Nëse Lasgushi, poeti i valles së yjeve, ndjek të dashurën e huaj nga aeroporti në aeroport dhe s`e arrin, një tjetër poet, partizan i çetës së Haxhi Lleshit, i mbijetuari i tri plagëve, me teserën e komunistit të 44-ës, biri i një kleriku të lart nga Erseka, me shkollim në medresenë e Tiranës, Vehbi Skënderi, merr për grua vajzën më të bukur të Pogradecit nga shtëpia e Gushajve, një kurbetli ky i Amerikës, i cili qe kthyer në vendlindje si tregtar i suksesshëm, mirëpo ziliqarët nuk mund të duronin një burrë të hijshëm allafrenga, i kamur, me sqimë, ndaj i thurën intrigën dhe e vrasin mu në mes të bulevardit të qytetit. (Kjo vajzë e bukur do njehësohej me poezinë. Ajo mbajti për të fillin e Arianës, kur filli i jetës së poetit u bë lëmsh.) Autor i disa librave, ndër më të njohurit e kohës, jeta e të cilit do merrte rrokullimën për shkak të një pamfleti, i cili nuk u botua, por që kaloi dorë më dorë nga kryeredaktori i “Zëri të Popullit” Todi Lubonja tek sekretarit i parë i Tiranës, e cilësuar prej këtij të fundit: si vepër armiqësore.
Në vitin 1974, poetin e përjashtojnë nga Partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, e heqin nga puna, duke ia kthyer librat në karton dhe atë vetë e degdisin në punëra të rëndomta. Për të nis viti zero, ndërkohë kur njeshi fetishizohej. Njerëzit e pushteti për t`u dukur të mëdhenjë zvogëlojnë ata të artit, edhe pse statujat i presin prej këtyre të fundit. Qysh prej kohës së diktaturës, kur roli i avokatit u suprimua, funksionon vetëm ai i akuzës, si e si shpëtimin ta presësh prej persekutorit tënd.
Babai ishte i drejtë si një shenjtor, por jetoi mes djajësh, do shprehet e bija, Elida Buçpapaj, e cila kujton me mall mëngjesin, kur babai i saj, i cili vuante dhe nga sëmundja e zezë e depresionit, ngrihet nga shtrati, ulet në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruajë poezi. Më pas, i vetmuar del nga Kodrat e Liqenit. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.
Një njeri me pushtet, i mbiquajturi sekretar i partisë, sikurse edhe një i ligë, ta përmbysin jetën: ku as plagët, as tesera, as librat, as miqtë e shokët nuk mjaftojnë të të shpëtojnë. “Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbeten/Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë-sërë,/I hapim von` defterët, e von` shoshitim veten!/E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë:/Kam një bilanc të mjerë!”-janë vargjet e para të poezisë “
Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbeten”, e cila u bë shkak dhe i kësaj eseje. Gjithkush ka një çast, kur i bën gjyqin vetes, kur kthen kokën dhe do të dijë se çfarë ka lënë pas. Më parë se At Zef Pllumi të shkruante “Rrno për me tregue”, ishte Petro Marko Plaku, i cili interviston Petro Markon e Ri si të ishte një dialog midis Gavril Darës Plaku dhe Gavril Darës i Riu. Pse flitet me veten (plaku dhe i riu) dhe jo me një të dytë? Sepse, ai i dyti mungon. Pale i treti apo i katërti.
Vehbi Skënderi në ballafaqimin me veten sheh një bilanc të mjerë. “E si kalojnë vitet, rritet kamata e fajit…/Kam dashur t’i nxë krejt, të tëra gjuhët e erërave/Dhe nuk po mund t’i nxë,/Jam nisur t’u gjëmoj në fluturim skifterëve/Dhe s’po kap dot asnjë!/Kam dashur që të ngre Qytetin më gazmor/e më të drejtë në botë,/Po vetëm pak haliçë në themel kam vënë./Kam dashur të mbjell vreshtë çdo akullnajë të ftohtë/Po vetëm pak fidanë më kanë zënë!/E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute:/Shtegtimin, ndarjen, vdekjen-a s’di ç’dreq i thonë,/E shtyj, për miqësi, një çikë më tutje…/Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë!”
Poeti kërkon të fitojë kohë, për të ndrequr bilancin. Kjo poezi është shkruar në vitin 1991. Poeti u largua nga kjo botë 20 vite më vonë, më 13 qershor 2011, ditën e Shna Ndout. Nuk mund të mos habitesh, që poeti ka fuqi të shtyjë vdekjen 20 vite më tej, por, krejt i pafuqi ndaj të ligut. Njëherësh nuk mund të mos e admirosh për forcën e karakterit, kur sheh se nuk i ankohet askujt tjetër veç vetes, edhe pse ia njohin fajtorët. Llogarinë së pari ia kërkon vetes.
