Heshtje funerale. Para Komitetit Qendror.
Polici… Ambulanca… Gazetarë dhe fotoreporterë,
presin me ankth popullin. Po populli pse s’ vjen?
Do të vijë populli, fiks në njëmbëdhjetë.
Populli s’gënjen kurrë. Populli s’gabon kurrë.
Heshtje funerale. Para kryeministrisë
presin tre drerë dhe një karrocë e stolisur,
si ajo e Hektorit para pushtimit të Trojës.
Duhen marrë masat. Ky dhjetor s’ duhet të ngjajë
me tetë dhjetorin, me katër të vrarë…
Një… pesë… tetë…Prova teknike…
Thërret nga podjumi tekniku i megafoneve.
Policia, ambulancat, gazetarët dhe fotoreporterët,
kanë kohë që rrinë në pritje të oratorëve.
Gjëmojnë altoparlantet. Sheshi mbushet me tinguj,
Herë me marshe marciale, herë më marshe funebër.
Pritet veç populli, i cili, si gjithmonë,
vjen në orën e duhur dhe në vendin e duhur.
Populli ëndërron ndërrime pushtetesh,
ndërrime partish dhe ndërrime flamujsh.
Ja.Tani po vjen populli, duke brohoritur.
Vetëm flamuj s’kanë. Nuk mbajnë në duar.
Flamujt prej kohësh ua kanë marrë flamurtarët..
Po vjen vetë populli…Hapeni rrugën!
Ndryshe, ç’kuptim do të kishin oratorët?
Thërrasin. Brohorasin… Asgjë nuk kuptohet.
Disa thonë:”Më mire ishim dje…!”
Të tjerë thonë: ”Më mirë jemi nesër!”
Vetëm e tashmja kurrë s’bëhet “Mirë”.
Hapeni rrugën, policë dhe gazetarë.
Po vijnë vetë ata që quhen Popull.
8 Dhjetor 2015
Komentet