KA VALLË NJË KRUA ZEMRA JOTE E VOGËL
Ka vallë një krua zemra jote e vogël,
Ku lule të druajtura lëshojnë gonxhe,
Dhe zogj të trembur zbresin për të pirë,
Dhe hijet pa masë drithërohen?
Dhe askush nuk e di këtë rrjedhë,
Nuk di që ndonjë krua të jetë aty;
Dhe prapë hurba jote e vogël e jetës
Shterohet duke u pirë përditë.
Atëherë shiko për një krua të vogël në mars,
Kur lumenjtë të vërshojnë,
Dhe kur bora të vërtitet furishëm nga kodrat,
Dhe urat shpesh i mbikalojnë.
Dhe vonë, në gusht ndoshta,
Kur livadhet thahen në vapë,
Ruaje të paktën këtë krua të vogël të jetës
Për ndonjë mesditë zhuritëse të thatë!
LUMI IM REND NË TY
Lumi im rend në ty:
Det i kaltër, më pret mua mirë?
Lumi im pret përgjigje.
Oh det, të lutem ki mëshirë!
Unë të sjell ty kroje
Nga anë bote,-
Eja, det,
Më merr shpejt!
EPIGRAM
Kjo është gjithçka që sot po sjell,
Kjo, dhe zemra ime pranë,
Kjo, dhe zemra ime, dhe të gjitha fushat
Dhe të gjitha livadhet paanë.
Ta dini mirë, më duhet të harroj,-
Dikë që dielli vetë do ta tregojë,-
Këtë, dhe zemrën ime, dhe të gjitha bletët
Që në tërfil ndalojnë.
TI MË LE, I DASHUR, DY PASURI
Ti më le, i dashur, dy pasuri,-
Një pasuri dashurie
Një Shenjt Qiellor do të qe i kënaqur
Për një dhuratë të tillë;
Ti më le caqet e dhimbjes
Të fuqishëm si det,
Midis përjetësisë dhe kohës,
Ndërgjegja jote dhe unë vet.
TË NDRYSHOJ? ATËHERË KUR KODRAT
Të ndryshoj? Atëherë kur kodrat
Të luhaten? Kur dielli të pyesë
Nëse lavdia e tij vallë
Është apo jo e përkryer.
Të ngihem? Kur narcisi
T’i thotë vesës:
O mike, unë ty
Të dua si veten!
PARAJSA ËSHTË LARG AQ SA
Parajsa është larg aq sa
Dhoma jonë më afërt,
Nëse në atë dhomë një mik pret
Lumturi ose fat të mbrapshtë.
Çfarë force shpirti ka,
Që mund ta durojë atëherë
Kumbimin e hapave që vijnë,
Dhe hapjen e derës!
DYSHON PËR MUA, I DASHURI IM I GJORË!
Dyshon për mua, i dashuri im i gjorë!
Pse, Zoti do të ishte i kënaqur
Qoftë edhe nga një grimë dashurie
Kushtuar ty me shpirt të pastër.
Veten time të tërë, përgjithmonë,
Çfarë mund të të japë një grua më tepër,-
Thuaj shpejt se unë mund të të dhuroj
Kënaqësinë time të fundit në jetë.
Shpirtin tim s’ta jap dot,
Sepse ta kam dhënë më parë ;
Unë pranoj çdo pluhur mbi mua,-
Ku ka pasuri më të madhe
Për mua, një çupë e ndrojtur,
E cila duket se qiellin arrin
Nëse ka mundësi
Një çast të vetëm qoftë
Ta ndajë me ty!
UNË FSHEH VETEN BRENDA LULES SIME
Unë fsheh veten brenda lules sime,
Që ti e mban në gji,
Ti, pa dyshuar, ke veshur edhe mua-
Dhe veç engjejt tjerat i dinë.
Unë fsheh veten brenda lules sime,
Që venitet në vazon tënde krejt,
Ti, befasisht, ashtu për mua
Së paku vetminë ta ndjesh.
KËTË E BËRA GJITHMONË I DASHUR
Këtë e bëra gjithmonë i dashur,
Ja ku ta dëshmoj tash:
Aq kohë sa të dashurova
Nuk të dashurova mjaft.
Që unë do të të dua gjithmonë,
Ja ku po ta them ty
Se dashuria është jetë,
Dhe jeta pavdekësi.
A dyshon ti kështu?
Se nuk paskam vallë
Të tregoj tjetërgjë
Përveç Kalvarit.
SIKUR NDONJË LULE E VOGËL ARKTIKU
Sikur ndonjë lule e vogël Arktiku
Në tejskajin polar,
Zbret në viset e ulëta
Derisa hutohet fare
Në kontinentet e verës,
Në kupën qiellore të diellit, në turmat
E çuditshme, të ndritshme të luleve
Dhe zogjtë që flasin gjuhë të huaj!
