Mbi dy milionë njerëz në Zvicër nuk kanë të drejta politike. Migrantët e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (PSd), duan të jenë zë politik i tyre. Për këtë arsye ata kanë nisur një apel dhe fushatë për natyralizim (pasaportizim, marrje shtetësie) për të gjithë ata që i plotësojnë kushtet. Aprovimi i parashtresës për pasaportizim të lehtësuar mundëson ndër të tjera edhe bashkëvendosjen politike në Zvicër.
Parashtresa votuese “për pasaportizim të lehtësuar për gjeneratë e tretë”, e cila mbështetet nga qeveria federale dhe thuaja se të gjitha partitë politike të Zvicrës, dëshirojnë që njerëzve t’ua heq pengesat nga rruga dhe atyre t’ua mundësoi barazinë me bashkëqytetarët e tyre. Për këtë në Zvicër do të votohet me 12 shkurt 2017.
Konferencë për media të migrantëve socialdemokratë të Zvicrës
Të enjten, më 12 janar 2017, në salla e konferencave të qendrës për media të këshillit federal të Zvicrës u mbajt një konferencë për media në mbështetje të natyralizimit për gjeneratën e parë dhe të dytë me theks edhe pasaportizimin e lehtësuar për gjeneratën e tretë të njerëzve me sfond migracioni në Zvicër. Varësisht nga komuna, proceduara e marrjes së shtetësisë kërkon kohë dhe është e shtrenjtë.
Në konferencë për temën në fjalë u prononcuan politikanët me sfond migracioni si në vijim: Ada Mara, këshilltare nacionale nga Kantoni VD; Mustafa Atici, kryetar i migrantëve të PSd, deputet parlamenti në Bazel; Florim Kadriu, bashkëkryetar i migrantëve të sindikatës Unia për regjion te Aaragut dhe aktivist politik edhe i migrantëve socialdemokrat të Kantonit AG ; Linda Reis, migrante e PSd, Bernë; Apiyo Braendle-Amolo, migrante e PSd, Cyrih.
Në këtë konferencë për media, këta politikanë parashtruan argumentet e tyre në mbi 10 gjuhë. Në vijim do të veçojmë për ju fjalën e veprimtarit dhe bashkëkombësit tonë Florim Kadriu:
FJALA NË SHQIP E AKTIVISTIT FLORIM KADRIU
“Pothuajse një nga dy milionë njerëz pa pasaportën zvicerane i plotësojnë kushtet për natyralizim
Më 1987 kam lindur në Baden, bir i një operatori vinçi dhe një amvisje nga ish-Jugosllavia të përkatësisë etnike shqiptare, u largova nga Zvicra me vëllain, motrën dhe nënën time një vit më vonë (1988).
Më 2002, jam kthyer si një 15-vjeçar në Zvicër, nga një prej shteteve pasuese të Jugosllavisë, Maqedonisë, tërësisht i dëshpëruar dhe i pasigurt se si e ardhmja ime do të jetë, duke ndërprerë shkollën e mesme në Maqedoni, pa njohuri të gjuhës gjermane, shumë i rritur në moshë për të vazhduar shkollimin normal në Zvicër. Por, si shumë të ardhur në moshë, e kam luftuar rrugën time, bëra një edukim biznesi dhe tani duke studiuar informatikën ekonomike. Jam natyralizuar që nga viti 2012 (me procedurë të rregullt).
Në atë kohë, 1988, prindërit e mi vendosën që një pjesë e familjes të kthehet në shtëpi për shkak se gjendja financiare ishte e ngushtë. Nga paga e babait tim nuk mbet’e shum, dhe qëllimi i parë në atë kohë ishte për të fituar para, për të ndërtuar një shtëpi në vendlindje dhe për të mbështetur familjarët që kishin mbetur atje. Sot, asnjë nga bashkatdhetarët e mi që njoh të brezit të sotëm nuk duan të largohen nga Zvicra, përkundrazi, ata shkollohen, ata ndërtojnë një shtëpi, ata bëjnë politikë dhe angazhohen në shoqëri dhe përfaqësojnë vlerat e Zvicrës si çdo zviceran apo ndonjë zvicerane, ndonjëherë dhe më mirë se ata. Koha pra ka ndryshuar, për të mirë, sepse migrantët e brezit të dytë dhe të tretë sot janë një shtyllë e domosdoshme e ekonomisë zvicerane, inovacionit, kulturës, sportit, etj.
Por a ka ndryshuar qëndrimi i Zvicrës ndajë fëmijëve të sajë të prindërve me prejardhje jo zvicerane të viteve të 60-a, 70-a dhe 80-ta? Unë në çdo rast mendoj se ai duhet të ndryshojë!
Për shkak se këto migrantë të brezit të dytë dhe të tretë janë shtylla jo vetëm për sektorin privat, por ata munden të jenë policët, politikanët, anëtarë të mbrojtjes civile dhe ushtarët e së nesërmes, nëse ne marrim vendimet e duhura tani, dhe vëmë në rishqyrtim pikëpamjet tona ndajë migrantëve – ta braktisim mentalitetin bllokues ndaj migrantëve me ligje gjithnjë e më të rrepta, që dënojnë ata që e meritojnë një shans të dytë, drejt një politike konstruktive në çështjet e emigracionit. Edhe fushata e tanishme me mbulesat e grave (burkat) të partisë popullore (SVP) nuk bazohet në asnjë fakt dhe përbën një mospërfillje dhe një përçmim të punës dhe angazhimit që bën brezi i tretë çdo ditë në Zvicër.
