Poezitë unikale siç është poezia “Shtatë net në Dubovik” e Jusuf Gërvallës (1943-1982) janë të ngjashme me veprat e mëdha arkitektonike apo skupturale, të cilat mund të shijohen estetikisht dhe të vlerësohen vetëm pasi të jenë vështruar nga të gjitha pikëvështrimet e mundëshme. Qasja nga një këndvështrim statik, cilido qoftë ai, na mundëson ta shohim vetëm njërën anë apo njërin aspekt, ndërsa pikëvështrimi plural na mundëson ta njohim, ta shijojmë dhe ta vlerësojmë më drejtë apo në mënyrë më të plotë poezinë. Shpeshherë eseistët, interpretuesit dhe analistët e letërsisë në Amerikën e Veriut kujdesen, që në paragrafin hyrës (introductory paragraph) të shkrimeve të tyre t’i fusin pesë “W” e anglishtes, që nënkuptojnë pesë pyetje, të cilat fillojnë me shkronjën “W” (Who? What? Where? When? Why?), të cilat në shqipe janë: Kush? Çka? Ku? Kur? dhe Pse? Futja e tyre në njëfarë forme e paraqet projektin e shkrimit, i cili do të përbëhet nga përgjigjet në të gjitha pyetjet e parashtruara para poezisë së Jusuf Gërvallës “Shtatë net në Dubovik”.
Kush është folësi në poezinë “Shtatë net në Dobovik?
Folësit në poezi mund të jenë të ndryshëm, prandaj jo gjithmonë e ndiejmë zërin e shkrimtarit drejtpërdrejtë, prandaj ka plot raste kur shkrimtari fshihet pas një “personazhi”. Shembull mund ta marrim poezinë e Andon Zako Çajupit “Sulltani”. Sulltani është folësi në vetën e parë në atë poezi, por në të vërtetë është Çajupi ai që fshihet pas Sulltanit kur flet: “Jam sulltan, mbret i vërtetë, / shok të tjerë s’kam në jetë;/ gjakëtor e zemërderr, / nga frika më bëjnë nder!”. Përkundër shumë tipave të folësve në poezi, tipi i folësit në vetën e parë, që nënkupton drejtëpërdrejtë autorin apo alter-egon e tij, është më i shpeshti. Në poezinë “Shtatë net në Dubovik” folës është vet autori, pra Jusuf Gërvalla dhe alter-egoja e tij, por është ai Jusufi me atë pjesë të dramës personale dhe të familjes së tij, që më së paku e njohim.
Tipi i folësit në poezi ndikon drejtëpërdrejtë në ngjyrën apo tonin e zërit të folësit dhe të poezisë. Toni shpreh disponimin e caktuar të folësit ndaj personave të apostrofuar në cilëndo formë brenda poezisë apo “lëndës së saj” të inkorporuar në përgjigjen e pyetjes së dytë. Deri sa p.sh. në poezinë e Çajupit “Sulltani” toni i folësit-protagonist është plot arrogancë dhe si tip i tonit e tregon figurën gjakatare të një diktatori mesjetar lindor, në poezinë “Shtatë net në Dubovik” është një ton diametralisht i kundërt me atë të sulltanit, është toni i folësit intelektual dhe vërtetë elokuent, i cili na tregon se është i përmalluar e plot dhimbje me rastin e kthimit në vendlindje për të cilën ndien dashuri të pakufishme dhe nga e cila nuk është larguar me dëshirë. Ashtu siç thonë studiuesit e poezisë se toni nuk është një qëndrim apo pozicion, por është ai, i cili na bën të qartë një qëndrim apo pozicion. Duke qenë i tillë ai na ndihmon, që ta parashtrojmë pyetjen e dytë.
Çka thuhet e çka sugjerohet në poezinë “Shtatë net në Dubovik”?
