Anticirkland, poezi, Onufri 2014, nga Elida Buçpapaj
Të shkruash për një përmbledhje poetike, do të thotë të ndiesh se si lind emocioni që është përzierje e imazhit me tingullin, të dallosh strukturën e mendimit poetik dhe të vargut e në përgjithësi unin ose karakterin e atij ligjërimi që e bën të veçantë mes ligjërimeve të tjera. Dhe më e rëndësishmja është të kuptosh takimin me momentin e mistershëm që e krijon poezinë, elementet që ushqejnë frymëzimin, kërkimin për të vërtetën e unit poetik, të cilat bashkohen në një univers imagjinar që duhet zbuluar.
Por kjo nuk është e lehtë, sepse poezia shpeshherë zhvillohet përmes një fragmentimi që duket si kalim i shpejtuar nëpër subjektin e një ëndrrre që do të shfaqej si objekt konkret para syve të tu. Si realizohet kjo te poezia e Elida Buçpapajt?
Mund të thuhet se zgjimi është një gjendje në të cilën qenia përpiqet të gjejë unin e saj poetik në realitetin e pasëndrrës. Ndjesia apo ëndërrimi i materializuar përgjithësisht formojnë perspektivën e një projekti poetik. « Sepse ky projekt nuk ekziston jashtë veprës, ai është i njëkohshëm me të. Ai lind dhe kryhet me shkrimin.
Në hasje me një përvojë dhe një gjuhë », thotë Jean-Pierre Richard. Hapësira që ndan realitetin nga ëndrra është e rëndësishme për të kuptuar kontradiktat dhe lëvizjen e mendimit. Poezitë e ndryshme të krijojnë një ide për frymën lirike: shiu, violina, pranvera, bora, deti, kolovajza, mirazhi, por edhe për frymën epike: mendimi, turma, himni, letër apo për frymën filozofike : rinia, labirinti, ëndrra, zhgënjimi, të cilat nxjerrin në pah disa motive që lidhen me temat e mëdha ekzistenciale: fëmija, liria, e ardhmja, e vërteta.
Marrëdhëniet me unin poetik
Që në vargjet e para që hapin përmbledhjen, e ndien se poetja ka një udhëtim personal që synon mesazhe të gjithkohshme, të cilat janë si çelës për të hapur dyert e meditimit të drejtpërdrejtë me kohërat. Ky udhëtim është vetëdija që ngrihet mbi koncepte të qëndrueshme e universale, që ekzistojnë nga përshtypjet e veçanta të bashkuara me të vërtetat e mëdha të jetës.
Eshtë si një ngjitje në lartësi, në ajrin e kthjellët të mendimit, një tërheqje nga realiteti i përditshëm, shpeshherë zhgënjyes. Të duket sikur këto janë kurorëzim i ideve, të cilat regjistrojnë atë që është më domethënësja në jetë : : „Rinia nuk është turmë / është alfa dhe beta/ është nisja dhe fillimi / […] rinia është lëvizja/ tronditja/ rebelimi /për hir të së bukurës (Rinia nuk është turmë – Manifest i rinisë, f. 19). Në të vërtetë te rinia gjendet kuptimi i jetës, origjina e modernitetit, sekreti i ekzistencës. Ja, pra, një konstatim filozofik, e vërteta e personalitetit, vetëdija e kulluar, që e kemi lënë të ikë pa e kuptuar, sepse pastaj vjen vargu tronditës : „turma jemi ne,“ që është një formë kritike, ose autokritikë “për ne” që nuk e kemi jetuar/vlerësuar rininë, por edhe që ta kuptojmë se rinia është ajo shtresë që lëviz shoqërinë për të ecur përpara.
Ka një keqardhje, për pengesën që nuk na le të shohim mirë, sepse koha nuk kthehet pas. Në shumë poezi kjo “keqardhje” është e dukshme: ne jemi viktima të dhimbshme të një realiteti që na rrëmben personalitetin.
