VEGIMI I FUNDIT I FRANKOS
Diktatori e pa veten
Në një sallë të bardhë… Mbështjellë
Me çarçafë të bardhë. Rrethuar
Nga njerëz me të bardha… Mbi kokë
Abazhurë të mëdhenj e të bardhë kullonin
Dritë të bardhë… Dhe vetveten e pa
Të bardhë si gips: ai pandehu njëherë
Se nuk ishte vetvetja, por busti i tij!…
Befas
Diktatori u shtang: muret e bardha
Të sallës së bardhë filluan
Të djersijnë gjak… Abazhurët e bardhë
U shndërruan në pika të stërmëdha gjaku
Dhe nisën të pikojnë
pik – pik – pik …
Mbi çarçafët, mbi jastëkët, mbi fytyrën
Dhe mbi sytë e tij të zgurdulluar rigonte
Gjak i kuq, i trashë, ngjitës… Ai u përpoq
Të mbyllte sytë: Nuk mundi!
Njerëzit me të bardha rrotull tij
U bënë të kuq, të kuq, të kuq
Në të kuqe të ndezur gjaku… Diktatori
Klithi i tmerruar: “Xhelatët!”
Me një kërcim pantere
Diktatori i përgjaku u hodh në kopsht
Dhe zuri të rendte… Po ku të rendte?!
Në kopsht s’kishte bar, por bajoneta
Të përgjakura… Pemët
Duke kulluar gjak po turreshin drejt tij
Me krahë të hapur, të gjatë, skeletikë… Lulet,
Drithërat, ullinjtë vrushkuj gjaku kullonin,
Drejt tij vraponin… Ai rendte
Si një Tantal i kthyer së prapthi
Të shpëtonte nga lulet, drithërat, ullinjtë
E përgjakur… Nga kopshti u hodh në rrugë.
Ato rrugë ishin dhe s’ishin:
Rrëké gjaku rridhnin… Ai ngecte si në llucë
Në gjakun e tyre… Binte, ngrihej, rendte.
Në llucë gjaku i zhyer… Plagët e qytetit të therur
(ai e kuptoi se ishte Madridi) gjak
Dhe njerëz me çekanë e me pushkë
Nxirrnin pa ndërprerje… Diktatori
Rendi në fushë: atje
Zogj të kuq, dema të kuq, kuaj të kuq
Fluturonin, vraponin, galoponin… Drejt tij
Sulmonin… Diktatori u turr
Drejt maleve: sierrat si gijotina të mprehta.
Përrenj gjaku kullonin… Qafës së tij
I afroheshin! Ai u kthye drejt detit
Të fshihej diku, të shpërlahej
Nga ajo llucë e tmershme… O çudi!
Deti po vërshonte drejt tij: një det i kuq
Me grushtat e fuqishëm të tallazeve
Drejt tij vërsulej…
Diktatori ra në gjunj,
Uluriti me tmerr “O zot, o zot!”… Nga qielli
Mbushur me re si sfungjerë të ngopur me gjak
Shi gjaku skurroi… Deti i gjaktë
I arrit në mes… në grykë… e mbuloi!
Gjaku rreth tij u ngri menjëherë: diktatori
I murosur në atë bllok gjaku të kuq
Humbi në humnerat e detit…
Rrotull tij: mjekët, gjeneralët, spiunët,
Të tmerruar nga frazat përçart
I prekën pulsin: Pulsi
Ishte shuar përjetë!… Në zemrën e tyre
Hyri si një shtizë e gjatë akulli
Të ftohtit e VDEKJES…
Poema “Vegimi i fundit i Frankos”, edhe pse është krijim për një të vdekur, nuk është elegji, nuk është rekuiem. Elegjia është vajtim për të vdekurin. Requiemi është kushtim për të vdekurin. Requiem aeternam është lutje për paqe të përjetshme për shpirtin e shkuar në amshim.
