Në kujtim të F.
Takova Viktorin dhe, ashtu siç bëjmë çdo herë kur ai vjen në Tiranë, morëm rrugën për te Kafe Shelgu, atje thellë korijeve frushkulluese.
Tryezën pranë dritares së madhe prej druri, ku na pëlqen të ulemi, e gjetëm të lirë dhe, me të zënë vend, Viktori zgjati kryet drejt saj dhe, duke vështruar pemët gjer përtej, tha :
– Ah, kur isha fëmijë, në dhomën time kisha një dritare ja, si kjo, prej druri të pabojatisur, nga ku dukej, si edhe këtu, një korije farfuritëse, e cila shtrihej prapa shtëpisë sonë të stërmadhe.Ndonëse tek ajo futesha çdo ditë dhe qëndroja me orë të tëra, duke kundruar lulet e bardha të pemëve në pranverë, gjethet e verdha në vjeshtë, brymën në dimër, diellin që këputej dhe binte si frut i përshenjur mes degëve, në ditët e bymyera të verës; ndonëse jam mekur së dëgjuari këngët e zogjve të pafundmë të saj, këmbyerazi si në koret e lashtë, një herë në një krah e një herë në krahun tjetër, sot më duket sikur mespërmes asaj parajse, nuk jam harbuar kurrë, dhe, se gjithçka që kujtoj e sjell ndër mend, s’është gjë tjetër veçse një përftim nga leximi apo rrëfimet e të tjerëve.Çudi…
– Unë them se ke pasur fat me atë korije dhe me atë dritare.Po çfarë po sheh tani; ku je përqendruar ?
– O, që këtu ku jam unë, duket qartë një fole dallëndyshesh, poshtë sprethit të gjërë.Po si nuk e kam vënë re më parë ?
– Do të jetë fare e re ; dallëndyshet sapo janë kthyer nga shtegtimi dhe, me siguri ajo fole është ende e patharë mirë .
– Po, po ; ah si do të çuçurisin të vegjlit e dallëndysheve me të dalë nga vezët, aty në atë shtëpizën e përrallshme; do të çuçurisin e do të nanurisen netëve në një gjumë mjaltë të ëmbël si edhe ai i fëmijëve !
– Këto korije janë gjithmonë përplot zogj.
– Korije që vrungullojnë, që i përfshin era, kënga dhe shirat pikëllues. Por tashmë rrëketë e ujërave vrujojnë mespërmes barit si të fshehura dhe, papritur shfaqen e feksin tek varen nëpër rrëpira .
– Po zymbylat blu si të mavijosura nga vetëtimat që çelin përgjatë këtyre rrëkeve?
– Çelin herët këta zymbyla, çelin ende pa u ngrohur mirë moti dhe, ashtu të brishtë dhe erëlehtë, të gëzojnë kur i sheh.
– Vetëtimat e ngrejnë barin kur kalojnë fushave,e ngrejnë dhe e kreshpërojnë.
– E mban mend kur vinim këtu në tetor ? Fluturonin në ajër njëherësh zogjtë shtegtarë dhe gjethet e trembura ; zogjtë iknin larg, kurse gjethet tuhateshin përtokë pak më tutje…
– Zogjtë atëherë iknin, ndërsa tashmë kanë nisur të vijnë plima – plima.
– Unë i falënderoj nga zemra zogjtë që kthehen si për të na parë; është vërtet prekës kthimi i tyre ! Por, kur po udhëtoja për në Tiranë, foletë e tyre nëpër pemët ndanë rrjedhës së lumenjve dhe ndanë arave,m’u dukën si të harruara, s’di përse ! Po çfarë të lashë pa përmendur ? Ah; në atë korijen gjithë fshehtësi, pas shtëpisë sonë, futeshin edhe zogjtë e legjendave; qyqja e përvajshme pa fole, qyqja e përhime si mëngjesi kur nuk gdhin e nuk gdhin, qokthi i përhumbur i netëve të prillit, me zë ngjethës metalik, kukuvajka e përzishme me sytë si xhama kishe…
– Çfarë po shkruan, domethënë,çfarë ke në dorë ?
– Përmbylla një libër me haiku, por ndoshta një libërth; gjithsej janë veçse njëqind haiku, të cilat do t’i vendos nga dy në çdo faqe.Prandaj erdha në Tiranë këtë herë, që të dorëzoj librin për botim.