Lexuesi, sado të formuar ta ketë horizontin e pritjes apo sado të zhvilluar ta ketë kulturën e të leuarit, poezinë e mirë nuk mund ta kuptojë plotësisht me leximin e parë e as me të dytin. Ka poezi, të cilat edhe në leximin e njëqind mund të na thonë diçka të re, që nuk na e kanë thënë në 99 leximet e mëparshme. Poezia e Jusuf Gërvallës “Shtatë net në Dubovik” së paku, sipas mendimit tim, pas shumë leximesh na thotë diçka të re. Me rëndësi është, që gjatë leximit të parë të mos jemi nën trysninë e idesë se duhet të kuptojmë gjithçka. Mjafton të jemi mendjehapur. Në leximin e dytë është me rëndësi ta kemi të qartë kuptimin fillestar apo denotativ të fjalëve e sidomos të fjalëve dhe shprehjeve karakteristike dhe pas tyre të piketojmë fjalët çelësa, të cilat na ndihmojnë të depërtojmë në ngrehinën kuptimore dhe emocionale të poezisë, pastaj duhet të vazhdojmë me fjalët e përdorura me kuptim konotativ apo figurativ, me imazhet, me figurat e fjalës apo tropet, me zgjedhjen e fjalëve dhe kontekstualizimin e tyre të shkëlqyeshëm.
Poezia “Shtatë net në Dubovik” ka një strukturë të përbërë nga shtatë pjesë, të cilat në fillim kanë numra ndërsa në fund shënohet dita se kur është shkruar. Në aspektin formal është poezi e hapur, që nënkupton vargjet e lira monokolone dhe të parimuara. Ajo, që bie në sy, në fillim, është se ditët e javës nuk e kanë renditjen e rregullt nga e hëna deri në të dielën, por fillojnë me të premten dhe përfundojnë me të enjten. Lexuesit ia tërheq vëmendjen, që në fillim numri shtatë, i cili nuk është një rastësi e aq më tepër për një autor me formim intelektual të gjithanshëm siç ishte Jusuf Gërvalla, i cili e ka ditur mirë se simbolika e numrit shtatë ka rrënjë të thella në traditën kulturore të popullit shqiptar, por edhe të popujve tjerë. Për cilin shqiptar nuk janë të njohur togfjalëshat “shtatë ditë”, shtatë net” apo të dyja së bashku “shtatë ditë e shtatë net”, “pas shtatë kodrash apo malesh”, pas shtatë vjetëve”, “shtatë palë tokë e shtatë palë qiell”, “shtatë vëllezër”, shtatë ngjyrat e ylberit, shtatë mrekullitë e botës, shtatë planetet, shtatë ditët e krijimit të botës, shtatë mëkatet etj. Ky numër, përbëhet nga numri tre, që simbolizon ekuilibrin dhe trininë e shenjtë dhe numri katër symbol i botës materiale, tokësore dhe tregon një vend midis dy botëve: botës së jetës dhe botës së vdekjes. Numri shtatë gjithashtu nënkupton hyjninë greke Athena dhe hyjninë romake Minerva, të dyja perëndesha të luftës dhe mbrojtëse të qyteteve të veta. Njerëzit e lidhur me numrin shtatë besohet të jenë të mençur e intelektualë dhe ne kemi arsye të shumëfisht ta besojmë këtë sepse a nuk ishte e tillë figura poliedrike e autorit të kësaj poezie? Poeti Jusuf Gërvalla nuk e ka ndjekë rendin e rregullt të ditëve gjegjsisht netëve në këtë poezi, por e ka krijuar renditjen personale të shtatë ditë-netëve të qëndrimit në Dubovik.