Kjo poemë është një antielegji, një antirekuiem, pra ka të gjitha karakteristikat e kundërta të elegjisë dhe të rekuiemit. E botuar për herë të parë në “Njatjeta, diell” (Tiranë, 1977) vëllimin e tretë poetik të autorit Anton (Ndoc) Papleka, poema u përfshi edhe në vëllimin “Djepi i klithmave” (Prishtinë, 1982) dhe u bë objekt shqyrtimi nga Agim Vinca, poet, kritik dhe studiues, në rubrikën e tij “Albumi poetik” ( një poet, një poezi), të cilën ai e filloi më 15 shtator 1983 dhe e vazhdoi deri më 15 shtator 1985 në gazetën “Bota e re”, “me karakter letrar, kulturor e informativ, ishte organi më i lexuar e më me ndikim në periodikun shqip të Kosovës”, siç shkruan A. Vinca në parathënien e librit “Kënga e hapur- Antologji e komentuar”, ku i ka përfshirë të gjitha krijimet e zgjedhura dhe komentet ndaj tyre në atë rubrikë, ndër të cilët edhe shkrimin për poemën e Paplekës.
“Vegimi i fundit i Frankos” u krijua më 1975, menjëherë pas vdekjes së diktatorit spanjoll. Poema synon të aktualizojë, rrjedhimisht, ta përjetësojë atë vdekje, të merituar për të vdekurin, e cila është e ngritur mbi vdekje të panumërta e të pamerituara të viktimave të pafajshme të Frankos. Prandaj, siç do ta shikojmë në këtë shqyrtim, krijimi i Anton Paplekës është estetizim i vdekjes së diktatorëve, estetizim nga këndi i tmerrit, horrorit, makthit, shëmtimit, në tejskajin më të mundshëm të këtyre kuptimeve, njëherësh duke mos rënë në makabritetin që evokon emri dhe vepra e Frankos, ashtu edhe vdekja e merituar e tij.
Edhe pse ka në qendër një emër diktatori, Frankon, ajo është poemë që mund të ketë emrin e çdo dikatori, të Titos, për shembull, i cili vdiq 5 vjet më vonë se Franko, të Enver Hoxhës, që vdiq 10 vjet më vonë se Franko. Në shqyrtimin e tij A. Vinca e konstaton këtë dhe shkruan: “Duke e fiksuar në mënyrë tejet plastike këtë çast, ai (Papleka, shënimi im S.B.) ka thënë gjithçka që mund të thuhet për një diktator çfarë ishte Franko: për fizionominë dhe biografinë e diktatorëve në përgjithësi.”
Poemë e përshkallëzimit të situatave
Anton Papleka e kursen poemën nga emri i Frankos, i cili shfaqet vetëm në titull. Dhe e përmend 8 herë gjatë tekstit emrin e përgjithshëm “diktator”, në aq pjesë përbërëse sa mund të ndahet poema për arsye shqyrtimi. Në rastet e tjera, përdor- edhe këto me kujdes- vetorët, vetvetorët dhe pronorët “vete”, “vetvete”, “i tij”, “ai” (rreth njëzet herë). Për të mos e rënduar leximin, ai nuk dëshiron ta tepërojë së përdoruri as “diktator”, i cili vjen kështu: (I) “Diktatori e pa veten”; (II) “Diktatori u shtang”; (III) “Diktatori/Klithi i tmerruar”; (IV) “Diktatori i përgjakur u hodh”; (V) “Diktatori rendi në fushë”; VI “Diktatori u turr”; (VII) “Diktatori ra në gjunj”; (VIII) “diktatori i murosur”. Nga konstatimi kundrues, te tronditja, te reagimi pasiv, te kundërveprimi i parë, te paniku, te lemeria, te dorëzimi në duart e vdekjes dhe tek fundi i mbramë, këto janë edhe tetë situatat përshkallëzuese të prira nga emri “diktator”, janë tetë gjendjet që e çojnë diktatorin drejt vdekjes, drejt të vetmit dënim të cilit ai dhe askush tjetër, sado i pushtetshëm të ketë qenë në jetë, sado gjatë të ketë sunduar, nuk mund t’i shmanget.
Poemë e së bardhës së njëtrajtshme
“Vegimi i fundit i Frankos” ka gjithsejt 68 vargje. Janë vargje të bardha. Krijimi është bazuar në teknikën e mbartjes së vargjeve, ku ai që pritej nga lexuesi të ishte fund i vargut të mëparshëm, është fillim i vargut vijues. Këtë teknikë ia detyron autorit synimi i tij për të lënë lexuesin të rrëmbehet nga rrjedha tronditëse e situatave dhe të përshtasë frymëmarrjen e tij jo aq me shenjat e pikësimit sa me logjikën e ngjarjes. Krijimi, gjithashtu, është monokolon, pa kryeradhë, në mënyrë që paraqitja e tillë grafike ta rrëmbejë lexuesin deri në vargun e fundit të poemës dhe përtej tij.
