmit” të zbatuara më parë ishin hequr.

Dy grupe, Trupat Vullnetare Ruse dhe Legjioni i Lirisë së Rusisë, morën përgjegjësinë për infiltrimin në territorin rus. Ata thanë se ishin luftëtarë rusë kundër Kremlinit që kërkonin të rrëzonin presidentin Vladimir Putin.

Italia me ndihmë prej mbi 2 miliardë eurosh për zonat e prekura nga vërshimet

RFE/RL

Italia ka miratuar paketën për ndihmë emergjente në vlerë prej mbi 2 miliardë eurosh, për të ndihmuar zonat e prekura nga vërshimet në rajonin verior Emilia-Romana, njoftoi kryeministrja Giorgia Meloni.

Të paktën 15 persona vdiqën si pasojë e vërshimeve dhe pothuajse një javë pas kësaj katastrofe natyrore, edhe afër 23.000 mijë persona ende mbeten të pastrehë dhe disa qytete vazhdojnë të jenë të vërshuara.

Ndërkaq, mijëra hektarë tokë, veçmas toka bujqësore, janë shkatërruar si pasojë e vërshimeve.

Meloni, e cila vizitoi të dielën zonat e prekura, të martën mblodhi kabinetit qeveritar për të miratuar paketën e ndihmës.

Ajo tha se ndihma do të jetë për personat e prekur nga vërshimet, por edhe për shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe industrinë e turizmit.

Sipas kryeministres italiane, në këtë paketë përfshihen për shpenzime lidhur me emergjencat dhe moratoriumet mbi taksat dhe kontributet sociale për familjet dhe kompanitë e prekura.

Shefi i inteligjencës gjermane paralajmëron se forca të jashtme synojnë dëmtimin e shtetit

VOA/Marrë nga Associated Press

Kreu i agjencisë së inteligjencës gjermane paralajmëroi të hënën për rritje të ekstremizmit antiqeveritar të nxitur nga aktorë të huaj si Rusia që kërkon të përçajë shoqërinë dhe madje të rrëzojë qeverinë. Agjencitë gjermane të sigurisë kanë parandaluar disa komplote në vitet e fundit nga grupe të vogla të akuzuara për planifikim të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike, zyrtarëve qeveritarë dhe madje edhe parlamentit.

Deri më tani ende nuk është e qartë se sa të avancuara ishin planet për sulme kundër rendit kushtetues në Gjermani, por autoritetet kanë treguar se grupet tanimë të ndaluara kishin siguruar armë dhe përfshinin njerëz që zakonisht nuk janë në radarët e agjencive të sigurisë, si gjyqtarë dhe oficerë policie.

Thomas Haldenwang, i cili drejton Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, ose BfV, tha se përzierja e grupimeve të njohura më parë – nga ekstremistët e djathtë deri te ata që nxisin teori konspirative të ideologjisë “QAnon” – dhe gatishmëria e tyre për të përdorur dhunën ishte veçanërisht shqetësuese.

“Ajo që i lidh të gjitha këto grupe është se ata e përçmojnë shtetin dhe demokracinë tonë, e refuzojnë atë dhe duan ta përmbysin ”, thotë shefi i agjencisë të inteligjencës gjermane, Thomas Haldenwang, në një intervistë për agjencinë e lajmeve AP .

Zoti Haldenwang thotë se ekstremistët anti-qeveritarë përdorin me vetëdije çështje me rëndësi për publikun për të nxitur frikën dhe për të fituar përkrahës të rinj.

Këto çështje përfshijnë migrimin por edhe masat e qeverisë për të frenuar pandeminë e Covid-it dhe për të luftuar ndryshimet mjedisore.

“Të gjitha këto çështje mund të përdoren për të përhapur një teori të veçantë dhe për të dhënë përshtypjen se shteti nuk është në kontroll të situatave të caktuara dhe për këtë arsye ai duhet të rrëzohet”, thotë ai.

