Poeti është një ëndërrimtar. Ndaj, sa më e madhe të jetë ëndërra e tij, aq më larg ai shkon dhe më fort ai ëndërron.
Sa kohë ka rrjedhur, mes tërmetesh, tragjedish, epokash, mbretërish, gjeneratash, që nga epoka kur çunaku Durante degli Alighieri, krejt i sunduar nga figura dritësore e Biçes, do të jetë ndalur në këtë rrugë, me sytë nga dritaret e pallatit të Folko Portinarit?! Shumë vite, dekada, shekuj. Kanë kaluar plot 729 vjet. Por më e fuqishme se vetë ngjarja, – një ngjarje banale dashurie platonike, e cila i ngjet gati çdo adoleshenti- , është gjurma, që ajo ka lënë në psiqikën, në ndërgjegjen jo vetëm të Dantes, – i cili, eksperiencën e tij të trishtë dashurore, jo vetëm e bëri qëllim studimesh, hulumtimesh dhe ushtrimi të poezisë, derisa polli Komedinë Hyjnore- , por edhe të sa e sa poetëve, shkrimtarëve, artistëve ndër shekuj, nga të gjitha anёt e kontinenteve. Dante iku, duke na e besuar neve testamentin e tij. Ushqeu, frymëzoi, mikloi, bindi dhe pushtoi duke ja sunduar fantazinë, duke ja sugjestjonuar psiqikën, fantazinë, brezave të tërë artistësh, filozofësh, poetësh, njerëzish të kulturës edhe jo vetëm. Ai iku. E kreu misjonin e tij, por mbetën: shtëpia e tij, ose më mirë kulla e tij; Kisha e famshme ku dergjet Biçe Portinari, rrugica dhe heshtja e netëve me hënë të plotë, ku ende ecin fantazmat duke depërtuar muret e rënda, të gurta, mesjetare. Fantoma, hije, të cilat, atje poshtë në ferr, mërziten aq shumë, siç duket i merr malli aq shumё për tokën ku lindën dhe u rritën. Dhe kishte aq shumë mëkatarë Firenze, sa Dante s dinte kë të fuste më parē në rrathët e tij. Kjo rrugë ka mbetur pak a shumë siç ishte dhe po këtu, në këtë rrugë, kanë kaluar dhe janë ndalur artistë të kalibrit si Mikelanxhelo, Leonardo, Xhoto, Botiçelli apo Rafaeli. Kushedi se sa herë, mjeshtri që gdhendi Davidin, me duart plot pluhur mermeri, plot kallo, i cili, duke qenё adhurues i Dantes, krejt i pushtuar nga fantazia e skëterrshme e gjeniut, u ka ulur diku, në një cep, ka mbetur me siguri për shumë çaste, krejt në heshtje. Dhe jo veç ai. Këtu ka parakalur, e tërë armata e gjenive që njerëzimi njeh. Që nga Dostoevskij, i cili mbaroi së shkruari në Firenze Idjotin, deri tek Gëte, Shiler, Stendal etj. Lista është shumë e gjatё. Pastaj Mozart, Shubert, De la Krua, Roden, Botiçelli, Dore, Blake, Dali, Rossetti, Previati, o Zot, lista është e pafundё, dhe qindra e qindra artistë të tjerë ndër shekuj, duke e bërë këtë rrugë, këtë kishë, këtë kullë, këtë shesh të vogël mesjetar, një Tempull, një Mekë të pelegrinazhit artistik dhe kulturor në qytet. Kanë kaluar kёtu, me sytë nga pallati madhështor i Folko Portinarit, të mëdhenj dhe të vegjël, të njohur dhe të panjohur, artistë plot talent si dhe shumë mediokër, vrasёs dhe aventurjerë, vagabondë dhe princa, mbretër dhe diktatorë. Barbonë dhe burra shteti. Dipllomatë dhe shkencëtarë. Dante ka folur për shpirtin njerëzor, tematikë e cila prek gjithkënd. Këta shpirtёra mysafirë, janë ndalur në këtë shesh të vogël, dhe për një çast, kanë mbetur krejt në heshtje pushtuar nga hija e tij e fuqishme, për të mos thënë, e tmerrshme. Edhe Dante nuk u nis nga asgjëja. Nuk mund të themi, se përpara Dantes, nuk njihej ngrehina e përtejjetës. Pёrpara Dantes, egzistonte Hadi Grek dhe Romak, i cili ishte përshkruar vjedhurazi, fare perciptas nga Virgjili, të cilin, ai poeti, e quan Mjeshtrin dhe frymëzuesin e tij. Karonte me barkën e tij, egzistonte edhe para Dantes. Po ashtu egzistonte edhe Kitab Al- Miraxh, ose Shkalla e Muhamedit, përkthyer në gjuhën Kastiljane ne urdhër të mbretit Alfonsi i X. Më pas, përkthyer latinisht dhe në frengjishten e vjetër. Kënga e udhëtimit të Muhamedit në përtej jetës njihej falë arabëve të spanjës. Këngë që, simbas studjuedit Cerulli, ndoshta Dante mund ta ketë lexuar në latinisht, sepse xhironte në Itali, versjoni latinisht përkthyer nga Buonaventura da Siena . Por ai e mori këtë ide dhe e dërgoi al larg, e eksploroi aq thellë, aq bukur, i dha një strukturë aq gjeniale, sa ai mbetet i përjetshëm. Rrinin poetët, artistët në heshtje, përpara kullës së gjeniut. Një heshtje e mbushur plot respekt për këngëtarin Dante. Një nga 5 gjenitë më të mëdhenj të njerëzimit në letërsi, ka lindur dhe u ka formuar kёtu. Në kёto rrugica, tek shkolla e Santa Kroçes, Kryqit te shenjtë, me mjeshtra të ndriçuar si Bruneto Latini, të cilin, Dante e dënoi dhe e futi në ferr, si pederast.
