-Vetëm njeriut të fisnikëruar mund t’i jepet liria e shpirtit- Niçe
Më ka mbetur në mëndje që nga fushata e kandidatëve për President të SHBA-së, një frazë e kandidatit republikan, Romney: “Obama lufton të shpëtojë botën, unë luftoj për familjen”. Kjo deklaratë e Romney thekson një pohim dhe një shqetësim. Nga njëra anë pohon rolin dhe vlerat e patjetërsueshme të familjes në shoqërinë moderne, pra, bota do të jetë më e mirë, në se do të kemi një familje më të shëndoshë dhe, nga ana tjetër, tregon se diçka është tronditur në strukturën dhe psikologjinë sociale të familjes bashkëkohore.
Dhe kur ky shqetësim kthehet në platformë të programit të kandidatit për President në SHBA, do të thotë se nuk është fjala as për familjen e presidentit amerikan dhe as për familjen amerikane, por është shqetësim në rrafshin botëror. Ky synim fisnik e madhor i Romney nuk mund të mos ketë tërhequr vëmëndjen e studiuesve dhe prindërve shqiptarë, për të cilët familja ka qënë e shenjtë, një tabu, deri në vendosjen e diktaturës së proletariatit, kur u tjetërsua.
Nuk është ky arsyetimi që duhet të ndaj me lexuesin, por po shikojmë pothuajse çdo ditë një realitet mediatik dhe kafenesh, që nuk mban më arsyetim. Veçanrisht pas ndonjë vrasjeje në familje apo ndonjë dhunimi seksual(të cilët janë absolutisht makabre dhe të dënueshëm), gjithandej mediat televizive, shtypi i printuar dhe ai online, po i mëshojnë krimit ordiner dhe atij brenda familjes me një “babëzi” mediatike, sa të duket sikur pritet flijimi i viktimës fatkeqe të radhës, për të mbushur orët e fjetura të televizioneve, radiove, faqet e gazetave dhe revistave, që të sigurohet shitja e tyre. Dhe, sa herë shfaqet viktima e radhës, listohen të gjitha viktimat e vitit apo viteve, duke abuzuar deri në hollësira të pa lejueshme nga pikëpamja morale, etike dhe humane, të cilat rëndojnë edhe më tepër viktimën e familjen, që sigurisht ndihen të lënduar.
Emisione televizive, radiofonike dhe artikuj gazetash ku flitet për monstra përbindëshash e vagabondësh, që dhunojne adoleshentet; shkrime ku vëllai vret vëllanë për një copë tokë, për një gardh, apo për vogëlsira të tjera, krejt banale në dukje; pasazhe kur burri vret gruan dhe gruaja vret burrin, kur prindi vret fëmijën dhe fëmija vret prindin. Realisht ky është një fenomen shqetësues, aq sa është edhe një absurditet i kohës, që nuk lë pa shënuar edhe humbjen e disa vlerave të shoqërisë. Por edhe më absurde dhe që nuk mban më arsyetim, është fakti se për gjithçka fajësohet sistimidemokratik, shoqëria dhe shteti, duke hymnizuar diktaturën e kaluar. Arrihet deri atje sa një gazetare këto ditë ka mbritur në gjykimin “intelektual” se “ky nuk është vend për vajza”. Mos kjo popullsi ka zbritur nga tjetër planet?! Dhe, sipas asaj dhe atyre, gjenerata e të rinjëve të sotëm në Shqipëri është një gjeneratë e humbur. Ajo s’ka punë, s’ka shkollim, s’ka siguri, ka varfëri, uri e krim, s’ka të ardhme. A s’është kjo thirrje pë të ikur nga Shqipëria?!
Por, në vazhdim të asaj që nuk ha më arsyetim, unë shtroj pyetjen: Po mirë politika, sistemi, qeveria e grupe të caktuara e nxisin vetë anarkinë e krimin, po familja çfarë bën? A nuk ka ajo fare përgjegjësi për krimin ordiner dhe aq më tepër për atë brenda familjes? Çfarë bën familja që fëmija, burri, gruaja të mos bëjnë krime? A i dinë këta artikujshkrues dhe taboret e komentarëve pas tyre raportet shtet-shoqëri-familje në demokraci? Ose nuk i dinë ose bëjnë se nuk i dinë.
Aktualisht shoqëria shqiptare e ka kaluar çastin e zbrazëtirës, janë krijuar institucione të reja shoqërore dhe janë ristrukturuar ato ekzistuese. Shpallja dhe sigurimi i lirisë së besimit krijoi mjedisin për ringritjen dhe për funksionimin e institucioneve fetare, por që duket se ende nuk po e luajnë dot rolin e tyre të fuqishm në edukimin e dashurisë për tokën “ku u ka rënur koka”, për familjen, për respektin ndaj robit të Zotit etj. Eshtë realizuar çlirimi i institucionit të familjes nga disa norma e tabu, që ngurtësonin raportet mes pjestarëve të këtij institucioni. Ristrukturimi i institucionit të shkollës dhe çkuadrimi i mjeteve të informacionit masiv kanë krijuar mundësinë që çdo individ të gjej vetëveten. Të gjitha këto normalisht rrisin rolin e shoqërisë civile, të fesë dhe familjes në edukimin e brezit të ri dhe ulin peshën e shtetit. Por nuk mund të mos pranojmë se koha moderne padrejtësisht e ka tronditur fondamentin edukativ. Veçse koha nuk është as e drejtë, as e padrejtë. Ndryshimet (sociale, ekonomike, demografike, kulturore) do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme. E padrejtë mund të quhet tërheqja, dorëzimi përballë nevojës për ndryshim në raportet qeveri-shoqëri, prindër-fëmijë etj.