“Kur s`u zë besë më as hijeve, as ëndrrës/As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave/as miqëve tënd të afërt, as tezeve, as dajve/e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja/dhe asnjë vinç gjigand s`mund të të ngrejë nga rënia/Thuaja Hënës-plot sa të vijë mbrëmja.”
Poeti Vehbi Skënderi u tradhëtua si nga lufta dhe nga paqja, ndaj i duhet të luajë me fantazinë për të gjetur një shteg shpëtimi, aty ku të gjithë të kanë kthyer kurrizin, edhe pse nuk u ke hyrë në hak. “Dhe në mos të të shpëtoftë ajo,(hëna)/ndoshta të merr me vete në hapsirë/Ku në mos qofsh e lumtur je e lirë.”
Lumturia dhe liria nuk mund të jenë bashkë. Për hir të njërës duhet sakrifikuar tjetra. Poeti ka zgjedhur të sakrifikojë të parën: lumturinë. “Më shtërngojnë fort ditët e mia. Dilema!/Orët e minutat, si këmisha të ngushta fëmijësh./Paqja çdo çast sjell dhembje./Kur po më mbyllen këto plagë-gangrena?/Jam i tradhëtuar nga lufta dhe paqja.”
Si poet lirik, e vetmja që s`do t`i mungojë është e dashura, pse jo Lili nga Pogradeci, të cilën e sheh në funksion të lirisë. “Gruaja çdo prangë do ta këputë./(Qoftë dhe zinxhirë i artë)/Hyn në çdo labirint skutë më skutë/Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë./Ndez miliarda qirinj në xhami e kishë.” Sa dallon nga gruaja pllakateske e marrshit luftarak: “S`ka forca në botë ta ndalë gruan sot, revolucioni marshon!” kjo e poetit, që merr trajtat e perëndeshës greke, e cila i dilte në mbrojtje heroit që adhuronte. I goditur rënd, kudo sheh paqendrueshmëri, rrëshqitshmëri karaketeresh, silueta që të vidhen, sepse jeta nuk i afroi njerëz tek të cilit të mbështetej, por të tillë që t`u ruhej. “Mike! Pse më jep përditë krahë Dashuria?! Dhe shpesh m`i këput krahët?/Mike! Ndarja qënka më afër nga takimi ynë.” (Krijoni me mend kontrastin: një i shpallur armik, që i drejtohet mikes.) Mëdyshje zë e thellohet: “Pastaj s`di si: Më shfaqesh si Ylber./Pastaj s`di si: Në gjoksin tënd më merr: Më ngre lart në Qiell! Dhe vrik më hedh në Ferr./Dhe s`di në ç`breg: Më nxjerr apo s`më nxjerr?!” Se në dashuri moti ndërron çdo minutë. Përjetimit e tij ruajnë befasi imazhi, veti kjo e njeriut të kultivuar. “Ti posa ke dalë nga Lirika e Hajnes,/Me peliçe mjergullash mua më fanitesh./Folmë, je shkëputur nga vetëtimë e ndarjes/Apo ky mirazh (magjik) meteoritesh.”
Kënaqësia merr përmasat e një mrekullie, ngaqë jeta e ka privuar t`i prekë realizimet e dëshirave. “Ka ditë që një grua, me të vërtetë e dlirë,/rreket të më bindë që ta lë këtë botë me dëshirë,/në besoj se do të qe më mirë, ndoshta, po të më falje një të puthur./Kështu mëkatet, ndoshta edhe më lehtë mund t`i ndreq?” Nuk do të iki nga kjo botë pa marr një kënaqësi larg platonizmave. “Oh! Shpesh sulmojmë kot drejt yjeve që s`i njohim/Me ditë e me vite, qiellin pa anë matim,/Një hap larg bukurinë-dhe s`kemi sy ta shohim,/Një hap lumturinë-s`kemi duar ta kapim!” Sfidojeni njeriun e rëndomtë me një poet, i cili, sado mëkate të ketë, fajtor nuk ka për të qenë kurrë. Me një poet, që s`e lanë të gëzohet dhe të jep kënaqësi me vargjet. Një poet, që u tradhëtua nga lufta dhe nga paqja, por që i qendroi besnik poezisë, e cila, për të: ka fytyrën e një gruaje.
Fatbardh Amursi