lirikë bjeshkëtare
Prej qyteti isha
kur shkova në bjeshkë
bjeshka më pushtoi me lule
e bjeshkatarja e vjetër afër meje më mbushi me këshilla.
për gjarprin ishte ma e vlera
(unë druja gjithnjë, se këshillat s’më duhen)
“E para kij kujdes,
kur të pish ujë
shih mirë nëse gjarpri shkon tek burimi
zbritun e djegun bjeshkës se etshme,
mbasi ai të ngihet me ujë
mos e kij frikë,
e mos iu ruej!
Ruaju gjarprit në bjeshkën e djegun rrase
helmin e ka të fortë,
kur digjet nga dielli i verës në bjeshkë
si eshka mbi unur përflaket!”
Përditë bridhja bjeshkëve
dielli ishte miku im,
ndërsa natën ecja duke marrë për dore hanën
herë të plotë e herë të merakosur
ndërsa nata dhe dita ishin aq pranë e pranë
aq sa kur dilte dielli akoma s’kish ikur hana.
Mes lulesh u jermova
plot gazmend e i qeshun
gjarpni nuk më zuni
askund rrugën nuk ma preu
aq shumë at’vjet gëzova!
Kur rashë një mbramje tek kroi në stane
me u freskue, i pushtuem n’ato bjeshkë
dy sy të larun
ma verbuen gjumin e më tranden
e ma helmoi qetësinë, një bareshë…
Veç at’mbramje e pashë, e ma
nuk e hasa n’ato anë
sa zuna me besue,
se ndoshta kisha pa një zanë
e baresha nuk a’.(!)
Gjithë atë vjet
mendja më treti në bjeshkë
e andrrat i pava
veç me at’ vetullzezë
më shitoi e m’i lujti mendtë e kresë!
Këshilla të kota bjeshkatarja e vjetër më kishte dhanë.
nuk më zuni gjarpri
mes lulesh asnjëherë ma shumë nuk u deha…
erdh e më zuni, si gjarpënushë
e ma helmoj qetësinë baresha.
Tash mbas aq motesh
i kam hala do zogj mrena shpirtit tim
paqen ma qartin, at’paqen time të bardhë
ato shpesh duen me shkue, nuk di se ku,
(ndoshta në ato bjeshkë kërkojnë folenë qe e gjetën atë verim
ku i hasa sytë e saj të larmë)
e më përgjakin qetësinë, shqim!
histori me kuaj
( POEMË )
- lojë serioze
Ishim të vegjël…
Me shkopinj nëpër këmbë përshkonim pallatet tona të vogla,
duke ecur si kalorës nëpër beteja lodra.
Sejcili prej nesh e mburrte “kalin” e vet imagjinar
e donte të ishte ai,
si kali i Skënderbeut
E kishim parë në filmin e vetëm për Skënderbeun,
tek kalëronte Gjergji mbi shpinën e kalit të bardhë,
për të arritur sa më shpejt në Krujë,
për të prekur Atdheun…
Ne ishim të vegjël e grindeshim,
për kalin e Skënderbeut
dhe ashtu pa e ditur e donim Atdheun!
- kali i besës
Agon nuk e mori kënga
në besë e mbi kalë eci pa ndalesë,
gjersa e shpëtoi nusen,
ndenjur e njohur veç një natë,
e më pas nëpër ëndrra
…Pasi e mori nusen dhe e ktheu në shtëpi
prapë u nis…
nusja ja pa shinën kalit të bardhë e të shpejt, si era
E mallkoj kalin, që ja mori burrin sërish
por kali ishte veçse një kalë,
Agon e mori besa e dhënë
nën mamuzet e mprehta, kali veç nxitimi ish
Kjo është legjenda me pak fjalë.
Ago i ri, nusja, besa dhe një …kalë.
