U mbushën gati 10 muaj që nga marrëveshja e “famshme” mes opozitës dhe mazhorancës për dekriminalizimin e politikës. Një nismë që buroi nga rebelimi opozitar ndaj aktit të dy deputetëve të PS-së që dhunuan fizikisht një deputet të PD-së, u shndërrua në kusht ndërkombëtar dhe nevojë jetike për politikën e shoqërinë.
Por çfarë ka ndodhur 10 muaj më pas? Asgjë…
Dëshira për ta gatuar këtë ligj sa më shpejt, që të mund të pengonte ca të inkriminuar të tjerë të rizgjidheshin apo zgjidheshin në krye të bashkive të reja, nuk u bë realitet, ndoshta më shumë për faktin se ata që duhej ta bënin nuk donin ta bënin. Dhe ky konstatim mund të përforcohet edhe më tej, pasi edhe sot pas 10 muajsh, për këtë çështje janë shkruar më shumë artikuj gazetash e janë mbajtur konferenca shtypi sesa është bërë ndonjë hap konkret. Palët më shumë filluan të listojnë tekat, si testi i drogës, gjurmët e gishtave e analiza të tjera, të cilat e bënë qesharake një projektligj që meriton tërë seriozitetin për misionin që ka. Opozita këmbënguli në disa kërkesa që cenonin personalisht Edi Ramën dhe mazhoranca propozoi ca të tjera që të përjashtonin personalisht Lulzim Bashën apo Arben Ristanin. Pra, nga një ligj me rëndësi historike për politikën shqiptare, u shndërrua në një rregullore Kuvendi për të ndëshkuar persona të caktuar.
Është alarmante të mendosh se politika e pranon që është e inkriminuar dhe se tani ka nevojë të dekriminalizohet. Por secila palë, ndërsa ulet të shkruajë ndonjë paragraf të draftit, mendon palën tjetër, pra ku të shpikë ndonjë gjë që t’i bëjë gropën asaj, dhe jo fenomenit.
Nuk kam më pikën e dyshimit që jemi përpara një ‘show’. Formalisht, një ligj për dekriminalizimin do të miratohet, pasi tashmë ai ka hyrë në axhendën e kushteve të Brukselit, por realisht ai nuk do të prodhojë ndonjë ndryshim në politikën shqiptare. Jo se nuk do të zbatohet, por sepse ky është këmbë e kokë një absurd. Pasi, inkriminimi i politikës nuk është një veprim që ndodh në kushtet e inkoshiencës, nuk ndodh si pasojë e rrethanave të momentit, as në kushte që diktohen nga të tjera zhvillime social-ekonomike dhe as një produkt që prodhohet nga krizat që kalon shoqëria në momente të caktuara. Pra, inkriminimi i saj nuk është njësoj me inkriminimin e personit, për të cilin Kodi Penal ka parashikuar edhe rrethana lehtësuese, në varësi të kushteve në të cilat ndodh.
Inkriminimi i politikës është një proces tërësisht i vullnetshëm, me autor si individin, ashtu edhe grupimin politik, që është partia.
Le të jemi më konkretë:
Njerëzit e inkriminuar i fut në listën e deputetëve kryetari i partisë. Ata nuk janë aksidentalisht aty dhe as sepse i ranë murit me kokë dhe hynë në politikë, administratë e parlament. Të tillë njerëz është vetë partia që i tërheq, sepse ata kanë para, janë të fortë, zotërojnë “infrastrukturë” që siguron financime dhe vota. Dhe partitë kanë nevojë si për paratë ashtu dhe për njerëzit(të fortët) që shndërrohen në roje të qendrave të votimit apo në sherrxhinj për të prishur votimin, sipas nevojës.
Njerëzit e inkriminuar nuk janë vetëm ata që kanë qenë njëherë të dënuar. Madje ata janë më të paktët dhe më pak të rrezikshmit. Më të rrezikshmit prej tyre s’e kanë provuar burgun, pasi kanë ditur t’i përdorin të gjitha marifetet për t’i shpëtuar drejtësisë.
Inkriminimi më i madh politikës i vjen nga paratë e pista. Mund të ketë në parlament burra e gra që s’kanë vrarë një mizë në jetën e tyre, por ama kanë ngritur sipërmarrjet mbi kontrabandën e korrupsionin, dhe as janë akuzuar e as janë dënuar ndonjëherë.
Ligji mund të lërë jashtë ata me dëshmi penaliteti të pistë, por ata do t’i financojnë paratë për të çuar në parlament njerëzit e tyre, të cilët do të komandohen prej tyre e do të punojnë për llogari të tyre. Në fund të fundit, një politikë është e pistë jo vetëm kur ka në përbërjen e saj njerëz të inkriminuar, por kur ka njerëz që punojnë, mbështesin e lobojnë për krimin apo punët e oligarkëve. Në këto kushte, më shumë se ligji, është vullneti i kryetarëve të partive për të mos futur njerëz të inkriminuar në nivelet e larta të politikës. E për pasojë janë po këta që më pas tërheqin sojin e tyre në nivelet e tjera të administratës.
Megjithatë, dekriminalizimi nuk duket mision i pamundur. Mendoj se ka të paktën dy rrugë që mund ta ndryshonin këtë realitet:
1. Kontrolli i parave që ushqejnë makinerinë e politikës. Nuk ka rëndësi, i inkriminuar ose jo, kandidati duhet të tregojë burimin e parave të fushatës. Partitë gjithashtu duhet të tregojnë burimin e parave të tyre, pra ajo që quhet transparenca financiare. Nëse bllokojmë paratë e pista në politikë, kemi vendosur një filtër të fortë për depërtimin e biznesit të zi, që paratë e trafikut, kontrabandës apo evazionit i hedh edhe për të blerë vota.
2. Ndryshimi i ligjit zgjedhor. Lërini njerëzit të zgjedhin deputetët me votë të lirë dhe ata i njohin kriminelët dhe trafikantët më mirë se kushdo tjetër. Aktualisht ne votojmë partitë, ndërsa kryetarët emërojnë deputetët. Ata i caktojnë kush do të jetë i pari, i dyti e i 15-ti në listë. Ndaj dhe lista është bërë si bursë, ndaj dhe në parlament vijnë gjithnjë e më shumë biznesmenë(të ndershëm dhe kontrabandistë), ndaj në parlament ka gjithnjë e më pak njerëz që dinë të shkruajnë e lexojnë një fjalim. Ndaj dhe në politikë nuk ka më konkurrencë, garë, me ide dhe projekte, por ka garë me para.
Por këtë lloj dekriminalizimi duket asnjë palë nuk e preferon, sepse të dyja palët nuk do t’i kenë partitë nën kontroll. Ndaj dhe ai ligj që po gatuhet është një hiç, edhe në u bëftë shumë mirë. Sepse nuk duhet të bëhet një ligj për Tomën, Frrokun, Ndokën, Ristanin, Bashën apo Edi Ramën. Duhet bërë një ligj për sistemin.
Komentet