përditë e kalëroj
urën e Tabakëve
si në një rit pagan
fluturoj mbi të,
ec, nxitoj,
vrapoj,
kërcej mbi të,
hallakatem,
tërbohem,
me flatra,
me flokët që m’i merr era…
përditë e kalëroj
urën e Tabakëve
nga Berna
nga Baseli,
brigjeve të Lumit Rin,
brigjeve të Lumit Aare,
buzë Ligjenit Léman,
nga çdo metropol Evropian,
në gjumë,
zgjuar,
në ëndërr,
zgjëndërr,
në delirin
e mallit
në rebelimin tim
memec…
përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
më e famshme
se Ura Bruklin
dhe se Ura Mirabo 1)
një herë në ditë,
dhjetë herë,
njëqind herë
kur e kam Malin e Dajtit
pas shpinës,
kur jam me të
sy më sy…
përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
në mëngjez,
në mesditë,
në mesnatë,
në dimër,
në shi,
në vapën e gushtit,
në mbrëmjet e majit,
sa herë që humbas
në kaosin
e urbanizimit
të tranzicionit çakall
të çakejve,
Ura e Tabakëve
është ciceronja
që më nxjerr
nga ngujimi
i ankthit…
përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
i hyp, i zbres,
kur kam mbathur
sandale, pandofla,
çizme dimri,
këpucë elegante,
me taka të larta e
e të holla
apo kur jam çmbathur
Zbathur
e gishtrinjtë
m’i çukasin gurët
e Urës së Tabakëve
kur unë e kalëroj
njëqind herë
në ditë
kudo qofsha
qofsha 20 mijë milje larg
qofsha 13 vite larg
unë prapë e prapë
kaloj e çkaloj
mbi Urën e Tabakëve
kur iki,
kur shkoj,
kur nisem,
kur nuk kthehem,
kur kthehem me mendje
Ura e Tabakëve
harku magjik
i një violine Stradivari
far
i përjetshëm
i nënvetëdijës time.
Ura e Tabakëve
Ura Mirabo

Brooklyn Bridge – Bruklin Brixh – New York
1) Ura Mirabo – Le Pont Mirabeau – Poezi e Guillaume Apollinaire
Le Pont Mirabeau
(Marrë nga libri i Elida Buçpapajt Rapsodia e Golgotës së Tranzicionit, Omsca 2012)
Komentet