Autografi i Evgeni Jevtushenkos, dhënë Visar Zhitit, ku uron një të ardhme të madhe për Shqipërinë.
Poeti sovjetiko-rus Evgeni Jevtushenko më 1 prill bëri 5 vjet nga ikja nga kjo jetë, por këtë vit ai ka dhe 90 vjetorin e lindjes (18 korrik 1932).
Është poet i njohur dhe kompleks, poezia e tij është e lidhur dhe me Shqipërinë, ai ka ardhur në Shqipëri, ka poezi për Shqipërinë dhe gjatë kohës kur sundonte realizmi socialist, ai përflitej në qarqet letrare dhe nga lexuesi i poezisë si një mit i kuq, kritikohej dhe adhurohej fshehurazi, madje me ndikim në poezinë shqipe, pa patur asnjë libër të botuar tek ne, përveçse dy poezive të hershme të tij, të përkthyera nga Drago Siliqi, në një antologji të madhe të poezisë ruso-sovjetike, që do të ndalohej në po atë vit që doli, sepse u prishën marrëdhëniet politike dhe diplomatike midis Shqipërisë, vendit më të vogël të kampit socialist dhe Bashkimit Sovjetik, vendit më të madh, superfuqi botërore.
Edhe kjo ngjarje gjeti jehonë në poezinë e Jevtushenkos, shpotínë dhe goditjen, ndërsa në letrat shqipe do të ishte temë qendrore dhe e madhe, heroike, madje e të gjitha arteve.
Jevtushenko së pari do ta shihnim personazh në një nga romanet më të bukur të Kadaresë, “Muzgu i perëndive të stepës”, estravagand dhe pa ideale, me një si simpati të fshehur për një shok shkolle në Institutin “Gorkij” të Moskës.
Pastaj u përhap me bujë dhe frikë se Jevtushenko kishte shkruar një poezi, “Trashëgimtarët e Stalinit”, kundër Enver Hoxhës. Kërshëria për poezinë e tij u shtua rrezikshëm.
Ne, studentë në atë kohe, letrarët e rinj siç quheshin, poetë, etj, kërkonim të lexonim ndonjë të tij, qoftë një poezi a strofë a varg, që edhe gjendeshin në gazetat dhe revistat letrare, ku ai shahej si poet revizionist, në shërbim të klikës së Kremlinit.
Dhe ne u rritëm dhe u formuam me kulturën e sharjes në letërsi. Kujtoj kur më arrestuan dhe në hetuesi netëve më ulërinin në qeli, i lidhur me pranga, që pse kisha lexuar librin “Molla” (Jablloko) të Jevtushenkos, që në fakt nuk e kisha gjetur dhe s’e kisha parë kurrë, por ca poezi të tij, në një revistë sovjetike, që na e kishte dhënë fshehurazi një e njohura jonë në Bibliotekën e Shkodrës. Në fakt i përktheva ashtu me fjalor, nga dëshira e madhe, ua dhashë shokëve dhe miqve të ngushtë, ashtu bënim, i jepnim njëri-tjetrit përkthime të fshehta, mbushnim fletoret. Nga të denoncuarit, unë u burgosa…
Edhe sot më vijnë ulërimat e hetuesit pas mesnate: pse e ke lexuar armikun Jevtueshenko, ai ka shkruar poezi kundër Shqipërisë dhe Enver Hoxhës…
Do ia tregoja këtë fakt Jevtushenkos vetë, kur do ta takoja në Milano, në vitin 2008, se na pranuan antarë të PEN Clubit Italian në të njëjtën ditë. Ai u entuziazmua që unë isha burgosur dhe për poezinë e tij, lajmëroi dhe të shoqen, që t’ia tregoja dhe asaj, shkëmbyem dhe libra me autograf dhe unë i tregova dhe poezinë që kisha bërë me mend i burgosur, që i kushtohej atij.
Dhe ai më dha dhe poezitë që kishte shkruar për Shqipërinë, me trishtim dhe dashuri dhe poemën që kishte shkruar në vilën e kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehut, të cilin e “vetëvranë”. A të doli fantazma e tij? – e pyeta.
Në takimin në publik në Milano, kujtoj që një grua ngrihet nga salla n:e librarin;e “Mondadori” dhe i thotë Jevtushenkos:
– Na folë pak për Rusinë e Putinit.
Dhe ai shungëlloi:
– Zonjë, nuk ka Rusi të Putinit, por të Pushkinit… Rusia është e Dostojevskit, e Gogolit, e Pasternakut, e Eseninit, e Sollzhenicinit, e Mandelshtamit… e im… e shokëve të mij.