– O, sa mirë, sa mirë ! Nuk të kam lexuar ndonjëherë haiku, jam kureshtar të shoh se si i ke.
– I kanë pëlqyer sa s’thuhet ata që m’i kanë lexuar deri tani dhe, besoj se janë treguar të sinqertë; ti e di që unë nuk sforcoj njeri dhe i lë të gjithë të shprehen pa rezervë.Por edhe nëse më pyet se, çfarë mendoj unë vetë për to, po të them se janë vërtet shumë të bukur.I krijoj me qejf të shfrenuar dhe, nganjëherë çuditem se si nuk ka lindur haiku në Shqipëri! E do gjuha shqipe, natyra dhe shpirti ynë dhe e përvetësuam. O, shihi shihi gjethet që kanë rënë që vitin e kaluar ; ende nuk janë kalbur e nuk janë plehrëzuar.
– Ndonjë gjethe të thatë ka ende aty – këtu edhe sipër nëpër degë.
– Të gjitha do të bien e do të zhduken plotësisht me të shpërthyer blerimi i ri.
– O, atëherë do të jetë ngrohur sa ç’duhet toka, ashtu siç ngrohet edhe veza nga klloçka.
– A dëshiron të të recitoj një haiku ? Haiku recitohet me dhembje, miku im, pavarësisht se është përshkrues dhe lirik.Ndërkohë po të përzgjedh një : lot lot / shkrehin e derdhin / shelgjet mbi ujëra…
– Po, më pëlqeu menjëherë.Por,siç e di edhe ti, haiku nuk shijohet tërësisht, kur e lexon në një rrethanë si kjo e jona; haiku kërkon vetminë dhe meditimin.
– Gjatë kohës që shkruaja këtë libër, u shqetësova dhe u sëmura aq ligsht, sa më këpuste gjumi orë e pa orë, i përfshirë nga ca ethe përvëluese.Le pastaj po të dilja në rrugë ; edhe nëse më përshëndesje gjithë respekt, do të më bëhej sikur më fyeje dhe më poshtëroje.
– Dihet kjo ; nuk ka artist që të mos jetë i prekshëm sa edhe fëmijët, kur është në krijim e sipër.Dëgjo; kur ta botosh librin, dua të më japësh një kopje sa më parë.
– O, sa me qejf do të ta jap !
– Por se ç’kisha ndër mend të të thosha ? A, u kujtova; m’i jep sa më shpejt ato markat dhe ato frangat belge që ke në shtëpi, që të t’i këmbej në lekë, përndryshe do të të mbeten në dorë, më keq se ato rublat e Carit të Rusisë, që kishte gjyshi im një herë e një kohë,atje në Kolonjë.Ta kam rrëfyer atë historinë e gjyshit tim, apo jo, që shfrynte lart e poshtë : nuk bie Cari, o gomarë; ç’është ky Lenin që na paskësh dalë? Nuk i këmbej rublat e mia me asnjë monedhë tjetër; kam punuar vetë unë në Rusi dhe e di sesa i fortë është Cari…
Dhe i mbetën stivë në sënduk rublat, të cilat,ndonëse s’i hynin më askujt në punë,i mori me vete e i solli te ne në Tiranë,kështu që ato tepruan që të luaja edhe unë dyqanesh kur isha kalama. Por ty nuk të falet t’i humbasësh ato para, të cilat, ata miqtë e tu të diasporës t’i kanë dhënë gjithë bujari e fisnikëri, ç’e pyet; u këputën në mes kur erdhën këtu e të takuan !
– Më dolën borxhit ata; njeri prej tyre ishte mjek dhe më propozoi të më merrte me vete në Bruksel, ku punon, e të më bënte një vizitë për të qenë. Je vërtet sëmurë, më tha, por mushkritë nuk i ke shoshë fare, siç beson ti. Jo e kundërshtova unë prerë, nuk do të vi në Bruksel e nuk do të shtrohem kurrë në një spital,sado modern qoftë ai.
– Ti e di…
– Por kam shumë nevojë për para dhe do t’i sjell të m’i shkëmbesh sa më parë ato marka e ato franga.Bobo, një numizmatikë e vërtetë! Por rrezik se s’t’i shkëmben më ndokush; ndoshta ato janë hequr fare nga qarkullimi; tashmë punohet vetëm me euro, në të gjithë Europën e Bashkuar, apo jo ? Ah, shih, shih atë pëllumbin që u bë i tëri blu, sapo fluturoi mbi ujin e basenit të shatërvanit !
