Policia e Kosovës ka arrestuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai është arrestuar me forcë në hyrje të Kuvendit të Kosovës, gjersa po shkonte në seancën plenare të Kuvendit. Deputetët e Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar arrestimin e tij, duke u shtyrë më policinë, e cila ka përdorur sprej djegës për t’i larguar ata.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar të mërkurën një urdhërarrest për tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë.
“Policia e Kosovës ka pranuar urdhërarrestet dhe konform autorizime që kemi do të ndërmarrim masa”, thanë zyrtarë të Zyrës për komunikim të Policisë së Kosovës.
Tre deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi akuzohen, për siç thuhet, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm, përkatësisht hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Komentet