Për fat të lumtur ndodh që ky konstatim lihet mënjanë, që gjërat ndryshojnë një çast, vjen shiu i ngadaltë pranveror, me lirizmin e tij, toka përtërihet, përtërihen dhe zemrat, sepse jeta në vetvete është e bukur. Syrrealizmi triumfon, gjithçka i ngjan një ëndërrimi të bukur, dehjes. Ndjesitë formësojnë një ligjërim poetik me përmasat e madhështisë. Shpirti i vërtetë është i hapur për të mirën, të bukurën, sublimen. Toni lirik shfaqet i përmbajtur: “ Binte shi / dje / në Bernë / e maji / kishte veshur/ uniformën / e reve / me grinë / metalike / të melankolisë“ (Binte shi dje në Bernë, f. 25). Ky lulëzim i qenies njerëzore përmes një fenomeni simbolik të natyrës, jepet përmes një retorike të lehtë tingullore me harmoni muzikore, të përshkuar sidoqoftë nga një metaforë trishtimi që nuk e përjashton dykuptimësinë. Natyra vepron mbi qenien si një nxitje për një ngazëllim të brendshëm, si një zgjim i qenies poetike, si një lëvizje drejt realiteteve që na shkëpusin nga përditësia e lodhshme. Lumturia qoftë edhe jetëshkurtër shërben si vatër e ngrohtë për xixëllimat e ardhshme.
Por dihet që orët e lumtura kudo qofshin në këtë botë, janë gjithnjë të kërcënuara, sepse e keqja nuk fle, ajo përgjon çastin fatal. Ndjeshmëria është si një zinxhir qerthullor që herë duket e herë zhduket nga pamja. Dhe nuk ka asgjë më dëshpëruese se të përballesh me një të keqe që nuk e ke pritur. Meqë nuk ekziston mundësia për ta zhdukur të keqen konkrete, arrihet zgjidhja e saj virtuale. Gjithçka fillon dhe rifillon pafundësisht. Forcë, rreptësi, njëlloj çlirimi mendor që përfton vlera turbulluese: „Lotët dhe dhimbja / nuk bëhen / kurrë hi / ato rikthehen / në frymë“ (Janë ca që kujtojnë, f. 27). Jeta tregon që në lindjen e saj se ajo ka në vetvete një cilësi fuqie, gjallërimi dhe pjellorie të madhe. Qëndresa bëhet objektive. Shprehja vendos rregullin e saj të pashkruar. Poezia jep atëherë një gjykim kolektiv me përmasa metaforike, me një lloj përjetësie thuajse biblike.
Poetja dëshiron të shohë mirë në sytë e menduar, përmes dashurisë, miqësisë, veprimit shoqëror dhe pa dyshim kjo prirje tregon praninë e saj, mënyrën e pohimit që është pohim i qenies. Një qenie që kupton peshën e rëndë të rrënojës së kohës që na bën spektator të pafuqishëm të ikjes së saj të pakthyeshme. Trishtimi se mund të jetosh duke parë ikjen e kohës, shprehet me vetëdijen e humbjes: “Bora/ i zbardhi /mendimet / i ftohu / i plaku / i flaku/ […] e ne të /friguar / me mendime / të mardhura / të zbardhura” (Mendime të borës, f. 44). Domethënia poetike është e qartë, figurshmëria dhe ritmi i japin mendimit reliev. Tingujt e fjalëve vijnë si një rrjedhë e furishme, e shpejtë.