Lojtarët e futbollit me prejardhje migrante, të cilët tani janë duke luajtur për kombëtaren zvicerane dhe i kanë sjellë Zvicrës në Evropë dhe ndërkombëtarisht një shkëlqim të mrekullueshëm, së pari mundeshin vetëm t’u sjellin sukses klubeve futbollistike private. Me pajisjes me shtetësinë e Zvicrës ata mundën të luajnë për Zvicrën në kombëtaren e sajë dhe ne i festuam sukseset e tyre së bashku, dhe kjo vlen për shumë migrantë tjerë të gjeneratës së dytë dhe të tretë, të cilët gjithashtu me njohuritë e tyre, talentin dhe aftësitë në shumë fusha të tjera munden t’i ndihmojnë Zvicrës në suksesin e përbashkët, pasi që ata të natyralizohen.
Që nga 1 tetor 2016, ligji për dëbim hyri në fuqi, që do të thotë se të gjithë emigrantët që nuk kanë pasaportë zvicerane, janë të ulur në një karrige katapultuese. Me gabimin më të vogël ata dëbohen prapa në shtete, të cilët ata ndoshta i njohin nga pushimet e tyre, por jo më tepër. Ne kemi luftuar kundër këtij ligji, por fatkeqësisht drejtësia me standarde të dyfishta në Zvicër është bërë realitet me ligjin e dëbimit. Ne për fat të keq do të bëhemi dëshmitarë të tragjedive dhe skenave të njerëzve të cilët nga dëshpërimi dhe frika gjatë dëbimit hidhen nga shkallët para aeroplanëve, familje të cilat do të ndahen në mes, të rinj dhe të reja të brezit të dytë dhe të tretë, të cilët e kanë merituar shansin e dytë, do të dëbohen mizorisht.
Unë më duhet të përmend rastin, se pas hyrjes në fuqi të iniciativës së dëbimit, në fakt ithtarët dhe iniciatorët e nismës për ligjin e dëbimit dhe iniciativës pasuese për zbatimin e tij të përpiktë (Durchsetzungsinitiative), që çoi Zvicrën në prag të kolapsit me të drejtat themelore të njeriut, në rastin Besko dolën të jenë po të njëjtët iniciatorë, të cilët u bënë kritikuesit më të ashpër të iniciativës dhe të ligjit, që ata vetë me aq shumë zell të skajshëm e ndoqën. Por s’ka zgjidhje tjetër, ligji i dëbimit ka hyrë në fuqi dhe mënyra më e mirë për t’u mbrojtur kundrejt saj, është aplikimi pa hezitim për fitimin e shtetësisë zvicerane.
Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë njerëzve që nuk kanë pasaportë zvicerane, por i përmbushin kushtet për të, të aplikojnë për natyralizimin brenda vitit 2017, për shkak se ligji i ri për natyralizime, i cili hyn në fuqi me 1 janar 2018, bien edhe ai keqësime për migrantët, sidomos për ata posedues të leje qëndrimit B, të cilët nuk do munden më të parashtrojnë kërkesë për natyralizim.
Përfitimet e natyralizimit janë të qarta:
– Shtetësia zvicerane garanton kthimin në Zvicër, edhe në qoftë se ju e keni braktisur Zvicrën dhe keni jetuar për një kohë në një shtet tjetër. Për të huajt që lënë rezidencën, nuk kanë të drejtë parimore për t’u kthyer.
– Pjesëmarrja në vendimet shtetërore. E drejta për të votuar, e drejta për tu zgjedhur në pozita shtetërore, e drejta për të lansuar iniciativa ose për të kapur referendumin.
– Dëbimi ose ekstradimi i shtetasve zviceranë në vende të treta është i ndaluar!
– Zvicra u jep vetëm qytetarëve të saj në raste urgjente mbrojtje diplomatike dhe konsullore jashtë territorit të sajë.”
Pra, me 12 shkurt 2017 mbahen votimet federale, ku ndër të tjera votohet edhe për natyralizimin (marrjen e shtetësisë, pasaportizimin) e lehtësuar për gjeneratën e tretë. Ftohen të gjithë bashkëkombësit me të drejtë vote që të votojnë me PO për natyralizim të lehtësuar dhe të angazhohen që edhe rrethi it tyre familjar e farefisnor si dhe shoqëror e kolegjial që me 12 shkurt të votojnë me për te. Apelojmë gjithashtu që të gjithë personat që formalisht plotësojnë parakushtet për marrje të shtetësisë në Zvicër që gjithsesi të aplikojnë qysh tani dhe më së largu deri në fund të vitit 2017, pasi që nga 1 janari 2018 hynë në fuqi ligji i ri shumë më i përkeqësuar për natyralizim në Zvicër.
Për më shumë informata shih edhe apelin e socialdemokratëve migrantë të PSd në këtë vegë të internetit: http://www.sp-ps.ch/de/partei/sozialdemokratische-bewegung/sp-migrantinnen/po-pashaportizimin-e-lehtesuar-gjeneraten-e
Osman Osmani, nënkryetar i socialdemokratëve migrantë të PSd
Komentet