KUR T’JA BEHIN SHIRAT
Dielli s’po shndrit, e as po jep shenja jete,
Për ne kushërinjtë e afërt nga Mesdheu.
Male bore kaptojmë njërin pas tjetrit,
Qiej durimplotë kredhur në shtëllunga të hirta.
Diçka duhet të ketë pas tyre me siguri…
Hone humbëtirash të panjohura për udhëtarin,
A këngë zogjsh të mbajtura pezull sipër reve.
(Kur t’ja behin shirat do të shpërthejë dhe muzika.)
Koha ka ngrirë si bora mbi trungjet e pemëve
Frymëmarrjet ngjizin pëllumba të bardhë
Që lëshohen fluturimthi mbi liqenin akullnajor.
Ai është i kaltër, i kaltër në të bardhë
I hijshëm si fëmijë drite netëve boreale
Ai është prushërim i heshtur për stinën e përtëritjes
Palca e këngës për gjakun pranveror…
28.12.2017
Sain Moritz, Zvicër
SIMFONI DRITE
(E shkruar për Olimpian)
Bijëza e diellit vështron trungjet e pemëve dhe çuditet.
“I ka ngrënë tymi degët, i ka ngrënë, i ka ngrënë!!!”, mërmërn përvajshëm.
I meket zëri bijëzës e kthen kokën të mos i shohë më trungjet e ngrënë.
Ajo s’e ka njohur kurrë mjegullën më parë.
Degët e gëlltitura shfaqen pak nga pak.
Kthjellë pas kthjelle dhe lumi fillon vjen.
Sa feks agu është veç vuvurimë.
E pastaj bëhet lumë, lumë i bukur shumë.
Vajzukja s’e kthen që s’e kthen më kokën.
Mjegull e davaritur ia ka rikthyer pemët sërish.
Kur i sheh papritur, nis e brof si ketër.
“Nuk e dua më tymin e bardhë, nuk e dua, nuk e dua”, thërret plot hare blerimit të paanë…
Janar 2018, Anës Rhinit, Baden-Ëürttemberg, Gjermani.
HESHTJE SOLEMNE ZOGJSH
Si kotet kjo gri mbi çatitë e pjerrëta
Fusha të tëra strukur brenda mjegullës
Si dhelpërushët në zgavrat e pemëve
Ato ishin pemë
Pemë der pak më parë
Tani janë shëmbëlltyra të tymta, të tymta…
Liqeni Bodense na ndjek pas ngado
Bir i Rinit bir përgjumur me pulëbardhat
Nën po të njejtin qiell të të tri atdheve
Une atdhe sot kam mjegullën
Psalmet e saj ende të pakënduara
Nëpër ajrinë e mbushur tejpërtej
Me heshtje solemne zogjsh…
30.12.2017
Duke udhëtuar nëpër Bregenz, Austri
DIMËR NË KONSTANZ
Për pak dhe mjegulla do t’u avitet shtëpive
Po ajo mjegull që përpiu lumin, fushat, drurët…
Kumbanorja e kishës po ashtu humbur aty!
Do të na avitet mjegulla kur të jemi ndoshta ne oborr
Me pëshpërima lloj lloj dhe tinguj psalmesh
Do të përplasemi…
Do të përhumbemi dhe ne në mjegull
Si bij kthjellimi të dëshiruar për pak harrim…
03.01.2018
Konstanz, Gjermani
Komentet