(«Dielli dhe rrëkerat » e poetit Falli Haliti )
( PASKVIL)
Prolog .
Kur unë i thashë poetit Faslli Haliti se sot bëhet një mbledhje me krijuesit në gjimnaz, me siguri për poemën time do të bëhet, më tha Faslli Haliti, jo pa tronditje!. Nuk e besoj të jetë për poemën, i them unë. U bënë dy mbledhje për të, erdhën edhe nga Komiteti Qendror dhe Lidhja e shkrimtarëve dhe e artistëve… Jo, jo nuk ka kuptim… nuk ka fare kuptim, them…Po, po për poemën, tha i nervozuar, poeti me bindje të palëkundur. Ai e ndjente. E priste, si duket…Nuk kanë ç’të thonë më për poemën, i thashë unë për ta qetësuar shokun. I thanë të gjitha, ç’kishin për të thënë… e…, në rast se fillojnë përsëri, ti bëj një autokritikë dhe kaq… Thonë se ai i madhi vdes për autokritikë.
Por ja që paskan pas për të thënë akoma dhe sot pas 40 vitesh për poetin dhe poemën e tij të mallkuar, siç e quaj unë në mënyrë eufemike, sepse ja që e mallkuar qenka, gjersa vazhdojnë të merren me të dy gazeta: «Metropol» dhe «Republika» I thanë të gjitha, ç’ishin për të thënë, por kur lexova në internet dy shkrime nga një apokrif i cili ishte botuar në gazetën «Metropol», më 4 korrik, një javë para se poeti Faslli Haliti, do të merrte Urdhrin «Mjeshtër i Madh» nga Presidenti i Republikës dhe më 12 dhjetor 2012 kundër poemës së «mallkuar», «Dielli dhe rrëkerat». Pas 40 vitesh nga kjo poemë e cila u quajt nxirëse e realitetit socialist e që bënte thirrje me qitje të largët për përmbysjen e pushtetit popullor, tani po quhej një poemë glorifikuese dhe hyjnizuese që ngritka në qiell Diktatorin Hoxha. … E… në rast se fillojnë përsëri, i them Faslliut, bëj një autokritikë dhe kaq… Dhe ja që ata filluan përsëri kundër poemës dhe vetë poetin të cilin sot na e quakan një «apostull» të përbetuar të komunizmit; trumbetues të «lavdisë dhe madhështinë» së Enver Hoxhës, të partisë komuniste marksiste leniniste.
Poeti paska pas të drejtë atëherë që mbledhja në gjimnaz bëhej për goditjen përfundimtare të poemës Dielli dhe rrëkerat të cilën dy kritikët dhe studiuesit Gjergj Zheji dhe Kudret Velça shprehen: «Nëse duam të gjejmë një vepër me të vërtetë kritike kundër realiteti dhe burokracisë komuniste të regjimit, atëherë duhet t’i referohemi poemës së famëshme të Faslli Halitit “Dielli dhe rrëkerat”. ( Tribuna demokratike 21 prill 1992)
***
Atë fund marsi të vitit 1973, rreth orës 11, drejtori i Shtëpisë së kulturës së qytetit Vangjel Bardhi, tha se në orën 4, pas dite, duhej të ishim të gjithë në Gjimnaz se do të bëhej një mbledhje me shumë rëndësi, atje ku ishte shkruar kritika kundër poemës Dielli dhe rrëkerat të poetit Lushnjar Faslli Haliti nga dhjetë letrarët e rinj të këtij gjimnazi… Do të vijë edhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë, më tha i shqetësuar drejtori! Kërkova Faslli Halitin, por nuk e gjeta në shtëpi. Ka shkuar në Tiranë, më thanë ata të shtëpisë së tij. Pa shko edhe ti Tahsin, një herë e shiko se mos ka ardhur. Ai duhet të jetë pa tjetër këtu në orën katër. Për të bëhet mbledhja. Do të asistojë vetë anëtari i Byrosë Politike, shoku Rita Marko, më tha i alarmuar drejtori i Shtëpisë së Kulturës.
Qenka serioze, thashë me vete. Është i rrezikshëm ky Rita Marko. Ishte po ky që ia hëngri kokën shkrimtarit Bilal Xhaferri, para disa viteve dhe pikërisht në një mbledhje të tillë letrarësh. Pjesa me pllaka gri para ndërtesës së gjimnazit, mbushur me nxënës dhe profesorë, spërkatej me ujë herë pas here, që të mos ngrihej pluhur e të tymoste, larg qoftë byroistin që pritej të vinte. Qenka në rrezik Faslliu, thashë përsëri, me vete…
Po ç’të ishte vallë…? Ku nuk më shkonte mëndja! Ç’të ishte kjo mbledhje me kaq urgjencë, sikur po sulmohej vendi…?
Pas pak, më gëzoi lajmi se anëtari i Byrosë Politike, nuk do të merrte pjesë në mbledhjen tonë. E kish kërkuar urgjent ai, i madhi i Partisë për një mbledhje më të rëndësishme në Tiranë. Kohëra të trazuara, të mjegullta. Mosardhja e byroistit, bëri që mbledhja të shtyhej për të nesërmen që këtë radhë do të bëhej jo në gjimnaz, por në sallën e Shtëpisë së kulturës, në orën katër pasdite.
***
Rreth orës tre filluan të vijnë shkrimtarët e besuar, beniaminët e Partisë Nezha, Kongoli, Dinaku, Guga; pas tyre erdhi dhe grupi i krijuesve të rinj të rrethit letrar të gjimnazit: Ariani, dy Vjollcat, Vladimiri, Bashkimi, dy Bujarët, Drita, Qerimi, Natasha, me mësuesin e tyre të letërsisë në krye të «gardistëve» të kuq.
