Doli “Vepra Letrare” e At’ Pjetër Meshkalla S.J. “Poezi dhe prozë”, nga “Biblioteka Zoja e Shkodrës” dhe “Botimet Fishta”.
Botuesi Frano Kulli jep lajmin e mirë duke falënderuar “përkujdestarin e botimit Dom Vlash Palaj, përgatitësit e tij zz. Andreas Dushi dhe Gjovalin Çuni dhe poetin Visar Zhiti për parathënien e ndjerë”, që po e nxjerrim për lexuesin tonë.
Ne jemi rinia,
jemi çeta luftare,
na ngrohë pafajnia
në flakën bujare.
…këngë është apo përbetim rreth një zjarri? Nga vijnë e kush i solli ato fjalë? Po ato flakë mos janë më shumë brenda një krahërori me kumte si të këngës?
Gjuhët e flakës bujare a mos mbartin atë dritë që ka mbi 2000 vjet që përhapet ndër njerëz nga brezi në brez, të shpirtit të shenjtë që ra nga lart në formë flakësh, kur Krishti kishte 50 ditë që kishte ikur në Qiell?
Dhe kur sheh që këto vargje kanë në fund vitin 1943, pra, janë shkruar në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur popujt dhe vendet digjeshin në të tjera zjarre të përbindshme, mes breshërisë së plumbave dhe të bombave dhe Shqipëria jonë e vogël ishte e pushtuar dhe rrezikoj përsëri.
Mes atij kaosi të frikshëm dhe gjëmimeve të tmerrshme e gërmadhave, ndien zërin njerëzor, ai mbeti, qoftë dhe në një strofë shqip dhe beson te pafajësia, te bashkimi në çetat shpirtërore, me frymën e Hyut, për paqen e madhe e të përbashkët.
Përndritshëm kupton edhe më shumë se ka diçka të përhershme të njeriut, të pashkatërrueshme nga luftrat dhe pandemitë, nga murtajat – armë dhe sëmundje kolektive, ideologjitë që marrin pushtet nëpër epokat e errësirës, totalitarizëm, kur jeta rrethohet me tela me gjëmba, me diktaturë dhe në gjuhë, me djegie librash e vrasje poetësh, me realizëm socialist, me ato manifestet e urrejtjes e të shkretimet, etj.
Po Ne jemi rinia – na thotë kënga, dashuria njerëzore dhe përtëritja e saj…
Ti, Lajmëtar, që bje “Lajmin e Mirë”.
Po kush e risolli kumtin?
Ne, dhe s’jemi pak, e dimë emrin e Atë Pjetër Meshkallës dhe shtohemi, edhe pse rrallohen ata që e kanë njohur si meshtar apo dhe më herët, që kur ishte student i shkëlqyer në Austri e me studimet e mëtejshme për teologji në Itali, që mund të kenë bashkëbiseduar në Shkodrën e tij apo maleve të Veriut a ndokund në Europë, por dhe në luftë e më pas në ferrin e të gjallëve, nëntokë si të burgosur, pastaj në lirinë e mjerë, në miqësitë e rrezikshme, në paqen me vrasësa, etj, por janë dhe engjëjt që vazhdimish e shohin në botën e përtejme, në Qiell, martirët që bisedojnë me të parajsisht, pa fjalë, por me dritë etj, etj.
Desha të thosha se Atë Pjetër Meshkalla ishte jo vetëm një pasionant i besimit dhe i dijes, një qëndrestar kundër së keqes, por mbetet dhe një ikonë rrezëllitëse …
I riu që do të dijë edhe më, zbulon tek Atë Pajetër Meshkalla dhe patriotin e ndershëm mes patriotëve, intelektualin, mendimtarin, historianin, gjuhëtarin, njohësin e letërsive, aq sa të urtë në kuvende, i përshpirtshëm në mesha, kundërshtar i luftës dhe i pushtimeve, i perandorive që përjetoi, asaj otomane në fillim, që ia ndjeu shtypjen kur ishte fëmijë dhe pa fundin e saj, ndërsa kur u rrit dhe pak, pa Luftën e Parë Botërore, më pas Të dytën, u përball me fashizmin dhe nazizmin, që fuqizoheshin çmendurisht si perandori, pa u bërë dot si të tilla, po kështu vuajti dhe pas luftën pa paqe, pushtimin më të vonë e të rëndë nga të vetët, dua të them nga bashkatdhetarët, që vendosën diktaturën e të pafeve, që e bënë Shqipërinë pjesë të perandorisë komuniste dhe e shpallën si vendin e parë dhe të vetëm ateist në botë.