Ndryshimi fillon nga familja e gjithesecilit prej nesh. Shtrohet pyetja: A i kemi punët mirë në familje? Nuk ka dyshim që autoriteti edukativ i familjes shqiptare, për shumë arsye të natyrës historike dhe aktuale, është tronditur. Në këtë aspekt duket se ka një amulli sociale të vërtetë, mungesë konceptesh të qarta, qëndrime ambiguide evidente. Ka një tërheqje të dukshme jo vetëm nga tradita jonë edukative e së kaluarës, e cila për hir të së vërtetës as nuk ka qenë e tëra e shkëlqyer, por as e tëra e deformuar. Ndërkaq, me çfarëdo mjeti sociologjik, mediatik dhe publik të testosh situatën aktuale edukative të familjes, do të konstatosh se ka një nënvlerësim të pafalshëm, madje përmasat e neglizhencës social-edukative kanë arritur deri në dimensionin më kritik të braktisjes së detyrës edukative, që është edhe në kushtet e shoqërisë moderne, një nga misionet e pandryshuara e më fondamentale të familjes. Duke menduar seriozisht për këtë situatë anormale, kam përshtypjen se në shoqërinë shqiptare, të dhënë tërësisht pas realizimit të ëndrrës së vjetër të plotësimit sa më të mirë të standardeve të jetës materiale të familjes, të fëmijëve dhe pjesëtarëve të tjerë të saj, po nulifikohet detyra e formimit dhe edukimit qytetar, sidomos të fëmijëve. Në shumë biseda me prindër, fëmijë, adoleshentë e të rinj, duket se ka aq shumë module të paqarta për këtë problem, sa të mendosh se për këtë rol të rëndësishëm të familjes në shoqërinë tonë ka një kaos të vërtetë dhe të përgjithshëm konceptual, i cili nuk po e lejon familjen shqiptare që të rifitojë kuotat e qytetëruara të “drejtpeshimit edukativ”.
Një pozitë shumë delikate e familjes shqiptare, e cila sapo është larguar nga modelet e vjetra të “edukatës së mbyllur”, por që nuk po orientohet me parimet e “edukatës së hapur” të familjes moderne. Në këtë pikë duhet të jemi realistë, sepse me sa duket, edhe në këtë distancë prej tri dekadash të jetës demokratike, duket se nuk na shpëton nga përgjegjësia “reagimi modern” në formën e nihilizmit të traditës sonë edukative. Ndoshta duhet të bindemi se disa vlera të traditës edukative e familjes shqiptare janë me konsistencë dhe rezistente ndaj turbulencave të modernitetit. Ka ca gjëra që duhen parë me më shumë kujdes dhe seriozitet, duke i parë vlerat më pozitive të traditës së edukimit familjar, përtej ambalazheve deformuese të ideologjisë së vjetër të “paternalizmit edukativ”. Sepse edukata dhe edukimi në familjen tonë të së kaluarës nuk ka qenë e tëra konservatore, pa asnjë vlerë, dhe që sot me mendjelehtësi të nihilohet totalisht. Familja është një celulë e shoqërisë e një rëndësie krejt të veçantë jo vetëm për kombin tonë, por për gjithë kombet. Për kombin tonë familja ishte shprehje e idenditetit të fuqisë së tij shpirtërore dhe kulturore jo vetëm tek lindja e një familjeje të re, por sidomos vlerësimin e rolit të saj të pazëvendësueshëm në të gjitha aspektet e jetës, në tragjedinë dhe mbijetesat e tij. Aq më tepër kur jemi shtetformuesit e fundit në Europë. Janë të shumta vlerësimet në formë sentencash për familjen dinjitoze shqiptare, e cila përfaqëson në fakt vetë mëndjen dhe trurin e ndritur të kombit, në atë masë që, kjo kompaktësi dhe fuqi qëndresore e familjes, pa humbur dhe pa rrafshuar vetiakësinë e individit, identifikohej me kombin në mënyrë të natyrshme dhe të vetëdijshme. Të huajt thonin dikur se ishte e pakuptueshme si kanë mundur të bashkëjetojnë te shqiptarët një varfëri ` proverbilae materiale me një pasuri shëmbëllore shpirtërore, një nivel teknik primitiv me një fisnikëri ndjenjash e zakonesh të rralla. Kjo pasuri i detyronte të haujt e njerëzit përparimtarë të botës ta quanin “Muze të gjallë të vlerave humane”, “Oaz të virtytit” dhe shqiptarët “Kavalierët e fundit të nderit në Europë”. Këto vlerësime shprehnin një të vërtetë sepse kombi që nuk vuan nga asnjë ndjenjë inferioriteti përballë kulturave të të tjerëve, është një komb që ndjenjën e lirisë nuk e ka as fasadë, as thjesht si mburojë, por si thelb të ekzistencës dhe vitalitetit të tij. Sot ka tregues të qartë që të vënë në mëdyshje, të bëjnë skeptik, lidhur me faktin nëse familja shqiptare do të mbesë apo jo në të ardhmen strukturë sociale e organizuar edukativisht, e cila siç thotë filozofi politik amerikan i kohës sonë, J. Rols, do të jetë strukturë sociale pa vlerë apo strukturë që “do të imponojë detyrime”.