Faslliun e dua këtu, më tha drejtori. Ai duhet të jetë doemos këtu!
Po ju më thatë që ka shkuar që dje në Tiranë dhe, nuk e dimë nëse është kthyer apo jo. E po sa më lajmëruan që erdhi, zbriti nga treni, më telefonuan nga stacioni…E paskan markuar të shkretin, i paskan vënë prapa hafije, thashë me vete. Nisu me vrap, më tha drejtori, dili përpara te gjimnazi apo shkoi në shtëpi se mbase ka arritur. Nisu…! I zbrita shkallët nga dy e nga tre. Në kthesë për pak sa nuk theva kokën. Te dera desh u rrëzova. Ika me vrap poshtë, përmes lulishtes dhe befas u takuam te depot e grumbullimit, pikërisht atje ku bëheshin gjyqet kundër armiqve të klasës, kulakëve, të deklasuarve, tradhtarëve… Shpejt, i thash Faslliut, me një frymë… Ty po të presin. . E di, e di, më thanë ata të shtëpisë. Me siguri për poemën do të jetë, thotë Faslliu!. Nuk e besoj të jetë për poemën, i them. U bënë dy mbledhje për të, erdhën edhe nga Komiteti Qendror dhe Lidhja e shkrimtarëve dhe e artistëve… Jo, jo nuk ka kuptim… nuk ka fare kuptim…Po, po për poemën time bëhet, tha i nervozuar, Faslliu .
Nuk kanë ç’të thonë më për poemën, thashë unë, për ta qetësuar shokun. I thanë të gjitha ç’kishin për të thënë… e…, në rast se fillojnë përsëri, bëj një autokritikë dhe kaq… Thonë se ai i madhi vdes për autokritikë, paçka se atyre që bëjnë autokritikë ua merr shpirtin duke u thënë, thellohu, thellohu, me një fjalë futuni vetë në dhè, vazhdova për ta bërë Faslliun të qeshte. Po Faslliu ishte bërë helm. Nuk më duket se do të kalojë kaq lehtë, Tahsin…, kërkojnë kokë turku këta, më tha Faslliu duke tundur kokën me nervozizëm.
Nuk kanë ç’të të bëjnë. Ti biografinë e ke në rregull, veç nxito… e… mos e jep veten, qëndro gjakftohtë…Arritëm me një frymë në Shtëpinë e Kulturës ku, salla ishte mbushur plot e për plot.
***
Të gjithë e përpinë me sy Faslliun që zuri vend në radhën e tretë të sallës, afër shokut të tij më të besuar, Halilit. Unë u ula në radhën e parë. Ndërkohë hyri Sekretari i parë. Të gjithë u ngritën në këmbë. Sekretari bëri shenjë me dorë që të uleshim dhe ne u ulëm. Në presidium zuri vend, pranë Sekretarit, shkrimtari Kongoli si krahu i djathtë i tij për çështjet e letërsisë dhe arteve. Fjalën e mori sekretari i parë i komitetit:
Dua që secili të më flasë për krijimtarinë e tij, tha Sekretari i parë. Në sallë nuk dëgjohej asnjë pipëtimë. Nga korridori vinte një erë jo e këndshme. Ngjitur me derën e sallës së mbledhjeve, ishte studioja e instrumenteve të frymës. Ngaqë pastroheshin rrallë, ata lëshonin një erë sekrecionesh si uthull e fortë, trazuar me amoniak, apo si shurrëtore e palarë prej kohësh gjatë gjithë verës…Mbylleni atë derë, urdhëroi Sekretari i parë i Komitetit të Partisë. Rrëmbimthi u ngrit drejtori dhe e mbylli. Qetësi nënujore. Dëgjohej vetëm një mizë që përplasej nëpër xhama; të mbledhurit kthenin kokat herë pas here andej nga vinte zhurma e mizës, nga që nuk dinin ç’do të bëhej e s’dinin ç’të thoshin…Sallën e kishin mbushur militantët partiakë që do t’i hidheshin në fyt poetit nën dirigjimin e vetë sekretarit. Madje disa pseudoletrarë, amatorë, ishin porositur e përgatitur të diskutonin me letër si Koli Ll., Mihal N., i famshmi Themi Ndreka i cili i shkruante letra Enverit, gati çdo javë. Por tamam këtij ia ngatërroi fletët e diskutimit humoristi i talentuar Gori Prifti.Themiu u ngatërrua keq e u bë qesharak, aq qesharak sa përkrahësit e poetit në sallë, u shqyen gazit… Sekretari i parë pa nga shkrimtari Kongoli G. Të cilin e kishte në krah. U duk sikur po i thoshte: Kështu i paske përgatitur militantët e Partisë ti…? Shkrimtari atëherë, u bë baltë në fytyrë. Mirë de mirë! Po ai Faslli Haliti është këtu…? pyeti sallën Sekretari. Këtu jam, tha Faslliu dhe u ngrit në këmbë disi i qetë.
