Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë të premten se është në kërkim të vazhdueshëm të Faton Hajrizit, të dyshuarit për vrasjen e një zyrtari policor dhe plagosjen e një tjetri, më 18 korrik, në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Ministria e ka publikuar fotografinë e Hajrizit dhe u ka bërë thirrje edhe qytetarëve për bashkëpunim.
Autoritetet janë duke kryer kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi besohet se sulmuesi mund të jetë nisur në atë drejtim, ka raportuar Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.
Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët janë të përfshirë në kërkim.
Sulmi ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.
Sulmuesi është raportuar të ketë sulmuar me armë zjarri zyrtarët policorë, dhe më pas ka ikur.
Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.
“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit (1991) dhe një letërnjoftim i tij gjerman.
Daçiq ka thënë se po verifikohet nëse personi të cilit i janë gjetur dokumentet është vëllai i Artan Hajrizit, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, ditë më parë.
Artan Hajrizi ka thënë të enjten për mediat në Kosovë se ndodhet në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, ia ka vjedhur pasaportën.
Ndihmësdrejtori i policisë serbe, Dragan Vasileviq, ka thënë për RTS-në se policia gjermane është kontaktuar përmes Interpolit dhe se identiteti i të dyshuarit ende nuk është “konfirmuar saktë”.
Ai ka thënë se autoritetet e sigurisë në Serbi po bashkëpunojnë “shumë mirë me ato të Republikës Sërpska në Bosnje -Hercegovinë, me ato të Kroacisë dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?
Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.
Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.
“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.
Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.
Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.
Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.
“Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë”, tha Artani në këtë incizim.
Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.
Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se “Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit”.
Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.
Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.
Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.
Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.
Sipas Daçiqit një person është arrestuar lidhur me këtë rast në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës.
Ai ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të mos politizohet ky rast. Radio Evropa e Lirë