bosi i droges

Pas më shumë se dy vitesh arrati është arrestuar një nga bosët më të kërkuar të drogës në Evropë, thotë policia zvicerane.  

Bëhet fjalë për një belg, Flor Bressers, 35 vjeç, i njohur me nofkën “prerësi i gishtave”. Ai ishte në kërkim  që nga viti 2020 kur u dënua me katër vjet burg për rrëmbim, prerje me brisk dhe rrahjen e një shitësi lulesh holandez i cili nuk arriti të kontrabandonte drogën në doganat e Britanisë.

Ai ishte proceduar më parë në vitin 2010 në Limburg për prerjen e gishtit të një krimineli holandez me gërshërë krasitjeje. Ai u shpall i pafajshëm për mungesë provash, por ngjarja e supozuar i dha pseudonimin, “prerësi i gishtave”.

Ndërkohë ai njihej edhe me nofkën “universitari” pasi mendohet se ka një diplomë në kriminologji.

Bressers ka qenë i lidhur nëpërmjet shumë rasteve me një bandë narkotike që vepronte në Antwerp të Belgjikës që besohet se kishte kontrabanduar disa ton kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë .

Ai ishte në listën e më të kërkuarve si në Belgjikë ashtu edhe në Europol për rrëmbim, kufizim të paligjshëm dhe pengmarrje e pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Mendohej se Bressers ishte fshehur në Afrikën e Jugut, por ai u arrestua në Zurich ku u gjet me partneren dhe fëmijën e tij. Autoritetet belge kanë kërkuar ekstradimin e tij.

Patrick Céréda, shefi për mediat në Policinë Kantonale të Zyrihut, u tha gazetarëve se “sipas procedurave këtu në Zyrih, ai akuzohet për falsifikim të kartave të identitetit në një shkallë të gjerë”.

“Bazuar në informacionet nga jashtë dhe përmbajtja e urdhrit ndërkombëtar, ne duhet të supozojmë se personi duhet të klasifikohet si shumë i rrezikshëm”, shtoi ai./euronews.com