Atë Pjetër Meshkallën e dënuan atëherë jo vetëm si kundërshtar, por si misionar të Krishtit, madje dy herë, herën e parë i dhanë 10 vjet burg dhe herën e dytë 15 vjet burg dhe ai, aq sa i përunjur, po aq dhe i pamposhtur, vazhdimisht lartësohej deri sa iku lart dhe, edhe me mungesën e vet, tani lufton me perandorinë e harrimit duke frymëzuar në luftën kundër së keqes, që po nuk e kujtuam, do të përsëritet, dihet.
Mos t’i ndahemi dritës, të vrapojmë…
Tronditemi dhe mrekullohemi me jetën e Atë Pjetër Meshkallës, ngjan me një poemë, si një pelegrinazh drejt dritës.
Dhe të vjen të pyesësh: po ku është poezia, ajo e tij, e shkruar nga dora e tij? E ndjen se duhet të jetë në një formë a në një tjetër, se e tillë është lënda e jetës së tij, pa mungesa, e përplotësuar virtytshëm…
Dhe magjepsemi prapë që At’ Pjetër Meshkalla vërtet ka shkruar poezi. Na vjen mirë që Kisha e tij vazhdon të punojë dhe në këtë drejtim, që kjo vlerë të dalë, të njihet, edhe pse jo në kohën e vet, por çdo kohë është dhe duhet të jetë e poezisë.
“Para se të ndërronte jetë, i ka mbledh’ dhe rendit të gjitha poezitë e tij në një fletore, të cilën e ka konceptuar si libër. Dhe i jemi përmbajt’ asaj fletoreje, në renditje e gjithçka tjetër”, më shkruan në emër të Dom Vlash Palaj shkrimtari 20 vjeçar Andreas Dushi, bashkëqytetarë të Atë Pjetër Meshkallës, përkujdesës të botimeve për atin.
Pra, poezia e tij është një zbulim i vonë, që i ngjan dhe një risie. Janë shkruar gjatë shekullit që shkoi, të XX, ku më e hershmja, duke u nisur nga sot, daton para 101 vjetësh, në 1920, kur autori ishte 19 vjeç dhe Shqipëria kërcënohej nga një copëtim tjetër, i këndon “Burimit të jetës” si zanafillës përbashkuese, që e sheh te lindja dhe vdekja e Jezu Krishtit, ndërsa poezia më vonë është e vitit 1982, 6 vjet para se të mbyllte sytë përgjithmonë, ende në diktaturë, kur perandoria komuniste po i afrohej shembjes.
Në fakt në atë poezi ai ka rimarrë një tjetër të veten, të vitit 1927, “Kënga e Isaisë”, e profetit që parashikoi ardhjen e Krishtit. Po poeti çfarë donte të (ri)parashikonte? Aty janë dhe kredo-ja e tij dhe besnikëria e tij, që duket sikur nuk i nxë dot vetëm një jetë, sidomos kjo tokësorja dhe koha pret çarjen e amdhe.
Mos t’i ndahemi dritës, të vrapojmë,
qe, po çfaqet e Zotit lavdia,
rruga e tij asht mëshira e shërimi,
ligji i ri: vllazënimi e dashnia.
Dhe kjo rithuhet në kulmet më të errëta të natës së diktaturës. Poezia sigurisht që është mbajtur e fshehur, mbas dy burgjeve të tij të gjata, kur, ndërkaq institucionet fetare, kishat dhe xhamitë, jo vetëm qenë mbyllur, por dhe i kishin shndërruar në kinema, pallate sporti, magazina e depo armësh të reparteve ushtarake, ndërsa shumë klerikë i kishin pushkatuar, të tjerët vuanin burgjeve të rënda.
Jeta asht për të gjithë betejë,
besniku çmohet
kur nuk ligështohet,
kur si ari në zjarr të shkëlqejë.
Edhe kjo poezi e 1927-ës është rimarë ndër duar dhe në 1965, jo vetëm si temë, por si porosi më shumë, se pikërisht dy vjet më pas sundimtarët do të urdhëronin t’u vihej kazma kishave xhamive dhe teqeve për t’i zhbërë, gjithsej 2169 të tilla, që s’ishin thjeshtë vetëm objekte kulti, por dhe vepra të kulturës, të një arkitekture të hershme, orientale dhe perëndimore, me origjinalitetin vendas, me kryqe e ikona të mrekullueshme e me botime të rralla. Iu vu flaka e djallit nën shembullin e revolucionit kulturor kinez, që s’ishte as kulturor e as revolucion, por ligësi katastrofike deri në absurd.
