Gjatë këtyne katër vjetëve, edhe ata që nuk shkelën kurrë në shkollë, gjeografinë e mësuen përmendësh. I dijnë ndër gishta të gjithë qytetet e botës. Që nga çiraku i furrxhiut e deri ke ai ma i madhi s’ mbeti njeri pa u përtypë me politikë.
Ma në fund vendosa të mos ia ndëgjoi as emnin kësaj dreq politike që katandisi në mjerim nji botë të tanë. Bana mend t’a urrej këtë lojë të rrezikëshme që mori në qafë miljona njerëz. Sot në mëngjes më ranë në mend lajmet e para. E përmbajta veten. I hodha nji vështrim ironik radios dhe dola.
Në Gazetë, shokët, të qarkuem rreth stufës, kuvendojshin me za të naltë rreth luftimeve të ballnave të ndryshëm. Përshëndeta. Më pritën mirë, si shok të mirë. Brumbulli, që kryesonte muhabetin, kërkoi mendimin t’im:
-Eh Liu, ç’ opinion ke ti për këtë luftë të mallkueme që na e solli shpirtin në majë të hundës? Kur do të mbarojë vallë?
-Un nuk dij gja z. Brumbull. Nuk jam as dipllomat as politikan. Bile e urrej kaq tepër politikën sa që qysh sot vendosa të mos ia dëgjoj ma emnin.
Dhe u futa në dhomën tjetër të redaksisë.
Mora gazetën e djeshme. Në faqen e parë më ra në sy ky titull: «Pushtimi i Shqipnisë nga Italija nuk ishte veçse pik-nisje për t’u zgjanue në Ballkan.» Prap politikë! Kudo politikë. E flaka gazetën: në djall të shkojsh moj politikë!
Hapa postën e ditës. Të gjithë artikujt me ngjyrë politike. Aman o Zot! Kjo politika e shkretë qenka si zgjebe! Në nji letër të hapun nëpunsat e Botores ankohen sepse kur hyjnë e dalin janë të detyruem të firmojnë në regjistër. Edhe kjo ngjyrë politike ka. Më ra ndër mend anekdota e atij që zuni hajdutin por që s’e lëshonte hajduti se! Edhe mua s’po më lëshon zgjebja.
U ba kohë dreke. Vesha pallton dhe dola. Kisha disa metelikë në xhep. Metelikë të fituem me djersë. Kalova andej kah pazari i ri. Bleva sendet ma të nevojëshme. M’u mbush mendja të blej edhe mollë, mollë Korçe.
-Sa i shet mor byrazer?
-Tridhjetë lekë, zotëri.
-Ule një çiçkë grykën mor aman!
-Ç’ne o t’u mbylltë dera, s’e paske marë vesht ti se ne na dogji lufta, a?
Prap politikë, gjene luftë se luftë. Nuk due – i thashë dhe ika.
E mre bir, a po shtohen nej çikë rrogat, se për Zotin nuk rrohet ksi sojë! Thoni i herë Hyqymetit t’na baj der- man! – më tha plaka porsa më pa.
Më qafsh moj nanë, mos bisedo për politikë, – iu kërcënova me seriozitet, – asht sëmundje e keqe fort.
Qyqja, larg qoftë! Una s’e kom pas dijt. Me vërte smundje qeka-a? Po si e ka emnin e vërtetë?
Zgjebe, zgjebe e keqe.
Në mbramje m’u lut nji shok që të bajsha nji shënim në shkel e shko se ishte gradue nga sekretar i parë në shef seksioni, por përfitonte vetëm tri franga.
Nuk mundem, – i thashë, – mos të mbetet hatri i dashur Niko. Ti e di se pa dasht merrem me politikë po të shkruej nji gja të tillë.
i! – Ç’thua mor budalla? Pse, si kujton ti, se nuk asht politikë kjo që shkruan ti ditë për ditë?
Pash Zotin politikë? Aman mor, aman të lutem nxehtësisht, ndërmjetëso ku duhet që të më shkarkojnë nga kjo barrë!
Në e fitofsha davanë, mirë u pafshim lexues të dashun në kohë paqe!

Komentet