Më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa kthehej rrugës për në shtëpi, i bënë atentat gazetarit BARDHYL AJETI. I plagosur rëndë, Bardhyl Ajeti vdiq në Milano të Italisë më 25 qershor 2005. Vrasësit dhe ideatorët e krimit vazhdojnë ta sfidojnë lirinë e shprehjes dhe fjalës në Kosovë. Edhe kjo vrasje politike sikur të tjerat ende nuk është zbardhur.
Kur vjen qershori
ikin mëritë,
groposen
dyshimet,
varrosen
pezmet
kur vjen qershori
gjumi bëhet zgjim
zgjimi
ngjizje dashurie
që merr me fluturim
fushat e mbjella
dhe bëhet grurë
për bukën e bardhë
që mbush tavolinat
e shtëpive
për të ngopur
barkun e atyre fëmijëve
që Helàs,
nuk i lanë
të lindin kurrë
kur vjen qershori
zemrat puqen
si sqepat
e dallandysheve
që ndërtojnë folenë
në strehën e shtëpisë
ku të pret
nëna
kur ikim dhe kthehemi
sa herë herë që vjen Qershori…
kur Qershori vjen
mendimet e zeza
marrin arratinë
duke i ikur msheftas
rrugës plot
metafora
që të afrojnë
pragun e derës të shtëpisë
ku si Shën Mari
qëndron përjetësisht
Nëna
kur vjen qershori
fëmijët shumohen si
fijet e barit që ndrisin
prej xixëllojve
të syve të njeriut
gjatë një përqafimi dehje
me trupin e jetës
në çastin më të bukur
që nuk guxon ta prekë askush
qoftë ky edhe vetë djalli
kur vjen qershori –
askush nuk beson se vjen vdekja
me shkëmbinj shiu –
sepse në qershor shiu është
lot gëzimit i agut të manushaqtë
që i bën menjëherë nuset nëna
dhe reinkarnon jetën
askush nuk dyshon
se mund të vdesë në qershor
sepse në qershor
dyshimet zhduken
si jehonat e zërit
që përplasen
si krah zogjsh nëpër
foletë e fshehura degëve
të rilindura të pyllit…
tutje larg nëpër shpatullta e malit…
aq më pak Bardhy Ajeti
nuk besonte kurrë
se mund të vdiste në qershor
se mund t’i vinte vdekja
në qershor
me sytë e zgavërta të djallit
në sfurkun e vetmisë
sepse ishte besimtar i lirisë
dhe liria nuk të lë kurrë vetëm,
se liria të shpëton,
futet në zjarr për ty vetëm
të të heqë
prej thonjve të vdekjes…
gjithçka mund të bënte në qershor Bardhyl Ajeti
vetëm gjëra që e lidhnin
pazgjidhshmëerisht me jetën
por të vdiste jo,
vetëm për të vdekur
nuk i shkonte mendja kurrë
Bardhyl Ajetit
aq më tepër kur qershori
për shqiptarët e shumëzon si fëmijët
dëshirën
për ta jetuar jetën
Bardhyl Ajeti mendonte
se nuk ishte koha e tij për të vdekur
kur posa kishte jetuar dehjen e 27 qershorëve
dhe ishte në hyrje
në qershorin e 28 të jetës së tij
që mbeti i vrarë –
pa stinën e verës,
vjeshtën dhe dimrin,
që mbeti i varë
në mes të rrugës,
kur metaforat e shpresës
si gurë kilometrikë
ia largonin vetminë
që e la të vritet në mes të rrugës
që e çonte tek shtëpia
kur e pret nëna
edhe sot e kësaj dite
e mbuluar
nga velloja e pikëllimit
kur dëgjon krakitjen
e cfurkut të djallit
që edhe sot e kësaj dite
në mënyrë të llahtarëshme
hedh vallen
mbi njollat e gjakut të Bardhylit
që nuk i lan dot shiu i fajit…
kur vjen Qershori…
ajme
vritet Bardhyl Ajeti
2006
(Kjo poemë është përfshirë në librin poetik të autores Anticirkland, Onufri 2014)
U mbushën 18 vjet nga vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti – deri sot e pazbardhur !
Në ditën e shtypit të lirë askush nuk e kujton Bardhyl Ajetin! Nga Elida Buçpapaj