Poezia e Atë Pjetër Meshkallës është vetëm e prajshme. Një pjesë të mirë të tyre ai na e paraqet si përshtatje. Pra, janë marrë nga andej ku lëvrohej një poezi e tillë gjatë mijëvjeçarëve të krishtërimti. Në kulturën Perëndimore sigurisht. Për atë që kishte nevojë vendi, për atë frymë. Dhe më shumë se punë poeti, ky ishte një akt misionari.
Por ato më shumë janë rikrijime të temave biblike, këngë që kanë frymëzimin dhe forcën e fjalës shqipe.
Shumica e poezive të atë Pjetër Meshkallës kanë në fund të shkruar vendin Shkodër, përveç njërës që ka Torino 1926. Shkodra s’është thjeshtë vendlindja e tij, por dhe vendlindje poetësh kombëtarë, e historisë dhe e miteve, e Rozafës dhe legjendës së saj, më e bukura në botë për nënat dhe
përbri Rozafës… Maria…
dhe qielli përsipër Kalasë, ku duket sikur ruheshin ende fërgëllimat e flatrave te engjëjve, të cilën morën Zojën e Këshillit të Mirë nga kisha e saj dhe e çuan në bregun tjetër të detit, jo vetëm që t’i largohej pushtimit otoman, që nisi nja 5 shekuj më parë, por shkonte në Europën Perëndimore, me të cilën udhëheqësi ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e kishte lidhur atdheun përgjithmonë.
Zoja e Shkodrës, Pajtorja e shqiptarëve, do dëgjonte rënkimet dhe klithmat për liri që vinin nga dheu amë, lutjet e përbashkëta, që Zoti të na mbronte. Ajo do të kërkonte ndihmë duke qenë vetë ndihma më e thellë, brenda në gjak dhe shpirt.
“Nanë ktheju!” – lutet poeti, gjë të cilën do ta përsëriste dhe Shenjtja jonë Nënë Tereza në kishën në Genazzano pranë Romës, ku bujti Fugura e saj.
Altar do të kishte në çdo zemër, ashtu si në vargun brilant të Meshkallës, në mes të lulënajeve qiellore.
Shkodra kështu është një truall i fortë shpirtëror, kështjellë e katolicizmit shqiptar dhe e identitetit kombëtar, metropol i kulturës dhe i harmonisë proverbiale mes besimeve, të krishterë e myslimane si e gjithë Shqipëria, që Papa Francesku, pas vizitës që bëri në Tiranë në 2014, në postdiktaturë, do ta quante “vëllazëri fetare”.
Atë Pjetër Meshkalla nuk ishte, por fletorja e poezive të tij priste. Kishte ardhur koha e saj. Atë që ai kishte besuar, për të cilën ishte lutur pa rreshtur. Prandaj dhe poezia e tij duket si e larguar nga ngjarjet e përditëshme, kalimtare, si të thuash ato tokësore, me kronikën e përgjithshme, sado të rënda që të ishin, po kështu dhe nga bëmat e autorit, nga detyrat e tij, që ai i shikonte si detyra.
Poezia e Meshkallës është si më e afruar me Qiellin, realitet është dhe ai, që ka të bëjë më shumë me të përjetshmen.
Ai i është përkushtuar Birit të Zotit, Jezu Krishtit, adhurimi për të është dhe për nënën e Tij, Shenjten Marie.
Ndërkaq poezia e Mesjkallës është jetësore, ku fryma universale e Hyut është aq e fuqishme. Edhe kur kjo poezi duket si e larguar nga fati vetanak i autorit, ajo është pjesë e fatit të tij, vetvetja e tij qiellore.
Prapë ndërkaq, ai te Krishti në tokë, hero dhe martir, sheh dhe gjithë të përvuajturit e botës, të përndjekurit e të burgosurit deri edhe bashkëvuajtësit e tij, miqtë, një pjesë të pushkatuar, por edhe veten pa veten, në tokë dhe në Qiell bashkë.
Mbi Golgotha kryqëzue,
me dhunë e gjak mbulue,
rri Biri, fli për ne,
burim i jetës së re.