Kërkimi i së vërtetës arrihet me pak humbje apo braktisje të lirizmit, natyrisht, sepse e vërteta nuk kërkon zbukurime. Kjo dhunti, për ta thënë të vërtetën është një pohim, një marrëdhënie tepër e shprehur me realitetin. Ka një ritëm të gjallë që duket sikur merr frymë me jetën. Endërritjet poetike, sidoqoftë kanë gjithnjë realen si kusht. Çdo përpjekje drejt qendrës së ekzistencës, drejt zemrës, lidhet këtu me nostalgjinë që e sendërton realitetin, i jep atij qartësi misteri. Gjallëria të kujton një rrezatim të brendshëm, një mahnitje, në të cilën vigjilon një flakë e ndaluar: “por ne prapë vazhdojmë / e nuk heqim dorë / së kërkuari miqësinë / pasqyrën e shpirtit tonë / pa pasur frikë / se do të zhgënjehemi / në mënyrë ciklike” (Për të gjithë ne që nuk u lodhëm kurrë duke u zhgënjyer f. 88). Poeti i vërtetë vuan duke pohuar të vërtetën e hidhur, por ai pranon më mirë të vuajë se të jetojë i mashtruar, kundërvënie e gjallë e një fenomeni, por edhe pohim i një identiteti. Çdo pohim i sinqertë është triumf i së vërtetës, triumf i zgjimit të vetëdijes, i zgjimit nga ëndrra.
Ky sekret brendësohet, duke mos pushuar së treguari boshin e një vetmie që krijohet kur idealet e lirisë shpirtërore e të demokracisë tradhtohen. Poezia shpreh atëherë misterin e një pranie të padepërtueshme e që është më tepër dhimbje në zemër, ajo i nënshtrohet jehonave, pasqyrimeve, marrëdhënieve të thella të dyanshme të solidarësisë. Territori i lirisë, ky vend ideal për lulëzimin e jetës, është një peizazh i ëndërruar, vend i ëndërruar, shoqëri e ëndërruar.
Qenia jonë është pakufij, ajo ndjek ndryshimet e jetës, ushqehet dhe vetushqehet, është e etur për një horizont emancipimi të kthjellët, sepse ai është magjepsës, është përtej realitetit që jetojmë, është ajo që synojmë: „Për t’ia rifilluar nga e para / ia vlen / vetëm pa maska / hiqini maskat hidhini maskat / dhe shikoni me sytë tuaj / mendoni me mendjen tuaj / sepse bota pa pikë dyshimi / atëherë do të jetë e bukur…” (Le t‘i heqim maskat, f.76). Pushteti i komunikimit me forcën e tij fshin gjithçka që nuk shkon, e vërteta do të marrë dritë nga rinia.
Poezia e thotë këtë, sepse është një ecje me nxitim përmes këtyre imazheve plot dritë. Jeta reale i krijon mundësitë për të qenë vetvetja, për të ecur drejt esencës, duke u përballur me të keqen. Shumë poezi na shtyjnë të besojmë me guxim së bashku me poeten në një botë të ndërtuar me duar dhe mendje të pastër. A mund të ndodhë një mrekulli e tillë? Por është vargu “vetëm pa maska”, ndryshe e papritura e bukur mund të mos ndodhë kurrë. E vërteta e qenies, që është në themel të shumë poezive, shpeshherë mbetet e fshehur, thuajse e ngrirë, ka shumë pengesa për të kapërcyer. Por mesazhet e ngrohta, sidoqoftë, e shkrijnë akullin.
Uni poetik është uni i rigjetur filozofik që ndërton marrëdhënie me të mirën shoqërore dhe të vërtetën. Pika ku bashkohet dëshira e saj me të vërtetën vjen si një goditje e rreptë ndaj së keqes që pengon jetën dhe unin njerëzor të realizohen. Optimizmi i arsyes mbizotëron dhe zbërthen enigmat e botës, ai është një lëvizje racionale që kapërcen murin e gjasave. Adhurimi për të mirën dhe fuqinë e saj transformuese është kudo i pranishëm si një përfundim filozofik.
