Policia e Kosovës ka reaguar sërish për tensionet në veri të vendit. Në një njoftim zyrtar, autoritetet njoftojnë se situata është qetësuar, ndërsa vijojnë hetimet për 5 policët e dëmtuar, pas revoltave dhe përplasjeve me qytetarët.
Gjithashtu bëhet me dije se kryetarët e komunave veriore, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok janë vendosur në zyrë.
Reagimi:
“Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese.
Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente. Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore”, thuhet në komunikatë.
Në fund thonë se hetimet dhe veprimet e mëtejshme hetimore do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë. Kanë konfirmuar se situata është qetësuar dhe se Policia do të vazhdojë angazhimin për të ofruar siguri për qytetarët.
“Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.
Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend”, përfundon njoftimi.bw