Poema e Paplekës është krijim i detajeve të kursyera. Përparësi mbizotëruese në 8 vargjet e para merr ngjyra e bardhë, e cila këtu është ngjyrë e vdekjes, ajo nuk buron nga detajet sa buron nga vetë vdekja, nga buron, në të vërtetë më shumë paniku i vdekjes. Detajet janë vetëm në shërbim të nuancimeve të së bardhës dhe këto gjithnjë sipas përshkallëzimit të situatave: “sallë të bardhë”, “çarçafë të bardhë”, “abazhurë të mëdhenj e të bardhë”, “dritë të bardhë”. “të bardhë si gips”, “busti i tij”. Natyrisht, edhe pse e bardhë, tjetër është e bardha e sallës, tjetër e çarçafit, e abazhurëve, e dritës së tyre, e gipsit, apo e bustit prej gipsi. Pra, është e bardhë e nuancuar sipas objekteve, e nënshtruar ndaj njëtrajtshmërisë së ngjyrës së vdekjes, pa e cënuar, pa e lënduar, pa e prishur atë.
Është e rrallë, gati e paparë për muzat poetike një sjellje e tillës ndaj së bardhë kaq shpërfytyruese, kaq e çoroditëse, duke qenë ngjyra më e pashpërfytyrueshme, më e paçoroditshme.
Ka një shkak: këtu e bardha, sado e larmishme dhe e shfletueshme në nuancat e sa, ka status të përkohshëm.
Poemë e shndërrimit të njëtrajtshëm të së bardhës në të kuqe
Shndërrimi (metamorfoza), pra, metafora e metmorfozave, si mjet kryesor artistik i poemës, paralel me dy ngjyrat kryesore, së bardhës dhe së kuqes, fillon në vargjet 7-8: “ai pandehu njëherë/ Se nuk ishte vetvetja, por busti i tij!…”
Detajeve të mësipërme iu shtohen edhe “muret”, “jastëkët”, “fytyra”, “sytë e zgurdulluar”, “njerëzit rrotull tij” deri pak më parë të bardhë, tashmë fillojnë të pikojnë gjak “i kuq, i trashë, ngjitës”, përshkallëzimi i ngjyrës këtu shkon deri “në të kuqe të ndezur gjaku”. Është vargu 22 që e përfundon shndërrimin e së bardhës në të kuqe.
Siç shkruan A. Vinca; “Sendet e bardha fillojnë të shndërrohen përnjëherë në të kuqe; gjithçka kullon gjak. Ngjyrën e bardhë, aq të theksuar në fillim, e zëvendëson krejtësisht ngjyra e kuqe, kurse fjalët “kuq” dhe “gjak” përsëriten pothuaj në mënyrë torturuese në secilin varg…”
Poemë e së kuqes së njëtrajtshme
Detajet, edhe pse këtu më të shumta, nuk janë ato që spikatin, sepse i nënshtrohen së kuqes. Në sinonimi me gjakun, ajo që spikat është pikërisht e kuqja.
Pas ngjyrës së bardhë, gjithçka tjetër, e çdo ngjyre, këtu të papërmendura por të nënkuptuara, shndërrohen në të kuqe.
E kuqja e njëtrajtshme, që buron gjak, në çdo por të saj, është ngjyrë e krimit masiv të diktatorit. Gjaku i viktimave të tij të pafajshme përbën tashmë sfondin e gjallë, të shpirtëzuar, ku bari është shndërruar në “bajoneta të përgjakura”, pemët janë shndërruar në fantazma që kullojnë gjak nga krahët e “hapur, të gjatë, skeletikë”; lulet, ullinjtë, dridhërat e sulmojnë diktatorin me vrushkuj gjaku duke mos i lënë shteg shpëtimi; rrugët shndërrohen në rrjedha gjaku dhe diktatori e fantazon veten të ngecur në llucë gjaku, ku ai, sa më shumë që orvatet të dalë, aq më thellë zhytet; ajri dhe toka, çka iu përket atyre, janë bërë njësh me sfondin e fantazuar, ku “Zogj të kuq, dema të kuq, kuaj të kuq/ Fluturonin, vraponin, galoponin…/ Drejt tij/Sulmonin…” në një përshkallëzim ngjitës, karakterizues të të gjithë poemës, siç e vëren edhe A. Vinca.
