1.
Poeti mirditor Nikollë Loka, ndryshe nga shumkush, prej kohësh e ka kapërcye Detin Adriatik drejt Italisë fqinjë, pasi aty, pas Fanit e atdheut të tij, ka një tjetër qënder të gravitetit të tij shpirtëror, krijues, veprimtar. Ai ka një lidhje të trefishtë: me Arbëreshët – shqiptarët e moçëm e të rinj të Italisë; me gjurmimet e lartësimet e veprimtarisë së Vatikanit (në Romë) ndaj shqiptarëve në Ballkan; me botimet e tij poetike në italisht e nderimin së fundit (dhjetor 2016) me Çmim Ndërkombëtar në Spezzano Albanese, në rajonin e Kalabrisë, për poezinë e tij “Edhe bukuria vdes”.
Nikollë Loka është i lidhun shpirtërisht me Vatikanin, aqsa Vatikanin e ka brenda vetvetes së tij, zemrës e shpirtit të tij. Ai nuk ka veladonin e priftit, por ka penën e historianit, të poetit, të publicistit e të shkrimtarit. Ai ka fuqinë e misionarit të shumfishtë e të pandalun.
Nikollë Loka në shumçka është “Vatikan” në mirëkuptim hyjnor, mirësor e poetik të kësaj fjale. Mjafton t’ia shohësh titujt e librave të tij historik dhe e kupton, dhe e ndjen, një fakt të tillë.
Ai ka botuar (me bashkautor), në këtë fill shekulli, më 2005, një libër historik, një enciklopedi të vogël me vlerë të madhe: “Iliria Biblike – Shenjtorët Shqiptarë…”, që flet për shenjtorët iliro-shqiptarë, tue nis nga Shën Konstandini i Madh deri tek Shenjtorja Nanë Tereza. Ai, kësisoj, donte t’iu dëshmonte historisë antike e moderne dhe botës globale lidhjen e hershme e të madhe të shqiptarëve me Vatikanin, si dhe peshën e shqiptarëve në udhën e Krishtërimit.
Ai ka botuar dhe dy vepra të tjera enciklopedike “Genivs Illivrici – Perandorët ilirë të Romës”(2005) dhe “Dinastitë iliro-shiqptare me famë botërore” (2004), ku disa prej tyre janë shenjtorë dhe Papë si Papa Klementi XI- Albani.
Ai ka vepra monografike për figura lokale e kombëtare të historisë shqiptare, me kontribute të dimensioneve të ndryshme ndaj Krishtërimit si: “Imzot Nikollë Kaçorri, burrshtetas shqiptar në altarin e atdheut” (2012); “Preng Bibë Doda i Mirditës, dritëhijet e një burrështetasi”(2010); “Bajraktari Prengë Marka Prenga, flamurtari i Mirditës” (2014);
Po, ai, Nikollë Loka, ka dhe disa monografi shkencore që flasin për historinë e kombit shqiptar dhe të krishtërimit në treva arbnore si: “Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit shqiptar” (2014), “Principata e Arbërit: shteti i parë i shqiptarëve” (2015), etj.
Në dekadat e fundit doktorant Nikollë Loka ka krye disa kualifikime pasuniversitare si; për pedagogji, filozofi,didaktikë dhe rusisht (1987-’90), për shkenca humane-filozofi, psikologji dhe qytetërim –në katër muaj kohe në Qëndren e Studimeve Europiane në Bruksel.
Doktorant Nikollë Loka është drejtor i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli’. Institut që mban emrin e një personaliteti të shquar shqiptar, të një prifti shqiptar domenikan, humanist, matematikan e astronom ndër më të mëdhenjtë e kohës së tij.
2.
Përgjatë këtij shekulli të ri, në gjithato takime e biseda me historianin, poetin, publicistin e shkrimtarin Nikollë Loka kam ndigjue prej tij tue iu dhanë vendin e merituem historik Arbëreshëve të Italisë për kontributet e tyne të mëdha e ende të panjohuna plotërisht, si kontributet për mbajtjen lart të emrit e traditave shqiptare në dhera të huaja pas epokës së Skënderbeut; për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorën e 1912-tës, për kulturen, letërsinë e shtypin shqiptar, etj. Doktorant Nikollë Loka ka të drejtë dhe po punon në vazhdimësi për të dhënë kontributin e vet brenda mundësive të veta.
