(Marrë me shkurtime nga libri “Meditime Letrare”)
(19 korrik 1900 – 11 qershor 1971)
Në poezinë shqiptare emri i Lame Kodrës qe si një meteor që ndriti vetëtimë dhe u zhduk në kohë. Për disa dekada ai u mbulua nga mjergullnaja politike për t`u riparë si shkëndi poetike qysh me agimin e demokracisë.
E mbaj mend emrin e tij letrar që në fëmijëri, kur lexoja në librin e klasës së kartërt fillore poezinë “Si e Dua Shqipërinë”. Më 1947, kur fillova shkollën unike në Fier, në librat e antologjive gjendeshin edhe vjersha të Lame Kodrës si edhe proza poetike “Zgalemi” e Maksim Gorkit e përkthyer po prej tij. Po me vonë, kur vajta në shkollën e mesme në Shkodër, emri i Lame Kodrës nuk dëgjohej më, as si poet, as si përkthyes i “Zgalemit”. Atëhere profesori i letërsise na shpjegoi paralelizmin figurativ dhe na solli si shembull vargjet e poezisë “Furtuna”, po pa thënë se e kujt ishte vjersha.
Pak me vonë doli në qarkullim nje liber teoriko-letrar për të rinjtë adoleshentë të shkollave me titull “Elementët e Para të Teorisë së Letërsisë”, përpiluar nga shkrimtari me përvojë të gjatë letrare, i mirënjohuri dhe i palodhuri Sterjo Spasse. Edhe në këtë tekst paralelizmi figurativ konkretizohej me vargjet e poezise “Furtuna”[1], por pa emrin e autorit:
Më thërret, o moj fortunë,
Po burgosur gjendem unë.
Edhe unë jam si ti,
Zjarrin e luftës kam në gji.
………………………….
Me tërbim do sulem unë
Si edhe ti, o moj furtunë.
Atë kohë në pushimet verore të shkollës, gjeta rastësisht librin me titull “Vjersha” të Lame Kodrës botuar më 1945 dhe nisa ta lexoja. Me një herë me ra në sy se poezia “Furtuna” ishtë e dyta dhe e mora vesh se kush e kish shkruar.
Pastaj, as Lame Kodra, as poezitë e tij nuk po dukeshin gjekundi. Vetëm se kur beheshin zjarre partizanë me nxënës të shkollave dhe të rinj, ndonjë nga ata që pati qenë partizan, këndonte duke ua mësuar të tjerëve si këngë:
Natë e errët mbi Shkumbin,
Mbi Bujanë,
Dhe mbi Vjosën vale turbull
Anembanë.
Jashtë akull e fortunë,
Bora det:
O! sa dimër i tërbuar
Ky sivjet.
Jashtë lufta mortje madhe
Kudo zjen:
Sipër maleve të larta
Në derven.
I këndonin njerëzit ato vargje poetike pa e ditur fare nga kush qenë shkruar.
Ndër kohë, si pasojë e gjallërimit të luftës së klasës, nëpër shkolla, në orët e mësimit të historiës, filloi të flitej për një devijim nga udha e partisë. Dhe ky deviator ishtë një profesor, Sejfulla Malshova, që kish shkruar vjersha me pseudonimin Lame Kodra.
Nisi të dukej atëherë një dualizëm për personalitëtin e poetit Lame Kodra. Nga një anë ai ish Tirteu i Luftës Çlirimtare për liri, “I njohur si “Poeti Rebel” për arsye të poezive të tij luftarake shumë të fuqishme, të cilat Noli i ka cilësuar si poezi të frymëzuara me zjarrin e shenjtë.”[2]
Nga ana tjetër, ai komentohej me emrin e vërtetë të lindjes, Sejfulla Malshova, oportunist i djathtë, nje person anti-parti.
Ky sulm fjalësh ndaj tij buronte nga shkaku se ai kish guxuar të kritikonte Enver Hoxhën në Plenumin e Beratit. Sejfulla Malshova e kish kritikuar atë për sektarizëm dhe për vrasjet pa gjyq.