Pa na fol për atë krijimtarizezën tënde, i tha sekretari poetit. Faslliu dukej sikur po i ngarkonin dy kuintalë peshë mbi supe. Pa na thuaj një çikë, i tha prerë sekretari, ç’të shtyu ty, të shkruash poezi të tilla katran me bojë, si këto : Njeriu me kobure, Zhurmë, Djali i sekretarit, Njeriu i zi, Çifligu… Pa na thuaj këtu, ç’ke dashur të thuash me to; sidomos me poezinë Çifligu, çifligjet ua mori reforma agrare çifligarëve. Ç’na përrallis ti, apo do që t’u kthehen prapë atyre…? Po me ato vargjet yrnekë: Rroftë dielli President i plazhit e, ku di unë… Kush të shtyu të shkruash poemën katran me bojë Dielli dhe rrëkerat, Tirana? Tirana e gjithë jo, xhanëm, se në Tiranë jeton e punon edhe shoku Enver, po e kam fjalën se kush të shtyu nga ata rrufjanët politikë, për të cilët flet shoku Enver në fjalimin e tij historik, mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor…? Të gjithë hapën sytë të habitur… Sekretari i parë u marrka edhe me leximin e poezive…?! A ka kohë ai të merret edhe me poezi…? Çudi si i ditka të gjitha…? Ia ka shkruar ai që ka në krah. Nuk e sheh sekretarin si ia hedh sytë letrës që ka përpara…, i mërmëriti tjetri shokut që kishte pranë…
Nuk kam ç’të them shoku sekretar… Unë i bëj poezitë dhe i dërgoj për botim… tha poeti që qëndronte vazhdimisht në këmbë, si para një gjyqi apo autodafeje mesjetare. Ai deshi të ulej, por sekretari e urdhëroi të qëndronte në këmbë… Po, po, e dimë këtë. Për botimin e tyre do të përgjigjen ata që t’i kanë botuar. Ti do të përgjigjesh për veten tënde… Ç’të shtyu të shkruash poezi të tilla katran me bojë..? Realiteti, lufta që bën Partia kundër burokratizmit, u përgjigj poeti i gozhduar. Po pse more ti, ky është realiteti ynë socialist…? Do të flasësh si duhet ti, apooo…, shkreptiu sekretari. Faslliu u ul, por sekretari e ngriti përsëri dhe ai ndenji në këmbë gjatë gjithë mbledhjes e cila zgjati gati 10, 12 orë. Dashakeqët i hidhnin sytë me urrejtje dhe ngriheshin nga pak e merrnin poza kinezçe që t’i shihte segretari. Dashamirët menduan se kaq e pati i ziu poet… Nuk të lejoj të flasësh me këtë gjuhë. Unë të ngrita që ti të reflektosh, të bësh autokritikë të thellë e jo të bësh propagandë borgjezo-revizioniste këtu para hundës së partisë…, sekretarit të partisë, desha të them. Çohu dhe na thuaj, kush të ka ushqyer me këto mendime të qelbura, reaksionare që ke arritur të bësh poezi të tilla të zeza si sera e Selenicës… Hajde çohu dhe fol ashtu si duhet, ndryshe… Faslliu u çua përsëri dhe s’dinte ç’të thoshte.
Realiteti, shoku sekretar, realiteti, tha si i zënë në faj poeti e i gozhduar si në autodafetë e inkuizicionit mesjetar. Po pse, more Faslli Haliti, realiteti ynë është ky që paraqet ti në ato poeziçkat e tua…? A nuk e sheh ti televizorin…? Çdo ditë suksese, suksese të reja në industri, bujqësi, kulturë, arsim, në art e letërsi, në edukimin komunist të masave; suksese në politikën e jashtme dhe të brendshme. Si është e mundur, nuk të bien në sy, ty, këto, more ditëzi… ? Jo, jo, kështu nuk të lejoj të flasësh, atëherë le të lëmë të tjerët të flasin; të ngrihen e të flasin për krijimtarinë tënde katran me bojë, lirshëm, pa ndrojtje…Kush e do fjalën?, pyeti sekretari. U ngrit shkrimtari Lejfen, Kongoii G. i cili ishte sekretar i degës së Lidhjes, krahu i djathtë i KP dhe ekskluzivisht i sekretarit të Parë, për letërsinë dhe artet.
Faslliu, tha ai, ka bërë vazhdimisht poezi të gabuara. Ia kemi thënë disa herë në mbledhjen e Degës tonë të Lidhjes… Faslliu duhej të na dëgjonte ne që jemi më me eksperiencë se ai, me formim të plotë të partishëm. Po ky dëgjonte dhe dëgjon vetëm një shkrimtar: Kadarenë. Po ne kemi fituar eksperiencë të gjatë në letërsi dhe kemi dhënë vepra të partishme, edukative, të shëndosha ideologjikisht e politikisht. Ne e shtruam për diskutim në mbledhjen e kryesisë poemëzezën Dielli dhe rrëkerat dhe i thamë se ishte e gabuar, me përmbajtje armiqësore. Faslliu duhej ta griste atë poemë katran me bojë, siç e quajti me të drejtë dhe me gjykim të hekurt marksist-leninist, vetë sekretari i parë i KP dhe, jo ta dërgonte atë paçavure për botim… Po Faslli Haliti dëgjon vetëm Kadarenë, sepse për Kadare e mban veten ky poet i “madh”i Lushnjës që ne, habitemi se kur na u bë kaq i madh, xhanëm, ky p-e-o-t, siç e quan me të drejtë me ironi, këtë, poeti ynë me partishmëri të lartë shoku Neza. Dhe ja doli ajo që thamë ne, që i solli kaq shqetësime