Këto përfshijnë planet e fundit të qeverisë për të nxitur gjermanët që të zëvendësojnë pajisjet e vjetra me naftë dhe gaz për ngrohje, me pajisje më efikase me energji elektrike dhe të padëmshme për mjedisin. Këto plane janë përballur me armiqësi nga partitë opozitare, por edhe grupet ekstremiste, që kërkojnë të shfrytëzojnë frikën e gjermanëve, se do të përballen me kosto të larta, pavarësisht paralajmërimeve nga ekspertët se pajisjet e tanishme janë më të shtrenjta në një plan afatgjatë.

“Sa më komplekse të jetë një çështje, aq më shumë ka një prirje për të kërkuar përgjigje të thjeshta dhe për të vrapuar pas njerëzve që ofrojnë një zgjidhje të lehtë për problemet. Shpesh këta njerëz janë nga qarqet ekstremiste”, tha zoti Haldenwang.

Shefi i inteligjencës gjermane thotë se përpjekje të tilla nxiten në mënyrë aktive nga vende si Rusia, e cila është e interesuar për destabilizimin e demokracisë në ekonominë më të madhe të Evropës.

“Kur e kuptojnë se disa ndjenja në vend mund të çojnë në ndarje, ata pëprpiqen t’i shfrytëzojnë ato. Dhe ne shohim një numër të madh masash që po merren për këtë qëllim”, tha zoti Haldenwang.

Zoti Haldenwang përmendi dezinformimin e përhapur nga media shtetërore ruse dhe platformat e internetit.

Përveç partisë së ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’, e cila është vënë nën vëzhgim nga inteligjenca gjermane, ndër figurat më të njohura, që sulmojnë qeverinë, janë ligjvenësja e ‘Partisë së Majtë’ Sahra Wagenknecht dhe vetë paraardhësi i zotit Haldenëang, Hans-Georg Maassen, i cili u shkarkua pesë vjet më parë pasi minimizoi dhunën kundër migrantëve.

Zoti Haldenwang paralajmëron gjithashtu se komplotet për grusht shteti, si ato që u parandaluan vitin e kaluar, ka të ngjarë të mos jenë të fundit

“Ne po i monitorojmë përpjekje të tilla intensivisht, me shumë kujdes, dhe jam i sigurt se do të jemi në gjendje të ndërhyjmë me kohë së bashku me agjencitë e tjera të sigurisë,” thotë zoti Haldenwang.

Aktivistët gjeorgjianë pengojnë dasmën ku mori pjesë vajza e Sergei Lavrovit

Aktivistë dhe policë të mbledhur jashtë resortit ku ishte organizuar festa.

RFE/RL

Aktivistët në Gjeorgji penguan një dasmë të mbajtur jashtë kryeqytetit Tbilisi, ku mendohet se po merrte pjesë vajza e ministrit të Jashtëm të Rusisë.

Sipas raporteve nga mediat gjeorgjiane, Yekaterina Lavrov, vajza e Sergei Lavrov, pritej të merrte pjesë në një festë pas dasmës, në një vendpushim malor në lindje të Tbilisit më 20 maj.

Dasma u tha se ishte e vëllait të Aleksandr Vinokurov, që është bashkëshorti i Yekaterina Lavrov.

Protestuesit nacionalistë organizuan një tubim jashtë resortit, duke u përplasur shkurtimisht me policinë, e cila arrestoi të paktën 16 persona.

Sipas raportimeve të mediave, disa protestues hodhën vezë mbi minibusët që dilnin nga hoteli, duke thirrur: “Rusët nuk kanë vend në Gjeorgji!”

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse festa pas dasmës ndodhi në të vërtetë apo jo. Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zurabishvili tha se nuk nodhi, dhe se të ftuarit e dasmës tashmë ishin larguar nga lokacioni.

Një kanal televiziv opozitar më 19 maj publikoi një video të asaj që thoshte se ishte një ceremoni martese në një zyrë të regjistrit të martesave në Tbilisi. Ishte e paqartë nëse Lavrov mori pjesë në këtë ceremoni.

Zurabishvili tha gjithashtu se një ligjvënës rus kishte marrë pjesë në ceremoni.

“Kam marrë një premtim nga ministri i Punëve të Brendshme që familja, njerëzit që do të festonin dasmën sot, u larguan. Dasma nuk do të mbahet. Kjo është një fitore për shoqërinë, si dhe largimi i [deputetit të Dumës së Shtetit Sergei] Gavrilov nga ky vend”, tha ajo.

