VOAL

VOAL

Poezia rrënqethëse e Halil Matoshit për heroin shqiptar Bekim Berisha ‘Abeja’ (Video)

October 30, 2015

Komentet

SHQIPËRIA MË E MADHE SE SHQIPËRIA- Poemë recital nga ATDHE GECI

*
Sami Frashëri,
libri, „Gjeografia e Çamërisë“,
Stamboll, 1889
Republika e Çamërisë ( Epiri ) njihej që në lashtësinë e hershme, Republikë. Epiri i Çamërisë qysh në shekullin e VI-të p.e. r. fitoi kuptimin politik, Republikë. Thesprotianët e vjetër i përkasin thjesht popullit pellazg. Ata ishin të një gjaku dhe kishin të njëjtën gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë. Për shumë kohë Republika e Çamërisë ( Epirit ) u qeveris nga krerët e tyre dhe pastaj për një periudhë u qeverisën në formën e Republikës.
Epiri atë kohë banohej nga shumë fise, ndër të cilët kryesorë ishin thesprotët, kaonët dhe molosët. Me gjithë disa veçori të jetës kulturore e politike, këto popullsi ishin etnikisht të një trungu me pellazgo-ilirët. Pra pellazgët janë shqiptarët e sotëm.Vend jeta e Shqipërisë antike në tokën e saj; në Atikë, Dodonë dhe More.
Sami Frashëri,
libri, „Gjeografia e Çamërisë“,
Stamboll, 1889
– Figurat në poemë janë numra:
1 .
Për çdo shqiptar, Shqipëria është më e madhe se Shqipëria. Pavarësia e Çamërisë nga Greqia është udha që duhet ta bëjmë!…
Atdhe Geci, Vlorë, 2016
HIMN I ÇAMËRISË – Teksti i Himnit të Çamërisë këndohet me zë:
Çamëri tokë pellazgjike
Pallë Epiri në lashtësi
Je stërgjyshe e shqiptarëve
Në Dodonë e Iliri
Gjokset tua të përgjakura
Drejt fitores në lavdi.
Refreni:
Çamëri vend i bekuar
Plot me vuajtje e histori
Çamëri vend i uruar
Ngrite flamurin Kuq e Zi.
Ti je gjaku i Janinës
Ti je dritë e Shqipërisë
Plagët tua shekullore
Ndritën zjarrin e lirisë
Këngët tua nuk shterojnë
N ́zemrat tona të rinisë.
Refreni:
Çamëri vend i bekuar
Plot me vuajtje e histori
Çamëri vend i uruar
Ngrite flamurin Kuq e Zi.
Çamëri fole shqiponjash
Brinjët tua i ke shpatë
Jatagan mbi fustanellë
Vendit tonë i dalim zot
Mëmëdheu po na pret
Gjithandej deti buçet.
Çamëri, e jona Çamëriiii!
Tekstin; Atdhe Geci,
Muzikën; Izet Kallaba,
Soliste e Himnit;
Ylberina I. Avdyli
1 .
Të paktë janë ata njerëz në Greqi që nuk e kanë gjyshen apo gjyshin çam ose arban.
Aristidh Kola
2 .
Ne nuk kemi nevojë ta qepim hartën e atdheut tonë me Çamërinë, kur atë e ka qepur vet perëndia, – Shqipëria deri në Prevezë e më përtej!… ( A. Geci )
3 .
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur!…
4.
Çamëri, fati ynë është gjuha shqipe. Kryevepra që shqip flisnin dhe komunikonin perënditë. Zeusi, Apolloni, Thoti, në gjuhë pellazgo-shqipe shkruanin e komunikonin. Të tri këto perëndi meshën e bënin në gjuhën shqipe, në gjuhën të perëdisë. Në faltoret e Dodonës, Athinës, Atikës e Moresë, bari, pemët, gurët, fryma e ajrit, muret e rrënojave edhe sot në gjuhën shqipe të Zeusit flasin. Çamët dhe Arbanitët në tërë Greqinë identifikohen me Pirro Shqiponjën, Papa Eleuterin dhe me Gjergj Kastriotin !…
Atdhe Geci – Xarrë, Mesopotami, 2017
2 .
Ekziston populli ndaj ekzistojmë dhe né
Ekziston populli ndaj ekziston dhe gjuha
Ekziston populli ndaj egziston dhe kënga
Ekziston populli ndaj ekziston Shqipëria
3 .
Shqiponja shtatëzaninë e mori në Kosovë, shtatëzaninë e ndjeu të gjallë në bark tek Nëna në udhën për në Çamëri!…Lexojmë në ditarin e mësuesit dhe patriotit çam, Musa Demit, i rënë
me tërë familjen për çlirimin e Çamërisë.
2 .
Nuk ka më shqip se gjuha shqipe
Nuk ka më shqip se shkrimi saj
Nuk ka më shqip se pellazgo-iliri
Nuk ka më shqip se sa Çamëri…
( Behar. Pasdite e fundgushtit. Frymë e detit krijon dridhje ullinjësh. Sipas legjendave, kjo është një këngë e lashtë e erërave. Një çam dhe një çame shfaqen nën pemë ulliri. Jo rrallë ullinjtë bashkëbisedojnë mes veti! )
4 .
Jam popull gjysh i gjuhëve të lashta
popull gjysh i gjuhëve të Evropës
Shqiptar jam, kur s´ kishte Greqi
Shqiptar jam, as kur s´kishte Athinë.
5 .
Perënditë tona, Thoti, Zeusi e Apolloni, janë gjaklindësit e shqiptarëve. Shqiptarët, s´jemi të ardhur në More, Atikë, Dodonë e Kretë. Ne jemi etnikët, të parët njerëz të lindur në këtë tokë. Atdhe, Çamëria është lindur nga prindër, pellazgo ilir.
– Teksti i këngës popullore „ Mall për Çamërinë“
3 .
– Çamëri moj Çamëri
Copa copa
Vende -vende
Ti me atë anë
Unë me ketë anë
Amanet pleqtë na lanë
Varret ti leme ne vatan,
Çamëri moj Çamëri na mbeti loti ne si
Gjithë jeten pa të parë
Mbetëm rrugëve të ndarë
S’ka një varr për te qarë
Çamëri moj Çamëri
Se te brodha nuk e di
Si ti spashë në gjithë dynjan
Po ta dish o Çamëri
Jesh dhe mbetesh Çamëri
2 .
Njëgjakësh jemi shqiptarët, një e folur dhe një gjuhë e shkruar. Lufta për liri dhe Pavarësi të Çamërisë është udha që duhet të bëjmë. Populli shqiptar flet gjuhën shqipe të tre perëndive shqiptare: Thotit, Zeusit dhe Apollonit.
Dallgë e verbër, memece,
zhurmën tënde e ndiej;
ta ndali nuk mundem,
ta mbërthej , se bëj d ot…
4 .
Qysh kur toka ishte fëmijë né jemi të këtij dhéu, të kësaj toke dhe, të tre detërave pellazgo-ilir. Burra! Njerëz! Çamëria është tokë Shqipnie, tokë e Atdheut tonë. Adhoan, jam Morea, jam shqipe me gjak e me gjuhë! Jam shqiptare që nga embrionimi , pellazgo-ilir. Më duaj, më puth, më përqafo!
2 .
Tre Drina rrjedhin tokës së Shqipërisë
tre Drina bartin flamuj të ndryshëm
tre Drina flasin me pasaportë mes veti
tre Drina i thërrasin ndërgjegjes sonë
5 .
Lidhja midis Çamëve dhe Arbanitëve është çelësi i zgjidhjes të ngatërresave me Greqinë!..Vetëm të bashkuar çam dhe arbanit mund ta ngremë flamurin pellazgjik të Pirros dhe të Zeusit.
3 .
Në Çamëri, dhe gjithandej Prevezës
dritë bën gjuha shqipe, fjala e nënës
Në Greqi, Shqipëria ka një Shqipëri…
5 .
Shqiptar të të gjitha trojeve
në Epir e gjithandej atdheut
nuk ka fushë buke, dhe as
grykë mali, e as breg lumi,
dhe as oxhak të shtëpive
pa një të rënë të bukur për liri!…
6 .
O Adhoan Molosi, Morea kam nevojë të më përqafosh!Shpirt, a e ndien që jemi bijë hyjnorë të Thotit, Zeusit, Thesprotit, Gjergj Kastriotit dhe të Adem Jasharit!
Nuk ka paqe për lumin me vaj
Nuk ka paqe për lumin e ndarë
Çamëri bëje dorën grusht, me
ty Shqipëria është Shqipëria!…
2 .
Atdhe, kthimi i Çamërisë në gjirin e Shqipërisë, ia kthen emrin atdheut emrin e vet, Iliri! Rroftë Republika e Çamërisë! Rroftë Çamëria Shqiptare!
6 .
Krejt brenda kraharorit
zemërimi i bie daulles
trishtimi i bie kitarës
e liria, një kënge me zë….
3 .
Teksti i shpalljes së pavarësisë së Çamërisë: Den Hag, 30 tetor, 2016, Hoteli “Ambasador”, ora 14-të: Ditë me diell:
1 .
Ne, përfaqësuesit e popullit shqiptar çamë dhe arvanitë të trevave shqiptare të aneksuara nga Greqia,pasi analizuam gjendjen në të cilën ndodhemi mbi një shekull, të përndjekur nga vendi ynë, përkatësisht të shtypur dhe të diskriminuar në aspektin human,gjuhësor, kulturor, politik e kombëtar, vendosëm që të mblidhemi në Kuvendin Gjithëpërfshirës Çamë, dhe Arvanitë, me qëllim të vetëm të organizimit të institucioneve, parlamentit, qeverisë dhe ministrive përkatëse për udhëheqjen e procesit politik dhe ushtarak për realizimin e Pavarësisë së Çamërisë, dhe krijimin e Shtetit të Çamërisë. Të nderuar delegatë të Kuvendit Gjithëpërfshirës Çamë dhe Arvanitë, me propozimin tim e tuajin, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Çamërisë zgjidhet, z. Ahmet Xhani. Urime
z. Xhani!
Rroftë Republika e Çamërisë! Rroftë Çamëria Shqiptare!
Atdhe Geci, Kryetar i Këshillit Nismëtar të Kuvendit
Gjithëpërfshirës çam dhe arvanit, Hagë, 30
tetor, 2016, Hoteli “Ambasador”, ora 14-të
– Valle epike çame!…
5 .
Çamëria s´lypet, Çamëria merret!
-Vallja e Osman Takës:
7.
Shqipëri, të këndojmë me gjuhën më të parë të tokës, me gjuhën shqipe të Thotit, Zeusit, Eskilit, Homerit…
5 .
Hapi krahët flamur shqiptar
I lavdëruar i luftës e i paqës
Flamur i pellzgëve, i Ilirëve…
flamur kuq e zi i dardanëve
flamur kuq e zi i Çamërisë
flamur kuq e zi i Iliridës
flamur Kuq e zi i Ulqinit
për ty jemi betuar për jetë
flamur i shenjtë i Atdheut!…
5.
Shqiptar: Ne s´ kemi nevojë ta qepim hartën e atdheut tonë me Çamërinë, kur atë e ka qepur vet perëndia, – Shqipëria deri në Prevezë e më përtej!…
2 .
Atdheu bën pa gjithsecilin prej nesh, por atdheu nuk bën pa Çamërinë! Pa Krahinën e Mollës së Kuqe, pa Ulqinin, Iliridën dhe Kotorrin!
10 .
Në ç ́drejtim po lëviz kombi ynë?Mbi Prizren ende ka ré të zeza! Ky qytet njëkombësh i shqiptarëve, shkruan Gjirokastra për Prizrenin, është përtej 7 mrekullive të botës, Prizreni ujin e vet e njeh nga etja. Kosova Çamërinë e ka motër gjaku të zemrës!Shqipëri, njih Çamërinë Republikë!
6 .
A do ta bëjë këtë histori populli ynë
që Preveza e Prishtina të bashkohen?
Retë në qiell mund të kenë rrufé,
por çasti e do këngën me e mprehë!…
( -Zërat; Çamëria Republikë! Çamëria Shqipëri! )
1 .
Republika e Çamërisë, e shpallur më 30 tetor, 2016, në Hagë të Holandës, u lind 15 mijë vjet pas qytetërimit pellazg, 5 mijë vjet pas Diskut të Festit, dhe Gurit të Lemnit, 2 mijë e 500 vjet pas Mbretërisë së Pirros dhe 600 vjet pas Princit të Arbrit dhe Mbretit të Epirit, të hyjshmit, – Gjergj Katriotit-Skënderbeut. Në këtë udhë të gjatë qytetërimi, Epiri i Ilirisë, Çamëria shqiptare, jo pa të drejtë quhet fole e gjithë qytetërimit Evropian e botëror. Çamëria pellazgo-shqiptare, njihet për figura të shquara shqiptarësh që i dhanë vepra të çmuara Atdheut dhe kontribuan në qytetërimin gjithë botëror.
4 .
Epiri i Ilirisë – Çamëria, i dha botës Njëperëndinë, i dha Papë Eleuterin, e figura të çmuara njerëzimit. O të mirët e mi! Të gjakut e kam Zeusin, Thotin e Apollonin, Aleksandrin e Pirro Burrin, Platonin, Sokratin e Eskilin, Safon e Herodotin, Papa Eleuterin e Hoxhë Tahsinin, Elena Gjikën e Muharrem Rushitin, Alush Taken e Abedin Dinon, Rexhep e Musa Demin, Kolë Idromenon, Faik Konicën, Abaz Dojakën e Niko Stillon, Bilall Xhaferrin e Aristidh Kolën, Festim Laton, e sa e sa të tjerë.
DEKLARATA E PAVARËSISË SË ÇAMËRISË – 30 tetor, 2016, Den Hag
Duke u nisur nga vullneti i shprehur nga ana popullit të Çamërisë, për organizimin politiko- shtetëror, në territorin e Çamërisë, Kuvendi i Republikës së Çamërisë, si organ përfaqësues, kushtetutëdhënës dhe i vetëqeverisjes në Çamëri, solemnisht shpall;
KUVENDI ME KËTË DEKLARATË
KUSHTETUESE SHPALL REPUBLIKËN E ÇAMËRISË NJËSI TË BARABARTË NË RAPORT KONFEDERAL ME GREQINË SI FAZË KALIMTARE DERI NË ZGJIDHJEN
PËRFUNDIMTARE NË PËRFILLJE TË VULLNETIT POLITIK TË POPULLIT TË ÇAMËRISË.
1.
Me këtë deklaratë, Kuvendi shpreh dhe shpall vullnetin politik të popullit të Çamërisë si akt i vetëvendosjes politike.
2 .Ky Kuvend, duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij, Çamërinë njësi të barabartë dhe në raport konfederal me Greqinë, si fazë kalimtare, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të popullit çam dhe arvanitas, në Çamëri, pret konfirmimin e këtij akti kushtetues në Kushtetutën e Republikës së Greqisë. Me Membështetje të plotë të opinionit demokratik çam dhe arvanit në Greqi dhe të qendrave te vendosjes ndërkombëtare, Kuvendi shpall si gjuhë zyrtare të Republikës së Çamërisë, gjuhën shqipe dhe gjuhën greke ( po edhe ajo shqiptare ), flamurin kombëtar me emblemën e mbretërisë së epirotëve mbi kokë të shqiponjave, stemën e
shtetit të Çamërisë.
3.
Ky Kuvend, Çamërinë dhe pozitën e re kushtetuese të
saj, e konfirmon si bashkësi dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të shtetasve të Çamërisë, ku shqiptarët çamë dhe arvanitas, si shumicë e popullsisë së Çamërisë shpallen popull autokton dhe shtetformues
në trojet e veta.
4.
Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e
pushtetit të Çamërisë marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Greqisë i mbështesin në vullnetin e popullit shqiptar, çam dhe arvanitas, të shprehur në këtë Deklaratë, me ç’rast i kërkohet Greqisë heqja e“Ligjit të Luftës” me Çamërinë dhe Shqipërinë.
5.
Deri në miratimin e Kushtetutës së re të Republikës së
Çamërisë, tash e tutje Kuvendi do të komunikojë publikisht në aktivitetin e vet dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare me emërtimin zyrtar “Republika e Çamërisë”.
6.
Me miratimin e kësaj Deklarate, shpallet segregativ dhe jolegjitim çdo dokument diskriminues për popullatën çame në territorin e Çamërisë.
Për Kuvendin Gjithëpërfshirës Çam dhe Arvanit
Festim Lato, Hagë, 30. 10. 2016.
7 .
Në Çamëri dhe në gjithë atdheun as toka, as uji nuk kanë qetësi! Çamëria lexon vetëveten s´është metaforë por dhimbje. Pavarësia e Çamërisë është udha që duhet ta bëjmë. Ky amanet për Republikën e Çamërisë është mision i së ardhmes, mision i pakthyeshëm! Çamëria s´lypet, Çamëria merret!…
6 .
Në degë ulliri e kam lidhur fjalën
tek më e fismja pemë e natyrës;
Çamëri, shembja çatinë Greqisë
lufta për l iri është e pandalshme!…
10 .
Shtetet dhe perandoritë ngrihen e bien, popujt mbeten. Shtetet janë organizma gjeo-politikë të përkohshëm, ndërsa popujt janë të përjetshëm. Republika e tretë shqiptare në Ballkan, Republika e Çamërisë, është çelësi i Shqipërisë së Bashkuar. Populli çam në Çamëri dhe gjithandej Greqisë e në More edhe në kohën tonë identifikohet me Pirron dhe Gjergj Kastriotin. Identifikohen shqiptar!
6 .
Në degë ulliri e kam lidhur fjalën
tek më e fismja pemë e natyrës;
Çamëri, shembja çatinë Greqisë
lufta për liri është e pandalshme!…
8 .
Ëndërr e çamit çasteve zgjërohet
posi një det me valë të trazuara,
ai s ́ndalon tek ura e mendimeve
por ai hyn thellë gjithësisë së tij
ëndërr e çamit s ́është vogëlimë,
por bubullimë e të gjithë atdheut!…
4.
Fol Shqipëri, fol Kosovë, fol Iliridë! O folni të gjithë, se në Çamëri, heshtja dhimbjen më nuk e mban!…
9.
HIMN I ÇAMËRISË – Recitim
Çamëri tokë pellazgjike
Pallë Epiri në lashtësi
Je stërgjyshe e shqiptarëve
Në Dodonë e Iliri
Gjokset tua të përgjakura
Drejt fitores në lavdi.
Refreni:
Çamëri vend i bekuar
Plot me vuajtje e histori
Çamëri vend i uruar
Ngrite flamurin Kuq e Zi.
Ti je gjaku i Janinës
Ti je dritë e Shqipërisë
Plagët tua shekullore
Ndritën zjarrin e lirisë
Këngët tua nuk shterojnë
N ́zemrat tona të rinisë.
Refreni:
Çamëri vend i bekuar
Plot me vuajtje e histori
Çamëri vend i uruar
Ngrite flamurin Kuq e Zi.
Çamëri fole shqiponjash
Brinjët tua i ke shpatë
Jatagan mbi fustanellë
Vendit tonë i dalim zot
Mëmëdheu po na pret
Gjithandej deti buçet.
Çamëri, e jona Çamëriiii!
Tekstin; Atdhe Geci,
Muzikën; Izet Kallaba,
Soliste e Himnit;
Ylberina I. Avdyli
Atdhe Geci – Vlorë, Firencë, Den Hag, 2016-2019