Partisë dhe shokut Enver, personalisht… Ai po gënjente. Në mbledhjen e kryesisë, nuk u tha ndonjë gjë nga këto që po thotë shoku Kongoli G. Këtu. Si anëtar i kryesisë së Degës së Lidhjes që isha u ngrita rrëmbimthi në këmbë, përkundrazi dhe thashë, përkundrazi, ne të gjithë, e pëlqyem dhe e miratuam poemën e Faslliut. Vetëm ti, shoku Kongoli G. nuk u prononcove se e paske ruajtur për këtu. Të jemi pak më të sinqertë dhe jo të mundohemi të shkarkojmë veten tani, që po e shohim se poema doli e gabuar… Jo, jo, tha sekretari i parë, u shprehe gabim, ti shoku Tahsin, poema nuk është vetëm e gabuar, por është një poemë plotësisht me përmbajtje armiqësore. Ky farë poeti, apo p-e-o-t-i, bën thirrje që llumi, domethënë të deklasuarit, të rrokin armët kundër Pushtetit Popullor. Ja dëgjoni si thotë: Po të mungojnë gurët, t’u thyejmë dhëmbët burokratëve. Po të mungojnë gurët, domethënë po munguan armët… E kuptoni se ç’farë ka katranosur ky poetziu këtu, apo jo…? E kuptoni ju, që poema bën thirrje me qitje të largët që llumi të na marri pushtetin, të ngrihen në kundërrevolucion…? E dini apo s’e dini, ju se sa punë na ka prishur ky me këtë poemë?, klithi Sekretari sa kishte në kokën e tij staliniste – enveriste. U ngrita dhe thashë: Përpara dhjetë ditësh, në mbledhjen që u bë në këtë sallë ishin edhe shoku Pipi Mitrojorgji, nga Komiteti Qendror dhe shkrimtari Teodor Laço, nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve. Të tjera gjëra thamë ne, në atë mbledhje e, të tjera gjëra thanë edhe ata. Në konkluzionin e mbledhjes, ndër të tjera, Teodor Laço tha se, në fund të fundit Pemën që ka kokrra godasin me gurë. Kemi besim se poeti Faslli Haliti nuk do dëshpërohet nga kritikat që iu bënë këtu. Unë kam besim se ai do të na japë më shumë fruta poetike, më të mira, më të ëmbla, më të pjekura. Ai do të vazhdojë të shkruajë dhe ta pasqyrojë jetën tonë, ashtu siç e shikon ai me syrin dhe stilin e tij poetik origjinal, përfundoi shkrimtari Laço. Shprehja e tij se Pemën që ka kokrra qëllojnë me gurë, u bë dhe mbeti proverbiale në qytetin tonë… Desha të them se poema, përpara dhjetë ditësh, nuk u paraqit e tillë, siç po e paraqesim sot…, përfundova së foluri unë. Po, po, përpara dhjetë ditësh ashtu mund të ketë qenë… ashtu ishte përpara dhjetë ditësh, tha sekretari i Partisë, por ne sot diskutojmë në kuadrin e porosive të fundit, më të fundit që na dha shoku Enver në mbledhjen e fundit të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe nën dritën e këtyre porosive, duhet ta analizojmë krijimtarinë tonë…
Pa na thuaj ti, Faslli Haliti, nga frymëzohesh ti, në krijimtarinë tënde, ku kullot ti që ke mbledhur gjithë këtë vrer, me kë shoqërohesh …? Nuk di ç’të them, tha poeti, i vënë me shpatulla në mur…, po i thoni ju më mirë ato që duhet; mua s’më mbetet tjetër veçse t’ju dëgjoj me vëmendje dhe të reflektoj… Nuk di ç’të thuash ëëëë, tha sekretari, po, poooo…nuk ke di ç’të thuash ti, sepse je i molepsur nga poetë të huaj që lexon në italisht, frëngjisht po, pooo… m’i kanë thënë shokët, i dimë, i dimë të gjitha, nuk ka gjë që nuk di partia jonë syçelë… Dhe ju krijuesit e lexuesit që i keni pëlqyer poezitë e këtij poetuci, tregoni mosthellimin tuaj në vijën e drejtë të Partisë dhe kjo nuk ju falet, por në fund të fundit, nëse faji është kolektiv, përgjegjësia është personale, përfundoi sekretari i Parë i KP. Për poemën dhe poezizezat e tij, mban përgjegjësi vetë p-e-o-t-i Faslli Haliti, tha ai me ton të sertë, ndërsa ju të tjerët që i keni pëlqyer, pas kësaj mbledhjeje duhet t’i bëni analiza të hollësishme çdo krijimtarie artistike, çdo gjë duhet të kalojë në vrimën e gjilpërës… Është këtu ai që bën tregime, ai… si quhet ai, Jaçellari, më duket sikur quhet ?, pyeti sallën sekretari Këtu jam shoku, sekretar! Pa Çohu! Ti, qenke ai trimi që që na e ke ngritur në qiell Faslli Halitin në mbledhjen e kaluar?. . . , pyeti me ironi sekretari. Nuk e ngrita në qiell, shoku sekretar, unë bëra vetëm vlerësime për poezinë e tij…, u përgjigj tregimtari i talentuar, Halil Jaçellari. Diskutimin unë e bëra me shkrim, në arkiv të Degës së Lidhjes e keni. Mund ta lexoni, tha Jaçellari.
Ja nuk e sheh…atë nge kemi ne të lexojmë diskutimin tënd…mirë, mirë. . . do t’i shohim edhe ata tregimet e tua…se lakra ke në kokë edhe ti, si Faslli Haliti, e kërcënoi sekretari i KP. Dhe tani, të bëjmë 10-15 minuta pushim se na trullosi ky poetziu.