Poezia hapet me kumtin se folësi është duke dëgjuar “do këmbanë” edhe pse nuk e ka “asnjë pirg përbri”, por “vetëm bar e hithër anë lugjesh livadhe” dhe se “një qyqe vjeshte tash më kot gjëmon”. “I dëgjoj do këmbanë” pa pasur askund pirg përbri ka kuptim figurativ dhe është një metonimi sepse fjala “këmbanë” është përdorë në vend të zërave të fortë nga se këmbanat pa qenë të vendosura në pirgje nuk mund të tingëllojnë dhe kjo vërtetohet në vargun e katërt, i cili poashtu si i pari fillon me foljen “dëgjoj” dhe në të cilin folësi, nga pikëvështrimi i largësisë, afrohet dhe për këtë proces i mjafton vetëm një varg siç është vargu “do zëra frymësh që nuk janë më”. Përsëri kemi një metonimi sepse fjala “frymësh”, e cila në kuptimin fillestar (denotativ) shpreh veprim, ndërsa këtu po përdoret në vend të fjalës “njerëzit”, të tillë janë ata, që e kryejnë veprimin e frymëmarrjes. Kjo metonimi e dytë, nga largësia e madhe e këmbanave pa pirgje, po e afron pikëvështrimin e folësit lirik te personat konkretë: fillimisht te “një hije e një kërrutë që përvidhet / tatëpjetë shtegut për në log”. Përmes metaforizimit “një hije” dhe metonimisë “një kërrutë” (rasti i metonimisë kur prona tregon pronarin) folësi rrëfen për të atin, kur shkonte, duke u mbështetur në kërrutën e tij, në log. Tek në fundin e vargut të gjashtë folësi e apostrofon vëllain e tij në thirrore “o vëlla”. Ky apostrofim na dëshmon se folësi në gjashtë vargjet e para i adresohet vëllait si vetë e dytë. Ky folës në vetën e parë e nënkupton autorin e poezisë Jusuf Gërvallën. Në pesë vargjet e fundit të pjesës së parë, e shkruar të premten, folësi ngulmon t’i tregojë vëllait, që hesht se zjarri, të cilin e kallë heshtja ( a mund të kallë heshtja zjarr në realitet, kuptohet që jo, prandaj përsëri kemi metonimi sepse merret heshtja në vend të krijuesit të saj, vëllait të folësit në këtë rast) e tij djeg valë dhe një gjë e tillë i duket “si natë me yje e ditë me tëmbël të bardhë” (togfjalëshi “ditë tëmbël e bardhë” është një metaforë e freskët dhe e krijuar nga vet autori) për të përfunduar me “shërbimin”, që i bën “argatit që në shtëpi vjen si i huaj”. Pjesa e dytë e poezisë “Shtatë net në Dubovik” është vazhdim ligjërimor i pjesës së parë. Folësin e kësaj poezie nuk e njeh asgjë në trollin e të parëve. Fija e barit e ndien të huaj, prandaj prekja e tij e lëndon dhe kjo plagë e fijës së barit ia ndjellë parafytyrimin se hapi i tij bëhet i egër për livadhin e butë e ajo që nuk thuhet në këtë rast, por nënkuptohet është se hapi i të panjohurit në livadhin e butë është i egër. Meqenëse e tashmja e trollit nuk e njeh, folësi ik shtigjeve të fëmijërisë dhe kur në ballin e tij bën dimër (përsëri metonimi: dimri si shkaktar merret për të ftohtin si pasojë) mani plak (antropomorfizim apo personifikim) e këshillon, që ta thotë me fjalë jetën e vet sepse vetëm atëherë bimësia e trollit do ta njeh dhe nuk do të kalurojë si hije në mesin e saj.
Në pjesën e tretë të poezisë “Shtatë net në Dubovik” folësi lirik e përfillë këshillën e manit plak dhe fillon ta thotë me fjalë jetën e tij si kod i rinjohjes, prandaj në pesë vargjet e para folësi pohon: “tash jemi bashkë të buzëqeshur e të dëlirë/si dita e re si biseda jonë për pemët/ si të isha larg jush e mendoni se jam me ju/ aq i lumtur e i hutuar pas fluturave në lule/ a s’qenka ky një mashtrim i çiltër si purpur” Kjo skenë e takimit të tyre është sureale. Takimi ndodhë në kujtimet e gjalla të folësit lirik apo autorit Jusuf Gërvalla. Brenda kujtimeve ai flet me nënën e xhahain të sugjeruar si realitet, duke iu treguar se kur të ndizet drita buzëmbrëmjes në odë do të flasë me ta përmallimi i tij për babain “ia mbaj mend sytë fytyrën – o e di/ në zhubrat e mendimit tim e krijoj të gjallë/ ja këtu mes nesh”.