FRONI I ADHURIMIT (Dialog me Orë-Shtegun tim…)- Esé nga REX KASUMAJ

Vjeshtë, 2024

1.

O Princshtegu im, ti thjeshtësi e përkorë. Pikërisht ty të përulem e adhuroj: rraskapitjet tua, pusitë, lodhjen, rënjet, ngjitjen sfilitëse…

E përqas me gaz vetminë e muzgjeve, pastaj përmallohem në çast si para një fotoje të vjetër e të zbërdhylur, për shtëpinë pa ballkon, për sofrën me pak bukë e verë dhe pyetjet e tim biri që nisnin përherë me shprehjen kurioze: babi e ke ditur këtë?

Të admiroj i uruari, tirani im i hekurt që s’të mbaj mëri kurrë. Ti gardian i dënimit pa afat me ngujore të rëndë ndër duar e ngërdheshje në fytyrë…Por unë thyej prangat tua e dal përmbi gropën e qivurtë me armën e përvujtnisë, të mohit e përçmimit për shkëlqimet e rreme a pushtetet e dhjamosura që përmbysen pranverave ringjallëse.

2.

Të përfalem Shtegpari im, edhepse në portë, veç postierit të bezdisshëm, rrallë m’troket kush, pse telefoni shurdhohet nga marazi dhe parmakësh të dritares sime rrethuar telash xhemborë ka kohë që nuk zbret asnjë zog e melankolia ndehet tejendanë…Apo kur në kopshtin e shtëpisë bien fletëverdha vjeshte sipër stolit që pret vetëm hapat e mi të ngadaltë e të rënduar.

Çiltërisht të ndjej dhe kur në bujtinën tek trokas pas udhës kapitëse mespërmes ftigës e tundimit, mungon mirëseardhja e kryehershme e bujtinarit vëngërosh dhe llampa vajgurore thyer është kaherë!..

Nuk indinjohem aspak për këngën e vrarë që mëkonte plagët helmërisht të liga nën ndriçimin e mekur pranë flakëzash loztare kur zëri ëmbëlosh ftonte harrimin, si në baladat me kalë e epilog, ku e Mira mposhtë të Keqen dhe e Bukura – Shëmtinë.

3.

Më pëlqen të të parzmoj hapekrah, o gjurmë e Shtegut tim, megjithëse mbrëmjesh të përhimta, hall e mall përhedhin ndoj’herë tangon e pikëlluar nën hënën e plotë, së cilës i drejtohem me dëshirim: a dritëron kështu zbehtësisht bukur, o fanar i netëve të mia, edhe në Landet e Arbërit, në tokat e përkallura të Babilonisë, në Kordobë, në viset e Vikingëve a në vargmalet e Andeve dhe kur, natyrisht, mosbëzamja qesëndisëse është përgjigja e pagojë e saj!..Një nemitje trillane që arkivon ftohtësisht në vete kujtesën e botës.

Po, për kur vallë? Për Armagedonin? Për gjyqin e fundmë ku shpalohen bëmat e krijesave të poshtme? Cila është dëshmia dhe fjala jote, ti që frymëzon e tërhiqesh pabesisht në përmasën e paqasshme të yllsisë? Ah, sikur të fliste, së paku për dashurinë. Por, jo! Veç peshë e simes do t’mjaftonte që t’i ndalej fryma…

4.

Gjak e flijim i dhashë truallit atnor, por s’jam rrëzuar kur më vodhe atë, apo kur përbetues të fshehtë u dehën orgjisë për disfatën time, sepse unë pranoj kalorësisht edhe humbjet e tua, o i miri, Shtegidhnaku im.

“Ubi bene, ibi patria”, thoshin të urtët latinë. E vështirë ishte. Sa e vështirë kur do t’më ngushtoje të këmbeja identitetin pjalmues me ekzistencën ultësore. Po megjithë globalizmin që rrafshon e, mbase, krijon tabelë të re fuqish e vlerash, nuk kish pse të fillngjizej në mua ideja mondane e shoqërisë civile të rruzullimit.

Përse, ndaj, duhej të isha prova e pangjizshme kantiane, kur kombet e cilësuar historikë ngazëllejnë në reliket e epopeve të tyre? Edhe Poeti nga veriu i Evropës qahej e këlthiste nostalgjie pse në Toronton e largët nuk kishte një Ku’Damm, që s’mund ta merrte me vete vendlindjen e as ti ngarkonte në rimorkio kujtimet kur të kallej poshtë dhéut…

Sërish, ndaj, një trandje vrujon thekshëm. Ndërsa tek Votra, i mbaja në përkitshmëri të ngrohtë, tani përplasem në vorbën Asnjanësisë… E, si për të ndrequr një gabim, një keqkuptim zanafille, bëj ndonjë udhëtim nëpër kohë e fate krejt të ndryshme nga ti, Shtegu im i sertë e lyrak. Por kjo përhihet vetëm në imagjinatën që përpiqet të zhbirojë daljen nga labirinti i gjatë e i molisshëm.

5.

Zymtia do të strehonte në mua, kur udhët u takuan njëherë, dhe kur në zemrën e vashës që desha aq shumë sa s’kish arithmetikë që ti shkonte mbanë sedefërisë së saj të pafund, brymove ti sythin e brishtë të dashurisë. Porse, sa rrezellitëse njëherësh, për ngushëllim mora një sëmbim – një zjarr të pafikur ku ngrohem i këputur thëllimash të liga…Dhe ritjerr akoma fijen e mbetur të shpëtimit, saherë këmbanat lajmërojnë pejsazhin e barbarozës mortore…

T’jam mirënjohës për këtë dhuratë të përafërt me matansinë e padukshme, që kështu dërgon parashfaqjen e saj sublime, o Shtegprijësi hirplotë!

6.

Nuk bluaj kurrësesi yshtjen e mallkimit për ty, i bekuari Shteg-Hyj, as për të korrat e pakta, për shtratin e ngushtë që krikëllon apo kur në tryezë shtrohet shpesh vetëm lutja e kur dita ngryset e agon me ofshâmë për rrethin e mbyllur të pamundësisë dhe as për fundjavën që vjen prorë e shkretuar si plazhi dimëror…

Mbahesha përballshëm, anipse në kufij të rrëzimit, ndanë vështrimit lëndues të vocrrakëve syzmadhuar që përplaset muresh granitike të ndalimit, meqë, ah, ti Shtegsovrani im, i udhëzoje qysh herët për artin dhe madhështinë e durimit…

E, ashtu, ua shndërroje, ligështinë në forcë përballëse për teatrin e jetës përplot mirësi e keqardhje, hile e trathti dhe hekura të skuqur e heronj të shpifur.

7.

Revoltë kundër teje s’gatis dot, o Gurshtegu im, edhe kur miqët shtinjakë merakosen për goditjet e tua, e kur ata të mirët, për çudi, befasohen qeshjethartë, si të kapur në faj, për gëzimet e mia, dendur të jetimta, apo kur neverisin rrjetët e përdhosur socialë ose, madje, kur, si mësonte i bekuari Hess, robtohem të ndryjë trishtimin në pak radhë të drojtura, por që, në vend të cenzurës brutale të dikurshme, një tjetër rrëzomë ka rënë mbi shkrimtarinë që arratiset nga bibliotekat e bredh udhëve thirrakotëse: është shpërfillja e saj!

Një përsekutim tjetërlloj, i pabujshëm, pa pranga e leçitje, në plojën delirante të injorancës dhe sipërfaqësisë, sikundër t’i kam falur dhe fjalëmirat mashtruese, të shtënat pas krahësh, festat e mediokërve a lavdinë e të marrëve…

8.

Nuk e dija, Kryeshtegu im i mirë, se do të fortifikohesh i patundur në bedenat e modestisë së rezervuar, por më pas u mahnita me magjinë e saj. Me lartësinë që lë pas të gjitha hipokrizitë e kësobotshme të atyre që nuk vdesin njëherë, por çdo ditë, në gjiriz ëndjesh të kurmit e pluhurit.

E privuar është galeri e tyre nga kultura e dhimbsurisë, vuajtja elegante për gjethnajën e artë që përbaltet nga era e shiu, piktura e fijeflokut borëtor në male a feksja e vetëtimave para shtrëngatës…

Dhe e huaj, sa e huaj është për ta kënaqësia e parr’fyeshme e kulturimit gjakhollues, dijemira që zbardh horizontet a dhuntia e sakrificës për të drejtën natyrale të të ngjashmit me tè që quhet – njeri!..

Ah, ka dhe të tillë më të pështirosur, të shumtë si milingonat, që nuk përvetësojnë kurrëqysh as kodin e ëngjëjve, e as demoniakun e kreshpërosur në rropamën njerëzore. Një askushnajë impersonale dhe e kërrusur, ky soj luledjellësash në jetë të jetëve!..

9.

Në dukje, kundruar hijadhë nga legjionarë të shastisur që nuk ftillojnë ekulibrin mes Fuqisë e Shpirtësisë, më ke goditur ndonjëherë përdhè… Por, ndonëse m’fanitet terrínës marshi i korteut tim, gjysma e të cilit nënqeshet fshehtë e gjysma vajton, ia dal të ngjitem sipër rèsh, atje ku nuk arrijnë thundrat e tyre. Është funebriteti i tij, që më ndih të ndjej vrullin e papërsëritshëm të Çastit dhe reflektimin paqtues të Transcendencës…

Reale e caksynuese në kufijtë e arsyes dhe përgjëruese deri në vetmohim për të tjerët, anipse disa syresh shkalafiten mëndafshëm në harlisjen rruzare, je ti o Fatlum i irun. E postament i tyre duhmonjës s’janë tjetër veçse mbushëllima shfrenuese dhe këneta morale në çarklëvizjen e përtokshme larg botës së Ëndrrave dhe Frymësisë…

10.

Ah, të dua prandaj, Shtegvështiri im: i papërunjur e sqimatar dhe vetëmjaftues e qëndrestar. Të prajshme e fisnike janë kryqëzimet tua ndanë shkulmeve të bërtimës e skuthërisë…

Të dua, edhepse mbi ty ranë tërbimi i mujsharëve kalimtarë, mizoria e fajit për varrezat pa lule e për të ikurit pa përshpirtje, urrejtja e njeriut tënd, shfytyrimi i brezit, tortura e udhëkryqit dhe zgjedhja e gabuar…

Dhe, poashtu, pse ndërgjegjebréja thurte pëlhurën e qefintë për Nënën e Fëmijën, mes të cilëve je djegur si një lis i lartë në rr’fe stuhish e moskuptimesh, tek ëndrrat humbën të Zo’në e deshpërimi përtallte perënditë…

11.

U përvëlova si flutura pas dritës, ti Ballënalti im, por mu në mes të krusmës, pa u zvargur me gjuhëkeqen pështymore e pa prekur alkiminë e poshtërimit, ngrita shpatën e përbuzjes për vulgun e hierarkëve të përjargur dhe qortimin e turmave të paemër, obskure e ziliqare si verbëria e errësirës.

Zjarri ishte fikur, oxhaku s’tymoste më dhe unë ulesha në bregun e Lumbardhit e sodisja rrëkenë e moçme kthjellore. Jo pse, si urtojnë kinezët, do t’më sillte kokën e armikut apo lajmin e fitores. Diç tjetër duhej të vinte, ajo leva e lashtë e Mëkëmbjes: pasqyrimi i Shpresës në valëzat e tij.

Po nuk e bjerra atë kur, në vend të saj, hijesonte armatë e korbave që shtyhej fushnajës, a kushedi, drejt Alpeve në misionin e zi të species dhe as kur fluskat e shkumës që rrokullisnin dredhkat e tyre mbi shkëmbinj, formonin imazhin e shkronjave të zhgënjimit!..

12.

Sheshet e rrebeshet që i zbrazin ato, mëngjeset mbushur prill e diell a zërat e mbrëmjeve me vesë, kujtonin Orën e vjetër o Shtegkrenari im ngurrimtar që në larginë të besëprerjes qëndroje prorë e fismërisht…Dhe ndaj, smirën e tëhuajsova kur shemrat tua shendonin stinëve të kaltëra, ngase ti më pëshpërisje me shenjëzimin tënd, se s’janë tjetër pos hije të kalesës…

Megjithatë, jetën, valëzimet e saj do zënë në fluturim! Ky, thonë Rojat e grigjës së hutuar, është çelës, Urdhër epror… Por kush, vallë, e pati a zbërtheu atë?

13.

Mësova, o imi Shteg përbetar, që flatra dijedritëse, të refuzoj, jo tashmë dinjitarë e zagarë të hallakatur në saturnalet e motit, por dhe studimtarë të pasmijëra vitesh, që do të pajisen suporesh për eshtërinë time të gjetur në një funddeti a yrt të rroposur.

Më ngjan si vegim, ja sikur i shoh se si gratulohen për zbulesën e vyer: për plagët e dashurisë që nuk i tretë asgjë. As rr’fetë xheloze, as alget, as ujërat e truar, as magma vullkanore e nëndheut…Sepse ajo është vetë esenca sublime Krijimit!..

I fshikulloj, ndaj, që tani, me ngulmërinë e kurajos, dollinë e njatjetimit dhe me ngadhnjimin e Shpirtsisë që prish e asgjëson mburrjen cinike. Kjo është Sfida ime. Pushteti i saj absolut. Një Triumf i përjetshëm që ka lindur bashkë me Jetën dhe vete përtej tyre…

14.

Ti Shtegprijësi im i përndertë e legjendar je unë vetë. Ne jemi një dhe përcaktueshmërisht ind i Ekzistencës unike tek merr shëmbëllesë qiellore dhe kuptim tokësor përmes nyjëtimit triumfal: të Dhimbjes e Dashurisë, si Fron i Adhurimit të vërtetë!

Si të mos kem, pra, admirim të afshët për ty, o Shteg i kadiftë ndër hone shirash, mundues e i munduar, o sfinksi im mjegullor! S’kërkoj pëndesë e të falur prej teje, meqë Një jemi n’përhershmëri, a pse është vonë, tepër vonë, por sepse, të thjeshtë, unë jam Mirëpritësi bujar, Ithtari haremadh e Dashnori yt me lot!..
(R.)