Le të shikojmë konkretisht se si e kujton diskutimin e Sejfulla Malshovës në Plenumin e Beratit Pandi Kristo[3], ish pjesëmarrës në atë Plenum:
“Plenumi i Dytë i K.Q. të PKSH u mblodh në Berat nga 23 deri 27 Nëntor, 1944.”
“ Sejfulla Malshova deklaroi në Plenum se “Enver Hoxha, ndonëse është konsideruar si shëmbëlltyra e sukseseve tona të LANÇ-it e të PKSH, në të vërtetë është sinteza e gabimeve të tyre”. Me poshtë ai do të vazhdonte me guximin e tij proverbial:
“Sektarizmi jo vetëm në Parti, po edhe në ushtri degjeneroi gradualisht në terror dhe s`është aspak e çuditshme se si ky terror degradoi në krim, madje në krim të organizuar”.
Sejfullai i mënçur nuk do të ngurronte të proklamonte me guxim në Plenumin e Beratit, madje, edhe dy vjet me vonë, kur do ta përjashtonin nga Byroja Politike e K.Q. – të deklaronte se “po vazhduam me këtë mënyrë do të kthehemi shumë shpejtë në një klikë, madje në një klikë vrasësish.”[4]
Kritika e këtij profesori të filozofisë qe një vizion profetik i politikanit Sejfulla Malshova, gjë që e vërtetoi koha për disa dekada.
Qysh atëherë, kur i dhanë goditjet e karakterit politik, Poeti Rebel nisi ta ndjente veten vetëm. Fillimisht e shpunë të punonte në Institutin e Shkencave, duke u përpjekur ta mbulonin me heshtje….
Lidhur me masat ndëshkimore ndaj politikanit Sejfulla Malshova, shkrimtari Naum Prifti në artikullin “Demokrati i Kryqëzuar” ka shkruar se shumë nga “ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në Plenumin e Beratit, e pësuan më vonë nga prapaskenat… I pari e pësoi intelektuali i formuar Sejfulla Malshova” [5]
Dhe kur shkruajm togfjalshin “intelektual i formuar” kemi para sysh një personalitet erudit, që njihte mirë botën Perndimore si edhe atë Lindore. Sejfulla Malshova, pasi kishte përfunduar kolegjin e Shën Adrianit në Shën-Mitër (Kalabri), kish filluar studimet për mjekësi në Romë, po i ndërpreu, për t`iu kushtuar idealeve të lirisë e demokracisë. Ai do të ishte pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit të 1924, sekretar i qeverisë së Fan Nolit, person aktiv midis mërgimtarëve Fanolistë. Si poet, me emrin letrar Lame Kodra, ai e kish nisur rrugën e vjershërimit që më 1921, kur botoi në gazetën Dielli në Amerikë poezinë “Praku”, për të vazhduar me gazetën Liria po në Amerikë dhe më vonë edhe me gazetën “Liria Kombëtare”, të Gjenevës në Zvicër, organ i Komitëtit Nacional Revolucionar[6].
Gjithnjë e më shumë emri i Lame Kodrës do të njihej në rrethet revolucionare si zëri poetik ndoshta më radikali në poezinë shqiptare të kohës – siç pohon në komentet e tij Prof. N.Jorgaqi-. Poezia e tij do të shquhej për temat revolucionare dhe frymën liridashëse, për notat e fuqishme kundër shtypjes feudale e regjimit monarkist, kundër fashizmit. Kjo do të bënte ta cilësonin “poeti rebel”, siç do ta quante edhe ai veten të tillë në një poezi homonime”[7]
*
* *
Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, Poeti emigroi në Francë e më pas më BRSS,më 1925.Vajtja e Sejfulla Malëshovës, alias Lame Kodrës në BS nuk do parë si prirje drejt aventurës bolshevike, po si synim, për të gjetur opsione të mundshme në rrugën e përpjekjeve për liri dhe demokraci. Atje, në Rusi, në Leningrad (Petërburg) kreu studimet e larta dhe u bë professor i filozofisë.. Pas kësaj dha lëndët ekonomi politike dhe materializmin dialektik në Institutin e Ekonomisë Popullore “Plehanov”, ndër kohë u bë dhe bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Filozofisë të Alkademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik. U pranua anëtarë .[8]
Më 1939 u dërgua në Francë nga Kominterni dhe jetoi në Paris e në Grenoblë.