Incidenti ndodhi pasi Gjeorgjia u rivendosi fluturimet e ndërprera prej kohësh midis Tbilisit dhe kryeqytetit rus, Moskës. Më 19 maj, një aeroplan rus me pasagjerë u ul në Tbilisi – i pari që kur presidenti rus Vladimir Putin hoqi një ndalim-fluturimin e vitit 2019 javën e kaluar.

Ardhja e avionit u prit me protesta si në aeroportin e Tbilisit ashtu edhe në vende të tjera.

Marrëdhëniet zyrtare diplomatike midis dy vendeve nuk kanë ekzistuar që nga fitorja e shpejtë e Rusisë mbi forcat gjeorgjiane në një luftë të shkurtër në 2008. Si rezultat i konfliktit, Gjeorgjia humbi kontrollin mbi rajonet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Gjeorgjia ka votuar vazhdimisht në favor të rezolutave ndërkombëtare që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Për më tepër, ajo ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën dhe ka pranuar mijëra refugjatë që ikin nga lufta.

Perëndimi i jep avionët luftarakë Kievit, Zelensky i premton Biden të mos i përdorë në territorin rus

Gjatë konferencës së përfundimit të samitit të G7 në Japoni, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se SHBA dhe partnerët perëndimorë do furnizojnë Kievin me avionë luftarakë F-16.

Zelensky u shpreh se pala e tij kishte punuar shumë për sigurimin e mjeteve luftarake, ndërsa u shpreh se është e rëndësishme që Ukraina të ndihmohet edhe me trajnime pilotësh për përdorimin e avionëve.

Sakaq, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se Zelensky i ka premtuar se nuk do i përdorë avionët F-16 në territorin rus, por vetëm në tokën ukrainase që cenohet nga trupat e Moskës.bw

Policia gjermane heton helmimin e mundshëm të disidentëve rusë

RFE/RL

Policia gjermane, më 21 maj, nisi një hetim për helmimin e mundshëm të disidentëve rusë në Berlin, pasi një gazetar dhe aktivist raportoi probleme shëndetësore, pas një takimi të disidentëve në kryeqytetin gjerman, në muajin prill, tha policia gjermane, raporton AFP.

“Hetimi është në vazhdim e sipër”, tha një zëdhënës i policisë së Berlinit për AFP-në, duke konfirmuar raportin e gazetës gjermane Die Welt.

Pas një takimi të disidentëve rusë në Berlin, më 29 dhe 30 prill, dy pjesëmarrës shfaqën probleme shëndetësore, njoftoi këtë javë një agjenci e mediave hulumtuese ruse.

Takimi u organizua nga ish-oligarku i mërguar dhe kritiku i Kremlinit, Mikhail Khodorkovsky.

Një nga pjesëmarrësit, gazetar që u largua së fundmi nga Rusia, përjetoi simptoma të paspecifikuara gjatë ngjarjes dhe tha se ato mund të kenë filluar më herët.

Atij iu desh të trajtohej në Spitalin universitar Charite në Berlin, ku edhe lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u trajtua nga helmimi, në gusht të vitit 2020, raporton AFP-ja.

Një tjetër pjesëmarrëse, Natalia Arno, drejtore e organizatës joqeveritare Fondacioni Rusia e Lirë në SHBA, ndjeu simptoma kur udhëtoi për në Pragë, pas takimit në Berlin.

Ajo gjithashtu zbuloi se dhoma e saj e hotelit ishte e hapur, raportoi agjencia. Të nesërmen, ajo udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara, ku jeton gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Atje, ajo iu drejtua për ndihmë spitalit dhe autoriteteve kompetente.

Këtë javë, në Facebook, Arno përshkroi simptomat, dhimbje të forta dhe mpirje. Ajo ka shkruar se simptomat e para të çuditshme janë shfaqur edhe para se të arrinte në Pragë dhe shtoi se ndihet më mirë, por se këto simptoma nuk janë zhdukur plotësisht.