“Plaku i Kënetës” një novelë tronditëse e Bedri Çokut- Nga BUJAR LESKAJ

Kur mora në dorë novelën “Plaku i Kënetës” të shkrimtarit Bedri Çoku rrëmbimthi m’u soll ndërmend se Doris Lessing me libërthin “Fëmija i Pestë” shënoi një kthesë paradigmatike në doktrinën dhe konceptualitetin e letrave, që i shpërbleu asaj jo vetëm krijimtarinë, por edhe thinjat e urtësisë së saj me vlerësimin më të lartë që mund të marrë njeriu-shkrimtar në jetën e vet, Çmimin “Nobel”, aq më tepër në një moshë të përparuar, plot 80-vjeç. “Plaku i Kënetës” është, gjithashtu, një novelë që si edhe në rastin e novelës tronditëse të Lessingut, mund të ndodhë t’a lexosh me një frymë në një ndër ato pasditet ekzistenciale që na ndodh të gjithëve t’i përjetojmë e kur shoku më i mirë në vetminë tënde meditative bëhet pikërisht libwr/leximi. Në rrethana të ngjashme e “përpiva” novelën e Bedri Ccokut, shoqëruar me parandjenjën se brenda e saj do të më trazonte shpirtin, ndërsa përfytyroja kalvarin e jetës së autorit si ish i dënuar politik në burgjet e komunizmit. Padyshim, parandjenja ime u përligj kur zbulova përmes një leximi të ethshëm se “Plaku i Kënetës” është një rrëfim i thjeshtë, por njëkohësisht mbresëlënës dhe drithërues i dhimbjes së njeriut të cilit pushtetet e dhunshme njerëzore i shprishin marrëdhënien me natyrën dhe lirinë që buron prej saj. Sfondi i novelës me Kënetën e Karavastasë nuk është vetëm një mënyrë për të çliruar rrëfimin e autorit përmes detajeve që ai i njeh shumë mirë, por edhe një mundësi e përkryer për të ndërlidhur fatin e plakut me atë të kënetës së shtetëzuar. Përgjatë përshkrimit të trishtimit të personazhit kryesor, Xha Demit dhe lundrës së tij që ka mbetur rrëzë kasolles, autori përngjan me stilin rrëfimtar të Kutelit, ku nëpërmjet ngjyresave të fjalëve të përcillet një peizazh i dallueshëm lokal i Myzeqesë. Për shumëkënd titulli i novelës risjell në kujtesë në një analogji aspak rastësore kryeveprën e famshme të Heminguejit “Plaku dhe Deti”.
Ndonëse kjo ngjashmëri duket sikur i përket vetëm titullit, ndikimi i Heminguejit vjen i gjallë dhe i pranishëm, veçanërisht për sa i përket huazimit të një modeli të caktuar estetik dhe deri diku tematik. Jo rrallëherë përgjatë ndërtimit të novelës ndjehet kundërvënia mes plakut dhe natyrës, por tashmë jo si në rastin e shkrimtarit amerikan ku peshkatari i vjetër kërkon të sfidojë të tjerët me fuqinë e tij, por si një dialog i Xha Demit me peshqit që ndiejnë dhunën e njeriut dhe të natyrës. Përkundër një sërë përshkrimesh të hollësishme të autorit të mveshura me plot fjalë të ligjërimit vendas arrihet të ngjizet një rrëfim i pasosur mes dhimbjes dhe forcës. Ky dyluftim i vazhdueshëm e ndjek lexuesin përgjatë gjithë shtjellimit të ngjarjeve që duket sikur rrjedhin me shpejtësinë e ujit. Përpjekja për të mposhtur dhimbjen nga largimi prej kënetës përfaqësohet tek një vizatim i tipareve të Xha Demit që rreket të pushtojë hapësirën e pamatë të kënetës me fuqinë e dashurisë për krijesat e saj që i kanë mbajtur frymën dhe shpirtin gjallë. Dialogu që ndërton me peshqit e ngrirë dhe keqardhja për to përzihet me dramën e tij e cila mban jehonën e rropamës së barkës që e dërrmon me duart e tij në shenjë proteste. Në thelb të kësaj novele është vetëshkatërrimi dhe dhimbja prej mungesës së lirisë. Nga dëshpërimi prej stanjacionit që personifikohet aq mirë te këneta, përgjithësisht simboli i ujit të ndenjur, buron një neveri e paevitueshme prej Sartri apo Kamyje, që autori kërkon t’a shpërthejë, ashtu sikur hekurat e ndryshkur, të zymtë e kobndjellës të burgut, për të fluturuar drejt qiellit të lirisë. Dëshpërimi përforcohet edhe nga një fatalitet në dukje i paracaktuar, një rastësi alegorike ogurzezë, që ngjan sikur do t’a lidhë përjetësisht dhe pa kthim jetën dhe destinin e xha Demit me kënetën-llangosje të përhershme.
Këtu autori Bedri Çoku orientohet për nga teoritë e determinizmit që i gjejmë rëndom të ngërthyera në kryeveprat e Viktor Hygoit, Emil Zolasë dhe që gjykojmë se kanë qenë pjesë e pranishme e horizontit letrar të shkrimtarit. Determinizmi hygolian, zolian, etj, sipas të cilit njeriu-subjekti letrar mbeten produkt i kontekstit-relievit historiko-gjeografik, në këtë rast i komunizmit-Kënetë, e thellon më shumë ngarkesën alegorike të novelës. Kjo e fundit ndërtohet përmes hollësive të rrëfimtarit-shkrimtar, i cili me mjeshtëri bën të gjitha përpjekjet që përmes dhimbjes individuale të plakut të Kënetës t’i shtrijë pasojat e tragjedisë përtej cakut të tij kohor. Kemi të bëjmë me të njëjtën gjetje stilistike si edhe në veprën e Heminguejit, ku sfida e peshkatarit të vjetër kuban është t’u tregojë të tjerëve se vitet e moshës nuk janë një fatalitet biologjik për t’i lënë sfidat e jetës në mes. Përkundrazi, në rastin e plakut të Kënetës së Karavastasë, lufta e tij nuk është vetëm t’u tregojë të tjerëve se çfarë fshihet pas “demit të egër” ose “lubisë”, por t’u tregojë vuajtjet që shkaktojnë demonët e pushtetit mbi individin që kërkon të shijojë lirinë e tij, duke jetuar me hapësirën e natyrës dhe krijesat e saj. Nuk besoj se mund të shprehej më bukur frika ekzistenciale prej atrofizimit, përhumbjes, vdekjes, që në përgjithësi e shoqëron dhe duhet të shoqërojë njeriun që jeton në kushtet më normale të një jete të lirë, por që merr përmasa të shpërpjestuara e të jashtëzakonshme për Plakun, Xha Demin e Kënetës, shkrimtarin e burgosur, Njeriun e tjetwrsuar nën komunizëm. Në tërësi, vepra përcjell përmes historisë individuale të Xha Demit sfilitjen dhe zhvlerësimin e një morie njerëzish të cilëve iu desh të përballen me forcën e pushtetit që të detyron deri sesi duhet të marrësh frymë për të jetuar. Natyra është një simbol i lirisë së individit përsa kohë ajo simbolizon hapësirën dhe njëfarë vetërregullimi të brendshëm, i cili nuk ndjen nevojën e ndërhyrjeve të tjera.
Në mënyrë të veçantë, marrëdhënia e njeriut me detin, liqenin, apo në rastin tonë me kënetën, pavarësisht stanjacionit që buron prej saj, është një vartësi, e cila e çliron shpesh atë nga ndjenja e zotërimit të gjithëkohshëm prej diçkaje. Në këtë marrëdhënie realizohet njëkohësisht edhe liria, por edhe dëshira për bashkëjetesë e sfidë të dyanshme larg ndërhyrjeve të jashtme. Pikërisht fakti që “Këneta” është kthyer në një mollë të ndaluar për Xha Demin, nuk e shkëput atë nga dëshira e kahershme, ashtu si Adami në kopshtin e Edenit, të provojë nën ngasjen e peshkatarit ujërat e ngrira të saj. “Mëkati” i tij në këtë rast nuk ka çmimin e vdekësisë por të një lloj përjetësie të dëshirës së njeriut për t’a pranuar lirinë e përditshme si dhuratë të Zotit e natyrës. Endja e tij me varkën e sajuar, nëpër kënetën e ngrirë të atij dimri të vitit 1967, nuk është vetëm një përpjekje për të kërkuar jetën që lëviz nën gjallesat e ujit por edhe një çlirim prej dhunës së tokës. Paralelizmi historik i atij viti të “çzotërimit” të gjithçkaje është rrëfyer përmes një gjuhe mjaft të zhdërvjellët të shkrimtarit, i cili me përsiatjet e Xha Demit zbulon tragjedinë që ka pushtuar njeriun e thjeshtë. Alegoria e peshqve të ngrirë nën cipën e akullt të kënetës është një përjetim i dyfishtë qoftë i personazhit apo edhe i shkrimtarit-viktimë e regjimit komunist me ngricën shpirtërore dhe vdekjen fizike që ajo ndillte përmes ftohtësisë dhe egërsisë së saj. Në të gjithë novelën ndjehet përqasja mes fatit të individit në një shoqëri të shtypur dhe indiferencës që e shoqëron atë deri në fund. Tragjedia individuale e Xha Demit në mes të kënetës së ftohtë ndesh në heshtjen e rremave të varkave të peshkatarëve “shtetërorë”, të cilët janë pajtuar me fatin e përcaktuar nga të tjerët. Simboli i varkës së Plakut të Kënetës që endet e vetme, megjithëse e brishtë deri në det, nuk është gjë tjetër veç kërkimi pa fund i lirisë që ka çmimin e saj.
Në këtë rast autori nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vetërrëfyer përmes fatit metaforik të Xha Demit atë që përjetuan breza të tërë gjatë një regjimi ku bashkëvuajtësit i njihnin tashmë fajtorët. Megjithatë historia dhe fati individual i Xha Demit nuk arrin të zbehë forcën dhe dashurinë për ato çaste të jetës që kanë vlerë edhe brenda dhunës që vjen nga lart. Rikthimi i tij herë pas here tek kujtimet që e lidhnin me gruan dhe fëmijët është një nga ato çaste që ia heqin lodhjen dhe sfilitjen, ashtu sikur edhe peshqit e shpezët e kënetës. Në asnjë prej këtyre çasteve ai nuk harron të mposhtë lodhjen e pamatë të krahëve që shtyjnë varkën me dëshirën për të rrëfyer dashurinë për familjen. Në këtë mënyrë ajo kthehet herë pas here në një burim force që e detyron të përtërijë vetveten dhe qëllimet. Nëse i rikthehemi krahasimit të kësaj novele me romanin e Heminguejit “Plaku dhe Deti”, vërejmë së përkundër kësaj të fundit lufta e Plakut të Kënetës me dashurinë e pamatë ndaj atyre gjallesave të ujit që i kanë dhënë kuptim jetës së tij. Dialogu i Xha Demit me peshkun e ngrirë që kishte ngelur në lopatën e tij nuk përmban sfidën e plakut të Heminguejit, që rreket të mposhtë peshkaqenët, por është një luftë me vdekjen dhe dëshirën për të qenë i lirë. Nëse peshkatarit të Heminguejit i duhet të përdorë lirinë për të peshkuar dhe të tregojë se mund të mposhtë natyrën, Plaku i Kënetës rreket t’i ikë mungesës së lirisë përmes endjes së tij me varkë, por nuk e mund dot atë. Në të dyja rastet, marrëdhënia që ndërtohet mes forcës së moshës dhe natyrës shndërrohet në një sfidë të përhershme, por Xha Demi pëlqen të shijojë sado pak ajër të lirë dhe të presë fundin e tij mes saj. Në thelb, dy personazhet-simbol të Bedri Ccokut dhe të Ernest Heminguejit, “Plaku i Kënetës” dhe “Plaku dhe Deti” i ndan në mes liria për të lëvizur. Ata nisen me të njëjtën varkë, por me qëllime dhe fund të ndryshëm. Përgjatë gjithë rrëfimit të veprës autori arrin të përmendë një sërë detajesh që e lidhin pashmangshmërisht lexuesin me vende konkrete. Në këtë rast konkretësia e zhvillimit të ngjarjeve në një vend të mirëpërcaktuar e të mirënjohur nuk e ngushton elementin përgjithësues të mesazhit artistik tek lexuesi. Këneta e Karavastasë, kasollja prej peshkatari e Xha Demit dhe të gjithë objektet apo elementët e atyshëm shënojnë një marrëdhënie të dukshme mes njeriut dhe detit si hapësirë veprimi. Por nëse në rastin e “Plaku dhe Deti” të Heminguejit, deti është një hapësirë lirie që e fton peshkatarin e vjetër të provojë forcën e fatit dhe fatin e forcës së tij, tek “Plaku i Kënetës” endja me varkë në kënetën e ngrirë është një sfidë për të kërkuar lirinë edhe me çmimin e vdekjes.
Duke iu rikthyer parandjenjës dhe shqetësimit tim të fillimit, do të dëshiroja t’a përmbyllja këtë vështrim kritik mbi novelën e Bedri Çokut me një paralelizëm të pashmangshëm që ndërtohet vetvetiu mes këtij narracioni të fuqishëm alegorik dhe biografisë së shkrimtarit, i cili përmes shkrimit artistik arriti jo vetëm të shtjellojë e tregojë dramën e vet, por edhe të ndërtojë një model letrar që duhet studiuar më shumë nga kritikët e specializuar dhe shfletuar më shumë nga lexuesi i thjeshtë. Padyshim ky nuk është rasti i vetëm apo fati ekskluziv i Bedri Çokut, por edhe i plejadës tjetër të qindra shkrimtarëve të dënuar e burgosur barbarisht përpara viteve 90-të. Megjithëse Plaku i Kënetës është shkruar në post-komunizëm, kjo novelë e të huajësimit, dëshmon se pavarësisht ndrydhjes prej kangjellave të burgut, Bedri Çoku dhe gjithë shkrimtarët e brezit të tij kishin lirinë e pamohueshme të mendjes, një hapësirë paralele-top sekret, ku mendjet perverse të persekutorëve nuk do të mund të depërtonin asesi. Për këta heronj, ashtu si edhe për të mirin, të urtin e të pafatin, Xha Demin, nuk mund të kishte amnezi të mendjes, pasi mendimi i lirisë, gjakimi drejt saj ishin ngadhnjimi që tejkalon çdo mbyllje, çdo diktaturë, persekutim, censurë apo edhe vdekjen në vetvete. Kjo disidencë meriton nderimin më të madh, pasi mendja e çliruar e artistit/shkrimtarit-profet, përpos përjetësimit të kujtesës së dhimbjeve, ia ka dalë mbanë çdo sfidë prej Kënete për të lartësuar edhe më shumë Panteonin e Letrave, që është dimensioni i vërtetë i lirisë. Ky shkrim tejet i merituar për autorin dhe veprën e tij, “Plaku i Kënetës”, një novelë për kujtesën e dhimbjeve përcillet prej meje edhe si një respekt në kujtim të heronjve të Kryengritjes së Spaçit më 21 maj 1973, plot 38 vjet më parë, në të cilën fisniku Bedri Çoku ishte një prej drejtuesve antikomunistë të saj. Respekte për heroin Bedri Çoku, vlerësim maksimal edhe për veprën letrare të tij!