Me atë bagazh kulturor dhe me aq përvojë të gjërë politike, Lame Kodra kthehet në Shqipëri, në korrik të vitit 1943, në zjarrin e Luftës Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë. Ai erdhi në atdhe me aureolen e njeriut të ditur duke dhënë me poezinë e tij kushtrimin çlirimtar. Jo me kot shokët bashkëluftëtare qe e rrethonin e thërrisnin profesor[9]. “Ai kishtë nje përgatitje me të madhe teorike dhe praktike nga të gjithe komunistët shqiptare dhe keshilltarët jugosllavë të marre se bashku”[10],- shkruan në librin e saj për Shqipërinë Nina Smirnova.
Në të njëjtën kohë, si poet dhe si politikan Lame Kodra ishtë demokrat progresiv. Sipas gazetarit dhe poetit Anton Çefa, ai ish nje “komunist idealist, që i rrihtë zemra për transformime të thella shoqërore në dobi të shtresave të gjera popullore; ai iu kundërvu që në krye të herës diktaturës.[11].
Si politikan me shpirt e bindje demokratike ky intelekrtual i lartë shpallte se kultura shqiptare nuk duhej të mbetej e izoluar, po të ishte e hapur ndaj kulturës botërore. Lame Kodra kërkonte që Shqipëria të kishte marrëdhënie të dyanëshme: të lidhej jo vetëm me B.S., por edhe me Perëndimin.
Ky do të ish “mëkat” tjetër i Prof. Sejfulla Malëshovës. Kjo ide ishte tejet e guximshme. Direkt ose indirekt profesori i filozofisë dhe i politikës shqiptare, kërkonte të paktën për Shqipërinë, të hapej ajo që Winston Churchill e quajti më 1946, “përde e hekurt, që shtrihej nga Baltiku deri në Adriatik”(From the Baltic to the Adriatik, an iron curtain has descended[12]”).
Dëshira liridashëse dhe shpirti demokrat po e tundonin Poetin Rebel. Ai po luante me zjarrin. Nuk u mjaftua me kritikat në Plenumin e Beratit për Komandantin, po ja tani dhe pikëpamja oportuniste, anësimi, nga Perëndimi. “Me një fjalë, pa e zgjatur, ishte deviator i djathtë” .Vetëm keto do të ishin të mjaftueshme për ta anatemuar si person antiparti e armik i popullit, ashtu si u vendos nga Byroja Politike me 1947.
Natyrisht, mbas këtyre etiketimeve, profesor Sejfulla Malshova nuk do ta kishte më vendin as në udhëheqjen e partisë, as në qeveri. Pasi kishte punuar për disa vjet në Institutin e Shkencave, më 1956, udhëheqja e partisë kish menduar, se mëkatet e tij ishin aq të rënda, sa që për atë nuk mund të gjendej dot më punë as si studius në një institution, as si përkthyes e as të paktën si korrektor letrar në një ent botues. Ai mund t`i lantë “ mëkatet” vetëm duke zbritur në terren.
Kështu që Zeusi lartë dhe ithtarët e tij poshtë e kishin gjetur më në fund vendin më të përshtatshëm për të, pas atij internimit dyevjeçar në Ballsh, e çuan magazinier në depot e ndërmarrjes së grumbullimit në Fier, ku duhej të kujdesej edhe për gurët e kandarëve të peshave të mëdha.
Rrethi i Fierit ish i madh dhe kish shumë kooperativa e ndërmarrje bujqësore, disa lokalitete dhe shitblerje të ndryshme. Çdo gjë që prodhohej, para se të magazinohej, duhej të peshohej në kandar. Mirëpo nga përdorimi i shumtë gurët e kandarëve prisheshin, dëmtoheshin. Që të rikuperoheshin, ata gurë duheshin sjellë në magazinat qendrore në qytet. Prej andej, ca nga ca, duheshin shpënë në punishten e axhusterisë, për t`u rregulluar. Dhe personi me adapt për të mbartur gurët e kandarëve nga depot në axhusteri qe caktuar ai, Poeti Rebel, ai njeriu i ditur me dy emra: Sejfulla Malshova, si e kishin emëruar prindërit, kur u lind dhe Lame Kodra, si e quajti veten, kur nisi të botonte poezitë e para.