***
Vazhdojmë shokë me krijimtarizezën e Faslliut … Po, tha Dule Çaloku që mbahej si njohës i thellë i letërsisë. Ne nuk do të lejojmë, që armiku të depërtojë në radhët tona. Unë i rekomandoj peotit që të lexojë Organizata e Partisë dhe letërsia e Partisë të shokut Lenin, të lexojë gjithashtu dhe romanin Si u kalit çeliku të shokut Gorki dhe romanin Nëna të shokut Majakovski… Salla ia u shkri së qeshuri. . . I ngatërrove ooo Duleee, i bëre lëmsh…, tha Gori humoristi nga salla. Hajt, hajt se i di më mirë se ju unë këto punët e letërsisë…, kurse ju vetëm kujtoni se i dini vetëm ju. . . Mos e ndërprisni!, urdhëroi sekretari, ai po flet me gjuhën e Partisë dhe të shokut Enver… Po këta nuk të lenë të flasësh o shoku Sekretar edhe duke ju pasur ju këtu…. eee… ku e kisha fjalën…? Pooo, të lexojë nga letërsia e popullit të madh kinez, sidomos romanin e shokut Lejfen që mua më kanë pëlqyer më shumë, jashtëzakonisht shumë domethënë. Ne more shokë, ashtu siç na mëson Partia mëmë, nuk kanë ç’na duhen të marrim miell hua nga letërsia revizioniste e Bashkimit Sovjetik dhe nga bota imperialiste perëndimore… Ne kemi miellin tonë. Jemi të informuar se ky P-e-o-t-i në fjalë, siç e quan me të drejtë poeti i partishëm, komunisti Neza, merret edhe me lexime në gjuhë të huaja, sikur nuk i dalka gjuha e nënës, ç’i duhet këtij leximi në gjuhë të huaj, kur mund të lexoj, në gjuhën e bukur të të parëve tanë, në gjuhën e pellazgëve dhe ilirëve, dua të them…, tha Dule Çaloku dhe pa nga sekretari për të marrë miratimin e tij. Që merret me gjuhë të huaja, mire bën se kulture është, tha sekretari, sa për sy e faqe, por… Jooo shoku sekretar, kundërshtoi Dule Çaloku me përkëdhekli, unë do të thosha se nuk kanë ç’na duhen gjuhët e gjarpërinjve e neperkave… Arti ynë popullor është një botë e madhe… Unë, për shembull, kam lexuar Ashtu Myzeqe, Epopeja e Ballit Kombëtar, apo Çlirimtarët, Lumi i tharë. Janë libra me nam këta, shoku sekretar… as bota nuk i ka libra këta libra. . . Bravo Dule, që i paske lexuar këto vepra, tha dikush nga salla, po jo Lumi i tharë o Dule, por Lumi i vdekur…. Ku ka lumë të vdekur e lumë të ngordhur tek ne, në Socializëm, more ti shok, paske lakra në kokë, më duket ti atje. Ka lumenj plot ujë e ndonjë lumë të tharë, delle, domethënë.
Të lumtë o Dule Çaloku, i dha zemër Sekretari i Parë i KP.
I kemi bërë që në shkollë, shoku sekretar dhe, nga kjo shkollë, ne kemi mësuar sesi të ruhemi nga revizionizmi, modernizmi e dekadentizmi në letërsi dhe në art, nga korentet reaksionare që kanë çoroditur dhe e kanë bërë lesh arapi botën perëndimore, tha i ngazëllyer Dulja, pas përgëzimit të Sekretarit të Parë të KP.
Shumë mirë fole ti Dule, por nuk kemi kohë të zgjatemi. Tani hyr në temë, e kemi fjalën te krijimtaria jonë…dhe…konkretisht te poezizeza e p-e-o-t-i-t- tonë, siç e quan edhe ti Dule, e orientoi Dulen Sekretari, militantin e ftuar në këtë autodafe nga vetë ai personalisht, për të kamxhikuar autorin e poemës katran me bojë.
Të them të drejtën shoku sekretar, unë nuk lexoj shumë poezi se kemi kaq shumë probleme…dhe…nuk e di se për çfarë bëhet fjalë konkretisht domethënë, në këtë p-e-o-m-ë…, tha Dule Çaloku.
Në sallë u dëgjuan të qeshura…
Qetësi, qetësi, ju lutem, tha shkrimtari Kongoli G. . .
Po, mirë, nuk është e thënë që të flasim vetëm për poezinë, e orientoi përsëri, militantin e ftuar personalisht nga ai vetë, ju mund të flisni edhe për prozën edhe për artin obshe, në përgjithësi, domethënë…
Të them të drejtën, shoku sekretar, unë nuk lexoj shumë prozën dhe nuk e kuptoj shumë artin e pikturës dhe të s-k-l-u-p-t-u-r-ë-s, por ama solidarizohem plotësisht për atë që na mëson Partia dhe shoku Enver… Atë që nuk e pëlqen Partia, nuk duhet ta pëlqejmë as ne, e askush seee… Çfarë do të ishim ne pa Partinë, shoku sekretar…? Hiç… bujq dhe barinj me lopë e me dele… Ja për shembull ne, po përgatitemi për festivalin f-o-r-k-l-o-r-i-s-t-i-k-, po mbledhim vargje për Partinë nëpër kooperativa bujqësore dhe kopshte fëmijësh dheee… të them të vërtetën more shokë, kemi gjetur vargje që të habisin dhe jo si vargjet e këtij p-e-o-t-i-t që kemi këtu në mes tonë; vargje të tilla, se si i kanë krijuar, një zot e di, më falni, natyra, desha të them e di. Ja dëgjoni për shembull: O Enver, o Enver,/ E ke gojën me sheqer,/ Me sheqer e me hurmà,/ Lumë Partia që të ka… ose Qeveria Demokratike/ ka hapur shumë shkolla unike/Vëndin e parë, vëndin e nderit/ e mba shkolla unike e Fierit…e të tjera e të tjera. Ja, unë për shembull, dua t’i muzikoj këto vargje që t’i këndojnë me ooiii e me kaba, grupet tona polifonike dhe kështu të shkojmë me sukses në ngjarjen e madhe artistike të Gjirokastrës që bëhet në Tetor, në përvjetorin e ditëlindjes së shokut Enver. E… merreni me mënd se ç’do të thotë shoku Enver kur të dëgjojë vargje të tilla, një krijimtari të tillë, more shokë…, pyeti sallën Dule Çaloku krenar që kishte mbrojtur vijën e partisë në art dhe letërsi.