Jevtushenko ishte kundër, por jo kundërshtar, sipas studiuesve. Ndërkaq ai e ka ngritur zërin me poezinë e tij politike, që, pas rënies se komunizmit, Jevtushenko do ta quante “poezi e mbrojtjes së drejtave të njeriut”. U bë e famshme poema e tij “Baby Yar”, e shkruar në 1961, ku denonconte masakrën naziste të vitit 1941, e shoqëuar me antisemitizmin sovjetik, me persekutime nga bolshevikët ndaj hebrenjve në Babi Jar, në rretina të Kievit në Ukrainë.
Ç’do të thoshte sot Jevtueshnko për luftën e çmendur në Ukrainë?
Ne kemi një tjetër poezi të tij “Pragën çajnë tanket” e vitit 1968, që del kundër pushtimit të Çekosllovakisë nga çizmja staliniste e ushtrive sovjetike në krye të forcave të Traktatit të Varshavës.
Edhe në 1989, kur Jelsini dërgoi tanket në Çeçeni, Jevtushenko e denoncoi dhe nuk pranoi një çmim prej tij.
1991 – viziton Shqipërinë, ndërkohë shoku i shkollës së tij, shkrimtari shqiptar me njohje botërore, Ismail Kadare, kishte kërkuar azil politik në Francë.
1993- Jevtushenko shkon në SHBA, në Universitetet në Oklahoma e Nju-Jork, jep leksione për poetët rusë dhe europianë dhe historinë botërore të kinematografisë. Pranimi i tij në Akademinë Amerikane do të ngjallte polemika, poeti i pëz;en;e nga Bashkimi Sovjetik pas burgut të tij, Josip Brodskij do ta quante Jevtushenkon “Disident i emëruar”.
Pas tetorit të vitit 2007 Jevtushenko e ndan jetën e tij mes dy vendeve, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në 1 prill 2017 ndërron jetë dhe trupin e tij e çojnë të prehet n;e am;eshim në Rusi
Mua m’u desh të shkruaj një libër të gjithë për dukurinë Jevtushenko, “Si na erdhi ai, i ndaluari” dhe shkak u bë një thënie e një studenti shqiptar, tim biri, Atjonit, që u njoh me Jevtushenkon në përurimin e një libri të tij në Lugano, në Zvicër dhe mua më tha: “…ishte interesant, por dhe narcis… mos janë ca si egocentrikë ata që i ka përkëdhelur regjimi?” Gjithë kohës atje ai mbante për krahu Jevtushenkon që çalonte. Në fakt çalonte Realizmi socialist.
Ç’t’i thosha? Me librin tim desha t’i tregoj atij dhe brezit më të ri se si u rritëm ne, me ç’poezi, ndërsa në fakt ai më shpjegoi mua shkurt se ç’ishte poeti i regjimit. Jemi para gjyqit të së ardhmes. Kurse unë dua të dëshmoj poezinë…
EVGENI JEVTUSHENKO
12 POEZI
DASHTË QIELLI
Dashtë Qielli u vjen pamja verbanëve
e gungaçët shpinat drejtojnë.
Dashtë Qielli bëhemi ca Zot, pak fare,
të jesh pak, pak s’të kryqëzojnë.
Dashtë Qielli të mos i ngjitemi pushtetit,
heronjve të rremë jo dhe jo.
Të pasur të bëhemi, por jo të vjedhim,
natyrisht nëse mundet kjo.
Dashtë Qielli të bëhemi dhelpra plakë,
që s’bie në ato gracka me shkopinj,
mos qofshim viktima, as xhelatë,
lypsa kurrë, as zotërinj.
Dashtë Qielli sa më pak plagosje
në përleshjet që vetëm të çmëndin,
sa më shumë vënde dhe përsosje,
pa u dashur ta humbësh tëndin.
Dashtë Qielli që toka e pamatë
gjurmët t’mos na i hajë gjithkund.
Dashtë Qielli të na duan gratë
dhe kur të jemi në fund.
Dashtë Qielli të heshtin gënjeshtarët,
zë hyu të ndjejmë në thirrjet e pafajshme,
që Krishtin të dallojmë tek të gjallët
në fytyrat e burrave dhe të grave.
Të mos mbartim si kryqin pabesitë
dhe si mjeranë të biem përdhe,
të mos jemi dyshues çdo ditë,
dashtë Qielli qoftë Zoti në ne.
Dashtë Qielli të gjithën për të gjithë
ta kemi sa më shpejt, pa u fyer prej saj.
Po, po, të gjithën, por veç zgjidh
nga ato që s’të turpërojnë pastaj.
1990
PRAGËN ÇAJNË TANKET
Pragën çajnë tanket
nën gjak agimi të nxehtë.