Vitet e fundit, disa kundërshtarë të Kremlinit janë helmuar jashtë vendit, por dhe në Rusi. Moska mohon që shërbimet e saj sekrete janë përgjegjëse për diçka të tillë. Ndërkohë, laboratorët evropianë kanë konfirmuar se Navalny është helmuar me helmin sovjetik Novichok.

Rusia merr nën kontroll Bakhmutin, e konfirmon dhe Zelensky

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky duket se ka konfirmuar se Rusia ka fituar betejën e gjatë dhe të përgjakshme për qytetin e Bakhmutit.

I pyetur të dielën nëse Ukraina kishte kontrollin e qytetit lindor të saj, Zelensky tha:

‘Unë mendoj se jo’.

Qyteti ishte shkatërruar, tha ai.

Udhëheqësi i grupit paraushtarak rus Wagner tha në një video të shtunën se forcat e tij kishin pushtuar qytetin, një pretendim që zyrtarët ukrainas fillimisht e mohuan.

Analistët thonë se Bakhmut ka pak vlerë strategjike për Moskën, por kapja e tij është një fitore simbolike për Rusinë pas betejës më të gjatë të luftës së Ukrainës deri tani, raporton BBC.

Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se midis 20 mijë dhe 30 mijë trupa ruse janë vrarë ose plagosur në Bakhmut, ndërsa ushtria e Ukrainës ka paguar gjithashtu një çmim të rëndë.

Berlusconi del nga spitali pas 45 ditësh

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka dalë të premten nga spitali, pas një trajtimi 45-ditor.

Berlusconi, 86-vjeçar, është larguar nga spitali San Raffaele në Milano, dhe është parë duke i përshëndetur gazetarët.

Ai është shtruar në spital në fillim të muajit prill, për shkak të pneumonisë, dhe mjekët kanë thënë se ai është trajtuar edhe për leukemi kronike.

Politikani dhe manjati i mediave ka qenë në kujdes intensiv për gati dy javë.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thënë të premten në Twitter se pret që bashkëpunëtori i saj konservator të kthehet, për “të luftuar shumë beteja tjera bashkë”.

Berlusconi e ka formësuar jetën politike italiane për disa dekada.

Popullisti i krahut të djathtë, ka qenë kryeministër katër herë, me disa pauza, prej vitit 1994 deri më 2011.

Ai aktualisht e ka një ulëse në Senat, një prej dhomave të parlamentit në Romë.

Berlusconi ka pasur probleme shëndetësore me vite.

Në fund të vitit 2020, ai është infektuar me koronavirus, ndërsa më 2016 i është nënshtruar një operimi në zemër.

Presidenti çek dhe ai finlandez kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Presidenti çek, Petr Pavel dhe ai finlandez, Sauli Niinisto shfrytëzuan Samitin e katërt të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës në Reykjavik të Islandës për të shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Edhe pse ky samit iu dedikua Ukrainës, Pavel në fjalën tij deklaroi se Kosova duhet të bëhet sa më shpejtë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Ndërsa ne fokusohemi te situata në Ukrainë, nuk duhet të harrojmë Gjeorgjinë, Moldavinë, si dhe partnerët e tjerë që po përballen me presionin dhe frikësimin rus. Ata mund të llogarisin në mbështetjen tonë, duke përfshirë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Gjithashtu do të doja të shfrytëzoj këtë rast për të ritheksuar mbështetjen tonë të plotë për synimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës”, deklaroi Pavel.

Edhe presidenti finlandez, Sauli Niinisto, tha se nuk duhet harruar Ballkani Perëndimor duke ritheksuar mbështetjen për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ndërsa vëmendja jonë kryesore është me të drejtë nga Ukraina, ne theksojmë nevojën për mbështetje edhe për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Finlanda mirëpret hapat e mëtejshëm për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndërsa sistemi shumëpalësh i bazuar në rregulla sfidohet, Këshilli i Evropës meriton mbështetjen tonë më të fortë”, deklaroi Niinisto.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022 ndërsa në fund të prillit të këtij më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare. syri.net

Itali, përmbytje të fuqishme në veri, tetë të vdekur, mijëra të evakuuar

VOA

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën, e mijëra janë evakuuar si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin verior të Italisë, Emilia-Romanjën, duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci tha se në disa zona, shiu që kishte rënë në 36 orë, ishte sa gjysma e mesatares vjetore. Shirat nxitën daljen nga shtrati të lumenjve, që përmbytën qytete e mijëra hektarë tokë bujqësore.