Mirë o Dule, mirë, ulu tani që të ngrihet e të flasë ndonjë tjetër.
Dulja u ul jashtëzakonisht i kënaqur që komunikoi disa herë me vetë Sekretari i parë. Këtë ai do ta mbante mënd sa të qe gjallë dhe do t’ua thoshte me krenari të gjithëve dhe, do ta shënonte, mbase edhe në biografi si meritë…
Rrëmbimthi u ngrit përsëri, Dule Çaloku duke i kërkuar falje Sekretarit:
Më falni shoku sekretar se kam edhe diçka për të shtuar…
Po ti fole, more Dule, nuk kemi kohë të flasim sa herë të duam, ia preu vrullin Sekretari.
E di, e di, shoku sekretar, por është e rëndësishme kjo që do të them, kërkoj leje Dulja… E… më falni… ashtu është, në fakt, por unë dua t’i bëj thirrje p-e-o-t-i-t Faslli Haliti që të reflektojë drejtë, në dritën e fjalimit të shokut Ramiz për kulturën dhe artet, siç thatë dhe ju, si dhe sipas mësimeve të shokut Enver se… në rast se do t’i kishte studiuar ato, nuk do të kishte devijuar. Ai të mbyllet dhe t’i studiojë thellë e më thellë veprat e shokut Enver dhe të na raportojë këtu, pas një muaji. Kjo është eksperiencë nga shokët kinezë…, e përfundoi porosinë e tij Dule Çaloku për të parë reagimin e Sekretarit.
Lere, lere se nuk kemi punë me kinezët.Të ngrihet një tjetër!, urdhëroi Sekretari …
Unë e njoh që në fëmijëri Faslliun, tha Thoma Lala, shef i kulturës në komitet dhe, të them të drejtën, poema për të cilën jemi mbledhur e po e diskutojmë këtu si poemë reaksionare, nuk e kuptoj se si më paska pëlqyer mua që jam edhe shef i seksionit të kulturës! Nuk e mohoj, më pëlqeu…
Që të ka pëlqyer e morëm vesh, tha Sekretari, por hë, pa na thuaj, shoku inspektor, fol, pse të paska pëlqyer poemëzeza, ku e ka të mirën ajo që të bëri ty ta pëlqesh…?
Po, ja unë pashë veten time aty, shoku sekretar! Ne jemi pesë vëllezër dhe motra të rritur e me prindit, flemë së bashku në dy dhoma, ndërsa ka familje me dy e me tre persona që marrin nga dy dhoma e një kuzhinë me aneks. Më drejtë duhet t’i ndajë Komiteti i Qytetit banesat. Për këtë ka shkruar Faslli Haliti në poemën etij dhe mua më duket se i ka rënë pikës…
Kujt i ka rënë more, fol më qartë!, i bërtiti sekretari shefit Thoma.
Burokratizmit, tarafllëkut, padrejtësisë në ndarjen e banesave, shoku sekretar…, dhe jo Partisë. Unë kështu e kam kuptuar, tha shefi seksionit të kulturës Thoma Lala.
Ulu more aty e mos fol më, vërtetë nuk e kupton ti, shoku shef i kulturës se ky partinë dhe pushtetin i përplasë si deshët në poemëzezën e tij, domethënë paraqet jo unitetin që është një realitet, por dualitetin parti- pushtet i cili nuk ekziston, shkreptiu sekretari i Parë, kjo është dëshira e armikut që të na thyejë, të na fusë pyka në radhët tona… Dhe ti më thua se i ka rënë pikës… A e kuptoni se çfarë bëhet këtu në mes tonë, nën dritën e diellit…? Futen pyka në unitetin tonë… Po pse more Thoma Lala, që të kemi bërë edhe shef, pse për një dhomë e shitke ti Pushtetin tënd, Pushtetin Popullor, domethënë?. . .
Jo, po…, guxoi të vazhdonte shefi Thoma.
Ulu të thashë. Nuk ka jo, jo…e po, po…këtu. Hajt, pa do ta shikoj unë punën tënde… Tjetëri, urdhëroi i nxehur Sekretari, të ngrihet e të flasë një tjetër për së mbari, jo si ky biçim shefi kulture që e pastë harram besimin dhe vlerësimin që i kemi dhënë, n, partia!
Të gjithë shihnin me bishtin e syrit njëri tjetrin dhe heshtnin…
Këtu nuk bëhet fjalë për një poemë apo për strehimin, siç mund ta trajtojë ndokush. Kjo poemë është një bombë në unitetin Parti-Pushtet-Popull; ajo na përçan dhe na hedh kundër njëri-tjetrit, bën të kundërtën e asaj që thotë Partia, asaj që kërkon Partia… Faslli Haliti në tërë krijimtarinë e tij ngre probleme që nuk shpien ujë në mullirin e Partisë, por në mullirin e armikut; ka shumë ekuivokë nëpër vargjet e tij, sytë e tij shohin vetëm zi; ky është problemi që na shqetëson ne, Partinë, domethënë. Koka e tij është e mbushur gjithë lakra. Jemi të informuar se bisedon për ca tema të çuditshme si për hermetizmin e për teorinë e ajsbergut, për Përroi i ndërgjegjes të Jumgut e, ku di unë si dhe për ca Fije barishtesh që s’i hanë as lopët e kooperativës, të një kalemxhiu amerikan; për Ezrail Pundin ( Ezra Paundin ) e për një farë Dar – a nuncion, ( D’Anucion ) Ivan Andriçin, ( Ivo Andriçin ) për Jevg-tushenkon, ( Jeftushenkon ) për Prushtin ( Prustin ) e për një farë Kafkë varri e Xhuxhjisin ( Xhoisin ). Sekretari e pa me inat shkrimtarin Kongoli G. që nuk ia kishte shkruar me shkrim të qartë e të kuptueshëm emrat e shkrimtarëve të huaj modern, prandaj ai po i lexonte me vështirësi dhe me gabime dheee… mbi të gjitha ky na ngre në qiell, bile edhe mbi Enver Hoxhën, atë Kadarenë…
Po t’i kritikosh Kadarenë, Faslliut, ky të vret për të, e ndërpreu librazhjoti Murrash N, poeti i besuar i Komitetit të Partisë dhe i vet sekretarit të parë.