- kali i Gjergj Elez Alisë
Kur Gjergj Elez Alia a pa atin e mbathur patkonjsh,
ndërsa ja solli motra në oborr nën at’ ditë diellnxehtë
u ngrit nga varri i nëntë plagëve dhe në betejë fluturoi,
ndërsa Bajlozi i zi përkundej në padurimin keqndjellës.
fluturoj topuzi e kali i Gjergjit ra në gjunjë,
pastaj trimi u ngrit e sulmoi egër Bajlozin,
e goditi e kokën ia preu me shpatën e pluhurosur…
pastaj …në një varr u mbuluan motër e vëlla
e një bli mbi ta hijeshoi, moteve të vjetra e të ra
Thonë se mbi at’ varr të vëllait e të motrës
shkrofëtinte një kalë e hingëllinte,
betejën e lavdishme të Gjergjit përtypte e ripërtypte.
- kali vrasës
Brenda natës së thellë e të dhimbshme
nëna e mbytur në lot,
qan të birin e veshur dhëndër për dy …nuse
një e bardhë e një e zezë.
Nusen me të bardha nuk e mbajti dot
e dora e dridhur prek shaminë e kresë.
Do të qaj…por vaj
(A mund të qash në dasmën e djalit?)
ndërsa e sheh nusen e bukur i del një …si këngë
një këngë që e bën dhimbjen më të rëndë
Ecën nëpër shkallë… Pa dashje këmbët e saj e çojnë
në kasolle, ku kali vrasës përtyp barin e thatë.
ja prek jelen e këndon e vajton:
“Ty mor kalë o t’u thaftë jela.
qysh ma mbyte Rexhën n’shkelma”!.
- kali me fat
Kali është një kafshë e veçantë
kali mban mend e nuk harron gjatë.
çdo njeri e di se është i shenjtë çdo kalë
kali duron dhe mban të zonë pa fjalë
kali është…
Gjek Marinaj bëri një kalë me… fjalë
Fati e solli,
që jeta i ndryshoi për një kalë
e bëri fatkeq disa çaste,
pastaj… fatbardhë
- kali i nuses
nusja:
Tek ti po vij mbi një kalë të bardhë
jam e habitur , si dashuria vetë.
më duket, sikur ai kalë ecën ngadalë…
Nga turpi dot nuk e nguc
ai ecën lehtë e lehtë
më çon tek ai që do të më ketë përjetë
dhëndrri:
Sa herë dola e pashë tek shtegu
kisha mendjet tek pengesat
gëzimet kanë shpesh prita
pickoj shpesh veten: “ mos vallë jam në ëndërr?”
kur ja u duk fjalëtori dhe kali larg ia behu
Ti je si drita…
Gëzimi më këputi gjunjët, rreshti i krushqve më dehu
kur u ndal kali desh më ndali zemra,
e ti,
si një hënë qershori, hyre brenda
Ta dish sa do të dua,
ndoshta nuk do të qaje nën zë
ti do të mplakesh me mua,
duke të dashur gjithnjë
- peizazh në Lurë
Larg atje, ku majat e pishave shpojnë qiellin
e ahet e lartë fërshëllejnë gjethesh në pyll,
nëpër shtatë pasqyra habitet hëna
mëngjeseve pengohet e fiket me një yll
Bash aty magjistarja natyrë sajon një erë të beftë
shtron barin e një fushe e ngre sërish, ndal e fryn era
hingëllijnë emërtimet e kahershme në fushën e pelave
Ndërkaq në shpatin aty afër ,
brenda pyllit të lashtë e të vjetër
duket se do të dalin papritur kuajt e egër
Fushën e pelave e kam parë aty.
e kam parë dikur…
Hingëllijnë pelat me liqejt nëpër sy,
bjeshkës mbi Lurë.
- pako e çuditshme
Një mik për një festë a nuk e di se çfarë
më dërgoj një ditë prej ditësh një pako me mish.
në telefon më tha: ”Nuk ke ngrënë si ky mish më parë
prandaj ta solla ta shijosh, se jemi miq”
Sa mirë më erdhi. Ishte kujtuar për mua
se miqtë tani vonë po harrohen së gjalli
Kur e hapa pakon aty ishte e shkruar
qartë e pastër: ”Ky është mish kali”
Komentet