Çajnë “Të vërtetën”* tanket,
që s’është gazetë.
Tanket çajnë përpjekjen
klikave për t’mos ju përulur,
të çarë e ndjejnë veten
ushtarët në tank ulur.
Zot, ç’turp po fusin,
Zot, ç’nuk po shëmbin!
Çajnë tanket Jan Husin,**
Pushkinin, Petëfin.***
Tanket çajnë varret
dhe të atyre pa lindur.
Kapse zyrash, rruzaret
u shndërruan në zinxhirë.
A jam armik i Rusisë?
unë jo! – Të tjerë të nxitur
me tanket e ligësisë
ku s’ndërhyjnë të shpifur.
_____________________________________
*) E vërteta – rusisht “Pravda”. Emëri i një gazete të përditëshme, më e shitura në Bashkim Sovjetik.
**) Jan Hus – hero kombëtar i popullit çek. Lindi në Husinec në 1371, kreu studimet e larta në Pragë dhe në 1401 bëhet dekan i universitetit ku studioi. Në 1400 u emërua prift. Punoi për edukimin e kombit duke këmbëngulur në detyrën e mbrojtjes së vendit nga ndërhyrjet e huaja. Iu përkushtua veçanërisht dhe gjuhës çeke. Ai u bë simbol i krenarisë kombëtare dhe i shpresës për të ardhmen. Ndihmoi njerëzit e Bohemisë e të Moravës për pavarësinë shpirtërore nën zgjedhën e huaj. Vdiq në turrën e druve në 1415. (Shën. nga botimi italisht si dhe një pjesë e shën. e mëposhtëme) ***) Aleksandër Sergejeviç Pushkin (1799-1837). Nismëtar i letërsisë së re ruse, themelues i gjuhës letrare ruse, poet i madh, shkëlqeu në të gjitha gjinitë letrare. Qe pranë dekabristëve, dy herë emigroi. Vdiq në duel për motive nderi. Sandor Petëf (1832–1849). Poet revulocionar demokratik hungarez. Udhëhoqi kryengritjen e Pestit, gjatë revolucionit të 1848-49. Pati ndikim të madh në poezinë hungareze..
Mundet si më parë të jetoj,
tani që këto tanke – zdrukthe
shpresat me presë sheshojnë,
tanke të familjes ruse?!
Unë, para se të zhdukem,
– si do quhem, s’ka rëndësi, –
pasardhësve u lutem
të më zbatojnë një porosi.
Sipër meje, pa qarë,
të vërtetën të shkruajnë me gjak:
“Shkrimtar rus. I vrarë
nga tanket ruse në Pragë”.
Shkruar në 23 gusht 1968 –
botuar në 1990
SHQIPTARKA
Shqiptarkë që të magjeps me bukurinë,
katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur.
The se të quajnë Aksinjë,
“Po Melehovi të është shfaqur?”
“Ende s’e kam, – psherëtive lehtë, –
s’e dua shpellar, e dua poet”.
E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë
një vajzkë kështu, e tëra perrí,
që burrin të mos e dojë bankier,
plot me para, por me poezi.
Jeta vetë ecën dhe vonë a herët
do vijnë vajza me intelekt të fortë.
Ato s’do martohen kurrë me skllevër,
Ato s’do marrin tiranë bashkëshortë.
Etje parash e egër do jetë tretur
tek ne, në Rusi, tek ju, në Shqipëri
dhe do ngadhnjejë në shekuj e shekuj
i shenjti mall i madh për poezi.
Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë
mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë
si balle divash të rënë,
nëndhé rroposur, në errësirë,
për të mos u ngritur kurrë më.
Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë.
MOS U ZHDUK
Mos u zhduk… duke u zhdukur nga mua,
e çmishëruar vetvetes iu zhduke.
Vetja kështu u tradhtua
me pandershmëri prostitute.
Mos u zhduk… të zhdukesh është lehtë.
Të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.
Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është urtësi.
Mos u zhduk… harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.
Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku na thërret për përgjigje.
Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi dhe as damkosur.
Të denjë jemi unë dhe ti të falim
në mosdashje ç’kemi plagosur.
Mos u zhduk… të zhdukesh është çast,
por si do takohesh ndër shekuj?
Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – veç fëmijve të qeshur.
Mos u zhduk… japma dorën tënde,
në të jam i shkruar, besoji sekretit!
Dashuria e fundit – sa e tmerrshme!
s’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.
MONOLOGU I NJERIUT TË PASNESËRM
As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie,
njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.
Pa parti Noja me atë arkën e tij,
Globi shtyn errësirërat pa parti.