Jo, jo, për të të vrarë, jo xhanëm, se është Partia këtu që të tredh, pooor…nuk ka pse ta ngrejë aq lart Kadarenë, gati edhe mbi shokun Enver… Vërtetë është shkrimtar i mirë por ka edhe të tjerë të mirë, nuk është vetëm Kadareja deeeee
Kur ishim në Universitet, tha poet librazhjoti Murrash N. që u ngrit pa kërkuar leje, në një konkurs letrar, organizuar nga Universiteti, unë mora çmimin e parë, ndërsa Kadareja mori Opingën e Sheros. Nga na u bë gjeni ky Ismaili që na e ngrenë kaq lart? Faslliu duhet të rezervohet, kur jep këto konsiderata të skajshme.
Akoma pa u ulur poeti i partishëm Neza, u ngrit letrari amator Nase G. Ja ku të shpie rruga e keqe, kur nuk na dëgjon edhe ne, tha Nase G. Sekretari, si e pa që Nase G. kishte ende për të folur, nuk e uli, por e la të ligjëronte: Ne, vërtetë, nuk jemi artistë të mëdhenj, vazhdoi Nase G-ja, por kur i shërben vijës së Partisë, e ndjen veten të lumtur se ishte nëna Parti ajo që na hapi sytë. Ja, unë për shembull që sot do të isha në ndonjë fshat të humbur, jam p-r-e-f-e-s-o-r në gjimnaz… dhe, sa të tjerë ka si unë… Partia, ka thënë shoku Enver, ka një tefter ku ajo t’i shënon të gjitha…dhe sa je në rregull me vijën e saj, ajo nuk e hap tefterin, por sapo ti e shkel vijën e saj, ajo e hap dhe shikon sesi ke ecur… Gabimi që ke bërë është një rrëshqitje apo, apo një predispozitë jotja. Unë mendoj se në rastin e Faslli Halitit, nuk kemi të bëjmë me një rrëshqitje, por me një predispozitë. Ai nuk gabon për herë të parë… Dhe mbi të gjitha nuk kemi bindje se ai përsëri do të gabojë, sepse ai nuk rregullohet kurrë, nuk shëndoshet kurrë sepse nuk i shijon ushqimi i partisë.Tamam e the shoku Naser, ashtu është, e mbështeti Nase G-ën Sekretari. Faslli Haliti, i ka nxjerrë gjithmonë telashe Partisë në rreth dhe mua personalisht si Sekretar i Parë. Ky ka krijuar pështjellim në KP. Sekretari deshi ta ndërpriste, por Nase G. bëri sikur nuk e kuptoi nga zelli që kishte për të thënë edhe të tjera nga ato të tijat…Se… Partia na dha lirinë dhe na e bëri jetën të lumtur, se për Partinë këndojnë edhe fëmijët, tha Nase G. Ja dëgjoni ju lutem këto, vargje xhevahire:
Moj panxhare,/ Moj panxhare/ Vendi ynë s’të njihte fare/ Ti ke qenë e harruar/ Në regjimin e kaluar…
e të tjera e të tjera si këto që i kam shënuar në bllokun tim, në të cilin unë mbledh thesare nga letërsia dhe folklori ynë popullor… A ka vargje më të bukura se këta, do të thosha?. . .
Mirë, mirë o Nase…, tha Sekretari. Jo, po ky është arti i vërtetë, ky është realiteti ynë, shoku sekretar dhe Faslliu duhet të thellohet, të mësojë nga ky art. Ja, kjo është gjuha e thjeshtë e popullit dhe jo të na thotë: Rroftë dielli president i plazhit. President kemi vetëm shokun Haxhi Lleshi, diell kemi Partinë dhe shokun Enver. Nuk duhet t’i konfondojmë gjërat. Ç’na qenka ky diell president i plazhit. Na paska plazhi President…! Kësaj i thonë lajthitje borgjeze, çoroditje revizioniste. Faslliu duhet të mësojë nga populli e jo të lexojë nga amerikani Olltman ( Desh të thoshte Witman), nga greku Jani Riçosi (Janis Ricos) dhe turku Nazmi Hiqimi ( Nazim Himet) e ku di unë… Ç’janë këto vepra more Nase?, pyeti Sekretari. Jo, të them të drejtën, unë merrem me historinë dhe me marksizmin por jam i informuar për sa thashë dhe kam mbajtur shënime në një mbledhje përpara ca kohësh, një apo dy vjetësh, më duket, kur Faslliu bisedonte me ca të rinj të gjimnazit dhe u fliste atyre për këta poetë… Ishin vite që kishte filluar një farë liberalizmi dhe frynte një erë ndryshimesh të dyshimta, kur Radio Tirana jepte edhe muzikë të huaj në anketën muzikore, ishin vite të zeza që e prishnin atmosferën e jetës tonë të lumtur, që nuk kishin asgjë të përbashkët me jetën tonë socialiste dhe me artin tonë të kulluar të realizmit socialist… Tamam ato gabime ishin që çuan edhe në Festivalin e 11-të të këngës që Partia e dënoi me të drejtë… Mirë Nase, ulu. Të ngrihet ndonjë tjetër, urdhëroi përsëri, Sekretari. U ngrit Faik P-ja, një letrar që Faslliu e kishte ndihmuar shumë në poezi.