Sintezat poetike në të cilat dallohen thellësitë e përfytyrimit, përqendrohen në një përvojë jetësore që parashtron të ardhmen. Estetika e shprehjes në poezi të veçanta sjell një harmoni si shpërthim i energjisë së brendshme. Në perceptimet poetike veprimet shumëfishohen. Cilido send kur i zbulohet thelbi, ruan në vete të vërtetën dhe shikimi që e zhbiron të vërtetën është dritë mendimi. Marrëdhënia poezi/realitet bëhet kështu një vazhdimësi e domosdoshme : “ Pranverës / iu qepa / me ngulm / si kërkuese ari /që kalon në sitë / gjithë guriçkat / e zallin e lumenjve / të orëve / me shpresë …” (Pranverë 2014, f. 38). Këto vargje, si mund t’i quanim, këto fije bari të blerta, kanë mbirë mes kaosit ekzistencial. Një poezi e këtyre përmasave i ka të kthjellëta mesazhet sociale. Lirizmi i përmbajtur përvijon një shpirt të gjallë, ku ndrit e vërteta, e cila nuk është mit. Çdo gjendje shpirtërore e poetes është një gjendje shpirtërore që rrezaton, sepse nga e kaluara dilet te e sotmja dhe nga e sotmja shkohet në të kaluarën; ecet kështu me zemër të dritësuar nga dashuria për të vërtetën dhe të bukurën: “jeta / çfarë është jeta / / një pikë / një presje/ një pikëpresje / një pauzë / një pikëpyetje / një ardhje / a ikje” ( Jeta çfarë është jeta? Shoqes së gjimnazit M. B., f. 47). Botën duhet ta njohim në përbërësit e saj dhe poezia duhet të na përgjigjet me një tejdukshmëri të atillë që të jetë analogji e ndjeshme e gjuhës dhe e mendimit. Në një regjistër thjesht soditës, paradigma e vazhdimësisë i transformon poezitë në energji dhe filozofi jetësore.
Kundërvënia me realitetin
Marrëdhëniet me botën në poezinë e vërtetë marrin fluturim dhe i japin ajër frymëzimit. Mes poetes dhe botës ekziston një ndarje e thellë, sepse e keqja ka një forcë të madhe shkatërruese. E vërteta e hidhur plagos. Realiteti del i thyer, i copëtuar, iluzor. Kjo gjendje e brendshme e përjetimit të së keqes është tregues se njohja e marrëzisë të së keqes, krijon pavarësi, e transformon situatën në një fushë beteje ku fjala merr fuqi dhe mendimi mjafton t’i tregojë botës fytyrën e së keqes që mishëron zilia: „Zilia / është nepërkë / me fytyra të njohura / në shtirën e tyre dredharake“ (Zilia, f. 31). E keqja është si një hapësirë nate e errët që nuk mbaron dhe jo rrallë i zë të gjitha horizontet. Kjo gjendje, dëshpërimisht konkrete, sjell forcimin e unit, por çon edhe në braktisjen e unit apo nganjëherë edhe më keq, në humbjen e tij. Megjithëkëtë shpirti i gjallë e i pastër është burim i së mirës. Imagjinata pjellore i shmang territoret e zymta dhe ndërton në vend të tyre hapësira me dritë. Lexuesi e ndien sesi i këndohet asaj që do të vijë më pas, që do të jetë virtyti i shpirtëzuar. Gjithë plasticiteti i fjalës dhe i vargut, gjithë udhëtimi poetik është nxjerrja në dritë e së mirës. E mira është edhe e vërtetë edhe e bukur se i takon së ardhmes. Kuptimi i saj vjen dhe bëhet lëvizje; lufta mes së mirës dhe së keqes dërgon një mesazh që të jep zemër: “sepse rruga e lirisë / na bën / të marrim frymë / me një mushkëri / pa marrë parasysh distancat …” (Fëmijëve u premtuam lirinë f. 64).