Por Djalli, me pikpamje djalliste,
shpiku partitë, – ç’gusto neveritëse!
Në zemër të mollës futi krimbin, –
krim(b)* dhe gjarpër një ishin,-
politikën – profesion me prejardhje djallëzore,
që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.
Politika shpiku policinë,
Politika shpiku kryetarët.
Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,
jo partitë dhe nënndarjet.
Po ku është partia e vejushave, invalidëve, pelegrinëve,
ku është partia e familjes, e fëmijëve?
Partia e syve të skuqur ku është vallë,
në hirin e Aushvicit, Songmit, Gulakut** të gjallë?
Por një ditë, një ditë, një ditë,
për stërnipërit tanë të gjitha partitë
do të kujtohen si një gjë e tejshkuar
si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.
Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,
pa çalamanë moralë në pushtet,
e gjitha një e asnjë parti,
veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.
Shkruar në 1972.
Botuar për herë parë në 1991
______________________________________________________
*) Lojë e përkthimit. Për këtë poezi janë marrë për bazë dy variante
të botimit të saj në Itali.
**) Aushvic – kamp nazist internimesh në Poloni, Songmi – lokalitet
në Vietnamin e Jugut, shkatërruar nga amerikanët, Gulagu: Magadan – lokalitet
siberian i internimeve.
MILINGONA AFGANE
Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane.
Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane.
Prej ditësh vdekja s’e ka rruar. Ç’mundim të ecësh…
Dhe i mërmërit milingona me zë të imët, vdekës:
“Ti s’e di tamam se nga rende për ato plagë.
Vetëm di se diku, afër vendit Iran.
Nga u shfaqe ashtu kundër nesh me armë,
ti që së pari këtu dëgjove fjalën ‘islam’?
Atdheut tonë të zbathur halleplot,
ç’do t’i jepje ti apo rreshtin e kotë?
Njëzetë milionë të vdekur s’mjaftojnë ende
për të mbërritur në këtë gjëndje?”
Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane.
Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane,
që do të donte të lutej ashtu ortodoksisht
të ngrihej djali, të bëhej me shpirt.
Në atdhe, në veri, me vejusha e jetima,
pak kanë mbetur milingona të tilla.
Shkruar më 1983.
Botuar për herë të parë më1990
MES FRIKËS DHE TURPIT
Hë pra, shqiponjë dykrenore,
për ku po fluturojmë mes reve,
drejt ç’lavdie të re poshtëruese
mbi torturën çeçene?
Nëpër frikë dhe turp, aty
mbi majat varg,
njëra tjetrën s’e shohin dot në sy
dy kokat e shqiponjës lart.
Pëndët ndërkaq kush t’i flakte
sipër pluhurit dhe shkrumbit?
Jo, nuk qe zgjedhje zhgabe
mes frikës dhe turpit.
23 dhjetor 1994
KËRKESA E FUNDIT
- Evstratova
Shkëlqesive e atyre që s’janë shkëlqesë,
ç’gjëra t’u kërkoj? Ja, kështu pra,
s’kemi më nevojë për udhëheqës.
E kemi një, por në kryq, ah!
Dhe duke nxitur qeshjen e ndokujt,
ka plot që qeshjen e kanë harruar,
ende do t’i kërkoj gjithkujt:
që unë të mos jem i munguar.
Dhe lutem me zë të mekur,
i humbur mes gjithë të humburve,
trëmbem nëse kam për t’u tretur
si një rreze e vogël aurore
në ditën dritë-derdhur.
I kaplluar barërave shkëlqimisht,
gjithandej mërmëris me mall:
“Nuk do të vuaj sigurish,
kur nuk do të jem gjallë.”
Asgjë nuk kam që të bëj thirrje,
as piedestal, as i dekoruar,
por ja që ka dhe përjashtime:
që unë s’kam për të munguar.
Si aromë e fletores së vjetër të poezisë
me petalet e jaseminit të tharë.
Më e tmerrshmja e të gjithave – humbja e bukurisë,
edhe për botën – llahtar!
Ç’mëkat vdekës të vdekurit të harrosh.
Vdekje, nëse në paqe njerëzit janë lëshuar,
lëri të gjithë të jetojnë e të shpjegosh
që unë s’do të kem të munguar.
______________________
Përktheu Visar Zhiti
Poeti Evgeni Jevtushenko
Ç’po mendon Poeti?
Poeti Evgeni Jevtushenko dhe studenti shqiptar Atjon Zhiti (Lugano 2014)
Autografi i Evgeni Jevtushenkos, dhënë Visar Zhitit, ku uron një të ardhme të madhe për Shqipërinë.
Komentet