Poetja shqiptare Irma Kurtin nderohet me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Scriptura” në seksionin: “Poezi në gjuhën e huaj” në Nola, të Napolit.
Në jurinë e e përbërë nga presidentja Anna Bruno merrnin pjesë profesorë, poetë dhe shkrimtarë si: Giuseppe Bianco, Pietro Damiano, Claudio Perillo, Giuseppe Vetromile, etj.
Në motivacionin e përpiluar nga profesoresha Regina Celia Pereira Da Silva shkruhet: “Kompozimi poetik vë në evidencë realitetin human të ditëve tona, jo vetëm në nivelin personal, por mbi të gjitha në raport me të tjerët. Një lexim analitik e e transporton lexuesin drejt një bote ku e zakonshmja është në rend të ditës. Poetja do të denoncojë dhunën verbale nga e cila sot s’mund të përjashtohet askush dhe që nxit nga ana e saj një dhunë fizike që është në gjëndje të krijojë një luftë private apo publike: Është bërë e zakonshme që të fyejmë/të nxjerrim mllefin porsi një helm. Raporti me të tjerët, duke hyrë në mendimin dhe në kulturën e tyre kërkon një dëgjim të vëmendshëm, mbi të gjitha nëse bëhet fjalë për Tjetrin që jeton me mua ose që i përket familjes sime: Të ndiejmë se i njejti gjak në vena/ nuk na lidh, po më shumë na largon. Si shkak i këtyre raporteve arrihet deri aty sa të eliminohen fëmijë, gra dhe burra, faji i të cilëve është pafajësia. Ky kompozim lirik përbën atëherë një paralajmërim: të mirëpresim tjetrin tek vetja”.
Irma Kurti ka botuar shtatëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, njëmbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht. Nga publiku njihet si autore e suksesshme e teksteve të këngëve nëpër Festivale për të rritur e fëmijë, anketa muzikore etj.
Irma Kurti: Poezia fituese e çmimit të parë në Itali
E zakonshme
Është bërë e zakonshme që të fyejmë
me sharje pafund e me etiketa plot,
të nxjerrim mllefin porsi një helm,
të mbjellim urrejtje në tokën tonë.
Është bërë e zakonshme që zemërimi
shpirtin ne të na e brejë çdo ditë,
të shndërrohemi në meskinë nga pak
e t’i largohemi paqes dhe qetësisë.
Është bërë e zakonshme, me të afërm
të shkëmbehemi e mos flasim me gojë,
të ndiejmë se i njejti gjak në vena
nuk na lidh, po më shumë na largon.
Është bërë e zakonshme që të vriten
çdo ditë njerëz krejtësisht të pafaj.
Po dashuria është e jashtëzakonshme,
një relikt në muze, kujtim i rrallë.
Urime autores.
Poezi vertet e perkryer. Sa e lehte per ta kuptuar poaq reale dhe e trisht.