Realiteti shpirtëror, të qenit ballë për ballë, jepet ndonjëherë me mendime të drejtpërdrejta, përmes një komunikimi të thjeshtë. Të njohësh vetveten në një realitet të dhënë, është një nevojë praktike dhe qytetare. Bashkohësia historike është një lloj dyshimi që zgjohet në vetëdije. Kjo gjendje kushtëzon edhe poezinë. Bota është e ndarë, ekuilibri i saj herë prishet dhe herë fiton qëndresë, në këtë vajtje-ardhje nga uni i saj te bota, te realiteti. Nëse fjala e zakonshme e zbulon dalngadalë të vërtetën ose nuk e zbulon kurrë, poezia është si një ndjekje e pareshtur, si një shtegtim i heshtur që duron gjithsesi trysnitë e jashtme dhe me përpjekje e tregon identitetin e thellë dhe lidhjen e tij me botën. Pengesa e madhe që është dhimbja për të pohuar të vërtetat e hidhura, të cilat rrinë të strukura në thellësi, në kufirin që ndan vetëdijen me nënvetëdijen, kapërcehet me shumë thjeshtësi: “e të jetosh e çlirueme prej rrenës / do të thotë ta dish / shijen e vërtetë të lirisë…/ provojeni / vetë / të më besoni” (Nuk shkoj kurrë ma në mitingjet e tyne, f. 54). Largësia prej botës shkurtohet, ballafaqimi me të keqen, prej të cilës poetja ndien neveri dhe kurrë nuk pajtohet, është shumë serioz. Atëherë identiteti shndërrohet në lëvizje nga kriza shpirtërore që shkatërron dhe ndërton në çast një truall, i cili do të popullohet me njerëz të dëlirë. Mund të ndodhë që përkohësisht të mbizotërojnë ngjyrat e errëta të pesimizmit, por urat e vështrimit poetik janë hedhur larg, atje ku çel drita.
Udhëtimi në realitet dhe lufta për triumfin e së mirës në njërën anë si dhe konstatimi i largësisë mes qëndrimit të poetes dhe atyre që nuk e kuptojnë të vërtetën e realitetit në anën tjetër, janë një cilësi që nuk pushon së shfaquri kudo nëpër poezitë e librit Anticirkland. Ky udhëtim i palodhur i jep gjallëri mendimit poetik, duke shprehur në mënyrë të pastër drejtimin e rrugës, bukurinë e së vërtetës. Veç kësaj kredoja poetike shpallet që në titull. Ne kuptojmë kështu strukturën e veçantë poetike që del si vazhdimësi e çasteve të përjetuara aq thellë, sa krijojnë sinteza dhe përfundime të fuqishme për jetën njerëzore. Përballë realitetit poezia nuk është thjesht një soditje, por veprim, gjallëri, mospajtim, zgjidhje: “Shansi për ta kthyer të keqen përmbys / mbetet / për ta kthyer detin e së keqes / në oqean të së mirës / dhe me të mirën pastaj /mund të ndërtosh qytete /dashurie” (Ka njerëz të mirë flm zotit, e të ligj, zot mbana larg tyre! f. 118). Veshja e metaforike që është edhe origjina e mendimit njerëzor, është forma më e bukur e poezisë; ajo shpreh në mënyrë të figurshme ndryshimin, përtëritjen, krijon një kontrast të fuqishëm me realitetin e vërtetë të gjërave. Duke trajtuar në poemë një temë të tillë ekzistenciale të ndërtimit të marrëdhënieve të dashurisë mes njerëzve, poezia mbart në vete farat e një realiteti të ardhshëm që do të jetë për njeriun streha e vërtetë e jetës në paqe dhe dashuri.