– Shumë bukur, oh sa bukur ! Pije atë kafen dhe atë konjakun, sepse të mbledhin.Dukesh që atje tutje që je i drobitur; do të të përcjell unë si përherë, gjer te stacioni i furgonëve.
– Po, do të më përcjellësh se s’bën .Nuk kam asnjë gjysmë leku me vete.
– Mirë, mirë…
– Dy net më parë, tek po çlodhesha mes parkut, i ulur në një stol, hëna e re që po shëtiste nëpër udhëzat dredhuese si nazet, më solli tronditshëm ndër mend Xhulin, të dashurën time të fundit; ty të kujtohet Xhuli. Bionde, arrogante dhe e paparashikueshme, Xhulit i djallëzohej fytyra, kur zhvishej.
– Hiqe këtë kapele si prej oxhakfshirësi që e mban mbi krye dhe, vish ca rroba të tjera më të reja dhe më të çelëta; nxin i tëri si të ishe një prift i rrëgjuar katundi. Dalim dhe i blejmë bashkë kur të vish herën tjetër, sepse, po të jetë për ty, ti asqë do t’ia dish fare; gjysmë oxhakfshirës, gjysmë prift, aman ore…
– Oh, sa më pëlqeu ky konjaku ; ç’lëng këndellës! Të marrim edhe nga një !
– Patjetër…
– Ku do t’i shohim lejlekët sivjet; do t’i gjejmë gjëkundi?
– Eh…
Në furgon hipi me zor të madh, duke vënë pëllëmbët mbi gjunjë gjersa zu vend te një ndenjëse pranë dritares.Sakaq, e mora veç shoferin dhe, pasi ia pagova paratë e biletës, e porosita ta kishte kujdes Viktorin, sepse, fundi i fundit, e kishte edhe klient të përhershëm,C’ke ti, ma ktheu shoferi me fytyrë të prishur,ik pa merak,ik pa merak; profesorin e repektojmë të gjithë…
Tirazhin prej vetëm treqind kopjesh të librit me haiku, të titulluar Psherëtima shiu, e tërhoqa unë pas një jave në shtypshkronjë, sepse Viktorin e kishte zënë një grip e nuk po i shqitej. Vajta te stacioni i furgonëve, ku hipte Viktori dhe takova shoferin kolerik:
– Kam një porosi të Viktorit, – iu drejtova – ja, këto pakot me libra.Ku do t’i vendosim? Kur të mbërrish në vend do të vijë t’i tërheqë kunati i Viktorit ; s’di a e njeh? Por vëri, vëri me kujdes një herë, në furgon,sepse ti e di vetë sa maniak është ai miku ynë.
– Aman or’ të keqen, aman! Unë e di ç’hoqa me atë të uruar herën e fundit që hipi këtu në makinën time! Për pak i vura flakën kësaj gërdalle, por u përmbajta, sepse ushqej familjen me të.- Dhe i ra fort me pëllëmbë furgonit mbi kofano.
– Po nxirre të shkretën se na vdiqe! Çfarë ka ndodhur ?
– Atë Viktorziun na e mbytën ca të vjella të poshtra njëra pas tjetrës ja, aty në qoshe ku qe ulur, me gjithë atë republikën mbi krye ! Gjesh u mbyt e gjesh na vdiq në vend,ore! Oh, ç’hoqëm ç’hoqëm! Pale, por kur vunë re se, pas të vjellave të vrerosura, Viktorit i plasi gjak nga goja apo nga hunda, pasagjerët u çakërrdisën fare ; oburra të zbresim, shfrynë, se do të na ngjisë veremin ky profesori …!
Zbritën të gjithë pa hyrë në qytet, por Viktorin e shkretë ku ta çoja?!
-Dale pak dale; kjo mund t’i ndodhë kujtdo; njerëz jemi.Po ti si shumë delikat na qenke ! Pa përmblidhu e mos na shit pordhë ! Sa vite ke në këtë zanat; nuk kishe parë tjetër herë të zinte ndokënd makina? Kujdesu ore, për frenat e për gomat, sepse merr njerëzit në qafë dhe kyçe kamaren; e ku e morët vesh ju ngase vuante Viktori ?
