Një polic qëndron pranë objektit ku u gjetën thasë me rërë në Zveçan. 30 janar 2024.
Policia e Kosovës tha se në një objekt publik në Zveçan ka gjetur disa materiale “të cilat janë shfrytëzuar nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni në Zveçan u realizua në bashkëpunim me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
“Sot, gjatë kontrolleve që ka bërë Policia, ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushura me rërë, që kanë qenë si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimin e rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan”, tha ai.
Elshani tha se autoritetet kanë marrë informacione se potencialisht ka “diçka të paligjshme” në objektin që gjendet në hyrjen e Zveçanit nga drejtimi i Mitrovicës së Veriut.
Sipas Elshanit, objekti ku u gjetën thasët me rërë është shfrytëzuar nga pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës dhe autoritetet kanë thënë se ato veprojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
“Kjo është një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosura rëndë dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës, në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”, tha Elshani.
Zveçani është një ndër katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Në të kaluarën, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugë, duke përdorur mjete të ndryshme të rënda, sikurse kamionët, për të bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendime të ndryshme të Qeverisë së Kosovës.
Barrikadat e fundit që u ngritën në veriun e Kosovës – përfshirë në Zveçan – në dhjetor të vitit 2022, pas arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, nën dyshimet se kishte sulmuar zyre të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Barrikadat u hoqën vetëm pasi ish-policit Dejan Pantiq, iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.