Ndjenjat e bukura, në kuptimin pozitive, janë zjarre që ngrohin. Ato janë si përvojat e përjetshme, të lidhura me diçka të brendshme e të thellë te njeriu. Poezia zgjohet së pari për sendet dhe qeniet, për ato që e mobilojnë universin njerëzor. Zgjim do të thotë edhe zbulim, rifillim me një vështrim të ri, mbërthim i papritur i brendësisë: “ Dita / gotë kristali / e grimcuar/ qielli / alfabet / i pashqiptuar” (Variacion me violinë, f. 29). Ky pohim është shumë domethënës. Nga imazhet konkrete shkohet në arsyetim dhe pastaj në përsiatje; ky është realiteti material që transformohet në një realitet ideal, një moment shpërthimi, që sjell përmbysje, shqyrtim të hollësishëm të së kaluarës. Një frymëzim i tillë, përkufizon edhe ligjet e prirjes poetike, sintaksën dhe kuptimin e fjalës, përcakton vrullin, metafiziken: “Deti e ndryshoi ngjyrën / e u bë bar/ bari e ngriu frymën / e u bë zjarr / zjarri shkrumboi shpirtin / e u bë zhur…” (Labirint, f. 48). Kjo është edhe arsyeja e fortë që bën të druhemi nga një realitet që ndonjëherë fsheh të papritura të tmerrshme që kërcënojnë jetën e fëmijëve tanë. Kjo do të thotë të kesh një marramendje absolute, sepse është fjala për një të keqe absolute. Dhe si të jetosh “përtej”?
Bukuria e ritmeve, loja e tingëllimeve të buta ose të mprehta dhe përkundja e motiveve krijojnë një rrethqarkullim që i ngjan shpirtit nëpër valë. Syri shërben si qendra e këmbimit të imazheve. Ne kuptojmë kështu gjestin e thjeshtë që çdo çast ruan poezinë dhe derdh dritë në horizontin e ndjenjave e të mendimit. Leitmotivi është tjetri, fuqia e kohës. Si ta arrish horizontin pa vënë re hapësirën që e ndan prej nesh. Domethënia poetike është një dhe e pandashme. Gjatë leximit e ndien se zgjerimi i horizontit është edhe thellim i personalitetit : « bota / për çdo ditë e më e mirë / kur i betohemi / së vërtetës / kur i falemi / së vërtetës / kur i thurim / himn / të vërtetës / me gjithë shpirtin / e zemrën tonë…” (Himn së vërtetës, f. 129). Ky është sublimimi i së vërtetës, një qëndrim i ri ndaj realitetit, një vetëdije e re pa mister, e natyrshme, ashtu si duhet të jetë, që do të na shpëtojë nga errësira e gjykimeve primitive dhe do të na lejojë të mbjellim në zemra shpresën e së ardhmes.
Ky libër nuk është i rastësishëm, ai është vazhdimësi e një ligjërimi të veçantë që funksionalizohet përmes një uni poetik të individualizuar në formë, me metafora, metonimi dhe antiteza që me librin e parë të Elida Buçpapajt Nuk jam e përjetshme. Mesazhet e plotësuara në librin e ri vijnë më të qarta për rolin që ka e mira, e vërteta dhe e bukura në shoqëri dhe për luftën e hapur që duhet të zhvillojmë pareshtur ndaj së keqes. Individualizimi poetik është i dykuptimshëm: ai sjell së pari një afëri me objektin dhe së dyti shpreh një gjendje të brendshme, një lëvizje të fjalës dhe mendimit. Pasqyrimi i botës nuk ndahet midis motivit dhe veshjes së tij lëndore, por jepet në mënyrë dialektike si zhvillim. Çastet e frymëzimit që i sjell në poezi ndjeshmëria ndaj botës, vijnë përmes një projekti poetik që po të vështrohet mirë vë në dukje tematikën kryesore në kërkim të qenies zanafillore dhe të vërtetës, në pararojë të të cilave janë filozofia dhe poezia.
