Gjermania për nder të Hafizit, ka ngritur një përmendore të madhe në rajonin e Waimar-it me emrim “Qendra ndërkombëtare e dialogut ndërmjet civilizimeve”
Hafizi lindi në shekullin e 14-të në qytetin e Shirazit (1320-1389), që ndodhet në qendër të Iranit. Që në fëmijëri për shkak ndikimit islam dhe kulturës arabe e cila ishte përhapur në atë periudhë në Iran mësoi gjuhën arabe, më pas mëson dhe Kur’anin përmendësh. Për këtë arsye e quajtën Hafiz. Me rastin e datëlindjes së tij, sot e kësaj dite admiruesit e tij udhëtojnë në qytetin e Shirazit te mazoleumi që i është ngritur, me tetë kolona dhe një kupolë. Poetët nga vendet e tjera të botës vijnë e i thurin lavde poetike, Hafizit, mbi varrin e tij. Sot në shumë vende të botës organizohen përkujtimore dhe simpoziume në nderim të tij.
Poezitë e Hafizit “Divani i Hafizit” ( përmbledhje poetike) karakterizohen kryesisht me ndjenja spirituale, moralit, botës së përjetimeve mistike, besimit e dashurisë ndaj Zotit. Frymëzimet poetike të Hafizit s’pajtoheshin kurrë që spiritualen, të padukshmen e vërtetë mistike – poetike ta braktiste për shkak lakmisë së kësaj bote njerëzore e të robërohej shpirti i tij artistik ndaj materiales. Për këtë shkak shumë poetë të shquar, dijetarë të mëdhenj dhe poetë idealistë pëlqejnë poezitë e Hafizit duke ftuar lexuesit që të qëndrojnë larg materies për të forcuar lidhjet me shpirtëroren dhe mistiken.
Motivet kuptimplote shpirtërore poetike drejt mistikës, së shenjtës e kanë bërë që Hafizi të përkthehet në shumë gjuhë të botës: anglisht, frëngjisht gjermanisht, arabisht, rusisht, turqisht etj. Poezitë e Hafizit ftojnë lexuesit të depërtojë në thellësitë e shpirtit dhe mistikës për të qenë të lumtur. Mënyra e të shprehurit poetik, stili ëmbël spiritual-mistik e bëri poet të dashur në mbarë botën. Respekti ndaj fesë e besimit dhe adhurimit ndaj Zotit vërehet qartë në poezinë e tij:
“Lufta ka pushtuar 72 kombe,
sepse i largohen së vërtetës dhe i bashkohen mitit”.
Në këto vargje Hafizi pranon njohjen, besimin, botëkuptimin mistik e spiritual, Zotin, duke ua bërë me dije njerëzve se pa logjikuar fare e “lënë të vërtetën dhe i bashkohen mitit”. Poeti i shquar gjerman Johannes Wolfgang Gëte jo vetëm që u mahnit dhe u magjeps prej përmbajtjes së lartë të poezive të Hafizit, por ishte prej atyre personaliteteve që e kuptoi shumë mirë poezinë e tij.. Jo më kot Gëte thotë: “Pasi njoha poezitë e Hafizit, njoha edhe botën e madhe dhe kuptova që ekzistojnë shumë burra dhe personalitete të mëdha, me talent të fshehur, që i kanë dhënë shumë kësaj bote”. Gjermania për nder të Hafizit, ka ngritur një përmendore të madhe në rajonin e Waimar-it me emrim “Qendra ndërkombëtare e dialogut ndërmjet civilizimeve”.
“Ti o saki, zbuloje të fshehtën e kupës time dhe asaj çka brenda në të,
Dashuria në fillim ishte e lehtë, më pas lindin vështirësitë”.
Fama dhe nderi që gëzon poeti, Hafiz Shirazi, mbase në botën letrare është relative, por në Iran nuk mund të hasësh asnjë person që mos të ketë dëgjuar emrin e tij, madje çdo njeri di përmendësh të paktën disa vargje nga poezitë e tij. Në shtëpinë e çdo iraniani të arsimuar dhe kulturuar të paktën gjendet një vëllim poetik i Hafizit.
Qysh prej disa shekujsh më parë iranianët, sipas traditës të tyre, në gëzime ose hidhërime gjenin ngushëllime, por edhe kërkonin kënaqësinë e çastit te poezitë e tij, të quajtura ndryshe nga populli “Divani i dashur”. Poezia e tij përcjell mesazhin e misterit, këndohet gojë më gojë dhe është e pranishme në çdo festë dhe në gëzime familjare. Këto janë mendimet e pjesës dërmuese të popujve aziatikë në lidhje me personalitetin e Hafizit. Njerëzit e kulturuar, popujt e Indisë, të Pakistanit, Afganistanit, Azisë Qendrore, Turqia, popullata e rajonit të Mesopotamisë, si dhe shtete të tjera, e njohin dhe e respektojnë shumë këtë poet të famshëm iranian.
Në Evropë para dy shekujsh njerëzit e kulturuar dhe admiruesit të poezisë dhe të letërsisë janë njohur me “Divanin e Hafizit”. Fillimisht, Hafizi, u njoh nga gjermanët. Poeti i madh Gëte u magjeps nga poezitë e tij të ëmbla dhe melodioze. I impresionuar dhe i frymëzuar nga Hafizi, Gëte shkroi vëllimin me poezi “Lindja dhe Perëndimi”. Skicat letrare Gëtja i ka titulluar me shprehjen perse “Hafiz-Name”, fjalë që shpreh admirimin e tij për Hafizin. Midis të tjerave Gëte do të shkruante: “Shpresoj të të përngjasoj ty në stilin e rimës; përsëritja e zanoreve ma mbush zemrën me kënaqësi”.
Edhe poetët romantikë francezë u mrekulluan nga magjia e një poeti të tillë si Hafizi. Hygoi, në vëllimin e tij poetik “Orientalizmat”, u bë rob i kësaj magjie. Po ashtu personalitete si T. Gotie, dhe Andre Zhid, e kanë vlerësuar shumë figurën e Hafiz Shirazit. Hafizi, shkruan Daniel Ladinski për B.B.C, është një nga poetët më të dashur jo vetëm në Persi, por i çmuar edhe nga shumë kultura të ndryshme- si një nga shtatë mrekullitë e botës letrare. Ja çfarë thotë kritiku letrar Ralph Waldo Emerson: “Ai nuk ka frikë asgjë, sheh shumë larg dhe i sheh të gjitha, e, kështu ai është i vetmi njeri që dua të shoh ose të jem”, më tej thotë se: ”Hafizi është një poet për poetët”. Poezia e tij është vlerësuar edhe nga Nietzche, edhr Garcia Lorka e vlerësonte shumë poetin sufi. Vargjet e Hafizit janë vërtetë mahnitëse dhe provokuese:
“Unë jam një vrimë në një flautë
nëpër të cilat kalon fryma e Krishtit,
dëgjojeni këtë muzikë.”, apo:
“shikoni buzëqeshjen në buzët e Tokës këtë mëngjes,
ajo u shtri sërish me mua natën e kaluar.”-
Poezia e Hafizit krijon aftësinë e të ngushëlluarit, gjallëron e pasuron ata që kanë nevojë shpirtërore. Poezia e Hafizit është dashurore që rrezaton, na lejon të ngrohemi nëse kemi të ftohtë, shuan etjen dhe urinë e brendshme shpirtërore.