Nikollë Loka, ma shumë e ma mirë, me Arbëreshët e Italisë është njohur gjatë shkrimtarisë shkencore të veprës së tij “Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit shqiptar”(2011) ku e pasqyron kontributin e madh të arbëreshëve, veçmas të veprimtarit të shquar politik e kulturor Tornezio Toccit, më 26-27 prill 1911, për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar, mbajtjen e një Kuvendi në Fan, krijimi i Qeverisë së Përteshme (Përkohshme) në shtëpinë e Zef Ndojës në Kimëz, etj. Duhet thanë se Ternezio Tocci (Terenc Toci) ishte e mbetet i nderuar për shqiptarët në dy anët e Adriatikut në aktivitetin e tij si patriot i madh arbëresh i Pavarësisë e Shtetësisë Shqiptare, si jurist, botues, publicist, shkrimtar, që pati dhe detyra shtetërore në Shqipëri në Kohën e Zogut dhe të pushtimit Italian. Këtë patriot romantik e realist, kontribues e sakrifikues, këtë farë kombëtare arbëreshe në trojet shqiptare, koha e komunizmit të pasluftës, më 14 prill 1945, e dënoi me vdekje dhe emri i tij ridoli në skenë me plot dritë në kohën e demokracisë së re shqiptare, në dekadat e fundit. Rasti e solli për mirë që historiani veprimtar Nikollë Loka të njihet dhe me nipin e Terenzio Toccit, që e mban emrin e tij, Terenzio Tocci (i Riu). Dhe Mirdita i ka ngritë një bust Terenzio Toccit të Parë, këtij burri të shquar me aktivitet të madh shqiptar.
Në përditmëri kohe Nikollë Loka i kushtimohet studimit të jetës e veprimtarisë atdhetare të shumanshme të Arbëreshëve të Italisë, i ka objekt të tij në monografi shkencore, në artikuj studimor në shtypin shqiptar e të huaj, etj. Njëherash, ka krijuar lidhjet e tij të mira e të vyera me disa personalitete të diasporës Arbëreshe në Itali, me të cilët shkëmben ide e përvoja, libra, bashkbisedojnë për çështje historike, kulturore, letrare, etj.
3.
Udha drejt Italisë fqinjë e poetit Nikollë Loka është e hapur nga botimet e tij, për botimet e tij, aq sa tashma ai është një “poet antologjik”. E kjo nuk është pak. Kjo do të thotë shumë për poetin Nikollë Loka, për miqtë e lexuesit e tij, për letersinë panshqiptare. Ai, natyrisht nuk është në majat e poezisë panshqiptare, por sigurisht ai është në udhë drejt majave poetike të kohës e botës, ai e kapërcye Detin Adriatik, ai është pjesë poetike e Mesdheut. Gjeografia e tij poetike është për t’u vlerësuar nga kritika, për t’u nderue nga koha, për t’u admirue nga shumkush.
Poeti Nikollë Loka ka hyrë në dhjetë antologji italiane. Udha poetike iu ka çel me konkurs. Nuk është e lehtë të rendohesh në antologji jashtë atdheut e kombit tënd. Të hysh në një antologji të vetme ndoshta është rastësi. Të hysh në dhjetë prej tyre patjetër që është meritë poetike, ka të bajnë me vlera poetike. Ai ka hyrë dhe një botim antologjik me pesë poetë italianë me 15 poezi të tij. Vit pas viti – më 2013, më 2014, më 2015, me krijimet e tij poetike ka hyrë me konkurim ndërkombëtar në botimin antologjik “Federiciano” në Itali.
Nikollë Loka me poezitë e tij ka hyrë përmes konkurimit dhe në dy antologji dy gjuhëshe: rumanisht dhe italisht. Çka do të thotë se është botuar dhe në gjuhën rumune. Kjo është udha poetike e tij, këto janë lartësime poetike të tij. Ai është botuar në disa antologji poetike në gjuhën shqipe në Gjermani, në Suedi, në Kosovë, etj.
Po të investonte apo të investohej ndokush tjetër në kritikën e kohës dhe në propogandën e ditës, do ta cilësonte poetin mirditor Nikollë Loka jo vetëm si një poet panshqiptar, por edhe si një poet mesdhetar, ballkanik, europian.
4.
Nikollë Loka, ky poet i krenarisë, i dhimbjes, i bukurisë, i ka disa libra poetik të botuar në Shqipëri: “Njerëz që plaken udhëkryqeve” (1998); “Koha e shkelur” (1999); “Larg At-Dheut” (2003); “Një hark ylberi” (2013); “Koha tjetër” (2015). Të tjerë vëllime poetike të tij presin në rradhë për botim. Nuk janë pak: pesë libra poetik në ma pak se dhjetë vite, një dekadë.
Nikollë Loka është i përhershëm me poezitë e tij në faqe të revistave, gazetave, portaleve. I mirëpritun nga kritika letrare dhe i vlersuar me çmime në Shqipëri, Kosovë e në Itali.
Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës në Tiranë e ka nderuar me Çmimin Ndërkombëtar “Gjon Buzuku” (2016).
Këto ditë, më 17 dhjetor 2016, në Edicionin e Tretë Poetik, në Spezzano Albanese, në rajonin e Kalabrisë, u vlerësua me Çmim Ndërkombëtar nga Komiteti Ekzekutiv i Shoqatës “Antonio Diodati – Perla e Jugut” për poezinë e tij “Edhe bukuria vdes”:
Në fillim ndaj saj
ndjen thjeshtë tërheqje,
pastaj meditim
mbi tërheqjen që ndjen,
të vjen një dëshirë
e të ngjall etje,
kur sheh
një lulëzojë që shpërthen,
të deh me aromë,
para se ta prekësh.
