Oficerë te policisë gjyqësore kanë shkuar në selinë e Partisë Demokratike duke zbatuar urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për sekuestrimin e videos që publikoi mbrëmjen e djeshme deputeti demokrat, Ervin Salianji.
Gjithashtu, mësohet se efektivë OPGJ kanë shkuar edhe në ambientet e televizionit ku u publikuan pamjet.
Më herët gjatë kësaj të mërkure, kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, tha se Salianji u largua me shpejtësi pas emisionit “Opinion” ku u publikua video, duke hedhur akuza se iu shmang prokurorisë, që kërkonte sekuestrimin e pamjeve.
Pas kësaj, u përgjigj vetë Salianji i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkroi: “Taulant, unë jo vetëm që nuk iki me vrap, por vij aty ku jeni. Më thuaj si kryeprokuror që je kur me solli shkresë prokuroria? Si kryeprokuror qe je me thuaj ku te vij se vij ta jap edhe ty provën që e pa i madh e i vogël”!
Në video-përgjimin e publikuar mbrëmjen e djeshme, shihet Fredi Alizoti i cili gjatë një bashkëbisedimi me një tjetër person, thotë se kreu i Policisë Ardi Veliu i ka bërë presion, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i ka propozuar “të kalonte me ata”.
PANORAMA
Komentet