SPARTAKU NË URËN E KARDHIQIT- Tregim nga SHKËLQIM HAJNO

 

Mësuesit e fshatit tonë i kemi djem xhevahirë që ia dinë ku i rreh çekani punës. Njëherë, pasi mora katërditëshin e pushimeve të blegtorisë, vendosa të kaloja nga shkolla për të pyetur për djalin tonë, Velon, që vazhdon klasën e pestë. Në korridor u takova me Avenir Lakun, mësuesin e historisë i cili me regjistër në dorë po matej të hynte në klasën e tij. U gëzova që më ftoi. Sa për Velon, e ke djalë të urtë, tha.
-Sot kemi temë të re, shtoi dhe u hodh në mësimin e ri: Kryengritjet e Spartakut. Nxënësit, shokët e shoqet e djalit më ndiqnin me sy dhe pëshpërisnin tek rrija në këmbë. Por Aveniri më afroi karrigen e tij për t’u ulur.
-Atëhere, vazhdojmë!-u dëgjua zëri i mësuesit dhe në klasë si nga një dorë e padukshme, u vendos qetësia.
Po dëgjoja si ai nxënësi i zellshëm. Velos, atje në bankë, ia kishte mbuluar fytyrën ngjyra e lulëkuqes; por sikur u çel kur mësues Aveniri nuk pyeti për mësimet e kaluara dhe u hodh në shpjegimin e mësimit te ri: “Krengritjet e Spartakut”.
-Spartaku ishte një gladiator si qindra të tjerë,-tha mësuesi.-Gladiatorët ishin skllevër që ziheshin me njeri-tjetrin, ndërsa skllavopronarët kënaqeshin, argëtoheshin me ta sa s’ka më mirë. Spartaku, siç ju thashë, u bë komandant i tyre. Ai ishte i fuqishëm dhe kishte një trup…me kë t’ua krahasoj unë këtu në fshat? Me kë, hë? Me…Sulejmanin e Fatimesë!
Në klasë u dëgjuan të qeshura.
“Hë, më të lumtë, o Sulejman që të krahasuan me Spartakun”, -thashë me vete me bekçiun e fshatit tonë. Pasaj u futa në të thella: “More, po ku e ka parë ky Aveniri këtë Spartakun, xhanëm?! Po, nejse. Ai e di!”
-Pas kësaj në krye të ushtrisë së tij,-shpjegoi mësuesi,-Spartaku zuri qytetin Kapua. Më kuptoni? Qytetin Kapua, jo Kapo Kabadhën e fshatit tonë! Mos i ngatërroni këto të dyja.
Mësuesi, si mori frymë thellë, vazhdoi:-
-Ushtria e skllevërve me Spartakun në krye u gjend e rrethuar në një vend të ngritur, si t’ua them unë….Ja! Si në Lajthishten e Vogël. Ndërsa, ushtria e skllavopronarëve, që e ndiqnin këmba-këmbës, kishte zënë vend poshtë tyre, siii…..në Lajthishten e Madhe!,- dhe mësues Aveniri, si për t’u siguruar , pyeti klasën:
-Ku ishte ushtria e skllavopronarëve? Ku kishte zënë vend, pozicion?
-Në Lajthishtln e Madhe!, -buçiti klasa.
Unë, mend ia plasa gazit.
-Po skllevërit, skllevërit me Spartakun?
-Në Lajthishten e Vogël!.-.buçiti sërish kori i nxënësve…
-Pra, vetëm i krahasuam vendet,- sqaroi mësuesi duke vazhduar:
-Mirëpo, Spartaku, dha urdhër që skllevërit të këpusnin kulpra, kulpra si ato që kanë mbirë te Ura e Kardhiqit, dhe, duke u varur nga shkëmbinjtë me to, u dolën prapa shpine.
Befas, ra zilja dhe, kur do të ndahesha me mësues Avenir Lakun, ai më tha:
-Eja, eja përsëri të premten , po munde, që ta dëgjosh vetë djalin në mësim!
Kështu vendosa edhe unë.
Pas dy ditësh u duka përsëri andej nga shkolla. Seç më kishte hipur një dëshirë ta dëgjoja vetë zërin e djalit në mësim. Në lëndët e tjera Veloja i mori nga dy nënta e një dhjetë. Më nderoi qerratai. Më ngriti supet. Por, ama, në histori, më duket se e qullosi.
Nuk them se nuk foli. Por më mirë, le t’ju rrëfej ç’mbaj mend si sot, nga ligjërata e tim biri.
Mësues Aveniri, sa ra zilja e fillimit të orës së historisë, si ta kisha lënë me porosi, ngriti Velon në tabelë. Epo, do ta qajë Spartakun , mendova.
Dhe Veloja i ngritur në mësim, pak i hutuar nga prania ime në syë e shokëve, ia nisi temës që e kishte bërë ujë:
-Spartaku ishte një gladiator trim, që argëtonte skllaopronarët…Me trupin e tij të fuqishëm ai ngjante …ngjante si…Sulejmani i Fatimesë…
Në klasë u dëgjuan të qeshura.
“Edhe kjo na u desh, thashë me vete. Të qeshë edhe fshati, tani!…
Ndërkohë, mësues Aveniri e ndihmoi:
-Velo, përmbaju tekstit…
Mirëpo, ca nga unë që isha ulur si inspektor në tavolinë, e, ca nga të qeshurat, Veloja im po i merrte patat për rosa, duke thënë kuturu ato që mbante mend nga shpjegimi i mësimit të kaluar.
-…Më vonë Spartaku zuri qytetin Kapua.
Mua më bëhej se më hidhnin ujë bore në kokë.
-Por me gjithë trimëritë, ushtria e Spartakut u gjend e rrethuar në vendin e quajtur …në Lajthizën e Vogël, ndërsa skllavopronarët ishin vendosur në kodrat e një vendi më të ulët, në…Lajthizën e Madhe!…
“U hutua”,-u dhashë karar mendimeve që më sollën djersë dhe po dëgjoja, por, kësaj here, jo më si prind, por si nxënës.
-Si shpëtoi Spartaku nga ky rrethim i tipit unazë?-pyeti mësuesi me qetësi strategu, duke tundur ne ajër si ata dirigjentët në TV shkopin e tregimit të hartave të gjeografisë.
Por Veloja sikur e kishte në majë të gjuhës përgjigjen, ia nisi të bilbilojë:
– Ushtria e tij këputi kulpra në Urën e Kardhiqit dhe me to, u varën nga shkëmbinjtë e mprehtë. Kështu u dolën skllavopronarëve prapa shpine,
Mësuesi m’u drejtua mua:
-Unë u mundova t’ua bëj mësimin sa më konkret dhe sa më të kapshëm…Por është temë e vështrirë edhe, djali u hutua ca.
-E po, domosdo,-ia prita.-Kjo ndodh kur përshembëllehet mësimi me krahasime të goditura. Edhe nga fshati, edhe nga krahina jonë..Se ndryshe, nga njeri vesh do t’u hyjnë dhe nga tjetri do t’ju dalë.
Këto më erdhën ndër mend nga ato vite të kaluara, qëmoti, pa sot…sot në kohët më moderne, nxënësit janë, ku e ku, dhe të marrin gjak në vetull, e nuk e humbasin si Xhaferi simiten, siç thuhet nga anët tona.

MIGJENI në vargjet e mia – Cikël me poezi nga Përparim Hysi

1.Në ditëlindjen e MIGJENIT *

Ja… u mbushën 100-vjet,pse më dukesh prapë i ri?
Prozator,por dhe POET(më të bukur s’kish se ti)
Ti i bëre mushkëritë copë,për punëtorin dhe fshatarin
ZEMRA JOTE SA NJË BOTË( NË TË GJEJE QYTETARIN)

Realitetin vizatove si piktor,por pa penel
Dhe mjerimin e dënove gjer në rranj e ca më thellë.
Ngrite zërin si trimosh,zëri yt u bë kambanë
Ndaj më je aq bukurosh (ndaj të gjithë MIGJEN,të duam.)

Ti me shkrime promotor,në gjithë shkrimet si risi
Ishe gjithë si meteor, i bekuar nga PERËNDI
Sot u mbushën 100-vjet(do kalojnë vjete e shekuj)
PROZATOR dhe POET:kurrë nuk ke për të vdekur.
*shkruar më 13 tetor 2011

2.Thirrje MIGJENIT

Nëma grushtin tënd,të ligjshëm,MIGJEN!
T’u bie mu në surrat politikanëve
T’i shoh si dridhen në Parlament
Ku bëjnë si qensallhane.

Hajde bashkë me mua në Parlament
Të shohësh se ç’sehir!
Sikur vinë nga tjetër planet
Të gjithë me një fytyrë.

Askush tek ne që u dhamë votën
Nuk vjen qoftë dhe për një hall
Të “lodhur” janë,gjezdisin botën
Në Parlament bëjnë rrumpallë.

Nëma grushtin tënd,të ligjshëm MIGJEN”
T’i heqim nga “arena”
Se e kthyen PARLAMENTIN,MIGJEN!
Si arenë kur përleshen “dema”.

Nëma grushtin tënd,të ligjshëm,MIGJEN!
T’I godasim fortë!
Mos i shohim të”lozin” si në skenë
SE ndryshe po kthehen në skortë.

3.Poetët që vdesin të rinj

Janë me dhjetra POETËT që kanë vdekur të rinj
Dhjetra plagë mua më janë hapur në shpirt.
Më dridhet zemra dhe kam dhimbshuri
Sa herë që i kujtoj(edhe sot,çuditërisht)

Ndjeva dhimbje.kur në duel u vra PUSHKINI,
Në duel dhe LERMOTOVI,ndërsa SHELLI u mbyt në liqen
Lot lëshova kur vari veten ESENINI
Por dhembjen më të madhe,kur ndërrove jetë MIGJEN!

RRESHPJES “i veshën këpucë të reja”
NDOC GJETJA dha shpirt në”shtëpi të botës”
Është mirë që shkaktarëve mu mbi kokë t’u bjerë rrufeja
Nga dhimbja po më luan çarku i kokës.

Vargu i tyre,mjerisht është i gjatë
Dhe të gjithë nuk i qan dot në një vjershë
POETËT që vdesin të rinj,më hapin plagë
Çdo plagë rri e hapur dhe rrjedh.

4.Bukuria vazhdon e vret *
KOZETA 15-vjeçare nga Vermoshi vdes nga apendisiti
Hiqe dekoratën.kryeministër!
Se vdiq KOZETA 15-vjeçare në VERMOSH.
Shkele me këmbë dhe ti shëndetësisë ministër!
Të vdesësh në këtë moshë( a nuk është paradoks?)

Po ku është shteti,ky gjumshi i neveritshëm
Që s’kujdeset për shtetasit,po fle e bën pallë.
Kujt i kapërdisesh me dekoratë kryeministër
Bashkë me ministrin e shendetësisë turpin e kini mbi ballë.

Bukuria,siç duket,prapë po vret
Si në kohën tënde,i pavdekshmi,MIGJEN!
KOZETA e bukur,përmendore e turpshme,për ty shtet!
KJo martire e pafajshne për ju si anatemë.

Se emër tjetër hiç nuk meritoni
Kur shtetasit i lini në dorë të fatit
Pushtein që kini e turpëroni
Kambanë i bëj vargjet prej inatit.

* ka ndodhur më 5 mars 2003 dhe,që të nesërmen, me paturpësi,Presidenti dekoroi edhe kryeministrin NANO,por edhe ministrin e shëndetësis Mustafa Xhani.

5. Kur Enveri “vodhi OSO BAKALLIN” *

Enver Hoxha e “vodhi Oso Bakallin”
Dhe urdhëroi:-“Të çelen arkapija!”
Të ruajmë,-tha,- të pastër moralin
SE moral të pastër ka partia.

-A e patë se ç’ndodhi në Tepelenë?
Dy të rinj komunistë ranë”therorë”?!
Kjo ndodhi veç nga një”thashëethemë”
Të vihen “thashëethemexhinjtë” në terror.

Të ngrihemi të gjithë e t’i këputim kokën
Atyre që me gjuhën eligë na bëjnë pis
Si mund të hedhin baltë mbi kohën,
Mbi kohën e”ndritur” të partisë?

Urdhëroi:- Të ruhet i patër morali
Armiqtë t’i ndëshkojë rreptë partia
Dhe ashtu si OSO BAKALLI
Enveri çeli “arkapija”

*Oso Bakalli- personazh i Migjenit
Në Tepelenë dy të rinjtë vranë veten.

Tiranë,14 tetor 2024

“Rrënjët e Mitrush Kutelit janë në Çamëri”- Origjina e fisit dhe letra e djalit të shkrimtarit!

ENVER KUSHI/ Mund të ketë qenë fundviti 1983 ose ndoshta edhe fillimi i vitit 1984, kur Rikard Larja, një nga njerëzit më fisnikë që kam njohur, por edhe aktori dhe regjisori i mirënjohur i filmit shqiptar, më ftoi për kafe. Nuk kisha shumë kohë që kisha filluar punën si skenarist në redaksinë e filmit artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”. E pranova me kënaqësi ftesën e tij, por edhe me një farë ndroje, sepse isha i ri në atë institucion të madh të filmit shqiptar, i rrethuar me emra të njohur regjisorësh, skenaristësh, piktorësh etj..

 

Nga ana tjetër, nuk bëja pjesë në rrethin shoqëror të tij, me gjithë respektin që kisha për të. Mbaj mend se që nga dalja nga porta e madhe e Kinostudios e deri në lokalin e vogël, brenda territorit të këtij institucioni, folëm shumë pak me njeri-tjetrin, se nëse isha lidhur me ndonjë regjisor apo paraqitur ndonjë bocet për skenar. Ti je me origjinë nga Çamëria, më pyeti Rikardi, teksa porositëm kafenë e çikores. Po, i thashë. Atje i kam rrënjët e mia. Të parët e t’u janë nga qytetet e zonës bregdetare Parga, Preveza apo Arta? I thashë se ata janë nga një fshat që quhet Spatar, shumë afër qytetit të Filatit dhe se si më ka treguar nëna ime, nga lagjja e saj, që quhet ‘Breg’, duket si në pëllëmbë të dorës deti Jon dhe qyteti i Korfuzit. Ai pastaj heshti dhe pasi rrufiti kafenë e çikores tha: “Ti e di që unë jam dhëndër Pogradeci dhe shkoj shpesh atje…”.

“Ç’lidhje ka Pogradeci me Çamërinë, mendova teksa vështroja portretin e tij, aq të njohur dhe të dashur për shqiptarët. Timbri i zërit të tij ishte i butë dhe shkodranishtja, nuk e di pse në të folurën e Rikardit, kishte një kolor tjetër, diçka si prej erërave të qytetit verior, përzier me aromat e veçanta të liqenit dhe ujërave të Drinit e Bunës. Me Marjetën kam shkuar në shtëpinë e Mitrush Kutelit në Pogradec, ku banojnë të afërmit e tij… Dhe pas një heshtje të shkurtër, shtoi: “Kutelët janë me origjinë nga Arta… Besoj se ke dëgjuar për Artën… Sa emër të bukur ka”. Pastaj përmendi emrin e një zonje të moshuar, ( emrin e të cilës nuk e mbaj mend). Atje kam dëgjuar zërin drithërues të saj kur përmend Artën, qytetin e rrënjëve të Kutelëve. Pastaj zëri i zonjës nga drithërues e i përmallshëm bëhet befas i egër, kur thotë: “Ah! Ai qeni, Ali Pashai, na përzuri me dhunë nga Arta. Prej atij qeni lamë Artën tonë të bukur”.

Këto më rrëfeu fisniku Rikard Larja, në lokalin e vogël të Kinostudios, 40 vite më parë. Ishte hera e parë që e dëgjoja këtë fakt, pra që të parët e shkrimtarit tonë të madh, Mitrush Kuteli ishin me origjinë nga Çamëria ime e bukur. U gëzova si fëmijë nga rrëfimi i bukur i Rikard Larjes. Për Idromenot kisha lexuar një libër të vogël, ku shkruhej se të parët e Kol Idromenos ishin nga Parga, se kishin shkuar në Korfuz e që andej, vendosur në Shkodër, ku kishte lindur një nga personalitetet e shquara të këtij qyteti, Kol Idromeno.

Nuk dua të zgjatem në librin e Ibrahim Manzur Efendi “Kujtime për Ali Pashën”, që ishte mik dhe armik i Pashait të Janinës, ku flet me realizëm tronditës për 10 majin e vitit 1819: “Pargonjotët të indinjuar, morën vesh se po afroheshin trupat e Pashait, ndërsa anglezët i kishin braktisur… Parganjotët të pikëlluar, shkuan grumbull në qimitrio dhe duke rënkuar nxorën nga varret eshtrat e gjysheve të tyre dhe me nxitim formuan një turrë të madhe me dru, mbi të cilën dogjën arkivolet dhe trupat e atyre që ishin të lumtur se nuk do të përjetonin rënien e atdheut. Shumë parganjotë, përpara se t’i hidhnin në flakë mbetjet e pajeta të paraardhësve të tyre, hoqën nga ato disa relike, për t’i marrë me vete në tokën e huaj, e cila këtej e tutje do t’u afronte një strehë, një pjesë nga ajo çfarë ata kishin me të shtrenjtë. Shumë morën disa grushte nga hiri i zjarreve që digjeshin, të tjerë një dorë dhe nga kopshtet, fushat që kishin qenë të tyret…

Largimi nga Parga përfundoi në maj të vitit 1819, ndërsa zjarri i eshtrave të gjyshërve të tyre, që vazhdonte të digjej, lëshonte dritën e fundit të flakëve funerale. Kur u largova nga Janina, në korrik 1819, e dija se parganjotët ndodheshin në Korfuz, akoma pa strehë e jetonin nëpër ullishte…” (Shih “Kujtime për Ali Pashën” botuar nga “Globus R”,botues Petraq Risto. Tiranë, 2003, fq.145, 147). Në shtëpinë time kam riprodhuar tablonë e piktorit Francisco Hayez(1791-1882), ku ka fiksuar atë që përshkruan më lart Ibrahim Manzur Efendi, studiuesi i mirënjohur dhe punëshumë e i palodhur, Prof. Ferit Hudhri, ka shkruar edhe për këtë tablo të piktorit venecian. Në këtë shkrim, qëllimi im nuk është të analizoj Ali Pashë Tepelenën, që sipas Sami Frashërit “Ka qenë shumë i zgjuar dhe i zoti. Në vendet që ka qeverisur, ai ka siguruar qetësinë, ka përmirësuar rrugët dhe ka ndërtuar shumë fortesa, ura dhe godina të mëdha e të forta. Por ka qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër, gjakpirës dhe intrigant”. Edhe letra që po publikojmë për herë të parë dhe është shkruar nga Pandeli Pasko, djali i Mitrushi Kutelit, më sjell ndërmend rrëfimin e Rikard Larjes.