Pasi t’ia ketë kthyer shpinën brrakës, folësi lirik e pyet dashurinë e personifikuar, e cila është shumështresore: “ku të ndalem dashuri – në dru e bar në bukë/ – apo në fjalët, që trëndafila bulojnë/ trupi im për to le të bëhet arkivol tash/ se – në lëngun buzëtëmbëlor të pemës në brymë/ nadjeve të zgjimit tim – ende po ëndërroj/ të hapet qielli: i mbyll sytë përfytyroj/ kam një dëshirë dy… e do të shkoj po do të shkoj/ atje ku myshqet e verdha tash mbi gurë qëndisin/ kohën, që me gisht me ballë s’mund ta fshij/ unë nuk jam çmendur kurrë për dashurinë jo / dhe emrin vonë ia mësova –“. Në vargjet e lartëcituara folësi i drejtohet dashurisë si noion të personifikuar se ku duhet të ndaet me dashurinë e tij në dru e bar, në bukë, apo në fjalët që trëndafila bulojnë e për të cilat është i gatshëm të bëhet arkivol. Duke ia bërë këto pyetje dashurisë si nocion poeti e zgjeron semantikisht atë. Mëdyshja e ndaljes para drurit, barit apo bukës shpreh besimin e tij në këto simbole ekzistenciale, të cilat për folësin-autor të kësaj poezie dhe familjen e tij ka qenë e mundëshme të mungojnë sepse mund t’i gëlltiste “brraka me bar të keq e me gjarpinj”. Në një situate të tillë të rrezikimit të ekzistenës fizike folësi e pyet në mënyrë retorike dashurinë si nocion të antropomorfizuar se a mund të ndalet “në fjalët që trëndafila bulojnë” e për të cilat është në gjendje të fijohet apo të bëhet arkivol siç shprehet metaforikisht. Këto vargje dëshmojnë kodin krijues të artistit të jashtëzakonshëm edhe në poezi. Autori i poezisë tregon qëndrimin e tij ndaj fjalës, zgjedhjes kreative të saj dhe kontekstit në të cilin e vendos atë. Jusuf Gërvalla është poet i cili ia jep fjalës dimensionin e theksuar estetik. Në këtë kontekst mund të themi se veprimi i poetit tonë na e kujton një bisedë në mes të dy artistëve të mëdhenj botërorë: Edgar Degas, një piktor i njohur, i cili bënte përpjekje ngulmuese të shkruante edhe poezi dhe poetit të famshëm Stefan Mallarme. Kur piktori Degas iu ankua poetit Mallarme se nuk po i shkonte mbarë puna e shkrimit të poezisë edhe pse kishte shumë ide, Stefan Mallarme iu përgjegj se poezia nuk krijohet prej ideve, por prej fjalëve. Shumica e poetëve kanë vështirësi në zgjedhjen e fjalëve dhe në vendosjen e tyre në kontekstin më funksional dhe krejtësisht të ri. Jusuf Gërvala në këtë poezi, por edhe në tërë opusin e tij poetik, këtë mision e ka kryer mrekullisht, prandaj mund të themi se duke u ndalë para fjalëve nga të cilat bulojnë lulet, ai na ka krijuar poezi, të cilat metaforikisht mund t’i quajmë kopshte të jashtëzakonshme trëndafilash.