Tetë persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve, u tha gazetarëve nënpresidentja e Emilia-Romagna, Irene Priolo. Ajo shtoi se shirat po pakësohen, por niveli i lumenjve vazhdonte të ishte në rritje.

Gara e kësaj fundjave e Formula 1-it, që mbahet në Imola, një qytet pranë zonave më të goditura, u anulua. Autoritetet thanë se shërbimet e urgjencës duhej të përqendroheshin në operacionin e shpëtimit.

Vendimi është marrë sepse nuk është e mundur të garantohet siguri për tifozët, ekipet dhe personelin tonë”, thanë organizatorët e Formula 1-it në një deklaratë.

Lidhjet rrugore dhe hekurudhore u bllokuan në shumë zona. Kryebashkiakët e shumë qyteteve, përfshirë Bolonjës, u bënë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi.

Kjo është hera e dytë këtë muaj që rajoni i Emilia-Romanjës goditet rëndë nga moti i keq. Gjatë stuhive në fillim të muajit maj humbën jetën të paktën dy persona.

Ministri Musumeci tha se në disa pjesë të rajonit në rreth 2 ditë kanë rënë rreth 200 deri në 500 mm shi, ose sa gjysma e mesatares vjetore që llogaritet në rreth 1000 mm. Shirat nuk e kanë prekur qytetin e Venecias.

Shirat e rrëmbyeshëm vijnë pas muajsh të tërë thatësire që sikurse thanë meteorologët, ka reduktuar kapacitetin e tokës për të thithur ujin, duke përkeqësuar ndikimin e përmbytjeve.

Serbia insiston në heqjen e vizave për serbët e Kosovës, KE i prerë: Liberalizimi s’vlen për pasaportat e lëshuara nga Serbia

Serbia ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të anulojë vendimin për detyrim për vizë për qytetarët serbë me banim në Kosovë, të cilët janë të pajisur me pasaporta serbe të dorës së dytë, të lëshuara nga Administrata Koordinuese në Beograd.

Shtetasit e Serbisë me vendbanim në Kosovë kanë dokumente udhëtimi të lëshuara nga kjo Administratë. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e saktë të pasaportave të lëshuara nga Administrata Koordinuese, por ata që i kanë mbajtur ato pasaporta mund të jenë të vetmit që do të duhet të aplikojnë për vizë për të udhëtuar në vendet e BE-së, kur liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Beogradi prej vitesh insiston që ky problem të zgjidhet, ndërsa Prishtina u bën thirrje serbëve që të marrin pasaportat e Kosovës, që nga Viti i Ri të udhëtojnë lirshëm.

Në Bashkimin Evropian shprehin vendosmërinë e tyre për të siguruar që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza, por Beogradi këmbëngul që çështja në lidhje me pasaportat e lëshuara nga Administrata Koordinuese të zgjidhet dhe pret që kjo të ndodhë nga fundi i këtij viti.

Por, nga Komisioni Evropian kanë përsëritur se serbët me pasaporta të Drejtorisë së Koordinimit nuk përfitojnë nga regjimi pa viza për Kosovën.

Zëdhënësja e KE-së tha për Euronews në gjuhën serbe, se ndërkohë që po bëhet progres me liberalizimin e vizave për Kosovën, Bashkimi Evropian është i vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza dhe t’u sigurohen kushte për udhëtim të sigurt.

Kujtojmë se formalisht tashmë është përmbyllur i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 – prej kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane. /Reporteri/

Polonia merr në dorëzim sisteme HIMARS, do t’i dislokojë pranë kufirit me Rusinë

RFE/RL

Polonia ka pranuar dërgesën e parë me sistemet raketore HIMARS, të prodhimit amerikan. Varshava planifikon që t’i dislokojë këto sisteme në një rajon që gjendet në kufi me Rusinë, tha ministri polak i Mbrojtjes.

“Kjo armë do të dislokohet në pjesën verilindore të shtetit tonë… detyra e saj është të pengojë agresorin”, tha ministri Mariusz Blaszczak për gazetarët më 15 maj.