Me emrin e dytë, me pseudonimin e tij, ai do të njihej në fushën e letrave.. Po me këtë emër do t`i drejtohej atij edhe Faik Konica në testamentin e vetë:
“…..Nuk do të më tret dheu, në se ti, im Zot Noli, dhe ti Lamja[13] im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë……Mbyll sytë se ju i nderuar Noli dhe ju të nderuar Shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë detyrë.[14]
Dhe ja pra, ky personalitët, ky intelektual aq i formuar e i brumosur me valët e luftës për liri e demokraci, i mirënjohur nga Noli dhe Konica qysh kur, … ca më vonë, në kohën e demokracisë proletare, rreth vitëve ‘60, qe caktuar nga udhëheqja a Partisë të mbartëte gurët e kandarit.
*
* *
Në ato vite, kur jetoja në Fier, për të vajtur në gjimnaz, shpesh merrja rrugën me kalldrëm, që ndodhej midis bibliotëkës dhe depove të Grumbullimit. Tek ecja në atë udhë, disa herë pata rastin të shikoja me zemër të lenduar Poetin Rebel, kur shkonte kokëulur me një kapele me shapkë.. Ikte nga dale drejtë axhusterisë, duke mbajtur në dorë trastën e zgjyrosur me gurët e kandarit. Sa kisha dashur në vitët e para të rinisë time ta kisha njohur autorin e atyre vjershave , siç ishin: “Poeti Rebel” dhe “Si e dua Shqipërinë”dhe ja tani e kisha aq pranë. Ndërsa e vështroja si të lodhur, në mendje më shungullonin vargjet e tij që i dija përmëdsh qysh nga femijëria:
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi në Janinë,
Ku një popull derë-zi
Heq e vuan në robëri,
Po ka shpirtin luftëtar:
Unë e dua Shqipërinë
Si një revolucionar.
Dhe ashtu, me ato vargjet në mendje, ndërsa ai ikte në punë të vet, unë shkoja drejt shkollës, një pjesë e së cilës qe përshtatur për auditoret e Filialit të Universitëtit, ku jepja lëndën e letërsisë së huaj. Kapitulli i parë fillonte më mithologjinë antike. Ecja si me një brengë dhe në kokë më vërtiteshin trimëritë dhe përplasjet e perëndive të botës qiellore të Olimpit. Po duke pasur para syve pamjen e rënduar të Poetit Rebel, mendimet më largoheshin nga motivet e mollës së grindjes dhe përqendroheshin të dënimet mizore të Zeusit. Më fanepsej Prometheu i Lidhur në një shkëmb të Skithisë, i dënuar se kish guxuar të vidhte zjarrin në qiell për t`ua dhënë njerzëve. Pas tij m`u shfaq Sizifi me atë gurin e rëndë, që e shpintë në majë të malit, e që i rrëshqiste teposhtë kurse ai pambarimisht duhej ta vendoste po atje lartë, ku kish qënë. Dhe. duke imagjinuar Sizifin me atë gur , sytë nuk më ndaheshin nga Poeti Rebel me gurët e kandarit në dorë këtu në tokë, tek depot e Grumbullimit në Fier. Ish a s`ish ky shëmbëllim një paralelizëm figurative….?
Jo më kot shumë lexues e njihnin Lame Kodrën si Poet Rebel. Shkas për këtë ishte edhe poezia me të njëjtin titull, që autori do ta vendoste në fillim të librit të tij me titull “Vjersha” me 1945.
Heroi lirik i kesaj poezije do të ish alter-egoja e vet poetit, i cili i ka dalë për zot vegjëlisë, duke i shpallur luftë skllavërisë. Me këtë poezi, që autori e botoi për së pari në gazetën “Liria” në Amerikë, më 1941, Poeti Rebel, i mbrujtur me idetë e revolucionit demokratik, jep kushtrimin anë e mbanë atdheut”
Anë e mbanë Shqipëria
Le të mblidhet
Në pallate tirania
Le të dridhet.