NJË LETËR NGA SARAGOZA

Ishte prilli i vitit 1991. Ministria e Kulturës, ku unë punoja, ishte në Rrugën e Durrësit, në katin e tretë, ku sot është Ministria e Arsimit. Kishte kaluar ora 9 e mëngjesit, kur më telefonoi Abaz Dojaka, që më tha se më priste në zyrë. Zbrita me nxitim shkallët dhe pas pak trokita në zyrën e tij, që ishte në katin e parë të Institutit të Kulturës Popullore, godina e së cilës dikur ishte e Radio Tiranës. Kam një lajm të gëzuar, tha ai. Sapo më erdhi një letër. Nga Filati, pyeta unë. Abazi ishte nga Filati dhe me krijimin e Shoqërisë Politiko-Atdhetare “Çamëria”, ishte zgjedhur kryetar i kësaj shoqërie. Ishte ngjarje që në janarin e vitit 1991 u krijua Shoqëria “Çamëria” dhe fati madh që atë e drejtonte një nga njerëzit më të kulturuar që kam njohur dhe personalitet në fushën e etnografisë shqiptare. Letra nga ardhur nga Spanja e largët – tha ai. M’u duk si varg i baladës së famshme të Ago Ymerit. Nga Saragoza, shtoi Abazi.

Emri i këtij qyteti, që ndodhet në rajonin verilindor të Spanjës dhe ndërtuar në brigjet e lumit Ebro, më tingëllon i njohur, ndoshta nga romani i Petro Markos “Hasta La Vista”, por edhe nga një libër për Luftën e Spanjës (1936-1939) dhe një poemë e shkruar nga ish-Kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Pastaj befas më erdhi ndërmend emri i Thimjo Gogozotos nga Rrapëza e Pargës. Ai ka qenë nxënës në Shkollën Normale të Elbasanit. Në Spanjë ka shkuar në vitin 1938, ky çam trim “ra në Frontin e Ebros, në shtator të vitit 1938” (sipas prof. Bernard Zotaj). Djaloshi nga Çamëria ishte 24 vjeç dhe është shpallur “Hero i Popullit”.

M’u kujtu edhe një emër tjetër, ai i Zihni Muratit, djalit të Haxhi Muratit nga Spatari im, që kishte shkuar edhe ai në Spanjë. Ai ishte oficer dhe komandant kompanie. Më 4 tetor 1938, në moshën 29- vjeçare” vritet nga një bombardim pa lënë asnjë gjurmë”(sipas prof. Bernard Zotaj). Në numrin e datës 2 tetor 2023 të gazetës “Dita”, Prof. Bernard Zotaj, botoi shkrimin “Bijtë e Çamërisë, që ranë në Luftën e Spanjës”, dy emrave të mësipërm i shton edhe një të tretë, atë të Xhelal Abaz Çamit, nga fshati Kurtec i Grikohorit, i cili është plagosur katër herë me plagë të rënda, por falë kujdesit të Justin Ashkupit, i shpëtoi jeta. Xhelal Çami u largua nga Franca dhe erdhi në Shqipëri në korrik të vitit 1952. Ai vdiq më 14 prill 1953 në Sanatoriumin e Tiranës.

Mbasi ma zgjati letrën, e lexova ngadalë deri në fund. Pastaj e lexova prapë. Ai i vuri re emocionet e mia, teksa lexoja e lexoja këtë letër, shkruar me makinë shkrimi, ku në krye, lart në të djathtë ishte adresa nga vinte letra: Saragozë, 28.03.1991, ndërsa në të majtë, adresa e marrësit “Doc.Abaz Dojaka. Nismëtar i Shoqërisë Çamëria”. E lexova me zë fillimin e letrës!

“I nderuar docent, lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse megjithëse lindur në Tiranë prej prindërish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për t’i shpëtuar shtypjes së atij qeni Ali Pasha”. E ndala këtu leximin dhe i fola Abaz Dojakës për rrëfimin e Rikard Larjes, për zonjën nga familja Kuteli, që kujtonte Artën, të parët e saj, larguar për t’i shpëtuar shtypjes së atij qeni Ali Pasha etj., etj..

Do t’ia lë lexuesit t’i bëj komente kësaj letre, dërguar nga djali i Mitrush Kutelit, Pandeli Pasko, shkruar bukur, me shumë informacion dhe emocion për Kutelët e famshëm të Artës, për dokumentet me interes që gjenden në Artë për familjen Kuteli, për motrat e babait dhe xhaxhi Pasko (Pasko Milo Pasko), që vazhdimisht më tregonin për mjegullën e origjinës të fisit tonë, për tregimet e Kutelit, ku flitet me dashuri e dhimbshurin për Çamërinë. Letra mbyllet me këto fjalë. “Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar anëtar i Shoqërisë “Çamëria”.

Me respekt, Pandeli Pasko

Duke botuar këtë letër, pas 33 vitesh, i bëjmë homazh emrit dhe veprës së madhe të prozatorit – shkollë të prozës shqipe, Mitrush Kutelit, si dhe të parëve të Kutelëve, çamëve fisnikë e të kulturuar nga Arta. Është rasti të falënderoj në emër të shpirtit të patjetërsueshëm dhe vital të Çamërisë, Pandeli Paskon, pasardhës i denjë i Kutelëve, që krenohet me rrënjët nga brigjet plot dritë të Artës. Lidhur me atë që shkruan Pasko, për përkrahjen që i ka dhënë Fatos Mero Rrapajt, Mitrush Kuteli, për mbledhjen e folklorit çam, në gazetën “Çamëria të marsit 2002, ku është botuar intervista e Fatos Mero Rrrapajt, ky i fundit pohon: “Një nxitje për të mbledhur më mirë folklorin çam kam pasur edhe nga miku im Dhimitër Pasko dhe i nderuari prof. Eqerem Çabej”.

NË VEND TË MBYLLJES: URA E ARTËS

Disa vite më parë, në janarin e vitit 2013, teksa kaloja mbi Urën e Artës, befas ndala në mesin e saj. Mbaj mend që regjisori Kujtim Gjonaj, më pyeti se përse qëndroja si i ngrirë atje. Ndjej dridhjet e Urës, i thashë Kujtimit. E ke lexuar baladën greke “Ura e Artës”? Dhe pa pritur përgjigjen e tij, citova vargjet:

Siç dridhet zemra ime

U dridhtë edhe kjo urë.

Dëgjoj edhe amanetin e saj, si në baladën çame:

“Do të mbijë kutu nji fik i bardhë,

Kur të pjekë aj kokrrën e parë,

Ju t’ia ipi djalit tim të hajë”

Dëgjoj edhe rënkimin e gruas së murosur. Edhe pëllitjen e një demi dhe të një dashi që bërtet. Edhe zërin e nuses së re çame e murosur në këmbët e kësaj ure: “Oh medet”! Medet”!

Pastaj bëra tutje nëpër urë, duke përsëritur fjalët e baladës çame: “Oh medet”! Medet!” Nga vinin këto fjalë, këtu në mesin e Urës së Artës? Nga themelet e saj, ujërat e lumit të turbullt të Artës, harqeve apo ishin zërat e shpirtrave të Kutelëve, paraardhësve të Mitrush Kutelit tonë të madh? Ata me siguri kur janë larguar nga qyteti i Artës, kanë qëndruar në mesin e kësaj ure, pastaj kanë kthyer kokat pas për të vështruar për herë të fundit qytetin e tyre të bukur, me kodrat e buta, ullinjtë, limonët e portokajt, erërat dhe aromat e detit. Dhe ndoshta ashtu si unë kanë dëgjuar për të fundit herë rënkimin “Ah medet! Medet!”. Pas linin jo vetëm shtëpitë, varret e të parëve, por edhe përrallat, mitet, legjendat, këngët dhe vallet e bukura çame. Kronika shkruan, se ishte viti 1810, kur kapërcyen Urën e Artës dhe morën “dhromin”, rrugën drejt verilindjes, për t’u vendosur në ca brigje te tjera shqiptare dhe pranë një qyteti, që quhej Poradec dhe një liqeni lirik e të bukur, që ishte larg, shumë larg rrënjëve të tyre.

Atje, do të lindnin pasardhësit e Kutelëve, nga Arta e Çamërisë, që siç shkruan në letrën e tij, Pandei Pasko: “I ndjejnë rrënjët në Tokën Çame”.

Saragozë, 28.03.1991

Doc. Abaz Dojaka

Nismëtar i Shoqërisë “Çamëria”

i nderuar docent,

Lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse megjithëse lindur në Tiranë, prej prindërish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për ti shpëtuar shtypjes të atij qeni Ali Pasha. Jam i sigurt, se një ditë atje në Artë, do të gjenden dokumente me interes për familjen tonë Kuteli, për breza e breza priftërinjsh e detarësh. Sot jemi të shpërndarë në Tiranë, Pogradec e Durrës. Vitin e kaluar kreva një specializim në Francë, në INRA të Avinjonit, ku më vështruan me kuriozitetin e shqiptarit të parë që shihnin. Kohë më kohë më flisnin me admirim për profesorin turk Qazim Abak, i cili kishte kryer studime me interes e sot është nga më të njohurit në rrethet bujqësore turke.

Aty kishin kaluar edhe studiues të tjerë, po mua për Qazimin më flisnin. Fati më solli të takoi Prof. Abakun nga Universiteti i Adanasë. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e njohjes Qazimi më drejtohet: “Si i thonë shqip feu – a i thonë zjarr? Po pain – a i thonë bukë? Mbeta i habitur, po Qazimi vazhdoi: “ Mos u habit. Jam gjysmë turk, gjysmë shqiptar. Shqiptar nga kjo pjesa këtu (dhe më tregoi anën e zemrës). Këto fjalë mi ka mësuar gjyshja nga Çamëria”. Me Qazimin u përqafuam shqiptarçe, kurse miqve francezë u thashë se nuk kam nderin të jem shqiptar i parë në Montjavet, sepse i pari kish qenë prof. Qazim Abak. Megjithëse kanë kaluar disa breza, motrat e babait dhe xhaxhi Pasko (Pasko Milo Pasko) vazhdimisht na tregonin për mjegullën e origjinës të fisit tonë. Ndjenjën e afërsisë me këtë vend origjinë ma kanë shtuar edhe ato pjesë të tregimeve të babait (Mitrush Kuteli), ku flitet me dashuri e dhimbshuri për Çamërinë. Për këtë dëshmon edhe nxitja që jepte dikur babai Fatos Rapajt, mbledhësit atdhetar të folklorit çam. Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar anëtar i shoqërisë “Çamëria”.

Me respekt Pandeli Pasko

Panorama

“Vegjetariania”, një roman kundër dhunës- Nobelistja Han Kang në shqip, Hudhri: Librin e përktheva që të kuptoja time bijë

TIRANE

E shpallur fituese e Nobelit në letërsi të enjten, shkrimtarja koreano jugore Han Kang, është takuar me lexuesit shqiptarë përmes romanit “Vegjetariania”, botuar nga Onufri në vitin 2019. Botuesi Bujar Hudhri, njëherësh përkthyes i veprës nga rusishtja, tregon si e zgjodhi për botim.

“Sigurisht duke qenë botuesi i shkrimtarit më të mirë shqiptar, kam synuar që nga letërsia e huaj të sjell më të mirët. Ne e morëm këtë autore se u vlerësua me çmimin ‘Man Booker Prize’. Dhe e përktheva sepse doja të dija ca është një vegjetariane, se ime bijë është vegjetariane dhe doja ta kuptoja më mirë”, tha Hudhri.

E vlerësuar për prozën e saj intensive poetike, që përballet me traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore, Kang, në këtë roman trajton tabutë dhe dhunën por duke dhënë mesazhe paqeje.

 

“Vetë autorja është vegjetariane, ajo në moshën 12-vjeçare gjen një foto album të protestave të përgjakshme me regjimin, kafka të thyera, njerëz të përgjakur dhe vendos të bëhet vegjetariane që atë ditë. Ajo bën pyetje të tilla si: pse njerëzit janë kaq të ashpër, pse derdhin gjak, pse janë kaq të dhunshëm. Vegjetarianaët janë kundër ndalimit të një jete tjetër dhe mesazhi është i rëndësishëm është një thirrje për paqe”, tha botuesi.

Vepra u përkthye nga rusishtja, pasi versioni anglisht ka pasur kritika të shumta mbi pasaktësitë e frazave dhe kuptimeve të përcjella. Kang, vjen nga familje shkrimtarësh, ku vëllai dhe i ati lëvrojnë letërsinë.bw

