Vrojtime rreth rrëfimit të poezive të librit “Jubileu i shiut të çmendur” të poetit Skënder Buçpapaj
“ Gjithnjë kam menduar për magjinë e poezisë së poetit të talentuar Skënder Buçpapaj. Begatia e tij poetike, vetiu, më çon të them, se është një T. M. Eliot i letrave shqipe.
Individualiteti i tij poetik, veçanërisht për librin në fjalë, ku u munduam ta vrojtojmë në disa aspekte rrëfimi, ka dimension të gjerë dhe e pasuron me dinjitet letërsinë shqipe.”
1.
Skënder Buçpapaj, është nga ajo tipologji poetësh, që rrezaton herë pas here, për shembull siç feks një yll ëndërrimtar në bjeshkë. Kjo feksje yjësore të mahnit! Irealja, në këtë rast, ka rrezatim më shumë se realja. Ndaj, e kundron me dëshirë. Me shumë dëshirë! Dhe prapë nuk pushon së kundruari. Në atë kundrim, ke dëshirë të gjesh çelësat apo fjalët-kumt të poezisë së Skënderit. Ndaj, nuk pushon së ndjekuri lindjen dhe rilindjen e tij, e atij ylli bjeshkatar, magjia e të cilit të thërret poetikisht, po poetikisht për të biseduar me të. Të marrësh magjinë dhe dritën e tij. Të marrësh mrekullinë e burimit dhe hyjninë. Shumëçka të marrësh. Qielloren pa humbur Hyjet e Hyjninë.
Poeti i talentuar Skënder Buçpapaj, në rrugën e tij letrare, i mbeti besnik poezisë. Ky “dialog” mbart një alkimi të veçantë. Kjo alkimi e përveçme, në raportet e saj ka se çfarë t’i thotë njëri-tjetrit. Doemos, mbi bazën e komunikimit estetikisht të ndërsjelltë, të figuracionit të pasur, leksikut atnor, imazhit mbresëlënës, … E, ky Arti Poetik i poetit më kujton një thënie të poetit të shquar Octavio Paz, i cili thoshte: “Arti gjithmonë ushqehet nga gjuha shoqërore. Kjo gjuhë, po ashtu dhe mbi të gjitha, është një vizion për botën.” Pa mohuar sofrën e bjeshkëve (që janë mrekulli më vete), përceptimi poetik përmes rrëfimit, do të thonim të shtruar, mbart ndjesi dhe ngjyra, thellësi dhe një poliedër filozofimi. Mbase këtu do ta kërkojmë individualitetin, tashmë të formuar, të përcaktuar të poetit të talentuar Skëndër Buçpapaj. Ky individualitet mbart një perandori poetike! Fatlume, poezia jonë shqipe!
Për vetë natyrën poetike dhe veçoritë e saj që Skënderi ka përqafuar, mënyra e ndërtimit dhe arkitektura e poezisë, përfton dhe përcjell hapësira të mëdha. Të mbushin me jetë! Rrjedhojë e shpirtit të Vendlindjes. Rrjedhojë e rikthimit te fëmijëria. Rrjedhojë e magjive të mitit dhe ëndërrimeve befasuese. Rrjedhojë e një shpirti i mbushur me klithma, ninulla, me jehona yjore, me zogj, me ditë e net… siç thotë, vetë, poeti “Ndonëse nata si gjithnjë vinte e bukur deri në magji”… Një magji që endet mes poetikes dhe reales, mes mitit dhe dashurisë…
II
1.Poeti i talentuar Skënder Buçpapaj e ndërton poezinë e tij të përveçme (origjinale- origjinalitet, rrënjë – rrënjësi, prindëri – adhurim i Vendlindjes, etj.) përmes një mendimi figurativ, që në thelb mbart dhe ka fuqinë, dhe rrokjen e plotë të imazhit. Një imazh magjepsës i ndërthur me plot detaje shprehëse!..