Fëmijëria e Jusuf Gërvallës ishte fëmijëri e pafëmijëri dhe këtë na e thotë vet folësi-autor, kur shkruan “koha u tall me rritën time”. Në këtë pohim nocioni “kohë” antropomorfizohet sepse të tallurit mund të jetë veprim vetëm i njeriut e jo i nocionit abstrakt. Megjithatë, në këtë rast, autori e ka shfrytëzuar një idiomë shqiptare për kohën, e cila nënkupton periudhën e sundimit jugosllavo-serb të Aleksandër Rankoviqit, kriminelit dhe antishqiptarit, që zbatoi Marrëveshjen jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe trojet tjera etnike në ish Jugosllavi. Kjo shpërngulje bëhej me dhunë të shumëfisht. Cili prej bashkëmoshatarëve të Jusuf Gërvallës e që nuk ishte fëmijë i ndonjë kolaboracionisti të UDB-së famëkeqe, nuk e ka përjetuar në fëmijërinë e tij zbatimin e Akionit famëkeq për mbledhjen e armëve nga shqiptarët, kur burrat shqiptarë torturoheshin tmerrsisht, disa prej të cilëve vdisnin, të tjerët mbeteshin të gjymtuar për krejt jetën? A nuk u tall koha me rritën (fëmijërinë, rininë) e Jusufit dhe bashkëmoshatarëve të tij, kur baballarët ktheheshin në shtëpi të shpërfytyruar nga torturat më çnjerëzore? Kështu ka ndodhur edhe me Bardhosh Dinën (Gërvalla) babain e Jusufit. Shprehja idiomatike “koha u tall me rritën time” e përmbanë brenda vetes tërë dramën jetësore të Jusuf Gërvallës, “balli i të cilit i digjte krahët e lejlekëve”, kur lëshoheshin në fluturim për ta lajmëruar pranverën metaforike, që po pengohej të vinte.
Në pjesën e pestë të kësaj poezie krijohet mrekullisht portreti i bukurisë së vajzës së fshatit, brenda një kornize simbolike të kujtimit. Cili poet nuk do t’i nënshkruante vargjet; “Ajo tash s’është më po unë e shoh tek ecën livadhit/ me bucellë mbi kokë me fustan flu’tre veshur, seç e tundit belin gjarpëron me të ecur livadhit”?
Në dy pjesët e fundit të poezisë “Shtatë net në Dubovik” folësi-poet iu drejtohet bashkëfshatarëve, të cilëve ua kujton se bota vërtetë ka shkëlqim, por guna juaj ka shumë më shumë klorofil e klorofili është esenca e jetës. Kësaj gune me klorofil blerimi, po të shpreheshim figurativisht, folësi i këtij teksti poetik, i adresohet me një këshillë vizionare: “merrni nga fjala ime veç atë që s’është ndarje”. Të thërrasësh bashkëfshatarët të marrin vetëm atë që nuk është ndarje, do të thotë kohezion shoqëror e kombëtar në rrethana, kur ai duhet më së shumti, është profetizim. Ky profetizim i tij nënkupton edhe kohezionin e njerëzimit në përmasa panetare në bazë të parimeve të bazuara në klorofil e jo në shkëlqimin e përkohshëm për të mos thënë tërësisht të rremë. Retorika metaforike e folësit-poet vazhdon me pohimin se pa marrë parasysh se ku do ta hedhin erërat anijen e jetës dhe të “poetit të çmendur”, apo poetit kejtësisht tjetërfare në krahasim me poetët e oborreve, fjalët e para të tij do të jenë urtësia, qartësia dhe premtimi se pa marrë parasysh në çfarë ngushtice do të gjindet ai do të jetë me ta e në festë, do të këndojë për ta. Fakti se Jusufi ishte ndër këngëtarët më të njohur të muzikës së lehtë në trojet shqiptare në ish Jugosllavi, në këtë kontekst poetik, “kënga” këtu nuk nënkupton vetëm të kënduarit, por edhe poezinë.