Kur ta prekësh
e ndjen se po fshihet,
me një prekje,
asgjë nuk mbledh prej saj,
bukuria humka brenda shpirtit,
në një dhomë,
pa dyer dhe dritare.
E ti e dehur
në ato mure prêt,
të hapet një derë
vetëvetiu,
pa e ditur
se dhe bukuria vdes,
kur ikën
dhe fshihet nga njeriu.
Kjo poezi u përkthye nga e mirënjohura përkthyese Albana Alia. Ishte një përkthim mjeshtëror i saj, çka i dha vlerat e duhura në interpretimin artistik në italisht nga poetja vlonjate Anila Dahriu. Poeti Nikollë Loka e recitoi në shqip poezinë e tij para jurisë dhe auditorit të krijuesve e lexuesve dhe përshendeti pas marrjes së Çmimit, me renditje poetike në vend të dytë të Konkursit Poetik Ndërkombëtar.
Kjo poezi në Konkurimin Ndërkombëtar Poetik në Itali u vlerësua me Çmim Ndërkombëtar, zuri vendin e dytë në renditjen e fituesve, pasi në vendin e parë u shpall Francesca Gallello me poemën “Një përrua”, kurse në vendin e tretë Antonietta Bruni me poemën “Kam një ëndërr”.
Në këtë konkurim poetik ndërkombëtar, në Hotel “San Francesco Terme di Spezzano Albanese”, pati vend të katërt për Maria Cau me poemën “Qëndisja e lulediellit” dhe vend të pestë Diana Olteanu me poezinë “Letër”.
Si zakonisht, edhe kësaj here, në këtë konkurim poetik, pati dhe çmime special:
Çmimi “Antonio Diodati” për poetët Eduardo Apa, Placido Bonifacio, Mimmo Petroni, Raffaele Caracciolo, Domenico Bruno, Luigi Maffia. Çmimi “Luigi Bruni” për poetët Angi Cristea Melania, Florentina Nita, Alessandra Boscolo Meneguolo, Antonio Ferrara, Maurizio Sbordoni, Giuseppina Irene Groccia. Çmimi “Gaetano Tricoci për poetët Pasquale Montalto, Antonio Michele Cavallaro, Carmine Chiodo, Shtepia botuese dhe e spektakleve e Giovanni Spedicati, Francesco Rende, Leonardo Alario.
Në të njëjtin takim, u vendos për dhënien e tre diplomave të nderit për Emilia Cuconato, Laura Forni dhe Alido Ramacciani. Fituesve iu dorëzuan pllaka, çertifikata dhe punime pikture nga Daphe Xyris Marasca dhe Mimmo Aloise.
Ky Konkurs Poetik Ndërkombëtar është themeluar nga poetja e shquar Giulia Bruni – president e Shoqatës “Antonio Diodati –Perlat e Jugut” dhe poet i famshëm Alfredo Bruni. Ky i sivjetmi ishte i treti Edicion Poetik, i mbajtur në kujtim të Antonio Diodatit “Terre Lontane” në rajonin e Kalabrisë. Kësaj here, këtë vit, piktori Miami Aloi hapi një ekspozitë me foto-piktura. Aty, për të pranishmit, pati dhe pjesë muzikore. Ishte një veprimtari kulturore model, shembullim.
Ky Çmim Poetik që iu dha poetit shqiptar Nikollë Loka është një Çmim Ndërkombëtar, pasi dhe pjesmarrja e madhe e konkuruesve dhe e poetët e shumtë të ftuar aty ishte nga disa vende mesdhetare, europiane. Me këtë Çmim nderohen poetë e personalitete të kulturës dhe shkencës nga rajoni i Kalabrisë, nga vise të Italisë dhe nga shtete të tjera të botës.
Juria e Konkursit Poetik, në Edicionin e Tretë, ishte e një niveli të lartë. Kryetar i saj ishte Dante Maffia – kandidat për Çmimin Nobël në Letërsi. Antarë ishin: Francis Aaronit, studjuesja e poetja nga Berati – Griselda Doka, Franco Maurella, Gianni Mazzei, Massimo Pacetti, arbëreshi Francesco Perri, Giovanni Pistoia dhe Francesco Tarantino.
Poeti Nikollë Loka shkoi në Kalabri të Italisë me disa çmime kombëtare, panshqiptare: Në Takimin Poetik të Diasporës, organizuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Botë, zuri vendin e dytë në vitin 2015 dhe vendin e parë në vitin 2016. Njëherash, është dhe fitues i Çmimit “Ibrahim Rugova” (2016) – vendi i dytë, në Takimin Poetik të organizuar nga Klubi Letrar “Podguri” në Istog të Kosovës. Poeti Nikollë Loka, në këtë dhjetor 2016, u kthye nga Konkurimi Poetik në Itali me një Çmim Ndërkombëtar, çka përban një tjetër arritje të tij dhe një tjetër sukses të poezisë së sotme panshqiptare.
Komentet