“Yjet i kishim aq pranë, yjet nuk shuheshin kurrë, ditëve / i ulnin fitilat e llambave të tyre, netëve i ngrinin fitilat e / llambave të tyre me vaj hyjnor”. (poezia: “Mbi Malin e Hekurave dikur”, f. 7).
“Dora e fëmijës
Mbeti duke kërkuar dorën e nënës
Duart e turmës u shndërruan në gjethe të thara
Poshtë tyre mëngjesi
Që nuk u bë mbrëmjë
Mbrëmja
Që nuk erdhi kurrë”. (poezia: “Fëmija me flatra”, f. 30).
2.Më tej. Po të duam të kërkojmë shprehësinë e poezisë së Skënderit, mendoj se atë do ta gjejmë përmes kontrasteve, gjurmimit e përsëritjes të së njëjtës figurë letrare; ku asaj, krahas emocionit e ngjyrës, i fal edhe “pjesëzën” e rrëfimit, shpesh duke e kthyer në simbolikë.
“Hëna filloi të luante me ujërat, i tërhiqte ato nga brigjet, / pastaj i lëshonte edhe përtej tyre
Përplasja e tyre krijoi erën, era filloi të luajë me retë, / retë filluan të luajnë me shira, shirat me ylberë, me / vetëtima dhe bubullima”. (poezia: “Mbi Malin e Hekurave dikur”, f. 10.)
- Më tej. Po të duam të kërkojmë konceptin etik, estetik, strukturor (me rrafshet e saj), shtresëzor (me diagramat e larmishme të saj) të poezive të Skënderit, mendoj që do t’i gjejmë, si: hapësirë bjeshke (një planet poetik kjo!..), mit, (mit i Evës në veçanti), si legjenda të moçme e stërgjyshore ku shfaqen: njerëzorja, humania, e bukura, e madhërishmja, e urtishmja, etj. Të gjitha këto të rrokura së bashku “udhëtojnë” si riprodhim jete, evolucion i saj, si zhvillim i pandërprerë.
“Evat e mia vazhdonin të bënin dashuri me mua, të / lindnin e të rritnin fëmijë pas-hënës, të bënin plazh, / disa nën Diell, disa të tjera nën Hënë, pjesën tjetër të / kohës kryesisht të vilnin mollë
Mollët kishin pak a shumë formën e zemrës sime. Dhe sa / herë ato preknin mollët, aq të lehta dhe aq të bukura / prekjet e tyre në mollë sa asnjë fllad tjetër në botë, unë / ledhatohesha në zemrën time”. (poezia: “Mbi Malin e hekurave dikur”, f. 11).
- Më tej. Në motivet e librit “Jubileu i shiut të çmendur” qarkullon herë pas here, ndoshta edhe si lejtmotiv, fluturimi i zogjve dhe “pushteti” i hapësirave. Bashkëshoqërohen me anafora e kompozita fjalësh, ku këto të fundit ligjërojnë ngjyresa malli. Dhe malli nis në marrëdhënien e poetit me Vendlindjen, marrëdhënie kjo që është e shenjtë. Shenjtërim, do të thosha! Ai shenjtërim mbetet: real dhe ireal, i ngushtë kaq i ngushtë sa në të shumtën e rasteve poeti e njëjtëson me vetveten. Një rrëfim, edhe pse hapësinor, lëviz brenda shpirtit të tij. Një rrëfim, që në vetvete, mbart filozofinë e poetit. Jo vetëm kaq, por edhe të fatit dhe të misionit të tij fisnik. Jo vetëm kaq, por mbart edhe të shikueshmen me të pashikueshmen, të njohurën me të panjohurën, gjithnjë si nocione me ngarkesa sa filozofike aq dhe poetike. Në këtë kontekst, autori Buçpapaj ruan me fanatizëm (në kuptimin pozitiv të fjalës) raportet e konkretes me abstrakten, duke i mëshuar vlerave të ardhmërisë.