Në pjesën e shtatë të poezisë folësi nëpër shi, kur e ndien zërin e ditës së antropomorfizuar, që po ngryset ngadalë ua lë lamtumirën “mahiçarëve” të tij “të çiltër” duke u treguar se do të jetë “i strukur brenda rrokaqiejve dhe dritave vezulluese”, i mbytur nga muzika e Shopenit dhe e njëfarë Rafetit (Rudit). Poezia “Shtatë net në Dubovik” mbyllet me katër vargje, të cilat lirisht mund t’i konsiderojmë testament i Jusuf Gërvallës dhe ky testament edhe pse i shpallur shumë vjet para se të vritej me atentat nga agjenturat e UDB-ës jugosllave, mbetet një profetizim, që e dëshmon karakterin humanist të poezisë dhe kulturës sonë: “vëlla e shok-e tok me mendime përsëri së bashku/ kush na mban? Kënga e pikëllimi? Ngazëllimi ynë/ nga pritjet e gjata i prirë? Jemi mësuar të falim/ duke thënë pëherë: ta duam njeriun, njeriun”.
Ku ndodhë të folurit e poezisë “Shtatë net në Dubovik”?
Lexuesi, posa ta ketë lexuar titullin e kësaj poezie, kupton se hapsira vendore në të cilën flet folësi i saj është fshati “Dubovik” në Rrafshin e Dukagjinit, i cili është vendlindja e poetit Jusuf Gërvalla. Prandaj për krejt çka flitet në këtë poezi; natyra, bimët, shtëpia, logu, livadhet, njerëzit e edhe vet folësi lirik është e lidhur me këtë hapsirë vendore, të cilën kushtimisht mund ta quajmë edhe kronotop ndonëse është term, që kryesisht i përket prozës e sidomos romanit. Në këtë poezi nënkuptohet drama familjare e Bardhosh Dinës (Gërvalla), të cilit si shumë bashkëfshatarëve, në vitin 1932 e ashtuquajtura reformë agrare, e cila nënkuptonte kolonizimin e Kosovës me ardhacakë serbomalazezë dhe vendosja e tyre në tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve, të cilët detyroheshin të punonin si argatë në tokën dhe shtëpinë e vet. Vargu i fundit pjesës së parë të kësaj poezie “argatit që në shtëpi të vet vjen i huaj” na tingëllon si idiomë e krijuar në atë kohë dhe e përdorur shpesh në të folurën popullore. Të gjendur në një situatë të rëndë ekzistenciale disa ikën nga mundën e disa si Bardhosh Dina e kundërshtuan ashtu si ditën e mundën kolonizimin. Folësi që në vargun e katërt të kësaj poezie thotë se i dëgjon do zëra, që nuk janë më dhe se “një hije dhe një kërrutë që përvidhet/ tatëpjetë shtegut për në log”. Këta zëra, që dëgjon folësi-autor, janë në kujtesën e zgjuar posa arrin në fshatin e tij, ndërsa hija dhe kërruta, që përvidhet tatëpjet shtegut për në log, është kujtimi për babain e plakur dhe përhershmërinë e shkuarjes së tij në log. Këtu folësi e ndërpret “rrëfimin” e tij, i vetëdijshëm se nuk po ia mbyllë rrugën sugjerimit të asaj, që zakonisht ka ndodhur në logun e burrave, i cili ka qenë një agorë shqiptare, ku janë trajtuar çështjet e rëndësisë veçantë. Për kundërshtimin e kolonizimit dhe pushtimit sllav Bardhosh Dinë Gërvalla, babai i Jusufit e Bardhoshit të Ri ka paguar çmim të lartë siç do ta paguajnë edhe dy djemtë e tij disa vjet pasi është shkruar poezia “Shtatë net në Dubovik” më 17 Janar 1982.
Kur ka ndodhur ajo për të cilën flet folësi i kësaj poezie?
Vetë fillimi titullit të poezisë “Shtatë net në Dubovik” shpreh interval të caktuar kohor gjatë të cilit zhvillohet ajo për të cilën flitet e përjetohet në këtë poezi. Vizita në Dubovik e folësit gjegjsisht poetit Jusuf Gërvalla nuk është e përcaktuar saktësisht në aspektin e kohës kalendarike, por janë disa indicie për përcaktim të përafërt kohor. Në vargun e tretë e hasim togfjaëshin “një qyqe vjeshte”, i cili tërthorazi sugjeron se vizita ka filluar në vjeshtë, ndërsa në dy tri raste tjera tregohen stinë kur kanë ndodhur ngjarje të cilat folësi i shpreh në formë kujtimesh. Në bazë të kohës, kur është botuar (në Librin “Fluturojnë e bien”, 1975 dhe në Librin “Kanjushë e verdhë”, 1978) dhe në bazë të faktit se në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar Jusufi ka punuar gazetar në Gazetën “Rilindja” në Prishtinë, prandaj ka pasur mundësi ta vizitojë më shpesh vendlindjen e tij, mund të konstatojmë se poezia “Shtatë net në Dubovik” duhet të jetë shkruar në në fillim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, prandaj e tërë ajo, që është thënë nga folësi-autor i referohet kësaj kohe.