Në të njëjtin kontekst, A. Vinca, në aspektin e mjeshtërisë artistike të A. Paplekës, vëren se përshkallëzimi ngjitës realizohet nëpërmjet “përsëritjeve të shumta e sistematikisht të trefishuara”, duke cituar vargjet më karakteristike të kësaj dukurie: “Njerëzit me të bardha rrotull tij/ U bënë të kuq, të kuq, të kuq…”; “Zogj të kuq, dema të kuq, kuaj të kuq/ Fluturonin, vraponin, galoponin…”
Sfondi i gjallë tashmë, nga mjet torturues, bëhet mjet ekzekutues ndaj diktatorit: “sierrat si gijotina të mprehta” synojnë qafën e tij. Përballë ekzekutimit, as deti nuk i hap rrugë shpëtimi, përkundrazi, i njësuar me qiellin e “mbushur me re si sfungjerë gjaku” “i arriti në mes… në grykë… e mbuloi!”
Poeti e rikthen ngjarjen përsëri tek salla e spitalit në vargun e 64-t, ku, deri në fund të poemës, vdekja, tashmë e përgjithësuar, shndërrohet përfundimisht në shtizë akulli në zemrën e besnikëve të diktatorit.
Edhe poemë e foljeve
Nga kundrues pasiv, i nënshtruar ndaj fundit të tij, prej fundit të vargut 22, diktatori është një kundërveprues ndaj të vetmit të mjet që i ka mbetur, si një fantazmë e vetë fantazisë së tij. Ritmin e ngjarjeve, doemos, vetë ritmin e poemës e marrin në dorë kështu foljet. Ato, krahas ngjyrave, krahas detajeve që marrin përsipër shndërrimin në ngjyra të mjedisit real dhe atij thjesht të trilluar, duke përkryer artistikisht përshkallëzimin që e karakterizon gjithë artin e poemës. Kështu: “djersijnë”, “kullojnë”, “rigonte”, “pikon”, “skurroi”, “rridhnin” e tjerë, disa prej tyre të përsëritura shpesh në konteskte të ndryshme, gjithmonë kanë kallëzuesorë fjalën “gjak” ose “rrëke gjaku”, ose “llucë gjaku” e tjerë. Foljet dalin edhe nga ligji i vargut të bardhë dhe rimojnë, gjithnjë në mënyrë përshkallëzuese, si “fluturonin, vraponin, galoponin”, “sulmonin”. Të tjera folje të përfshira drejtpërdrejt në përcaktimin e ritmeve përshkallëzuese të poemës janë “klithi”, “u hodh”, “rendte”, “ngecte”, “binte, ngrihej, rendte”, “u kthye”, “fshihej”, “humbi”, të cilat janë të gjitha veprime të fanatazuara të diktatorit për t’i shpëtuar tmerrit të vdekjes, duke përfunduar me foljen “ishte shuar”.
Finalja e poemës
Theksi logjik i poemës bie jo vetëm tek vdekja fizike e diktatorit, por edhe te vdekja shpirtërore e atyre që u bënë krah i djathtë i diktatorit dhe që do të donin të mos ia ndalnin shërbimin e tyre as në varr. Prandaj poema nuk mund të kishte finale tjetër: “Gjaku rreth tij u ngri menjëherë: diktatori/ I murosur në atë bllok gjaku të kuq/ Humbi në humnerat e detit…/ Rrotull tij: mjekët, gjeneralët, spiunët,/ Të tmerruar nga frazat përçart/ I prekën pulsin: Pulsi/ Ishte shuar përjetë!… Në zemrën e tyre/ Hyri si një shtizë e gjatë akulli/ Të ftohtit e VDEKJES…
Poema kështu jo vetëm ua parashikon e parashkruan fundin dikatorëve, atyre që qeverisin me dorë të fortë popujt e tyre, por edhe ua parashikon e parashkruan këtë fund të gjithë atyre që, për hir të privilegjeve që patën prej diktatorëve, u shndërruan në bashkëvrasës të popujve të tyre.