Xhevahir Spahiu, modern kur ndalohej moda- Esse nga Fatbardh Amursi

Pas shumë vitesh, me poetin Xhevahir Spahiu, u këmbyem në panairin e librit. “Ti je ai i Lushnjes?”, ndali pak, më dha dorën dhe u largua. Më erdhi mirë, që më mbajti mend. Pas goditjes së madhe, kur e emëruan libretist në “Opera dhe Baleti” do më thoshte: “Tani përpiqu të shkëlqesh sa më pak, më këshilloi një mik.” E keqja i kishte ardhur pikërisht prej shkëlqimit. Mburreshin me elektrifikimin e vendit, duke mos duruar shkëlqimin e askujt. Në vitet `60, në debatin e ashpër midis anakronikëve dhe të rinjëve, Enver Hoxha, mbajti anën e Kadaresë e të Driteroit me shokë. Në vitet 70` Fadil Paçrami, duke dashur të imitojë E. Hoxhën, e pëson keq: “Unë këtu gabova sepse mora anën e të rinjve.” Një prej tyre ishte dhe Xhevahir Spahiu. Ka kritikë, që brezin e viteve `60 e quajnë “të rusifikuar”, duke mos i qendruar plotësisht së vërtetës.
Në kohën e Hoxhës, Shehut, Haxhiut e të Myftiut, poeti Spahiu shkroi poezinë “Jetë”, e cila u kritikua për ndikime nga Sartëri, i cili refuzoi çmimin Nobël, duke pranuar atë Lenin?! (Komunisti Spahiu s`kish lexuar asgjë prej komunistit francez, Sartër. “Gjyshja, kujton Xhevahiri, më mbante kokën në prehër dhe qante për 50 vitet me radhë të motrën që e kishte në Francë”, atje, ku Kadaresë iu ndihu fati.) “Pemë po të isha e të mbija ndanë lumit/Do të gjelbëronin shpresat, do të binin prej meje fletët e trishtimit/Mbi degët e përkulura do të thithej bora e do të ulërinte era/Degët do të ëndërronin/Të vinte pranvera.”-janë vargjet e para të poezisë, që i hapi aq shumë telashe. Me sa duket, poeti, kishte ndërmarr një protagonizëm, që i lejohej vetëm atyre lart. “Trungun tim druvarët le të vinë e ta presin/…Me drurin tim le të bëjnë gjithçka,/Por jo arkivole”, pa i shkuar në mend se sëpata e diktaturës do binte mbi të, për fat, duke ia kursyer fundin tragjik. “Jam ai që s’kam qenë/Ai që do të jem nuk jam.”, janë vargjet me gjasa i influencuar nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit, që Hoxha do t`i interpretonte me gjuhën e djallit: “Spahiu në këtë poezi është ndikuar nga Sartri, i cili, nga ana e tij, ishte maoist. Si i tillë, ai ishte materialist metafizik. Spahiu bie në pozitat e tij kur thotë “Jam ai që s’kam qenë”. Kjo nuk është e vërtetë, pasi e sotmja ka një këmbë tek e djeshmja. Nuk është e vërtetë se “ai që do të jem nuk jam”, sepse e nesërmja e ka një këmbë tek e sotmja.” Njihet prirja e e liderëve për të projektuar veten tek të tjerët. Duke mos qenë nesër ky që jam, humbet dhe varësia për të qenë ndjekës i tij, kur kërkohej vazhdimësia. Poetin e ndjek fati i personazhit të Kunderës në romanin “Shakaja”, i cili në kartolinën e viti të ri i shkruan së dashurës: “Optimizmi është opium për popullin.” Gjatë kontrollit në shtëpinë e një zyrtareje të arrestuar, në një fletë të shkruar gjejnë “simpozium për rakinë”, ku parashtroheshin temat e diskutimit: “Çfarë kanë thënë klasikët e marksizëm-leninizmit për rakinë?”, “Lufta kundër ideologjisë borgjeze, që nënvleftëson rolin e rakisë në revolucion?”, etj. Rezultoi se autori i kësaj shakaje ishte Xhevahiri. (Fidel Kastro e pëlqente rakinë e Skraparit dhe ia dërgonin shpesh.) Në vitin 1979 botoi vëllimin “Zgjim i thellësive”, i cili pas disa ditësh hiqet nga qarkullimi dhe kthehet në karton, pavarësisht se vlerësohej nga kritika për partishmëri.
Vjersha “Poezia”, e nisur si një ngacmim shoqëror ndaj Teodor Laços, i kthehet në telash. “Zogj kini një armik për vdekje/Do t’ju shkulë pendët dhe do t’ju thyejë krahët/Do t’ju kthejë në gur të palëvizshëm e pa zë.” Kjo hata do ndodhte në Plenumin IV. “Zogj kini një armik për vdekje/…Ai u turret poetëve/Armiku juaj është armiku ynë/E do pa krahë poezinë./Zogj të dashur/Me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:/Para se ai të na nxjerrë sytë,/Ata sy që shohin lart dhe larg,/Nxirriani sytë me sqepat tuaj.” Ai që shihte lart e larg dihej: largpamësi. Realisht poezia i drejtohej redaktorëve apo aparatçikut burokrat. Driteroi në një poezi i drejtohet redaktorit asket, të cilit i vë mbi varr lule, që, ai ia kishte hequr nga poezitë, sikurse në kinostudjo priteshin sekuencat me të puthura. Poezitë që bënin jehonë poshtë, shiheshin me lupë lart. Thuhet se bashkëshortja e diktatorit e mori si një insinuatë ndaj të shoqit. “Unë s’jam i vdekur që të mos gaboj”, reagon poeti ndaj censorëve, redaktorëve, të cilët jetonim me frikën se mos po bëhej gabimi. Për të mbuluar fajet e tyre merreshin me gabimet tona. “Thyeji syzet, Miçooo,/kuptoje bujarinë time të pafund./E ç’do të ishe ti, o mor i gjorë,/po të mos gaboja unë?” (1972) Të gjithë ata që i hapën luftë burokracisë, përfunduan të mundur prej aparatçikëve. “Është e vërtetë:/ai burrë që çapitet asnjëherë s’ka gabuar./Po më duket harrove të pyesësh:/a ka jetuar?/Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj,/gjysma tjetër komploton kundër saj.” Vargje që duhen shkruar në hyrje të parlamentit apo të paneleve ku bëhen debate. Në vitin 1985, jo pa aludime, do shkruaj: “Qeni im, kush të vrau,/…Një histori dhelprash është varrosur me ty.”, ngaqë vrasësit fshihen. Zemërimi i poetit ia kalon dhe Akilit vetë: “Ju prisnit trëndafilë, u hodha hithra,/me thikat e sarkazmave ju rashë/…një ditë gjithçka mund të ma merrni,/po penën kurrë nuk ma merrni dot!” (Gusht 1977) Me gjasa se po shkruante për Migjenin, bëhet dhe më luftarak: “Nuk është sëmundja që ma bren mushkrinë;/as brengë e dashurisë. As dhe fati,/Jo, mos ma shkulni heshtën që në brinjë/Ma nguli koha me sa fuqi që pati.”
Poeti s`harron, ndaj u kujton se konti i Monte Kristos, është ende gjallë tek ai: “M’i morën shokët zyrat, aeroportet,/simpoziumet ndërkombëtare,/…të tjera fytyra e kanë zënë vendin tim;/a thua të ketë mbetur ndonjë humbëtirë për mua/në këtë marramendje harrimi?/M’i morën shokët pa mëshirë,/shihemi rrallë,/rrallë e më rrallë piqemi;/më buzëqeshin maturisht prej tribunave,/më përshëndesin fluturimthi pas xhamave të makinave/…E bukur kujtesa,/po më i bukur harrimi.”(1989) Edhe në një takim intim mungon gëzimi: “Në pritjen e së dashurës akrepat thyen si dy krahët e një zogu, që s’ekziston./Unë mora pikëllimin për dore/dhe ika.” Këto vargje të shpërndara, kur i bën bashkë, të japin mundësinë të njohësh dramën e poetit. Dhe sa më lirik të ishe aq edhe më i zymtë binte sipari. Pyetjes: pse nuk u burgos Xhevahir Spahiu, Arshin Xhezo i përgjigjet: “Ata e mbrojti talenti.”, duke mos e dëgjuar këshillën e mikut, që, të shkëlqente sa më pak.
Kohët ndryshojnë, por poeti mbetet njësoj. “I thanë fjalës: tani je e lirë./Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet./E ç’më duhet/kur s’u thashë atëherë kur duhet?/…Vështirë, tha fjala, sa vështirë/të besosh se je e lirë;/pasi ke ngrënë rrokjet e tua,/pasi ke mbetur cung/dhe liria bëhet burg.” E shkruar më 21 shkurt 1986, do i shkonte titulli: “Vdiq fjala e pa thënë”. “Ç’mënxyrë ia ul kokën/asaj pishe që s’tundet?/Çdo ditë mbi të një sorrë shkon e ulet.” (1981) Koha tregoi se sorrat ndollën më shumë gjëma nga korbat. “Ju mund të pyesni; pse kaq dhembje, Pse në çdo fjalë pikon trishtim? Marr penën, nis t’ja them një kënge/ Kënga del britmë rebelimi.” Sepse: “Vija të bardha majtas,/vija të bardha djathtas,/vija të bardha para,/vija të bardha mbrapa,/vija të bardha,/vija të bardha,/vija të bardha, ma nxitë jetën.” (Ai shkroi dhe për “Vdekjen e perëndive” me bindjen se shtëpia e zotit duhet pastruar prej demonëve. E ceka poezinë e “indroktrinuar”, ngaqë më çudit fakti, se vetëm Ismail Kadaresë s`i lënë rast pa ia vënë në dukje “flirtet” me regjimin. Një poeti modern, që shkroi në kohën kur ndalohej moda, partishmëria apo të qenit komunist, s`është një gjyle që i rri nëpër këmbë, por një shashkë në duart e keqdashësve.) “Unë, duke qenë pak i pa mbledhur, si të them i pa lidhur, por i lidhur fort me karakterin tim.”-shpjegon veten poeti në një rrëfim, që të mos e ngatërrosh me mëzin lidhur pas karrocës së pushtetit. “Shikoja trungjet e ullinjve me ato gropat si plagë, si sytë e një të verbëri.”-perceptim poetik i lindur, ndaj poezia e tij është burimore. “Me që po ngrysej, Haxhi Bektash Veliu i tha diellit: “Mos lëviz!” dhe ai s`lëvizi, deri sa varrosën të vdekurin.”-kujton rrëfimin e gjyshes. Në vendlindjen e Xhevahirit vjershat e Naimit i këndonin dhe barinjtë. “Nuk duhet të kërkojmë në çdo gjë logjikën, sepse jeta ndonjëherë ikën kundër logjikës.”-vazhdon ai të shpjegojë veten dhe ti kupton se ngjizja e poeti është më e hershme nga koha, kur ai mësoi rregullat dhe parimet se si shkruhet poezia. “Do të vdes,/do të vdes i mbytur në borxhe,/s’është asgjë mbytja në lum a në dhomat e gazit/I kam borxhe nënës, që s’ia ngrita varrin,/…I kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,/I kam borxhe krimit që s’i vura emër.”-ndërkohë që xhambazët vazhdojnë të sillen në atë mënyrë, sikur i detyrohemi. “Pse qielli i pasqyruar në pellg është më i bukur se i vërteti?-pyet mikun e tij Çapajev Gjokutajn dhe po vetë përgjigjet:-e pëlqejmë qiellin e pellgut se e kemi nën këmbë, na bën të ndihemi zot, ai sipër na bën të ndihemi rob.” S`është e lehtë, që në kohën kur këshillohej nënshtrimi, t`i të këmbesh robin me zotin.
Fatbardh Amursi

A K U A R E L I- Poezi nga ATDHE GECI

Të  gjithë  jemi  dëshmitar  të kohës që
jetojmë. Koha jonë jemi  ne; unë, ti, ai
të gjithë ne jemi udhëtar  të  shquar të
tokës,udhëtar të shquar poetik të jetës!
Ndonjëri nga ne do  t´i  mbijetoj kohës
të sotmes që ikë e të nesërmes që vjen
ky njeri mund të jetë shkrimtarë,artistë
shkencëtarë, arkitektë, muzikëtarë, pik
bujk i kulturuar, sportistë  dhe marinar.
Shkrimet me pasion  të  krijuesve janë,
art i mbijetesës, i  kujtesës dhe krijimit
Kalimi  për  ta  përvetësuar origjinën  e
rrënjës dhe, të  identitetit është luftë e
të gjithëve deri në zgjidhjen e çështjes.
S´duhet të frikohemi nga origjina jonë,
shqiptarët e sotëm jemi  pellazgë-ilirët.
Lexues, jeta  e  njeriut jetohet njëherë
kalimi nëpër kohë-hapësirat  e  krijimit
s´ është i mundur pa dijës të mëdhenj,
asnjë vepër s´mund  ta bëj përkalimin
pa hy në peshoren  e kullimit të kohës.
Mik, ëndrrat  e dashurisë  s´përsëritën
fuqia e pasionit  poetik  është  mendje.
I munduri i ri mund të jetë kaosi-kohë,
por, të jetuarit me tëra kohët e njeriut
është kushtrim poetik  i të jetuarit sot!…
Atdhe Geci – Poezi nga dorëshkrimet

Kur “PUSHTIT” i hasi sharra në gozhdë- Tregim nga Përparim HYSI

“Unë shumë gjëra në botë nuk i di,
Po unë kurrë nuk shkruaj për gjëra që s’i di”
LEON FELIPE( poet spanjoll)

Ky”Pushti” ka patur dhe emër dhe mbiemër,por,meqë nga kjo jetë është ndarë ka gati 50-vjet, për”hyneren” që ka bërë,kur ka qenë në detyrë,po i vë këtë ndajshtim si një damkë që, kur ishte gjallë,e kish si të shkruar mbi ballin e tij të neveritshëm. Qe i madhi i rinisë në rrethin tonë(një nga rrethet më të mëdha të vendit) dhe qe fare i paskrupull:një pusht e shkuar pushtit. E kishte këtë detyrë jo për meritë të tij, po më tepër i farefisit që kish kontribuar në luftë kundër pushtuesëve. Qe i “madhi” i rinisë aty nga gjysma e dytë e viteve ’50-të të shekullit të kaluar. Ende kishim miqësi me Bashkimin Sovjetik dhe ky,duke shfrytëzuar postin, dilte fshatrave dhe mblidhte(kryesisht të rinjtë e të rejat) dhe zgjidhte dy apo tre kandidatë të mundshëm për t’I dërguar në Shkollën e Komsomolit në B.S. Natyrshëm, së pari, kandidatët do”testoheshin” në zyrën e Pushtit. Kjo shkollë,me sa më kujtohet,qe a 6-muaj,a një vit. Me një të sapokthyer nga “kjo lloj shkolle”,ai erdhi në fshatin ku jepja mësim dhe,pasi mori pjesë në një mbledhje me të rinj e të reja, si”përfaqësues i madh i rrethit”,me gjithë”komsomalesen” e tij,u ftua të asistonte në një mbrëmje dëfrimi të rinisë së fshatit.
*
Fshati qe bërë kooeparativë dhe mos kujtoni se qe një fshat dhe aq. Qenë bashkë 6-fshtatra në kooperativë dhe mbrëmja e dëfrimit u bë tek lëmi. SE vetëm aty vendi qe shtruar me cimento.Organizatorët kishin vendosur stola për pjesëmarrësit. Në krye,sekretari i rinisë së fshatit dhe dy karrike për të ftuarit: një karrike për këtë,PUSHTIN dhe tjetra për”komsomalesen” që nuk qe as më pak dhe as më shumë po”konkubika” e tij. Sa bëri prezantimin sekretari dhe u ngrit”PUSHTI” që me entusiazëm fliste për përparimet që kish bërë fshati nën udhëheqjen e partisë dhe sidomos për rininë. Se kush e merrte në mend që për as 15-vjet çlirim të ketë këto arritje. Ja,- tha entuziast,-kjo si ju nga fshati(tregoi për “komsomolen),tani është kuadër partie. Duartrokitjen ia rrit adrenalinë folësit dhe,pastaj,lëshoi urimin:-Të festojmë të gëzuar.
Ende nuk ishte elktrifikuar fshati,por me fenera (varur rreth e qark) tek lëmi ish bërë goxha dritë. Çiftet kërceni pas muzikës dhe,padyshim,Pushti me”komsomolen” e tij. Pas dy a tri kërcimesh,drejtuesi pohoi:- Tani do kërcejnë vetëm çiftet që janë fejuar brenda fshatit. U ngritën nja katër-pesë çifte të fejuarësh dhe befas,një kolegia ime,më thotë:- A çohemi të kërcejmë?
-Dëgjo,- i thashë,- po u çuamë.nuk do ulemi. As mos e shko në mend,-tha ajo,e vendosur. U çova me të dhe PUSHTIT i shkuan jargët nga goja,kur pa kolegen time. Duket pyeti dhe kur drejtuesi i tregoi se unë isha mësues jabanxhi në fshat dhe nuk isha i fejuar. Kaq i mjaftoi Pushtit dhe urdhëroi:- Të ulen,menjëherë! Erdhi dhe,si pak mbyturasi, më tha:-Urdhëroi ai,që të uleni! I thuaj atij,- i them unë,- që jemi të fejuar dhe,sapo e shpallëm:me këtë kërcim!!! Duket vajti i tha dhe PUSHTIT mend i ra pika. Pyeti mbarë e prap për mua dhe,kur mbaroi vallëzimi i “tëfejuarëve”,PUSHTI erdhi drejt e tek unë dhe,ngaqë nuk e mbante dot inatin, u zbraz:- Ti je turk nga Petova( e kish fjalënpër mysliman se pjesëmarrësit ishin të gjithë ortodoksë) dhe PETOVA është fshati im i lindjes në rrethin e Fierit.
Dhe vjen u prish mbrëmjen këtyre të rinjëve që partia i ka bërë me krahë.
Unë nuk jam turk,por shqiptar dhe partnerja ime është e fejuara ime,-ia ktheva me inat. U kthye,i revoltuar tek karrikja e tij dhe nga koka sikur po i dilte tym.
Kur mbaroi mbrëmja,çiftin e ardhur nga rrethi,e mori për darkë LEKA.
*
LEKA qe i vetmi në fshat që kishte një nivel jetese pak më të mirë se bashkëfshatarët. Kur them kështu,mos u çudisni:i vetmi që kish krevat me sustë dhe,ndaj për të nderuar të ardhurit,i mori për darkë. Çdo lexoni,pas kësaj fjalie,janë fjalët e LEKËS.
U nxora raki e meze dhe.ndërsa pinim, miku(lexo:Pushti) zuri më lavdëronte:-Bravo shoku LEKË,e paske selitur mirë jetën në familje dhe,tek hidhte kupat një nga një,thashë se do t’i merrte koka zjarr. Aty nga mbarimi i darkës,sytë “miku” nga krevati dhe,siç duket,priste të “hidhte valle” me komsomolasen e tij.Por si duket,i kish bërë hesapet pa pyetur hanxhinë. LEKËS nuk ia hante qeni shkopin dhe t’i këndonte teskeretë nga xhepi.
-Epo tani,shoku Lekë,- tha PUSHTI,- edhe do flemë,se nesër në mëngjes duhet të jem në komitet të partisë.
-Moj ti,- i thirri të shoqes LEKA. Merre këtë Cucën e mblidhu andej nga dhoma.Qy po ka krevatin dhe mua më shtro shesh,se nu e lë mikun vetëm una!!!
Mikut(PUSHTIT) sa nuk i ra pika.
Shoku Lekë,-tha,- ne jemi komunistë(e kish fjalën për partneren) dhe nuk ka nevojë të na ndashë.
Aha,- tha LEKA,- jam vet zot shtëpie dhe gratë me gratë e burrat me burra. Tërë natës,PUSHTI,mend hante jorganin.
I hasi sharra në gozhdë. Në mëngjes u largua hundë e turi!