Pse ka ndodhur drama jetësore e folësit-poet në poezinë “Shtatë net në Dubovik”?
Një pjesë e madhe e shkaqeve të dramës jetësore të folësit-poet të kësaj poezie janë dhënë herë tërthorazi e herë drejtëpërdrejtë edhe në kapitujt pararendës e sidomos në kapitujt “Çka thuhet e çka sugjerohet në poezinë “Shtatë net në Dubovik”? dhe “Ku ndodhë të folurit e poezisë “Shtatë net në Dubovik”?
Ajo, që nuk thuhet me fjalë literalisht apo në bazë të kuptimit denotativ të fjalëve, sugjerohet apo nënkuptohet. Vdekja e babait, kur folësi-autor ishte fëmijë, ka lënë gjurmë të pashyeshme në qenien e tij, duke e kujtuar atë në çastet më domethënëse ekzistenciale, kur ai sillte miellin nga mulliri i marrë me qira sepse tokën ia kishin marrë kolonët serbo-maazezë. I brumosur me këtë dashuri për të atin, mungesën e madhe të të cilit e ndien, Jusuf Gërvalla e ndoq rrugën e lirisë ashtu si i ati dhe pararendësit e tij, prandaj mund të përfundojmë se ky është motivi apo pseja kryesore e dramës jetësore të Jusuf Gërvallës, të poetizuar në njërën ndër poezitë më të bukura të letërsisë shqiptare me titullin emblematik “Shtatë net në Dubovik”.
SHTATË NET NË DUBOVIK
1.
I dëgjoj do kambanë asnjë pirg përbri
vetëm bar e hithër anë lugjesh livadhe
e një qyqe vjeshte tash më kot gjëmon
i dëgjoj do zëra frymësh që s’janë më
një hije dhe një kërrutë që përvidhet
tatëpjetë shtegut për në log, o vëlla
po vij kaq i etur të të them pa fjalë
se zjarri që kall heshtja jote djeg valë
dhe duket natë me yje ditë me tëmbël të bardhë
thyej bukë i qes ujë të ftohtë me bucelë
argatit që në shtëpi të vet vjen i huaj
(e premte)
2.
e prek fijen e barit e ndihet e lënduar
plaga s’i çel e më kot e ndjell përfytyrimin
i huaj bëhet hapi im i egër në livadhin e butë
ndërsa dy brigjeve të heshtjes rritet me nxitim
trungu. Unë iki shtigjeve të fëmijërisë
ja këtu – ja atje, e pastaj borë e sqotë
kjo është rrjedhë e ngadalshme e verës
se dimër bën tash përmbi ballin tim
po erdhe edhe njëherë më thotë mani plak aty
thuaje më mirë me fjalë thuaje jetën tënde
se tash në mesin tonë vetëm si hije kaluron
(e shtunë)
3.
tash jemi bashkë të buzëqeshur e të dëlirë
si dita e re si biseda jonë për pemët
si të isha larg jush e mendoni se jam me ju
aq i lumtur e i hutuar pas fluturave në lule
a s’qenka ky një mashtrim i çiltër si purpur
si kur kërcehet lumi i turbull ditës me shi
pas hapit tim tash vjen vala e kthjellët
drita që do të ndizet buzë mbrëmjes në odë
se – ia mbaj mend sytë fytyrën – o e di
në zhubrat e mendimit tim e krijoj të gjallë
ja këtu mes nesh. Prandaj dhe kaq shpesh vij
këtu erën e grurit kur bluhet e bëhet bukë e nxehtë
e sjell e sjell këtu edhe emrin e mbiemrin e tij dashurinë
që kishte për ne e tokën për nën’ e xhaxhanë
tash ai ecën andej nga unë gjithmonë vetëm rri
(e diel)
4.