Individualizimi i mjedisit- mjeshtëria anticensurë
Jo vetëm si detyrim artistik, por edhe për t’i shpëtuar censurës, poeti e ka pasur të domosdoshme që të individualizojë mjedisin spanjoll. Ullinjtë, demat e kuq, sierrat janë detaje individualizuese të mjedisit ku ndodh ngjarja. Por vargu i 40-të, në kllapa, “ai e kuptoi se ishte Madridi” ka rol vendimtar kundër censurës. Pa këtë varg vështirë se poezia mund të botohej. Dhe vështirë se libri mund t’i shpëtonte bërjes karton, nëse ajo botohej pa atë varg në kllapa, i vetmi që mund të tingëllojë prozaik dhe, madje, i tepërt, ndonëse, pra, absolutisht i domosdoshëm. Poema qëndron artistikisht lart dhe poeti është në kulmin e tij të afirmimit. Askush nuk mund t’ia mohonte të drejtën që të shkruante për vdekjen e Frankos dhe t’ia ndalonte botimin e saj. Është, pra, një kompromis mes poetit dhe redaktorit të librit, një kompromis i domosdoshëm, një zgjidhje e artë. Mjeshtëria anticensurë është aspekt i talentit të krijuesit, ndoshta shumë i rëndësishëm. Dhe askush (për fat, askush) nuk ka guxuar të pandehë që kjo poemë është aludim për Enver Hoxhën, është një parashkrim i vdekjes së diktatorit shqiptar, parashkrim i një dënimi po aq të merituar me vdekje sa ai që e realizon aq bukur artistikisht Anton Papleka për Francisco Francon. Dhe askush në atë kohë nuk mund ta nxirrte nga vetja e t’ia besonte dikujt tjetër mendimin se Enver Hoxha ishte një qenie që mund të kishte vdekje. Në këtë kuptim, përveçse poemë antielegji, antirekuiem, “Vegimi i fundit i Frankos” mund të quhet poemë e leximit tabu për çdo kritikë apo çdo lexues tendencioz të atëhershëm.
Për fat, gjithashtu, askush nga kritikët në Shqipërinë e asaj kohe nuk ka guxuar të merret me këtë poemë, ta vlerësojë, ta analizojë, apo qoftë ta përmendë si titull. Madje, askush në Shqipërinë e asaj kohe nuk ka guxuar ta lexojë poemën në nëntekstin e saj, askush nuk ka guxuar ta cënojë imunitetin artistik të poemës, krijuar falë talentit të poetit për t’u sjellë në mënyrën më të zgjuar, më të mprehtë ndaj censurës. Në Kosovë, po. Për ironi, atje nuk kanë ekzistuar leximet tabu. Kështu që poema është lexuar edhe në nëntekstin e saj. Është lexuar si poemë antidiktatoriale. I pari ose ndër të parët e ka lexuar këtë nëntekst Agim Vinca dhe e ka përfshirë në antologjinë e tij të komentuar. Pas tij, me siguri, ka pasur të tjerë që ia kanë bërë atë lexim që i ka munguar poemës në Shqipëri.
Mes miqsh të ngushtë poetët në Shqipëri në atë kohë flisnin për tema të guximshme, për poezi të guximshme, për figura të guximshme. Të tillat ishin gjithmonë zgrip i rrezikut për autorët e tyre.
A. Vinca ishte i vetëdijshëm për dëmin që mund t’i sillte kolegut në Shqipëri nëse e theksonte aspektin përgjithësues antidiktatorial të poemës së Paplekës.
Një temë e trajtuar edhe nga poeti nobelist kilian Pablo Neruda
A. Vinca e klasifikon poemën në kategorinë psikologjike: “Një depërtim të tillë në psikën e çaraveshur të personazhit e hasim tek mjeshtrit e mëdhenj të prozës psikologjike, tek një Dostojevski, Edgar Po apo te ndonjë tjetër.” Në fakt “Vegimi i fundit i Frankos” është poemë e atmosferës së horrorit. Siç shënon, po ashtu me drejtë A. Vinca, poema ka të njëjtin dramacitet si “Shën Pjetri në Mangall” i Fan Nolit dhe “Gjeneral Moisi” i Ismail Kadaresë.