Unë them sikur kjo lule e vogël
Të shkonte edhe në Eden-
Çfarë pastaj? Asgjë, veçse
Përfundimin nxirreni vet!
UNË NUK MUND TË JETOJ ME TY
Unë nuk mund të jetoj me ty,
Ajo duhej të ishte jetë,
Dhe jeta është gjithandej
Përtej raftit atje
Ku varrmihësi çelësat ruan,
Duke ngritur te buzët
Jetën tonë, porcelanin e saj
Si një kupë
Hedhurinat e amvisës,
Të vjetra apo të thyera;
Një Sevrë të re ju lutem,
Të vjetrat plasën.
Unë nuk mund të vdisja me ty,
Sepse njëri duhet të presë gjithnjë
Tjetrin derisa t’i shuhet në duart e tij,-
Ti nuk do ta bëjë këtë.
Dhe unë mund të rrija pranë
Të të shikoja tek jepje shpirt,
Pa pasur të drejtë të kem
Privilegjin e vdekjes me ty?
Nuk do të ngjitesha me ty në qiell,
Sepse fytyra jote
Do të hutonte vetë Jezusin,
Ai nuri hirplotë
I tëri dhe krejt i huaj
Ndrit në sytë e mi plot mall,
Ti më shumë se ai
Dritë përhap.
Ata na gjykojnë- si?
Sepse ti i shërbeve Zotit, ti e di,
Aq sa askush
S’e bënte kurrsesi,
Nga pamja jote e plotë
Më merreshin sytë
Më bënte shurdhe Parajsa
Tek të pranonte ty.
Atje ku je ti, unë do të isha,
Edhe pse emri im njerëzor
Kumbon tejetej
Në famën qiellore.
Ti je i shpëtuari
Unë ajo që do të marrë dënim,
Pa praninë tënde,
Gjithçka është ferr pa mbarim.
Kështu veç e veç,
Ti atje, unë këtu,
Me dyer gjysmëhapur
Oqeanet janë ashtu,
Dhe lutje,
Dhe jetë në mjerim,
Në pafund
Dëshpërim!
I Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ
Poetja amerikane Emily Elizabeth Dickinson (10 dhjetor 1830 – 15 maj 1886) lindi në Amherst, Massachusetts. Babai ishte një nga avokatët dhe politikanët kryesorë të qytetit. Ajo as motra nuk u martuan dhe nuk jetonin me familjet e tyre. Emily rrallë e la Amherstin gjatë jetës. Ajo ndoqi një shkollë aty pranë dhe shkoi një herë në Uashington dhe dy ose tri herë në Boston. Më 1862 u mbyll plotësisht në shtëpi dhe nuk i takoi as miqtë më të ngushtë deri në vdekjen e saj. E mbyllur në dhomë iu përkushtua shkrimit. Letrat e hershme dhe përshkrimet e saj pasqyrojnë një vajzë tërheqëse me një shpirt të gjallë. Kritikët mendojnë se arsyeja pse më vonë u tërhoq nga bota mund të jetë bazuar në një përvojë dashurie të pashpresë. Edhe pse marrëdhëniet dhe përvojat me botën e jashtme janë të kufizuara, ajo është një njeri i letrave, krijuese dhe imagjinative në shkrimet e saj.
Kur Emily Dickinson filloi të shkruante poezitë e saj të para, nuk kishte pothuajse fare arsim. Ajo nuk e njihte ende Shekspirin dhe mitologjinë klasike. Në fillim, ajo ishte më e interesuar për shkrimtaret gra si Elizabeth Browning dhe Motrat Brontë. Vetëm shtatë poezi iu botuan sa ishte gjallë.
Pas vdekjes, më 1886, motra hyri në dhomën e saj dhe gjeti rreth 1800 poezi të lëna prej saj. Në katër vitet pas vdekjes, pra deri më 1890, u botuan pothuajse të gjitha poezitë e saj. Në vitet 1920, Emily Dickinson u bë një nga poetët më të njohur në Shtetet e Bashkuara dhe fama e saj vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Emocionet shpërthejnë në poezitë e saj. Emily Dickinson shkroi poezi të shkurtra, shumica e të cilave bazoheshin në një imazh ose simbol të vetëm. Megjithatë, në poezitë e shkurtra, ajo pasqyron në mënyrën më të thellë gjërat më të rëndësishme në jetën e saj. Në poezitë e saj tregon për dashurinë që nuk mund ta përjetonte kurrë dhe për të dashurin që nuk mund ta takonte. Ajo ka edhe poezi për natyrën. Ka edhe poezi në të cilat flet për suksesin që nuk mundi të arrinte dhe dështimin që e shihte gjithmonë si mik. Ajo pasqyron elemente të tilla në poezi në një gjuhë tejet mbresëlënëse, saqë konsiderohet si një nga poetët më të mirë të të gjitha kohërave në SHBA. E.B.
Komentet