s’do t’i kthehem kurrgjësë as kotësisë së zezë
rrugës sime nga të largohem gjurmë do të lë
shtigjeve thepore nga vetja pas dhish
prore diçka mbetet për të ardhur atje se më pret
hapi i mendimit tim. Bucelë e verës e shelgjishtë
shoku që dikur më dinte për prijës ujërash
bërrakat e bari i keq me gjarpinj – aty janë
ku të ndalem dashuri – në dru e bar në bukë
– apo në fjalët që trëndafila bulojnë
trupi imë për to le të bëhet arkivol tash
se – në lëngun buzëtëmbëlor të pemës në brymë
nadjeve të zgjimit tim – ende po ëndërroj
të hapet qielli: i mbyll sytë përfytyroj
kam një dëshirë dy… e do të shkoj po do të shkoj
atje ku myshqet e verdha tash mbi gurë qëndisin
kohën që me gisht me ballë s’mund ta fshij
unë nuk jam çmendur kurrë për dashurinë jo
dhe emrin vonë ia mësova – kur vërtet që vonë
i kthyer me shpinë nga mbeti – shkëlqimi – di
koha u tall me rritën time lejlekët aq shpesh
mbi ballin tim lëshohen fluturim e u digjen krahët
këtu s’mora gjë tjetër pos një zog këngë. Hënën
diçka si rrogëzinë asnjë plaçkë disa belbëzime
trupin tim s’e shkelën me tokë si të tijin
ai tash rri e këndon ashtu si unë kurrë
s’do të di
(e hënë)
5.
ajo tash s’është më po unë e shoh tek ecën livadhit
me bucelë mbi kokë me fustan flut’re veshur
seç e tundit belin gjarpëron me të ecur livadhit
as pasqyrë në diell është as pehrri e ëndërruar
prej së afërmi të duket diçka aq e prekshme e të dridhë
e nuk është më – atje shkoi ku shkëlqimin do t’ia stërpikë
ndryshku i mallit për ditën për hijen që fshehu
hap e zë krah ballë dhe puthjen e tij
e vetmja mollë mbetur fund arke tash është brydhur
(e martë)
6.
po deshët ju barinj bota ka më shumë shkëlqim
sesa klorofil blerimi i gunës suaj të shkrryer
merrni nga fjala ime veç atë që s’është ndarje
s’po ju përshëndes për të fundit herë në këtë fushë
veçse në fundin tim po vij të vërtetë e të shëndoshë
si sëmundje prej së cilës në shtrat do të vdes
në bar në anije a në botë ndoku krejt esëll
ndërmend s’e pata të bëhem poet i çmendur
urtësi qartësi do t’i kem fjalë të para
në ngushticë do të jem me ju për ju në festë
do të këndoj. Këto këngët e mia janë zë i butë
i fushës i bagëtisë i dëllinjave të livadhit tonë
(e mërkurë)
7.
po rigon imët e qetë e ju të gjithë në fushë
së largu e ndiej zërin e ditës që ngryset ngadalë
kur të ktheheni, mahiçar të çiltër s’do të më gjeni
në prehrin e fjalëve që përherë duket se përsëriten
do të jem strukur atëbotë mes dritash vezulluese rrokaqiejsh
i mbytur në tingujt e Shopenit e të njëfarë Rafetit
vëlla e shok – e tok me mendime përsëri së bashku
kush na mban? Kënga e pikëllimi? Ngazëllimi ynë
nga pritjet e gjata i prirë? Jemi mësuar të falim
duke thënë përherë: ta duam njeriun, njeriun
(e enjte)
(Marrë nga NACIONAL)