Nga shpirti i tij ushton zani,
drejt Atit një herë fshani…
mbi parzëm kryet pushoi,
e vdekjen përqafoi…
Kjo është ajo poezia e tij e para 101 vjetëve në Shkodrën e tij, një shujtë shpirtërore, ku vargu biblik “vdekjen përqafoi”, aq sa fillim i jetës së përtejme, kumbon parashikues dhe mortor për jetën e tij të këtejme.
Sa herë At’ Meshkalla do ta përqafonte vdekjen, edhe pa u trembur, edhe duke e dashur, edhe si prift, edhe si i dënuar, duke e parë edhe si fund të torturave, zgjidhje divine, ndërprerje dhe vazhdim i tillë, mister shplodhës ashtu siç do i Madhi Zot.
Poezia e Meshkallës edhe pse e pakët, e kufizuar në të pakufishmen, në vokacionin e tij, ai i jep kohë dhe vend përsiatjes filozofike, si një dimension i reales dhe abstraktes bashkë. “Ku mbaron filozofia, fillon poezia” – kështu e zgjidh enigmën ai duke u dhënë pas të dyjave për t’i bashkuar siç ka b;erë në poezinë e tij të vetme drejtpërsëdrejti filozofike, kushtuar Aristoltelit, duke e pasuruar këtë lëmí në poezinë shqipe.
“Mendim i mendimit”,
Mendimi i tash-it etern!
Pa të asht veç hiçi,
nëpër të Gjithësia…
E tanishmja e përjetëshme. E mundëshme nga fuqia supreme. Ruajtja e së tërës universale. Dhe me besimin e Meshkallas në zbulesat e të vërtetave, që aq sa janë jashtë nesh, po aq janë dhe brenda nesh, natyrë dhe mister, frymë dhe mistikë dhe Fjalë e Re, Beslidhje e Re, aq sa biblike, po aq dhe art dhe shkencë, edhe poezi, të cilat në gjithçkanë e tyre s’janë dialektikisht në kundërshti me njëra tjetrën, por janë dhe pranëvënie në harmoni mrekullie.
Vetëm mbi-Natyra
me zanin e Revelacionit të Mistikës
mund të na bijë
një “Fjalë të Re”…
Duke qenë siperane, më pranë reve se baltës, poezia e meshkallës a thua ka ikur kështu larg nesh?
Jo, ai i ka ruajtur poezinë nga mizerja e regjimit mbi atë copëz toke të përvuajtur, të dhembshur dhe të dashur, që quhet vendlindje, atdhe. Ka ruajtur shpirtin. Jo vetëm të vetin.
Dhe as i shkon ndër mend nëse do të mund të quhet poezia e tij disidente a jo, edhe pse ai e ka shkruar atë kur Shqipëria kishte Kushtetutën më të egër në botë, çnjerëzore, aq sa ndalonte dhe dënonte liritë e të drejtat e njeriut, edhe atë të besimit fetar, që më shumë se sa me një kushtetutë ngjante me kodin penal.
Pjetër Meshkalla atëhere vetëm fshehurazi mund të thirrej “atë”, por ai guxonte dhe shkruante urdhëresa të ndaluara: ligji i ri: vllazënimi e dashnia. Ishte koha kur sundonin ligji i armikut dhe i urrejtjes.
Burgu: ky varr që më ndryen për së gjalli…
Poezia e Meshkalles vërtet duket dhe ashtu është, pa “biografinë” e autorit, pa ditarin e vuajtjeve të tij, dënimet e burgjet e torturat, atë persekutim të pandërprerë. Siç duket ajo ishte paracaktuar për të qenë larg si “poezi e Qiellit”, megjithëse autori jetoi dhe vuajti në burgjet infernale të një atdheu-burg.
Edhe në poezinë e Meshkallës përmendet burgu, dy herë na del si fjalë, një herë kur është duke u lutur që tingujt e kambanës së kishës së tij të vijnë deri atje ku e kanë mbyllur, në burgun tim, kështu thotë, ndërsa në rastin e dytë burgu sikur është i universalizuar.
Lindi Krishti në zemrën time,
më pruni pagje e dashuni,
edhe shenjtja jonë Nënë Tereza kështu e shkruan fjalën paqe – pagje.
Më veshi forcë e ngushëllime,
zhduku errësinën e burgut të zi.
