Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
Në një njoftim për media, Policia ka thënë se disa pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur si rezultat i dhunës në veri të vendit, një makinë zyrtare e policisë është djegur, ndërsa ka dëmtime po ashtu edhe në automjete të tjera.
Protestat vazhdojnë ende dhe situata është e tensionuar, veçanërisht në Zveçan, ku, sipas Policisë së Kosovës “grupe kriminale të armatosura janë në lëvizje, të veshura me rroba të zeza e të maskuar”.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e koordinuar me KFOR-in për ta menaxhuar situatën. KFOR-i është detyruar të veprojë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë rrezikuar nga dëmtimi automjetet dhe prona publike”, thuhet në komunikatën për media të Policës së Kosovës.
Në Zveçan, sipas Policisë së Kosovës, protestuesit kanë vazhduar të jenë jo-paqësorë dhe “kanë provokuar situatën, kanë përdorur dhunë dhe kanë qëlluar në drejtim të zyrtarëve të policisë”.
Protestuesit në Zveçan, sipas policisë, nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtarë për largim, por kanë rezistuar dhe kanë hedhur mjete të ndryshme si “koktej molotovi, shok-bombë, mjete eksplozive, si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri”.
Policia e Kosovës ka sqaruar se po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave në veri të vendit.
“Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Policës së Kosovës.
Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.
Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.
Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.
Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.