STAVRI MARKO/ Petro Marko ka lindur në Dhërmi në 1913. Fëmijëria e tij ka kaluar në fshatin e tij të lindjes, për të cilin ai thotë se; “Dhërmiu është fshati më i bukur në botë”.
I edukuar nga familje e njohur dhe patriotike himarjotase, Petroja më pas do të ndiqte studimet në Shkollën ‘Tregtare’ të Vlorës. Pasi mbaroi shkollën në vitet ’30-të, atë e caktojnë mësues të gjuhës shqipe në zonën e Dropullit. Pikërisht në ato vite, Petroja filloi të shfaqte talent në fushën e dorëshkrimeve dhe të gazetarisë. Në atë kohë, Petroja kujtonte me respekt Branko Merxhanin nga i cili u lidh në fushën e botimeve. “Ora” do të ishte gazeta e parë ku Petro Marko 25 vjeç, do të fillonte të shkruante shkrimet e para të cilat sulmonin regjimin e Zogut, për prapambetje shoqërore kulturore dhe ekonomike në të cilën ndodhej vendi. Më pas me gazetën tjetër “ABC”, Petro Marko do të shtonte talentin e tij në formimin intelektual sidomos, kundër frymës së re që sapo kishte sunduar në Europë, atë të fashizmit.
Për disa shkrime të botuara, ai u burgos disa herë nën censurën e fortë të regjimit të Zogut. Petro u shkëput herët nga Himara dhe kontaktet me familjen e tij i mbante për së largu. Atë kohë ishte vendosur në Tiranë dhe rreth viteve 1934- ’35 ai përfitoi një bursë për të ndjekur studimet në Paris, ku veçanërisht ministri i atëhershëm i Arsimit të Mbretërisë së Zogut, Hil Mosi, e ka ndihmuar duke parë penën e fortë të Petros, për të vazhduar studimet jashtë shtetit. Petro Marko do të detyrohej të ndërpriste studimet, kur filloi lufta në Spanjë. Në atë kohë ai u bashkua me patriotë dhe revolucionarë, siç thoshte ai në atë kohë që; “Të gjithë ishin komunistë të vendosur”, për të luftuar ndaj fashizmit. Pikërisht në vitin 1936, Petro Marko së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, regjistrohet në Brigadat e forcave vullnetare të Spanjës.
Atje, veç luftëtarëve të të gjitha vendeve, ai njohu dhe të famshmin Ernest Heminguej, për të cilin ai thoshte se ishte një kolos i përmasave të mëdha. Ngjarjet e Spanjës, Petro do t’i hidhte në letër dhe do t’i botonte në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, por me një natyrë krejt të veçantë, atë të censurës, të ndalimit të veprave dhe vargjeve dhe të diktuara prej propagandës komuniste e asaj kohe. Pushtimi i Italisë fashiste e gjeti Petron në mërgim në Francë, i cili ishte kthyer pas luftës së Spanjës. Në Shqipëri vjen menjëherë dhe takohet me patriotë dhe komunistë, përfshi Nako Spiron, Sejfulla Malëshovën, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Koci Xoxen, etj., dhe merr pjesë në rezistencën guerilje, kundër fashizmit. Në vitin 1941, kur vepronte në Tiranë, arrestohet dhe internohet në burgjet e Ustikas në Itali, nga ku lirohet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Pas çlirimit, Petro Marko do të themelonte gazetën “Bashkimi”, por në vitin 1947, ai do të arrestohej, i akuzuar si “agjent i anglo amerikanëve”.
Pasi ka qëndruar rreth dy vjet në burgjet e regjimit komunist, të Enver Hoxhës, Petroja do të fillonte jetën ndryshe nga ç’kishte dashur dhe ç’kishte luftuar për vendin e tij, nën sundimit e gjatë të dinastisë së Hoxhës, kohë për të cilën ai vetë thoshte se; “ta dinte se Shqipëria, do të kishte përfunduar nën diktaturë, do të kishte qëndruar diku në perëndim dhe prej andej, ndoshta do t’i shërbente më mirë vendit dhe kombit të tij”, se sa nën kërcënimin e kulisave të diktaturës komuniste në Shqipëri. Martuar me Safon, piktoren bukuroshe, Petro do të edukonte dhe dy fëmijët e tij, Jamarbërin dhe Arianitën, nën frymën bashkohore të artit dhe të kulturës qytetare.