Anton Papleka merret në poemën e tij me horrorin e vdekjes së Frankos, ia passhkruan vdekjen diktatorit në fjalë, duke ua parashkruar njëkohshëm vdekjen diktatorëve të gjallë. Në komentin e tij A. Vinca na e kujton se Pablo Neruda, kur diktatori ishte gjallë, ia (ua) kishte parashkruar diktatorit (diktatorëve) vajtjen në ferr.
Ky është origjinali i poemës së Nerudës (70 vargje):
El general Franco en los infiernos
“Desventurado, ni el fuego ni el vinagre caliente
en un nido de brujas volcánicas, ni el hielo devorante,
ni la tortuga pútrida que ladrando y llorando con voz de mujer muerta te escarbe la barriga.
buscando una sortija nupcial y un juguete de niño degollado,
serán para ti una puerta oscura,
arrasada.
En efecto.
De infierno a infierno, ¿qué hay?
En el aullido de tus legiones, en la santa leche
de las madres de España, en la leche y los senos pisoteados
por los caminos, hay una aldea más, un silencio más
una puerta rota.
Aquí estás. Triste párpado, estiércol
de siniestras gallinas de sepulcro, pesado esputo, cifra
de traición que la sangre no borra. Quién, quién eres,
oh miserable hoja de sal, oh perro de la tierra,
oh mal nacida palidez de sombra.
Retrocede la llama sin ceniza,
la sed salina del infierno, los círculos
del dolor palidecen.
Maldito, que solo lo humano
te persiga, que dentro del absoluto fuego de las cosas,
no te consumas, que no te pierdas
en la escala del tiempo, y que no te taladre el vidrio ardiendo ni la feroz espuma.
Solo, solo, para las lágrimas
todas reunidas, para una eternidad de manos muertas
y ojos podridos, solo una cueva
de tu infierno, comiendo silenciosa pus y sangre
por una eternidad maldita y sola.
No mereces dormir
aunque sea clavados de alfileres los ojos: debes estar
despierto, general, despierto eternamente
entre la podredumbre de las recién paridas,
ametralladas en Otoño. Todas, todos los tristes niños
descuartizados,
tiesos, están colgados, esperando en tu infierno
ese día de fiesta fría: tu llegada.
Niños negros por la explosión,
trozos rojos de seso, corredores
de dulces intestinos, te esperan todos, todos, en la
misma actitud
de atravesar la calle, de patear la pelota,
de tragar una fruta, de sonreír o nacer.
Sonreír. Hay sonrisas
ya demolidas por la sangre
que esperan con dispersos dientes exterminados
y máscaras de confusa materia, rostros huecos
de pólvora perpetua, y los fantasmas
sin nombre, los oscuros
escondidos, los que nunca salieron
de su cama de escombros. Todos te esperan
para pasar la noche.
Llenan los corredores como algas corrompidas.
Son nuestros, fueron nuestra
carne, nuestra salud, nuestra
paz de herrerías, nuestro océano
de aire y pulmones. A través de ellos
las secas tierras florecían. Ahora, más allá de la tierra,
hechos substancia
destruida, materia asesinada, harina muerta,
te esperan en tu infierno.
Como el agudo espanto o el dolor se consumen,
ni espanto ni dolor te aguardan. Solo y maldito seas,
solo y despierto seas entre todos los muertos,
y que la sangre caiga en ti como la lluvia,
y que un agonizante río de ojos cortados
te resbale y recorra mirándote sin término.
Ndërsa në shqip:
GJENERALI FRANKO NË FERR
I mjerë, as zjarr, as uthull e nxehtë
në një fole shtrigash vullkanike, as akull gllabërues,
as breshkë e kalbur që duke lehur dhe qarë me zërin
e një gruaje të vdekur rrëmon barkun tënd
duke kërkuar një unazë nusërie dhe një lodër kokëprerë
të një fëmije,
ato nuk do të jenë për ty gjë tjetër veçse një derë e errët
e thyer
Me të vërtetë:
Nga ferri në ferr, çfarë ka? në ulërimën
e legjioneve tua, në qumështin e shenjtë
të nënave në Spanjë, në qumësht dhe gjinj
të shkelur me këmbë
përgjatë rrugëve, është një fshat më shumë, një heshtje më shumë,
një derë e thyer
Ja ku je. Qepallë e trishtuar, pleh
i pulave të liga të varreve, pështymë e rëndë, shifër
e tradhtisë që gjaku nuk e fshin. Kush, kush je ti,
o fletë e mjerë kripe, o qen i dheut,
o hije e zbehtë nate e keqlindur.