Tiranë.9 tetor 2024

Një djalë nga qyteti- Tregim nga HAMIT TAKA

Nga fillimi i verës në fshatin tonë ia behu një djalë nga qyteti me emrin Mondi. Nuk ishte edhe aq simpatik, por kishte trup atleti dhe vishej bukur, me rroba të reja e me stampa të huaja. Dukej shumë i shkathët dhe nuk kishte ndroje si djemtë e fshatit. Vajzat e shikonin me admirim. Djemtë të gjithë donin të shoqëroheshin me të. Kur mësuan se ishte vëllai i Verës, njerëzit filluan të silleshin sikur e njihnin prej kohësh. Emrin ende s’ia kishin mësuar, disa e quanin “Djali nga qyteti”, të tjerë “Vëllai i Verës”.

Vera kishte tri gjëra: ishte e bukur; ishte gruaja e një burri plot autoritet, që ia jepte uniforma e ushtarakut, dinte t’u bënte lajka dhe t’ua përkëdhelte sedrën fshatarëve. Edhe ata ia shpërblenin me fruta e perime nga kopshtet dhe qumësht nga lopët e tyre. Duke qënë punonjëse në kafenenë e fshatit, qëkur burri i saj kishte ardhur me shërbim në batalionin e këmbësorisë, ajo e privatizoi lokalin dhe ia pa hajrin. Gjithë burrat dhe djemtë nxitonin të pinin një kafe tek lokali i Verës. Duke qënë vëllai i Verës, edhe Mondi u bë djali i llastuar i fshatit.

Për habinë e të rinjve Mondi më fort u lidh me Beson. Shkonte e rrinte te puna me të, pinin kafe te lokali i Verës, shëtisnin bashkë rrugëve të fshatit dhe shpesh kalonin orë të tëra në shtëpinë e Besos. Ndodhte që rastësisht të gjëndej atje edhe Neta, në shoqëri me motrën e Besos, dy vjet më e vogël se i vëllai. Mondi i hidhte shpesh vështrime mikluese Netës, ndonëse motra e Besos ishte më e bukur. Kjo ia ngrohte gjakun dhe, kur Mondi ia kapte vështrimin tinzar, Neta bënte një gjest prej kali, sikur hidhte baluket lart…

Neta ishte gjitonia e Besos. Ata ishin rritur bashkë si dy binjakë. Kishin lindur në një ditë, kishin qënë në të njëjtën çerdhe, në të njëjtin kopsht e në të njëjtën shkollë. Bashkë kishin qarë, bashkë kishin qeshur, bashkë kishin lozur, bashkë ishin grindur, bashkë kishin kënduar e bashkë kishin mësuar. Edhe lule-shegën ia kishin parë njëri-tjetrit. Të dy skuqeshin kur kujtonin se në fëmininë e hershme kishin lozur lodrën e babit me mamin. Afërsia e përhershme kishte bërë të mos e dallonin rritjen te njëri-tjetri. Fëmijëria e tyre ishte dëborë e pastër në burimin e një lumi nga më të fëlliqurit…

Edhe shtëpitë e tyre ngjanin si binjake. E njëjta arkitekturë, të njëjtat përmasa, në të njëjtën kohë kishin filluar, nga e njëjta dorë ishin ndërtuar. I ndante një murë i vjetër prej betoni i grënë dhe e murrëtyer nga koha. Ai murë i hollë, i rrënuar ishte i padepërtueshëm për dy familjet gjitone, sikur ndante dy botë. Prindërit e Netës e të Besos, punëtorë të thjeshtë, përshëndeteshin te porta, shkëmbenin thjeshtë ndonjë fjalë për kohën apo shëndetin dhe me gjysëm zëri mund të uronin për festën e Vitit të Ri. Në oborrin e njëri-tjetrit hynin 10 deri në 30 minuta vetëm në raste vdekjeje. Familja e Netës ishte biografinxirë, kurse familja e Besos ishte kristal…

Pasi filloi demokracia Besua i thoshte Netës: “Ra Muri i Berlinit… Mbaroi lufta e ftohtë… Uufff!…të marrim pak frymë lirisht!… Uaa, sa ajër i pastër!” Ndërsa Neta vetëm buzëqeshte…

Ditët kalonin e Mondi nuk largohej nga fshati. Shtroi gunën, siç thuhet në këto anë. Ndërkohë edhe Vera kishte filluar të bënte më tepër shëtitje rrugëve të fshatit. Shpesh linte vajzën në lokal nën kujdesin e oficerit të liruar nga shërbimi ushtarak. Shkonte më shpesh për të pshonisur te dyqani i babait të Netës. Edhe Neta takohej pa të keq me Mondin e fliste lirshëm, falë shoqërisë së Besos.

Një ditë prej ditësh Mondi iu hap Besos:
-Unë, Beso, dua të fejohem me Netën. Ti e ke gjitone, shoqe të ngushtë, gati si motër. Prandaj dua të jemë i sinqertë me ty dhe ti i hapur me mua…
Besua e humbi fare. Nuk e priste. Në trurin e tij të plogët nuk e gjente dot rrugën për të vazhduar bisedën. Diçka e brendshme nuk e linte gjuhën t’i shprehte fjalët miratuese shokut rishtar dhe u largua pa i thënë as “Natën e mire!”. Mondi vuri buzën në gas…

Beson dhe Netën, sido që ishin në dy anët përballë lumit të fëlliqur, vetëm shkolla e mesme i kishte ndarë. Neta ndoqi bujqësoren në fshatin e saj, Besua një shkollë profesionale në Fier. Nga ndarja vuajtën të dy, por me dhimbje të ndryshme. Neta humbi mburojën e saj. Sepse, në shkollën tetëvjeçare, sa herë ia mërziste ndonjë vajzë, Besua i turrej: “Ik ti, moj shushkë!”. Kur e bezdiste ndonjë djalë, Besua i thyente turinjtë. Nryshe ishte Besua. Ai kishte mallë për Netën. Ndjente një boshllëk në kraharor, që nuk mund ta mbushte asnjë shok apo shoqe e re…

Nga fundi i viteve ’90 Besua ua vari mësimeve. E la fare shkollën dhe, sa u hap kufiri, provoi të kalonte me një grup shokësh në Greqi, por shpejt u kthye në shtëpi. Në fshat filloi të ushtronte zanatin, për të cilin kishte mësuar dhe e kishte ushtruar pak në shtetin fqinj. Bënte kangjela hekuri e porta te thjeshta llamarine. Neta e mbaroi bujqësoren dosido dhe i ndihmonte të atit, i cili kishte hapur një dyqan të përzier, me ndihmën e ca dollarëve, që ia kishte dërguar nga Amerika vëllai i arratisur.

Nuk kaluan shumë ditë dhe plasi “bomba”. Neta ishte fejuar me Mondin. Kishin ndërruar unazat. Miqësia e familjes së oficerit të liruar me familjen e shitësit të ri e kishte parathënë atë krushqi. Verës dukej se i kishin dalë flatra. Kjo kishte çuditur pak vajzat e bukura të fshatit. Shpesh Vera hapte me to temën e bukurisë, pasi e mbante veten miss. Dhe, kur s’ishte e pranishme Neta, e quante me cinizëm “thithëlopë”. Në të vërtetë Neta ishte pak e shkurtër dhe tej normës e shëndoshë për moshën. Por shoqeve u vinte keq, pasi ajo ishte shumë e sinqertë dhe zemërpastër. Po ashtu oficeri i dalë në lirim dhe babai i Netës pinin së bashku çdo ditë kafen e mëngjesit në lokalin e Verës, gjë që nuk e kishin bërë asnjë herë më parë. Pra paqja ishte ngritur mbi harrimin. Mondi 27-vjeçar, “shend e verë”, ksehaste tërë fshatin me “çapkënllëqet” e tij. Kurse Neta, me dlirësinë e saj, nuk e përmbante dot entusiazmin. Bile ishte bërë llafazane me shoqet e saj, të cilat e shikonin me zili. Edhe kur shërbente në dyqan dukej më e shkathët, sendet i prekte me dashuri, sikur i ledhatonte. Duart e Netës nuk punonin më, ato vallzonin e këndonin. Ndonjëherë në sytë e saj ëndërrues, dukej hapur një farë paniku: I dukej se në dorë i kishte ardhur një zog i truar dhe ajo kishte frikë se e trembte dhe, mos o Perëndi, ai fluturonte papritur.

Neta të gjithë e respektonin për komunikimin dhe mirësjelljen e ëmbël të saj, por askush nuk ndiente gjë për të. Vetëm Besos i ngjante si e bukura e dheut. Besoja ishte një djalë i gjatë, kockëtrashë dhe babaxhan. Kur filloi të merrej me hekura, vuri muskuj dhe krahët iu forcuan sa asnjë djalë i fshatit nuk guxonte të bënte më kthim dore me të. “Ta dinte ujku sa të trashë e ka qafën”, thonin burrat në fshat, kur atë e ngacmonin djemtë e tjerë. Po Besua nuk e shpërdoronte forcën edhe kur ndonjë trimosh ia bënte borxh. Ai bëhej agresiv vetëm kur dikush ngacmonte Netën. Për punëtor, s’i dilte kush në krah. Fshati ringrihej dhe punë kishte boll. Punishtes i vinte kyçin vetëm kur shkonte në dyqanin e babait të Netës. Njerëzit s’kishin shumë para dhe klientët në dyqan ishin të pakët, prandaj babai shpesh linte vajzën. Neta mërzitej vetëm midis atyre sendeve të ftohta pa zë dhe gëzohej kur shihte Beson te dera, i cili blente gjëra jo të domosdoshme, thjesht të rrinte pak me të. Dyqani i Netës ishte përherë një ishull paqeje dhe dashurie për Beson. Por, pas fejesës me Mondin, ai u shmangej takimeve me të. Shumë rrallë shkonte në dyqan, sa për të mos rënë në sy. Ndërsa për Netën, në marrëdhëniet me Beson, nuk kishte ndryshuar asgjë. Trishtimin, mbylljen në vetvete dhe tretjen e Besos e vërenin të gjithë, veç Netës. Vuajtja e Besos ishte e pastër. Asnjë lloj pendimi nuk mund ta ndryshonte. Siç thuhet, brengat e gëzimet lindin nga kënaqësitë më të pafajshme!

Dita e dasmës, me këmbënguljen e Verës, u caktua shumë afër. Ftesat kishin mbritur deri në Amerikë dhe xhaxhai i Netës erdhi duarplotë një javë para dasmës. Midis të tjerave solli edhe një makinë për vëllain e vet, babanë e Netës. Mondi dinte ta drejtonte Xhipin dhe kjo qe mrekullia më e madhe që ai shpalosi para banorëve të fshatit.
Xhaxhai i Netës kishte shumë mallë për vëndlindjen. Dukej hapur se ishte më i përmallur për vendet se për njerëzit. Mondi e çonte kudo me entusiazëm. “Eshtë me fat Neta jonë. Një djalë si Mondi, s’e kishim parë as në ëndërr”, i pëshpëriste mamaja e Netës të shoqit sa herë shihte Mondin në timon.

Dasma u bë e madhe. Me shumë njerëz e shumë shpenzime. Këngë e valle dy ditë e dy netë. Haje e pije plot. Xhaxhai i derdhi lumë dollarët për mbesën. Por, po ta shikoje me syrin e një kamere të ftohtë, dukej sikur gëzimi dhe hareja ishin më shumë për xhaxhanë e ardhur nga Amerika se për çiftin e ri. Të gjithë i kishin sytë e veshët nga ai. Dukeshin të magjepsur prej tij. Vetëm Neta lundronte në re trëndafili dhe nuk dallonte nuanca gri në dasmën e vet.

Një javë pas dasmës, xhaxhai dha lajmin se do të ikte pas dy ditësh. Të gjithë, që nga vëllai e deri te krushqit, prisnin gojëhapur fjalën e fundit të tij. Çfarë do t’u premtonte? Nuk se ishte treguar kurnac, i ndihmoi dy motrat dhe dy vëllezërit. Dikujt i dha para të thata, dikujt i bleu një tufë me bagëti, ndonjë e ndihmoi për të hapur ndonjë biznes të vogël, sipas dëshirës të secilit. Mirëpo nipat e mbesat prisnin oferta më të mëdha. Ata synonin Amerikën. Xhaxhai ua kishte mësuar dëshirat gjatë ditëve të qëndrimit. Secili ishte rrëfyer pranë tij. Pasnesër, u tha, unë do të nisem, por shumë shpejt do të kthehem prapë. Mundet, si ta gjykoj, të hap ndonjë biznes në Shqipëri. Vendi është i virgjër nga konkurenca kapitaliste dhe krahu i punës është i lirë. U ndihmoj dhe juve me punë këtu në vendin tuaj. Në Amerikë do të marr vetëm një nip dhe një mbesë. Ju mendojeni, bini në ujdi sipas nevojave, dëshirave dhe aftësisë për të ndihmuar dhe të tjerët këtu në vendin tonë. Gjejeni me njëri-tjetrin. Kur të vij prapë do të jemë i përgatitur për t’i marrë. Të rinjtë gremisën kokat. Kjo ishte si rrufe në qiell të kthjellët për ta. Mondi ishte treguar më i shkathti dhe të tjerët u bënë xhelozë. Sipas fjalëve të xhaxhait, dukej sikur ai ishte më afër realizimit të ëndërrës. Sidoqoftë shpresa mbetej e hapur. Të gjithë prisnin mëndjengrehur.

Shkathtësia e Mondit nuk kishte kaluar pa lënë mbresa te Xhaxhai i Amerikës. Mondi, Neta, motra e Mondit dhe ish-ushtaraku ishin lumturuar. Shtëpia e oficerit të liruar kishte hapësira të bollshme, pasi ishte godina e një reparti ushtarak, të cilën e kishte privatizuar, kur u lirua nga shërbimi ushtarak. Çifti i ri u sistemua në godinën e ish-repartit ushtarak dhe dukej i lumtur. Por ajo që kishte rënë më shumë në sy ishte fakti se Mondi dhe Neta nuk bënin hap pa Beson, i cili shkonte pas tyre sikur e tërhiqnin zvarrë. Si djalë i qetë e i mbyllur, e vuante shumë ndjenjën dhe pasionin për Netën. Ndërsa ajo, me pafajsinë dhe naivitetine saj, tregohej e pakujdesëshme ndaj tij. Nuk nguronte që, me intimitetet pak të trasha ndaj Mondit, ta manifestonte tërë gëzimin e lumturinë e saj pasmartesore në sytë e Besos.

Pas 7-8 javësh gjendja shëndetësore e Netës ndryshoi shumë. Ndihej e këputur, s’kishte oreks, pështinte shumë, i vinte për të vjellë. Nëna e Netës dhe Vera i njihnin shenjat e shtatëzanisë. Gjatë kësaj kohe Neta ndjeu një ndryshim të dukshëm të Verës në kujdesin ndaj saj. Edhe oficeri i liruar nuk përtonte t’i afronte gjërat e nevojshme nuses së kunatit. E kujdesnin Netën si atë vazon e argjëntë që do të mbante pjellën e tyre.

Përgjigjja e xhaxhait nga Amerika s’po vinte. Mondi fliste në krye të javës me të dhe nuk ia kursente elozhet, i shprehte mallin për të dhe brengën për Amerikën. Përgjërimet ishin aq të shumta, sa bënin efektin e kundërt. Gjthmonë në fund të bisedës, i thoshte: Fol pak me Netën, se këtë s’e zë gjumi tërë javën në pritje të së shtunës. Pret me padurim të flasë me xhaxhain. Lavdi teknologjisë, xhaxhi! Neta ishte e drejtpërdrejtë. Ajo i thoshte hapur xhaxhait se Mondi s’mund të priste të shkelte në tokën e bekuar të Amerikës. Thoshte fjalët që përsëriste shpesh Mondi: “Ky vend nuk bëhet, shpresën e kemi vetëm te ju, xhaxhi”. Dhe në fund ia merrte prapë telefonin Mondi, për t’u përshëndetur me xhaxhain. Nëpërmjet bisedës, Mondi nuhaste edhe opinionet e tij.

Fare papritur, një ditë, Mondi e provokoi Beson për ndjenjat që ruante ndaj Netës:
-Thjesht e kam shoqe që nga fëminia. Veç miqësisë dhe keqardhjes, që do më ikë bashkë me ty, nuk ruaj asgjë tjetër për të.
Mondi e kuptoi shumë mirë atë që dinte. Besoja e donte shumë Netën.
-Mos ki ndroje nga unë. Unë e di se ti e do për vdekje Netën.
-Si e di ti? Nga e di ti? Pse je kaq i sigurtë në ato që thua?-Besua dyshonte në ato që thoshte Mondi, por, vallë, mos ishin të vërteta? Mos ia kishte thënë vetë Neta?…
-Më ka thënë vetë Neta, -iu përgjigj Mondi, që e psikologjiste me një vështrim Beson. Besos i shkëndijuan sytë dhe një valë e ngrohtë gjaku ia përshkoi trupin.
-Edhe ajo të do ty. Po të mos ishte martuar me mua, ajo do të martohej vetëm me ty dhe askënd tjetër. Duke mos i ditur mardhëniet tuaja, unë hyra midis juve dhe e ndjej se kam bërë një krim. Por tani… s’kam si ta shlyej.
Beson, të cilit instinktivisht i vinte të përdorte grushtat, sa herë takohej me Mondin dhe dëgjonte broçkullat e tij, këtë herë e çarmatosi sinqeriteti i dhëndërrit të ri. Filloi t’i vlonte gjaku, iu errën sytë dhe iu turbullua mëndja. I rifilluan ëndërrat me sy hapur. Gjumi iu terratis përsëri.