– Ç’të të them unë ty; ti kot je bërë profesor si Viktori.Ti të ishe bërë shef qarkullimi rrugor ! Siç po të rrëfeja, vetëm unë dhe Viktori mbetëm në makinë; hapa nja dy xhama, ndeza motorin dhe e çova drejt e në shtëpinë e tij, që lavdi Zotit,arriti të ma rrëfente ku e kishte.Por pikërisht atëherë mua,që e kisha sharë tërë kohës,me veten time, m’u dhimbs.O, sa m’u dhimbs, kur ata të familjes iu lëshuan në surrat me lloj – lloj qortimesh e mallkimesh, me ta vënë re se si ishte katandisur! I shkreti profesor; nuk bëzani fare, a thua se ishte pa gojë!
– Mirë mirë; njerëzit e shtëpisë e shajnë ndryshe nga dynjaja njeri – tjetrin ! Urdhëro paratë për librat; tamam janë? Na dhe ca të tjera, meqë do të të jetë dashur të harxhosh për të larë e për të shpëlarë ndenjëset e makinës.
– Lëri ore paratë për librat; s’dua para për to;as për pastrimin e makinës nuk dua! Eshtë detyra ime ajo.
– Në rregull atëherë. Dëgjo; një ditë, hehe,do të shesësh mend andej – këndej që të ka hipur në makinë Viktori; more vesh ?
Kështu i thashë shoferit, por e dija që, kur të vinte nata nuk do më zinte gjumi kurrsesi; eh, Viktor Viktor, kërkon të ikësh nga kjo botë për të gjetur prehje n’amshim, posi posi …
Ishim mbledhur të tërë te klubi i Lidhjes (Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve) dhe, po prisnim të sillnin nga çasti në çast arkivolin me trupin e Viktorit të ndjerë! Poetin e mrekullueshëm lirik! Mikun tonë të shtrenjtë dhe të paharrueshëm! Që kishte vdekur, siç pohonin me hidhërim ata që hynin e dilnin, pa pritur e pa kujtuar, aty më të gdhirë, diku në periferi të Tiranës,jo në qytetin e tij të lindjes…
E pra, vetëm me të mbërritur arkivoli, do të fillonin zyrtarisht homazhet në sallën e madhe, me mure të zhveshur dhe të pistë, nga balli i së cilës,së fundmi, hoqën edhe bustin e adhuruar të Naimit, që s’dihej ku kishte përfunduar…
– Çfarë thuhet ? – pyeti njeri nga shkrimtarët, i ulur rreth tryezës sonë, administratorin e patjetërsueshëm të Lidhjes, i cili, edhe pse nuk merrte rrogë që prej tre vitesh, vinte dhe e hapte portën e lartë prej hekuri te Lidhjes, rregullisht çdo mëngjes, sipas orarit zyrtar, të mbetur që nga diktatura.- Përse po vonohemi kaq shumë; na humbi durimi fare !
– Ke të drejtë, ke të drejtë; por se ç’ka një ngatërresë të çuditëshme .Sapo ta zgjidhim, do t’ju njoftoj…
– A bën kush kafe këtu, mor aman, sepse vdiqëm këtu majë karrigeve ! – u lëshua një tjetër. – Po na sillen mendtë vërdallë.
– Ç’kafe kërkon ti, pash Zotin ! Lidhja ka marrë fund një herë e mirë, më vjen keq, por këtë e dinë të gjithë.Lidhja nuk funksionon dhe ne, prapëseprapë vijmë këtu si donkishotë.
– Ja, shërben sa për të hyrë e për të dalë i vdekur ndonjëri prej nesh.
– Botohet edhe ajo gazeta.
– Ajo gazeta si trakt lufte.
– Si nuk erdhi Viktori, të fillonte edhe ajo ceremonia.
– Do të fillojë, do të fillojë, mos ki merak; Lidhja në agjenci funerale është kthyer tashmë.
– Sa të hidhur jeni dhe, sa zemërakë!
– Megjithatë, llogaritë, po i bëni gabim. Shumëkush prej nesh, nuk do t’ia mbërrijë ditës të dalë prej këndej, kur të cofi. Kësaj ngrehine të bukur, të ndërtuar që në vitet e Mbretërisë, mu këtu në mesin e Tiranës, ia ka vënë syrin prej kohësh vetë qeveria jonë e përkorë dhe, shih, kur të na këpusin një shqelm bythëve e të na hedhin jashtë!