Në kuptimin e jetës sociale poezia e Lame Kodrës të kujton deridiku idetë demokratike të poezisë së Fan Nolit. Lidhur me këtë kuptim poeti Bardhyl Londo vë re
se Lame Kodra “nuk i shpëtoi dot deri në fund ndikimit të poezisë noliane, poezi që duket me një herë e ka pasur shumë për zemër”.[15]
*
* *
Si dishepull i Nolit, Poeti Rebel është kundër sundimit të bejlerëve, që favorizuan “tiranin që kërrusi atdhenë”..Ashtu si Noli edhe ai është kunder çdo tirani dhe sundimi monakist. Rgjimeve monakiste historikisht u kish kaluar koha. Dy shekuj më parë, Presidenti Thomas Jefferson, si ideator i republikanizmit amerikan, thoshte se në “Evropë sundojnë princërit dhe mbretërit, si një vazhdim i mesjetës dhe nuk beheshin zgjedhje demokratike”[16]. Duke ngritur lartë idenë e republikës ai bënte vërejtje për qeverisjen e atëherëshme evropiane dhe deklaronte:
“Qeveritë evropiane janë monarkiste. Ato janë mbështëtur në parimin që një pakicë njerezish kanë dhantinë e shenjtë të shtypin shumicën. Kurse sistemi republikan amerikan nën kupton prishjen përfundimtare të kodeve feudale e të autoritarizmit mbretëror”[17].
Për ironi të fatit historik në Shqipëri, në kundërshtim me idenë e republikanizmit demokratik tëThomas Jeffersonit, jo me 1804, por më 1924, rrëzohet qeveria demokratike e Fan Nolit, për t`u zëvendesuar me monarkinë gjysëm orientale, për monarkun e së cilës vetë përkrahësi i saj, Eqrem Bej Vlora, shkkruan në kujtimet e tij se mbreti “në atë shkollë turke në Stamboll, të kohës së Sulltan Abdyl Hamitit, kishtë mësuar sjellje dhë mënyra të foluri, të cilat i kishin dhënë “oborrit” të Zogut vulën e një Sulltani në miniaturë”[18].( nga libri ”Kujtime” f.260) . Edhe studiuesi amerikan Julian Ameri do të jepte më pastaj afërsisht të njejtën konstatim: “Qysh në moshë të re Zogu absorboi principet e qeverisjes orientale”.[19]
Lame Kodral,si përfaqesues i ideve republikane, ashtu si e thotë edhe vet, si poet revolucionar, është realisht në anën e shtresave të gjera popullore.. “Si shkrimtar i ndijshëm atij i vjen keq kur shikon varfërinë e skajshme të fshatit shqiptar:
Ku del bujku që me natë
Me parmendë dhe me shat,
Mbjell e korr me djell, me hënë
Dhe s`ka bukë për të ngrenë.
Heroi lirik i Lame Kodrës, Poeti Rebel, brengoset edhe për jetën me mundime të njerzëve në qytët:
Ku nallbani e samarxhiu,
Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
Që të hanë bukë thatë;
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur e varela,
Këmbë-zbathur, bythë-çjerrë:
Punon vetëm për të tjerë.
Si përfaqësues i popullit të thjeshtë në fshat e në qytët, Poeti Rebel kërkon të futet në jetën politike, jo për të përfituar grada dhe pozita shtetërore si një pushtetar i etur për t`u pasuruar me çdo kusht, por si një idealist, që dëshiron mbi të gjitha triumfin e demokracisë së vërtetë. Poeti Rebel është larg interesave të një politikani, që synon pallat me shumë kate në kryeqytet dhe nje vilë në mal e një tjetër në Lalëz, atje në bregdet. I prirur nga motivet e një demokracie popullore, Poeti Rebel shkruan:
S` kam çiflik e s` kam pallate ,
S`kam dyqan me katër pate;
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për kasollen në Selisht,
Për dy ara në Zallisht.