Në mars, Ministria e Mbrojtjes e Polonisë tha se HIMARS-ët, që janë sistem raketor me rreze të gjatë veprimi dhe mjaft preciz, do të stacionohen në njësi ushtarake në Olsztin, që gjendet rreth 80 kilometra nga kufiri rus, afër enklavës së Kaliningradit.

Blaszczak tha se HIMARS-ët do të “forcojnë ushtrinë polake në krahun lindor të Polonisë dhe krahun lindor të NATO-s”.

Polonia, shtet në kufi me Ukrainën, të cilën e ka mbështetur, kishte blerë 20 HIMARS nga SHBA-ja më 2019 dhe tani ka pranuar dërgesën e parë me këto sisteme raketore.

Por, Varshava tani është duke negociuar me Shtetet e Bashkuara që të blejë më shumë HIMARS.

“Kongresi amerikan ka miratuar shitjen e pothuajse 500 sistemeve për Poloninë. Këta raketahedhës do të blihen nga Polonia shumë shpejt”, tha Blaszczak.

“Ne duam të sigurohemi që në bazë të kontratës që po negocionojmë, të përfshijmë edhe bashkëprodhimin e HIMARS-ëve, si të raketahedhësve ashtu edhe të raketave të bëhen në Poloni. Ky është qëllimi që i kemi vënë vetes”, shtoi ai.

Në fund të janarit, Polonia ka njoftuar për rritje të shpenzimeve të mbrojtjes për 4 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, me kryeministrin polak që ka deklaruar se shteti ka nevojë të armatosë veten “më shpejt” në dritë të pushtimit rus të Ukrainës.

Zelensky viziton Gjermaninë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit në Berlin me homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka arritur në Berlin për bisedime kritike, pasi liderët gjermanë njoftuan për një paketë të ndihmës ushtarake në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, që synon ta ndihmojë Kievin për të luftuar kundër pushtimit të Rusisë.

“Kam arritur në Berlin”, ka shkruar në Twitter Zelensky në orët e para të 14 majit, pasi ditën paraprake qëndroi në Itali.

Zelensky është takuar me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe po ashtu është paraparë takim edhe me kancelarin Olaf Scholz. Ai po ashtu pritet të udhëtojë në qytetin Açen, për të pranuar çmimin prestigjioz Charlemagne.

Një ditë para se Zelensky të udhëtonte drejt Gjermanisë, Berlini njoftoi për paketën e re të ndihmës që përfshin tanke, sisteme kundërajrore dhe municione.

Në pakon e ndihmës përfshihen 20 makina të këmbësorisë, Marder, 30 tanke Leopard 1, 15 tanke kundërajrore Gepard, 200 dronë vëzhgues, katër sisteme kundërajrore Iris-T dhe municione, municione shtesë për artilerinë dhe mbi 200 makina luftarake dhe logjistike.

Gjermania është kritikuar nga shumë në Ukrainë, për shkak të ngurrimit që të dërgojë në Kiev armatime të rënda. Paketa e re do të jetë paketa më e madhe që Berlini i dërgon Kievit që kur nisi pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje për dërgim të shpejtë të paketës së ndihmës, pasi Kievi po përgatitet për një kundërofensivë të madhe.

Më 13 maj, ai mori pjesë në takimin në Suedi me homologët e tij nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe tha se Ukraina gjithmonë ka nevojë që armatimet t’i dërgohen shumë shpejt.

Nisin kërkimet për objektin fluturues që hyri në Poloni nga Bjellorusia

Një avion luftarak MiG-29 i forcave ajrore polake. Fotografi ilustruese.

 

RFE/RL

Ministria e Mbrojtjes së Polonisë tha më 13 maj se ka detektuar një objekt në hapësirën e saj ajrore që kishte fluturuar nga drejtimi i Bjellorusisë. Autoritetet polake thanë se me gjasa ky objekt është një balonë vëzhguese.

Ministria shkroi në Twitter se radari humbi kontakt me objektin humbi në afërsi të Ripinit, një qytet polak që gjendet 143 kilometra në veriperëndim të Varshavës.