Ashtu ishte burgu si varr i të gjallëve, ku
Vyshket edhe zemra e shkretë,
porsi bari për nën kosë…
Një nga krahasimet më të trishta në poezinë shqipe. Shfaqet kosa shtrigane, jo e vdekjes, por e vrasjes së njeriut nga njeriu, jo vetëm me plumb, por dhe me rraskapitjen terminale nëpër burgje. Ku dhe këtu autori shtrydh poezi, që dhemb….
Si poezi të fundit në fletoren e tij Atë Meshkalla ka lënë atë që s’është e fundit në kronologjinë e tyre të të shkruarit, por një më të hershme, të Shkodrës se 1934-ës, kur Shqipëria ishte mbretëri, por siç duket ajo ka më shumë nga amaneti i fundit i tij shpirtëror, por dhe i pari, lutje burimit të jetës për një tjet;er mbretëri, atë qielloren:
Të falem Maria! Nëpër të jetës vala
që prej fëminisë sime, o Mari, t’u fala,
e der’sa të fiken njikto buzët e mia,
“Të falem Maria!”
“Të falem Maria!”
Jehona e atë Pjetër Meshkallës
ndër ne
Gjenerata ime që lindi dhe u rrit në diktaturë, nuk mundi t’i dëgjonte nëpër shkolla e aula vargje të atilla për shenjtërinë e emra të atillë, të praruar me shenjtëri. Ishin të ndaluara. Edhe pse studiova për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe ku, në Institutin e Lartë të Shkodrës së Atë Pjetër Meshkallës, por poetët e klerit katolik, ata që ishin futur burgjeve apo i kishin pushkatuar, edhe po t’i përmendje, shihej si një gabim i dënueshëm.
Varrin e poetit kombëtar, Atë Gjergj Fishtës, në kishën e tij e kishin prishur, eshtrat ia kishin flakur në lumin Drin, kishën vetë e kishin kthyer në kinema “Punëtori”, ndërsa më tej, Katedralen e Shën Shtjefnit, më të madhen në Ballkan, e kishin bërë pallat sporti, ku ne, studentët e atëhershëm, zhvillonin orën e fizkulturës. Por tavanin nuk e kishin zhbërë dot ashtu si qiellin, që nuk e mbërrini, e kishin lenë siç ishte, përndritës si ëndrra, me ngjyrat katolike të Rilindjes Europiane.
Kujtoj, jo pa habinë e studentit ende, që ndonjë nga pedagogët na thoshte me zë të lartë ateistik se në këtë auditor, ku ne ishim, u ishte bërë gjyqi priftërinjve, kundërshtarë të pushtetit popullor…
Ishte fjala dhe për Atë Pjetër Meshkallën, pa na treguar në leksione se si ishte përgjigjur ai: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue s’keni se çka më bani… sepse ju shpejt keni për të mbarue, mbasi shoqi shoqin keni me hangër e aty asht edhe fundi i juej. Feja e Krishtit s’mbaron kurrë!”.
Pas kësaj do ta dërgonin në burg. Ndërsa ne, brezin e ri, siç shihet, po na jepnin mësim në salla gjyqesh për t’u bërë ose me persekutorët ose me të persekutuarit.
Në dekadat më pas, edhe mua do të më dërgonin në burg, të dënuar me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia, “të trishta, kundër realizmit socialist”.
Në burg do të shihja priftërinj dhe hoxhallarë të burgosur, do të njihesha kur pastronte tryezat e mencës së burgut, atë që më pas do të shpallej si kardinal nga Papa Francesku dhe kur? Kur pikërisht unë do të isha titullari i ambasadës së Shqipërisë në Vatikan, pranë Selisë së Shenjtë. Një mrekulli që nuk do të guxonim as ta ëndërronim atëherë. Dhe do të dëgjoja dhe për Atë Pjetër Meshkallën. Pa e takuar kurrë… Në librin tim të shumë viteve më vonë, që do ta quaja burgologjia “Rrugë e ferrit”, kam dhe një pjezës, ku shfaqet vetëtimthi dhe Atë Pjetër Meshkalla në burgun e tij të parë, në Burrel, kur atje një ministër i arsimit i viteve të Luftës së Dytë Botërore, do të futej në grevë urie:
…Në uri kishim qenë gjithmonë. Xhevat Korça donte të protestonte ndaj padrejtësive dhe ndaj diktaturës së pamëshirshme. T’u tregonte xhelatëve, dhe jo vetëm atyre, se mbi vetë jetën ka dhe fuqi të tjera më sipërane, të paprekshme, ka dhe moral, dhe personalitet, dhe liri të brendshme. Shteti i posedon jetët edhe vdekjet e njerëzve, megjithëse gjithkushi ka në dorë diçka nga jeta e vet, pak më shumë nga vdekja, por nga qëllimi i tyre i fshehtë akoma më shumë, në mos të gjitha […].