Është e qartë se këto vaqrgje të “poetit rebel” kanë një tingëllim actual sot, kur, siç shohim nga kronikat mediatike të përditshme , ka politikanë, që kanë prirje të etëshme për të pasur vila superluksoze në vise panoramike.
Ndikimi i poezisë noliane tek Lame Kodra duket edhe më shumë te poema “Klithmë e Dragobisë”, sepse që të dy poetët, si patriotë të shquar janë thellësisht të prekur nga vrasja e Bajram Currit në atë vend. Po ndërsa Fan Noli me elegjinë “Shpell` e Dragobisë” i bën apotheozë heroit të maleve, duke e cilësuar me figura mithologjike si “Dif dragoi i Dragobisë/ Trim tribunë` i vegjëlisë”; “Legjendar Ate po rritësh “/Dithiramb i Dragobise”, Lame Kodra e kthen simbolikisht shpellën e Dragobisë në një altar patriotik të atdhetarisë:
Vetë shpella si tërmeti
Oshëtin:
Plaku i maleve ka dale
Sokëllin.
Jehona e thirrjes së Plakut të Maleve bën të mblidhen gjithë herojtë e lavdishëm të atdheut. Me anë të nje animizimi të elementëve të natyrës, poeti përfytyron se gjithë vendi rreth e qark, vetë shpella, gryka e male po buçasin, kur gjithë trimat, dëshmorët heronj po kelthasin.. Ajo klithmë është kushtrimi që vjen e përhapet nga malet në të gjithë Shqipërinë. Me këtë rast le të kemi parasysh se poema është shkruar në janar të vitit 1941 dhe është botuar në gazetën “Liria” në Amerikë më 1942. Është koha kur vendi qe pushtuar nga fashizmi italian, prandaj Poeti Rebel frymëzohet nga thirrja e Plakut të Maleve në Dragobi, duke dhënë kushtrimin luftarak: “Luftë zgjedhës Shqipëri,/ Ngreu popull me flamur për liri”. Është me interes të përmendim se kjo poemë e Lame Kodrës u këndua nga shumë formacionë të ushtrise partizanë, pa qënë e kompozuar nga ndonjë muzikant profesionist. Kompozitor i saj qe populli, që e gjeti të pëlqyshme në ato vite të luftës kundër pushtuesit të huaj, se çdo strofë e varg i poemës qenë të frymëzuar nga ideja e kushtrimit çlirimtar.
Më 1921 në gazetën “Diell”,në Amerikë, Lame Kodra do të botonte poezinë e parë me titull “Praku”. Nga leximi i vargjeve të poezisë kuptohet se fjala “Praku”simbolizon udhëkryqin e një trimi, i cili duhet të zgjedhë ose një jetë me luftë e me mundime për liri, ose një jetë të qetë e pa trazime e me begati. Përtej “prakut” është bota e re, bota e lirisë, përkëtej është bota e vjetër, bota e robërisë. Nga një hon i thellë del një zë paralajmërues, që i përmend trimit të ri Kalvarin e një jete që i përkushtohet përpjekjeve për liri. Djaloshi i asaj poezie,.tek dëgjoi ato fjalë që të frikësonin, “një e ngjethur trupin ia përshkoi” dhe tha “që të gjitha do i duroj”, dhe pa u trembur nisi ashtu jetën luftarake për liri. Vargjet e kësaj poezie do të ishin preludi i kalvarit të Lame Kodrës, i cili mbaroi trishtueshëm mbas një izolimi të gjatë politik. Ai do të ndahej nga jeta në spitalin e Fierit nga një dhimbje e rëndë abdominale.
Kështu, më 11 Qershor, 1971, në mes te një dhimbje të madhe fizike dhe shpirtërore, do të pushonte se rrahuri zemra e poetit Lame Kodra, i quajtur dhe Poeti Rebel.
Bibliografi
Anton Çefa: “Disidencë fisnikë “ Illyria, 23 gusht, 2004, Amerikë
Bardhul Londo: Parathënie e librit “Vjersha” të L. Kodrës, Shtëpia botuese “E. Çabej”, Tiranë, 1994 .