Udhëtimi ndër vite i autores, i shoqëruar me poezinë, njëherë si vajzë e poetit Vehbi Skënderi, dhe pastaj bashkëshorte e njërit prej poetëve të shquar shqiptarë, Skënder Buçpapaj, i ka dhënë poezisë së saj pasqyrimin e thellësive e të bukurive të fjalës e të mendimit. Edhe gazetaria “shkëlqimi dhe befasia e mendimit” ashtu si e quan Balzaku, me të cilën ajo merret prej vitesh e që është në mbrojtje të përhershme të së drejtës së njeriut që duhet të rrojë i qetë dhe i vetëdijshëm në mes të bashkësisë njerëzore, e ka ushqyer poezinë e saj me tema qytetare. Në hapje të librit, në vend të kushtimit ajo ka vendosur poezinë e shqipëruar Në fillim ata iu sulën, të poetit Martin Niemöller, që është një thirrje kundër heshtjes dhe tjetërsimit, për të mbetur gjithnjë vetvetja dhe e mbyll librin me dy dokumente historike, të shqipëruara po prej saj: një është letra e presidentit të Amerikës Abraham Linkoln, dërguar mësuesit të djalit të tij ditën e parë të shkollës, e shndërruar në vargje poetike dhe tjetri është Fjalimi i famshëm i Martin Luter King I have a dream (Kam një ëndërr), që flasin për përgjegjësinë e të gjithëve ndaj së ardhmes së shoqërisë.
Tiranë, maj 2017
P.S.:
Elidën e takova në Zvicër, një ditë marsi të këtij viti në qytetin e vogël Hinwil, që ndodhet pranë kolegjit të përkthyesve, në të cilin isha ftuar me bashkëshortin tim. Ajo erdhi që nga Bazeli së bashku me Skënderin. Biseda që u zhvillua kishte brenda sidomos përmallimin për vitet e mësuesisë në Tropojë, vite të largëta, por të mbushura me ëndrrat e poezisë. Prej vitit 1996 Elida me Skënderin jetojnë në Zvicër, së bashku me dy djemtë e tyre të shtrenjtë, Prizrenin dhe Endritin. Ata janë të dy poetë dhe lexues të parë të poezive të njëri-tjetrit. Duke qenë në një komunitet të huaj, ata janë të detyruar, por fatlumërisht, të bëjnë parathënie ose ese hyrëse për librat e njëri-tjetrit. Vërtet janë dy zëra, por sa shumë jehonë krijojnë ata me penën e tyre! Ja si shkruan Elida në parathënie për librin e Skënderit Vetëm të vdekurit pendohen: “Ndihem me fat që jam lexuesja e parë e krijimeve të Skënder Buçpapajt. Edhe e poemës Vetëm të vdekurit pendohen, që unë e shoh si poemën e Pemës së Jetës, të konceptit kozmik të krijimit, që lidh trupin me shpirtin, prej zanafillës e deri kur jeta kthehet në frymë. Eshtë poema më e bukur e shkruar për Nënën në rang botëror, sikur ta kenë shkruar gjithë bijtë e Nënave të këtij Njerëzimi, përgjatë epokave dhe mijëvjeçarëve […]”. Ja si shkruan Skënderi në esenë që paraprin librin poetik në fjalë të Elidës: “Duket se më shumë se në çdo libër tjetër poetik të mëparshëm, poetja vjen me një poezi ku kemi një përplasje të ashpër […] mes së mirës dhe së keqes – si kategori filozofike, mes së bukurës dhe së shëmtuarës – si kategori estetike, mes së vërtetës dhe gënjeshtrës – si kategori logjike, mes së ligës dhe të njerëzishmes – si kategori etike. Në këtë mënyrë, poezia realizohet përmes kundërvënieve, antitezave, kontrasteve, realizohet nëpërmjet imazheve më të fuqishme se kurrë më parë dhe nëpërmjet toneve më të larmishme se kurrë më parë, duke pasuruar më shumë metaforën e shprehjes”.
Libri Anticirkland për të cilin shkrova, jo vetëm qe një dhuratë e bukur, por edhe një befasim për mua.
Sa mire: -dy zonja te nderuara krahperkrah.
Urimet me te mira.