Policia e Kosovës ka njoftuar për të shtëna me armë në veri të vendit në mbrëmjen e 23 shkurtit, në afërsi të pikë kontrollit në Zveçan, ku ata ishin duke qëndruar.
Sipas policisë, zyrtarët policorë kanë shkuar në vendin e ngjarjes “ku kanë gjetur nëntë gëzhoja të armës së gjatë por nuk kanë hasur ndonjë person të dyshuar”.
Përmes një njoftimi për media, policia e cilësoi këtë incident si “sulm kundër rendit kushtetues”.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kanë qenë cak i sulmeve të ndryshme që nga fillimi i këtij viti.
Më 27 janar u njoftua se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri drejt një veture patrulluese policore në lokacionin e njohur si Banjskë, në Komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.
Një incident tjetër ndodhi më 23 janar, në Bistricë të Leposaviqit, kur dy serbë refuzuan që të ndaleshin në një pikë kontrolli dhe Policia shtiu me armë zjarri drejt veturës, duke plagosur një serb.