“UNE E DUA EREN”
-shkruar pas filmit: unë e dua Erën-
Unë e dua erën, atë erën lozonjare
Që luan me atllaset e kaltër mbi gju,
Kur shoh shkrepëtima e dalloj tallaze
Në qiellin e gjelbër të syve të tu;
Jam i ndjeshëm ndaj teje, por e dua erën,
Atë erën çapkëne, atë erën egrushe,
Ti ul fustanin me duar, e kap me gjunjë,
Po ajo luan poshtë me këmishën djallushe;
Unë e dua erën, atë erën e kaltër
Kur ujvarën e leshrave ta hedh ajo tutje,
Të zbulon qafën e bardhë si alabastër
Që edhe eremitin e josh për një puthje;
Unë e dua erën, atë erën e paturpshme
Që fustanin e hollë ta ngjit ty me trupin,
Të nxjerr përpara gjokset, të fortë e të hedhur-
Si dy hemisferat e globit më duken;
Zili e bëj erën, atë erën mistrece,
Kur lëmon linjat, prek intimitetet e tua
Dhe unë si Otello, xheloz i pandreqshëm
I dua privlegje vetëm për mua;
Unë e dua erën, më duket e hatashme
Atë erën çapkëne, atë erën rrebele,
Kur me njëra-tjetrën në paqe, të pafajshme
Ju lozni e grindeni posi dy kotele;
Oh, e dua erën, atë erën e ngarkuar,
Me aromat e tua dehur edhe velur
Dhe ti me droje buzëqesh e përskuqej
Si trëndafili i freskët, n’agim i posaçelur;
E DOGJA BLLOKUN ME KUJTIME
E dogja bllokun tim të vjetër
Një bllok i rëgjuar si pritja ime-
Si rrënoja antike të një bote tjetër…
E dogja bllokun me shënime.
Ishin zambakë të tharë, dikur selitur
Në kopshtin e bardhë të dlirësisë sime
Nga pusi i thellë i zemrës ujitur…
E dogja bllokun me kujtime.
Ishin pemë të zhveshura në dimrin acar
Ushqyer me klorofilën e rinisë sime
Dhe fruta që ruaja në shpirtin hambar…
E dogja bllokun me shënime.
Ish një botë e tërë, e afërt, e largët
Me zogj të përgjumur në shtegëtime
Me diell lulesh, shushurima livadhesh…
E dogja bllokun me kujtime.
Për të fundit herë i preka me radhë
Projekte dashurishë e shpresash sublime,
Endërra të varrosura si Pompeu nën llavë…
E dogja ditarin e rinisë sime.
I dogja kujtimet si gjethe të thata
Që vjeshta m’i shkund te kopshti, te pragu.
Pa vrull e pa ngjyrë hepohej flaka
Si drita e një qiriri që digjet së largu;
I dogja, i dogja të gjitha ç’kisha
Në zall të vetmisë, në heshtjen e plotë
Pa thënë një herë: oh, ç’bëra i ziu!
Pa m’u derdhur syve një pikë lot…
Tani si hutaqi rrëmih nëpër hi
Në prag të dimrit kërkoj një shkëndi
Një varg kushtimi, një rrokje të bardhë
Nga kujtimi yt që më mbajti gjallë;
MALL PER UDHET E LARGETA
Më mori malli për udhët e largëta
Për udhët që të shpien në Veri,
Më mori malli për liqenin e Ulzës,
Më mori malli për Drinin e Zi;
Më mori malli për urat me tela,
Ku kalonin pa frikë nxënësit e mi
Si zogu sokol i ajrit të kthjellët,
Me lule bjeshke për mësuesin e ri;
Më mori malli për shokët e thjeshtë
Për shkollat ku lashë mall’ e gjurmë,
Ku dhashë gjithë ç’kisha të shenjtë
Pa sqimë, pa bujë e pa zhurmë;
Më mori malli për viset e largëta,
Për peizazhet e ngrohta e të qeta
Si një dashuri e heshtur, e ngadaltë
Në vetminë e netëve të shkreta…
MALL I QETE
Në brigjet e Bosforit kur isha
I humbur u ndjeva pa ty
Dhe valët më dukeshin ndryshe,
Shën Sofia s’më hynte në sy.
Dhe yjet që zbrisnin ujvarë
Nuk ma preknin shpirtin askund,
E zbetë ,si nga lija e vrarë,
Dukej hëna mes yjesh pa fund.
Duart e tua rreth qafës kurorë
Më bëjnë të gjallë, më japin jetë.
Mes dy brigjesh atje në Bosfor
Zemrën ma brente një mallë i qetë.
NUK TE NDIHET FARE FRYMA…
Ashtu si bletës në koshere
S’i dëgjohet fërfërima,
Dhe ti qetas më afrohesh
Nuk të ndihet fare fryma…
S’ ngopem së pari, e dashur
Të ëmbëlën tënde fytyrë,
Fëmijët tanë të bukur shoh
Në dy sytë e tu pasqyrë.
Sytë e tu burim i kulluar
Pa rrëfyer nuk lënë gjë,
Veç tani në bebëzat e tua
Mjalt’i mjaltit, jo tjetër më.
Për ty unë dua t’i harxhoj
Sytë e qeshur që m’i fale
Kudo qofsh do të shikoj
Në dete, qiell edhe male.
AH, RETI, RETI
Thjesht me një fizarmonikë
Në atë mbrëmje kërcimtare
Ne shpesh kërcyem të dy çift
Un’ isha atje, po s’ndjeja fare…
Studente çapkëne për zili-
Vajza të dëlira sa s’gjënden më,
Por syt’ e mi rrinin tek ti
Si ti, RETI, nuk kish asnjë.
Po pse do ti të më mundosh,
Kur unë për ty zbres në varr,
Shpirt e zemër të më coptosh,
Kur unë të dua me kaq zjarr?!
Ti s’ke një shpirt kaq mizor
Të mos kesh aspak mëshirë…
Për një tullac, një profesor
Të më lësh në errësirë…
Tiranë, tullac, televizor –
Ky trekëndësh i Bermundës
Rininë tuaj po bën theror
Rininë zvarrë do të hiqni rrugës
* * * * *
Po, dil ti, Reti, në dritare?
Eshtë ora jonë, mos ke harruar?
Asgjë s’kushtojnë mijra thesare
Përpara syve të adhuruar!
Çdo torturë do ta duroja
Nën ballkon atje i strukur
Që zemrën tënde ta fitoja
Ah, Reti, Reti im i bukur;