Bernd Fischer:: “Balkan Strongmen” , Purdue University Press, Indiana, 1988.
Eqerem Bej Vlora: “ Kujtime” II, Shtëpia e librit dhe komunikimit,Tiranë, 2001.
Faik Konica: “Vepra”, Shtëpia botuese, “N. Frashëri”, 1993.
Gazeta Panorama, 28 qershor 2003.
James Davidson, “The American Nation”, Prentiche Hall inc, New Jersay, 12986
Julian Amery: “Sons of the Eagle”, London, 1948
Karl (Carl) Sundel, “Four Presidents”, Sun Publishing, Worcestër, MA, 1987.
Nasho Jorgaqi,”Koha e Kujtimeve”, Ombra GVG, Tiranë, 2011.
Naum Prifti: Gazeta Illyria, “Demokrati i kryqezuar”, 6 Maj, 2004.
Nina Smirnova:” Historia e Shqipërisë përgjatë sh .XX”, Botimet ideart, Tiranë, 2004
Sterjo Spasse: “Elementët e para të Teorisë së Letërsise”, Ndërmarja Shtëtërore e Botimeve, Tiranë,1954 .
[1] Nga libri “Elementet e Para të Teorisë së Letërsisë” , St. Spasses, Tirane,1954. faqe:12.
[2] Nga Anton. Çefa: “Disidencë fisnike…” “Illyria”, 23 gusht, 2004.
[3] I kujtojmë lexuesit se P. Kristo në këtë kohë ish përkrahës i grupit të Koçi Xoxes, i cili mbështeste vijën e politikës së Titos, që synonte përfshirjen e Shqipërisë si republikë të shtatë në Federatën Jugosllave. – B. Fisher, “Balkan Strongmen”, f.243
[4] Gazeta “Panorama”- 28 qershor, 2003
[5] Nga Naum Prifti: “Demokrat i Kryqezuar”, Illyria, 6 Maj, 2004
[6] Komiteti Ncional Revolucionar (KONARE) ishte organizate politike e demokratëve shqiptarë antizogistë, që kishin marrë pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe, që pas shtypjes së këtij, kishin mërguar jashtë ardheut. Kjo organizatë ishte themeluar më 25 mars 1925 në Vjenë dhe kishte qysh në fillim për kryetar Fan Nolin.
[7] Nasho Jorgaqi, “Koha e Kujtimeve” Ombra GVG, Tiranë, 2011, f.191
[8] Shiko: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, f. 1605.
[9] Edhe Enver Hoxha me Koçi Xoxen në letrën e tyrë informative dërguar Udhëheqjes Sovjetike më 1947 e quajnë professor, kur shkruanin se ”në përbërjen e Byros Politike te K.Q. u fut dhe ideologu i restaurimit të kapitalizmit në Shqipëri, Profesor Sejfulla Malëshova”, Marrë nga “Gazeta Shqiptare”, 14 – 4 – 2010
[10] Nga Nina Smirnova, “Historia e Shqipërisë përgjatë sh. XX”, Botimet Ideart, Tirane, 2004, f..292
[11] Nga Anton Çefa: “Disidencë fisnike…” , “Illyria” , 23 gusht, 2004
[12] James Davidson, “The American Nation”, Prentiche Hall Inc, New Jarsey- 1986
[13] – Lamja : nenkuptohet Lame Kodra, pseudonimi i Sejfulla Malshoves.
[14] Faik Konica, Vepra, Tirane , Shtepia botuese “Naim Frasheri”, 1993, f. 70
[15] Bardhul Londo: libri “Vjersha”, i Lame Kodres, Shtëpia Botuese “E.Çabej”, Tiranë, 1994, f.11
[16] Karl (Carl) Sundel: Four Presidents, Sun Publishing, Worcester, MA.1987, f. 25
[17] Karl (Carl) Sundel: i njejti liber ne te njejten faqe.
[18] Eqerem Bej Vlora, “Kujtime”, v. II, Shtëpia e Librit dhe Komunilimit, Tiranë, f.260.
[19] Julian Amery, “Sons of the Eagle”. London, 1948, f. 16.
Komentet