Në kulmin e fushatës në Tiranë kanë zbarkuar nga diaspora përfituesit e projekteve dhe fondeve publike, sipas strategjisë antishqiptare të kohës së Majkos. Portofolin e ministrisë së Majkos sulltani e shkriu, por jo infrastrukturën dhe sa të jetë sulltani, “haremi” i tij nëpër diasporë do t’i ketë xhepat plot, për të habitur turmën e rrjeteve sociale për me demek aktivitetet kulturore, ndërsa në kohë fushatash, për të zbritur e zdërhallur në Tiranë për standing ovation dhe brohoritje sulltanit dhe veliut të bashkisë!
E njëjta gjë edhe në Tiranë, artistët dhe shkrimtarët janë në funksion të Edvin Ramës dhe Velisë. Fonde për ta ka, sa do të ketë rrokaqej që ngrihen çdo ditë lart e më lart nga ferri i drogës, duke ua zënë frymën qytetarëve dhe qytetit. Dhe, sa të ketë fonde publike kjo kategori moralistësh do të hanë biskota ndërsa pensionistët nuk kanë mundësi të blenë gjilpëra për diabetin. Kështu u nda nga jeta Ajtanga Lubonja se nuk kishte mundësi të kurohej. E si ajo sa e sa të tjerë. Por moralistëve aq u bēn, atyre u mjaftojnë fondet dhe “lavdia e pa lavdi” përhapur nga megafonët e sallave qeveritare apo nga botimet e Ministrisë së Kulturës së Sulltanit. Për Shqipërinë nuk u bëhet vonë. Shumica prej tyre janë me dy pasaporta dhe kur çezmave të parave publike dhuruar nga Sulltani dhe Veli-a për shërbimin e devotshëm ndaj tyre do t’ju mbyllet gryka, ata do të kthehen andej nga ku nuk kishin këtë prosperitet material sikur gjejnë në vendin më të varfër të Europës, ku një pensionist që ka punuar 40 vjet punë paguhet 200$, sa një drekë qejfi apo sa gjimbajtëset apo stringet e eskortave të arealit të kalbur shqiptar.
Po të ishte Noli gjallë do të dilte në Sheshin Skënderbe e të vinte ulërimën me qamet duke i bërë thirrje popullit të ngrihej kundër: Tradhëtorit, që na nxiu, na le pa atdhe,/që na çthuri, na çkuli, na çduku çdo fe,/Varfëri, poshtërsi, robëri na dha,/Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!/
Noli do të vinte kujën ndërsa këta “Derrat me fytyrën e Sokratit” do të përgatisnin defterët për t’i ridënuar poetët. Librat e poetëve, Sokratët fytyrëvrerosur alias kopilë-debilët që kanë zënë vendin e xhelatëve, nuk i djegin më si turra drush, por i injorojnë.
E pyeta një pedagog poet nëse i kishte lexuar librat poetikë të Vehbi Skënderit pas 1992 – “Ky shërbyes i Kainit” ma ktheu pa e bërë qejfin qeder: Jo jo, asnjë! Po ta kishte dëgjuar këtë përgjigje Noli do të mallkonte: Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,/Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,/Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh,/Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba! ”
Në çdo vend të botës shkrimtarët dhe artistët janë në avantguardë të ndryshimeve sociale, janë Strum und Drang, janë Stuhi e Vrull, në Shqipëri janë kënetë dhe kalbësirë, për shkak të konformimit partiak, për interesat vetjake, për shkak se ndërgjegjen e kanë të zëvendësuar me makutërinë e lluksit personal, pra s’kanë as ndërgjegje, as moral, por as pikë influencë tek masat.