Njeriu i shtrirë po tretej edhe më. Sytë i qenë zmadhuar dhe buzët plasaritur… Kishte filluar mavijosja. Pamja e tij aty ishte e pazakontë në të pazakonshmen e burgut… Mbase ishte shpejt për të vdekur. Ç’duhej bërë? Vdekja është jotja, po ne jemi bashkë, përreth vdekjes sate. Si ta çbindnin Xhevatin? Ç’mendonte at Pjetër Mëshkalla? Jezuiti i urtë u afrua te dysheku i kashtës. U ul në gjunjë aty. Skenë biblike, tronditëse:
– Vlla, Xhevat, të lutem, mos me e humbë shpirtin… hiq dorë! – u dëgjua ulët zëri i tij dhe sikur u ndezën qirinj përreth. Heshtje e thellë. Kishin ngrirë të gjithë në pritje të përgjigjes.
– At, falemnderit… të kam mik… – zëri i Xhevatit kishte një si ngjirje dhe mekje, sikur të qe fërkuar me gurë varresh, atë mister. – Unë po vazhdoj rrugën e nisur… që të mos bëhem lodër e shtypësve…
Atit i rrodhën dy pika lot.. At Mëshkalla e puthi në ballë njeriun e shtrirë dhe u largua mbrapsht, i përkulur paksa.
Tablo biblike. Lotë dhe puthje kishte Atë Pjetër Meshkalla në burg. Dhe vezullimin e tij në terr. Ai dhe atje ushtronte profesionin e vet si ushtar i Krishtit, në shërbim të nevojtarëve e të mjerëve, do të shkruante bashkëvuajtësi i tij, shkrimtari që do të arratisej pas burgut për në SHBA, Arshi Pipa. Atë Pjetër Meshkalla vetëm guxonte dhe po aq kishte dhe mëshirë, natyrshëm, pa e ditur as vetë ndodhta se kur po guxonte dhe kur po mëshironte. Bënte detyrën. Dhe e dinin që ai u kishte dërguar dhe letra sundimtarëve, të parit, Enver Hoxhës, dhe të dytit, Mehmet Shehut, ua kishte thënë hapur që po bënin krime mbi popullin e tyre, që ai i kishte dalë në mbrojtje. Ato letra janë kundër-akuza ndaj diktaturës dhe mbeten dokumente të rëndësishme në dosjen e madhe të qëndresës deri në martirizim. Atë Pjetër Meshkalla vazhdonte kështu t’u binte kambanave. Ato kumbonin moral dhe porosi. Porosi të rëndësishme që i gjejmë dhe në poezinë e tij, aq sa të thjeshtë, po aq dhe mallëngjyese, me shëlbimin e shpirtit. Një urdhëresë që i duhej tokës, i një realiteti të përhershëm:
…sillni shpatat në parmenda,
theni shtizat për kosa, në punime!
Shpatat në parmenda. Një porosi që gjendet e shkruar dhe në Organizatën e Kombeve të bashkuara. Punë. Kundër luftës. Kundër apokalipsit të urrejtjes mes njerëzve. Vjen që nga Bibla. Në Besëlidhjen e Vjetër Noe, me të dalë nga arka e tij në stere, e nisi me punë, gjëja e parë që bëri, mbolli një hardhi. Si metaforë e jetës, e ngazëllimit të saj, shpjegojnë psikologët modernë, se vreshta është ushqim, rrush dhe verë dhe kulturë.
Porosi kjo shumë më e vlefshme për Shqipërinë sot, që ka nevojë të punojë, e rropatur nga diktatura ateiste dhe mashtrimet posdiktatoriale.
Me metaforën e kthimit të shpatave në parmenda, si rrjedhojë edhe urrejtja doktrinare detyrimisht kthehet në doktrinë të mirëkuptimit, në dashuri për punën e njëri-tjetrin, për të cilën ka aq shumë nevojë shoqëria jonë.