Faslli Haliti, më ka ndihmuar vërtetë në artin tim poetik. Nuk e mohoj. Por unë sa dua Partinë, nuk dua Fasllinë… tha Faik P. dhe volli një fuçi me vrer kundër krijimtarisë së poetit duke e paraqitur atë një krijimtari dekadente, reaksionare, të zezë…
Duke parë pjesëmarrësit në sallë që ishin trullosur me të tilla diskutime si gjellë qensh dhe se ora po shkonte 00,45 minuta, se kishim gati 13 orë të mbyllur, në sallën e provave të Shtëpisë së Kulturës, kurse poeti 12 orë në këmbë…Mora guximin e marrë dhe thashë: Unë mendoj se u thanë të gjitha në drejtim të poemës, për të cilën ne jemi mbledhur. Unë kam miqësi me Faslliun dhe kur poema u diskutua para dhjetë ditësh, ai më tha se lejen krijuese, prej gjashtë muajsh, do ta bëjë në Metalurgjikun e Elbasanit.
Jo, jo shoku Tahsin, ndërhyri Sekretari, nuk është nevoja të shkojë në Metalurgjik, mendoj unë. Kemi kooperativat tona bujqësore këtu, ku Faslliu mund të vejë të punojë dhe të mësojë sesi nxirret buka dhe për kë duhet të shkruajë e si të shkruajë. Apo jo shoku Faslli? A shkon në një nga kooperativat tona, për njohjen e jetës?
Po, shoku sekretar, shkoj!
Me gjithë zemër?
Me gjithë zemër!
Ah, jo, or jo, as atje nuk zë mënd ti, tha sekretari nëpërdhëmbë me pesimizëm e mosbesime se mund të zinte mend ky poet gjoja mudern, qiftë në Metalurgjik apo qoftë edhe në kooperativë. .
Ngrihemi!, se u bë vonë, dha urdhër sekretari.
Të gjithë u ngritën si të mpirë… Dashakeqët dilnin nga salla të kënaqur, dikush fërkonte duart me gëzimin e njeriut të vogël, ne, shokët e poetit dilnim të vrarë dhe të mërzitur nga ajo mbledhje gjyq, autodafe, kurse vetë poeti, as i gjallë e as i vdekur, mori rrugën, i vetmuar tutje në jugë të periferisë, për në shtëpinë e tij. Ndofta ishte nata e parë që poeti e bënte vetëm atë rrugë se gjithmonë e kishim shoqëruar deri tek shkallët e shtëpisë e ai ishte kthyer përsëri me ne që të na shoqëronte dhe kështu disa herë na kishin zënë orët e mëngjesit me diskutime nga më të ndryshmet për poezinë, prozën, muzikën, pikturën, skulpturën, teatrin, estradën, kulturën dhe artin në përgjithësi, por edhe për burokracinë, politikë. . .
Atë mesnatë në fund të Marsit 1973, ndërsa fshesarët, si në një poezi të tij, nisin punën për pastrimin e rrugëve të qytetit, ndërkaq Partia në Lushnjë, kishte fshirë si plehrë poetin dhe krijuesit dhe artistët lushnjarë shkonin të këputur në shtëpitë e tyre, pasi kishin diskutuar për të tretën herë poemën e ’’mallkuar’’ sakrilegj, Dielli dhe rrëkerat, të poetit të tyre Faslli Haliti.
«Ah, jo, or jo, as atje nuk zë mënd ti, or jo…! kishte mërmëritur sekretari i parë»
Kjo shprehje e Sekretarit, e theri poetin. Ai do të më thoshte në intimitet: Tahsin, ajo thënie e Sekretarit të Parë të KP, është tinëzare, me të ai më paralajmëroi se konvaleshenca ime idelogjike në kooperativë do të jetë e gjatë, shumë e gjatë. Dëgjova që i kërcitën dhëmbët…
Epilog
Dhe poetin s’e gaboi intuita. Ai do të punonte gjashtë vjet në komunale e katër vjet në kooperativë, ku do të hapte kanale, vija kulluese; ku do të bënte kavalle në orizore; do të vadiste, do të
prashiste, do të plehëronte me mut e me shurrë grunajat; do të korrte misër, grurë, oriz; ku do të vilte domate e pambuk; do të ngarkonte qerret me dega si asnjë poet tjetër i dënuar pastër, vetëm për krijimtarinë e ti, vetëm për poezitë e tij të thella realiste, inkonformiste, vetëm për motive të pastra krijuese dhe për asnjë lloj motivi tjetër, qoftë edhe një grim motivi tjetër extaletrar, siç thotë ndonjë në një shkrim të tij në gazetën «Reblika» se, «Haliti nuk është dënuar për letërsi, me punuar në kooperativë, por për motive të tjera, brutale dhe vulgare». Dhe kjo thuhet, pikërisht në atë gazetë që e ka quajtur gabim një shkrim krijuesve të Degës së PR, të Lusnjës ku bëheshin insinuata e thuhej se poema e poetit «Faslli Haliti,… «Dielli dhe rrëkerat», (është) himni më i madh që i është kushtuar diktatorit Enver Hoxha…».
Ajo erë ndryshimesh që pati filluar aq e pati. Sipas porosive të atij të madhit, Shefit të Partisë, çdo gjë do të shkonte përsëri në ujërat e ndenjura. Dhe Shefi i Madh i partisë do të thoshte si përherë atë shprehjen makabre se: ja na u prish gjiza neve që fshimë disa plehra, disa zhele, stracio politike, artistike…!
Të na rrojë Partia!
Gjenovë, 2010
Komentet