Flaka pa hi zbrapset,
etja e kripur e ferrit, rrathët
nga dhimbja zbehen.
Medet, që vetëm njeriu
të ndjek ty, që brenda zjarrit absolut të gjërave,
të mos digjesh, të mos humbisësh
në shkallën e kohës, dhe të të mos lejojë të gërvishesh nga djegia e xhamit ose shkumës së fortë.
Vetëm, vetëm, për lotët
të gjithë të mbledhur, për një përjetësi duarsh të vdekura
dhe sysh të kalbur, vetëm një shpellë
e ferrit tënd, duke ngrënë në heshtje qelb dhe gjak
për një përjetësi të mallkuar dhe të vetmuar.
ti nuk e meriton te flesh
edhe nëse janë sytë të mbërthyer: duhet të jesh
zgjuar, gjeneral, zgjuar përjetësisht
mes kalbësisë së të sapolindurve,
të mitraluar në vjeshtë. Të gjithë, të gjithë fëmijë të trishtuar
të copëtuar,
të ngurtë, ata janë të varur, duke pritur në ferrin tënd
atë festë të ftohtë: ardhjen tënde.
Fëmijë të zinj nga shpërthimi,
copa të kuqe truri, korridore
zorrësh të ëmbla, të gjithë të presin, të gjithë,
të gjithë njësoj
për të kaluar rrugën, për të goditur topin,
për të gëlltitur një frut, për të buzëqeshur ose për të lindur.
Buzëqeshje. Ka buzëqeshje
tashmë të rrënuara nga gjaku
që presin me dhëmbë të shkulur të shpërndarë
dhe maska të materies konfuze, fytyra të zbrazëta
të barutit të përhershëm dhe fantazma
pa emër, errësira
të fshehura, ato që nuk dolën kurrë
nga shtrati yt i rrënojave, të gjithë të presin
për të kaluar natën.
I mbushin korridoret si alga të korruptuara.
Ata janë tanët, ata ishin mishi
ynë, shëndeti ynë, paqja
jonë e farkëtarëve, oqeani ynë
i ajrit dhe i mushkërive. Nëpërmjet tyre
lulëzuan tokat e thata. Tani, përtej tokës,
substanca e fakteve
e shkatërruar, lëndë e vrarë, miell i vdekur,
ata të presin ty në ferrin tënd.
Ndërsa frika ose dhimbja e mprehtë janë konsumuar,
nuk të pret ty as frika, as dhimbja. I vetëm dhe i mallkuar.
I vetëm dhe zgjuar je mes të gjithë të vdekurve,
dhe lere që gjaku të bjerë mbi ty si shi,
dhe që një lumë torturues me sy të prerë
kanë shkitur dhe po bëjnë ecejake duke të kqyrë pa fund.
Mund të zgjatesha pa fund në analizën krahasuese midis dy krijimeve për Frankon, por unë po kufizohem në konsideratat e mia përmbledhtas.
Nëse te Papleka detajet janë në sfond, në relievet e larmishme të vendngjarjes (të gjitha të shpirtëzuara) dhe në shërbim të ngjyrave të vdekjes, të situatave përkatëse- qëlllimisht- pa rënë asnjëherë në makabritet, te Neruda detajet sa abstrakte kur janë konkrete, aq konkrete kur janë abstrakte, e mbisundojnë atmoferën e horrorit- qëllimisht- deri në makabritet.
Nëse te Papleka hakmarrje ndaj diktatorit është horrori i vdekjes, te Neruda hakmarrje ndaj diktatorit është ferri. Duke pasur pikënisje të ndryshme, të dyja krijimet kanë pikëmbërritje të përbashkët: dënimin e Frankos dhe, kështu, dënimin e çdo diktatori. Sa është njëri krijim, po aq edhe tjetri është antidiktatorial.