Së bashku. Ashtu siç i panë rrugëve të Parisit së fundmi në një takim ndërkombëtar hoxhën dhe priftin ortodoks e atë katolik e dervishin, të katër shqiptarë, krahë për krah, me ato veshjet e bukura e me ngjyra, teksa njerëzit i shikonin me adhurim.
Kleri shqiptar vinte nga një persekutim i madh. Shumë nga martirët e Kishës tonë Katolike, bashkëpunëtor i të cilëve mbetet dhe Atë Pjetër Meshkalla i ynë, janë shpallur “të lumtur” nga Selia e Shenjtë, i ndjejmë në prag të shenjtërimit.
Në vend të një përfundimi
Një prift tjetër, Dom Zef Simoni, studiues i letërsisë, në librin e tij kritik “Letërsia shqipe e pame ndryshe”, i jep rëndësi të posaçme formimit katolik si kulturë. Duke bërë një ekskurs letrar nëpër rrjedhat e kohës, që në fillimet “me Shën Jeronimin e me një letërsi katolike e atdhetare me shkrimtarët e dalluem të Veriut, si: Barleti, Biçikemi e në shekullin XVI Buzuku, Budi, Bardhi dhe i shquemi Imzot Bogdani me veprën “Çeta e profetënve”, etj. Dom Zef Simoni, bashkëvuajtës yni në burgjet e diktaturës, është i pari që hap në një histori të letërsisë shqipe kreun “DISIDENCA”.
Mes të tjerash ai trajton dhe “Letërsi e Grupit të Spaçit”, pra shkrimtarët e burgjeve dhe të internimeve…
Ne tani kemi dhe “letërsinë tjetër”, që sipas meje, krahas Realizmit Socialist zyrtar, zhvilloi atë që e kam quajtur “Realizëm i dënuar”.
Në fund të fundit letërsia shqipe është një e tërë e përbashkët.
Libri i Atë Pjetër Meshkallës, parë në këtë optikë, është i një prurje me burim të dyfishtë, pjesë e krijimtarisë së shkrimtarëve të Klerit Katolik, e nisur në vitet ’30 si dhe e atyre autorëve që vuajtën burgjet e diktaturës më të egër në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore. Shpesh në autorët shqiptarë ishin të njëjtët ata të qelave të kishës me të qelive të burgjeve.
Atë Pjetër Meshkallën si poet do të doja ta vendosja mes emrave të poezisë së atyre që u dënuan, që shkruajtën fshehurazi nëpër burgje, sado e pa besueshme të duket, është e vërtet kjo, e di, se vetë kam nxjerrë rreth 300 poezi fshehurazi nga andej, ndërsa shumë vite më parë poeti dhe filozofi Arshi Pipa, që u arratis, kishte marë me vete “Librin e burgut” të tij dhe e botoi në Romë, në 1959. Në burg kanë shkruar poezi dhe poetët Lazër Radi, Pano Taçi, Kasëm Trebeshina, etj, dhe në librat e atyre poetëve të njohur që vuajtën burgjeve si Zef Zorba, Jorgo Blaci, Jamarbër Marko, Frederik Rreshpja, ka nga ajo dhimbje infernale,
Në Shqipëri janë pushkatuar poetë si Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Atë Vicens Prennushi, martirë të lumturuar, Baba Ali Tomori, Osoja i Vogël, Trifon Xhagjika, dy shokët Vilson Blloshmi e Genc Leka si në balada, Havzi Nelën e varën, po kur i çuan t’i ekzekutonin, s’dihet ç’poezi ulëritëse do të kenë mare me vete në gjak, që do të rridhte nga vrimat e plumbave mbi dheun që do t’i mbulonte.
Sa ka të mbulur kështu letërsia shqipe! Më e madhe është ajo që nuk u shkrua dot. Prandaj dhe ne e ngjyejmë penën dhe në gjakun e tyre dhe ia deshmojmë botës..
Libri I ate Pjetër Meshkalles vjen si zbulim dhe risi, e perseris
Oh, sa bukur kumbojnë e gërshetohen
prej fijeve të padukshme të infinitit,
zanet e rruzullit! Oh, sa e fuqishme
bashkohet e Universit brohoritja.
Për fat poezia e Meshkallës ka gëzimin që nis nga vetja e përhapet në univers, që vjen nga universi e futet në poezi, një brohërimë krishtlindjeje dhe pashkësh të përhershme.
Chicago, Roselle,
Pranverë, 2021