– Po po; por si nuk po vjen Viktori !
– Ti – m’u drejtua si hetues njeri nga ata të tryezës sonë të ngjeshur – ma shkërdheve nënën me atë shkrimin e poshtër që botove kundër meje të dielën e kaluar, more vesh! Ç’pate ti me mua ? Më zuri diabeti, më zuri ! I bihet në qafë moshës sime ?
– Pusho! Si nuk të vjen turp? Harrove për çfarë jemi mbledhur? Pastaj, ka edhe femra këtu rrotull.Nga të erdhi guximi ty? Ti në përgjithësi je frikacak; s’e marr vesh ç’rrethanë të favorizoi të tregohesh trim e të kërkosh llogari! Ti ke qenë spiuni më i zellshëm i kolegëve të tu; dakord? Spiuni me biçikletë, hehe! Tashmë je prapë i privilegjuar dhe, kjo është më e padurueshmja.Ke shtëpi botuese, të zgjedhin kryetar jurie nëpër konkurse, shpërndan opinione, cakton njerëz që të shërbejnë ty nëpër vende pune të rëndësishme.Unë do t’i kalbja në burg ca si ty, pa m’u dridhur aspak qerpiku ! Dhe mbylle tani !
– Jo, tani po iki fare ; në këtë orë, unë ushqehem dhe më pas prehem ca.
– Ik or’ aman ik ! – e shtyu ai që kërkoi të pinte kafe – Mirë thoshte i shkreti Viktor; të vjen turp të thuash se je i persekutuar, sepse nuk ka mbetur spiun po u shpallur hero i demokracisë.
– A, Viktori, Viktori; po si nuk po vjen?
– Ai ndyrësira që sapo theu qafën, mbyllet brenda me ditë të tëra si në arrest shtëpie dhe, kur del që andej, vjen në redaksinë tonë dhe na sjell ca tregime që na shkaktojnë të përziera, kur i lëçisim.
– Ti pusho, mos e shaj, sepse nuk je burrë më i mirë se ai. Është turp ta varrosësh Viktorin ti, që me siguri kushedi sesa herë do ta kesh shqetësuar duke e fyer dhunshëm.Ti nuk je shkrimtar; ti je kovaç !
– Shko ore pirdhu ! Ti mban ende brekë grash !
– O Zot, kush llomotit, zëdhënësi i kafeneve, që nuk ka lënë asnjë nga bashkëshortet e kolegëve pa ia kërkuar!
– Shët more ! Si nuk po vjen Viktori …
– Ti i ke vjedhur, po po, të gjitha qeramikat e Lidhjes, pale pikturat, që i prisje me brisk si ata gangsterët e filmave. S’ka më inventar në këtë haur, shfryje dhe, s’le gjë të binte përtokë…
– Oho; po ti vdisje të të shihnin njerëzit përkrah meje në bulevard, vdisje, apo iku ajo kohë? I vobekti ti që mbete në provincë me ca vargje dashurie, të frymëzuara nga librat, më keq se ata konviktorët hutaqë!
– Mbylleni ore gojën; merrni apo nuk merrni vesh? Po na bien celularët viu viu, e nuk dimë si t’iu përgjigjemi atyre që na pyesin se, kur do të nisin homazhet për Viktorin . Një debil më pyet, a ka ardhur sakaq ministri i Kulturës ! Na ore ti, sepse je më i riu; shko e na merr nga një kafe me gota plastike atje te ai lokali në anën tjetër të rrugës .Ne, ohu, dikur, mezi prisnim sa të na jepej rasti t’iu shërbenim sadopak shkrimtarëve të afirmuar. Ja, ku i ke paratë; merr edhe një për vete, sigurisht …
Ai që u porosit për kafetë, dukej të ishte më tepër se dyzet vjeç, megjithatë nuk dha asnjë shenjë hatërmbetjeje, përkundrazi, u lëshua me vrap e me dëshirë …
Përmes dredhave të formuara nga tryezat e vendosura kuturu, tryezave përplot poetë dhe prozatorë, dallova administratorin e Lidhjes që tundte kryet me mahi, tek fjalosej sa majtas – djathtas.
– Ç’kemi ndonjë të re? – e pyeta qortueshëm.
– Ja, pra më njoftuan se, nuk do të ketë homazhe këtu në Lidhje; as homazhe e asgjë tjetër .I kthyen mbrapsht edhe ato kurorat që kishin mbërritur ndërkohë.