Por pikërisht këtu fillojnë dhe aventurat e jetës së tij. Shkrimtari i cili, më pas do të bëhej profesionist i vërtetë, me publikimet dhe reportazhet e tij, si në shtyp dhe në botime, do të gëzonte shpejt respektin e shumë shqiptarëve dhe patriotëve, jo vetëm në vend, por dhe jashtë saj. Botimet e Petro Markos, filluan të përktheheshin në gjuhë të ndryshme të botës. Vepra të tilla si; “Hasta La Vista”, “Qyteti i fundit”, “Ara në Mal”, “Një emër në katër rrugë”, “Shpella e Piratëve”, etj., do të mbushnin libraritë shqiptare dhe europiane, madje dhe deri në Japoni dhe Amerikë. Me daljen e botimeve të Petro Markos, letërsia shqiptare hyri në frymën e letërsisë moderne, origjinaliteti i të cilës, i kaloi dhe kufijtë imagjinarë. Pikërisht ishte Dhërmiu, për të cilin ai thoshte se ishte fshati më i bukur në Botë, vendi ku Petro do të fillonte të lidhte gjithë krijimtarinë e tij artistike dhe letrare. Dhërmiu dhe Himara do të mbeteshin të paharruara në kujtesën e Petros, për të cilin ai thoshte se; “Në atë vend dhe gurët e retë flasin bashkë”, ndërsa nuk mund ta përshkruante dot me fjalë përplasjen e dallgëve dhe zhurmën e tyre me shkëmbinjtë mbrëmjeve buzë detit.
Për gjatë gjithë karrierës së tij letrare, deri sa Petro Markon e larguan nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhërmiu dhe njerëzit e tij të thjeshtë, do të përbënin thelbin e personazheve të shkrimeve dhe veprave të tij, ku shpesh emra dhe karaktere të legjendave të brigjeve të Himarës, do të tërhiqnin me interes botën e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare. Personazhet e librave me heronj, piratë dhe kapedanë, do të shndërroheshin në filma, ndërsa me botimet e romanëve modernë të letërsisë sonë, ai do të fitonte dhe tituj të lartë, si në vitin 1959, “Çmimin e Republikës”. Edhe pas persekutimit të tij moral dhe si shkrimtar profesionist, Petroja nuk hoqi dorë nga veprat dhe shkrimet. Ai shkruante thjesht në një shtëpi, të cilën nuk e ndërroi deri në vdekje, (përballë ish-Hotel “Arbëria”), në një dhomë ku vetëm dëgjohej goditja e makinës së shkrimit dhe ndihej era e thellë e duhanit, që ai pinte deri natën vonë. Në shtëpinë e tij, kanë hyrë me qindra miq e shokë, patriotë dhe bashkëfshatarë, si nga Himara dhe vende të tjera të Shqipërisë, për probleme e halle, pse jo dhe talente për të mësuar më pas artin e Petros. Ndërkaq persekutimin e tij ai do ta ndjente akoma më shumë kur Madu, (siç i flisnin shkurt, djalit të Petros), do ta futnin në burg për propagandë antikomuniste. Në ato dy vitet e rrëzimit të diktaturës, Petroja do të kishte në duar dorëshkrimet më të bukura të jetës së tij, por ai fatkeqësisht dha shpirt në 24 dhjetor të 1991.
Pak kohë më parë, ai kishte themeluar Partinë Republikane, për të cilën ai thoshte se; “duhet të bëhet vërtetë republikane, me koncepte moderne dhe jo komuniste”. Amaneti që kishte lënë në familje, ishte jo shumë i çuditshëm për njerëzit që kanë lindur në Bregun e Detit Jon. Ai dëshironte të varrosej në Dhërmi. Autori i këtyre radhëve, ka jetuar tri vitet e fundit të jetës së Petro Markos, bashkë me të, momente trishtimi dhe gëzimi, që nga fillimi i botimeve të Petros dhe deri në vdekje, që s`ju nda për asnjë çast nga pas, pikërisht në atë dhomë të vogël, ku Petroja i shtrirë në shtrat, priste dhe përcillte shumë miq dhe dashamirës së tij, sikur dëshironte të çmallej dhe vetëm të çmallej me ta.
Por ja, një natë dimri, ndërsa RadioTelevizioni Shqiptar njoftoi për shuarjen e një prej kolosëve të letërsisë shqiptare, Petro Markon, të nesërmen trupi i tij, do të udhëtonte dhe do të varrosej pranë gurëve të Dhërmiut, tek varri i të parëve të tij, dhe pse Llogorai atë ditë, mbuluar me borë dhe akull, do ta lejonte arkivolin dhe miqtë që e shoqëronin, pa asnjë pengesë. Petro Marko prehet sot në “Fshatin më të bukur në Botë”, Dhërmi, mes ullinjve dhe portokalleve, por dhe aromës së jodit të Jonit. Sot pas kaq vjetësh, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Rexhep Meidani, i ka akorduar pas vdekjes titullin e lartë “Mjeshtëri i Madh i Punës”, Petro Markos, për meritat e tij të larta, në shërbim të kombit, atdheut, artit dhe letërsisë. Me veprën e Petro Markos, Teatri i Qytetit të Vlorës mori emrin e tij. “Memorie.al”