Që nga ajo bisedë Mondi nuk linte asnjë ditë pa e takuar Beson bashkë me Netën. Kur Neta rrinte në dyqan, Mondi bënte ç’ishte e mundur ta çonte Beson atje. Ai nuk druante ta linte Netën vetëm me Beson edhe në vende që një tjetër i posamartuar do të hezitonte. Bile shpesh sajonte pretekste për këtë. Bënte ca akrobacira që ata të dy të përplaseshin trup me trup. Vërente drithërimat e konvulsionet ndjesore të Besos dhe indiferencën e Netës. “Kjo s’është femër”, thoshte me vete… Ishte e dukshme se Mondi nxitonte për diçka që as Neta dhe as Besua nuk kishin mundur ta kuptonin. Pas një kafeje në lokalin e Verës, Besua tha me vete: “Diçka kurdis ky”. Po atë pasdite, duke bërë të ndrojturin, Mondi foli dhe me Netën:
-Besua vuan shumë. Më vjen keq për të.
-Pse, ç’ka Besua. Me shëndet është mirë. Puna me hekura ia ka forcuar muskujt, si luan.
Ajo fjala“si luan”, në çast i shkaktoi një rrënqethje instinktive Mondit, por s’i bëri më përshtypje.
-Beson e ka zënë prej kohësh qymyri…
-Ashtu! S’e dija. Mos ta ka treguar të adhuruarën e tij?
-Po. Unë tani e di.
-Hë, cila është?
-Nuk ta themë, deri sa s’ta ka thënë vetë ai.
-Po, hë të shkretën, thuaje!… Të keqen!… T’u bëfsha! Ma thuaj, se më përvëloi kureshtja!
-Çfarë të themë tjetër? S’të kuptoj. Ti e di mirë. Bën sikur s’e di.
-S’është e vërtetë. As më ka thënë gjë as më ka pyetur. Si shoqe duhej…
-Ama ai ma tregoi mua, -nxitoi Mondi, -por më porositi të mos i tregoj Netës.
-Po mirë mos ma trego, nuk jam shumë kureshtare për jetën e të tjerëve, qoftë edhe vëllai im.
Mondi heshti pak, thithi fort një cigare, sikur do të thoshte diçka shumë të rëndësishme:
-E adhuruara e Besos është Neta.
Aq e pavëmendëshme ishte Neta, sa nuk e kuptoi tekstin e nëntekstin e Mondit.
-Cila Netë,more? -pyeti ajo e habitur.
-Mbesa e xhaxhait në Amerikë. Dhe ti mos më bëj të paditurën. Ai ty të adhuron. Këtë e kam kuptuar me kohë, por ti përpiqej ta fshehësh, për shkak të lidhjes me mua.
-Ç’janë këto fjalë, Mondi? Mos je gjë i pirë! Këtu s’ka asgjë të vërtetë. Dhe unë nuk kam thjeshtë lidhje me ty, unë të dua. Kot u jep udhë bisedave të tilla mes nesh.
-Pse është keq të të dojë një njeri! Nuk ka asgjë për t’u habitur dhe as për t’u fyer. Aq më tepër për një djalë që ke qënë një jetë të gjithë pranë tij.
– Mondi, ti më provokon mua!?Jo,po…- nisi diçka të thoshte Neta, por Mondi i kyçi buzët më gishtin tregues, se po vinte mamaja e saj.

Mondi kishte kohë që e kishte nuhatur se nuk ishte i preferuari i xhaxhait të Netës. Kjo nënkuptohej nga bisedat telefonike mes tyre. Prandaj rrinte gjithmonë i menduar dhe i zymtë. Nevrikosej për hiçmosgjë dhe bëhej i padurueshëm. Neta e çiltër vrazhdësinë e tij në sjelljet me të e lidhte me padurimin e tij, për të ikur në Amerikë. Por shumë herë ai e përbuzte dhe e fyente hapur. Ajo vetëm stepej pak dhe pastaj i buzëqeshte. Kurrësesi s’mund ta pranonte se Mondi asnjë herë s’kishte ndier gjë për të. S’mund ta kuptonte se krenaria e saj që ishte gruaja e tij dhe çdo gjë që e bënte të lumtur, atë e neveriste. S’mund ta kuptonte se çdo gjë që e gëzonte Netën, atë e zemëronte. Nuk mund ta pranonte se gangsteri nga qyteti kishte vetëm një synim: ta përdorte atë “vajzë të shpifur” si karrem për të kapur Amerikën…

Shqetësimet shëndetësore të Netës vazhdonin. Për të ëmën dhe Verën çdo gjë ishte e qartë. Vera i shpjegoi diçka edhe Mondit. Që atë çast Mondi u bë bishë. Shpërthente pa shkak mbi Netën. Nuk është e vërtetë, ulërinte ai në dhomë kur ishte vetëm, që ta dëgjonte motra e kunati. Kjo nuk i pëlqente as Verës as oficerit të liruar. Në fund të fundit shtatëzaninë e Netës ata e konsideronin një hallkë më tepë pë ralizimin e synimit. Sa më thellë të hyjë grepi, aq më lehtë kapet peshku, thoshte oficeri i liruar. Prindët e saj e çuan Netën për vizitë në qytet me një shpresë tëmbël në gji. Ata nuk dinin gjë se ç’bënte Mondi. Neta nuk u tregonte asgjë.

Besua dhe Mondi rrinin ulur në verandën e lokalit të Verës, secili në mendimet e veta, kur vetura ndali para tyre.
-Mondi, kemi një sihariq të madh për ty… – e lëshoi zërin vjehrra që larg tërë gas, duke u hedhur e para nga makina dhe iu drejtua djemve, që ta dëgjonin edhe gjitonët. Ajo nuk e dinte se Mondin e kishte informuar Vera, por e ndjeu se Mondit i hipën xhindet.
-Po shkrepe, moj vjehërza ime! Ç’farë ke në mëndje? –foli ai me shpoti.
– Neta është shtatëzënë…
Mondi u tërhoq prapa, i shtrembëruar dhe dyll i verdhë në fytyrë, sikur e vjehrra do ti hidhej në qafë, siç e kishte zakon dhe do t’i ngjiste sëmundjen e lisë.
-Ashtu! Pse s’thua se Neta do të na lindë Krishtin… “Kjo ishte gjëmë, moj bastarde, jo sihariq”, tha me vete. Vjehrrës i pëlqeu t’i mirrte si shaka alla Mondi ato fjalë.
-Shkojmë në shtëpi, vjehërrza ime, ta marrim vesh punën e Krishtit pa baba, – e vazhdoi Mondi fjalën dhe i futi krahun vjehrës. Ajo ia hoqi krahun.
Sa mbritën në shtëpi, Mondi filloi sherrin.
-Qënke shtatëzën ti…, moj Shën Mëri? –iu drejtua me përbuzje Netës, duke përtypur me dhëmbë fjalën “zhabë”. Neta dhe e ëma buzëqeshën, duke i dhënë përshtypjen Mondit se i merrnin për shaka maskarallëqet e tij.
-Po si u bëre shtatëzënë ty, moj pëllumbeshë? Me frymën e shenjtë, si Shën Mëria!… Në se je e sigurtë se je shtatëzënë, trego me kë e ke dobiçin.
Gratë vështruan njëra-tjetrën syshqyer. Netës i iku fytyra. U zbardh si gëlqerja e murit. E ëma, ndonëse e fundosur në një dyshim të madh, u hodh se mos i binte të fikët vajzës. Kur e uli në divan, iu drejtua Mondit me një zemëratë prej ulkonje:
-Ti s’je në vete sot. Mund të kesh pirë. Ik qetësohu një copë herë.
-Jam shumë i qetë. Mos më mëso ti se ç’do të bëj unë!
-Atëherë, po je esëll, të ka ikur mëndja. Shko thyej qafën! Mos guxo t’i flasësh vajzës sime si rrufjan! E di ti kush jemi ne dhe kush është babai i saj apo jo?
Mondit as i shkonte në mëndje një reagim i tillë nga ajo “pulë e sëmurë”. Bëri sikur qeshi me të madhe si karagjoz. Mllefi që kishte brenda, me që nuk realizoi dot vajtjen në Amerikë, ia kishte fshirë çdo nojmë njerëzore. Tani donte ta hiqte qafe atë pengore nëpër këmbë, martesën me Netën, të ikte nga sytë këmbët dhe t’i fshinte ata njerëz të pagdhendur nga memorja e tij.
-Nuk është fëmija im dhe pikë, -tha ai dhe bëri të dilte jashtë.
-Ajo është martuar me ty dhe s’është nga ato që do të na tregosh ti! –foli e ndërkryer vjehrra dhe ishte gati t’i hidhte thonjët në fyt. -I kujt është atëherë, kur e ditke që nuk është yti?
-I Besos. Shko pyete , po të duash, nënokja ime, -u përgjigj Mondi dhe doli nga shtëpia me nxitim. Njerëzve që s’janë në gjëndje të duan, asgjë s’u duket vërtetë e rëndë… Nënës i erdhi shtëpia rrotull. Neta ra në divan e alivanosur.

Mondi me vrap u gjënd te Besua.
-Beso, më trego të vërtetën, pa ndroje: E do Netën?
-E,e, e…kam dashur, por tani e do ti.
-Po e do me gjithë mend, dili zot të adhuruarës tënde.
-Si t’i dal zot, nuk e kuptoj,-pyeti i habitur Besua.
-Ta shpjegoj unë. Neta është shtatëzënë.
– Ç’do të thuash është shta-të-zë-në!… E pastaj?
-Prit, bëj durim. Fëmija nuk është imi. Ç’rëndësi ka se i kujt është fëmija. Prano që është fëmija yt dhe gjithçka merr fund…
-Si!?…Si!?…S’e kuptoj…Po Neta çfarë do thotë?-pyeti Besua i shtangur me dyshim mos edhe këtë e kishte pranuar Neta.
-Këtë që them unë.
Besua mbeti i hutuar. As kuptonte gjë as ishte në gjëndje të arsyetonte dhe të merrte një vendim të çastit, se çfarë duhej të bënte…

Ndërkohë Mondi shkoi në lokalin e Verës. Mlodhi alabakët e fshatit, të cilëve kishte 5-6 muaj që u kishte hedhur trurin e gomarit . Ua shtroi me raki e meze dhe i bindi e i nxiti me ato marifetet e tij të përhapnin fjalën se Neta ishte shtatëzënë me Beson dhe ai e kishte pranuar vetë para tyre… Fshati aq donte, filloi thashethemnaja: “E poshtra, priste një fëmijë dhe iu ngjit atij bukuroshit nga qyteti”… “Jo, s’janë Neta dhe Besua të tillë”. …“Iu ngjit ai vagabondi Netës, për të vajtur në Amerikë”… Por grave të fshatit, mikesha të Verës, u pëlqente më shumë variant i parë.

Të nesërmen pasdite nëna e Netës vuri ulërimën në oborr të shtëpisë: Ndihmë! Ndihmëëë!… Po më vdes vajzaaa!… Ishte vetëm fare në shtëpi. Gjitonet dolën në ballkone e dritare dhe vështronin të tronditura sa nga shtëpia e fqinjës, sa njëra-tjetrën. Ndërkohë Besua kapërceu avllinë dhe kërceu në oborr. Nuk kishte kohë të kalonte nga porta.
-Ku vete ti, budallai i fshatit. Ti ma mbyte vajzën. Ik, zhduku, se të rashë me sopatë në kokë!-ulëriu nëna e Netës, por fjalët i ngecën në grykë. Beson e kishte si djalin e saj dhe Neta e kishte si vëllain e vet. Por Besua s’u kushtoi vëmëndje fare fjalëve. Me dy hapa e përshkoi oborrin dhe u gjend në dhomën ku ishte Neta.
-Netaaaa!…Netaaa! -thirri ai sa kapërceu derën dhe e kapi me të dy krahët te kofshët. E ngriti menjëherë lart trupin e saj si një ari i fortë, deri sa pesha e trupit nuk binte më në litar.
-Afro tavolinën shpejt! -i thirri mamasë së Netës. Gruaja iu bind. Ia vendosi këmbët vajzës mbi tavolinë, pastaj hipi edhe vetë. Ngadalë ia liroi litarin dhe donte ta përqafonte, por prania e nënës së saj e ndali. Neta mori frymë. O Zot! O Zot! thirri nëna dhe ia dha të qarit. Besua e uli poshtë trupin e vajzës, e shtriu në krevat dhe, duke mos u përmbajtur dot, u shtri edhe vetë pranë saj për ta ndihmuar. Nëna humbi ndjenjat.
-Pse e bëre këtë, Netaaa? Për kë deshe t’i jepje fund jetës, për atë gangsterin?…Ai u martua me ty për Amerikën! Unë prisja ta kuptoje, pastaj le të martoheshe me kë të doje, -i thoshte Besua Netës. Ndërkohë u hodh te mamaja e Netës. E goditi me pëllëmba faqeve dhe preu me shpejtësi një qepë. Ia afroi te hunda deri sa nëna erdhi në vete.
-Ik tani, lere vajzën! – tha nëna sa mori veten. Ishte instinkti mbrojtës i nënës. Besua u bind vetëm kur Neta i hapi sytë dhe mori frymë lirisht. Ajo e vështroi e habitur, sikur të mos e kishte marrë vesh se ku ishte. Besua bëri hapa prapa drejt derës. Kur doli jashtë dhomës, u kthye sërish dhe tha, si një përbetim:
– Unë të kam dashur ty, Neta. Nuk dua të të turpëroj, fëmija s’ka si të jetë imi, siç thonë gojët e çthurrura, por unë e pranoj atë fëmijë sikur të ishte imi… Po të pranosh të martohesh me mua…Me gjithë atë, ti pyet veten dhe bëj si të thotë zemra… Për mua ti do të mbetesh ajo që ke qënë… Ndërsa atij horrit të poshtër do t’ia thyej turinjtë, – dhe doli si i tërbuar nga shtëpia.
-Vëlla, Beso, pse s’më le të vdisja, – tha Neta, duke e përcjellë me sy të frikësuar. Ndërkohë Mondi kishte paguar një taksixhi për ta çuar në Greqi.

Pas disa ditësh Vera e bukur dhe oficeri i liruar nga shërbimi ushtarak mblodhën plaçkat e ikën nga fshati.

Dielli me flamur shqiptar- Poezi nga ATDHE GECI

 

Poeti do të shkruaj  në  fletën e tij të bardhë

tokë dardane ndjema  zemrën  dhe  prushin

Atdheu im, s´është plagë dashurie po plagë

historie, i flisja gurit dhe tokës që po çahej!

Evropa s´ lejoi që të quhemi me emrin Iliri

latinishtja ilire e mesapishtja  janë dialekte

të shqipes pellazge, ilire, epirote e dardane.

Dielli me flamur shqiptar  nuk  nxeh njëjtë

në të gjithë atdheun, jo  se  jo  në Preshevë

fqinjët pushtuan pjesë  të  mëdha  të Ilirisë:

Çamërinë, Krahinën e Mollës  së  Kuqe, si

dhe emrin e mirëfilltë të vendit tonë,Ilirinë

Me kryqëzim emrash Evropa sajoi Greqinë

Ilirinë e kryqëzuan me emër xhuxh, Albani

e Dardaninë e mohuan  me  emrin, Kosovë,

dhe me një flamur që kurrë nuk ishte i yni.

Si t´i zëmë besë Evropës dhe interesave të

saj, kur tërë  ballkani  ishte  tokë shqiptare.

Jon s´mund ta naltoj këngën me gënjeshtra

zërin që rend nëpër gjakun tim unë e ndiej

zemërimi i gjakut kërkon  ta kaloj ëndrrën,

se dashuria për atdhe, atdheun  s´e harron!

Poeti do të shkruaj në fletën e tij të bardhë

të shenjtit diell arbëror  i  dalin lot për Iliri

i dalin lot për Kosovë dardane dhe Çamëri

i dalin lot për Shkup, Tetovë dhe Gostivar

i dalin lot për Ulqin dhe flamurin shqiptar!…

Atdhe Geci – Dortmund, 2024


Send this to a friend