-Po atëherë, përse na lini të presim si të humbur ? Ore, ku është ai kryetari i Lidhjes?
– Kryetari i Lidhjes ? Sa ke pa e parë ? Ka ikur jashtë shtetit me gjithë vulën në xhep.
– Pika vulës ! E ç’ vulosni ju me të, se më alivanose. Këtu, edhe shurrën e bëjnë ku t’i zërë, shkallëve, redaksive…
– Të largohemi ne; je i sigurt që s’ka homazhe këtu ?
– Po si do t’ju njoftoja pa qenë i sigurt . Ja po ikin edhe gazetarët; po i mbledhin edhe kamerat edhe mikrofonat…
– Di ti të na shpjegosh përse nuk do të kryhen homazhe këtu; ka lënë ndonjë amanet i ndjeri, apo familjarët e tij kanë këmbëngulur kushedi përse, që të kryhet veçse një ceremoni private ?
– Hapmëni një vend për t’u ulur dhe ua zhdredh unë fije e për pe .Viktori, miku juaj dhe imi bashkë, na paskësh vajtur nja tri ditë para se të vdiste, te Bregu i Lumit, atje mes romëve, apo ciganëve, se nuk e kam fort të qartë si duhet t’i quaj në mënyrë korrekte ata; ka kërcyer ka kënduar e ka pirë ditë e natë pa pushim gjersa është shembur përdhe…
– Viktori ! Aq i sëmurë e aq i sfilitur …
– Po, po, Viktori vetë; se ç’kishte pasur edhe ca para me vete, një shuk në një xhep e një shuk në një tjetër, që i paskësh hedhur përpjetë n’ajër fiu fiu si nëpër dasma, ashtu i çliruar tërësisht nga çdo lloj ankthi e frike dhe, me ato para, gabelët e vegjël, ohoho, do të më akuzojmë për racizëm; romët pra, arixhinjtë, a ç’djall me brirë janë, venin e blinin herë pa here raki…
– Viktori…
– Dhe, në tërë këtë aheng shurdhues, me dajre gërnetë me hihihi e hahaha, na paskësh qenë Viktori ynë ai që bërtiste shfrynte e gajasej më shumë nga të gjithë, ashtu i përfshirë në jerm e dalldi, n’ekstazë e ndezulli, pa e llogaritur fare vdekjen që po e kaplonte. Hehe; kam shkruar edhe unë nja dy romane, madje atëherë kur e kishin të gjithë mendjen te letërsia, por ju më quanit letrar i klasës punëtore.Cygni cum cantu et voluptate moriuntur!E pra mjelmat vdesin me këngë dhe …
– Ah, ah! Po shteti nuk ndërhyri fare në tërë këtë ndodhi? Fundi i fundit nga
ç’ burim erdhi njoftimi se, do të kryheshin homazhe në Lidhje ?
– A është vepruar kështu sa herë që ka vdekur një anëtar i Lidhjes ?
– Një minutë; po më pas, a lajmëruan romët autoritetet përkatëse për vdekjen e Viktorit ? A e dinin ata që ai ishte një personalitet i letrave shqipe ?
– Ç’thua more ! E ku dinë ata të tilla gjëra .megjithatë, pasi i kanë gjetur në xhep dokumentet identifikuese, që unë besoj se Viktori i ka marrë me vete me paramendim, kanë shkuar në një rajon policie, në më të afërmin dhe, kanë njoftuar kështu dhe ashtu…
– O Zot …
– Por ceremoninë e varrimit kishin nisur t’ia kryenin vetë romët, sipas të gjitha riteve të tyre. Shpirt njeriu e kishte quajtur Viktorin i pari i tyre, nëse ata vërtet janë të organizuar kështu, me një të Parë…
– Po a u interesua kush që ta sillnin që andej Viktorin në Lidhje? Sepse duhej patjetër që ta sillnin në Lidhje .
– Për këtë nuk mbaj përgjegjësi unë. Familjarët e Viktorit, pasi kanë pirë një kafe mirënjohjeje, aty te Bregu i Lumit, janë nisur drejt e në qytetin ku banojnë, të shoqëruar edhe nga një autobus dëng me ciganë; po po …
– Një institucion më vete edhe ky Bregu i Lumit…
2005
Komentet