“Qytet bregqiellor
Është qyteti i vendlindjes sime.
Është qytet i vetes.
…
Netëve mbi çatitë e tij rrinë zgjuar yjet
Poshtë çative të tij flenë zogjtë
Ditëve mbi çatitë e tij rrinë zgjuar zogjtë
Poshtë çative të tij flenë yje” (poezia: “Qyteti bregqiellor, f. 16).
***
“Unë shikoj atë që nuk e vështron, nuk e kundron, nuk / e sodit, nuk e këqyr dot askush, të pashikueshmen / shikoj, atë që do ta shikojnë ndoshta vetëm teleskopët / e viti tre milionë”. (poezia: “”Unë shikoj të pashikueshmen”, f. 20).
- Më tej. Mitologjia (po e emertoj: Mitologjia poetike) me të gjitha indet e shpërndarjes, rrezatimet, përceptimet, mënyrat e ardhjes dhe konfiguracioneve të saj, me arsenalin stilistiko-figurativ mbart autoktoni dhe biografi artistike autori. Ajo na shfaqet në çdo fjalë, varg të poezisë së Skënderit. Këtu, na ndihmojnë, si bashkëudhëtare edhe simbolika të tilla (herë të mëvetësishme e herë të shkrira në lirikën poetike), si: hëna, dielli, dita, nata, zjarri, rrezja, zogu, gjarpri, molla, gjurma, parajsa, korbi, hija, vetëtima, dritarja, malet, shpirti, terri, shpresa, ëndrra etj. E, duke iu referuar këtyre simbolikave që “shtegtojnë” brenda imazheve të poezive, Skënderi e rrëfen krijimin e tij (duke mos humbur për asnjë çast thelbin dhe ‘maja-në’ mitologjike) edhe si përrallë e qëmoçme, si përrallë e gjyshërve të shtrenjtë.
Rrëfimi i poezisë me ngjyra përralle, të cilën autori është njohës shumë i mirë i kësaj gjinie, i komponentëve formë-formë përmbajtje të saj; e shoqëron: – përmes kontrasteve, – përmes antonimesh, – përmes qasjes të elementeve të botës nënujore me elemente të jetës reale, – përmes enumeracionit herë ngjitës e herë zbritës, – përmes kujtesës së shpirtit, – përmes raporteve ku intimja rend drejt shoqërores e vetvetja drejt pafundësisë…
“…
Ky është pyll me borë
Sa lind derisa perëndon dielli
Është pyll i argjendtë
Sa lind derisa perëndon hëna
Është pyll i florinjtë”. (poezia: “Frymë e ngrirë”, f. 39).
III
Në vend të përfundimit
Gjithnjë kam menduar për magjinë e poezisë së poetit të talentuar Skënder Buçpapaj. Begatia e tij poetike, vetiu, më çon të them, se është një T. M. Eliot i letrave shqipe. Individualiteti i tij poetik, veçanërisht për librin në fjalë, ku u munduam ta vrojtojmë në disa aspekte rrëfimi, ka dimension të gjerë dhe e pasuron me dinjitet letërsinë shqipe. Hulumtimet poetike rendin drejt pasqyrimit të strukturave të reja poetike, struktura që “strehojnë” parafytyra të reja të imazheve, të cilat si gurë rrezatues e të çmueshëm vendosen në kontekstin e kohësisë dhe në të përditshëm njerëzore.
Për ilustrim po përcjellë një zgjedhje imazhi: “I lë rrobat në breg si kur isha fëmijë për të mos u fshehur asgjë / syve të botës, syve të botëve
Dhe kërcej në lumin që më ngjit atje lart ku mbarojnë koha / dhe hapësira, ku fillon përjetësia (poezia: “Lartësi”, f. 151).
Shkodër, shkurt 2018.
Flm dhe urime per kete shkrim zoti Bushati.
Skender (Bucpapaj) eshte nje Skender (Beg) i letrave shqipe.