NE DO TË JEMI
Ne, të urryer nga keqanët dhe budallenjtë
Të cilët e shikojnë vëngër gëzimin tonë dhe harenë,
do jemi gjithsesi krenarë, dhe gjithnjë zemërmirë, vërtetë?
Do të shkojmë gazmorë dhe ngadalë në rrugën më të thjeshtë
Që shpresa e përshkon, pa dashur t’ia dimë pse
Dikush na shpërfill apo nuk na i ndan sytë, vërtetë?
Në dashuri të ngujuar si në një pyll të zi,
zemrat tona bashkë, me qetësi të kthjellët,
do të jenë dy bilbila që do këndojnë në natën e errët.
A do të jetë bota me ne e ëmbël apo do na mbajë mëri,
nuk na prish punë. Ajo le të na ledhatojë, nëse ka dëshirë,
ose të na vejë në shenjester fare mirë.
Bashkuar nga lidhja më e fortë, më e dashur
e sidomos mbuluar nga një koracë e blinduar
do të tallemi me të gjithë krejt pa u frikësuar.
Ne do të merremi me atë që fati
na e ka parathënë, do të udhëtojmë bashkë përjetë
dorë për dorë, me shpirtin fëminor të qetë
të atyre që dashurojnë në mënyrë të pastër, vërtetë?
MEQË AGIMI PËRFLAKET
Meqë agimi përflaket dhe, ja, shkrepëtijnë rrezet,
me që, pasi më kish treguar shpinën aq kohë, shpresa rikthehet
tek unë që e thërras, i përgjërohem dhe i lutem pafundësisht,
meqë kjo lumturi pranon që të jetë e imja përjetësisht,
le të heqim dorë nga mendimet ndjellakeqe, ah!,
mjaft me ëndërrat e trembura, mjaft
me ironinë dhe me fytyrën e nxirë
dhe fjalën prej nga shfaqej një shpirt pa frymë.
E mjaft me ata grushta të mbledhur e kolerën hata
për keqbërësit e idiotët e tërbuar;
mjaft me ankimet bajate! Mjaft, pra,
me harrimin në pije të nëmura rikërkuar!
Sepse unë dua, tani që një Kreaturë
E ndritshme në natën time ka prurë
Kthjelltësinë e një dashurie të pavdekëshme, mbretëreshë
E hireve, buzëqeshjeve, mirësisë dhe haresë,
Unë dua, prirë nga ju, sytë e bukur të flakëve dehëse
Që janë tuajt, apo dora në të cilën dora ime do të dridhet,
të ecin drejt, qoftë nëpër shtigjet e myshkut të gjelbër
qoftë nëpër çepurët dhe gurët që pengojnë udhëtimet;
po, dua të ec drejt e krenar në Jetën time
drejt vorbullave të së cilës do më shtyjë fati vrullshëm,
pa dhunë, pa lakmi dhe pa ankime:
do jetë detyra ime e lume në luftëra amshueshëm.
E meqë, për të mbajtur ritmin e udhëtimit tim,
do këndoj ninulla për të përkundur veten,
besoj se ti, e dashur, do të më dëgjosh me durim;
e nuk kërkoj, vërtetë, asnjë Parajsë tjetër.
GUASKAT
Çdo guaskë e lëmashkur në atë
Shpellë ku ne kemi bërë dashuri
Ka veçanësinë e saj gjithsesi.
Njëri nga shpirtrat tanë ka purpurin që
Ia ka dhënë ngjyrën e gjakut zemrës sonë
Kur unë digjem zjarr dhe ti flakëron;
Shpirti tjetër dobësitë e tua imiton
E zbehtësitë tënde tua kur ti je e lodhur
Se me sytë e mi përqeshës je e inatosur.
Njëri është pasqyra që të tregon
Bukurinë e veshëve, tjetri ndërkaq
Qafën tënde të shkurtër na e shfaq;
Por, vetëm njëri prej tyre, më pushton.
LAKMITË
Trupi është fruti i kafshuar i kopshtieve çfarëdo
fruti i hidhur që mpin dhëmbët e atyre
që janë përvëluar nga dashuria e vetme,
është çlodhje për të fortët, është hareja e tyre.
Dashuri! Je emocioni i atyre të cilët tmerri i jetës
nuk i dëshpëron, Dashuri, që nën mokrat e tua grive
hamendjet e gruarve dhe ua bën ushqim
shpirtzinjve të shtënë pas shtrigave,
Dashuri, nganjëherë ke fytyrën e bariut të mirë
Që ëndërron të dashurën Tjerrëse me furkë pranë vatrës
Netëve të dimrit, në ngrohtësinë e flakës,
Dhe është trupi i asaj Tjerrëseje, dhe tani
Ka ardhur koha që e ëndërruara do të vijë
Çast i shenjtë apo jo! Thjesht delir, Trup dhe Dashuri?
ËNDËRRA IME E DASHUR
Shpesh më vjen në ëndërr tekanjoze e depërtuese
Një grua që kurrë s’e kam parë, të cilën e dua dhe më do,
Një grua e cila me të njëjtin emër thirret ose jo,
E ndryshme dhe e njëjtë por më do e gjithnjë është ngushëlluese.
Është për mua ngushëlluese, e zemra ime dërdëllitëse
Vetëm për atë, medet! Nuk është më gjë e papritur
Për atë vetëm, sepse në ballin e djersitur
Ajo sjell veç freski, me lotët e qarjeve bërtitëse.
Është zeshkane, bardhoshe apo kuqe? S’kam si ta di.
Emri i saj? Më kujtohet se është i bukur, plot magji.
Si emrat e dashur që jeta në vete ndryn.
Sytë e saj kanë shikim si të statujave në gur,
dhe ka zë të qetë, kumbues, gërryes, frymë
e zërave më të shtrenjtë shuar pa lënë gjurmë.
FLUTURO, KËNGË, PA SKAJ
Fluturo, këngë, pa skaj
Shko e thuaji Asaj
Se, në zemrën time besnike,
gëzueshëm ka sjellë dritën
një rreze, duke fshirë,
hiremadhja, hijet
e dashurisë: trazimin,
drojtjen e dyshimin.
Dhe ja dita e madhe si vjen!
Kaq kohë e nemitur
Dhe e shastisur-
e ndjen?
Hareja ka kënduar
Si një pulëbardhë e gëzuar
Në hapësirat e paskajshme.
Fluturo këngë e pafajshme
E qofsh e mirseardhur
E pritur krahëhapur
Pa ankimet e kota të atij që hareshëm
më në fund rikthehet.
Komentet