Tani u ka mbetur të fotografohen tek bar Juvenilja me Ismail Kadarenë, si drogë histerie për turmat e rrjetit social, se, sipas mentalitetit paraprimitiv, të dalësh në foto me një të lavdishëm, edhe çdo qyq a qyqar merr lavdi e famë. Kështu profanuan hordhitë turke varrin e Skënderbeut duke i varur si hajmali kockat dhe eshtrat e Heroit Kombëtar. I përndrituri Ndre Mjeda proteston prej parajse se si në Tiranë po e shpërdorin emrin e titullit Juvenilja që ai zgjodhi për librin e tij ku botoi poemën i Tretuni nga ku edhe sot bën thirrje: ““Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke,/bir n’kët dhe/nana jote a shqiptaria/Mend e zemër për të shkriji/e përtriji/nam e lavd kur t’i vijë dita” .
Dita ka ardh për çdo bir a bijë shqiptarie për deri sa në Tiranë vazhdojnë e i vrasin poetët. Disa ditë më parë qeveria e Tiranës bëri promovimin e antologjisë poetike të luftës moderne së klasave. Tani Sulltani, ky piktor i skaduar, bashkë me tufēn e enukëve e velitë e tij nuk kanë mundësi t’i vrasin poetët direkt si Genc Leka, Vilson Blloshmi apo si Havzi Nela, me pushkatim apo në litar apo t’i çojnë të punojnë nëpër reparte plehrash si Vehbi Skënderin, apo t’i mohojnë si ekzistencë, i vdekur për së gjalli si Lasgush Poradecin, apo të rinjve t’ua djegin të gjitha ëndërrat, jo, ata kopila-debilë si një vllazëri Pons Pilatash qyqanë botojnë një libër ku dehen me gota vere dhe i lajnë duart me gjakun e poetëve.
Në këtë gjendje ndodhet sot Shqipëria. Një diktator që ka uzurpuar çdo qelizë të shtetit, ka blerë edhe elitën, e cila i është vënë në shërbim, tale quale si superstruktura e diktaturës. Më thoshte një nga poetet e përfshirë në antologjinë e turpit, se filan fisteku i përfshirë gjithashtu si emër nderi në antologji ka një dosje 500 faqe të frikshme, ma thosh mua, po përse nuk e thotë publikisht!
Pra, siç e shihni, sidomos në kohë zgjedhjesh pseudoelita del në sipërfaqe dhe kërkon të përfitojë sa të mundë nga kryepolitika e pistë, duke performuar në momente kritike rolin e mbrapshtë, atëhere kur duhet ngritur zëri deri tek Zoti !
Më bëri përshtypje se si poeti dhe pedagogu Sadik Bejko në rrjetin social vendoste një foto me kanditatin për bashkinë e Tiranës Roland Bejko, i dalë nga grupi i Lulzim Bashës dhe i bënte reklamë. “Unë e uroj atë në misionin e tij të ngulët në politikë….” Mision në politikën e kolkozit! Poeti dhe pedagogu Sadik Bejko bën sikur harron kryesoren- se Roland Bejko është një kandidat pa legjitimitet, pasi si pjesë e grupacionit të Lulzim Bashës manipuloi votat në Pallatin e Kongreseve, duke pretenduar se, në një sallë me 1950 ulëse, merrnin pjesë 5005 delegatë, dmth për çdo kolltuk ishin ulur cip mbi cip nga dy deri tre veta. Por sensi i humorit nuk ka vend, sepse ky manipulim përbēn një akt të rëndë antikushtetues, me qëllimin final vjedhjen e votave, me pasoja kundër rendit kushtetues dhe pluralizmit politik. Ky grupacion, i Roland Bejkos me një grup deputetësh listash janë kundër Sali Berishës, deri këtu OK, por, si manipulatorë të votimit të Kuvendit te 18 dhjetorit 2021 në Pallatin e Kongreseve, i kap ligji.
Do të thoni se në Shqipëri nuk ka as ligj dhe as rregull, se në Shqipëri ka rrumpallhanë, por do të ketë shpejt a vonë dhe ky grupacion që e manipuloi votën direkt dhe live, do të përgjigjet një ditë.
Poetit dhe pedagogut Sadik Bejko, të cilit i uroj me pak vonesë ditën e lindjes, i them bëji reklamë mikut tënd sa të duash, por jo si kryetar i bashkisë së Tiranës, sepse kësisoj i bën reklamë një shkelësi ligji.