Tani është fillim shtatori i 2024 trës. Jemi dy shqiptarë që e kujtojmë poetin edhe e nderojmë me heshtjen tonë solemne, gjeniun e letrave.
I pari, është mjeshtri i fjalës sekrete, me peshё, spirituale pse jo edhe i vargjeve hyjnore, poeti Visar Zhiti, i cili, fjalёn e thënë e vuajti nëpër burgjet e komunizmit. Tek Visari gjithmonë më ka mahnitur thellësia, lënda e tij plot peshë, substanca e tij plot shpirt dhe dhimbje. Një poezi e ndjerë, e farkëtuar në dhoma të errta burgu. Aty ku dhimbja bëhet Hir i Shenjtë. Aty ku i bën vizitat Hyji me emisarët e tij të dritës. Por kjo fjalё e shkruar, e vuajtur, e ndjerë në rrasht, e shtrydhur nga kockat në vuajtje, kjo poezi karizmatike, intrigante dhe magjepese po ashtu; nga ana tjetër, ndër vite, i ka falur dhe i fal Visarit Zhitit, edhe aq shumё kënaqësi estetike. I dyti që nderon poetin jam unë, që nga hiçi mundohem ti jap frymë dhe kuptim fjalëve të mia. Një art kryeneç, kokëfortë, të cilin edhe pse e ushtroj që prej 34 vjetësh, prap ajo ka aq të fshehta, të pathëna, të cilat fshihen prapa gërmave, prapa thënjeve, prapa frazave, prapa vargjeve dhe strofave, siç fshihet e vërteta prapa palave të materjes ( pse thuhet materje, nga mater, madre, dhe jo paterje? Nga fjala pater, baba?) dhe ne nuk e shohim atë. Të dy jemi poetë, ( Zhiti më shumë se mua) dhe sigurisht, hija e rëndë, dominuese e poetit fjorentin, na mbyt krejt. Gjëja më e çuditshme është se kur unё kaloj i vetёm nëpër kёto rrugica, nuk e ndjej të njёjtin emocjon. Ndërsa tani, sot, emocjoni i mbledhur i dy poetëve shqiptar tingёllon më fort, bashkohen, fjalёt, vështrimet tona, heshtja, imagjinata e jonё, e cila pёrplaset me këto gurë, me kёto mure, mbi kёto kangjella, mbi kёto harqe guri, të larta, dhe bën që poezia të jetojë ende e fortë. Ja se si nga asgjёja, e kaluara e largёt jehon, jeton, gjëmon, oshëtin. Dante është tashmë, princi letrar i mbarë botёs që prej 729 vjetësh. Që kur djaloshi i dashuruar lёngonte ndoshta duke u fshehur prapa kёtyre harqeve të gurta duke parë Biçe Portinarin, fshehurazi, tek dilte nga mesha e së djelës.
Me Visarin, kujtojmë edhe një poet tjetёr të madh fjorentin, një bashkëqytetar, bashkëkohor, të denjë të saj, hermetikun Marjo Luzi, miku joni i përbashkët, i cili na e hapi gjithmonë derën e shtëpisë me zemërgjerësi, kurjozitet dhe fisnikëri të vërtetë prej burri elegant. Derisa edhe ai iku drejt përjetësisë në moshën 91 vjeçare. “Vuajtja ime është të qëndroj përtej këtij çasti” thonte. Mikut tonë të cilit “poezia i shtonte jetë jetёs” dhe për poezinë, me poezinë, brenda poezisë jetoi, deri sa dha frymёn e fundit. Mjeshtёr fjalësh ngjyer në perëndimet e shpirtit. Nёse Dante e gjeti frymëzimin në skëterrën plot lot dhe tmerre të humbjes, për tu ngjitur pastaj tek drita dhe amëshimi, Luzi ishte poeti hermetik i të pa përshkrueshmes, i të pa prekshmes. Ishte kërkuesi i detajeve të jetës, të cilat më shumё se jashtё në natyrё, jetonin brenda vetë ndërgjegjes së poetit fjorentin. Aty ku gatuhet fjala, në magjen magjike, çudibërëse të shpirtit. Luzi ishte poeti i të pakuptueshmes, i të panjohurës, i misterit. I kemi dhënë ne, apo na ka dhënë ai më tepër se ç e meritonim? Vlejmë ne, apo vlen ai më tepër? Është një lidhje e ndërsjelltë. Njëri, poeti, ka nevojë për tjetrin, lexuesin. “Krenohem me librat që kam lexuar”, thotë një poet i madh, Borges, “dhe jo me librat që kam shkruar”. Sepse të shkruash, po! Njeriu, poeti, artisti i fjalës, kënaq egon e tij, ndjehet i dobishëm, mbushet estetikisht me artin e lodhshëm por dehës shpirtdhënës të të rrëfyerit; jep copa mishi, gjaku, dhimbje nga gjoksi i tij, nga dituria e tij, pse jo, edhe i çmuar nga komuniteti letrar. Por të lexosh, besoj se është akti më i thellë, më i bukur, më pasurues dhe domethënjes, për botën e librit…..Pra, Poeti është ëndërrimtari. Ndaj, sa më e madhe të jetë ëndërra e tij, aq më larg ai shkon dhe aq më fort ai ëndërron.