Autoritetet kanë nisur kërkimet për objektin dhe në këto operacione janë përfshirë një helikopter, dron dhe trupa tokësore të Forcave të Mbrojtjes Territoriale, tha një zyrtar i forcave të armatosura.

Objekti fluturues ishte detektuar të premten në Bialovieza, që gjendet në afërsi të kufirit mes Polonisë dhe Bjellorusisë. Më pas është kryer një monitorim me radarë dhe të shtunën, rreth orës 12:30, objekti sërish është parë në hapësirën ajrore polake, thanë autoritetet.

Ky njoftim vjen pas dy inkursioneve të tjera që kanë ndodhur në hapësirën ajrore polake që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, shtet që gjendet në kufi me Poloninë.

Në nëntor të vitit të kaluar, dy banorë të Polonisë u vranë pasi një raketë ra në lindje të këtij shteti. Zyrtarët perëndimorë thanë se besojnë se një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase doli nga trajektorja, në kohën kur forcat ajrore ukrainase po tentonin që të zmbrapsnin një sulm të madh të kryer nga Rusia.

Zyrtarët politikë dhe ushtarakë të Polonisë po ashtu kanë ngritur pikëpyetje lidhur me një tjetër objekt që ra në territorin e këtij shteti dhjetorin e kaluar, por që u zbulua në prill të këtij viti nga një qytetar që po shëtiste në një pyll.

Ky incident ka ngritur pikëpyetje lidhur me aftësinë e sistemeve të mbrojtjes ajrore të Polonisë për t’u përballur me rreziqet e reja që nga krijuar nga lufta në Ukrainë.

Ndryshe, Rusia përdori territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022. Bjellorusia, aleate e Rusisë, ka thënë se nuk është pjesë e konfliktit në Ukrainë, pavarësisht se lejon forcat ruse të përdorin territorin e saj.

Berlini me ndihmë të re ushtarake për Kievin në vlerë prej afër 3 miliardë eurosh

Ushtarët ukrainas duke u trajnuar nga partnerët gjermanë për përdorimin e tankeve Leopard. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Gjermania po përgatit një paketë të re të ndihmës me armatime për Ukrainën, në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh. Kjo është paketa më e madhe e ndihmës që Berlini do t’i japë Kievit, që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar, tha më 13 maj Ministria gjermane e Mbrojtjes.

“Ne shpresojmë për një përfundim të shpejtë të kësaj lufte të tmerrshme të Rusisë ndaj popullit ukrainas, por fatkeqësisht fundi nuk duket në horizont”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius përmes një deklarate.

“Prandaj, Gjermania do të dërgojë ndihmën që mundet, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi ai.

Paketa e re e ndihmës do të përfshijë edhe 30 tanke shtesë Lepoard, makina të blinduara të llojit Marder, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë vëzhgues, tha ministria gjermane.

Revista Der Spiegel tha se kjo do të jetë paketa më e madhe e ndihmës që Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës që nga nisja e luftës në fundin e shkurtit të vitit të kaluar.

Njoftimi për ndihmën e re për Ukrainën vjen në ditën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po viziton Romën, ku pritet të zhvillojë bisedime me liderët politikë. Më pas ai do të qëndrojë në Berlin.

Zyrtarët gjermanë megjithatë nuk kanë konfirmuar vizitën, por policia gjermane ka nisur përgatitjet për këtë vizitë të presidentit ukrainas.

Aleatët perëndimorë i kanë dërguar armë të fuqishme Kievit që kur Rusia dërgoi trupat e saj në Ukrainë në shkurtin e vitit të kaluar, edhe pse aleatët nuk kanë dërguar avionë luftarakë, të cilat i ka kërkuar Zelensky.

Vitin e kaluar, Gjermania i dha Ukrainës ndihmë në vlerë prej 2 miliardë eurosh dhe gjatë këtij viti ka planifikuar 2.2 miliardë euro të tjera ndihmë, edhe pse detajet për këtë ndihmë ende nuk janë finalizuar.

Berlini po ashtu ka premtuar se do t’i dërgojë Kievit më shumë tanke Leopard-2 dhe ka nisur të trajnojë ushtarët ukrainas për përdorimin e tyre.


Send this to a friend