Anton Papleka, poeti, krijuesi, dijetari
Në vitet ’70-’80 Anton Papleka ka botuar tetë vëllime poetike: Zëri im, 1971; Ecim, 1974; Njatjeta diell, 1977; Arkitektura e dritës, 1981; Rrathët e lisit, 1984; Gjaku i tokës, 1985; Lumi e di ku buron, 1988; Gjethnaja në trup, 1990. Në kuadrin e kolanës së poezisë së re të zgjedhur shqipe iu botua një libër në Tiranë. Më 1982, po ashtu me poezi të zgjedhura, iu botua në Prishtinë vëllimi Djepi i klithmave. Me dhjetë librat poetikë të botuar, me ciklet e shpeshta poetike në “Zëri i rinisë”, “Drita” e “Nëntori”, Papleka është poeti që më shumë ia ka dhënë tonin poezisë shqipe në këto dy dekada.
Papleka është kalorësi shqiptar i vargut të bardhë poetik. Pa harruar se i ka lëvruar me sukses të gjitha llojet e prozodisë. Nëpërmjet mbartjeve të njëpasnjëshme, duke ruajtur ritmin e jashtëm dhe duke rritur vrullet e brendshme, Papleka arrinte të krijonte poezi në trajtën e një vargu të vetëm, të pashkëputur. Edhe pas viteve ’90, Papleka ka botuar libra të sukseshëm poetikë. Edhe sot e kësaj dite boton cikle të bukura me poezi.
Më 2015, pasi revistat letrare franceze “Europe”, “Souffles” dhe “Jalons” ia botuan disa cikle poetike, shtëpia e njohur botuese “L’Harmattan” ia botoi librin poetik “Parchemin de sable” (Pergameni prej rëre”), në të cilën është përfshirë një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij poetike. Libri ka strukturën e një pentakli, ndahet në pesë cikle: 1. Pergameni i rinisë; 2. Pergameni i Arles-s; 3. Pergameni i dhimbjes; 4. Pergameni i Seneffe-it; 5. Pergameni i moshës së madhe.
Në një shkrim të asaj kohe, Papleka shkruan se kështu shtëpia botuese franceze ia bënte vlerësimin “që nuk ma bëri shoqëria ku kam rrojtur shtatëdhjetë vjet, ku kam punuar dhe ku kam krijuar më se një gjysmë shekulli. “Përmbledhja, shkruan më tej Papleka, u botua në një nga shtëpitë botuese më të rëndësishme të Parisit, pa asnjë mbështetje financiare nga qeveritë tona, krejt ndryshe nga ç’ndodh edhe me poetët e vendeve të tjera ballkanike ku, sipas thënieve të disa prej tyre, me të cilët jam takuar, shteti financon botimet e autorëve vendas në gjuhë të huaja. Jam i kënaqur që përmbledhjen time e botova pa qenë ministër, deputet, ambasador, atashé kulturor, biznesmen apo azilant politik, pra, nuk e botova falë atributeve politike apo vlerave financiare, por vetëm falë vlerave letrare, të miratuara nga një komitet specialistësh (comité de lecture), i cili e shqyrtoi dhe vendosi për botimin e tij.”
Që nga fillimi i viteve ’80, pareshtur deri sot Papleka përkthen poezi pothuaj nga të gjitha vendet e botës, duke e pasuruar ndjeshëm kulturën tonë me vlerat më të mira bashkëkohore botërore dhe duke i hapur horizonte të reja asaj. Është padyshim përkthyesi më i mirë i poezisë bashkëkohore botërore në shqip. Ndërkohë, që nga vitet ’70, Anton Papleka ka shkruar dhe botuar tregime, novela dhe romane për fëmijë, të rinj dhe të rritur, skenarë filmash artistikë, eseistikë, kritikë, studime shkencore, pra, një vepër konsiderushëm e vëllimshme dhe njëkohësisht cilësore. A. Vinca, që më 1982 vlerësonte se në krijimet e tij Papleka dëshmon kulturë. Pa dyshim, Anton Papleka është ndër intelektualët shqiptarë më të ditur dhe një ndër krijuesit shqiptarë më të kulturuar, çka e dëshmon në çdo element sado të imët shkrimor letrar apo dituror; ai është një kapitull i letërsisë, kulturës dhe dijes shqipe, i cili vazhdimisht pasurohet.